VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Mueller i shkruan prokurorit Barr: Nuk e publikove thelbin e hetimit tim

By | May 1, 2019

Komentet

SHBA kërkon të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha të enjten mbrëma se “Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Në vendim thuhet më tej se “dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin 14 të nenit 84 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës.

Vendimi i sontëm i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e ri për qeverinë e re.

Më 30 prill presidenti Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai e mirëpriti të enjten mbrëma vendimin e gjykatës duke bërë thirrje që “partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën. Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ambasada amerikane në Prishtinë në një komunikatë tha se “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë udhëheqësit të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, qëndrueshmërisë dhe përparimit për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Ambasadori Richard Grenell i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, nëpërmjet një komunikate bëri thirrje poshtu për respektimin e vendimit.

“Gjykata Kushtetuese foli. Për të siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë përparim, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në njoftimin e zyrës së ambasadorit Grenell.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, ndërsa ka akuzuar presidentin për “krijim të vullnetit politik”, përtej përgjegjësive të tij.

Të enjten pasdite veprimtarët e kësaj lëvizjeje organizuan të enjten pasdite në sheshin qendror të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Në kohën e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, që ishte në një debat politik në Klan Kosova, e cilësoi “skandaloz” dhe që mund të çojë në “revoltë qytetare”.

“Skandaloz” e cilësoi vendimin edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila shkroi se “Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit!”

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit dy muaj ma parë, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike arriti ndërkohë marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtare për krjimin e një qeverie të re dhe është zotuar se do të kërkojë votimin në parlament menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha të enjten mbrëma se vendimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionojnë.

“LDK gjthëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë. Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri. Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kesaj drejtesie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpriti vendimin që sic shkroi ai “i hap rrugë formimit të qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, shkroi ai. zëri i amerikës

Presidenti Trump nënshkruan urdhërin ekzekutiv për kompanitë e mediave sociale (video)

President Donald Trump speaks in the Oval Office of the White House, Thursday, May 28, 2020, in Washington.

Duke përshkallëzuar luftën e tij me kompanitë e mediave sociale Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten që sfidon mbrojtjen ndaj detyrimeve ligjore që këto kompani kanë për materialet e postuara nga përdoruesit e tyre.

Megjithatë, masa duket se ka të bëjë më shumë me politikën sesa substancën, pasi presidenti kërkon të mbledhë pas vetes mbështetësit e tij pasi ai sulmoi Twitter-in për aplikimin e konceptit të kontrollit të fakteve në dy nga postimet e tij.

Trump, i cili personalisht mbështetet shumë tek Twitter-i për të sulmuar armiqtë e tij, ka akuzuar prej kohësh gjigantët e teknologjisë në Silicon Valley që anojnë nga liberalët, se po vënë në shënjestër konservatorët duke i kontrolluar ose duke hequr postimet e tyre.

Masa udhëzon agjencitë e degës ekzekutive të kërkojnë nga agjenci të pavarura që hartojnë rregullore, përfshirë Komisionin Federal të Komunikimit dhe Komisionin Federal të Tregtisë, të studiojnë mundësinë nëse ata mund të vendosin rregullore të reja për kompanitë – megjithëse ekspertët shprehin dyshime se kjo mund të bëhet pa një akt të Kongresit.

Kompanive si Twitter dhe Facebook u jepet mbrojtje nga përgjegjësitë ligjore në bazë të nenit 230 të Aktit për Komunikimin e Qytetëruar sepse ato trajtohen si “platforma” dhe jo “botues”, të cilët mund të përballen me padi mbi përmbajtjen që publikojnë.

Një urdhër i ngjashëm ekzekutiv ishte konsideruar më parë nga administrata, por ishte lënë mënjanë mes shqetësimeve se nuk plotësonte detyrimet ligjore dhe shkelte parimet e lirisë së fjalës.

Trump dhe fushata e tij reaguan pasi kompania Twitter shtoi një frazë paralajmëruese në dy postime të presidentit Trump ku ai i quante votimet me postë “mashtruese” dhe parashikuante se “kutitë postare do të grabiteshin”. Nën postimet në Twitter, tani ekziston një hallkë ku lexohet “Njihuni me faktet për votimet me postë” që i udhëzon përdoruesit në një faqe me kontrolle faktesh dhe lajme mbi njoftimet mbi pretendimet e pabazuara të Trump.

Presidenti Trump akuzoi Twitter-in për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020″ dhe deklaroi se “si president, unë nuk do të lejoj që kjo të ndodhë”.

Presidenti dhe konservatorë të tjerë kanë pohuar, për vite me rradhë, se kompanitë e teknologjisë në Silicon Valley janë treguar paragjykues ndaj tyre.

Por nuk ka asnjë provë për këtë – dhe ndërsa drejtues dhe shumë punonjës të Twitter-it, Facebook-ut dhe Google-it mund të anojnë nga liberalët, kompanitë kanë theksuar se nuk kanë asnjë interes të biznesit për të favorizuar një parti politike ndaj të tjere.

REAGIMET

Marcus Messner, ekspert për mediat në Universitin e Komonuelthit të Virxhinias i tha Zërit të Amerikës se “kompanitë e mediave sociale prej vitesh luftojnë kundër përhapjes së dezinformatave dhe për nevojën e verifikimit të fakteve, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale.”

“Twitter ka të drejtë të vënë në dukje informacionet që janë të pasakta, edhe kur kjo ka të bëjë me tweete të Presidentit Trump,” tha profesor Messner.

Profesori i gazetarisë vuri në dukje se hapi i ndërmarrë nga Twitteri prek linjën delikate “mes verifikimit të fakteve dhe rrezikut se mund të akuzohesh për censurim të fjalës politike me veprime më drastike, si fshirja e postimeve apo pezullimi i llogarive.”

Profesor Messner tha se çështja që shtrohet është: “nëse u shton postimeve një link për verifikim faktesh që të çon tek shkrime të ndryshme të mediave, a do të pranoheshin ato nga mbështetësit e Presidentit Trump, të cilët regullisht i mohojnë raportimet e mediave të mëdha?”

Efekti i veprimeve të tilla në këtë atmosferë të ndezur partiake do të ishte i kufizuar, thotë profesori.

Shefi ekzekutiv i firmës Twitter Jack Dorsey tha në faqen e internetit të kompanisë se tweetet e presidentit “mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë gabimisht se ata nuk kanë nevojë të regjistrohen për të marrë një fletëvotimi me postë. Synimi ynë është të sqarojmë deklarimet konfliktuale dhe të japim informacionet për të cilat ka debate, në mënyrë që njerëzit të mund të gjykojnë vetë.”

Steve DelBianco, president i NetChoice, një grup komercial që ka në klientelën e tij edhe kompanitë Twitter, Facebook dhe Google, tha se “presidenti është duke shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës, duke kërcënuar të drejtat themelore të fjalës së lirë për platformat e mediave sociale”. Ky hap i administratës “i nxit qeveritë e huaja të kontrollojnë lirinë e shprehjes në internet,” tha ai në një deklaratë të enjten.

Ekspertët kushtetues: Presidenti Trump nuk gëzon kompentenca pa kufi

Presidenti Trump nuk kursehet në kërcënime, që nga kanosja se do të mbyllë Twiterin, tek zotimi për të superuar vendimet e guverntorëve që mbajnë të mbyllura objektet fetare. Ai është shprehur se ka “autoritet total” për të detyruar shtetet të rihapin aktivitetin ekonomik, megjithëse udhëheqësit localë thonë se është herët për rihapje.

Në përballjen me pandeminë presidenti është shprehur se gëzon autoritet të gjerë, por studiuesit e së drejtës kushtetuese nuk mendojnë kështu.

“Presidenti në fakt ka autoritetet shumë të madh për t’u përgjigjur në një krizë të shëndetit publik. Por ai thjesht nuk ka këtë atoritet që pretendon,” thotë Stephen Vladeck, profesor i së drejtës në Universitetin e Teksasit.

Presidenti tha fillimisht se mund të detyronte guvernatorët të rihapnin ekonominë para se ata ishin gati për këtë hap. “Dikush që është president i Shteteve të Bashkuara ka autoritet total,” tha zoti Trump.

Presidenti hoqi dorë nga ky kërcënim, duke thënë se do ia linte vendimin shteteve. Por ai e përsëriti këtë kërcënim kur foli javën e kaluar se gëzon autoritet për rihapjen e objekteve fetare edhe në zona ku mbeten në fuqi urdhrat e qëndrimit në shtëpi.

Të martën, atij iu drejtua një pyetje lidhur me autoritetin që gëzon për një veprim të tillë. Presidenti nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Mund ta bëj nëse dua. Kemi mënyra të ndryshme për të superuar vendimet e guvernatorëve dhe nëse është e nevojshme, do ta bëj,” tha presidenti.

Shtëpia e Bardhë nuk ka sjellë si argument ndonjë statut specifik, por zëdhënësi i presidentit tha në një deklaratë “çdo vendim i presidentit gjatë pandemisë është udhëzuar nga synimi për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e amerikanëve”.

Presidenti Trump “nuk ka asnjë autoritet nëse e lexon dhe interpreton normalisht Kushtetutën dhe autoritetin federal për të dhënë urdhër që të rihapen objektet fetare,” thotë historiani Matthew Dallek.

Por historiani Dallek shtoi se thjesht fakti që zoti Trump nuk gëzon autoritetin për të bërë gjëra që zotohet të bëjë, nuk do të thotë që nuk do t’i bëjë, pra ai mund të nënshkruajë urdhra ekzekutive që më pas bllokohen nga gjykatat.

“Cfarë e ka ndalur më parë Presidentin Trump? Ai nuk është rezervuar shumë. Mendoj se do të bëjë ato që i duken në interes të tij në një moment të caktuar,” shton historiani.

Kur presidenti deklaroi gjendje emergjente për pandeminë në muajin mars, ai aktivizoi 100 agjenci të ndryshme qeveritare. Por ai nuk i ka vënë shumë prej tyre në punë, thotë zoti Vladeck.

“Një ndër ironitë e këtij momenti është se presidenti ka një numër kompetencash që në fakt nuk i ka përdorur. Por ai vazhdon të flasë për pushtetin e pakufi që gëzon”.

Këtu përfshihet Ligji për Prodhim për Mbrojtje, të cilin presidenti mund ta kishte përdorur në mënyrë më agresive për të detyruar kompanitë amerikane të prodhonin artikuj si maska apo aspiratorë. Por ai e përdori këtë ligj vetëm në mënyrë të kufizuar.

Studiuesit e së drejtës kushtetuese thonë se edhe në rastet kur presidenti nuk vepron për të vënë në jetë kërcënimet e tij, thjesht kanosjet nga posti i presidentit kanë ndikim.

Ndër kanosjet e fundit të presidentit është reagimi i tij ndaj platformës së medias sociale Twitter, pasi Twitter vuri një paralajmërim për përdoruesit pranë komenteve të presidentit, duke sinjalizuar se në postime kishte të pavërteta.

Presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten ku kufizon mbrojtjen ekzistuese që gëzonin mediat sociale nga padi gjyqësore për deklarata të postuara në faqet e tyre.

“Twitter po mbyt LIRINË E FJALËS dhe unë si president nuk do ta lejoj të ndodhë,” tha presidenti të martën.

Kongresi mund të miratojë rregullore shtesë lidhur me operimin e platformave të medias sociale, por “presidenti nuk ka autoritet të tillë,” thotë ish-gjykatësi federal Michael McConnell, i cili tani drejton Qendrën Ligjore në Universitetin Stanford. “Ai thjesht shfryn,” thotë zoti McConnell.

“Nuk ka asgjë që bie ndesh me Amendamentin e Parë që mbron lirinë e fjalës në aktin e Twitterit për të vënë një shenjë paralajmëruese pranë komenteve të presidentit,” shton Jameel Jaffer, studiues në Universitetin Columbia. “E vetmja gjë që lidhet me Amendamentin e Parë është kërcënimi i presidentit të ndëshkojë Twitterin thjesht se vuri një paralajmërim për kontrollin e fakteve”.

Por Jack Balkin, profesor i së drejtës në Universitetin Yale thotë se presidenti ka tjetër synim:

“Presidenti do t’u çojë një mesazh arbitrave, jo lojtarëve. Ai do të paralajmërojë drejtuesit e kompanive të mos bëjnë numra me të”.

Profesori i medias në Universitetin Rutgers thotë se kjo është shumë e thjeshtë: presidenti do të ndezë bazën e tij politike:

“Për Presidentin Trump, çdo gjë fillon e mbaron me synimet politike,” thotë ai. zëri i amerikës

Trump: 100 000 vdekje nga koronavirusi, “një moment historik shumë i trishtuar” për SHBA

Presidenti Donald Trump i quajti të enjten vdekjet më të larta në botë nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara “një moment historik shumë të trishtuar”.

Në fillim të vitit, Trump shpesh e minimizonte kërcënimin e koronavirusit, duke thënë se numri i rasteve në Sh.B.A do të zvogëlohej shumë shpejt. Por ai e pranoi numrin e vdekjeve – një shifër më e lartë nga numri i vdekjeve amerikane në luftërat e Vietnamit dhe Koresë të marra së bashku – në një koment në Twitter.

“Për gjithë familjet dhe miqtë e atyre që janë ndarë nga jeta,” tha ai, “dua të shpreh simpatinë dhe dashurinë time nga zemra për të gjitha vlerat që mishëronin dhe përfaqësonin këta njerëz të mëdhenj. Zoti qoftë me ju!”

Të mërkurën, ish-nënpresidenti Joe Biden tha në një mesazh të postuar në Twitter “Ka momente në historinë tonë kaq të zymta, kaq të dhimbshme, saqë ato janë fiksuar përgjithmonë në secilën prej zemrave tona si ngushëllim i përbashkët. Sot është një nga ato raste”. Biden, kundërshtari i presidentit Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, i dha fund mesazhit duke thënë “Për ata që vajtojnë, më vjen shumë keq për humbjet tuaj. Kombi trishtohet me ju”.​

Me Sh.B.A që kaloi 100,000 vdekje në më pak se katër muaj, një grup senatorësh nga të dyja partitë ripërsëritën thirrjen e tyre për një moment heshtjeje që do të mbahej të hënën për të nderuar të vdekurit.

“Kombi duhet ta kujtojë këtë moment të errët me unitet dhe qartësi,” tha senatori Brian Schatz, një demokrat nga Hauai. “Në këtë kohë dhimbje gati të paimagjinueshme, është thelbësore që të ndalemi për të nderuar çdo jetë të humbur dhe që të ngushëllohemi së bashku”.

“Pandemia” COVID-19 “ka shkatërruar vendin tonë,” tha senatorja republikane Lisa Murkowski nga Alaska. “Shumë familje kanë parë të dashurit e tyre të vuajnë. Për shkak të masave të rrepta të izolimit, shumë prej atyre që kanë humbur dikë nga sëmundja nuk kanë mundur të japin lamtumirën e tyre të fundit në spitale. Shumë gjithashtu nuk kanë qenë në gjendje të kenë ceremoni të duhura për të nderuar njerëzit që kanë humbur. ”

Një propozim tjetër në Dhomën e Përfaqësuesve kërkon një moment të përditshëm heshtjeje sa herë që dhoma të fillojë një seancë, si dhe një ditë kombëtare zie pasi të përfundojë pandemia dhe krijimi i një memoriali kombëtar për viktimat.

Shtetet e Bashkuara kanë parë njëfarë përmirësimi në numrin e përditshëm të vdekjeve, por ky përparim bëri një hap të mprehtë prapa të mërkurën me 1.400 vdekje të reja të raportuara.

Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, në të gjithë botën, më shumë se 356,000 njerëz kanë vdekur nga COVID-19. Ka rreth 5.7 milion raste të konfirmuara, me gati 30% në Shtetet e Bashkuara.

Koreja e Jugut raportoi 79 raste të reja të enjten ndërsa vazhdon të punojë për të parandaluar një ringjallje të përhapjes së virusit. Me shumicën e rasteve të reja të vendosura në zonën e Seulit, Ministri i Shëndetësisë Park Neung-hoo u bëri thirrje njerëzve të shmangin tubimet e panevojshme dhe kompanive të mbajnë punëtorët e sëmurë në shtëpi.

Ka shqetësime edhe në shumë vende të Amerikës Latine, ku Programi Botëror i Ushqimit thotë se pandemia mund të lerë 14 milion njerëz të uritur.

“Ne po hyjmë në një fazë shumë të ndërlikuar,” tha Miguel Barreto, drejtori rajonal i WFP për Amerikën Latine dhe Karaibet. “Ne po e quajmë këtë një epidemi urie.”

Brazili ka patur goditjen më të fortë në rajon, me 411,000 rastet e saj, duke u radhitur vetëm pas Shteteve të Bashkuara. Peruja ka parë gjithashtu një rritje të mprehtë të rasteve, përfshirë raportimin e të mërkurës me një rritje rekord ditore prej 6.154 rastesh të reja.

India raportoi një kërcim të ngjashëm të enjten me 6.566 raste të reja, një rekord për vendin që tani renditet e 10 në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara. zëri i amerikës

Palmeri mban qëndrim në prag të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ka thënë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer.

Siç transmeton Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, gjatë një debati mbi Angazhimin Strategjik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Egje dhe në Turqi gjatë pandemisë së koronavirusit, të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, Palmer ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për të hapur rrugën evropiane për të dyja vendet. Por, tha ai, ende ka shumë punë për të bërë.

“Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha ai.

Astronautët amerikanë në një mision historik

Astronautët e NASA-s Douglas Hurley dhe Robert Behnken
Marrë nga Reuters

Udhëtimi drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, i astronautëve të NASA-s në bordin e raketës Falcon 9, Koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe Koloneli i Forcave Ajrore Bob Behnken, i jep fund një pauze nëntë vjeçare të NASA-s.

Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, pritet të lëshohet të mërkurën nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida në orën 4:33 pasdite (22:33 sipas kohës së Evropës Qendrore) dhe udhëtimi deri në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës zgjat 19-orë.

Presidenti Donald Trump dhe Zëvendës Presidenti Mike Pence kanë në plan të shkojnë në Cape Canaveral për të parë nisjen.

Lëshimi i anijes do të varet nga moti. Parashikuesit thanë se ekziston 40 për qind mundësi që misioni të shtyhet për shkak të stuhive në Florida.

Nëse kjo ndodh, një mundësi e dytë për lëshimin e Falcon 9 do të ishte pasditja e së shtunës.

Kur anija e hapësirës Atlantis u nis për herë të fundit nga Cape Canaveral më 8 korrik 2011, ajo drejtohej nga astronauti i NASA-s Doug Hurley.

Tani gati një dekadë më vonë, Hurley është një nga dy pilotët e provës për anijen raketë krejt të re të prodhuar nga SpaceX për këtë fluturim.

Astronautët e NASA-s, Koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe Koloneli i Forcave Ajrore Bob Behnken janë shokë klase, miq, veteranë të eksplorimit të hapësirës, të martuar me veterane të hapësirës dhe kanë të dy djem të rinj.

Ata përdorin të njëjtën platformë lëshimi ku Atlantis mbylli programin e nisjeve në 2011, viti i fundit i lëshimit nga vendi i tyre për astronautët e NASA-s.

Tetë vite e gjysëm, nëntë vite më vonë, shohim se jo vetëm jemi gati të fluturojmë mjetin e parë me ekuipazh drejt Stacionit Hapësinor, por kemi edhe ngazëllimin se mund të rikthehemi ndoshta në Hënë pas pak vitesh. Pasi ulëm anijen Atlantis në 2011, nuk do të kishim menduar kurrë se do ndodheshim këtu nëntë vite më vonë. Është shumë më mirë se ç’e kisha imagjinuar“, thotë Hurley.

Që atëherë, e vetmja mënyrë për të shkuar në stacionin hapësinor për astronautët ka qenë me raketa ruse të lëshuara nga Kazakistani.

Hurley do të drejtojë nisjen dhe uljen, një detyrë e përshtatshme për pilotin e fluturimit të fundit të anijes hapësinore të NASA-s.

Behnken, një inxhinier mekanik me gjashtë shëtitje në hapësirë në biografinë e tij, do të mbikëqyrë kontaktin dhe uljen në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).

Hurley, 53 vjeç dhe Behnken, 49 vjeç, janë ekuipazhi i parë i pilotëve të NASA-s në dekada.

Hurley dhe Behnken janë martuar me kolege astronaute të NASA-s: Karen Nyberg dhe Megan McArthur. Secili çift ka nga një djalë, në moshën dhjetë dhe gjashtë vjeçare.

Kapsula Dragon në bordin e raketës Falcon 9

Kapsula Dragon në bordin e raketës Falcon 9

Megjithëse kapsula e ekuipazhit Dragon dhe sistemi i saj i shpëtimit tashmë janë demonstruar në fluturime me manekinë, nuk ka ndonjë garanci. Në fluturimin hapësinor, kurrë nuk ekziston një gjë e tillë.

Mendoj se janë kaq shumë faktorë teknikë dhe gjëra tek të cilat duhet të përqëndrohemi për t’u siguruar që do t’ia dalim mbanë, për vendin tonë në histori, apo qoftë edhe duke u përpjekur t’i vendosim emrat tanë në të njëjtat fjali si njerëzit që kanë qenë përpara nesh. Duket e parakohshme derisa ta kemi realizuar“, thotë Behnken.

Fluturimi i tyre shënon rikthimin e nisjes së astronautëve nga Shtetet e Bashkuara, si dhe të parin e këtij lloji nga një kompani private. zëri i amerikës

Trump akuzon Twitter-in për ndërhyrje zgjedhore, e kërcënon me mbyllje

Presidenti Trump kërcënoi të mërkurën se do të marrë masa për rregullimin ose mbylljen e kompanive të caktuara të mediave sociale.

Kërcënimi vjen një ditë pasi kompania Twitter Inc për herë të parë u shtoi një paralajmërim disa prej tweet-eve të Presidentit, duke i shtyrë lexuesit të kontrollonin me fakte disa nga pohimet e tij.

Të martën, kur ata që shikonin tweet-et e Presidentit Trump klikonin në paralajmërimin e vendosur nga Twitter-i, rrjeti social i drejtonte ata tek një njoftim i titulluar: Trump bën pretendimin e pabazuar se fletëvotimet me postë do të çojnë në mashtrim zgjedhor.

Paralajmërimi përmbante një link që të çonte tek shkrime të rrjetit CNN dhe gazetës Washington Post, si dhe përfshinte një shënim me titull “Çfarë duhet të dini”, si më poshtë:

“Çfarë duhet të dini:

– Trump pretendon në mënyrë të gabuar se fletëvotimet me postë do të çonin në “zgjedhje të falsifikuara”. Por, kontrolluesit e fakteve thonë se nuk ka asnjë provë që fletëvotimet me postë kanë lidhje me mashtrim zgjedhor.

– Trump pohon në mënyrë të rreme se Kalifornia do të dërgojë fletëvotimi me postë për “këdo që jeton në këtë shtet, pavarësisht se cili është ose si ka ardhur aty.” Në fakt, vetëm votuesit e regjistruar do të marrin fletëvotime.

– Megjithëse Trump kishte në shënjestër Kaliforninë, fletëvotimet me postë tashmë përdoren në disa shtete, si Oregoni, Juta dhe Nebraska.”

Presidenti kishte thënë përmes një postimi se votat e dërguara me postë do të bëheshin shkak për “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara.

Sot në mëngjes Presidenti shkroi në Twitter se “Republikanët ndiejnë se platformat e mediave sociale i lënë në heshtje të plotë zërat konservatore. Ne do t’i rregullojmë ato fuqishëm, ose do t’i mbyllim para se të lejojmë që kjo të ndodhë”.

PARALAJMËRIMI I TWITTER INC

Të martën kompania Twitter për herë të parë paralajmëroi përdoruesit të kontrollonin faktet në postimet që vë Presidenti Trump në Twitter. Kompania paralajmëronte se pretendimet e presidentit për dërgimin e votave me postë ishin të pavërteta dhe të kundërshtuara nga faktet.

Një pikëçuditëse ngjyrë blu nxit përdoruesit të “kontrollojnë faktet për votat”.

“Presidenti Trump ngre pretendime të pabaza se fletëvotimet e dërguara me postë do të çojnë në falsifikime votash” shkruante një faqe pasuar me shpjegime për ato që i cilësonte si pretendime fallso.

Presidenti kishte thënë përmes postimit në Twitter se votat e dërguara me postë do të sillnin “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara. Ai veçonte guvernatorin e Kalifornisë lidhur me këtë temë, megjithëse ky nuk është shteti i vetëm që lejon votimin me postë.

“Unë, si President, nuk do të lejoj që kjo të ndodhë,” shkruante ai.

Kalifornia po planifikon t’i dërgojë çdo votuesi të regjistruar një fletëvotim me postë për zgjedhjet e 3 nëntorit. Ky plan bëri që Komiteti Kombëtar Republikan të padisë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom.

Sekretari i shtetit i Kalifornisë Alex Padilla tha se veprimi i ndërmarrë nga Twitter-i për t’u shtuar shenjën e paralajmërimit tweet-eve të Presidentit Trump “është një hap i vogël në drejtimin e duhur. Por ne të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për të ekspozuar gënjeshtrat.” “Presidenti, – tha ai, – po përhap me qëllim informacione të rreme për votimin me postë, duke u përpjekur haptazi të shtypë votën.”

Twitter pohoi se kjo ishte hera e parë që vendoste një paralajmërim lidhur me një postim të presidentit, që lidhet me politikën e re të kësaj kompanie të vënë në funksionim në fillim të muajit për të luftuar dizinformimin.

SHBA: Rusia ka dislokuar avionë luftarakë në Libi

Khalifa Haftar dhe Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu në një takim në Moskë më 13 janar 2020.

Komanda e Ushtrisë amerikane për Afrikën tha se Rusia kohët e fundit dislokoi avionë luftarakë në Libi për të mbështetur kontraktorët ushtarakë të sponsorizuar nga shteti rus, të cilët po ndihmojnë forcat që po luftojnë qeverinë libiane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Avionët luftarakë rusë mbërritën në aeroportin al-Jufra në Libi nga një bazë ajrore në Rusi pas një ndalese në Siri, ku ata u ringjyrosën për të kamufluar origjinën e tyre ruse, tha të martën Komanda e Forcave Amerikane në Afrikë, AFRICOM.

Avionët luftarakë pritet të ofrojnë mbështetje ajrore për kontraktorët ushtarakë rusë të kompanisë Wagner, të cilët po mbështesin Ushtrinë Kombëtare Libiane (LNA) të udhëhequr nga Gjenerali Khalifa Haftar në ofensivën e tyre një vjeçare kundër Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA).

Komandanti i AFRICOM-it, Gjenerali Stephen Townsend kritikoi Rusinë në një deklaratë për shtyp të martën për shtimin e pranisë së saj ushtarake në Afrikë duke dërguar pilotë mercenarë për të “bombarduar libianët”.

“Për një kohë të gjatë, Rusia ka mohuar nivelin e plotë të përfshirjes në konfliktin e vazhdueshëm libian. Tani përfshirja e saj nuk mund të mohohet. Ne pamë se si Rusia fluturoi avionët e saj luftarakë të gjeneratës së katërt në Libi, në çdo hap të udhëtimit të tyre”, tha gjenerali Townsend.

Ai shtoi se as LNA (Ushtria Kombëtare Libiane) dhe as nismat private ushtarake nuk mund të armatosin dhe të operojnë këtë lloj avioni pa “mbështetjen që ata po marrin nga Rusia”.

Presidenti Donald Trump dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 13 nëntor të vitit 2019.
Presidenti Donald Trump dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 13 nëntor të vitit 2019.

Në një telefonatë të shtunën, Presidenti Donald Trump dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndanë shqetësimet e tyre për keqësimin e ndërhyrjeve të huaja në Libi, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Turqia ka siguruar mbështetje ushtarake për qeverinë libiane të njohur ndërkombëtarisht dhe ka paralajmëruar se sulmet nga forcat e gjeneralit Haftari do të kenë “pasoja të rënda”.

Kritikët e përfshirjes ruse në Libi thonë se mbështetja e Moskës për zotin Haftari ka rritur paqëndrueshmërinë rajonale dhe ka ndihmuar në nxitjen e krizës së imigracionit në Evropë.

Komandanit i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe Afrikë, Gjenerali Jeff Harrigian paralajmëroi të martën se Rusia po krijonte kushtet për “shqetësime reale të sigurisë” për Evropën Jugore në të ardhmen e afërt.

“Nëse Rusia pushton bazat në bregdetin e Libisë, hapi tjetër logjik është dislokimi i aftësive të përhershme ushtarake për të mohuar qasjen në distancë të largët në zonat përreth”, që përdoren për të parandaluar udhëtimin e kundërshtarëve nëpër zonën që mbrohet nga arma, tha ai në një njoftim për shtyp.

Biden bën paraqitjen e parë publike në më shumë se 2 muaj

Marrë nga Associated Press

Joe Biden bëri paraqitjen e tij të parë publike në më shumë se dy muaj ndërsa shënoi Ditën e Përkujtimit të të Rënëve duke vendosur një kurorë me lule në një memorial të veteranëve të ushtrisë pranë shtëpisë së tij në Delauer.

Që nga anulimi i papritur i një tubimi elektoral më 10 Mars në Klivëlend në fillim të pandemisë së koronavirusit, i emëruari i supozuar për kandidat presidencial të partisë demokrate ka zhvilluar pjesën më të madhe të fushatës virtualisht nga shtëpia e tij në Uilmington. Të hënën, Biden doli me maskë, në kontrast me Presidentin Donald Trump, i cili ka refuzuar të përdorë maskën në aktivitetet e tij publike, siç sugjerojnë zyrtarët amerikanë të shëndetësisë. Ish-nënpresidenti Biden dhe bashkëshortja e tij, Jill Biden, vunë një kurorë me lule të bardha dhe u përkulën në heshtje para memorialit për të rënët e Luftës së Dytë Botërore dhe atyre të Luftës Koreane. “Asnjëherë mos harroni sakrificat që bënë këta burra dhe gra,” tha ai më pas. “Asnjëherë, kurrë, mos harroni”.

“Ndihem mirë që jam këtu,” u tha Biden gazetarëve. Vizita e tij në memorialin e të rënëve ishte e pa njoftuar dhe nuk pati asnjë turmë në pritje të tij.

Joe Biden në Ditën e të Rënëve

Joe Biden në Ditën e të Rënëve

Por zoti Biden përshëndeti shkurtimisht një zyrtar të qarkut dhe një burrë tjetër, të dy të veshur me maska ​dhe duke mbajtur një distancë fizike mes tyre. Fushata e tij thotë se zoti Biden ka shkuar në park për Ditën e Të Rënëve shpesh në të kaluarën, megjithëse shërbimet ishin anuluar të hënën për shkak të pandemisë.

Megjithëse me shumë pak fjalë, paraqitja ishte një moment historik në një fushatë presidenciale që kryesisht është ngrirë nga shpërthimi i koronavirusit. Ndërsa mundësia e zhvillimit të ngjarjeve tradicionale siç janë tubimet dhe konventat presidenciale janë në dyshim, shfaqja e zotit Biden sugjeron se ai nuk do t’i kalojë gati pesë muaj që mbeten deri në ditën e zgjedhjeve tërësisht në shtëpi.

Presidenti Trump, i etur për të demonstruar se vendi po kthehet në jetë edhe kur numri i vdekjeve nga pandemia ka arritur në 100’000, mori pjesë në një aktivitet në Varrezat Kombëtare në Arlington të Virxhinias dhe në një ngjarje tjetër në Fort McHenry në Baltimore.

Presidenti Trump në Ditën e Të Rënëve

Presidenti Trump në Ditën e Të Rënëve

Pas ceremonisë së vendosjes së kurorave me lule në Arlington, Presidenti Trump mbajti një fjalim për nder të të rënëve në fortesën McHenry në Baltimore dhe vlerësoi kontributin e personelit ushtarak “në vijat e para të luftës sonë kundër këtij virusi të tmerrshëm.”

Koronavirusi ka prekur pothuajse të gjitha aspektet e jetës amerikane dhe ka ndryshuar kushtet e zgjedhjeve. Argumenti i Presidentit Trump se ai meriton një mandat tjetër për shkak të ekonomisë së fortë është venitur ndërsa papunësia rritet në nivele që nuk janë parë që nga koha e Depresionit të Madh.

Duke u bazuar në përvojën e tij si senator dhe ish nënpresident, zoti Biden po përpiqet të pozicionohet si një kandidat me përvojën dhe ndjeshmërinë e duhur për ta udhëhequr vendin në përpjekjet për të dalë nga kriza. Presidenti Trump është kundërpërgjigjur se ai është udhëheqësi që mund të drejtonte rimëkëmbjen ekonomike më vonë këtë vit ose në vitin 2021.

Zoti Biden është përshtatur në epokën e koronavirusit duke ndërtuar një studio televizive në shtëpinë e tij, të cilën ai e kishte përdorur për të bërë paraqitje në emisionet e lajmeve, dhe emisionet satirike dhe ngjarje të fushatës virtuale. Disa nga këto përpjekje janë dëmtuar nga problemet teknike dhe momente të tjera të vështira.

Disa strategë demokratë e kanë shprehur hapur shqetësimin e tyre se zoti Biden po i jep shumë terren Presidentit Trump duke qëndruar në shtëpi. Vetë Presidenti Trump e ka kritikuar zotin Biden për zhvillim të fushatës nga bodrumi i shtëpisë së tij.

Këshilltarët e zotit Biden thonë se ata planifikojnë të kthehen në aktivitete normale të fushatës në një moment në të ardhmen, përfshirë udhëtimet në shtetet e pavendosura. Por ata nuk janë me ngut, duke preferuar respektimin e këshillave të ekspertëve shëndetësorë, udhëzimet e autoriteteve për të qëndruar në shtëpi dhe rekomandimet për distancim fizik.

Në moshën 77 vjeçare, zoti Biden është në grupin e moshuar të popullatës së vendit që mendohet të jetë veçanërisht e pambrojtur ndaj efekteve të koronavirusit, megjithëse edhe Presidenti Trump, i cili mbush 74 vjeç muajin tjetër, është pothuaj në një njejtën kategori.

“Ne kurrë nuk do të bëjmë zgjedhje që mund të dëmtojë në një mënyrë a tjetër, personelin tonë ose votuesve,” tha kohët e fundit menaxherja e fushatës së zotit Biden, Jen O’Malley Dillon, duke shtuar se fushata do të rifillonte me aktivitete më tradicionale “kur siguria do ta lejonte, dhe ne nuk do ta bëjmë atë asnjë ditë më shpejt.”

Presidenti Trump nuk ka rifilluar tubimet e mëdha që ishin shenjë dalluese e fushatës së tij të vitit 2016 dhe presidencës së tij, por ka filluar të udhëtojë jashtë Uashingtonit javët e fundit. Ai vizitoi një fabrikë të prodhimit të maskave në Arizona dhe një fabrikë të kompanisë amerkane të makinave, Ford në Miçigan, e cila tani po prodhon pajisje mjekësore.

Trump Biden

Trump Biden

Presidenti Trump madje luajti golf në klubin e tij në Virxhinia gjatë fundjavës, duke shpresuar se të tjerët do të ndjekin hapat e tij dhe do t’i kthehen jetës normale dhe gradualisht do të ndihmojnë në rimëkëmbjes së ekonomisë së dëmtuar rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Ky ishte udhëtimi i parë i presidentit në një nga pronat e tij fitimprurëse që nga 8 marsi, kur ai vizitoi klubin e tij privat të golfit në West Palm Beach. Organizata Botërore e Shëndetit e shpalli koronavirusin një pandemi botërore më 11 mars, dhe Presidenti Trump e ndoqi hapat e saj dy ditë më vonë duke shpallur pandeminë Covid-19 një urgjencë kombëtare.

Fushata e zotit Biden menjëherë nxorri një video në internet duke ofruar pamje të paqarta dhe nga një distancë e largët të Presidentit Trump në fushën e golfit, të shoqëruara me imazhe të virusit që po shkatërron vendin pasi numri i amerikanëve të vdekur nga pandemia po arrinte shifrën 100,000. Videoja përfundoi me fjalët: Numri i vdekjeve është ende në rritje. Presidenti po luan golf ”.

Presidenti Trump e kaloi Ditën e të Rënëve duke vizituar Varrezat Kombëtare të Arlingtonit dhe fortesën Fort McHenry në Baltimore, që do të pasohen me një udhëtim në brigjet e Floridës të mërkurën për të parë nisjen e astronautëve amerikanë në orbitë.

Dita e Përkujtimit, Presidenti Trump nderon të rënët në luftë

Në një ceremoni solemne të hënën, me rastin e Ditës së Përkujtimit, Presidenti Donald Trump zhvilloi homazhe për të nderuar amerikanët e rënë në luftë. Ai vendosi kurora me lule në varrezat kombëtare të Arlingtonit, qytet shumë pranë Uashington DC-së. Udhëheqësi amerikan u përkul përpara varrin të Ushtarit të Panjohur. Ai shoqërohej nga Nënpresidenti Mike Pence dhe sekretari i Mbrojtjes Mark Esper.

Zonja e Parë Melania Trump dhe Zonja e Dytë Karen Pence e vëzhguan ceremoninë nga një distancë aty pranë së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë.

Për shkak të kërcënimit që paraqet koronavirusi, në ceremoninë e përvitshme me rastin e Ditës së Përkujtimit në Arlington, Presidenti Trump nuk mbajti një fjalim sikurse në vitet e kaluara dhe pjesëmarrësit në ceremoni ruajtën një distancë fizike prej rreth 2 metrash nga njëri-tjetri. Disa anëtarë të personelit ushtarak mbanin maska në fytyrë. Ceremonia u shoqërua edhe me të shtëna topash në shenjë nderimi për të rënët në luftë.

Dita e Përkujtimit shënohet çdo vit në SHBA të hënën e fundit të muajit maj në nderim të qindra mijëra ushtarakëve amerikanë, burra e gra që sakrifikuan jetën për vendin.

Fundjavën e kaluar, nga e premtja deri ditën e dielë, flamujt amerikanë në të gjithë vendin u ulën në gjysmë shtizë për të nderuar rreth 100 mijë amerikanë që kanë humbur jetën nga koronavirusi. Të hënën flamujt u ulën sërisht për të nderuar ata që kanë rënë në luftë.

Pas largimit nga varrezat e Arlingtonit presidenti Trump shkoi në Baltimorë në fortesën McHenry, atje ku në vitin 1812 është zhvilluar betejë historike, e cila shërbyer si frymëzim për himnin kombëtar amerikan.

Kryetari i Bashkisë së Baltimores Jack Young kishte kërkuar që presidenti të mos vinte, duke thënë se vizita e tij dërgon një mesazh të gabuar në një kohë kur ai (Jack Young) u ka kërkuar banorëve të qytetit që të shmangin udhëtimet e parëndësishme. Zoti Young tha se vizita e Presidentit nuk ishte thelbësore.

Grenell planifikon të tërhiqet si ambasador në Gjermani

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, po planifikon të tërhiqet në javët e ardhshme pas më shumë se dy vjetësh në këtë post.

Njoftimi i dhënë fillimisht nga agjencia gjermane e lajmeve dpa, u konfirmua në twitter nga ambasadori Grenell. “E vërtetë”, shkroi shkurt ai rreth shkrimeve të sotme për largimin e tij nga posti ne Berlin.

Robin Quinville, zëvendës shefe e misionit në ambasadë, pritet të zëvendësojë përkohësisht zotin Grenell, tha agjencia dpa.

Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Senati amerikan konfirmoi në postin e drejtorit të përhershëm të Inteligjencës Kombëtare ligjvënësin John Ratcliffe, i cili po ashtu si zoti Grenell është një aleat i fortë politik i Presidentit Donald Trump.

Në muajin shkurt, Presidenti Trump e emëroi 53-vjeçarin Grenell si drejtor të përkohshëm të Inteligjencës Kombëtare.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se një zëdhënës i ambasadës nuk pranoi të komentojë rreth njoftimit. Ai tha se “është praktikë e ambasadës të mos komentojë mbi udhëtimet apo planet, por Ambasadori Grenell ka vazhduar të të jetë i angazhuar në mënyrë aktive në përparësitë e administratës në Gjermani ndërsa shërben si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare”.

Zoti Grenell është gjithashtu i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. zëri i amerikës

Shtetet e Bashkuara do të largohen nga traktati ndërkombëtar për përgjimet ushtarake

Avioni gjurmues ushtarak rus Beriev A-50 dhe ai luftarak Sukhoi Su-27 duke fluturuar mbi Kaliningradin (25 prill 2020)

Presidenti Donald Trump tha të enjten se po tërheq Shtetet e Bashkuara nga Traktati ndërkombëtar 18-vjeçar i Qiejve të Hapur që lejon fluturime survejimi mbi vendet e tjera, për shkak se Rusia po e shkel atë.

Shtetet e Bashkuara filluan të njoftojnë vendet e tjera nënshkruese duke i lajmëruar kështu gjashtë muaj përpara datës së largimit nga marrëveshja.

Presidenti vuri në dukje se kishte një mundësi, megjithatë, që një marrëveshje e re të mund të arrihej në një datë të ardhshme.

Ekziston një shans shumë i mirë që ne do të bëjmë një marrëveshje të re ose do të bëjmë diçka për ta vendosur atë marrëveshje përsëri,” tha ai. “Por, sa herë që ka një marrëveshje me të cilën një palë tjetër nuk pajtohet – ju e dini, ne kemi shumë prej atyre marrëveshjeve në të gjithë botën; kur është një marrëveshje dypalëshe të cilës nuk i përmbahen ,… kur kemi gjëra të tilla pra, ne gjithashtu tërhiqemi. Kjo është arsyeja pse, me traktatet e armëve, nëse shikoni traktatet e armëve, me siguri do të bëjmë një marrëveshje me Rusinë për një traktat armësh. Dhe Kina do të jetë, mbase, e përfshirë në të. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Kështu që mendoj se ajo që do të ndodhë është se ne do të tërhiqemi, dhe ata do të vijnë sërish dhe do të duan të bëjnë një marrëveshje. Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë kohët e fundit me Rusinë. Dhe ju mund ta shihni këtë tek nafta dhe ajo që po ndodh me naftën“, tha ai.

Pozicioni i Shteteve të Bashkuara

Traktati u ka mundësuar 35 vende të kryejnë fluturime përgjimi mbi territorin e njëri-tjetrit për të parë instalimet ushtarake, një përpjekje që synon paqeruajtjen ndërkombëtare.

Por Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Moska ka shkelur traktatin duke ndaluar fluturimet mbi qytetin e Kaliningradit, në Detin Baltik dhe kufirin jugor të Rusisë pranë Gjeorgjisë; të dyja këto janë të lejuara sipas marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit në mars se Rusia ka “mashtruar për shumë vite“.

Rusia ka mohuar shkeljen e traktatit.

Tërheqja nga Traktati i Qiejve të Hapur është lëvizja e fundit e Presidentit Trump gjatë presidencës së tij 3-vjeçare për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga presidentët e mëparshëm që ai i konsideron të padrejta ndaj interesave amerikane.

Vitin e kaluar, Uashingtoni u tërhoq nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme me Rusinë, dhe më herët hoqi dorë nga marrëveshja ndërkombëtare e kontrollit të klimës në Paris, një traktat tregtie me vendet e Paqësorit dhe një marrëveshje me Iranin për të kufizuar zhvillimin e saj të armëve bërthamore.

Koncepti i traktatit të Qiejve të Hapur u avancua për herë të parë në dekadën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nga Presidenti Dwight Eisenhower. Bashkimi Sovjetik e hodhi poshtë idenë në atë kohë, por Shtetet e Bashkuara përsëri kërkuan një pakt në vitin 1989 nën Presidentin George H.W. Bush. Më në fund, traktati u miratua nga 20 vendet e kërkuara, në janar 2002. zëri i amerikës