Rusia ka akuzuar sërish NATO-n se po përgatitet për një “konflikt në shkallë të gjerë” në Lindje.
Deklarata u bë nga kreu i shërbimit rus të inteligjencës së jashtme SVR, Sergei Naryshkin, gjatë një takimi të zyrtarëve të sigurisë.
Sipas mediave shtetërore ruse, Naryshkin deklaroi se NATO po kryen përgatitje praktike për një përballje të madhe ushtarake pranë kufijve të Rusisë.
Ai akuzoi gjithashtu Bashkimin Evropian se po armatoset me ritme të shpejta dhe po shndërrohet gradualisht në një aleancë ushtarake “kundër Rusisë”.
Naryshkin pretendoi se armët që përdoren në luftën në Ukrainë po qarkullojnë në tregun e zi në Evropë dhe po përfundojnë në duart e organizatave terroriste ndërkombëtare.
“Armët nga fronti ukrainas po qarkullojnë lirshëm në gjithë Evropën, madje edhe në duart e grupeve terroriste”, deklaroi ai.
Megjithatë, zyrtari rus nuk paraqiti prova konkrete për këto pretendime.
Moska ka ngritur vazhdimisht akuza se një pjesë e armatimeve perëndimore të dërguara në Ukrainë përfundojnë në tregun e zi, pretendime që janë mohuar nga Ukraina dhe vendet perëndimore.
Nga ana tjetër, Rusia vazhdon të akuzojë NATO-n dhe vendet evropiane për forcim ushtarak pranë kufijve rusë dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës. Panorama