Modernizimi dhe zotërimi i pafiltruar i teknologjisë dixhitale në Shqipëri do t’i tregojë kujtdo për “besën” e prerë të partisë së tij se çdo gjë është jashtë kontrollit: jo vetëm të dhënat tona personale, por edhe ato strategjike, të cilat nuk janë më thjesht çështje administrimi apo modernizimi, por përbëjnë vijën e parë të frontit për ekzistencën dhe sovranitetin e një kombi. Shkaku është i njëjtë, por pasoja rrjedh në dy drejtime njëherësh: nga njëra anë, jeta private e çdo qytetari mbetet e ekspozuar ndaj syve të huaj; nga ana tjetër, vetë shteti humbet kontrollin mbi infrastrukturën që e mban në këmbë, duke i hapur derën një varësie që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.
Nga shqetësimi im si qytetar, e ndjej detyrim atdhetar të ngre një çështje shumë të rrezikshme, delikate dhe të kamufluar, të hedh pak dritë mbi errësirën e mungesës së informacionit dhe të transparencës rreth rrënimit të vendit tim, se si po rrënohet dhe po tjetërsohet Atdheu, dhe e gjej të pamundur të hesht përballë një rreziku fatal që po gërryen heshturazi themelet e shtetit tonë. Ky rrezik nuk lindi tani: ai është fryt i 35 vjetësh keqqeverisje, e shkruar bashkërisht nga të gjitha partitë që janë rrotulluar në pushtet, pavarësisht ngjyrës së tyre politike.
Ndërsa qytetarët protestojnë dhe mbushin sheshet në një qëndresë prej më shumë se 100 ditësh kundër korrupsionit dhe grabitjes së pasurive publike, një tradhti tjetër po konsumohet në prapaskenë: nëse sot po shiten tokat e bregdetit për t’u pasuruar pa skrupull, nesër po dorëzohet pa asnjë kusht vetë sovraniteti dixhital i Shqipërisë.
Kjo shembje nuk po ndodh rastësisht, por përmes një degradimi total të parlamentarizmit. Duke ndjekur nga afër mbledhjet e komisioneve parlamentare, vërej se si vendimet më strategjike për të ardhmen e vendit merren me votime rrufe, pa asnjë debat real dhe nga një shumicë anëtarësh që ndodhen aty thjesht për të ngritur dorën. Janë kthyer në një kolegj kartonësh pa asnjë përgatitje profesionale, të cilët zbatojnë me sy të mbyllur çdo urdhër që vjen nga lart. I shkon për shtat këtu shprehja jonë e urtë popullore: “Fluturon gomari? Po, fluturon!”. Kjo ndodh sepse, nëse partia kërkon të votosh se gomari fluturon, apo se dorëzimi i të dhënave të shtetit te kompani private është “modernizim”, dora ngrihet pa bërë asnjë pyetje.
Në majën e kësaj piramide politike, Kryeministri Edi Rama miraton marrëveshjet strategjike me Izraelin, ndërsa mbikëqyrja politike mbi Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ushtrohet nga institucioni përgjegjës për Reformën Administrative. Zinxhiri komandues shtrihet më tej te figura si Endrit Shala, ish-drejtor i AKSK-së dhe tashmë këshilltar i Ministrit të Brendshëm, si dhe te drejtuesit e drejtpërdrejtë të AKSK-së, Igli Tafa dhe Gentian Sala. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar me saktësi se kush duhet ta mbrojë shtetin nga kjo linjë marrëveshjesh që cenojnë sigurinë kombëtare: Gjykata Kushtetuese duhet të rrëzojë çdo pakt antikushtetues; Komisioni i Sigurisë Kombëtare në Kuvend duhet të filtrojë çdo projektligj teknologjik; Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë, duhet të bllokojë dekretimin e ligjeve që prekin sovranitetin; KLSH-ja duhet të auditojë prokurimet e fshehta; AKSK-ja vetë dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave duhet të garantojnë që të dhënat tona të mos dërgohen jashtë kufijve; ndërsa SPAK-u ka detyrimin të hetojë çdo zyrtar për shpërdorim detyre në këtë aksion. Mjerisht, pyetja se cilat nga këto instanca kanë parandaluar në kohë këto procedura gjen një përgjigje tronditëse: asnjë prej tyre.
Në vend që të shërbenin si mbrojtëse të sovranitetit kombëtar, këto institucione janë dorëzuar para kapjes politike ose kanë zgjedhur heshtjen burokratike. Asnjë ankesë nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, asnjë pezullim nuk është bërë nga Presidenti dhe asnjë alarm publik nuk është ngritur nga autoritetet teknike. Vetëm në vitin 2026, pas faktit të kryer, SPAK ka hapur hetim ndaj Igli Tafës dhe Gentian Salës për instalim të paligjshëm dhe shkelje të privatësisë, duke konfirmuar se filtri mbrojtës i shtetit ka rënë tërësisht.
Pikërisht përmes këtij mekanizmi të verbër, prapa narrativës zyrtare të “progresit”, po fshihet një kapërcim sistematik i ligjeve të shtetit shqiptar dhe normave evropiane. Ndërsa Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Erion Veliajt, lehtëson infrastrukturën lokale, lejet e ndërtimit dhe integrimin e sistemeve të mbikëqyrjes urbane në kuadër të marrëveshjeve për “Smart City”, dhënia e lejes së ndërtimit brenda vetëm 60 ditësh përbën një kohë rekord të paparë për një projekt me specifika kaq të larta ushtarake e teknologjike, i cili kërkonte vlerësim të imtësishëm mjedisor, të sigurisë kombëtare dhe të sovranitetit. Përzgjedhja e ADC (Advanced Data Center) u bë në errësirë të plotë, pa asnjë proces konkurrues e pa tender publik, një shkelje flagrante e ligjit për prokurimet publike dhe e udhëzimeve të BE-së. Për më tepër, përmes një kontrate të fshehtë me “klientin qeveritar”, publiku dhe institucionet kushtetuese nuk e dinë se çfarë të dhënash do të ruhen aty, kush ka akses në to dhe sa kohë do të mbeten fizikisht në Shqipëri.
Përmasat e këtij skandali u bënë me të vërtetë alarmante kur, në vitin 2025, AKSK, nën drejtimin e Tafës dhe Salës, u kthye në instaluesin dhe operatorin zyrtar të shtatë pajisjeve të kontrollit të thelluar të paketave (DPI) të modelit Service Gateway 9700, të prodhuara nga kompania izraelite Allot Ltd., me partner teknik për sigurinë kibernetike kompaninë Accel Solutions Group nga Izraeli. Allot Ltd., themeluar në Izrael në vitin 1996, ka qenë prej dekadash një nga liderët botërorë të teknologjisë DPI dhe deri kohët e fundit ishte e listuar në bursat Nasdaq dhe Tel Aviv, përpara se aksionet e saj të hiqeshin nga tregtimi publik në qershor të vitit 2026. Vetë teknologjia DPI lejon që çdo paketë e të dhënave që kalon nëpër rrjet të hapet dhe të analizohet në kohë reale, duke dhënë qasje jo vetëm te burimi dhe destinacioni i trafikut, por edhe te vetë përmbajtja e komunikimeve, çka e bën dukshëm më invazive se monitorimi i zakonshëm i metadhënave. Accel Solutions Group, themeluar në vitin 2004 dhe me bazë në Petah Tikva të Izraelit, është e specializuar në shpërndarjen dhe integrimin e pajisjeve kibernetike e telekomunikuese për operatorë telekomi dhe entitete shtetërore, përfshirë agjenci qeveritare, banka dhe kompani sigurimesh, çka e bën rolin e saj në këtë kontratë atë të një integruesi teknik dhe jo thjesht të një furnizuesi. Me lejen e operatorëve celularë Vodafone Albania dhe One Albania, të cilët siguruan infrastrukturën fizike pa pasur vetë akses në përmbajtje, këto pajisje u integruan direkt në rrjetet kombëtare. Kjo arkitekturë teknike krijon mundësinë e leximit të të gjitha komunikimeve (mesazheve, thirrjeve në WhatsApp, email-eve dhe rrjeteve sociale), të bllokimit ose censurimit të aplikacioneve si TikTok apo Telegram, dhe të ruajtjes së të dhënave pa afat, pa asnjë garanci të GDPR-së dhe pa asnjë mbikëqyrje të pavarur.
Kush i kontrollon në të vërtetë këto të dhëna? Në rrafshin teknik, ekspertët izraelitë të Allot dhe INCD gëzojnë akses teknik dhe “dyer të fshehta” (backdoors) që u mundësojnë leximin e trafikut në kohë reale nga Izraeli. Në rrafshin institucional, AKSK ka akses të drejtpërdrejtë në çdo të dhënë trafiku, ndërsa qeveria shqiptare ushtron kontrollin politik mbi mënyrën se si përdoren ato. Përdorimi i kësaj teknologjie mbart rrezikun e drejtpërdrejtë të shfrytëzimit politik për përgjimin e opozitës, gazetarëve dhe aktivistëve. Modeli teknik i këtyre sistemeve buron nga kompanitë e specializuara në mbikëqyrje sulmuese si NSO Group apo Cytrox, krijueset e Pegasus dhe Predator, dy nga spyware-t më të njohura në botë për përgjimin e telefonave të gazetarëve, avokatëve dhe politikanëve, çka u ka sjellë këtyre kompanive sanksione dhe kufizime tregtare nga autoritete perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Këto kompani, si dhe gjigantë të tjerë si Palo Alto Networks, një prej korporatave më të mëdha amerikane të sigurisë kibernetike, apo Elbit Systems, konglomerati kryesor izraelit i industrisë së mbrojtjes që prodhon nga dronë e sisteme raketore deri te platforma survejimi dhe lufte elektronike, zhvillojnë mjete të shkallës ushtarake përmes cenueshmërive të panjohura (Zero-Day Exploits). Dërgimi i vazhdueshëm i të dhënave telemetrike drejt serverave të huaj u jep aktorëve të jashtëm pamje të plotë mbi jetën private dhe sigurinë e një shteti.
Kjo formë varësie sakrifikon drejtpërdrejt interesat kombëtare. Të dhënat konfidenciale të qytetarëve, bankave, sistemit energjetik dhe telekomunikacionit po ruhen në një infrastrukturë të kontrolluar nga një kompani e huaj, pa asnjë garanci për lokalizimin e tyre. Në rast të një sulmi kibernetik, një krize gjeopolitike apo një konflikti ku përfshihet Izraeli, Shqipëria rrezikon të bllokohet dhe të humbasë plotësisht aksesin në të dhënat e veta vitale. Projektet si ADC dhe instalimi i pajisjeve DPI janë vetëm hapi i parë drejt shtrimit të rrugës për një varg projektesh të tjera në sigurinë kibernetike, telekomunikacion e mbrojtje, duke vulosur kontrollin e plotë të infrastrukturës sonë nga kompani private izraelite.
E vërteta më e hidhur e këtij degradimi është heshtja ose bashkëfajësia e strukturave që duhet të mbronin interesin publik. Mungesa e një zëri të fortë opozitar për skandalin e ADC-së dhe të pajisjeve DPI ngre dyshime të bazuara se edhe opozita ka interesa të ngjashme në tenderat e ardhshëm të IT-së. Shqetësimet e izoluara të ndonjë OJF-je, si Instituti i Studimeve të Sigurisë, kanë mbetur pa asnjë ndikim në vendimmarrje, ndërsa pjesa më e madhe e mediave kryesore e kanë paraqitur këtë zhvillim si “lajm pozitiv teknologjik”, duke refuzuar të bëjnë pyetjen elementare: kush fiton dhe çfarë po humbet kombi shqiptar?
Anashkalimi i standardeve të BE-së, si Direktiva NIS 2 dhe GDPR, po e çon vendin drejt një skenari të errët dhe drejt shndërrimit në një “koloni dixhitale”. Ndërsa BE-ja dhe Autoritetet e të Dhënave nuk kanë asnjë akses, auditim apo mbikëqyrje zyrtare mbi këtë instalim, në periudhën 2027 deri në 2030 Shqipëria rrezikon të bëhet përfundimisht një qendër rajonale për mbledhjen e të dhënave ballkanase nën kontrollin e drejtpërdrejtë të kompanive private izraelite. Në rast konfliktesh gjeopolitike ose përplasjesh ushtarake në Lindjen e Mesme, ekziston rreziku real që Izraeli ta përdorë këtë infrastrukturë për të mbikëqyrur, filtruar ose sabotuar të dhënat rajonale. Pas vitit 2030, për shkak të shkeljes së acquis-it dixhital (Kapitulli 10) dhe mungesës së transparencës mbi marrëveshjet dhe emrat e ekspertëve të huaj, Shqipëria do të shihet si një “pikë e dobët” e mbrojtjes evropiane të të dhënave, duke cenuar përfundimisht integrimin tonë.
Qëndresa 100-ditore e shqiptarëve në rrugë nuk është thjesht një revoltë kundër vjedhjes së tokës apo varfërimit; kjo është një luftë për dinjitetin dhe të ardhmen e Atdheut. Një kastë që shet pronat publike, që i ka kthyer deputetët në robotë ngritës duarsh dhe që dorëzon çelësat e inteligjencës kombëtare te kompani të huaja private, ka humbur çdo legjitimitet moral e politik. Zgjimi kombëtar nuk mund të ndalet te mbrojtja e shesheve; ai duhet të përfshijë mbrojtjen e çdo të dhëne, çdo kodi dhe çdo të drejte që na takon si qytetarë të lirë. Është koha për të kërkuar llogari të plotë, transparencë radikale dhe rikthimin e sovranitetit të Shqipërisë në duart e qytetarëve të saj!
Burimet e informacionit: Direktiva e BE-së për Sigurinë e Rrjeteve dhe Informacionit (NIS 2, Direktiva 2022/2555); Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave e BE-së (GDPR, Rregullorja 2016/679); Korniza e BE-së për Sigurinë Kibernetike (Cybersecurity Act, Rregullorja 2019/881); raportet e Citizen Lab (Universiteti i Torontos) dhe të Amnesty International mbi përdorimin e programeve spiune (Pegasus/NSO Group, Predator/Cytrox); kuadri ligjor i Republikës së Shqipërisë për Prokurimin Publik (Ligji nr. 162/2020) dhe për Mbrojtjen e Infrastrukturave Kritike; si dhe deklaratat publike të shoqërisë civile dhe raportet analitike të Institutit të Studimeve të Sigurisë (ISS).