VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Moderatori i njohur italian i shtruar në spital, e ëma ndërron jetë nga koronavirusi

By | March 22, 2020

Komentet

Rolling Stones kërcënon me padi Trumpin për përdorimin e këngëve të tyre

Washington

Grupi i muzikës rok Rolling Stones ka kërcënuar presidentin amerikan Donald Trump me procedim ligjor për përdorimin e këngëve të tyre në mitingjet e tij, përkundër direktivave të ndalimit dhe mospërdorimit të tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stones përmes një deklarate theksoi se ekipi i tyre juridik po punon me organizatën e të drejtave të muzikës BMI për të ndaluar përdorimin e materialit të tyre në fushatën për rizgjedhjen e Trump-it.

“BMI e ka njoftuar fushatën e Trump-it në emër të Stones se përdorimi i paautorizuar i këngëve të tyre do të përbëjë shkelje të marrëveshjes së saj të licencimit”, tha Stones.

“Nëse Donald Trump nuk ndërpret përdorimin e materialit tonë dhe vazhdon, atëherë ai do të përballet me proces gjyqësor për thyerjen e embargos dhe për përdorimin e muzikës që nuk është licencuar”, shtoi grupi i muzkës rok.

Stones ishin ankuar gjatë fushatës së Trump-it në vitin 2016 për përdorimin e muzikës së tyre për të ndezur emocionet e përkrahësve të tij konservatorë në mitingje.

Kënga klasike e “The Rolling Stones” e vitit 1969, “You Can’t Always Get What You Want (Nuk mund të kesh gjithmonë atë që dëshiron)” ishte një këngë e famshme në mitingjet e tij. Ajo u lëshua përsëri në mbyllje të tubimit të fundit të Trump në Tulsa të Oklahoma-s.

Artistë të tjerë gjithashtu janë ankuar për përdorimin e muzikës së tyre në ngjarjet e Trump-it.

Familja e muzikantit të ndjerë të rokut, Tom Petty, tha se kishte lëshuar paralajmërim për ndalim dhe mospërdorim të pasi Trump lëshoi këngën “I Won’t Back Up” në Tulsa.

“Trump në asnjë mënyrë nuk ishte i autorizuar të përdorë këtë këngë në vazhdimin e fushatës së tij”, thuhet në deklaratë.

“Tom Petty dhe familja e tij qëndrojnë fuqishëm kundër racizmit dhe diskriminimit të çdo lloji. Tom Petty kurrë nuk do të dëshironte që një këngë e tij të përdoret në një fushatë të urrejtjes. Atij i pëlqente të mblidhte njerëzit së bashku”, thuhet më tej.

Muzikanti fitues i çmimit Grammy Neil Young kritikoi Trump-in në vitin 2018 pasi dëgjoi njërën nga këngët e tij të lëshuar kundër dëshirës së tij gjatë tubimeve të fushatës së Trump-it. Muzikantja me origjinë kanadeze paralajmëroi Trump-in kundër përdorimit të hitit të saj të vitit 1990, “Rockin’ in the Free World”, përkundër paralajmërimeve të mëparshme.

Kitara e yllit të rokut Kurt Cobain shitet për çmim rekord

Kitara e përdorur nga Kurt Cobain, performuesi i grupit të rokut Nirvana, në një shfaqje në MTV në vitin 1993, është shitur me një çmim rekord, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biznesmeni australian Peter Freedman pagoi 6.010.000 dollarë për kitarën Martin D-18E të vitit 1959 në një ankand.

Çmimi fillestar i kitarës, me të cilin Kobain performoi në nëntor të vitit 1993 në shfaqjen MTV Unplugged, vetëm pesë muaj para vdekjes së tij, u caktua në 1 milion dollarë.

Megjithatë, simpatizantët e këngëtarit me famë botërore së bashku me investitorët garuan në ankand dhe thyen një rekord të ri botëror.

Rekordi i mëparshëm për kitarën më të shtrenjtë që është shitur ndonjëherë ishte për një kitarë Fender Stratocaster të zezë të vitit 1969 që i përkiste David Gilmour-it të grupit Pink Floyd, e cila u shit për 3,95 milionë dollarë në një ankand në vitin 2019.

Cobain ishte një kantautor dhe muzikant amerikan që lindi në vitin 1967. Në prill të vitit 1994, ai u gjet i vetëvrarë në shtëpinë e tij në moshën 27-vjeç.

Bob Dylan nxjerr albumin e tij të parë origjinal në tetë vjet

Muzikanti legjendar Bob Dylan nxorri sot albumin e tij të parë të këngëve origjinale në tetë vjet, të quajtur “Rough and Rowdy Ways”.

Në këtë album të 39-të në studio, i cili shfaqet 58 vjet pas opusit të tij të parë, ka edhe një baladë 17-minutëshe mbi vrasjen e John Kennedy-t, “Murder Most Foul” dhe një homazh për këngëtarin amerikan të bluzit, Jimmy Reed-in.

“Rough and Rowdy Ways” është albumi i parë i fituesit të çmimit “Nobel” në letërsi që nga albumi “Stuhia” në vitin 2012, edhe pse artisti ka nxjerrë, ndërkohë, disa albume cover.

Opusi përzihen rrymën bluz, rok dhe tingujt popullorë me vargje që lëkunden mes humorit të zi dhe evokimeve nostalgjike të fantazmave nga e kaluara.

Revista Rolling Stone e përshkroi albumin si “absolut klasik”.

Pavarësisht moshës së tij, Bob Dylan i ka kaluar tri dekadat e fundit të jetës së tij në një turne pothuajse të përhershëm. bw

Florian Binaj rezulton me Koronavirus, testohet i gjithë stafi i ‘Portokallisë’

Aktori i njohur i emisionit humoristik ‘Portokalli’ ka rezultuar i infektuar me koronavirus. Ndërkohë mësohet se i gjithë stafi dhe punonjësit e spektaklit humoristik janë testuar.



Përgjigja e tamponëve të tyre pritet të dalë nesër. Kujtojmë se Florian Binaj para një jave ka qenë në jug të Shqipërisë, ku ka zhvilluar ‘Rafting’ në lumin e Vjosës në Tepelenë, ka vizituar Përmetin e fshatra të tjerë turistikë, nën shoqërinë e shumë njerëzve të tjerë.

Duhet thënë se aktori i njohur nuk ka reaguar në lidhje me këtë lajm, për ta konfirmuar apo përgënjeshtruar. Sakaq, 66 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus në 24 orët e fundit në vendin tonë. Ndërkohë te spitali Infektiv ka humbur jetën një 67-vjeçar nga Shkodra, duke e çuar në 39 numrin e viktimave nga koronavirusi në vendin tonë.

(Fotot) Edhe pse me paterica, Madona i bashkohet protestës “Black Lives Matter”

BRITANI E MADHE

Madonna ka habitur të gjithë kur u shfaq me paterica në protestën në nder të George Floyd, të quajtur “Black Lives Matter”.

Teksa i është bashkuar protestës që morën pjesë edhe shumë personazhe të famshëm si Anthony Joshua dhe Boris Becker, Madonna u shfaq me paterica.

Edhe pse është e lënduar në gju që nga turneu i saj në tetor të vitit të kaluar, 61-vjeçarja vendosi që t’i bashkohej kësaj proteste që bëri bujë në mbarë botën. Por pavarësisht se u shfaq me patericë, këngëtarja e famshme dukej në super formë.

Madonna gjatë protestës kishte veshur një bluzë të firmës ‘Nike’ me mbishkrimin “Black Lives Matter” dhe kishte vënë një palë syze dielli të mëdha.

George Floyd u vra në mënyrë diskriminuese nga oficeri i policisë dhe pamjet nga vrasja e tij bën xhiron e rrjetit ku dhe përlotën të gjithë botëm. Kjo ngjarje e tmerrmshme ngriti në këmbë të gjithë Amerikun ndërsa Chauvin është arretsuar me akuzën e shkallës së tretë.bw

VENEDIK Janar 1970: TAKIMI ME BEKIM FEHMIUN – nga Bajram Sefaj

Bekim Fehmiu në Teatrin ” Migjeni”, në Shkodër, prill të vitit 1972.

“Jam i lumtur që mbas 30 vjetëve gjendem në Shkodër, në qytetin ku kam kaluar vitet e para të fëmijërisë sime, rrënjët kishin qenë të thella dhe të pashpërngulta”
Bekim Fehmiu.

 

 

 

VENEDIK Janar 1970:

TAKIMI ME BEKIM FEHMIUN, (që sot do t’ishte 84 vjeç!).

nga Bajram Sefaj

 

(Shënime udhëtimi)

Të më lejohet të them: kam shikuar filmin “Aventurierët” në rrethana interesante dhe pakëz të çuditshme.

Qe, po tregoj si ndodhi.

Isha jashtëzakonisht i lodhur nga rruga e gjatë. Sa u vendosa, më mire të them, sa i lash ato pakëz rrobe në hotelin “Garibaldi” në Venedik (qyteti i ri), dola për të shetitur, anipse këmbët mire nuk me mbanin. Por, qetësi, ndejë në vnd nuk ka. Isha në Venedik, isha i etshëm për të pare sa më shumë krahë të tij, skuta, sheshe, tregje… E, për të shetitur me ngacmonte edhe koha jashtëzakonisht e bukur e asaj dite të freskët shtatori. I humbur në gërshetën e ngjyrërave të neonit që reklamonin (çka nuk reklamonin) nuk kam kaluar as 100 metra, duke mos e ditur as vetë për ku jam nisur dhe ku do të shkoj, e, në një kënd të rrugës shikimin ma ndali një afishe në të cilën shihej fytyra e Bekim Fehmiut. Ky pra, ishte takimi im me Bekimin në Venedik, në natën e 23 shtatorit të këtij viti. Kexoj: filmi “L`UI timo avanturiere”. Fjala e parë – Pultimo – me befasoj pakëz sepse nuk e kuptoja, por fjala e dytë – avanturiere – me bëri të shpresoj se, megjihtatë, fjala është për “Avanturierët”, film ky në të cilin Bekimi ynë interpreton rolin kryesor. Se kam të drejtë u binda kur pashë se në p lakatë, pos tjerash, shënonte: “unë film di Lavis Giblert”. E kam ndjekur porosinë e placates së vogël në të cilën shënonte se filmi çfaqet në një kinosallë me emrin “Exelsior”.

Në reklamën e madhe, e shumë mire të ndriçuar, të kësaj kinoje në të cilën shihej portreti i fortë e i mad hi Bekimit troç në një skenë maskimale të filmit. Nxitova. Pas ca minutash pashë se në dorë, tanimë, veç kam bulletën të cilën e pagova 750 lira (nja 15 dinarë të rinj). Meqenëse bulletën e bleva në çfaqjen e orës 22, e në atë moment akoma nuk ishte 20, vajta në njërën prej kafeneve të afërta. Të drejtën t`ua them mezi pritja momentin të futem në sallën e kinos e, në pelhurën e tij, të shoh ngjarjen e madhe filmore. Isha kurreshtar, aq më pare pse për këtë film, për këtë project të dimensioneve të mëdha, është shkruar aq shumë gjatë “ndërtimit” të tij, sidomos kohët e fundit. Në ndërkohë, m`u kujtua edhe premiera superspektakulare e këtij filmi organizuar në aeroplanin “Boing 747” dhe sezacioni gazetaresk lidhur me gjoja montimin e bombës, e cila, për fat, nuk eksplodoi, apo është evituar, ashtu diç. Tani mezi, siç thash pritja përjetimin e premierës sime të këtij filmi. Nejse. Ora 22 mbërriti.

Në hyrje të sallës së kinemasë kuptova se filmi kishte filluar të çfaqej para një ore, ose në orën 21 jugosllave, që do të thot në orën 22 italiane. U kuptuam: Italianët “ecin” rrafsh 50 minuta me shpejtë se ne. Këtë ndryshim kohësor, i cili bie në sy me të shkelur në trollin Italian, e pagova shtrenjtë.

Nuk do mend, një orë mire e kishte “brejtur” ngjarjen në filmin ,,Avanturierët” të cilin urishëm fillova për ta shikuar. Kurrsesi vetes fjalin për mos kujdes, nuk ia fala. Me kujdesin më të madh fillova të përcjell çdo lëvizje, edhe atë më të voglën, të Bekimit tone të madh. Anipse ishte jashtëzakonisht i lodhur, gjuhën italiane në të cilën ishte e sinkronizuar filmi ( sinkronizimi i kohës ma kishte ,,vjedhur” një orë, filmi ,, Avanturierët” më pëlqeu shumë. Bekimi ishte teje i madh.

Nesërbrëma, me të njëjtën bulletë, në saje të mirësisë së të zotëve të kinosallës, filmin e shikova edhe njëherë. Prej fillimit.

Me siguri është interesant për t`u thenë diç se çfarë është ky film? Qysh në fillim po them se filmi është jashtëzakonisht i mire, superspektakular.

Daxi (Bekim fehmiu), që nga moment kur plumb i armiqëve ia shtrin për tokë qenin, gjersa ishte duke luajtur me të moment ky i cili thekshëm e zgjon nga femijëria, sepse të njëjtit arëmiq i vrajnë mizorisht nënën dhe anëtarët tjerë të familjes, meqenëse të jatin e kishte dikund large, në krye të detyrës, e vazhdomisht, kur si femijë me automatic i kosit arëmiqët mizorë duke deklaruar: ,,Nuk jam më fëmijë”, – shtrëngon frenjtë e atit, për të përjetuar, në vrap, shumë caste të vështira: vrasjen spektakulare ( në teleferik) të të jatit, luftën e brendshme për fron, pastaj si plejboj, avanturier dhe bukurosh përjeton dashurinë e vajzave më gra cioze e, gjer në momentin kur gjen vdekjen nga dora tinzake e një qyqani, të jatin e të cilit, në hapin e qërimeve të hesapeve, Daxi e pushkaton – hyn thellë në shpirtin e shikuesit dhe fiton, pa reserve, simpatitë e tij të pakufishme.

Andaj, është e nevojshme të shënohet diç edhe përkitazi me reagimin e publikut venedikas. Kjo veç është punë e vështirë, sinçerisht. Kino-salla ishte jashtëzakonisht e madhe, solemne, e mbushur përplot me spectator. Spektatorët sahi ishin pakëz të çuditshëm. Ata që kan shikuar filma në Itali, e dine. Shikuesit lirisht pijnë duhan në sale. Hunë e dalin, pa ianda. Por, ç`është me rendësi, në rastin konkret, salla mbetej përplot. Natën e dytë (për mua), e shtunë brëma, në sale kishte bukur shumë vende të zbrazta.

Të shënojmë edhe diç: në listen e interpretëve në plakatën e madhe të këtij filmi emir i Bekimit ishte i nënti, kurse i Ana Mofos i dhjeti. Kjo na habiti. Vërejta në kllapa se renditja është bërë sipas alfabetit (i pari ishte Sharl Aznavur), më qetësoi. Me shpresë se edhe lexuesit se shpejti do të shikojnë këtë film, këtu po e vejmë pikën.

 

———————

Gaillard, 2.6.2020

Artisti italian këngë për Teatrin, Meta: Të na zgjojë për rivendosjen e demokracisë!

“Shembja brutale e Teatrit Kombëtar, ka indinjuar jo vetëm artistët në Shqipëri, por edhe në Europë, të cilët revoltën e tyre kundër dhunës dhe barbarisë ndaj trashëgimisë kulturore e historike të vendit tonë po e shprehin me art”, ka shkruar Presidenti Ilir Meta duke shpërndarë këngën “Atë natë të shtunë, përse?”, kënga homazh që dy muzikantët e mirënjohur Marco dhe Daria Zappa kanë krijuar si shprehje të dhimbjes për shkatërrimin kriminal të vlerave kulturore të kombit tonë nga dhuna e pushtetit.

“Një këngë homazh që duhet të na zgjojë dhe frymëzojë të gjithëve, për të krijuar një FRONT TË PËRBASHKËT PËR RIVENDOSJEN E DEMOKRACISË”, shkruan Meta, duke ndarë tekstin e këngës, si vijon.

ATË NATË TË SHTUNË, PËRSE?

E latë dalëngadalë të vdesë,

E katandisët dalëngadalë

Në një gërmadhë

Pastaj një të shtunë, natën

Goditja finale!

Mospërfillës ndaj të gjithë atyre

Që për njëzet e shtatë muaj,

Çdo mbrëmje, çdo natë

Besuan tek kjo ëndërr

Zemrën e tyre që rrihte.

Përse?

Dhuna e një pushteti

Kujton të kaluarën

S’e bëri tërmeti,

E bëri pushteti

Fikët një qiri

Që i jepte dritë qytetit

Dhe ne pyesim veten: Përse?

Sa bukur ishte të luaje

Në këtë teatër të mrekullueshëm

Po, pak i vjetër dhe i lënë pas dore

Por e vërtetë, i ngrohtë dhe shumë i dashur.

Shkatërruat një histori,

Duke mbytur çdo shpresë.

Përse? Përse? Përse?

Dhuna e një pushteti

Kujton të kaluarën …

S’e bëri tërmeti,

E bëri pushteti

Fikët një qiri

Që i jepte dritë qytetit

Dhe ne pyesim veten: Përse?

Unë jam Teatri

Unë jam Shqiptar

Fikët një qiri

Që jepte dritë…

Që i jepte dritë qytetit

Përse? Përse? Përse?

E latë dalëngadalë të vdesë,

E katandisët dalëngadalë në një gërmadhë

Pastaj një të shtunë, natën

Policia dhe buldozeri

Mospërfillës ndaj të gjithë atyre që …

Çdo mbrëmje, çdo natë,

Besuan te Teatri,

Te një zemër që rrihte

Fikët një qiri

Fikët një flakë!

Që na jepte jetë të gjithëve … ne!

Më 27 maj 1877 lindi Isadora Duncan, gruaja që revolucionarizoi baletin modern

Portret i balerinës humaniste Isadora Duncan

Isadora Duncan ( California , 27 maj 1877 – 14 shtator 1927) ishte balerina dhe koreografja e njohur e fillim shekullit XX, gruaja që revolucionarizoi baletin modern, pas humbjes së dy fëmijëve të saj qëndroi në Sarandë për disa muaj. Aty u njoh me Shqipërinë dhe gjendjen e mjeruar të njerëzve, ku kërkoi të jepte ndihmën e saj. Isadora duartrokitet në mbarë Evropën, pasi u dëbua nga Shtetet e Bashkuara për simpatitë e saj pro-sovjetike.

Lidhja me Shqipërinë

Rastësia e solli Isadora Duncan të jetojë disa muaj në Shqipëri, Saranda e sotme”, kështu shprehet në librin e tij “Santa Quaranta” autori Luan Rama,Paris , i cili studioi e mblodhi të dhëna mbi kohën kur Isadora qëndroi në Shqipëri. Në pranverën e vitit 1913, atëherë kur ajo përgatitej të interpretonte “Ifigjeninë” e Gluck-ut në teatrin e “Chatelait” në Paris, u godit nga një tragjedi akoma më e tmerrshme se ajo që do të interpretonte në skenën e atij teatri. Dy fëmijët e saj, viktimë e një aksidenti automobilistik, u mbytën në Senë. Jeta artistike u ndërpre menjëherë. I vëllai Raymond Duncan, (një intelektual dhe njohës i Epirit dhe Greqisë antike, por edhe i Shqipërisë), i cili jetonte në Korfuz bashkë me gruan e tij Penelopën, i kërkoi që ajo të shkonte me ta në brigjet e Korfuzit, në Santa Quaranta, për të lehtësuar dhimbjen e madhe të saj.

Letërkëmbimi

Në një letër dërguar nga Korfuzi një mikes së saj, Elena, Isadora shkruante: “Bashkë me vëllain tim Raymond, ne shkuam nëpër malet e Epirit, duke ecur 50 milje në ditë dhe duke fjetur në qiell të hapur, duke menduar e qarë për ata njerëz, në vend që të isha në një dhomë e të mendoja për ju. Ne vizituam qindra fshatra të djegur nga turqit; pamë ata njerëz të mjerë me shtëpitë dhe të korrat e shkatërruara. Nëse dikush nuk i ndihmon, ata do të vdesin nga skamja. Po përpiqem të ngremë disa streha për fëmijët. Ne do të kthehemi javës tjetër. Ah ata fëmijë, me ata sy aq të trishtë e të dëshpëruar dhe ato gra që s’kishin ç’t’u jepnin”. Më pas, një mikut të saj artist, Isadora i shkruante: “Vëllai im Raymond dhe Penelopa pa pasur asgjë me vete u nisën më këmbë për në Epir. Shkojnë drejt Janinës. ç’kurajo! Mendojnë të kthehen pas një jave dhe do të më tregojnë për gjendjen e saktë në të cilën ndodhen njerëzit dhe ai vend. Pastaj, përmes një thirrje, ne do të përpiqemi të mbledhim fonde në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të mjerë. ç’mendon ti? Thuhet se janë një mijë familje që po vdesin urie. Dua të shkoj edhe unë që në një lloj mënyre t’i ndihmojmë ata fëmijë. Nëse Paris Singer mund të vijë, do të ishte më thjesht, por edhe vetëm do mund të bëja diçka. Këtu më thonë se janë peizazhe të njohura e të mrekullueshme. Do ëndërroja të ngrija atje një shkollë danci, një vend ku të mblidheshin artistët… Po pres kthimin e Raymond-it dhe do t’u shkruaj. Në vend që t’u shkruaj këto fjalë boshe me frëngjishten time të keqe, do të doja t’u dërgoja pamjen që kam përballë dritares, me hapësirën që hapet ballë detit. Përballë mund të shohësh deri tutje te malet, të cilët duken sikur përkunden në të kaltërtën midis tokës e qiellit, si në një imazh të “Tokës së Premtuar”. Ndonjëherë, duke admiruar këto imazhe, mendoj se ndoshta kam vdekur bashkë me fëmijët dhe se bashkë me ta kam hyrë në Parajsë. I ndiej shumë pranë meje. Dhe pastaj më kap dhimbja e tmerrshme fizike. Sytë e mi nuk do t’i shohin më ata. Duart e mia nuk do t’i prekin kurrë duart e tyre. Ende më shfaqen ato duart e tyre të dashura e të mjera që më përshëndesin nga makina që i mori me vete. E unë dua të klith nga dhimbja. Por në fakt është jeta vetë që vuan…”, kështu ka shkruar Isadora Duncan gjatë kohës që qëndroi në Shqipëri./Wikipedia

Më 24 maj 1937 lindi Serafin Fanko, aktor dhe regjisor i shquar shqiptar

Serafin Fanko (Shkodra, 24 maj 1937 – 29 shtator 2007), ishte një aktor dhe regjisor shqiptar i nderuar me titullin Artist i Popullit.

Biografia

U lind në Shkodër, i biri i Nikolla Fankos dhe Milicës së Serafin Bellkos. Asokohe i ati ishte kapiten i ushtrisë së Mbretërisë Shqiptare me shërbim në Shkodër dhe me pushtimin italian mbajti qëndrim antifashist, arsye për të cilën u vra më 1943 nga vullnetarë mirditorë.[1] Serafini kaloi një fëmijëri tragjike, ndër vitet 1946-1948 së bashku me të motrën jetuan në jetimore deri kur i mori e gjyshja dhe jetuan me të.[2]

Serafin Fanko studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Pragë dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.

Filmi i tij i parë është “Fije që priten”. Më pas shkëlqeu në vitin 1977, me filmin “Gunat mbi tela” ku luante një nga rolet e mbretërisë së Savojës. Vitet e fundit spikati si regjisor dramash.

Mirënjohjet

Është nderuar me titullin “Artist i Popullit”

Filmografia

  • Emblema e dikurshme (film) – (1976)
  • Fije që priten – (1976) …. Klarku
  • Shembja e idhujve – (1977) …. Frat Engjëlli
  • Gunat mbi tela – (1977) ….
  • Ditët që sollën pranverën – (1979)
  • Yjet mbi Drin – (1979) …. Lulzimi
  • Qortimet e vjeshtës – (1981) …. Profesor Samiu
  • Vendimi – (1984) …. Filipi
  • Pranvera s’erdhi vetem – (1988) …. Profesori

Referimet

  1. ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. ff. 195–196. ISBN 9789928440358.
  2. ^ Xhahid Bushati (2019). Teatri “Migjeni, kujtesa e një qyteti. Tiranë: Albas. f. 203. ISBN 9789928300904.

“As televizor nuk kishim, babai shkonte për të parë filmat te…”- Historia e panjohur e Sandër Prosit, kollosit të teatrit

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e aktorit Sandër Prosit, i konsideruar si një nga kollosët më të mëdhenj të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Memorie.al shkruan se Prosi që në rininë e tij, përveç punës që bënte në klinikën stomatologjike të vëllait të tij ku shkonte shpesh për ta ndihmuar, ai kishte prirje e pasion për muzikën dhe luante bukur në kitarë, violinë, apo këndonte bukur në korin e Kishës Orthodokse në Tiranë, bashke me shokun e tij të ngushtë, Prokop Mima.

Angazhimi i tyre si “aktorë” duke interpretuar në pjesën “Vilhelm Tel” që vunë në skenë shokët e tyre më të vegjel të gjimnazit të Tiranës në vitin 1943, gjë e cila do të sillte më pas arrestimin e tyre nga komunistët në nëntorin e ’44-ës, duke u akuzuar si pjestarë të rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar. Dëshmitë e rralla të aktorit të ndjerë Rikard Ljarja për mikun dhe kolegun e tij, si dhe të birit, Aristidhit, i cili hedh dritë mbi disa anë të panjohura të babait të tij: nga përgatitja e roleve, jeta e thjeshtë familjare, miqtë dhe kolegët me të cilët shoqërohej, e deri te pasionet dhe hobet e tij.

Ka qënë 24 marsi i vitit 1985, kur në një nga sheshet e xhirimit të filmit “Pranverë e Hidhur”, të Kinostudios “Shqipëria e Re”, skenat e të cilit po përgatiteshin në plazhin e Durrësit, humbi jetën nga një aksident fatal, Sandër Prosi, një nga aktorët më të famshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Po cila ishte e kaluara e Sandër Prosit, ku kishte studiuar ai dhe si mundi që të bëhej një nga yjet e teatrit dhe filmit shqiptar?

Familja Prosi

Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj. Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”. Jovan Prosi, u kujdes që t’u jepte fëmijëve një arsimim sa më të mirë. Kështu Kleanthi, vëllai i madh i Sandrit, u diplomua për stomatologji dhe pas diplomimit ai hapi një klinikë private diku afër “Pazarit të Ri” në Tiranë. Pas Kleanthit, po në të njëjtin profesion studio edhe i vëllai tjetër, Aristidhi, por ai nuk pati fatin të jetonte gjatë dhe vdiq në Tiranë në moshën 30 vjeçare, pasi ishte kuruar në një nga klinikat e Zvicrës. Vdekjen e Aristidhit, familja e përjetoi dyfish pasi të gjithë ata mbaheshin me të ardhurat e klinikës së Kleanthit dhe Arstidhit. Kur Sandri ishte në vitin e fundit të gjimnazit të shtetit në Tiranë, shpesh herë shkonte tek klinika dhe punonte, duke zëvëndësuar vëllain e madh, i cili shkonte në Bukuresht për të takuar të afërmit e familjes së tyre.

Pasioni i tij, muzika.

Ndonëse fëmijët e Jovan Prosit ishin të dhënë të gjithë pas profesionit të stomatologut, Sandri i vogël bënte dallim nga ata, pasi që kur ishte në bangat e shkollës fillore, shfaqi prirje për muzikën. Këtë pasion i’a ushqeu dhe babai i tij, i cili merrte leksione violine nga mjeshtri i madh, Ludovik Naraçi. Sandri studioi disa vite edhe instrumentat e fizarmonikës dhe kitares, madje aty nga fundi i viteve ‘30, ai mori vëndin e parë në një konkurs violine të organizuar nga Ministria e Arsimit e Kulturës së asaj kohe. Përveç muzikës, ai ishte i dhënë shumë edhe mbas kinematografisë botërore dhe asokohe ai mbildhte foto të ndryshme revistash të filmave italianë duke i koleksionuar ato. Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë. Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare. Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta. “Unë nuk i dëgjova këshillat e miqve të mi, pasi kisha dobësi për nënën time Aspasinë”, kujtonte Sandri lidhur me kthimin e tij në atdhe.

Prosi e Mima në 1943-in te “Vilhelm Tel”

Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla. Kjo premierë pati një sukses të padiskutueshëm dhe për këtë patën një meritë të madhe Prosi dhe Mima. Kjo shfaqje do të shënonte edhe fillimin e karrierës së tyre si aktorë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Gjatë viteve të pushtimit të vëndit, 1939-’44, Sandër Prosi nuk u përfshi në asnjë nga forcat politike të asaj kohe, por sipas disa dëshmive, në fund të vitit 1944, ai figuronte në listat e komunistëve për t’u arrestuar, si ish-pjestar i formacioneve të rinisë së organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar. Madje sipas disa dëshmive, si p.sh. ajo e bërë publikisht nga Xhemal Alimehmeti, ish-eksponent rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, diku aty nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit 1944, Sandër Prosi me gjithë shokun e tij i ngushtë Prokop Mima, u arrestuan nga një njësit partizan dhe u dërguan në malin e Dajtit në afërsi të fshatit Priskë, ku partizanët i kishin improvizuar disa godina të vjetra si burg dhe mbanin aty shumë nga të arrestuarit e atyre ditëve. Aty nga mesi i muajit dhjetor, të gjitha të arrestuarit që ishin aty i zbritën në Tiranë dhe i “sistemuan” në dy burgjet që sapo ishin vënë në funksion, por Sandri me Prokop Mimën mundën të liroheshin, pasi përveç pjesmarrjes së tyre në pjesën “Vilhelm Tel” të organizuar nga rina e Ballit Kombëtar, nga hetimet nuk rezultoi që ata të kishin pasur aktivitet në rradhët e asaj organizate nacionaliste. Por kjo ngjarje dhe akuza si “ish-pjestar i Rinisë së Ballit Kombëtar”, do ta ndiqte Sandrin dhe mikun e tij të ngushtë, Prokop Mimën, edhe për shumë vite, pasi ata kishte filluar punë si aktor në Teatrin Popullor.

Në Teatrin Popullor

Pas mbarimit të Luftës aty nga fillimi i viti 1945, Sandri së bashku me mikun e tij Prokop Mimën, u afruan në korin e Filarmonisë së Shtetit, pasi më parë kishin dhënë “prova”, duke kënduar në korin e Kishës Orthodokse. Në korin e Filarmonsië, Sandri qëndroi deri në fundin e vitit 1947, kur u thirr për të luajtur si aktor në Teatrin Popullor. Në atë kohë u ofruan pranë atij teatri edhe aktorët Mihal Popi, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Prokop Mima, etj. Sandri u aktivizua që në pjesët e para të vëna në skenë nga regjizori Pandi Stillu, ashtu dhe nga rusi Kriçkov. Lidhur me rolet e tij në Teatrin Popullor, Rikard Ljarja, një nga aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare, kujtonte: “Ndonëse për vetë moshën unë nuk kam pasur nderin që të luaj së bashku me Sandrin, përveç dy-tre roleve në kinematografi, di të them se ai ka qënë një njeri i jashtëzakonshëm. Roli i tij më i spikatur ka qënë ai i Horatios tek “Hamleti”. Them kështu, pasi ai ishte një rol i një njeriu të mirë si në dramë ashtu dhe në filma, është tepër e vështirë që të realziosh role si ai i Horatios, mikut të ngushtë të Hamletit. Megjithatë loja e Sandrit tek Horatio, ishte virtuoze, gjë që e bëri të shkëlqejë atë me gjithë madhështinë e tij. Sandri kishte dhunti interpretuese tek rolet në filma, të cilat fillonin që nga portreti, fiziku i tij, deri tek gjestikulacionet. Ai diti të dallojë shumë mirë filmin nga teatri, të cilat janë dy gjëra krejt të ndryshme, por ai e gjeti veten më së miri në film”, përfundon Ljarja për kolegun e tij. Sipas dëshmive të Rikard Ljarjes, por dhe kolegëve të tjerë të tij, përveç punës së madhe që ai bënte me rolet në studiot e teatrit, Sandri atë gjë e vazhdonte për orë të tëra, edhe në shtëpinë e tij. Lidhur me këtë, djali i tij i madh, Aristidhi kujton:”Babai punonte shumë në shtëpi me rolet e tija të Teatrit. Kështu më kujtohet aty nga mesi i viteve ‘60-të, ai ka punuar për afro katër vite për rolin e Otellos. Aq shumë ishte i dhënë pas atij roli, saqë edhe unë që isha i vogël, arrita t’i mësoja përmëndësh, pothuaj pjesën më të madhe të monologjeve të asaj drame. Po kështu edhe kur dilnim në xhiro në shëtitoren e Tiranës, ai shpesh përshpëriste me vete rolet e tija. Në çdo kohë ai e kishte mëndjen vetëm tek rolet”, kujton i biri, Aristidhi.

Në filmat e parë

Pas shumë roleve në dramat e pjesët e tjera që u vunë në skenën e Teatrit Popullor, me krijimin e Kinostudjos “Shqipëria e Re”, kur filluan që të realizoheshin filmat e parë shqiptarë, Sandër Prosi ishte një nga aktorët që u aktivizua me role kryesore në ato filma. Kështu Sandri, mori pjesë në filmin “Furtuna” që ishte një bashkëprodhim shqiptaro-rus, e më pas në filmin “Vitet e para” në rolin e një inxhinieri që punonte për tharjen e asaj kënete. Pas këtyre filmave me të cilat filloi kinematografia shqiptare, Sandër Prosi vazhdoi të interpretojë një galeri rolesh, ku ndër më kryesoret janë: oficer i Sigurimt të Shtetit te ”Detyrë e Posaçme”, italiani te ”Oshëtimë në Bregdet”, doktor Borova te “I teti në bronx”, Kapedani i bigës, te “Horizonte të hapura”, komunisti te “Debatiku”, babai i Zanës te “Plagë të vjetra”, si dhe role të tjera kryesore te “Mëngjeze Lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Udha e Shkronjave”, “Shtigje Lufte”, “Fije që priten”, “Përballimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i Dytë”, “Dora e ngrohtë” etj. Nga roli i drejtorit të shkollës te filmi “Debatik” që ishte roli i tij i parë në kinematografi, e deri tek ai i fundit te filmi ”Pranverë e Hidhur” në vitin 1985, që Sandri nuk arriti ta përfundojë, ai shënon 29 role nga më të arrirët të kinematografisë shqiptare, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar. Po kështu përveç këtyre, nga viti 1947 e deri në vitet e fundit të karrierrës së tij artistike, Sandër Prosi luajti edhe mbi 100 role në teatrin shqiptar.

Si jetoi Sandër Prosi?

Ndonëse Sandër Prosi pati një ngritje të shpejtë si aktor duke u bërë një nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, ai bënte një jetë krejt të thjeshtë. Ai së bashku me familjen e tij, nga bashkëshortja Filomena dhe dy djemtë Aristidhi e Adriani (të dy muzikantë) deri në vitin 1976, kanë banuar në një shtëpi të vjetër tiranase, e cila kishte vetëm një dhomë e një guzhinë, te rruga e “Barrikadave”. Në vitin 1976, shteti u detyrua që t’i jepte një apartament më të zgjeruar aktorit të madh Sandër Prosi. Në atë shtëpi, Sandri përgatiti pjesën më të madhe të roleve të tija, ku spikati ai i Otellos, për të cilin i’u desh katër vite punë. Prosi nuk e kishte kurrë zakon të ankohej për kushtet në të cilat banonte dhe punonte. Ndonëse ishte një nga më të famëshmit e kinematografisë shqiptare, nuk kishte televizor në shtëpinë e tij dhe shumë nga filmat e kohës ishte i detyruar që të shkonte për t’i parë tek i vëllai Kleanthi. Siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi kujton: ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkol, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.

Pasionet e Sandrit

Ashtu si gjithë njerëzit e tjerë dhe Sandër Prosi në jetë, kishte hobet e pasionet e tija. Lidhur me këtë, i biri Aristidhi, kujton:”Im atë që nga rinia e tij, kishte një pasion për zogjtë, gardelinat dhe kanerinat. Ai i mbante ato nëpër kafaze në shtëpi dhe kujdesej shumë për to. Një herë kur në teatër ju desh një kanarinë, ai mori një nga ato të shtëpisë dhe u bë shumë keq kur atë ia hëngri macja, ngaqë dikush nga kolegët e tij i kishte lënë derën e kafazit të hapur. Po kështu babai nuk i’u nda kurrë muzikës, pasionit të parë të tij. Ai mbante në shtëpi një numër të madh disqesh gramafoni me muzikë klasike dhe operistike, ku më shpesh kishte dëshirë të dëgjonte simfoninë pastorale të katërt të Bethovenit. Një pasion të madh kishte dhe për librat, ndonëse për vetë natyrën e punës së tij, nuk kishte shumë kohë të lexonte. Përsa i përket kinematografisë botërore, im atë kishte idhull, aktorin e madh francez Zhan Gaben, ndonëse nuk mbante foto të tija në shtëpi, për vetë rrethanat e asaj kohe. Sa herë kishte shfaqe, na merrte me vete e pas mbarrimit të saj, ne e prisnim aty përpara ish monumentit të Stalinit. Babai nuk e kishte kurrë për zakon që të shante njeri, e aq më pak kolegët e tij. Aktori i madh Sulejman Pitarka thonte shpesh: “Unë nuk kam lënë njeri në teatër pa bërë fjalë, por me të vetmin që nuk u fjalosa kurrë, ishte Sandër Prosi dhe kjo jo për meritën time”.

Vdekja aksidentale

Aktori i madh Sandër Prosi, vdiq krejt papritur në moshën 65 vjeçare, kur ishte në kulmin e energjive të tij krijuese. Ka qenë viti 1985 kur ai ishte caktuar që të lunate një rol tek filmi “Pranverë e hidhur”, të autorëve Luan Rama e Muharrem Fejzo. Skenat e xhirimit të atij filmi, ishin vendosur në ambientet e plazhit të Durrësit, në hotelet e të cilit ishte akomoduar dhe trupat e aktorëve. Paraditen e 24 marsit, teksa Sandri po dilte nxitimthi nga dhoma e tij e hotel “Adriatikut” ku po studionte skenarin, humbi jetën në mënyrë tragjike. Të nesërmen e asaj dite, në një nga sallat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pranë arkivolit me trupin e tij u bënë homazhe nga kolegët, miqtë, shokët dhe qindra banorë të Tiranës, të cilët e përcollën aktorin e madh për në banesën e tij të fundit. Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes së tij, aktori i madh Sandër Prosi, u dekorua nga Presidenti i Republikës, me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në 24 shkurt të vitit 2017, ai u nderua me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes./Memorie.al

 

“Mezi pres të vij në këtë oborr, dua të vdes në skenë”- Nga Drita Pelingu tek Violeta Manushi, kur ikonat flisnin për Teatrin

Kryefjala e ditëve të fundit është bërë shembja e Teatrit. Të shumtë kanë qenë artistët, por jo vetëm që e kanë kundërshtuar prishjen e godinës. Megjithatë ka pasur edhe artistë të njohur të skenës që janë deklaruar pro prishjes së Teatrit, për të pasur një tjetër godinë më moderne dhe më komode për të gjithë.



Ndër emrat që spikatën në listën Pro ishin Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Luftar Paja dhe disa aktorë të cilën janë padyshim disa nga emrat më me peshë në kinematografinë shqiptare. Për të kujtuar edhe njëherë ikona që lanë gjurmë në historinë shqiptarë, ka menduar gazetarja Rezarta Reçi. Nëpërmjet një video ajo ka sjellë aktorë të famshëm, ku disa prej tyre nuk jetojnë më dhe ndjesitë që ata kanë pasur për skenën. Disa nga intervistat janë shkëputur në kohën që prishja e godinës nuk diskutohej, megjithatë ndër fjali kuptohet lidhja e tyre e fortë me atë ndërtesë.

“Dëshira ime e fundit dhe e them me zemër, është të vdes në skenë dhe të më përcjellin shokët e skenës”, dëgjohet të thotë aktorja e njohur Violeta Manushi. Në insert flet edhe Drita Pelingu, e cila shprehet “Të them të drejtën mezi pres të vi këtu në këtë oborr. Janë shumë kujtime, është një jetë e tërë që është kaluar në këtë mjedis”, thotë Pelingu. “Vijmë me kënaqësi, madje vijmë shumë përpara që regjisori të na gjejë atje”, është shprehur edhe Marika Kallamata.

 

https://www.facebook.com/rezarta.reci/videos/2947779438633705/?t=39

Michel Picooli … mik i dashur i shqiptarëve – homazh nga bajram sefaj

Michel Picooli, interpreton rolin e priftit në Gjenerali i…

Më 18 maj 2020, në moshën 94 vjeç,  ndërroi jetë (shkoi në jetën e andejshme, të amshueshme), aktori i njohur francez, Michel Piccoli.

Nuk është se nuk di shumë mbi jetën dhe veprën artistike të këtij aktori të shquar e më famë botërore (njohuri kurrë aq sa duhet!), por edhe me ato njohuri sado që modeste që janë, mbi këtë kolos, mbi këtë princ me fletë të artit të filmit, pa modesti e them!, do të sajoja një libër modest për të. Aq e gjerë e pasur është fusha e veprimtarisë së tij, në teatër në fillim, e pastaj në artin e kinemasë deri në fund të jetës. Por unë nuk do të hyj andej, “llugave” ose  në mal pa sakicë, siç predikon një ekspresion yni mençur të provoj të shpalos, i pashpresë, së do të sjell ndonjë të re, apo të panjohur, mbi jetën dhe veprën e këtij kolosi të kinemasë. Rroftë googla! Ja tek e kemi në dispozicion të përhershëm. Ajo i di të gjitha, për të gjithë,  e mbi një aktor ndër më të shquarit e këtij shekulli, sikur ishte  Michel Picooli.

Prandaj do të ndalem vetëm në një segment, fragment a episod të jetës së tij që, ndoshta opinioni i gjerë francez e botëror nuk e njeh fare, ose që, ndërkohë  duhet ta këtë harruar, e që nuk është kurrfarë mëkati, ndërkaq, në anën tjetër, nëse opinioni shqiptar e ka harrur apo ta ketë qitë pas shinë e në harresë, atë “detaj” , do të ishte mëkat i madh, gabim i pafalshëm kombëtar do të precizoja e nënvizoja.

A ju kujtohet (o, shqiptarë të mi!) muaji tetor i vitit 1990. Sigurisht se ju kujtohet.  Në mos për tjetër, për një ngjarje të llahtarshme që e tronditi opinionin jo vetëm evropian por dhe atë botëror, të “botës së letrave”, sidomos. Atë muaj të surmë, asaj vjeshte, të atij viti të lig, më i miri dhe më i shquari shkrimtar  shqiptar i të gjitha kohëve, zotni Ismail Kadare, pas shumë dilemash grirjes shpirtërore e netëve të pa gjumë, braktisi Mëmëdhënë e kërkoi azil (strehim) politik, në Francë, atje ku kanë gjetur strehën sigurisë dhe të rehatisë edhe shumë shkrimtarë të njohur nga të katër anët e botës, jo demokratike, totalitariste. Çfarë ishte edhe Shqipëria e atyre ditëve. Ne mos edhe më zi akoma…

Ku synoj të dal. Po, në atë çast kur shkrimtari ynë i njohur, Islmail Kadaré, po i përjetonte çastet me të vrugëta të jetës se tij, në qytetin e dritës” në Paris (çfarë paradoksi!),  i pari që iu gjend pranë, e përkrahu, e përmbajti, i dha zemër, e ndihmoi moralisht (e pse mos të thuhet, më zë të lartë madje!) dhe materialisht. Ku ishte Ismaili (fati i tij) aty ishte edhe Michel Picooli. Në tana paraqitjet e para publike të Ismailit në Paris e gjetiu në Francë, edhe atëherë kur do t’i ndahej ndonjë shpërblim letrarë, edhe atëherë kur duhej të shpallje kandidatura e tij për çmimin Nobel për letërsi e deri të “imtësitë e imta” jetësore, siç janë: ardhurat financiare mujore, banesa e të tjera. Në shenj solidariteti e miqësie. Michel Picooli, bashkë me Marcello Mastroianin, në filmin artistik “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ka luajtur rolin e Priftit e kështu më radhë. Këto punë më se miri i di Kadaré vetë. (Ah sikur ta kisha dëshminë tij, nuk do ta jepja për kushedi sa!).

Ikja e I. Kadarésë në Paris dhe dalja në skenë, bamirësie e mirëkuptimi, afër shkrimtarit tonë, gjithnjë në krahun e djathtë të tij, Michel Picooli-n e bë me të njohur dhe më të dashur në opinionin shqiptar, prandaj edhe këta (pak) rreshta të shkruar si për ngut, hyjnë në vargun mirënjohjes dhe respektin tonë për këtë mik, vigan të artit të kinemasë dhe të artit të miqësisë dhe të fisnikërisë njerëzore.

———————

Gaillard, 19.5.2020