Nga “Sistemi i Bashkëpunimit Kombëtar” (NER) i Viktor Orbanit te PPP-të, “Kontrata 1 Euro” dhe “Paketa e Maleve”: 75 kompani të 13 oligarkëve kanë marrë 100% të PPP-ve, 80% të pasurive dhe 70% të tenderëve në Shqipëri…
Grupet mafioze nuk kanë “brirë”, Ata dominojnë në ekonomi, shërbime dhe financa publike, të siguruara me ndikim në kupolën e pushtetit për të marrë ndërtimet, sistemin bankar, shërbimet telefonike, investimet në zonat turistike, rrëmbimin e pasurive, zotërimin e tregjeve të mëdha fitimprurëse dhe tenderët nëpërmjet lobimit në ligjbërje e vendime qeverie.
Referuar një investigimi të kryer nga “Financial Times” për rrjetin e klientelist oligarkik ekonomiko-financiar që ka krijuar kryeministri Viktor Orban në Hungari, konstatohen ngjashmëri me rrjetin oligarkik që ka krijuar dhe instaluar kryeministri Edi Rama në Shqipëri.
Në qershor 2011, një vit pas rikthimit në pushtet, kryeministri Viktor Orban filloi përqendrimin e pasurive, financave, licencave, ndërtimeve e shërbimeve shtetërore në duart e një grupi biznesmenësh të njohur si “Bankomati i Elitës së Pushtetit”.
Këtë skemë, kundër së cilës pati reagime nga biznesmenë pa lidhje politike dhe nga BE-ja, Viktor Orban e serviri si model zhvillimi, të quajtur “Sistemi i Bashkëpunimit Kombëtar” (NER).
Linja e sistemit hungarez NER kishte si maskë Bashkëpunimin Shtet-Privat, duke kaluar fondet, lejet, licencat dhe pasuritë publike në duart e disa kompanive private të afërta me Viktor Orbanin, me ministra, politikanë e grupe mafioze të lidhura me ta.
Edhe Edi Rama, një vit pas ardhjes në pushtet, zbatoi në Shqipëri modelin hungarez “Sistemi i Bashkëpunimit Kombëtar” (NER) të Viktor Orbanit, duke servirur si Partneritet Publik Privat (PPP) përqendrimin e pasurive, fondeve dhe licencave publike në duart e një grupi biznesmenësh.
Në Hungari, janë 42 kompani në pronësi të 13 biznesmenëve, të cilët kanë marrë 32% të pasurive publike, 45% të licencave e lejeve dhe 52% të fondeve publike gjatë 4 mandateve pushtet të Viktor Orbanit; ndërsa para ardhjes së tij në pushtet më 2010-ën, ata zotëronin vetëm 1% të pasurive, shërbimeve dhe 11% të tenderëve e lejeve shtetërore.
Kryeministri Edi Rama, në zbatim të modelit NER të homologut e “mësuesit” Viktor Orban, u ka dhënë 75 kompanive të 13 oligarkëve 100% të PPP-ve, 80% të pasurive publike dhe 70% të tenderëve, lejeve të ndërtimit, zonave bregdetare e licencave publike.
Madje Edi Rama, përveç skemës së PPP-ve, ka perfeksionuar modelin hungarez NER, duke zgjeruar grabitjen dhe përqendrimin e pasurive publike në duart e grupit të oligarkëve e grupeve mafioze, me skemat “Kontrata 1 Euro”, “Investitor Strategjik” dhe “Paketa e Maleve”.
Në muajin maj 2022, për shkak të skemës NER që kufizoi ekonominë brenda rrjetit oligarkik të Viktor Orbanit, Komisioni Europian i bllokoi Hungarisë 27 miliardë euro fonde investimesh.
Të njëjtën gjë gjatë viteve 2017-2025, Komisioni Europian ka bërë edhe ndaj Shqipërisë, për shkak të korrupsionit, përqendrimit të pasurive në disa duar me skemat PPP, “Kontrata 1 Euro”, “Investitor Strategjik” dhe së fundi “Paketa e Maleve”, duke i bllokuar projekte miliona euro; madje prej 3 vitesh i ka bllokuar fondet bujqësore “IPARD III”.
Por Edi Rama e ka avancuar atë model të homologut e “mësuesit” Viktor Orban, duke krijuar edhe rrjetin oligarkik hungarez në Shqipëri me bankë private, telefoni celulare, shërbim interneti, agjenci të mikrokredive, biznese ndërtimi, përfitime si “Investitorë Strategjikë” dhe janë në duke finalizuar pazarin për të marrë OSSH-në dhe ujësjellësat me koncesion. / Pamfleti