VOAL

VOAL

Mjeshtri Kapexhiu godet me karikaturën për Spartak Ngjelën

January 6, 2022

Komentet

Detajet e verdiktit për ish-krerët e UÇK-së: Çka konstatoi trupi gjykues?

Trupi gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë, më 16 shtator 2026.

Doruntina Baftiu

Mbi 41 muaj pas nisjes së procesit gjyqësor, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, më 16 shtator i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve, dhe vlerësimit të gati 5.500 provave materiale, ata u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.

Në anën tjetër, të katërt u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.

Të pafajshëm u shpallën edhe për një numër incidentesh specifike që ishin listuar në aktakuzë, brenda akuzave për krime lufte.

Çfarë u konstatua për akuzat për krime lufte?

Sipas trupit gjykues, midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, anëtarë të UÇK-së privuan arbitrarisht nga liria së paku 385 persona që i akuzonin se ishin “kolaboracionistë”, “spiunë” apo “tradhtarë”.

Në shumicën e rasteve, tha trupi gjykues të mërkurën, nuk kishte prova se këta persona ishin përfshirë në veprimtari kriminale, luftime apo veprimtari që do të përbënin shqetësim legjitim sigurie.

Të ndaluarit nuk u informuan zyrtarisht për arsyet e ndalimit, nuk dolën pa vonesë para një gjyqtari ose autoriteti tjetër kompetent, dhe nuk iu dha mundësia të kundërshtonin ligjshmërinë e ndalimit.

Në lidhje me trajtimin e të ndaluarve, trupi gjykues konstatoi se të ndaluarit mbaheshin në kushte të rënda, në dhoma të mbipopulluara, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm, pa kujdes shëndetësor dhe, në disa raste, të lidhur me zinxhirë ose pranga.

Gjykata konstatoi, gjithashtu, se shumë prej tyre ishin rrahur me shkelma, qyta të pushkëve, shkopinj, shufra metalike dhe mjete të tjera. Disa thuhet se u detyruan të shikonin keqtrajtimin e të ndaluarve të tjerë, ndërsa disa iu nënshtruan ekzekutimeve të simuluara dhe kërcënimeve për vrasje.

Në 49 raste, Gjykata konstatoi trajtim mizor, ndërsa 303 persona tha se ishin torturuar.

Në rastin e vrasjeve, trupi gjykues konstatoi se së paku 96 persona ishin vrarë nga anëtarë të UÇK-së në 12 komuna të Kosovës dhe në një lokacion në Shqipërinë veriore. Viktimat, sipas Gjykatës, ishin vrarë me armë zjarri ose kishin vdekur si pasojë e rrahjeve brutale.

Shfajësimi për krime kundër njerëzimit

Ndryshe nga krimet e luftës, për të cilat trupi gjykues gjeti përgjegjësi penale të të akuzuarve, për krimet kundër njerëzimit ai konstatoi se nuk ishin përmbushur të gjitha kushtet që kërkon ligji.

Gjykata konstatoi se anëtarë të UÇK-së kishin kryer akte dhune dhe keqtrajtimi ndaj civilëve në Kosovë dhe në disa zona të Shqipërisë veriore. Sipas saj, këto akte ishin pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik.

Por, për t’u cilësuar juridikisht si krime kundër njerëzimit, nuk mjafton që aktet të jenë të shumta ose të organizuara. Duhet të provohet edhe se sulmi ishte i drejtuar kundër një popullate civile. Pra, se civilët ishin shënjestër, si pjesë e një grupi të caktuar dhe jo vetëm individë të veçantë.

Pikërisht këtë element, sipas trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk arriti ta provonte përtej dyshimit të arsyeshëm. Gjykata vlerësoi se viktimat ishin përzgjedhur kryesisht për arsye individuale – për shembull, për shkak të identitetit, veprimeve ose lidhjeve të tyre të pretenduara – dhe jo sepse i përkisnin një popullate civile që ishte shënjestruar në tërësi.

Prandaj, edhe pse Gjykata konstatoi një sulm të përhapur ose sistematik ndaj civilëve, ajo nuk gjeti të provuar elementin e nevojshëm që ai sulm të përbënte krime kundër njerëzimit. Si rrjedhojë, të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për gjashtë pikat e tilla.

Gjykata konstatoi “qëllim të përbashkët kriminal”

Trupi gjykues konstatoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, së bashku me persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, kishin si qëllim pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi një Kosovë të pavarur.

Sipas gjykatës, për realizimin e këtyre objektivave, ata kishin një qëndrim të përbashkët se disa persona që konsideroheshin pengesë për qëllimet e tyre duhej të “shënjestroheshin”, “eliminoheshin” ose “neutralizoheshin”.

Këta persona thuhet se përfshinin, ndër të tjera, anëtarë ose përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), persona që konsideroheshin të lidhur me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.

Gjykata konstatoi se ky qëllim i përbashkët ishte zbatuar përmes vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, si dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit dhe përdorimit të asaj që në aktgjykim quhet “luftë speciale”.

Trupi gjykues tha se krimet nuk ishin rezultat vetëm i hakmarrjeve personale, bandave apo veprimeve të izoluara, por ishin pjesë e një plani që, sipas tij, ishte hartuar nga të akuzuarit dhe persona të tjerë dhe ishte zbatuar gjatë konfliktit.

Gjykata gjithashtu listoi një numër figurave të tjera të njohura të UÇK-së – Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci – për të cilat tha se ishin në dijeni për këtë qëllim të përbashkët kriminal dhe se kishin rënë dakord me të, si dhe kishin marrë pjesë në realizimin e tij.

Megjithatë, aktgjykimi thekson se ndaj këtyre shtatë personave nuk është bërë konstatim fajësie në këtë çështje, dhe se ata vazhdojnë të kenë të drejtën të prezumohen të pafajshëm.

Si e përcaktoi Gjykata përgjegjësinë e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit?

Gjykata konstatoi se katër të akuzuarit kishin dhënë kontribut të qenësishëm në zbatimin e këtij qëllimi të përbashkët dhe, mbi këtë bazë, i gjeti penalisht përgjegjës për katër krimet e luftës.

Në rastin e Thaçit, gjykata tha se ai kishte luajtur rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët, ndërsa konstatoi se kishte marrë pjesë edhe personalisht në disa prej krimeve, përfshirë rastin e Behajdin Allaqit.

Sipas trupit gjykues, më 11 qershor 1998, Behajdin Allaqi u mor në pranga në shtabin e UÇK-së në Drenoc, pak pasi aty mbërritën Thaçi dhe Veseli. Ai nuk u pa më, dhe trupi gjykues konstatoi se ishte vrarë.

Para zhdukjes, Allaqi kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Gjykata konstatoi gjithashtu se pas vrasjes, për të fshehur përgjegjësinë, u publikua Komunikata 61 e UÇK-së, e cila pretendonte se Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë.

Pas luftës, sipas aktgjykimit, Thaçi, Veseli dhe Azem Syla u përpoqën ta bindnin familjen e tij të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe së vërtetës, përmes ofertave për ryshfet dhe premtimeve.

Për Veselin, gjykata veçoi pozitën e tij si shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së, organ që, sipas konstatimeve, kishte përgjegjësi për identifikimin, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave të dyshuar si “kolaboracionistë”. Gjykata tha se ai nuk ndërmori hapa për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e krimeve, megjithëse kishte dijeni për to.

Për Selimin, trupi gjykues konstatoi se ai kishte kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Gjykata vuri në dukje se pozita e tij si inspektor i përgjithshëm i UÇK-së i jepte më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të organizatës, krahasuar me disa prej të akuzuarve të tjerë.

Ndërsa për Krasniqin, gjykata konstatoi se ai kishte përdorur pozitën, rolin si udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët.

Çfarë tani?

Aktgjykimi mund të apelohet dhe avokatët e katër të dënuarve kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë atë në shkallën e apelit.

Avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e cilësoi aktgjykimin si “tallje me drejtësinë” dhe tha se mbrojtja do të kërkojë rrëzimin e tij në apel.

Ai paralajmëroi se procesi i apelit mund të zgjasë me vite.

 

 

Pas Ballukut, protestuesit kapin “mat” në rrugë edhe Olta Xhaçkën: O hajdute, ju erdhi fundi!

Pasi kanë kapur mat në rrugët e Tiranës Belinda Ballukun dhe Taulant Ballën, protestuesit këtë herë janë përballur me Olta Xhaçkën. Sapo e kanë parë Xhaçkën, protestuesit kanë thirrur në kor “Hajdutë”, “Ju erdhi fundi”.

Xhaçka shihet teksa largohet me vrap, kur sheh se po e ndjekin protestuesit.

Madje, në një moment protestuesit i thërrasin edhe në emër socialistes:“O Olta o hajdute”.

Olta Xhaçka ka qenë një emër i lakuar për akuza për korrupsion. bw

Hoti me një gur vret dy zogj: ta çajë LDK-në dhe ta çojë shtetin në zgjedhje pa fund!

Inati më i madh se Dardania

Hotit sërish i erdhi “vera kah dera”.

Ai, me trojkën e tij primare, respektivisht me gjashtëshen e turpit, me një gur mund të vrasë dy zogj:

ta çajë LDK-në dhe ta çojë shtetin në zgjedhje pa fund.

Misionin e trojkës e admirojnë opozitarët dhe e presin me ankth e padurim,

duke refuzuar pafundësisht funksionimin e shtetit dhe duke shpresuar se ky është i vetmi opsion që u ka mbetur në këto kohë të turbullta,

kur votuesi i ka braktisur masovikisht.

Pyetja është e thjeshtë dhe vendimtare:

A do ta zgjedhin presidentin gjashtë votat e dëshiruara dhe kritike të inatmëdhenjve?

A do ta shpëtojnë LDK-në nga falimentimi politik dhe shtetin nga agonia,

apo, nga inati, do të hidhen si kamikazë dhe do ta përmbysin veten, partinë dhe vendin?

Kur inati bëhet më i madh se Dardania,

nuk rrëzohet vetëm një parti por edhe më keq, rrezikon të plagoset edhe shteti.

Tezat themelore të rishikimit të strategjisë shqiptare në transformimin e marrëdhënieve transatlantike- Nga Dr. Sadri RAMABAJA

 


Hyrje: Drejt një doktrine të re strategjike shqiptare në epokën e transformimit të marrëdhënieve transatlantike

Transformimet e thella që po përjeton sistemi ndërkombëtar po sinjalizojnë fundin gradual të modelit strategjik që ka dominuar marrëdhëniet transatlantike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Lufta në Ukrainë, rivaliteti sistemik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, rikthimi i Rusisë si fuqi revizioniste, krizat energjetike, sfidat teknologjike dhe presioni mbi financat publike të demokracive perëndimore po e shtyjnë Uashingtonin drejt një rishqyrtimi të rolit të tij global dhe, në veçanti, të marrëdhënieve me Evropën.

Në këtë kontekst, analiza e Dr. Jakub Grygiel nuk duhet lexuar thjesht si një debat mbi politikën e jashtme amerikane. Ajo përfaqëson një reflektim më të gjerë mbi mënyrën se si mund të rikonfigurohet arkitektura euroatlantike e sigurisë në dekadat e ardhshme.

Pesë pyetjet strategjike që ai shtron – mbi integrimin evropian, pozicionimin ushtarak amerikan, zgjedhjen e partnerëve kryesorë, shkallën e ndërhyrjes në politikën evropiane dhe autonominë ushtarake të Evropës – nuk kanë rëndësi vetëm për Uashingtonin. Ato krijojnë një kornizë të re analitike brenda së cilës edhe shtetet e vogla dhe të mesme duhet të rishikojnë supozimet mbi të cilat kanë ndërtuar strategjitë e tyre kombëtare.

Për hapësirën shqiptare, kjo përbën një moment me rëndësi të veçantë historike. Për më shumë se tri dekada, strategjia shqiptare është mbështetur mbi premisën se integrimi euroatlantik dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara përbënin boshtin pothuajse të pandryshueshëm të politikës kombëtare. Ky orientim ishte jo vetëm i drejtë, por edhe vendimtar për mbijetesën politike të Kosovës, për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për stabilitetin e rajonit.

Megjithatë, ndryshimi i mjedisit ndërkombëtar kërkon kalimin nga një kulturë strategjike e mbështetur kryesisht mbi pritjen e garancive të jashtme drejt një kulture të re, të bazuar në prodhimin e kapaciteteve kombëtare dhe në kontributin aktiv në sigurinë kolektive.

Aleancat nuk po humbasin rëndësinë e tyre; përkundrazi, ato po bëhen më selektive dhe më kërkuese ndaj anëtarëve të tyre. Në rendin e ri që po merr formë, pesha politike e një shteti do të matet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të prodhuar siguri, për të ndërtuar reziliencë ekonomike e teknologjike dhe për të ofruar vlerë strategjike për aleancën.

Kjo nënkupton se edhe faktori shqiptar duhet ta rishikojë paradigmën mbi të cilën ka ndërtuar mendimin e tij strategjik. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të konceptohen më vetëm si përfitues të arkitekturës euroatlantike të sigurisë, por duhet të synojnë të shndërrohen në aktorë që kontribuojnë në mënyrë të matshme në stabilitetin e Krahut Juglindor të NATO-s dhe të Evropës.

Dhjetë tezat që parashtrohen në vijim nuk përbëjnë një program qeveritar dhe as një platformë partiake. Ato janë një përpjekje për të formuluar elementet themelore të një doktrine të re strategjike shqiptare, të aftë për t’iu përgjigjur transformimeve të rendit ndërkombëtar dhe për të orientuar mendimin politik, akademik dhe institucional drejt një vizioni afatgjatë. Në thelb, ato synojnë të nxisin debat mbi mënyrën se si kombi shqiptar mund të kalojë nga pozita e një subjekti që kërkon mbrojtje, në një faktor që prodhon siguri, stabilitet dhe peshë strategjike në hapësirën euroatlantike.

Nëse shekulli XX ishte epoka e mbijetesës dhe e afirmimit të çështjes shqiptare, atëherë sfida e shekullit XXI është ndërtimi i kapaciteteve që e bëjnë faktorin shqiptar një komponent të pazëvendësueshëm të arkitekturës së re të sigurisë evropiane. Pikërisht mbi këtë premisë ndërtohen dhjetë tezat e mëposhtme.

Nga transformimi i marrëdhënieve transatlantike drejt një doktrine të re strategjike shqiptare

Duke u mbështetur në analizën e Dr. Jakub Grygiel,[1] por duke e lexuar atë nga perspektiva e interesit kombëtar shqiptar (Shqipëri–Kosovë, koha është të formulohet një platformë strategjike e re shqiptare. Thelbi i saj nuk duhet të jetë përshtatja pasive ndaj ndryshimeve transatlantike, por pozicionimi aktiv i faktorit shqiptar si pjesë e arkitekturës së re të sigurisë në Evropën Juglindore.

Në këtë kuadër, doktrina e re strategjike shqiptare duhet të përfshijë si objektiv afatgjatë transformimin gradual të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës drejt një bashkësie të integruar politike, ekonomike, të sigurisë dhe të politikës së jashtme, që në perspektivë mund të marrë formën e një Federate Shqiptare, të ndërtuar mbi vullnetin demokratik të qytetarëve të të dy shteteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Në këtë kuptim, Federata Shqiptare nuk paraqitet si një projekt revizionist territorial, por si faza më e avancuar e integrimit funksional të hapësirës shqiptare në kuadrin e rendit të ri evropian.

Më poshtë janë tezat themelore që, sipas meje, mund të përbëjnë bazën e një doktrine të re strategjike shqiptare.

Teza I

Nga “objekt sigurie” në “prodhues sigurie”

Për tri dekada politika shqiptare është ndërtuar mbi supozimin se siguria garantohet kryesisht nga SHBA-ja dhe NATO.

Transformimet aktuale sugjerojnë se aleatët do të gjykohen gjithnjë e më shumë sipas aftësisë së tyre për të prodhuar siguri dhe jo vetëm për ta konsumuar atë.

Prandaj objektivi strategjik shqiptar duhet të jetë:

  • ndërtimi i kapaciteteve ushtarake moderne;
  • rritja e industrisë së mbrojtjes;
  • zhvillimi i aftësive në fushën kibernetike;
  • inteligjenca strategjike;
  • mbrojtja civile.

Në këtë mënyrë faktori shqiptar shndërrohet në eksportues stabiliteti.

Teza II

Rishikimi i partneriteteve strategjike në përputhje me evolucionin e Krahut Lindor të NATO-s

Analiza e Dr. Jakub Grygiel argumenton se qendra e gravitetit të strategjisë amerikane në Evropë po zhvendoset gradualisht nga boshti tradicional franko-gjerman drejt Krahut Lindor të NATO-s dhe shteteve të Evropës Qendrore e Veriore. Ky zhvillim nuk nënkupton zëvendësimin e aleancave tradicionale transatlantike, por përshtatjen e tyre me realitetet e reja të sigurisë evropiane.

Për interesin strategjik shqiptar kjo nuk përkthehet në një zhvendosje të boshtit të politikës së jashtme, por në një zgjerim dhe diversifikim të rrjetit të partneriteteve strategjike.

Në këtë kuptim, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara mbetet themeli i sigurisë kombëtare shqiptare, ndërsa bashkëpunimi i ngushtë me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Kroacinë dhe Turqinë vazhdon të ketë rëndësi të dorës së parë për mbrojtjen, diplomacinë, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

Megjithatë, transformimi i prioriteteve strategjike amerikane kërkon që edhe politika shqiptare të zhvillojë një dimension të ri të bashkëpunimit me shtetet e Krahut Lindor të NATO-s, të cilat po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arkitekturën e re të sigurisë evropiane.

Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë partneritete më intensive me:

  • Poloninë;
  • Shtetet baltike;
  • Finlandën;
  • Suedinë;
  • Çekinë;

si edhe të zhvillojnë një dialog strategjik më të strukturuar me Rumaninë dhe Sllovakinë, pavarësisht faktit se këto dy vende ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Interesi për një bashkëpunim më të ngushtë buron nga fakti se ato ndajnë një perceptim të ngjashëm lidhur me kërcënimet që vijnë nga politika revizioniste ruse dhe mbi nevojën për forcimin e Krahut Lindor të NATO-s.

Prandaj, rishikimi i strategjisë shqiptare nuk konsiston në zëvendësimin e aleancave ekzistuese, por në harmonizimin e diplomacisë dhe të politikës së sigurisë me evolucionin e prioriteteve të aleancës transatlantike. Sa më shumë që vëmendja strategjike e Shteteve të Bashkuara përqendrohet te Krahut Lindor i NATO-s, aq më shumë edhe faktori shqiptar duhet të jetë i pranishëm në këtë hapësirë, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi pa cenuar marrëdhëniet e konsoliduara me aleatët e tij tradicionalë.

Teza III

Shqipëria dhe Kosova si porta jugore e arkitekturës së re euroatlantike të sigurisë

Nëse Polonia po konsolidohet si porta veriore e strategjisë së frenimit ndaj Rusisë në Evropë, atëherë Shqipëria dhe Kosova kanë potencialin të shndërrohen në portën jugore të kësaj arkitekture të re të sigurisë në Evropën Juglindore.

Ky rol nuk buron vetëm nga pozita e tyre gjeografike, por edhe nga fakti se hapësira shqiptare përfaqëson pikën kryesore të lidhjes ndërmjet Adriatikut, Ballkanit Perëndimor dhe Krahut Juglindor të NATO-s. Në një mjedis të karakterizuar nga konkurrenca gjeopolitike, rritja e ndikimit rus nëpërmjet Serbisë dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme në rajon, Shqipëria dhe Kosova mund të shndërrohen në një faktor kyç të stabilitetit dhe të projeksionit të sigurisë euroatlantike.

Në këtë kuptim, si dy shtete sovrane dhe aleate të natyrshme, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë gradualisht një hapësirë të integruar strategjike. Në perspektivë, përmes procesit të integrimit institucional dhe funksional, e më pas edhe të institucionalizimit të një Federate Shqiptare, ky potencial do të mund të konsolidohej në një subjekt strategjik më të fuqishëm, i aftë të kontribuojë në mbrojtjen e Evropës Juglindore dhe në forcimin e Krahut Jugor të NATO-s.

Ky objektiv nënkupton:

  • modernizimin e bazave ushtarake në Shqipëri;
  • zhvillimin e korridoreve strategjike logistike Adriatik–Kosovë;
  • integrimin progresiv të planifikimit të mbrojtjes ndërmjet dy shteteve;
  • përshpejtimin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s;
  • ndërtimin e infrastrukturës së përbashkët strategjike në transport, energji, komunikim dhe mbrojtje;
  • koordinimin e politikave të sigurisë dhe të menaxhimit të krizave.

Në këtë mënyrë, hapësira shqiptare nuk do të perceptohej më vetëm si një konsumatore e sigurisë euroatlantike, por si një nyjë strategjike që kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e krahut jugor të Evropës nga kërcënimet konvencionale dhe hibride.

Teza IV

Integrimi shqiptar duhet të jetë funksional dhe jo burokratik

Nëse SHBA fillon të favorizojë shtetet funksionale mbi strukturat burokratike supranacionale,

atëherë edhe bashkëpunimi Shqipëri–Kosovë duhet të orientohet drejt integrimit praktik.

Prioritetet:

  • treg i përbashkët;
  • energji;
  • mbrojtje;
  • arsim;
  • teknologji;
  • infrastrukturë.

Më pak deklarata politike. Më shumë institucione të përbashkëta funksionale.
Ky proces integrimi nuk duhet të shihet si një qëllim në vetvete, por si faza përgatitore e një bashkimi gjithnjë e më të thellë institucional ndërmjet dy shteteve shqiptare. Në këtë kuptim, krijimi de facto i institucioneve të përbashkëta në ekonomi, mbrojtje, energji, diplomaci, infrastrukturë dhe arsim duhet të paraprijë krijimin, në kohën e duhur dhe mbi baza demokratike, të një Federate Shqiptare si forma më e lartë e organizimit politik të kombit shqiptar në shekullin XXI. Kalimi nga integrimi funksional në institucionalizimin de jure të këtij bashkimi duhet të përbëjë një nga objektivat afatgjata të doktrinës së re strategjike shqiptare.

Teza V

Siguria kombëtare duhet të konceptohet në hapësirën shqiptare

Kërcënimet nuk ndalen në kufijtë administrativë.
Prandaj strategjia shqiptare duhet ta trajtojë hapësirën shqiptare si një sistem të vetëm sigurie.

Në këtë kuptim:

  • Shqipëria;
  • Kosova;
  • Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut;
  • Lugina e Preshevës;
  • Ulqini /Tuzi [viset shqiptare në Malin e Zi];
  • Sanxhaku [Novi Pazari]

duhet të analizohen si elemente të së njëjtës arkitekturë strategjike.

Teza VI

Serbia si faktor strategjik dhe balanca e fuqisë në Ballkanin Perëndimor

Në doktrinën e re strategjike shqiptare, Serbia nuk mund të trajtohet vetëm si një shtet fqinj me të cilin ekzistojnë mosmarrëveshje historike apo politike. Ajo duhet të analizohet si aktori kryesor strategjik që ndikon drejtpërdrejt në mjedisin e sigurisë së Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë hapësirës shqiptare.

Kjo nuk buron nga një qasje ideologjike apo emocionale, por nga një vlerësim realist i zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan. Politika e jashtme dhe e sigurisë e Serbisë vazhdon të karakterizohet nga përpjekja për të ruajtur një pozitë dominuese në rajon, duke kultivuar njëkohësisht partneritete strategjike me fuqi që sfidojnë rendin euroatlantik. Në këtë kuptim, Serbia mbetet kanali kryesor përmes të cilit ndikimi rus, e në disa fusha edhe ai kinez, projektohet në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, zhvillimi i një dialogu strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë duhet të interpretohet si pjesë e përpjekjeve amerikane për të ndikuar mbi orientimin strategjik të Beogradit dhe jo si një zëvendësim i partneritetit të privilegjuar me Shqipërinë dhe Kosovën. Pikërisht për këtë arsye, politika shqiptare duhet të shmangë reagimet emocionale dhe të mbështetet në një analizë të ftohtë të interesave dhe të ekuilibrave të fuqisë.

Kjo kërkon braktisjen e iluzionit se marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen mbi simpati politike apo afërsi retorike. Në politikën ndërkombëtare, shtetet udhëhiqen nga interesa afatgjata dhe nga balanca e fuqisë. Për rrjedhojë, edhe strategjia shqiptare duhet të ndërtohet mbi këtë logjikë.

Në këtë kuadër, doktrina e re strategjike shqiptare duhet të mbështetet mbi katër shtylla themelore:

  • balancimin strategjik të fuqisë, përmes forcimit të kapaciteteve kombëtare dhe të aleancave euroatlantike;
  • parandalimin, duke rritur aftësitë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për të penguar çdo destabilizim të hapësirës shqiptare;
  • reziliencën kombëtare, përballë kërcënimeve hibride, ndikimit politik, ekonomik, informativ dhe kibernetik;
  • inteligjencën strategjike, si instrument për parashikimin e zhvillimeve, identifikimin e rreziqeve dhe mbështetjen e vendimmarrjes shtetërore.

Në këtë mënyrë, Serbia nuk konceptohet si një kundërshtar i përhershëm, por si një faktor strukturor i mjedisit strategjik të Ballkanit, ndaj të cilit politika shqiptare duhet të zhvillojë një qasje të qëndrueshme, realiste dhe të bazuar në interesin kombëtar. Objektivi nuk është konfrontimi, por ruajtja e ekuilibrit strategjik, mbrojtja e interesave shqiptare dhe forcimi i rolit të hapësirës shqiptare si një faktor stabiliteti në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

Teza VII

Nga diplomacia tradicionale te diplomacia strategjike dhe gjeopolitike

Transformimet e rendit ndërkombëtar po e bëjnë gjithnjë e më të pamjaftueshme diplomacinë tradicionale, e cila përqendrohet kryesisht në administrimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në përfaqësimin formal të shtetit. Në një mjedis të karakterizuar nga konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha, diplomacia duhet të shndërrohet në një instrument të projektimit të interesit kombëtar dhe të fuqisë shtetërore.

Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo nënkupton ndërtimin e një diplomacie strategjike, e aftë të integrojë politikën e jashtme me mbrojtjen, ekonominë, teknologjinë, energjinë dhe sigurinë kombëtare. Objektivi nuk është vetëm ruajtja e marrëdhënieve të mira me aleatët, por rritja e peshës së faktorit shqiptar në proceset vendimmarrëse euroatlantike.

Në këtë kuadër, diplomacia shqiptare duhet të zhvillojë pesë dimensione të reja:

  • Diplomacinë e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë dhe Kosovën pjesë aktive të iniciativave të NATO-s, të planifikimit të mbrojtjes rajonale dhe të bashkëpunimit ushtarak me aleatët.
  • Diplomacinë ekonomike dhe industriale, me synimin për të tërhequr investime strategjike në sektorët që lidhen me sigurinë kombëtare, infrastrukturën kritike, industrinë e mbrojtjes, inteligjencën artificiale dhe ekonominë digjitale.
  • Diplomacinë energjetike, duke e pozicionuar hapësirën shqiptare si një nyjë e rëndësishme e korridoreve energjetike të Adriatikut dhe Mesdheut, me rol në diversifikimin e furnizimit evropian dhe në rritjen e sigurisë energjetike rajonale.
  • Diplomacinë teknologjike, për të ndërtuar partneritete në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale, mbrojtjes kibernetike, teknologjive me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak) dhe transformimit digjital të administratës shtetërore.
  • Diplomacinë e ndikimit strategjik, përmes instituteve kërkimore, universiteteve, diasporës, mediave ndërkombëtare dhe diplomacisë publike, me synim fuqizimin e pozitës së faktorit shqiptar në debatet strategjike evropiane dhe transatlantike.

Ky transformim kërkon edhe një ndryshim në kulturën institucionale të politikës së jashtme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të funksionojnë më vetëm si administrata diplomatike, por si qendra të planifikimit strategjik, të koordinuara ngushtë me institucionet e mbrojtjes, inteligjencës, ekonomisë dhe zhvillimit teknologjik.

Në këtë mënyrë, diplomacia shqiptare nuk do të kufizohej në administrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por do të shndërrohej në një instrument të drejtpërdrejtë të fuqizimit të shtetit dhe të realizimit të interesave strategjike të kombit shqiptar në rendin e ri shumëpolar.

Teza VIII

Mërgata shqiptare si komponent strategjik i fuqisë kombëtare

Në shekullin XXI, fuqia e një shteti nuk matet më vetëm nga territori, popullsia apo kapacitetet ushtarake. Po aq vendimtare janë kapitali njerëzor, rrjetet globale të ndikimit dhe aftësia për të mobilizuar burimet intelektuale, ekonomike dhe teknologjike që shtrihen përtej kufijve shtetërorë.

Në këtë kuptim, mërgata shqiptare duhet të konsiderohet një komponent organik i fuqisë kombëtare dhe jo thjesht një komunitet emigrantësh apo burim remitancash. E shpërndarë në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermani, Zvicër, Itali, vendet nordike dhe në qendra të tjera të rëndësishme ekonomike e shkencore, ajo përfaqëson një potencial unik për të rritur peshën ndërkombëtare të faktorit shqiptar.

Doktrina e re strategjike shqiptare duhet të synojë institucionalizimin e këtij potenciali përmes një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet shtetit dhe diasporës.

Në këtë kuadër, mërgat duhet të integrohet në mënyrë sistematike në:

  • diplomacinë publike dhe strategjike, duke fuqizuar ndikimin shqiptar në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes;
  • rrjetet e dijes dhe inovacionit, përmes transferimit të teknologjisë, ekspertizës dhe kërkimit shkencor;
  • zhvillimin ekonomik dhe industrial, veçanërisht në sektorët me vlerë të shtuar, industrinë e mbrojtjes dhe ekonominë digjitale;
  • sigurinë kombëtare, përmes angazhimit të ekspertëve shqiptarë në fushat e inteligjencës strategjike, mbrojtjes kibernetike, analizës së rrezikut dhe planifikimit të sigurisë;
  • investimet strategjike, duke orientuar kapitalin financiar dhe sipërmarrës drejt projekteve që forcojnë konkurrueshmërinë dhe reziliencën ekonomike të hapësirës shqiptare.

Ky proces kërkon krijimin e mekanizmave të përhershëm institucionalë që lidhin diasporën me qendrat e vendimmarrjes në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk mjafton më një politikë që e sheh diasporën vetëm si elektorat apo si burim kapitali financiar; ajo duhet të trajtohet si pjesë e arkitekturës strategjike të shtetit.

Në perspektivën e ndërtimit gradual të një Federate Shqiptare, mërgata fiton një rol edhe më të rëndësishëm. Ajo mund të shërbejë si ura kryesore ndërmjet hapësirës shqiptare dhe qendrave globale të politikës, ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, duke shumëfishuar kapacitetin e subjektit të ri politik për të ushtruar ndikim në sistemin ndërkombëtar.

Prandaj, një nga objektivat afatgjata të doktrinës së re strategjike shqiptare duhet të jetë kalimi nga një politikë ndaj diasporës në një strategji të integrimit të diasporës në fuqinë kombëtare, duke e bërë atë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, sigurisë dhe projeksionit ndërkombëtar të kombit shqiptar.

Teza IX

Inteligjenca strategjike duhet të bëhet kapacitet kombëtar

Në një rend ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguria, konkurrenca gjeopolitike dhe krizat e njëpasnjëshme, shtetet nuk mund të qeverisen vetëm përmes reagimit ndaj ngjarjeve të ditës.

Ato kanë nevojë për kapacitete të qëndrueshme të inteligjencës strategjike – aftësi për të mbledhur, analizuar dhe interpretuar informacionin, për të identifikuar rreziqet, për të parashikuar skenarët e mundshëm dhe për të orientuar vendimmarrjen kombëtare.

Kjo kërkon ndërtimin e një ekosistemi të ri të dijes strategjike përmes:

  • qendrave kombëtare të analizës dhe parashikimit strategjik;
  • instituteve të pavarura të gjeopolitikës dhe studimeve të sigurisë;
  • laboratorëve të skenarëve për zhvillimet afatgjata;
  • mekanizmave profesionalë të vlerësimit të rreziqeve kombëtare.

Inteligjenca strategjike nuk duhet të shihet vetëm si funksion i strukturave të sigurisë, por si një kapacitet i shtetit për të menduar përtej ciklit politik, për të mbrojtur interesin kombëtar dhe për të vepruar me parashikim.

Teza X

Nga politikat e fragmentuara drejt një doktrine strategjike shqiptare për shekullin XXI

Në një epokë të konkurrencës së fuqive të mëdha dhe të rikthimit të gjeopolitikës, hapësira shqiptare ka nevojë për një vizion strategjik që tejkalon politikat e fragmentuara dhe ciklet e shkurtra politike.

Një doktrinë e re strategjike shqiptare duhet të përcaktojë interesat afatgjata kombëtare, burimet e fuqisë dhe mënyrën e koordinimit të tyre në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.

Ajo duhet të krijojë një qasje të integruar ndërmjet:

  • politikës së jashtme dhe diplomacisë gjeopolitike;
  • sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare;
  • zhvillimit ekonomik dhe kapaciteteve industriale;
  • teknologjisë, inovacionit dhe ekonomisë së dijes;
  • sigurisë energjetike dhe burimeve strategjike;
  • arsimit, kapitalit njerëzor dhe diasporës;
  • dinamikave demografike dhe qëndrueshmërisë shoqërore.

Kjo doktrinë nuk do të ishte thjesht një dokument politik, por një kornizë kombëtare orientimi, që synon të ndërtojë kapacitetet e shqiptarëve për të vepruar si faktor i qëndrueshëm në rendin shumëpolar të shekullit XXI.

Në këtë perspektivë, ideja e Federatës Shqiptare duhet të trajtohet si një horizont strategjik i organizimit dhe bashkërendimit të potencialeve shqiptare, në përputhje me realitetet evropiane, euroatlantike dhe me parimet e zhvillimit demokratik.

Qëllimi i saj do të ishte përgatitja e kombit shqiptar për rendin shumëpolar të shekullit XXI.

Përfundim

Analiza e Dr. Grygiel nënkupton se SHBA-ja po kalon nga një strategji e administrimit të Evropës në një strategji të zgjedhjes së aleatëve më të aftë dhe më të gatshëm për të ndarë barrën e sigurisë. Për hapësirën shqiptare, kjo krijon një mundësi historike: të mos mbetet në periferi të arkitekturës euroatlantike, por të pozicionohet si nyjë strategjike e Krahut Juglindor të NATO-s.

Në këtë kontekst, teza qendrore e një strategjie të re shqiptare mund të formulohet kështu:

Objektivi strategjik i kombit shqiptar nuk duhet të jetë më vetëm integrimi në strukturat euroatlantike, por shndërrimi në një faktor të domosdoshëm të sigurisë, stabilitetit dhe projeksionit strategjik të NATO-s në Adriatik dhe Ballkanin Perëndimor.

Kjo nënkupton që Shqipëria dhe Kosova duhet të imponohen si subjekt strategjik ndaj faktorit ndërkombëtar dhe, para së gjithash, ndaj fqinjëve të tyre, me theks të veçantë Serbisë, e cila vazhdon të ndjekë politika me potencial destabilizues. Qëllimi është që hapësira shqiptare të mos trajtohet më si “plaçkë tregu” apo si “monedhë këmbimi” në kalkulimet e fuqive të mëdha, por të konsolidohet si një faktor dhe aktor kombëtar e ndërkombëtar, pesha e të cilit nuk mund të anashkalohet në asnjë arkitekturë të re të sigurisë dhe të rendit politik në Evropën Juglindore.

Një tezë e tillë do të përfaqësonte kalimin nga një kulturë strategjike e mbështetjes te aleatët në një kulturë të bashkëprodhimit të sigurisë, në përputhje me transformimin që pritet të pësojnë marrëdhëniet transatlantike gjatë dekadës së ardhshme.
Nga kjo perspektivë, transformimi gradual i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës drejt krijimit de facto dhe, në një fazë të mëvonshme, de jure të Federatës Shqiptare nuk duhet të trajtohet si një projekt politik i momentit, por si një proces strategjik afatgjatë i ndërtimit të një subjekti më funksional, më konkurrues dhe më të aftë për të kontribuar në sigurinë e NATO-s dhe në stabilitetin e Evropës Juglindore. Në rendin e ri gjeopolitik që po merr formë, bashkimi funksional i kapaciteteve shqiptare nuk është vetëm një aspiratë kombëtare, por edhe një domosdoshmëri strategjike.
____________________________

1. Varianti origjinal: https://www.thefreedomfrequency.org/p/five-choices-for-american-strategy,
Në shqip: https://ishgj.org/analize/pese-zgjedhje-per-strategjine-amerikane-ndaj-evropes/

Kërcënohet me vdekje gazetari Osman Stafa- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Policia e Shtetit të hetojë rastin me urgjencë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me shqetësim të thellë dhe ka dënuar kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj gazetarit të “News24”, Osman Stafa. Sipas kallëzimit të depozituar në Drejtorinë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, gazetari ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në rrjetin social Facebook, ku i shkruhej “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.

Kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të publikuar nga Stafa gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku dokumentoheshin veprimet e disa personave me rroba civile gjatë ndalimit të një protestuesi.

AGSH vlerëson se kërcënimet e tilla përbëjnë një sulm të rëndë ndaj sigurisë individuale të gazetarit, lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Reagimi i plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon me forcë kërcënimin serioz ndaj jetës së gazetarit të News24, Osman Stafa.
Sipas kallëzimit të depozituar pranë Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, gazetari ka marrë në llogarinë e tij në Facebook një mesazh me përmbajtje të drejtpërdrejtë kërcënuese, ku ndër të tjera shkruhet: “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.

Sipas dëshmisë së gazetarit, kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku kishte dokumentuar veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi.
AGSH vlerëson se kërcënimet me vdekje ndaj një gazetari, veçanërisht kur lidhen me ushtrimin e detyrës dhe publikimin e materialeve me interes publik, janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm të rëndë jo vetëm ndaj sigurisë individuale të gazetarit, por edhe ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Ne i kërkojmë Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të veprojnë me urgjencë, të identifikojnë personin ose personat që qëndrojnë pas llogarisë nga e cila është dërguar kërcënimi, të hetojnë motivin dhe çdo lidhje të mundshme të tij me punën gazetareske të Osman Stafës dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së gazetarit.
AGSH do ta ndjekë nga afër këtë rast dhe pret që autoritetet të informojnë publikisht për ecurinë e hetimeve. Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhet të normalizohen dhe as të mbeten pa autor. Çdo gazetar duhet të jetë në gjendje të dokumentojë dhe raportojë ngjarjet me interes publik pa frikën se për këtë do të kërcënohet me jetë.

Corriere della Sera: Protestat në Shqipëri po kthehen në revoltë të madhe kundër qeverisë, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës në Tiranë po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Ajo që nisi si kundërshtim ndaj projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner dhe Donald Trump, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë anti-qeveritare.

Kështu shkruan media e njohur italiane Corriere della Sera, që nënvizon se shqiptarët kanë dalë sërish në rrugët e kryeqytetit shqiptar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestat kanë vijuar prej 105 ditësh dhe janë mbështetur edhe nga aktivistë mjedisorë, organizata të shoqërisë civile dhe kundërshtarë politikë të qeverisë.

Sipas artikullit, presioni kundër qeverisë po rritet ndjeshëm dhe kërkohet dorëheqja e kryeministrit.

Artikulli

Të shtunën, protestuesit dolën në rrugët e Tiranës në kuadër të protestave që nisën në fund të majit, për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Protestat, që kanë hyrë në ditën e tyre të 105-të, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë antiqeveritare, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qeveria shqiptare argumenton se investimi i planifikuar përgjatë bregdetit do të përfaqësonte një projekt transformues për vendin, duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë dhe se mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Megjithatë, projekti, i cili përfshin një ishull të braktisur dhe një zonë bregdetare ngjitur me të, ka shkaktuar kritika të forta nga aktivistët mjedisorë, grupet e shoqërisë civile dhe kundërshtarët e qeverisë socialiste të Ramës.

Protestuesit kanë vijuar të mblidhen në rrugët e Tiranës, ndërsa kundërshtimi ndaj projektit është ndërthurur me pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë. bw

Sot në 20:45, pjesë e re audio-përgjimi në “Çim Peka live”- Çdo javë do keni pjesë të reja

Gazetari Çim Peka ka reaguar në rrjetet sociale, duke paralajmëruar publikimin e një tjetër pjese të audio-përgjimeve që lidhen me Edi Ramën, Ron Yeffet, ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nuhu.

Peka shkruan se, debati për çështjen e vilës së Belinda Ballukut po përdoret për të zhvendosur vëmendjen nga audio-përgjimet.

‘Për Ramën-SPAK-Yeffet: Telenovelë doni. Atë do t’ju japim. Të hënën në 20:45, pjesë e re audio-përgjimi’, shkruan Peka.

Peka paralajmëron se pjesa e radhës do të fokusohet te marrëdhëniet mes Ron Yefet dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, se si Yefet kishte ndikim në vendimmarrjen e Ministrisë së Energjisë.

Reagimi i gazetarit Çim Peka:

Për Ramën-SPAK-Yeffet: Telenovele doni.

Atë do tu japim. Të Hënë në 20:45 pjesë e re audio-përgjimi.

Nuk e spostoni dot vëmendjen nga superskandali me një vilë më shumë apo një vilë më pak të Belindës!

Rama në bashkëqeverisje me SPAK, paska vendosur të mundohet të spostojë të gjithë debatin dhe vëmendjen nga audio-përgjimet e Ron Yefet, Ermal Nuhut dhe në fakt vetë Ramës.

Pasi i plotësoi dëshirën duke dhënë Ministrin e Brendshëm drejtuesit të ri të SPAK, duket se Rama ka marrë zemër dhe me porositë e tij të gjitha mediat po mundohen të spostojnë debatin rreth një vide më shumë apo një vide më pak të Belinda Ballukut.

Por meqënëse SPAK është vendosur në shërbim të Ramës dhe po mundohet të krijojë një Big Brother për të spostuar vëmendjen, pa merak, sepse kësaj radhe jemi shumë hapa para. Nëse duan Big Brother për të tërhequr vëmendjen, atë po ua japim ne.

Nga nesër, sërish vazhdim përgjimesh. Janë tre orë, realisht nuk e dimë se çfarë ka sepse Ameta me këtë punë po merret. I papunë është, ka kohë sa të duash, janë në disa gjuhë dhe duhet të përkthehen, duhet prerë.

Por nesër një tjetër pjesë audio-përgjim, ku do e shikoni se si një monstër si Ron Yefet drejton Ministrinë e Energjitikës të Belinda Ballukut kur ajo ishte zëvendëskryeministre dhe ministre. Ai vendos për gjithçka dhe do e kuptoni vetë se e gjithë loja me një vidë më shumë apo një vidë më pak e Ramës, SPAK dhe Ballukut, është për të spostuar vëmendjen nga super skandali i kontrollit të gjithçkaje nga Ron Yefet dhe Edi Rama.

Mos keni merak, Big Brother doni, Big Brother do e bëjmë. Çdo javë do keni pjesë të reja. Nesër, pjesa e re.

“O Bela o hajdute, ku po shkon”, ja precedentët europianë kur qytetarët u zënë pritë politikanëve në rrugë

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, është kapur ‘mat’ nga protestuesit të dielën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Ndërsa ecte në rrugët e Tiranës, protestuesit e kanë vënë në ‘shënjestër’.
“O hajdute, o hajdute, o hajdute… Rama n’burg, Belinda n’burg… O hajdute, te cila vilë do shkosh, o hajdute?”, dëgjohen të thonë ata.
Duhet thënë se ndalimi i politikanëve në rrugë është një fenomen disi i ri për vendin tonë.
Por Europa politike ka një histori të gjatë të qytetarëve të cilët, të pakënaqur nga vendimmarrja, u zënë “prita” politikanëve.
Ja disa nga rastet më të bujshme.

Itali, 2026 – në Pescara, rreth 100 protestues ndërprenë dhe kontestuan fort një aktivitet të Roberto Vannacci-t; policia me pajisje anti-revoltë u vendos mes protestuesve dhe pjesëmarrësve për të parandaluar përplasjen fizike.

Gjermani, 2024 – Katrin Göring-Eckardt: Pas një aktiviteti politik në Brandenburg, rreth 40–50 protestues rrethuan makinën e nënkryetares së Bundestagut. Disa prej tyre goditën automjetin dhe e penguan të largohej. Policia ndërhyri dhe politikani mundi të largohej vetëm pas rreth 45 minutash. Rasti u dënua nga qeveria gjermane si intimidim ndaj një politikani.

Bullgari, 2025 – Ursula von der Leyen: Gjatë një vizite të presidentes së Komisionit Europian në një fabrikë në Sopot, protestues nacionalistë bllokuan hyrjen dhe rrethuan një automjet që besonin se transportonte von der Leyen. Protestuesit goditën automjetin dhe tentuan të pengonin lëvizjen e tij. Më vonë nuk u konfirmua se von der Leyen ndodhej në atë makinë.

Britani, 2020 – Boris Johnson: Një protestues kurd doli në rrugë përpara makinës së kryeministrit Boris Johnson, duke e detyruar automjetin të frenonte. Një makinë sigurie që ndiqte autokolonën u përplas lehtë me makinën e kryeministrit. Protestuesi u largua nga rruga nga policia.

Francë, 2024 – protestat e fermerëve: Gjatë protestave masive të fermerëve, autostrada, rrugë dhe hyrje institucionesh u bllokuan në shumë qytete. Në disa raste aktivitetet dhe lëvizjet e zyrtarëve politikë u vështirësuan nga turmat dhe bllokimet. Ishte një nga valët më të mëdha të protestave sociale në Europë gjatë atij viti.

Britani, 2020 – Boris Johnson: gjatë daljes së autokolonës së kryeministrit nga Westminster, një protestues doli përpara makinës së tij, duke detyruar autokolonën të frenonte papritur. GSH

Detaje të reja- Si u zbulua vila e Ballukut në Palasë, provat në kompjuterët e “Atelier 4”. Prona në emër të Igli Tares u financua nga Arbër Abazi

Preventivët e zbuluar gjatë kontrolleve në kompjuterët e studios “Atelier 4”, zbuluan prova që sipas SPAK dëshmojnë se vila luksoze në Palasë që u sekuestrua pak ditë më parë është në pronësi faktike të Belinda Ballukut dhe se ajo e kishte fituar si ryshfet nga kompania “Alko Impex General Construction”.

Në këto preventivë, rezultonte se kompania e Arbër Abazit kishte paguar pranë “Atelier 4” të vëllezërve Alban dhe Olsi Eftimi shuma që varionin nga 288 deri në 410 mijë euro, në një kohë që në dokumente shoqëria në fjalë nuk kishte asnjë lidhje me objektin, për shkak se porositësi sipas kontratës ishte ish-futbollisti Igli Tare.

Sipas SPAK, deri në fazën e karabinasë vila ishte financuar nga Igli Tare, ndërsa investimi për punimet e tjera të ndërtimit të vilës dhe pishinës së saj u morën përsipër nga Arbër Abazi, administrator i “Alko Impex”, kompania e të cilit ushqehej me tendera nga Balluku kur ajo drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Punimet e brendshme të vilës u menaxhuan nga partnerja e Abazit, Lorela Reçi, njëherazi lidhje familjare e ish-zv.kryeministres, e cila kërkoi leje te shoqëria ndërtuese të dërgonte nënkontraktorët për të vijuar punën.

Ndërkohë që prova më e fortë, sikurse News24 ka zbuluar më herët, që dëshmon se vila është prona e Ballukut, janë dy e-mail-et që arkitekti Alban Eftimi i dërgoi në adresën personale dhe i shpjegonte detajet e vilës luksoze.

Belinda Balluku po hetohet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, ndërsa është e pandehur për abuzimet me tenderat e rrugëve, përfshirë dhe tenderin për tunelin e Llogarasë.

Ndaj ish-numrit dy të qeverisë janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim për të dalë jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike.

Irena Beqiraj: Fashizmi nuk duhet kërkuar tek revolta e protestuesve por në Kuvend!

Nga Irena Beqiraj

Deputeti Braçe e ka cilësuar situatën ditën e fillimit të punimeve të Kuvendit si një shfaqje të “fashizmit”, duke argumentuar se sulmet ndaj deputetëve për shkak të bindjeve apo zgjedhjeve të tyre politike përbëjnë një cënim të lirisë politike”

Unë do të përpiqem në këto rreshta të jap një këndvështrim më ndryshe për atë që është në të vërtetë fashizmi.

Deputeti Braçe mund të argumentojë më mirë se kushdo tjetër në atë sallë se: rregullat e prokurimit publik ekzistojnë për të siguruar mirëqeverisjen publike duke e garantuar mbrojtjen e interesit publik, sepse me anë të rregullave të prokurimit publik sigurohet :
1) konkurrenca midis furnizuesve potencialë;
2) transparenca;
3)trajtimi i barabartë;
4) Sigurimi i ofertës më të mirë;
5) Shmangia e konfliktit të interesit;
6) mekanizmat e shqyrtimit dhe ankimimit; dhe
7)mbrojtja kundër favorizimit dhe korrupsionit.

Me votimin e ligjeve të cilat kanë ligjëruar “modelin Kayo” tanimë në ushtri, në sherbimet IT, Kuvendi i ka hapur rrugë “korporatizimit të shtetit” duke lejuar shtrirjen e një tubi për kalimit të parave të buxhetit në xhepat e disa privatëve pa asnjë proçedurë kontrolli dhe transparence .

Edhe siç deklaroi ministrja e Shëndetësisë ditën e parë të punës, projektligji i cili instalon të njëjtin model edhe në shëndetësi do të firmoset nga ajo edhe do të miratohet në Kuvend pasi sipas saj citoj “Kjo gjë që do të bëjë kryeministri është një nga iniciativat më të mira që është bërë ndonjëherë në shëndetësi për të siguruar barnat për shqiptarët”

Me miratimin e këtyre ligjeve, Kuvendi ka lejuar që një shoqëri a agjenci shtetërore t’i jepet e drejta të bëj marrëveshje me kompani private e cila zgjidhet pa garë (sepse vet ligji nuk e imponon garën ) edhe në të gjitha rastet kjo të paraqitet si një sipërmarrje e përbashkët tregtare .

Me anë të këtyre marrëveshjeve kompanitë shtetërore, siç ka ndodhur në rastin KAYO angazhojnë në mënyrë efektive para publike duke blerë shërbime e produkte nga kompanitë bija, duke anashkaluar kështu rregullat e prokurimin publik, të cilat janë guri i themelit të qeverisjes financiare edhe i garantimit të interesit publik.

Qeverisja nuk është pronësi. Ajo është një prokurë për të ushtruar vendimarrjen, edhe Kuvendi është garantuesi se ushtrimi i kësaj vendimmarrjeje i plotëson gjithmonë kushtet e organizimit edhe funksionimit të një shteti demokratik . Edhe një nga kushtet bazë është “nëse po përdoren paratë e shtetit çdo transaksion duhet t’i nënshtrohet rregullave të prokurimit”.

Sot se ky kusht themeltar është shkelur.

Përshembull, Timak defence një kompani e cila është 80 % private edhe 20 % shtetërore, ka përfituar deri tani 30 milionë euro të cilat i janë shmangur prokurimit , edhe Kuvendi nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli mbi përdorimin e tyre në garantim të interesit publik.

Pse kjo është “kapje e shtetit”? Sepse përgjigjet e pyetjeve të më poshtme të çojnë vetëm aty.

Kush i zotëron kompanitë bija?

Përgjigje: Në rastin e Timak defence Kayo është minorancë me 20%. Madje në intervistën e Drejtorit të Kayo-s në mënyrë aluçinante u argumentua se pjesëmarrja e shtetit u ul nga 45% në 20 % sepse gjatë negociatës privati rriti “Know How ( NJOHURITË) “.

Nga ka ardhur financimi?
Përgjigje: Deri tani për Timak defence që ka aktivitet, vetëm nga buxheti i shtetit.

Kush e zgjodhi partnerin privat? A pati një proces të hapur konkurrues? Përgjigje: Asnjë proçes konkurues, madje kompanitë e përzgjedhura nuk kanë as eksperiencë apo çertifikime në fushat përkatëse, përveç lidhjes politike me Kryeministrin.

Kush janë klientët të këtyre kompanive?
Përgjigje: vetëm entet shtetërore. Pra një kompanie ku vendimet tregëtare i merr privati i jepet monopoli të furnizojë me sherbime a mallra të caktuara entet shtetërore, me cmime të vendosura jashtë çdo kontrolli ashtu si zotëruesi mazhoritar e sheh të arsyeshme.
Kush merr përfitimin ekonomik? Partneri privat që është zotëruesi kryesor i zgjedhur pa garë.

Këto përgjigje qartazi tregojnë korporatizimin e shtetit me anë të krijimit të kompanive shtetërore të cilat krijojnë të tjera kompani bija me aktor privat të lidhur politikisht të zgjedhur pa garë, të cilët marrin akses në burimet ose asetet publike , ndërsa anashkalohet rregullat e prokurimit , kontrollit edhe llogaridhënies. Ndryshe kjo quhet kapje e shtetit.

Edhe ky mekanizëm përjashton qëllimisht jo vetëm auditorët publikun nga kontrolli edhe transparenca por edhe vet Kuvendin.

Benito Mussolinit i atribuohet një thënie e famshme : “Fashizmi duhet të quhet më saktë korporatizëm sepse është një bashkim i pushtetit shtetëror dhe atij të korporatave.”

Ndaj fashizmi nuk duhet gjetur tek revolta e protestuesve, fyerjet apo goditjet me vezë të deputetëve . Protestuesit përveçse janë të privuar nga shërbimet publike sepse paratë e buxhetit në vend të mirëmenaxhohen për të ofruar më shumë shërbime për ta pasurojnë Ronin e panginjur , por monopolet edhe oligopolet që kanë kapur për gryke çdo sektor të kësaj ekonomie e kanë bërë të pamundur sigurimin e një jetese modeste por dinjitoze për njerëzit.

Fashizmi duhet kërkuar pikërisht brenda atij Kuvendi.

Ndërsa teorikisht deputetët janë aty për të siguruar se ligjet e këtij vendi nuk janë në kundështim me interesin publik, praktikisht me ligjet që kanë miratuar, me vullnet të plotë kanë hequr dorë nga mbikëqyrja, transparenca edhe llogaridhënia duke hequr dorë kështu njëherë e mirë nga garantimi i mirëqeverisjes edhe i interesit publik.

106 ditë revoltë- Media e njohur amerikane: Protesta me pjesëmarrje masive, kjo është lëvizja më e gjerë kundër qeverisë, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protestat në Tiranë kundër Edi Ramës vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare. CBS News ka publikuar pamje nga demonstrata e zhvilluar të shtunën në kryeqytetin shqiptar, me pjesemarrjen edhe te diaspores, duke raportuar se protestat, të nisura në fund të muajit maj, kanë hyrë në ditën e 105-të.

Sipas raportimit të medias amerikane, protestat, të cilat fillimisht u përqendruan në një projekt turistik, janë shndërruar më gjerësisht në një lëvizje kundër qeverisë.

Raportimi i CBS News sjell në vëmendje një protestë që tashmë është shndërruar në një prej lëvizjeve më të gjata të këtij viti në kryeqytet, me pjesëmarrësit që vijojnë të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë.

“Të shtunën, protestuesit dolën në rrugët e Tiranës, në Shqipëri, në kuadër të demonstratave që nisën në fund të muajit maj kundër një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushnerin. Protestat, të cilat hynë në ditën e tyre të 105-të, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë, që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, shkruan CBS. bw

“Protestat në Tiranë vazhdojnë” – Agjencia ndërkombëtare “Associated Press”: Qytetarët kërkojnë largimin e Ramës dhe qeverisë së tij

Protestat në kryeqytetin shqiptar vazhdojnë të mbeten aktive, ku të shtunën protestuesit dolën sërish në rrugët e Tiranës për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Kjo seri manifestimesh, e cila nisi që në fund të muajit maj, tashmë ka arritur një moment delikat duke hyrë zyrtarisht në ditën e saj të 105-të. Ajo që fillimisht nisi si një reagim i përqendruar ndaj një çështjeje të caktuar, me kalimin e kohës është shndërruar në një prej lëvizjeve më të gjata dhe më të qëndrueshme të këtij viti në Tiranë.

Vëmendjen ndaj kësaj situate e kanë shtuar edhe mediat e njohura ndërkombëtare. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Associated Press raporton se zanafilla e këtyre protestave lidhet drejtpërdrejt me kundërshtimin e qytetarëve ndaj një projekti për ndërtimin e një resorti luksoz. Megjithatë, siç vëren AP, fokusi i tubimeve ka pësuar një transformim të dukshëm. Prototestat që fillimisht ishin të përqendruara vetëm te ky projekt ndërtimi, janë zgjeruar ndjeshëm dhe tashmë përfaqësojnë një lëvizje shumë më të gjerë kundër qeverisë. Në raportimet e saj, AP nënvizon se manifestuesit që vijojnë të mbushin rrugët e kryeqytetit kërkojnë me ngulm dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në të njëjtën linjë, edhe media e njohur amerikane CBS News i ka kushtuar hapësirë kësaj ngjarjeje duke publikuar pamje nga demonstrata e zhvilluar të shtunën në Tiranë. Në mbulimin e saj mediatik, CBS News sjell në vëmendje faktin se në këtë lëvizje protestuese po merr pjesë aktivisht edhe diaspora, çka i jep një dimension akoma më të gjerë këtij tubimi.

Raportimi i medias amerikane thekson se kjo protestë është kthyer tashmë në një nga lëvizjet më të gjata të vitit në kryeqytetin shqiptar, ku pjesëmarrësit vazhdojnë të shprehin hapur kundërshtimin e tyre ndaj politikave të qeverisë dhe të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama. bw


Send this to a friend