L’arkeologu Epidamn Gripshi u nervozua në çast sapo i dhanë në dorë fletën me urdheresën për të ndërprerë punimet. “Nuk është e mundur!” u revoltua ai. “Kjo është një masakër historike! Aty kalonte via Egnatia. Mbi atë rrugë ka shkelur edhe Cezari i madh! Historia ka kaluar aty! Nuk është e mundur ta groposin me dekrete dhe ordinanca!” Tek fliste kështu ngriti dorën dhe zhubrosi fletën plot tmerr. Ndjeu në atë çast një mërzi dhe rrevoltë të paparë. “Unë do të ankohem prap. Ne e fituam gjyqin një herë!” tha ai. Gjendeshin tek kryqëzimi, në të hyrë të Portit Detar. Ishte vjeshta e vitit 2017. Duke gërryer natë e ditë, nën trysninë e një pune agresive, eskavatori kishte larguar rreth 10 500 m3 dhe, një pjesë e të cilave i takonte shtresave disakatëshe të Via Egnatia-s. Ky zgavrim agresiv për të ndërtuar nënkalimin e rrugës së re, nuk u la as të hulumtohej nga arkeologët, hedhurinat që kamionët e trasportit i hodhën pastaj me ngut në bregdetin e qytetit, ishte dhe mënzyra më e madhe që pushteti lokal po ndërmerrte. “Kjo është e papranueshme. Ne shkelim mbi historinë dhe e kemi për detyrë ta respektojmë atë!” vazhdonte të shkrofëtinte arkeologu atë mbasdite vjeshte dhe u nis drejt Bashkisë për t’u ankuar. Epidamn Gripshi që prej shumë vitesh ishte i lidhur me mish dhe me shpirt me arkeologjinë. Sa herë që kalonte nëpër rrugët e qytetit ndoshta tremijvjeçar ishe e pashmangshme të mos ndjente peshën e saj shtypëse. Muret cikllopikë rrethues, eshtrat e mbretit Epidamn akoma të patretura nga koha, gurët parahistorikë të vendosur me urdhëresën e perandorit bizantin, durrsakut Anastazio, masakrimi që aristokratët vendas i bënë rebelëve, të cilët donin demokracinë Korinte në vitin 433, trandja apokaliptike e tërmetit të 49, dhe të 345 ku sipas “Descriptio totius mundi et gentium” Dyrrahu për arsye të veseve të këqija të banorëve te tij u shkatërrua nga perëndia e zemëruar!” Natyrisht, mendësia e atëhershme, nuk njihte as shkencën e evolucjonit, as fërkimet kobzeza të pllakave Tetonike, dhe as energjinë e llahtarshme që çlironte fërkimi i tyre gati çdo 100 vjet. Dihej, injoranca njerëzore kishte sjellë shumë katastrofa. Edhe se mendimi ishte një evolucjon i përhershëm. Dikur, në Epidamnin e vjetër, në Tempullin hyjnor të Afërditës, ngritur nga Korintasit e 627, para Krishtit, ilirët shkonin me oferta dhe i luteshin hyjneshës për një mrekulli. Shpesh ato ndodhnin. Falë besimit pra në diçka hyjnore, bëhej e mundur që të ndodhnin vërtetë. Me kalimin e shekujve shumë koncepte hyjnore kishin rënë, por idea e forcës së përtejme pra, ajo nuk ishte zhdukur kurrë dhe nuk do të zhdukej deri sa të zbuluhej sekreti i jetës. Edhe pse skeptikët dhe epikurët, luftonin fuqishem me idetë e tyre, nëpër shkolla, kundër stoikëve të patundur. “Ekziston pra e padukshmja. Hyjnitë e Olimpit nuk janë brroçkulla!” konfirmonin këto të fundit. Aristokratët e brendshëm i therën dhe i ekzekutuan nëpër sheshe dhe nëpër rrugë, ato pra, ribelët të cilët ishin ngritur kundër monarkisë vëndase. Të tjerë qytetarë të Epidamnit, ku nderthureshin rracat, adhuronin hyjninë Artemis. Ndiqnin Sokratin dhe Arsitotelin, ishin për vyrtytet. Qyteti ishte si Troja mbi ballkan e cila lidhte Europen me Bizantin. I kishin ekzekutuar pra, adhuruesit dhe flamurtarët e demokracisë që e donin drejtësinë. Arsyet diheshin, ishin shpërndarja e padrejtë e monedhave qytetare. Pushteti dhe kamja kishte determinuar përherë historinë, e cila gjithmonëishte udhehequr nga më të fortit. Nuk e dinin akoma por do ishin ata pra, të revoltuarit e ndëshkuar, shkëndija e parë luftës së Peleponezit siç kish shkruar Turqiditi. “Lëvizja më e madhe luftarake mes grekëve!” Ndoshta, ai, arkeologu i revoltuar, me shkresën e zhubravitur në dorën e bërë grusht nga nervozizmi, shkelte mbi një mermer ku 2000 e kusur vjet më parë, ndoshta ishte adhuruar gjarpëri si një hyjni, i gurëzuar. Apo ndoshta dikur, ndërkohë që Dante shkruante Komedinë, aty, murgu ortodoks Jan Kukuzeli, me mall, ish kthyer, dhe me zërin hyjnor, këndonte muzikën e tij në Kishën e rrahur nga jodi i kripur i detit. Gjithçka, gjithkund pra kishte shpirt. “Në mëndjen tënde veç ndodh gjithçka!” ulërinin filozofët nëpër fetat e prera vertikalisht të kohës, dhe nëpër meridianet e dimensjoneve, që nuk shiheshin, nuk pikëtakoheshin, por ku zhvilloheshin ngjarje paralele, të pa deshifrueshme nga antenat njerëzore. Universi pra, ishte shumë më kompleks nga ç’e mendonte edhe njeriu i 2020. Shkenca i kishte përveshur llërët që prej 100 vjetësh, duke ecur me këmbët e ngulura mire mbi dhè. Gjithçka pra, kishte një kujtesë! C’ishte kujtesa atëherë? Një sforcim i ndërgjegjshëm i njeriut për të rekuperuar lavdinë e thërrmuar nëpër shekuj. Ari i dheut, palca e pemës së jetës, adn-ja e qënjes? Apo ndoshta jehona e një madhështie të fundosur nga tërmetet? Njeriu pa kujtesë, ishte si asgjëja e frikshme. Rimëkëmbje rrënojash pas sulmit Norman, të 1082 kur si mitikja Trojë, gjithçka u shkrumbëzua me tmerr? Ashtu siç fliste historia me gjuhën e saj sekrete, po ashtu, arkeologut, i fliste çdo gur që mbijetonte nga rrënojat e kohërave. Koha pra, ishte i vetmi triumfator kryelartë. Historia:, I pandalshmi vrap i fakteve shkruar mbi pentagramet e kohës. Nëna e së cilës ishte e Vërteta. Apo ndoshta Historia ishte nëna e së Vërtetës siç pohonte Servantesi? Pjellë e ecjes pa ndalesa të gjeneratave, të cilat kishin prodhuar pra Historinë, me siguri diku kumbonin pa zë, me një etje të paparë deshifrimi. Në shifrën e paperkthyeshme te ajrit. Koha jone pra ishte një fetë e prerë vertikalisht në tortën e hapësirës pa fund. Diku: nje ulerimë hakmarrje, një lutje në lot, një ndjenjë lumturie plot thërrmia drite dielli, emocjon i ndjerë nga i panjohuri filozof durrsak, i cili kishte gëlltitur thelbin e epikureismit mbas një lufte te gjate me vetveten. Kish mposhtur kështu, botën e ideve të Platonit, duke e shkëmbyer me edonizmin qefashthurur të jetës. Bota e atomeve kishte fituar pra. Urrah! Zotat ekzistojnë por rrijnë mënjanë. Nuk e vrasin mëndjen fare per të verbërit, të paditurit qënjet njerëzore. Diku pra, gjithçka, e kishte ndoshta mundësinë të rekuperohej! Historia e mbetur, e pashkruar e globit, ishte më tragjike se librat e djegur të Bibliotekës së Aleksandrisë edhe pse, grimcat e mbijetuara të papireve, ishte ushqimi i brezave qe do të vinin më pas. Zbardhnin ngjarjet. Një tokë pa kujtesë ishte si njeriu të cilit i është sterilizuar memorja. Nuk vlen. Vlen guacka pa perlë? Po kurora pa diademën? Pa kujtesën pra, njeriun mund ta manipulojë si të dojë. Habi, serjozitet dhe reflektim pa fund, i ngjallnin kollonat helenike rrethore tek Fori i Epidamnit. Ndoshta aty, vetë Hermesi, ishte materializuar duke blerë deshë për Zeusin, apo duke llomotitur me një Odise të përhumbur nëpër labirintet, rrudhat e epokave.
Duhej me do e mos ta arrinte godinën e Bashkisë në kohë, përpara se orari i zyrave të mbyllej. Ndërkohë qielli po mbushej me re te zeza dhe një erë e ftohtë filloi të tundte pemët. Po bëhej mugëtirë darke dhe ai, mundohej të gjente rrugën më të shkurtër për të arritur atje, dhe të protestonte. Ishte duke kaluar përgjatë mureve të larta rrethuese. I duhej ta ndalonte në kohë atë eskavator mostruoz dhe bashkë me të, të shpëtonte dhe nje pjese e kujteses se qytetit te tij, por dukej sikur i duhej të kalonte në këmbë epokat, shekujt për të arritur atje. Ai, njeriu i vogël i 2017-tës. Ato vazo, ato gurë mermeri, kapitelet, amforat, ato eshtra mijvjeçarësh, ato monedha t. verbëra, bizhu dhe orendi zbukurimi, kishin ndenjur me shekuj atje poshtë, në heshtje, duke pritur momentin e tyre historik. Tani të tradhtuara nga babëzia e fitimit, një krim i rendë po i bëhej Kujtesës. Gjithçka, kishte një moment, një çast historik në natyrë. Njeriu kishte një çast historik kur lindte dhe kur vdiste, por edhe çaste të vogla gjatë jetës së tij. Çdo jetë e vogël njeriu, pra, ishte një kryevepër e universit. Godinat, monumentet, katedralet, kishin një çast historik, kur ngriheshin dhe kur shkatërroheshin nga rastësia, vullneti apo providenca. Një qytet kishte çastet e veta historike. Edhe kombi vetë kishte çastet e veta historike si ai 1912. Diku, në një ballkon në Durrës, plaku nga Vlora me mjekrrën e Hugo-it, kishte valvitur flamurin atë mëngjes të datës 26 Nëntor duke mbyllur përgjithmonë tendën e natës Turke. Çasti historik ishte ndodhia më fatlume i yjeve, në ngjarjet e botës së materjes. Qyteti gjatë këtyre kohëve të Medha, rimerrte jetë. 1912. 1944. 1990. 2019. Ishin momente, kur Historia shkruhej me gërma të mëdha. Era, deti, dielli me rrezet e tij, bimët, ekuinozi, stinët, kafshët me tërë memorijen e tyre në adn, njeriu me privilegjin e llogjikës, arsyes. Kujtesa pra ishte sublimimi i historisë, ishte rrespekti i saj, për atë që kishim qenë, kur nuk ekzistonim akoma, rrallë brezash me spirale në fetën e prerë vertikalisht të kohës.
Era e lagësht filloi të ulërijë atje tutje, gjethe të verdha plepash binin kudo, ai rendte drejt Bashkisë, donte ti gjente zyrtaret e Bashkisë akoma atje, përpara se zyrat të mbylleshin. Donte të demaskonte pra i revoltuar, atë mungesë respekti kundrejtë barkut shtatzënë të qytetit. Shtatzani ngjarjesh ulëritëse. “Nuk është e mundur! Këtu Ciceroni i madh ndoshta ka adhuruar Bukuroshen e Durrësit, dhe kryepeshkopi Cezari i nga Korone i Morea-s, ka sjellë shën Palin, të verbërin e mrekulluar, për t’i folur popullit për dritën hyjnore të Krishtit. “Kryebashkiak Kryebashkiak, përse me persekuton?! Unë jam Historia! Krenarja histori, duhet të keshë rrespekt për mua, pjellë e së cilës je dhe ti! ” Vetë filozofi i madh Pali, kish predikuar ringjalljen tek Fori i Macellum-it. Ky udhëtim vertikal, tek ecte me nxitim rugicave të vjetra, ishte si një rekuperim i pashmangshëm i asaj që kish qënë, ishte dhe do te ishte. Dihet, njeriu ka një ndjenjë habie mrekullore kur heq dheun e vjetër që pështjell një vazo, relike 3000 vjeçare. Dukej sikur ai vetë futet pra nëpër vrimat e dimensjoneve, dukej sikur zgjaste dorën dhe prekte kohët. Shtresat e kohërave. Dikur tek ajo shtepi e rrënuar përpara 2060 vjetësh, gjatë trandjeve të tokës, ato eshtra të dëmtuara nga gurët e rënë mbi krye, rijetojnë në fantazinë e arkeologut të heshtur. Me gishtat e tij të 2017, ai prekte moshën e fjetur. Një lloj respekti intim për Historinë, ia tejshkonte gjithmonë ndërgjegjen kur zbulonte një orendi, bizhu, monedhë. “Nuk është e mundur që gjithçka të jetë çemento dhe kemplekse dyqanesh, në emër të së ardhmes!” mërmëriste. “Kjo është një masakër historike!” Dashtë Perëndia, ndalohet në kohë! Cila perëndi? Ato kishin kaluar, njohur adhuruar dhe braktisur me qindra ide perëndishë, me qindra iluzjone përjetësie të përtejjetës! Ai qytet kish parë rënjen e shumë koncepteve të perëndisë! Nga tempujt e panumërt të hyjnive, duke adhuruar dielli, hënën, gjarpërin, yllësitë, kafshët, ato greke dhe romane, kishte kaluar tek ideja e Kryqit. Pastaja dyndja osmane kish sjellë të vërtetën e gjys-hënës, dhe më pas akoma, në kohë më të afërta, kazmat i kishin shëmbur simbolet duke i besuar materializmit dialektik. Mjekrra e Marksit kishte sunduar mbi tullacërine e leniniste të njeriut të ri? Atëherë njeriu nuk mësokërka kurrë nga Historia, dhe e Vërteta qenkërka aq e pakapshme. I fshehur aq mirë sekreti i jetës sa Ajnshtajni kishte ulëritur me të madhe: “Unë e Vërtetoj me shkencë që gjithçka është relative, edhe koha!”. Pra, duke pasur shumë të vërteta relative, opinjone të kundërta, demokracia, dhuratë e grekëve, toleranca dhe respekti, do të bënin që popujt të jetonin në paqe. Por deri dje, atje tej, pranë atij pusi historik Venecjan, partizanët kishin vrarë 6 Ballistë, 4 zogistë dhe 12 bashkpuntor me uzurpatorin, pa gjyq, duke i denoncuar si tradhtar të vëndit. I kish vrarë populli, pra, jo ato. Llogjikë dinake e korporatave. Dhe askush nuk dënohej dot, sepse si mund të dënohej populli. “Gjykimi moral pra, ishte i dëmshëm! Gjithkusht kishte mëkate!” kishte afirmuar dhe mbrojtur me zjarr hyjnori Jezusi. “Asnjë nuk duhej të gjykonte askënd!” Dihet, historinë e shkruajnë fitimtarët duke bërë shkrumb arsyet e domosdorshme të opozitës, të drejtat e tyre, të poshtëruara. Ndoshta koha do ti jepte atë që meritonin? Ndoshta të përmbysurit do të rihabilitoheshin?! Jo gjithmonë, viheshin pikat mbi i. Atëherë, çfar ishin pra, arkeologët? Ishin opozitorët e varrmihësve, gjuetarët e botëve të perënduara, deshfruesit e misterit pa fund, udhëtarët vertikal nëpër histori? Krahu i tyre i zgjatur,ishte rruga e shkurtër që lidhte dy pika kohore të cilat sfidonin ligjet e fizikës. Aleph-i i memorjes, apo libri i rërës pa shifër! Këto dëshmitarë të gurëve me mbishkrime pa kuptim, këto kurjozë që rrëmonin nëpër fletët e pluhurosura të epokave, punonin në heshtje. Ku kish shkelur apo fjetur Gjergj Kastrioti, 500 vjet më parë, në ditët kur do të merrte anijen për Venecja? Kur rrinte në Durrës i shoqëruar nga kryepeshkopi Pal Engjëlli? Ndoshta ia diktoi ai letrën shkruar Sulltanit? Për Papën ai ishte fisnik, gjigand i mendimit, vizjonar politik, mbrojtës i trojeve të Krishtera, për Sulltanin ishte bukëshkalë, tradhtar, i pabesë. Pra opinjonet e Historisë i shkruajn ngadhnjimtarët, u tha. Por mbi të gjitha e Verteta mbretëron gjithkund. E Vërteta nuk ka ngjyrë politike, nuk ka veshur kurrë petkun e interesave materiale, është e të Gjithëve. E Verteta është një dhe universale, vetëm se ndërgjegjet tona e perceptonin në formë Ajnshtajnjane. Atë e determinonte koha. Vetëm Koha pra e shkruante të Vërtetën ftohtësisht. Pa pasjone, pa gjykime cunguese, pa marrë pozicjon. Ajo që na duket e bukur dhe e fisshme, mund të jetë e shëmtuar dhe e urryer. Vyrtyti është gjithmonë në funksjon të së hijshmes, dhe të së Vertetës? Ai pra, arkeologu I dhënë me mish e me shpirt mbas grimcave të mbijetuara të së shkuarës, mendonte plot ethe tek rendte rrugicave 100 vjeçare durrsake dhe as vetë nuk e mori vesht se si humbi, nuk po kuptonte asgjë, por u gjënd në një shesh ku një popull me veshje të panjohura, me një gjuhë të panjohur lëvizte andej këndej. Kishte akoma letrën e bërë shuk nga marazi në dorë. Atë mandatin ogurzi që e ndalonte të vazhdonte gërrmimet, tani që kishte zbuluar rrënojat e famshme të shkollës së Ciceronit, tani, donin të groposnin gjithçka. “Kjo është e tmerrshme!” fliste me vete. Por ndjenja e habisë, tashmë po e mbyste atë ndjesi revolte që e kishte pushtuar gjithkund nëpër deje. Ndaloi hapin dhe duke zgurdulluar sytë pa përreth. Era e vjeshtës ishte po ajo. Retë ne qiell ishin të përzishme, në një ngjyrë gri në lëvizje, ku plepat e gjatë tundnin kokat dhe gjethe të verdha pa fund binin kudo. Atij në xhep i peshonte hi-phone-ni por tani ecte, jo mbi asfalt por mbi gurë të mëdhenj kalldrëmi. “Ku ishte?! Ç’bënte aty? Po shihte ëndërr? Çfar ishte, një lojë e llahtarshme kujtese? Një trill viziv i ndërgjëgjes së tij, apo hyjnitë po i bënin nje dhurate?! Tutje, në mes të gjelbrimit të kodrës, qiparsat e errët gerricnin qiellin e trazuar me majat e tyre. Ato pra, si në botën Homerike, Apolloni, Zeus, Posejdoni, ishin vënë dakort ti bënin një dhuratë. Një fluturim në kohë. Ai, njeriu i epokës së fb dhe WhatsApp-it, veshur me një këmishë blu, xhinsa, këpucë verore, i rruar dhe me flokët e prerë shkurt, me syzet prej intelektuali mbi hundë. Ai pra, banor i një epoke mizore, që nuk e rrespektonte historinë, tani gjendej aty. Ajri ishte i ngrohtë, frynte ere deti sepse ndihej jodi i fortë bregdetar. Kush ecte aty përreth vishte mantele të bardha, toga fisnikësh dhe avokatësh plot me derdhje rrudhash mbi trup, si ato skulpturat që ai për vite me rradhë i kishte studjuar. Flisnin një gjuhë të pakuptueshme.Ishte ndoshta një dialekt ilir? Edhe gjuha pra, si një qënje e gjallë kishte një histori të sajën. Tashmë ajo gjuhë që ai dëgjonte kish humbur nëpër hapësirat e skajshme të kozmosit. Fluturonte në formë tingujsh në eter, si boja përhapet në një vazo qelqi plot ujë. Gjuha pra lindte dhe vdiste, vetëm ç’ish shkruar mbi metale dhe gurë mbetej. Gërma, emërtime, shprehje, vargje, simbole, hieroglife memecë të gdhëndur nëpër mermere. Tashmë kujtesa e atij fjalori ishte veç gjuha e arkitekturës. Përkthyer nga studjuesit e pagjumë, të përpirë nga kureshtja, vëzhgonin pra, objektet e zhvarrosura nga gjumi i shekujve. “. Ç’bëj ketu?!” pyeti vetveten. Kurjoz, u afrua. Ishte si i mpirë. Sheshi ishte rrethor, dhe aty pranë gjendeshin Banjot Termale.E pikasi atëherë, aty ku hapësirat kohore përngjiteshin. Ai dinte ku gjendej, e dinte vënd ndodhjen. E kishte studjuar atë zonë. Kish bërë gërrmime poshtë Teatrit. Tani shihte gjithkund fëmijë që loznin duke qeshur, nëna që ulërinin duke thërritur fëmijët, sepse po afrohej stuhia. Tregtarët, të shëndoshë dhe shkurtabiq, zbath dhe me flokët pis, reklamonin mallin me thirrje që tejshponin kohërat, zëra të pakuptueshëm fshatarësh dalmat, ilir. Pak më tutje shihte qerre me mall fshati tërhequr nga gomer në ecje. Vinte një erë gjaku mishi të therur, mjalti, vaji, përzier me një aromë të fortë djathërash shpërndarë nga vrullet e erës së marrë. Dy virgjëresha zjarri të shenjtë të Vestas me bukët e elbit në dorë, kalonin në heshtje përmes sheshit. Pak më tej, mbi harqet e bardha të mermerit, rrinin tre grupime njerëzish të cilët diskutonin me njeri tjetrin. Ishte një diskutim filozofik mes tre burrave të veshur mirë por shumë të bindur për atë që thonin! Flisnin me zë të lartë por rrespektoheshin, në atë botë utopike. U afrua. Nuk e dinte nëse e shihnin apo jo…. pak rëndësi kishte. “ Të keshë miq të mirë, të analizosh vetveten dhe të jeshë i lirë duke iu dhënë qejfeve pa freh, këto janë tre komponentët që e bëjnë njeriun të lumtur!” fliste një barkmadh me kokën e madhe mishtore, mjekrrën me onde dhe ballin me brazdat e rrudhave. “Unë mendoj!” ia ktheu latinisht një burrë tjetër i thatë pak më tutje, me sytë e vegjël, kockë e lëkurë dhe me kokën e shtypur, “që lumturinë njeriu duhet ta kërkojë dhe ta gjejë tek vyrtytet. Vetëm duke frenuar pasjonet, dhe duke mos u turrur si i marrë drejt pasurisë, pushtetit, pasjoneve pa freh. Aty pra ne, do ta gjejmë lumturinë. Duhet ta përçmojmë mjerimin dhe fatkeqësitë që jeta na fal. Perënditë ekzistojnë. Ato na kanë krijuar dhe ne duhet t’i rrespektojmë!” Njerëzia nuk pipëtinte, por dëgjonin si të fantaksur, oratorët, filozofët mendimtar, të cilët ishin thinjur mbi papire bibliotekash. Ndërkohë, kur era pushoi pak, kthyen kokën nga një filozof tjetër. Plak, i kërrusur, pa flokë dhe me mjekrrën e qashtër, ngriti sytë e mëdhenj dhe bëri një shprehje prej të habituri. Levizi kokën me mosbesim dhe shprehu idenë e tij: “Unë për vete, vë dyshimin mbi gjithçka. Besoj gjithçka, por dhe nuk besoj asgjë. Unë, shumë shpesh evitoj të them si e mendoj, sepse paqja ime do të jetë e kërcënuar gjithmonë nga opinjonet e të tjerëve. Rri në heshtje, si gur varri! Nuk di gjë, pra unë e mbyll gojën! Për mua, të vesh në dyshim gjithçka, është thelbësore! Dyshimi na bën të gjykojmë. Dyshimi na mban gjallë. Vetëm budallenjtë besojnë ç’i thonë, pa prova!”
“Unë besoj sepse – la fede – më shtyn të besoj verbërshit!” ia pati filozofi stoik. “La fede – është një dhunti që hyjnitë i falin njerëzve, herë pas here, kur ato duan shpritin e ndonjë të dliri dhe të qashtëri!”
Ai, arkeologu Epidamn, pak më tutje, shihte gjithçka si i mpirë. A ishte më vete? Ishte e mundur pra, që ai të gjendej aty, 2000 vjet më parë, apo ishte veç një ëndërr madhështore. Nga ato të denja për tu quajtur mrekulli. Ndoshta po i ndodhte diçka e ngjashme me atë ç’i kishte ndodhur Kretesit Epimenide i cili kish fjetur për 57 vjet. Ai pra, Epidamni nuk ishte i përzgjedhuri i zotave. Nuk ishte një shenjt. Asnjëherë, duar mrekullorë nuk e kishin dërguar ndokund. Përkundrazi nuk besonte në ndodhi supersticjoze. Nuk besonte në botën e përtejme, nuk besonte në ndërhyrjen mrekullore. Ai ishte një shkencëtar. Besonte vetëm atë që provonte, që konstatonte me studime. Rrigoroz dhe serjoz, në profesjonin e tij, ai si studjues duhej ta analizonte gjithmonë fenomenin. Ai e shihte Historinë si një fakt kulturor për tu hulumtuar, për tu sintetizuar, jo si një aktor i rëndomtë në rrolin e qytetarit plot bindje supersticioze. Nuk do të vritej kurrë për të mbrojtur shenjtërinë e Kadmit apo vërtetësine e legjendës me Harmoninë. Nuk do të flijohej kurrë për një bindje të tillë imagjinare. Agava dhe mreti ilir Lyko ishin veç legjenda. Kishte në dorë akoma letrën e zhubrosur me urdhëresën për ndërprerjen e punimeve, me numër protokolli, datë, orë dhe firmën origjinale të kryebashkiakut. Në të vjetrin qytet Epidamnus, ku Teuta kish sunduar. Letrës i vinte akoma era bojë të freskët shkrimi. Sa shekuj mund të bartte mbi supe një qytet? Sa shtresa epokash, historishë, kulturash, bindjesh, sa përzierje gjaku, sa etni gjenealogjike kishin njerëzit e atij qyteti. Gjithçka ishte lëvizje, si ujrat e oqeaneve. Ishte e kotë atëherë, krenaria qytetare? Atdhetarizmi? Gjithçka ishte e perzier! . Nuk kuptonte asgjë, por ndërkohë përpinte me sy ato ndërtesa të vjetra 2000 vjeçare, lëvizjen e rrëmujshme të njerëzve në shesh dhe retë e zeza, stuhinë që po arrinte nga përtej detit. Gjithçka filloi të ishte në lëvizje, si një frikë e fshehtë nga rrebeshi plot erë dhe sqotë dhe shi të rr.mbyeshëm, por banorët nuk po turbulloheshin më tëpër se ç duhej. “Për shekuj të tërë banorët e qytetit kishin përsëritur të njejtën frazë: “Stuhia vjen gjithmonë nga kodra! Kur nxihet atje, shkarkon mbi qytet!” Kush kalendar i padukshëm, kujtonte numrin e rrufeve që kishin rënë mbi kodër? Njemiljon e treqind e njëzet e pesë?! Ndoshta gjithçka po ndodhte në të njëjtën kohë? Ndoshta epokat, shekujt, gjeneratat, faktet ndodhnin paralelisht në frekuenca të ndryshme, në shtresa të ndryshme dimensjonesh, dhe ai, arkeologu, jetonte si në 2017, si në vitin 117, pas Krishtit? Ndoshta ecjet në aksin e kohës materjale ishin zhvillime paralele, të cilat pikëtakoheshin tek perfeksionimi i ekzistencës. Iu kujtua Aleph, (fillimi, gjithçka, fundi). Iu kujtua, si një koncentrat i librit të rërës, libri i pafundësisë pra, dhe mendoi: ndoshta, teknollogjia një ditë do të mund ti bashkonte linjat e kohëve. Zhvillimet e kohës, pra, si linja paralele. Konceptet njerëzore atëherë ishin të rreme, sepse koha nuk ekzistonte. Kur yjet të largoheshin nga ndarja fillestare, bing bangu, atëherë universi do të fundosej në errësirën pa asnjë mundësi matëse të kohës. Hëna, toka, dielli, yllësite, nuk do të mund ta masnin pra, akoma kohën. Aty ku gjendej, tjegullat e shtepiave të ulta përreth ishin të kuqe. Asgjë ishte si dikur, dhe gjithkund, nëpër dyqanet përgjatë rrugës, berberë, zejtarë, skalitës dhe farkëtarë, shitës drithërash dhe leshi, punonin me ngut. “Ku jam?!” thonte ai i habitur. “Ai ishte banor i së ardhmes! A ishte banor i teknollogjise apo jo?. Komunikonte via web, me anën tjetër të globit, e dinte?! Tashmë, në anën tjetër të globit, flihej. Shumë tabu kishin rënë dhe do të binin në të ardhmen. Cdo hapje mendore atëhere sugjeronte një koncept të ri. Cdo epokë kishte nevojë për një strukturë të re të menduari. U gjënd si me magji pranë sheshit të Bashkisë, e kuptoj nga Amfiteatri dhe kodra në krah. “Atëherë jemi mbas vitit 200!” mendoi. Zbrisnin njerez, ilir, epidamnas nga shkallët e Amfiteatrit. Spektakli kishte mbaruar. Qielli ishte i përzishëm, me re të zeza që po arrinin majën e kodrës ku vila të mrekullueshme lluksi, fundoseshin në gjelbërimin e zbukuruar nga bredhat dhe qiparisat e errët. Era e vjeshtës, vërtiste gjithkund me mijra fletë të verdha si lajmëtar epokash, duke i rrotulluar mbi kalldrëmin e atëhershëm. C’hieroglife të pakuptueshme bartnin ato fletë të ardhura nga dimensjone të tjera? U gjend në mes të epidamnasve që zbrisnin me vrull, por ato nuk e pikasnin, ishte i tejshkueshëm nga materia. Përndryshe do ti kapnin syzet me habi, do ti preknin lëkurën, telefoni do t’i habiste fare. “futuris hominis!” do të klithnin. “Aljeni!” Nuk vraponin. Ecnin të qetë. Shtrëngata, ndodhte në të njëjtën hapësirë por në një kohë tjetër. Përkonte vendi pra, por jo koha. Evenimentet ndodhnin në dy diagonale të ndryshme të cilat pikëtakoheshin po, por në dy dimensjone të ndryshme. Si vrrjagat e bardha që lenin avjonët në kryqezim, të cilët të kundruar nga toka, duken sikur puthiten, por në të vërtetë kanë fluturuar, fluturojnë në kuota të ndryshme.
“Zoteri. Kjo që po bëni ju, është e tmerrshme. Ky është një krim historik!”ulëriti i indinjuar prof. Epidamn Gripshi. “Ju me këto dekrete po dëmtoni kujtesën e këtij qyteti. Kjo tokë, poshtë bart historinë tënde, timen, tonën! Ne kur ecim shkelim mbi legjenda!”
Ai rrinte ulur. Ishte i gjatë, i bëshëm, me atë shprehjen prej kapadaiu anadollak që kish ardhur fill nga stërgjyshërit e tij mesjetarë. Komandantë sarajesh, mustaqezinj me kobure në brez. Kishte mjekërr të bardhë, flokë të rënë të prerë shkurt dhe ishte mishtor. Gjigand, i patundur, rrinte ulur përtej tavolinës me flamurin e qytetit prapa dhe i tha me zërin e tij kumbues. “Prishim të vjetrën për ti lënë vend të resë!Apo jo. Ju jeni njeri i emancipuar. E dini si ecet përpara.!
“Ju po dëmtoni të shkuarën. Aty ndoshta Marco Tullio Ciceroni u jepte leksjone epikuree, dishepujve korintas. Nuk e prisja nga ju. Ju jeni dhe artist për vete. Ju e çmoni kulturën!”
“Ndëgjo këtu profesor!”, tha ai me sytë e rreptë, serjoz, dhe me zërin kumbues: “Na ofrohen miljona lekë për atë projekt. Me ato para, mund të mirëmbajmë rrugët e qytetit, mund të ndërhyjmë tek ujsjellesi dhe mund të ndihmojmë të varfërit. Vlen me shumë se ato dy gurë 2000 vjeçar që ju gjeni atje poshtë. Me çfar do eci përpara unë, me artikujt e tu shkencor, me ligjëratat e katedrave universitare apo me miljona eurat që më ofrojnë privatët! Ato më duhen.” Pak më tutje rrinin në kembë dy figura. Nuk kuptohej nëse ishin statuja apo njerëz të cilët rrinin pranë dritareve të mëdha në heshtje. Përtej xhamave të mëdhenj, era e marrë e vjeshtës përplaste gjithkund gjethe të verdha, degë pemësh të thyera, dhe një rreze e papritur dielli në perendim, po depërtonte rrëmujën e zezë të reve plot ujë. “Po këto kush janë? Investitorët? Financuesit e tu?!” pyeti arkeologu.
“Ky është pushteti!” tha dhe tregoi me gisht njërin. “Kyrse ky tjetri është paraja!” shtoi pastaj i qetë dhe duke e parë në kokërr të syut. “Ti e din se pa keto dy forca, nuk ecet përpara. “Filozofitë e tua vlejnë, por vijnë më pas. Filozofitë e tua janë privilegj i njerëzve pa halle. Por këtu njerëzia ka halle. Dhe hallet zgjidhen falë këtyre dy bosave këtu!”
“Kjo s ka lidhje fare me betonin që ju doni të hidhni mbi historinë e nëndheshme!”
“Ore ti! Gjithkund ku të gërrmosh këtu, do të dalë në sipërfaqje diçka e vjetër. Po unë çfar të bëj?Do ta çoj përpara apo jo këtë qytet?!”
“Une e di që forca dhe pushteti është nga ana jote, por mos harro se nuk ka pasur kurrë të ardhme pa të shkuar. Gjithmonë, pra mund të ndërtohet mirë e ardhmja vetëm duke respektuar të kaluarën!” tha arkeologu dhe dekretin e zhubrosur e la mbi tavolinën e pushtetit, pastaj nuk u kuptua se si, por u gjënd jasht si me magji.
Përtej dritareve të mëdha era gri e vjeshtës, plot ujë, akoma përplaste kurorat e pemëve me vrull dhe gjithkund gjethe të verdha plepash dhe bliresh binin si fletë kalendarësh epik. Ndoshta çdo fletë shkruante një ditë njerzore në rrafshin kohor, ndoshta gjithçkaja ishte përqëndruar në një pikë. Kryebashkiaku vazhdonte të firmosë ordinanza në pritje të orës së mbylljes. Pinte nga një gllënkë çaj të ngrohtë që e merrte nga termusi afër dhe sistematikisht rregullonte kollaren e kuqe, poshtë kostumit blu, Armani. Atej poshtë, akoma banorët e epidamnit zbrisnin entuzjast nga shkallët e mermerit të amfiteatrit ndërtuar nga Traiano. Ishin argëtuar, dhe tani, me qetësi, duke ndërthurur gjuhë të ndryshme, ilirishten, gjuhën greke, latinishten, dalmatishten, dardanishten, apo albanishten, flisnin kuturu, tek ecnin me veshjet e tyre vjeshtore. Akoma nuk kishte filluar stuhia dhe nga arena, po tërhiqnin zvarrë gladiatoret e vdekur, të cilët gjatë përleshjes ishin shqyer nga bishat afrikane. Luanë dhe tigra, me të cilët njerëzit, siç ndodh gati gjithmonë në natyrë, kishin luftuar dhe humbur.
Artur Spanjolli
Komentet