Deklaratat e prokurorëve të Barit dhe investigimet e “La Repubblica” sinjalizojnë se paratë e mafias shqiptare po rikthehen në Shqipëri përmes pastrimit dhe investimeve strategjike, duke hapur një front të ri alarmi politik dhe penal…
Ceremonia e bujshme që u zhvillua në Tiranë nga Direzione Investigativa Antimafia e Barit dhe SPAK nuk dukej të ishte thjesht shpallja e mbylljes së hetimeve ndaj një grupi të rëndësishëm kriminal.
Prokuroria Antimafia, qoftë e Barit apo e rajoneve të tjera në Itali, ka zhvilluar prej vitesh, së bashku me SPAK-un, hetime edhe më të bujshme sesa ai ndaj Ilir Kamberit dhe grupit të tij.
Në rastet e tjera ka pasur zakonisht njoftime për shtyp ose videokonferenca, të shoqëruara më pas me jehonë mediatike.
Ndërsa kësaj here, grupi i prokurorëve antimafia, të cilët theksuan se veprojnë edhe në koordinim me Eurojustin, deklamuan me forcë se paratë e mafias shqiptare janë investuar në Shqipëri.
Deri tani ka pasur shkrime, kronika dhe dokumentarë mbi këtë fenomen, por sot kemi një qëndrim zyrtar të fortë, që nuk është gjë tjetër veçse një “minë me sahat” për qeverinë e Edi Ramas.
Roberto Rossi, prokurori i Antimafias së Barit, deklaroi qartësisht se paratë, ose shumica e tyre, që gjenerohen nga aktiviteti i mafias shqiptare kanë ardhur në Shqipëri.
“Kur them të destinuara për në Shqipëri, kam parasysh 640 mijë euro të sekuestruara këtu mbi bazën e indicieve hetimore të DIA-s, si edhe rreth 400 mijë euro të tjera të sekuestruara këtu në Itali, por gati për të kaluar Adriatikun.
Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se tregtia e lëndëve narkotike gjeneron para, gjeneron shumë para dhe vazhdon të gjenerojë shumë para.
Do të thotë gjithashtu se, nga statistikat që kemi, sepse marrim komunikime nga forcat e tjera të policies, investimet në Itali po reduktohen, sepse goditja e magjistraturës ndaj pasurive të mëdha kriminale është shumë e fortë, sidomos në këtë distrikt, falë Prokurorisë së Barit.
Por kjo do të thotë edhe se forcimi progresiv i kriminalitetit shqiptar në këtë sektor po sjell gjithashtu lëvizje të mëdha të pastrimit të parave jashtë shtetit. Është e qartë që paratë shkojnë aty ku është më e lehtë të depozitohen dhe të pastrohen.
Në Shqipëri, në këtë moment, përkrah emergjencës së trafikut të madh të narkotikëve që vijnë edhe nga vendet e Amerikës Latine, ekziston edhe alarmi për pastrimin e parave”, deklaroi Rossi.
Ndërkaq, e përditshmja italiane La Repubblica ka publikuar një investigim më të thelluar mbi investimin ekonomik të parave të narkotrafikut me bazë shqiptare.
Duke cituar hetuesit e DIA-s, La Repubblica thekson se ata “e interpretojnë këtë fenomen të dërgesave të parave cash si të lidhur me nevojën për të transferuar para në Shqipëri, ku është më e lehtë të riinvestohen”.
Sipas hetuesve italianë, mafia shqiptare karakterizohet nga një “marrëdhënie e jashtëzakonshme me teknologjinë”, e cila i lejon të menaxhojë trafikun e drogës, por edhe të riinvestojë fitimet.
I gjithë ky material nuk është gjë tjetër veçse paralajmërimi i “minës me sahat”, ose më saktë i disa minave, që mund të shpërthejnë së shpejti në mjedisin shqiptar nga hetimet e Antimafias italiane dhe SPAK-ut.
Alarmi është i madh, sepse konsiderohet se paratë e narkotrafikut nuk janë thjesht të riinvestuara në ekonominë shqiptare, por përdoren për të fuqizuar më tej organizatat kriminale, të cilat me kapitalet e fituara investojnë drejtpërdrejt në trafikun e kokainës nga Amerika Latine dhe në krijimin e rrjeteve logjistike ndërkombëtare.
Antimafia italiane e sheh krimin e organizuar shqiptar si një strukturë të fuqishme pushteti, që nuk ka vetëm fuqi ekonomike, por edhe kontroll politik në territoret ku operon, si dhe struktura logjistike, mediatike dhe teknologjike të nivelit të lartë.
Sipas autoriteteve italiane, mafia shqiptare nuk është thjesht e infiltruar në strukturat politike dhe administrative të shtetit, por në shumë raste i menaxhon ato, si pasojë e rolit dhe hapësirës që i është krijuar nga pushteti politik.
Dhe këtu, sipas këtij këndvështrimi, bëhet qartësisht fjalë për qeverinë e Edi Ramës dhe mazhorancën e tij.
Së shpejti, pritet të shpërthejnë dosje të mëdha të mafias shqiptare, të cilat, sipas shumë gjasave, mund të rezultojnë edhe më të rënda sesa dosjet e korrupsionit./Pamfleti