Flokëkuqja e estradës që po çmend publikun, çdo ditë e më shumë po arrin piedestalen në krijimtarinë e saj muzikore.
Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur Mima Kastrati, e cila këtë vit më shumë se çdo herë tjetër ka treguar reflektim në projektet e saj muzikore.
Madje këtë vit këngëtarja është mjaftë e kërkuar në tregun kosovarë dhe atë të Maqedonisë e sidomos në ahengje të ndryshme gazmore.
Si duket edhe Mima sikurse shumë kolegë të saj ka gjetur formulën për të përfituar sa më shumë nga kënga dhe janë pikërisht këto ahengje që u sjellin përfitime të mëdha këngëtarëve.
Në intervistën dhënë “Zëri”-t këngëtarja shpalos më shumë detaje për profesionin e saj të këngës dhe planet për të ardhmen.

Çfarë ka ndikuar që çdoherë e më shumë jeni duke e tërhequr publikun?
Është pikërisht zëri dhe paraqitja ime që çdo herë e më shumë po arrijë të tërheqë publikun. Mbase unë mendoj se paraqitja e denjë e një këngëtari bënë që të pëlqehet në publik.
Çfarë mendoni për fenomenin ‘kënga më shumë po shikohet se sa po dëgjohet’?
Është më se e vërtetë që kohëve të fundit kënga më shumë po shikohet se sa po dëgjohet dhe janë pikërisht vetë këngëtaret që me paraqitjen e tyre, me veshje gjysmë lakuriqe, mbase edhe me skena të vallëzimit provokues, e kanë bastarduar skenën muzikore. Janë vetë ato që kanë nxitur publikun që këngën më shumë ta shohin se sa ta dëgjojnë. Ndërkaq koncepti tjetër është edhe mënyra dhe perceptimi i publikut, se si dinë ta vlerësojnë një këngëtare.

Këtë verë keni sjellë plotë befasi për adhuruesit, cila ka qenë më e frytshme për ju?
Unë e them edhe në njërën nga këngët e mia “Vijë nga Diaspora, kurdo që më thërret Kosova”!. Që nga gjysma e muajit korrik e deri në fund të muajit gusht jam e angazhuar më shumë nëpër dasma e ahengje të ndryshme gazmore në tërë Kosovën dhe në Maqedoni. Për dallim nga vitet e tjera, këtë vit kam pasur një numër të madh të këtyre ahengjeve në Maqedoni. Jashtë këtyre angazhimeve nuk më kanë munguar edhe koncertet dhe festat kombëtare në Diasporë.
Meqë këtë vit keni qenë më shumë aktive, mbase edhe keni fituar të mira materiale, mendoni se këngën tani e shihni edhe si biznes?
Unë qysh si fëmijë e kam pasur pasion këngën, ku edhe vazhdoj ta kem akoma dhe kurrë nuk kam mundur ta largoj nga zemra. Gjithmonë kam qenë me këngën që nga bankat shkollore, në festat e shkollës, pastaj isha anëtare e shoqërisë “Josip Rela” në Podujevë, nuk mungonin mbrëmjet e ndryshme shoqërore gjatë studimeve në fakultetin e Mjekësisë. Pra me një fjalë thënë shkurt e shqip kënga është bërë pjesë e jetës sime. Sot po merret më shumë kënga me mua, ndërsa unë po e nxjerrë nga shpirti ashtu siç mundem më së miri.
Çfarë do t’na thuash për kultivimin e këngës ndër vite?
Për kultivimin e këngës sime ndër vite, me përkushtimin më të madh për adhuruesit e këngës kam promovuar gjashtë albume, ku secili nga ta përmban nga 8 deri 16 këngë. Pastaj kam realizuar një numër të madh videoklipe dhe videoincizime. Ndonëse për të gjitha këto është dashur të investohet shumë kohë dhe shumë dashuri për publikun.

Cili është synimi juaj në këngë?
Synimi im deri më sot por edhe në të ardhmen vazhdon të mbetet përshtypja e mirë tek publiku, ku çdoherë posa të kryhet koncerti apo dasma organizatori dhe të pranishmit vinë e të falënderojnë për këngët dhe atmosferën e bukur. Pra kjo është synimi im për të cilën do të mundohem të arrijë edhe më shumë. Dua të lë mbresë tek publiku për çdo paraqitje time, ngase për mua çdo eveniment dhe pikërisht dasma është e shenjtë.
Jo gjithnjë kënga të sjellë fat, mbase ka edhe zhgënjime?
Fatkeqësisht ka edhe në muzikë zhgënjime sikur në çdo lëmi tjetër. Zhgënjimi im më i madh gjatë gjithë krijimtarisë sime ka ndodhur për fat të keq para një viti me të ashtuquajturin producentin e “Odeonit” Beni Baksi, i cili fillimisht më vonoi këngën një vit dhe në fund këngën e prishi krejtësisht. Mirëpo më pas kuptova se ky far pseudo producenti Beni Baksi kishte mashtruar edhe shumë këngëtarë në këtë mënyrë, duke ua marrë të hollat dhe duke mos ua kryer punën. Zotëriu të hollat nuk t’i kthen por si dëmshpërblim të ofron të punoj përsëri një këngë dhe përsëri këngën ta prish. Kjo të bënë të qeshësh për të dytën herë.
Çfarë po bënë Mima, tani në këto ditë, ke bërë plane për pushime verore?
Ende jam e angazhuar me koncerte e ahengje të ndryshme gazmore, prandaj tani për tani nuk kam planifikuar pushimet verore. Të shohim pas gushtit se çfarë do na sjellë shtatori.
Cila është befasia e radhës për artdashësit e juaj?
Plani në të ardhmen këngë dhe vetëm këngë. Tash fillon sezoni i diasporës, meqë sezonin e kaluar kam pasur oferta të shkoj në Amerikë, të shohim çka do sjellë ky sezon vjeshtë- dimër në diasporë. Ndërkaq tani kam filluar edhe prenotimet për vitin e ardhshëm në dasma e ahengje të ndryshme gazmore. Kam në plan një këngë bashkë me videoklip që do ta sjellë me plotë befasi për adhuruesit e mi. Një përshëndetje të ngrohtë për të gjithë lexuesit e “Zëri-t”.

Komentet