Me flamuj në dorë, të veshur kuq e zi, shqiptarët në Shtutgart kanë protestuar për disa orë, ndërsa kryefjalë e fjalimeve të tyre ka qenë dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama.
GJERMANI– Shqiptarët në Shtutgart të Gjermanisë janë ngritur në protestë, duke kundërshtuar projektin në Zvërnec. Me flamuj në dorë, të veshur kuq e zi, shqiptarët në Shtutgart kanë protestuar për disa orë, ndërsa kryefjalë e fjalimeve të tyre ka qenë dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama.
“O sa mirë me qenë shqiptarë”, ” Shqipëri e re”, “Edi Rama, o tradhtar!”, “Rama ik!”, “Dorëheqje”, “Rama në burg!”, “Shqipëri e re”, ishin disa nga thirrjet e shqiptarëve në kor. Protesta nga diaspora ka pasur edhe në Milano, Firence, Londër, Oslo, Austri dhe në disa vende të SHBA-së, ku me pankarta, flamuaj dhe brohorima, shqiptarët kanë shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes.
Çfarë ndodhi në protestën e Zvërnecit?
Disa ditë më parë në fshatin Zvërnec u zhvillua një protestë kundër një projekti turistik që po ndërtohet pranë zonës së mbrojtur të lagunës së Nartës. Banorë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kundërshtuan punimet, duke pretenduar se po dëmtohet ekosistemi dhe një zonë me rëndësi të veçantë natyrore. Gjatë protestës pati përplasje mes protestuesve dhe rojeve private të kontraktuara për sigurinë e kantierit. Në pamjet e publikuara në media u panë roje private të maskuara që përdorën spraj me piper dhe dhunë fizike ndaj disa protestuesve. Një protestues u tërhoq zvarrë nga rojet, ndërsa një grua raportohet se humbi ndjenjat gjatë tensioneve. Pas reagimeve të forta publike, policia nisi hetime ndaj dy punonjësve të sigurisë private dhe njëri prej tyre u arrestua./Dosja.al