Ndryshimi i qeverisë, por sidomos i pushteteve në Shqipëri, shoqërohet rëndom me largimin e punonjësve të administratës, duke u zëvendësuar me njerëz më të devotshëm për partinë në pushtet.
Ndërkohë që ky proces aspak normal përfshin mijrëra njerëz, shumë pak prej tyre kthehen në kazuse politike dhe marrin vëmendje të lartë, deri në arenën parlamentare.
Një rast i tillë është Elda Kalaja. Zonja Kalaja ishte Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës gjatë mandateve të qeverisë “Berisha 2”, deri në fund të vitit 2013.
Pasi pushteti kaloi në dorën e koalicionit të majtë të asaj kohe, i përbërë nga Partia Socialiste e Edi Ramës dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës, nisi një proces largimi masiv i zyrtarëve të lartë që kishin punuar me qeverinë e djathtë.
Në foto: Elda Kalaja
Një ndër vendimet e para që mori Ministrja e Integrimit në atë kohë, Klajda Gjosha, ishte largimi i Elda Kalajas nga posti i saj i lartë në këtë institucion.
Shkarkimi nga detyra i zonjës Kalaja u kthye në një kazus nga Partia Demokratike në opozitë. Përgjatë të gjithë muajit shtator 2014, deputetët demokratë akuzuan qeverinë e re se e kishte shkarkuar Elda Kalajan nga detyra vetëm për arsye politike.
Situate u acarua shumë dhe opozita e shndërroi rastin e zonjës Kalaja në një shkak për të bllokuar seancat parlamentare.
Nxehtësia e debateve politike për një emër të vetëm detyroi kryeparlamentarin e asaj kohe, Ilir Meta, që të bënte një lëvizje zbutëse. Kuvendi organizoi një konkurs dhe e emëroi zonjën Elda Kalaja në pozicionin e Këshilltares në Shërbimin e Përafrimit të Legjislacionit me Bashkimin Europian.
Ndërhyrja e Metës shoi debatin politik për Elda Kalajan dhe axhenda politike e maxhorancës dhe opozitës kaloi në çështje të tjera.
Ndërkohë, zonja Kalaja qëndroi në detyrën në Parlament deri në fund të mandatit të Metës si kryeparlamentar, në vitin 2017. Ajo, më tej, pati angazhime në organizma të tjerë jashtë sektorit publik, duke pasur gjithnjë me vete “vulën e opozitares”.
Por, vitet kaluan e, bashkë me kohën, duket se Elda Kalaja kaloi edhe ylberin politik.
Në foto: Profili i Elda Kalaja në rrjetin social “LinkedIn”
Në qeverinë “Rama 4”, emri i zonjës Elda Kalaja rikthehet sërish në majën e administratës qeveritare.
Ajo tashmë është emëruar Shefe e Kabinetit të Ministres socialiste të Shëndetësisë, Evis Sala. Duket se, Elda Kaja e ka lënë pas historinë e “opozitares” dhe i është bashkuar trendit më të ri që ka përfshirë disa ish-zyrtarë të rëndësishëm në qeverisjen e demokratëve, atë të “bashkimit të forcave me pushtetin e Edi Ramës dhe qeverisë e tij”.