VOAL

VOAL

Meta takon arbëreshët: Përkujdesja juaj për të ruajtur gjuhën frymëzon çdo shqiptar

May 6, 2018

Komentet

“Mos heshtni për Shqipërinë!” – Mjekët shqiptarë në Gjermani peticion për Bundestagun: Përdorimi i gazit lotsjellës ka qenë joproporcional! Ambulancat s’duhet të përdoren për operacione policore

Një grup mjekësh dhe profesionistësh shëndetësorë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani kanë ndërmarrë një peticion drejtuar Bundestagut gjerman dhe deputetëve gjermanë në Parlamentin Evropian.

Në peticion, ata shprehen të shqetësuar për situatën në Shqipëri dhe protestat që, sipas tyre, prej më shumë se katër muajsh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera.

Ata kërkojnë një qëndrim publik në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore, si dhe një hetim të pavarur e transparent mbi pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia.

“Organizata të të drejtave të njeriut kanë raportuar përdorim joproporcional të forcës nga policia dhe hedhje gazi lotsjellës pa paralajmërim. Edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë ka kërkuar hetim të shpejtë të këtyre pretendimeve.”, thuhet në reagim.

Një pjesë e veçantë e peticionit i kushtohet edhe raportimeve për përdorimin e automjeteve që perceptohen si ambulanca në mbështetje të veprimeve policore. Mjekët kërkojnë garanci për kujdes mjekësor të paanshëm ndaj të gjithë të lënduarve, si dhe mbrojtje për personelin mjekësor dhe gazetarët.

“Si mjekë, e dimë se çfarë dëmtimesh shkakton gazi lotsjellës, sidomos te fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Ambulancat dhe personeli mjekësor duhet të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve, kurrë si pjesë e operacioneve policore.”, thuhet më tej.

Ata i bëjnë thirrje deputetëve gjermanë që çështja të përfshihet në axhendën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në lidhje me shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore. Peticioni apelon që të përdoren mjetet diplomatike në dispozicion për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

LETRA E PLOTE:

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Ne, mjekë dhe profesionistë shëndetësorë shqiptarë që jetojmë dhe punojmë në Gjermani, po ndjekim me shqetësim të madh situatën në Shqipëri. Deri kur do të heshtë Evropa, ndërkohë që qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar në mënyrë paqësore të drejtat e tyre demokratike?

Prej më shumë se katër muajsh, mijëra qytetarë, mes tyre shumë studentë dhe të rinj, protestojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera. Organizata të të drejtave të njeriut kanë raportuar përdorim joproporcional të forcës nga policia dhe hedhje gazi lotsjellës pa paralajmërim. Edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë ka kërkuar hetim të shpejtë të këtyre pretendimeve. Veçanërisht shqetësuese janë raportimet për automjete që perceptohen si ambulanca, të cilat duket se janë përdorur në mbështetje të veprimeve policore.

Si mjekë, e dimë se çfarë dëmtimesh shkakton gazi lotsjellës, sidomos te fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Ambulancat dhe personeli mjekësor duhet të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve, kurrë si pjesë e operacioneve policore.

Për këtë arsye, ju kërkojmë:

  1. Të mbani një qëndrim publik në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore në Shqipëri.
  2. T’u kërkoni autoriteteve shqiptare një hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin joproporcional të forcës dhe për rastet që përfshijnë automjete mjekësore.
  3. Të kërkoni garanci për kujdes mjekësor të paanshëm ndaj të gjithë të lënduarve dhe mbrojtje për personelin mjekësor dhe gazetarët.
  4. Ta vendosni këtë çështje në axhendën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht te kapitujt për shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore.
  5. Të përdorni të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm.

Shumë prej nesh janë shtetas gjermanë dhe kontribuojnë çdo ditë në sistemin shëndetësor të Gjermanisë. Prindërit, vëllezërit, motrat dhe të afërmit tanë jetojnë në Shqipëri. Ajo që ndodh atje nuk është për ne një çështje e largët politike, por prek drejtpërdrejt familjet tona.

Evropa nuk mund ta mbrojë demokracinë vetëm përmes fjalimeve solemne. Vlerat evropiane nuk duhet të ndalen në kufijtë e Bashkimit Evropian. Shqipëria ka nevojë për një Evropë që sheh, dëgjon dhe kërkon përgjegjësi. Jo dikur, por tani.

Me konsideratë të lartë,

Mjekët dhe profesionistët shëndetësorë shqiptarë në Gjermani

Panorama

Veprimtari që la gjurmë në komunitetin shqiptar!- Nga Florim Zeqa

 

Në pasditën e së dielës së 11 tetorit në Conegliano (Treviso-Itali), nën patronatin e Familjes Musaj u mbajt Akademi Përkujtimore për veprimtarin e madh të çështjes kombëtare, Arif Musaj.

 

Ndjenja të thella pikëllimi dhe krenarie kombëtare

 

Takmin e hapi moderatorja Etleva Petriti, e cila i përshendeti të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, për ta ftuar më pas për një fjalë përshendetëse bashkëshorten e Arifit, zonjen Fatmira Hysenaj-Musa, e cila, edhe pse me zemër të thyer për mungesën e bashkëshortit dhe bashkëveprimtarit, e gjeti forcën e shpirtit për të kujtuar disa nga momentet më të veçanta që kishte për Arifin gjatë jetës dhe veprimtarisë së përbashkët atdhetare.

Më pas, moderatorja për një fjalë rasti në emër të familjes Musaj, e ftoj mbesën e Arifit (vajzën e motrës) Arta Ramaj, e cila përmes emocionesh të mëdha na përloti të gjithëve për jetën plot mynzyra dhe vështirësi të Arifit, por asnjëherë të dorëzuar në përballje me sfidat e kohës.

Me fjalë rasti prezantuan edhe shokë dhe miq të Arifit, si: Mardena Kelmendi (poete dhe veprimtare nga Trieste), Artan Shyti nga shoqata “Albabel” (Belluno), Ndriçim Kërçuku kryetar i shoqatës “Krenaria Shqiptare” (Azzano Decimo), Eduard Jakaj nga shoqata “Zeri i Atdheut” (Montebelluna), z. Ervin Ramaliu (veprimtar i shquar dhe Këshilltar Komunal në Azzano Decimo), Hida Musaj (përfaqësuese e shoqatës së gruas “Kuq e Zi “ së bashku me bashkëshortin Agim Musaj), këngetarët Sevdat Bullatovci dhe Ali Kurti, z. Niko Veselaj, zonjat Madjana Nuredini, Valbona Nikollaj, Elona Zefi Prela (shoqata “Emigrantët pa Kufij” nga Padova), Muamer Murtezani (bashkëveprimtar i Arifit) dhe Florim Zeqa (gazetarë dhe publicist) i cili përmes emocioneve të mëdha i evokoj disa nga momentet e veprimtarisë së përbashkët me Arifin, ndërsa më pas i dhuroj librin e fundit “MËRGATA SHPIRTI I ATDHEUT” zonjes Fatmira Hysenaj-Musaj në shenjë kujtimi dhe respekti për bashkëveprimtarin e tij.

Vlenë për t’i theksuar disa nga momentet tejët emocionuese të kësaj akademie përkujtimore: videoinçizimi me përmbledhje fotografike të aktiviteteve të Arifit ndër vite dhe dekada në mërgatë si dhe pjesa e rritës, edukimit dhe punës në vendlindje (Bajram Curr-Shqipëri).

Emocionues ishte edhe video-inçizimi me vargjet e Arif Musajt kushtuar Nënës së tij, interpretuar nga Lumturie Plaku, mike e familjes Musaj.

Po ashtu, emocione të veçanta na dhuroj paraqitja në skenë e grupit të valleve “Arif Musaj”, përkatësisht e vajzave të grupit: Anesa Villaku nga Drenica dhe Eleonora Madani nga Tropoja, të cilat përmes lotësh evokuan kujtimet nga hapat e parë të vallezimit që kishin mësuar nga Arif Musaj.

 

Se vërtetë ka lënë gjurmë të pashlyrea veprimtari, poeti dhe koreografi Arif Musaj, u dëshmua gjatë paraqitjes së oratorëve, të cilët e patën të pamundur që t’iu ikin emocioneve gjatë fjalimeve plot ndjenja, respekt dhe dashuri për të madhin Arif Musaj.

 

Në këtë Akademi Përkujtimore ishin prezent një numër i madh i bashkatdhetarëve, të ardhur nga e gjithë pjesa veriore e Italisë dhe Austria!

Në veçanti vlen për të cekur prezencën e të gjithë prindërëve të fëmijëve të Grupit Artistik “Arif Musaj”. Kur jemi në këtë segment, vlen për të permendur kontributin e çmuar të nënave të fëmijëve në organizim.

 

 

 

Nga pjesëmarrësit vlen për të permendur: Veli Sinani, Valon Halabaku, Rajmonda Deda, Arjana Danaj, Adrian Resuli, Gerta Ramaliu (bashkëshortja e Ervinit), Mumin Brezaliu, Feriz Hysenaj (vëllau i Fatmira Hysenaj-Musa), Rita Dunga, Teuta Halimi-Halabaku, çifti nga Padova, Roland dhe Fiqirete Resuli e shumë të tjerë, vargu i të cilëve është i gjatë dhe i pambarim!

Kërkojë ndjesë, nëse dikush ka mbetur i papërfshirë në tekst! Por, gjithsesi blici i aparatit është më besnik sesa fjalët, i cili i përmbledhë të gjithë në një vend!

Pjesëmarrës në këtë Akademi Përkujtimore ishin dy familjet emblematike, Musaj dhe Hysenaj me nipa dhe mbesa, të cilat treguan mirënjohje dhe respekt për të gjithë që ishin prezent në këtë ngjarje, për të cilët kishin përgatitur edhe një koktej me pije freskuese dhe ushqime tradicionale shqiptare.

Në fund, ia vlen për ta përgëzuar z. Etleva Petri (aktiviste e shoqatës “Tingujt e Zemrës” në Treviso) për moderimin e shkëlqyer të kësaj Akademie përkujtimore.

 

 

 

Fjala e autorit:

 

 

Në 1 vjetorin e shkuarjes në amshim të mikut, Arif Musaj

 

 

E nderuara motermira Fatmira bashkë me çunat tuaj të mrekullueshëm Elvi dhe Enrico, familje e respektuar Musaj, miq dhe shokë të Arifit që jeni prezent në këtë ngjarje përkujtimore!

 

Ky është një moment kujtese dhe mallengjimi, por edhe një moment dhimbje dhe krenarie kombëtare!

 

Ikja nga kjo botë e njerëzve të mëdhenj edhe pse e lë një boshllëk të madh dhe të pakompensueshëm, nuk është fjala e tyre e fundit!

 

Nga ai moment fillon epoka e përjetësisë në mendjet dhe zemrat e më të dashurve të tij, duke filluar nga bashkëshortja Fatmira dhe çunat Elvio dhe Enrico, vëllëzerit Maxhuni, Tahiri dhe Hamdiu, motrat Rushja dhe Zoja, nipat dhe mbesat e deri tek farefisi i gjerë dhe miqtë e shumtë që ishin prezent në këtë tubim përkujtimor!

 

Arifi ishte fjalë e pak, i urtë dhe vlerëmadh në aktivitetet e mërgatës sonë! Ishte i dashur dhe i harreshëm, i cili çdo herë rrezatonte shpresë dhe unitet në mesin e mërgimtarëve.

 

Arifi ishte i veçantë nga të tjerët, reflektonte dashuri dhe respekt për njerëzit, në veçanti për bashkëpunëtorët e tij!

 

Arifi asnjëherë nuk ka lënduar njeri, ai ishte shumë i afërt i dhe komunikues me të gjithë pavarësisht situatave nganjëherë të pakëndshme që krijoheshin mes nesh, siq ishte rasti i disa shpirtëzinjve dhe qyqarëve që u munduan të pengojnë aktivitetin tim publicistik dhe atdhetar në shërmbim të kombit dhe bashkatdhetarëve!

 

Ishte miku im Arifi i pari, por jo i vetmi që i kundështoj shpirtëligët dhe qyqarët, që u rreshtua krahë meje me tërë qenjen e tij fizike dhe shpirtërore siq e mbron miku-mikun në momentet e vështira, duke qëndruar vertikalisht dhe i pathyeshëm në qëndrimet burrërore dhe atdhetare!

 

Ne shokët e Arifit, sadoqë mundohemi ta përjetësojmë veprimtarinë e tij, atë më së miri e bëri dhe po e bën me kurajo dhe vendosmëri bashkudhëtarja dhe bashkëveprimtarja e tij besnike, zonja Fatmira Hysenaj-Musaj, me aktivizimin dhe emërtimin e Grupit të Valleve nga “Bajram Curri në “Arif Musaj”!

Djemve të Arifit dua t’ua lë këtë porosi: “Zoti ua ka lënë Nanën, ta keni me jetë të gjatë, ta respektoni dhe ta duani pafundësisht, ngase, përderisa ta keni Nënën, edhe prezenca e Arifit do të mbetët përherë e gjallë në rrugëtimin e juaj jetësorë.

 

Ju djemtë e Arifit duhet të ndjeheni krenarë me veprimtarinë e prindërve tuaj atdhetarë!

 

Të ndjeheni krenar me babain tuaj, i cili në radhë të parë ishte njeri i mirë dhe i sinqertë, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë bashkatdhetarët.

 

Arifi do të mbetët sinonim atdhedashurie dhe udhërrëfyes për brezat e rinj se si duhet punuar për atdhe dhe çështje kombëtare pa kërkuar asgjë në këmbim, duke prezantuar me dinjitet vlerat tona kulturore në organizimet e mërgatës shqiptare jo vetëm në lokalitetin tonë, por gjithandej shtetit italian dhe përtej në shtetet evro-perëndimore.

 

Pra, Arif Musaj do të mbetet një personalitet i veçantë dhe i papërsertshëm i mërgatës sonë!

 

Arifi ashtu siq ishte në tokë, u ngrit Shqiponjë në lartësitë qiellore për të ndriçuar madhështinë e një familje bujare dhe atdhetare siq është Familja Musaj!

 

Krenarë që e kisha Arifin bashkëpunëtorë dhe mik të sinqertë!

 

Arifi u prehtë i qetë në mirësinë e Parajses ashtu siq ishte shpirti i tij për Ju dhe për Ne bashkëveprimtarët në këtë botë!

 

Lavdi jetës dhe punës vlerëmadhe të Arif Musajt!

 

Të jetoni gjatë me kujtimet dhe krenarinë e përhershme për më të dashurin tuaj, Arif Musaj!

 

 

Florim Zeqa, 13.10.2026

Rroftë përjetë Dardania!- Nga Emine S. HOTI Norvegji

 

Dardania jonë e dashur,

vend i shenjtë i lirisë,

e bukur dhe krenare,

xhevahir i historisë.

 

Jeta ecën dhe nuk ndalet,

mijëra vjet në këtë tokë,

me dëshmorë dhe heronj,

vaditur me gjak dhe lot.

 

Dardania fitoi lirinë,

i gjithë populli luftëtarë,

atdheu është më i shtrenjti,

liria, fjala e parë.

 

Pas betejave për liri,

erdhi puna për zhvillim,

punojnë edhe drejtojnë,

burra, gra me përkushtim.

 

Çojnë përpara amanetet,

edhe gratë presidente,

me zemra të zjarrta,

trimëresha në kuvende.

 

Justina e sapo zgjedhur,

presidente e Dardanisë,

simbol i bashkimit,

shqiponjë e lirisë.

 

Të udhëheq si dijetare,

me guxim e përkushtim,

Dardania të ecë përpara,

të ndrit atdheu im!

 

Unë një bijë mërgimtare,

e uroj nga Norvegjia:

Punë të mbarë presidente!

Rroftë përjetë, Dardania!

SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË “PAPA KLEMENTI XI ALBANI” – SUEDI URON PRESIDENTEN E SAPOZGJEDHUR

SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË
“PAPA KLEMENTI XI ALBANI” – SUEDI

Suedi / Förslöv, 8 tetor 2026

Për:              E nderuara znj. Justina Pula Shiroka
Presidente e Republikës së Kosovës

LËNDA: URIM ME RASTIN E ZGJEDHJES SUAJ NË DETYRËN E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

E nderuara Presidente, znj. Justina Pula Shiroka,

Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” – Suedi, si dhe në emrin tim personal, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes suaj në detyrën e lartë të Presidentes së Republikës së Kosovës. Kjo detyrë e lartë shtetërore përbën një përgjegjësi të veçantë dhe një mision të rëndësishëm në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve të saj dhe të perspektivës euroatlantike të vendit.

Jemi të bindur se, me përkushtim, urtësi, integritet dhe përgjegjësi institucionale, do ta ushtroni këtë detyrë në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës, zhvillimit dhe përparimit të Republikës së Kosovës, si dhe të thellimit të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe institucioneve euroatlantike, veçanërisht në rrugën drejt NATO-s, Bashkimit Evropian dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Shoqata jonë, e cila prej vitesh vepron në shërbim të kulturës, letërsisë, artit, gjuhës dhe identitetit shqiptar në mërgatë, do të vazhdojë të jetë një zë i angazhimit kulturor dhe qytetar të mërgatës shqiptare në Suedi.

Në këtë frymë, ju sigurojmë se do të keni mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë institucional në çdo nismë që synon promovimin e vlerave të Republikës së Kosovës, të kulturës shqiptare dhe të arritjeve të saj në arenën ndërkombëtare. Përmes veprimtarisë sonë botuese dhe kulturore, do të vazhdojmë të evidentojmë dhe të përcjellim me përgjegjësi historike e kulturore sukseset dhe të arriturat e Republikës së Kosovës gjatë mandatit tuaj.

Duke ju uruar shëndet, suksese dhe mbarësi në ushtrimin e kësaj detyre të lartë shtetërore, ju dëshirojmë një mandat të suksesshëm, në shërbim të paqes, demokracisë, zhvillimit dhe forcimit të Republikës së Kosovës.

 

Me respekt dhe konsideratë të veçantë,

Në emër të Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë
“Papa Klementi XI Albani” – Suedi

Hysen Ibrahimi
Kryetar

“Shqipëria në BE pa Edi Ramën” Diaspora protestë në Bruksel, para zyrave të KE: SHISH, KAYO dhe AKSHI – skandalet e vërteta

Shqiptarët e Diasporës mbajtën sot më 3 tetor një protestë në orën 16:00, përpara Komisionit Evropian në Bruksel, me thirrjen “Shqipëria në BE pa Edi Ramën”.

Protesta synon të përcjellë në institucionet evropiane kundërshtimet e organizatorëve ndaj qeverisë shqiptare, ndërsa një prej kërkesave kryesore të tyre është dorëheqja e pakushtëzuar e kryeministrit Edi Rama.

Përmes protestës në kryeqendrën evropiane, Diaspora synon që këto kërkesa të dëgjohen edhe pranë institucioneve të Bashkimit Evropian. Për të folur mbi tubimin, aktivistja e protestave në Milano ka udhëtuar sot drejt Brukselit, ndërsa në një lidhje për News24 ajo tregoi detaje nga tubimi i sotëm.

Suela Medini, aktiviste: Diaspora ka marrë vendimin që do të vazhdojë me protesta dhe nuk do ndalet. Diaspora ka thënë se e do Shqipërinë pa kryeministrin Edi Rama, të cilin e shikojnë si personin që ka sjellë keqqeverisje dhe korrupsion galopant në vend.

Edhe skandalet e fundit shikohen më tepër si heqje vëmendje ndaj skandaleve të vërteta si tek SHISH, tek AKSHI, tek KAYO etj. Ne duam që Komisioni Europian të anulojë ligjin e vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura dhe të kërkojë largimin e kryeministrit Edi Rama.

E gjithë diaspora është në këmbë që të vijë në Tiranë dhe synimi është një, që kryeministri të japë dorëheqjen. Ne do jemi në shesh deri në rrëzimin e një qeverie antikombëtare, që populli shqiptar nuk i meriton më.

Pa diplomë, por me vizion miliardësh- Kush është emigranti shqiptar që po sfidon gjigantët e Inteligjencës Artificiale

Startup-i milanez Domyn ka siguruar 1,1 miliardë dollarë për të ndërtuar superkompjuterin “Colosseum” – dhe pas kësaj qëndron një burrë me një histori të pazakontë: Uljan Sharka, një refugjat nga Shqipëria që u largua për në Itali i vetëm në moshë të re dhe, pa diplomë universitare, arriti të ndërtojë një kompani të Inteligjencës Artificiale (IA) me vlerë disa miliardë dollarë.

 

Nëntë të dhjetat e fondeve të mbledhura janë kapital borxhi – një praktikë standarde mes rivalëve amerikanë, por e rrallë në Evropë. Fondet nuk do të shkojnë për studiuesit, por për pajisje harduerike: superkompjuterin “Colosseum” në Italinë jugore, të cilin Domyn po e ndërton së bashku me Nvidia-n dhe grupin teknologjik të Abu Dabit, G42.

Qendra e të dhënave do të funksionojë me rreth gjashtë mijë çipa dhe do të jetë në gjendje të trajnojë modele gjuhësore me më shumë se një trilion parametra. Ndryshe nga shumë konkurrentë, Domyn nuk e merr me qira fuqinë kompjuterike – ajo e zotëron atë plotësisht.

Momenti i zgjedhur nuk është i rastësishëm. Në shkurt, Komisioni Evropian shpalli nismën “Frontier AI Grand Challenge”, duke kërkuar një kompani që do të merrte mandatin për të ndërtuar një model gjuhësor evropian të nivelit botëror.

Në qershor u gjet fituesi: konsorciumi EUROPA, të cilin Domyn e udhëheq së bashku me institutet gjermane Fraunhofer. Sipas Komisioneres së BE-së për Sovranitetin Teknologjik, Henna Virkkunen, “Evropa mund ta përcaktojë vetë drejtimin në fushën e IA-së së avancuar (frontier AI).”

Shpërblimi i Domyn-it nuk do të jetë para, por kohë kompjuterike – deri në 2,5% të kapacitetit të rrjetit evropian të superkompjuterëve EuroHPC për një vit të plotë. Modeli që po zhvillohet pritet të ketë më shumë se 400 miliardë parametra, të mbështesë të gjitha 24 gjuhët zyrtare të BE-së dhe të publikohet nën një licencë të hapur.

Nevoja urgjente për një pavarësi të tillë është theksuar nga ngjarjet e muajve të fundit: SHBA-ja ka kufizuar qasjen e të huajve në modelet më të avancuara të Anthropic dhe OpenAI, ndërsa disa vende, përfshirë Republikën Çeke, kanë ndaluar përdorimin e “DeepSeek” të Kinës në institucionet qeveritare.

Vetë Sharka ka premtuar se modeli do të shfaqet brenda një viti, do të trajnohet nga e para dhe – çka është thelbësore – do të mund të përdoret lirisht në serverët e vetë kompanive.

Është një pretendim i guximshëm, por Sharka ka dëshmuar më shumë se një herë se nuk ka frikë të marrë përsipër rreziqe. Ai ka lindur në Shqipëri dhe, si adoleshent në vitet ’90 – kohë kur vendi po përjetonte varfëri dhe trazira – u largua i vetëm drejt Italisë.

Ai kishte pasur gjithmonë pasion kompjuterët që në fëmijëri dhe e mësoi italishten ndërsa punonte në fushën e teknologjisë së informacionit (IT). Nuk mori kurrë një diplomë universitare dhe mungesa e saj për pak sa nuk i mbylli pikërisht dyert që ai dëshironte më së shumti t’i hapte.

Kur Apple prezantoi iPhone-in e parë, Sharka vendosi se donte të punonte për gjigantin kalifornian. Ndonëse pa diplomë universitare, ai përfundoi programin e certifikimit të kompanisë – dhe ia doli mbanë: nga viti 2012 deri në 2015, ai arriti të shkonte në Silicon Valley dhe të punonte si zhvillues e konsulent pikërisht në selinë qendrore të Apple.

Ishte në Amerikë që ai vuri re një mangësi: softuerët e korporatave ishin tejet të rëndomtë dhe të vështirë në përdorim krahasuar me teknologjinë e destinuar për konsumatorët.

Në vitin 2016, Sharka u kthye në Milano dhe themeloi kompaninë iGenius. Produkti i saj i parë, Crystal, u mundësonte njerëzve pa njohuri teknike të bënin pyetje mbi të dhënat e korporatës duke përdorur gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme.

Ajo ide u shndërrua në një koncept më të gjerë: bankat, kompanitë e sigurimeve, sektori i energjisë dhe industria e mbrojtjes nuk duan ta marrin me qira inteligjencën artificiale – ato duan ta zotërojnë atë. Kështu, së bashku me kolegët, Sharka filloi të zhvillonte sisteme të inteligjencës artificiale që mund të funksiononin drejtpërdrejt në serverët e vetë klientëve, veçanërisht në industri të rregulluara rreptësisht.

Në vitin 2024, iGenius u bë një “einhorn” (unicorn) – një kompani me vlerë mbi një miliard dollarë. Qershorin e kaluar, ajo u riemërtua Domyn. Ende dihet pak për raundin e ri të financimit të kompanisë; informacioni u bë i ditur vetëm nga portali i specializuar Sifted. Më herët ishte konfirmuar se vlera e Domyn kishte kaluar tashmë dy miliardë dollarët, e ndihmuar edhe nga blerja e një startup-i tjetër italian, Oròbix.

Që ambiciet e Sharkës të mos mbeten thjesht fjalë në letër, i gjithë kontinenti ka nevojë që ato të realizohen: skena evropiane e inteligjencës artificiale ende mbetet prapa asaj të SHBA-së dhe Kinës. gsh

Shqiptarët e Diasporës nesër në protestë para Komisionit Europian, aktivistja: Mesazhi i qartë, “Shqipëria në BE pa Edi Ramën”

Me 3 tetor në orën 16:00 shqiptarët e Diasporës kanë njoftuar protestë në Bruksel përpara Komisionit Europian.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj theksoi se shqiptarët e Diasporës do të japin një mesazh të qartë se shqiptarët duan Shqipërinë në BE, por pa Edi Ramën.

“Nesër më 3 tetor në orën 16:00 shqiptarët e diasporës nga të gjitha qytetet europoane do të mblidhen në Bruksel përpara Komisionit Europian sepse institucionet e BE meritojnë të dëgjojnë edhe një version tjetër përveç versionit të Edi Ramës dhe Ursula von der Leyen. Ne jemi këtu dhe shqiptarët e Diasporës në Bruksel. Ne themi “Shqipëria në BE pa Edi Ramën”, tha aktivistja Sidorela Vatnikaj.

KARAFILAT QË PËRQAFOJNË “KARIATIDET ”… Kujtime DR. EDUARD A. SKUFI

ATHINE

 

Ka udhëtime që nisin shumë kohë përpara, qysh në fëmijëri. Ato lindin, si pa kuptuar në imagjinatën tonë. Fillojne si ëndrra, nga një përrallë e treguar, në një imazh që mbetet diku thellë në kujtesë dhe pret vite të tëra, e si përçudi një ditë bëhet e vërtetë… Për nënën time, Akropoli dhe Kariatidet kishin qenë, pjesë e asaj ëndrre. Që nga fëmijëria, në imagjinatën e saj, ai ishte një vend i largët e i magjishëm, ku gurët dukej sikur ruanin histori njerëzore dhe ku zonjat prej mermeri, Kariatidet qëndronin të heshtura, aq madhështore,si personazhe të një përralle të lashtë, të treguar nga i ati… Ajo një fëmijë rreth pesë vjeç, që priste darkën, teksa dritëhija e oxhakut vallëzonte mbi fytyrën e saj dhe në prehrin e babait, të dëgjonte ndonjë përrallë të bukur. Ato “përralla”, ishin ndryshe nga të tjerat, sepse ishin dritare drejt një madhështie mistike, që i pasuronte shpirtin e brishtë, e ngadalë ktheheshin në dije, e në urtësi të heshtur. “E lamë tek Akropoli, mandej me zërin melankolik, vazhdoi në greqisht, “Kariatidha thea mu, omorfia mu, zografia mu”( kariatida zota ime, bukuria ime, piktura ime), ky është dhe titulli i mitit, filloi të tregonte babai, me zërin e tij të qetë,“ aty pranë tij është tempulli Erektion. Ku gjashtë gra të gdhendura në mermer, që mbi kokë mbajnë peshën e tij.

 

Kariatidet Dhe e rrëmbyera në Londër

 

Janë Kariatidet, “gratë-shtylla”, që zëvendësuan kollonat Jonike, heroinat e heshtura të Athinës. Thuhet se vinin nga Sparta dhe se, si një formë ndëshkimi, u murosën në gur, duke u shndërruar në një dedikim të përjetshëm për Athinan dhe Poseidonin. Por koha, në vend që t’i harronte, i bëri të pavdekshme. Për gati tre mijë vjet, ato kanë qëndruar aty, të palëkundura nën qiellin e Athinës, si një simbol i forcës, i triumfit dhe i bukurisë që nuk njeh moshë. Bukuria e tyre nuk mbeti vetëm në mermer; ajo u kthye në admirim, në art, në kujtesë. Kariatidet dëshmuan se figura e gruas në botën helene nuk ishte thjesht një zbukurim, por një mishërim i fuqisë, hijeshisë dhe madhështisë. Por, një natë të errët dimri, shekujt e qetësisë u thyen. Një skocez, jo aq fisnik, Lordi Elgin, quhej, vjedhurazi shkuli një prej tyre, nga vendi ku kishte qëndruar për shekuj. E rrëmbeu nga Akropoli dhe e çoi larg, në Londër, ku sot qëndron në Muzeun Britanik, larg motrave të saj. Dhe kështu, nga gjashtë, mbetën vetëm pesë… Pesë gra prej mermeri që ende mbajnë mbi supe peshën e tempullit, por edhe peshën e një mungese, që koha nuk ka mundur ta harrojë. Gojëdhëna thotë se, që prej asaj dite, Kariatidet e mbetura, ndryshuan shprehjen e fytyrës. Sikur dhimbja për motrën e larguar, të kishte gdhendur mbi mermer një trishtim të ri, një dhimbje që nuk u tret me shekujt, por mbeti e ngrirë në sytë e tyre. Dhe ndoshta, kur i sheh sot, nuk sheh vetëm pesë gra prej guri. Sheh pesë motra që vazhdojnë të presin, të heshtura, krenare, të pathyeshme…duke mbajtur mbi kokë jo vetëm tempullin, por edhe kujtimin e dhimbshëm, të asaj që iu mor përgjithmonë!” Unë e shikoja e mahnitur, tregonte mamaja, kur papritmas e pyeta, -Baba, këtu, gratë që shkojnë në Kavalonë për të mbushur ujë, mezi mbajnë mbi kokë, një shtamë të vogël. Po Kariatidet, si mund ta mbanin mbi kokë gjithë atë peshë mermeri? Pastaj, me sytë ende të ngulur mbi to, shtova me padurimin e një fëmije: -Sa qejf kam t’i shoh nga afër! Në verë, kur të shkojmë në Korfuz për pushime, a mund të shkojmë edhe në Athinë, që t’i vizitojmë? Babai më pa me admirim dhe, ndërsa më ledhatonte flokët, m’u përgjigj: -Në dashtë Zoti, do të bëhet. Por, Zoti nuk e deshi…Sepse vetëm një vit më vonë, im atë humbi papritur jetën, duke lënë pas një boshllëk, që koha nuk mundi ta mbushte kurrë. Dhe ato pak fjalë, por të mënçura, të thëna me zërin e tij të qetë, më mbetën gjatë në zemër, si një ëndërr, si një premtim i ndaluar, që koha mbase një ditë, do ta çonte drejt së vërtetës… Sapo mamaja mbërriti në Athinë, më përqafoi me gjithë mallin që kishte mbledhur në shpirt. Dhe atë dëshirë që e kishte mbajtur aq gjatë brenda vetes, më në fund ma tha…Ndërkaq, ajo uli kokën e prekur, ndërsa sytë iu mbushën me lot. Me një zë të dridhur, sikur po nxirrte nga thellësia e shpirtit një breng të ruajtur, për një jetë të tërë, vazhdoi: E kam ruajtur atë dëshirë si një ëndërr, për rreth gjashtëdhjetë e pesë vjet…E kam mbajtur gjallë diku thellë në zemër, edhe atëherë kur koha më mësoi, të mos prisja më. Por ja që tani, pas kaq shumë vitesh, koha po më dhuron surprizën më të bukur pikërisht atë, që dikur e besoja të humbur përgjithmonë. …Në mbrëmje, kur u ktheva nga klinika, i solla një manual arkeologjik mbi Kariatidet. E përqafova dhe u ula pranë saj. E vështroja gjatë, me një admirim që më vinte natyrshëm. Bukuria dhe fisnikëria e saj nuk ishin shuar; përkundrazi, dukej sikur koha, në vend që ti a fshinte, i kishte dhënë një tjetër dritë. Me atë buzëqeshje të ëmbël, që dukej se ishte bërë pjesë e qënies së saj, më ngjante si një hyjni e zbritur në tokë, diku mes engjëjve dhe perëndive. Dhe, pa e ditur as vetë pse, fillova t’i lexoja me zë manualin. “Kariatidet, ose vajzat e Karyait, një qytet i lashtë në Peloponez, vallëzonin në ekstazë, duke adhuruar perënditë dhe duke mbajtur mbi kokë shportat e shenjta, kanephora, të mbushura me objekte kushtuar hyjnive. Sipas legjendës, ato u dënuan me skllavëri, pasi tradhtuan Athinën. Megjithatë, në kujtesën e artit helen, ato mbetën njëkohësisht simbol i bukurisë dhe i forcës.” Ndalova për një çast dhe e vështrova sërish, ajo më ndiqte me vëmendje, e emocionuar. Në faqet e manualit thuhej se kompozimi skulptural i Kariatideve i atribuohej Alkamenesit dhe arkitekturës së Erektheionit, si një dedikim hyjnive. Por ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte gjenialiteti i fshehur në detaje: gërshetat e tyre të trasha nuk ishin vetëm një dekoracion i bukurisë femëror. Ato shërbenin edhe si një përforcim strukturor, duke mbajtur peshën mbi kokë të epikranidhës dekorative, pa e ndryshuar finesën e qafës dhe elegancën e tyre. Ato nuk pozuan, por u kovertuan në kolona mermeri. Sa e jashtëzakonshme ishte kjo! Edhe në gur, gruaja nuk ishte krijuar vetëm për t’u admiruar, por dhe për të mbajtur peshën e një tempulli, pa humbur hijeshinë. Për të mbajtur mbi vete barrën e botës, pa e shformuar bukurinë. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndronte një nga të vërtetat më të bukura të artit helen: figura e gruas nuk ishte vetëm mishërim i finesës dhe bukurisë, por edhe i qëndresës, fuqisë dhe madhështisë”. E mbylla manualin me këtë frazë dhe e pashë përsëri, ajo ishte si e hipnotizuar…Mama, vazhdova. Kjo dëshmon mbi vlerën që kishte figura e femrës në artin dhe kulturën helene, duke treguar se femra zinte një vend të rëndësishëm, në idealet estetike dhe shpirtërore të grekëve të lashtë. Për një çast, nuk dija nëse po lexoja për Kariatidet, apo dhe për nënat si ajo, që fati i dënoi, dhe ato shfaqeshin, si një version i Kariatideve. Vetëm se, në vend të gurit, mbartnin mbi supe dhimbjen, humbjet dhe heshtjet e një jete të tërë, që nuk mundën ti rrëzonin. Duhej të qëndronin në këmbë, edhe kur brenda tyre gjithçka ishte duke u shembur. Por ajo nuk mund të dilte nga ato impresione,…“besoj, nesër në mëngjez do të shkojmë për ti vizituar”, më tha. Të nesërmen, në mëngjes, u nisëm familjarisht me taksi. Në shtatorin e vitit 1992, “përralla” mori udhë. Gjatë rrugës, lexoja në sytë e Mamës, dëshirën dhe padurimin për të mbërritur. Ishte një padurim i çuditshëm, i ngjashëm me atë të një fëmije, që pret të shohë për herë të parë diçka të magjishme. -Mama, i thashë, do të të tregoj diçka interesante. Kishin kaluar gati tridhjetë shekuj dhe Kariatidet vazhdonin të qëndronin aty, të paprekura nga koha, si një simbol i përjetshëm admirimi. Shumë arkitektë, ndër shekuj, ishin përpjekur t’i imitonin. Kishin projektuar ndërtesa me kolona dhe figura të ngjashme, duke kërkuar të përsërisnin atë bukuri të lashtë, por ato shembeshin. Nuk mundën ta deshifronin, atë gjeometri të harmonisë simetrike, -vazhdova. As sistemin e përpiktë të proporcioneve trupore, të mbështetur mbi modulin e “raportit të artë”. Sepse ajo që duket si bukuri e thjeshtë, në të vërtetë është një rend i fshehtë, një matematikë e heshtur, që vetëm mjeshtrit e mëdhenj, dinin ta përkthenin në harmoni, mbi mermer. Mamaja heshti për një çast, pastaj shtoi: Mrekullitë nuk përsëriten. Kur mbërritëm në Akropol, ajri dukej sikur mbante ende diçka nga fryma e lashtësisë. Gurët, kolonat, qielli i hapur mbi Athinë, gjithçka krijonte ndjesinë se koha kishte ndaluar për pak çaste. Atëherë mamaja shprehu dëshirën të blinte, një buqetë me karafila të kuq.U befasova, por nuk e pyeta menjëherë, pse. Ndoshta sepse e kuptova, se ajo buqetë nuk ishte thjesht një tufë lulesh, ishte një mënyrë për t’i dhënë formë lidhjes shpirtërore të krijuar, një ndjenje që nuk gjente dot fjalë. Një përshëndetje mirënjohjeje, për bukurinë, për kohën, për kujtesën. Dhe nga ajo “përrallë” e paharruar, që ia shndërroi ëndrrat e fëmijërisë, në dije të përjetshme, kishte mbetur edhe një dëshirë e vogël, e thjeshtë, por e parealizuar: që një ditë, pranë statujave të Kariatideve, të vendoste një buqetë me karafila të kuq…

 

Me karafilat e kuq në Akropoli

 

Dhe, për një çast, më dukej sikur karafilat do të vendoseshin jo vetëm përpara gurëve të lashtë të Akropolit, por edhe përpara vetë mrekullisë së asaj jete. Akropoli, për ne nuk ishte vetëm si event turistik apo takim me historinë, por si njerëz që po hynim për pak çaste, brenda një kujtimi, që kishte jetuar për dekada në zemrën e nënës. Nën qiellin e kaltërt të Athinës, ndriçimit të saj, mes bardhësisë së mermerit dhe reflekseve të Mesdheut, karafilat e kuq dukeshin pothuajse triumfues, aq të gjallë përballë gurit, aq njerëzorë, përballë përjetësisë. Nëna ime me karafilat në dorë, mu duk si para një rituali të shenjtë, u përkul diçka mërmëriti, dhe ndërkaq vendosi buqetën me respekt, pranë Kariatideve. Karafilat e kuq përballë përjetësisë. Mandej, pa e shkëputur vështrimin prej tyre, mbështeti dorën tek ulliri shekullor, e më tha ngadalë, thuajse në konfidencë:

 

Kariatidet dhe karafilat e mamasë

 

“Paradoks helen…Një grua që mban mbi supe peshën e një bote të tërë, e megjithatë nuk e humbet as bukurinë, as stoicizmin, as atë hijeshi të heshtur, që e bën dhimbjen të duket, si një formë e lartë force. Ato përcjellin idenë se dënimin e kthyen në fitore, vuajtjen në dinjitet dhe fatin në përjetësi”. Mua jo vetëm që më pëlqeu ajo retorikë, por veç asaj më intrigoi vazhdimin e mendimit: Por, ndoshta, aty fshihet edhe diçka më e thellë: një shprehje e dinjitetit dhe idealizmit të figurës femërore, e një gruaje që nuk pranon të mbetet vetëm viktimë e fatit, por e shndërron fatin e saj, në një trajtë të shkruar me gjuhën e shpirtit. Mbase është edhe një hap, drejt emancipimit simbolik e kulturor, një çast kur gruaja nuk paraqitet më thjesht si frymëzim, si muzë apo si tragjedi, por si vetëdije, si forcë dhe si kujtesë e gjallë e kohës. Në kohët moderne, Kariatidat interpretohen si simbol i fuqisë, dinjitetit dhe kontributit të gruas në shoqëri, si një perceptim i ri në kontekstin e emancipimit.”

 

Kjo foto e fundit me babanë, në vitet 1930, gjatë pushimeve në Korfuz, i mbeti

 

…Për momentin m’u afrua një burrë plak, Bravo, na tha, më emocionuat, nga jeni ju. Nga Shqipëria ju përgjigja unë. Ai mbeti me një pamje habije në fytyrë, shprehje ku çudia ndërthurej me admirimin e heshtur. Mesa dukej, ishte një gjest jo i vogël për të tjerët, por për nënën time ishte një përmbushje. Një ëndërr fëmijënore që, kujtesa kishte zgjedhur ta ruajë të gjallë, pas shumë vitesh, kishte gjetur më në fund, skenën ku duhej të shkëlqente. Karafilat e kuq nuk ishin thjesht lule, ishin një përshëndetje nga e tashmja, për atë ëndërr të vjetër, kurorëzim i asaj madhështie historike. Një kujtim që udhëtoi nga rrëfimet e fëmijërisë deri te gurët e lashtë të Athinës, një copëz dashurie njerëzore vendosur përballë asaj, që kishte sfiduar shekujt. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndronte bukuria e atij çasti: Kariatidet qëndronin të palëvizshme si gjithmonë, ndërsa ne kalonim përmes kohës, duke admiruar atë bukuri stoike. Kariatidet, një bukuri helene e përjetësuar në mermer; “pa lifting”, një elegancë që koha vetëm e fisnikëron. Por për disa minuta, pranë tyre, koha u ndal…Mbeti vetëm një buqetë karafilash të kuq, një nënë me ëndrrën e fëmijërisë, ku e kishte çuar zëri i të atit dhe ne dëshmitarë të një “përralle”, që më në fund ishte bërë realitet…

* * *

Por surprizat, dukej sikur ndiqnin njëra-tjetrën, si të ishin shkruar diku në enigmën e fatit…Ishim duke shëtitur me time shoqe në Ermou, pranë Monastirakit, në një ditë të bukur janari të vitit 2024. Dhe, papritur, përballë nesh u shfaq një mrekulli: një mural mbresëlënës, i shtrirë mbi fasadën e një godine klasike, sikur koha vetë të kishte lënë aty një mesazh. Ajri i ftohtë i dimrit, i kthjellët si një kujtim i largët, dukej sikur zgjonte në heshtje kujtime të vjetra, për t’i lënë të rrënjoseshin të rejat edhe më thellë në shpirt. Një piktor rruge, INO quhej, na befasoi me artin e tij të fuqishëm e të pazakontë. Në mur qëndronin Kariatidet madhështore, të brishta, të heshtura. Por sytë e tyre… ah, sytë e tyre dukej sikur mbanin gjithë dhimbjen e botës. Nga ta rridhnin lotë në blu të kthjellët, si kristale deti, si pika kujtese që nuk mund të thaheshin kurrë.Qëndruam gjatë përballë tyre, e në atë çast, arti pushoi së qeni vetëm art. Në fytyrat e Kariatideve lexova atë dhimbje që e njihja, një mungesë që e mbaja brenda vetes. Në heshtjen e tyre më erdhi zëri i nënës sime, ajo prani e shenjtë, që jeta tashmë ma kishte marrë, por që koha nuk kishte mundur ta fshinte. Nëna ime ishte larguar nga kjo botë, por atë ditë, mes rrugëve të Athinës, ajo m’u kthye për një çast, mes a tij requiemi. M’u kthye përmes atyre syve të përlotur, përmes atyre lotëve që shkëlqenin si kristale deti, përmes heshtjes së një murali që dukej sikur vajtonte bashkë me mua. Dhe kuptova se disa vepra arti nuk i shohim thjesht me sy, i shohim me botën tonë, me plagët tona. Ky requiem i heshtur për Kariatidet u bë, në shpirtin tim, një requiem për nënën…

 

Murali i Kariatideve mes lotëve bie

 

Një elegji e bukur, e dhimbshme dhe e papritur, që më kujtoi se dashuria për ata që kemi humbur nuk vdes kurrë; ajo thjesht ndryshon formë dhe, herë pas here, gjen mënyra të çuditshme për t’u kthyer…Atë ditë, në zemër të Athinës, mes gurëve të lashtë, ngjyrave të artit, ndërsa qyteti jetonte ritmin e tij përreth nesh, një mural i heshtur më foli për nënën time. Dhe lotët e Kariatideve u bashkuan me lotët e mi…

 

Tragjike! Goditi kokën gjatë ndeshjes së futbollit, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar Asllan Gjana në Greqi

Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Kavala të Greqisë, pasi një futbollist 16-vjeçar, me origjinë shqiptare, ka humbur jetën pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje në ishullin Thassos.

Asllan Gjana, pjesë e skuadrës Byronas Kavala, po luante kundër Aiandas Panagias në një ndeshje të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës, kur vetëm në minutën e dytë të takimit u përplas rëndë. Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe goditi pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Pas përplasjes, ai humbi ndjenjat. Ndeshja u ndërpre menjëherë dhe futbollistit iu dha ndihma e parë nga mjeku i takimit. Në vendngjarje u thirr edhe shërbimi i urgjencës mjekësore, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë u vendos transportimi i menjëhershëm drejt spitalit.

16-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë. Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe te familja, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.

Klubi Byronas Kavala reagoi me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të futbollistit të tij. “Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në reagimin e klubit. “Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, vijon mesazhi. bw

“Vetëm largimi i Ramës na ndal”, media gjermane jehonë për protestat e “Flamingove të Frankfurtit” që vijojnë prej 4 muajsh

Në një zonë të mbrojtur natyrore në Shqipëri thuhet se do të ndërtohet një resort luksoz, i cili lidhet me familjen e presidentit amerikan Trump. Projekti ka shkaktuar një valë protestash, në të cilat tashmë bëhet fjalë për më shumë sesa vetëm mbrojtjen e natyrës. Edhe në landin Hesen të Gjermanisë po zhvillohen protesta.

Nga Dennis Stockfisch, HESSENSCHAU
Ata janë pjesë e “Flamingove të Frankfurtit”, dega e Hesenit e protestave të mëdha të flamingove në Shqipëri. Shumica e pjesëmarrësve i përkasin diasporës shqiptare. Vetëm në Hesen jetojnë më shumë se 11.000 shqiptarë dhe shqiptare.

Këto grupe protestuese të diasporës ekzistojnë në të gjithë Evropën. Në Londër, Berlin dhe Vjenë protestojnë njëkohësisht edhe grupe të tjera ‘flamingosh’, të cilat lidhen përmes video-telefonatave në një ekran.

Nga Frankfurti në Tiranë
Prej rreth katër muajsh, “Flamingot e Frankfurtit” mblidhen çdo javë për të protestuar. Përveç kësaj, ata organizojnë së bashku me grupe të tjera ‘flamingosh’ udhëtime drejt Shqipërisë, për të mbështetur atje protestat e mëdha.

Një prej tyre është 25-vjeçarja Laura Pohumi. Ajo jeton prej gjashtë vitesh në Gjermani dhe është bashkë-organizatore e protestave në Frankfurt. “Kam shumë shoqe dhe shokë që janë çdo ditë në protestë dhe që nuk do të ndalen. Kjo më bën shumë krenare”, shpjegon ajo gjatë tubimit. “Ne thjesht duam që zëri ynë, si shqiptarë dhe shqiptare në të gjithë botën, të dëgjohet.”

Vala më e madhe e protestave prej dekadash
Zemra e protestave vazhdon të jetë kryeqyteti shqiptar, Tirana. Atje njerëzit dalin prej rreth katër muajsh çdo ditë në rrugë dhe protestojnë kundër qeverisë së tyre. Në periudha të caktuara, në këto protesta marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Gjithçka filloi në maj, në një pjesë të plazhit në Zvërnec, në jugperëndim të Shqipërisë. Atje, dhe në ishullin përballë, Sazan, thuhet se do të ndërtohen resorte luksoze. Sipas raportimeve të mediave, kostot vlerësohen në rreth katër miliardë euro.

Një pjesë e resorteve të planifikuara ndodhet në mes të një zone të mbrojtur natyrore, ku, ndër të tjera, jetojnë flamingot. Prandaj vjen edhe emri i lëvizjes: protestat e flamingove. Disa madje flasin për një “Revolucion të Flamingove”.

“Kujt i përket Shqipëria?”

Fillimisht të nisura si protestë mjedisore, protestat e flamingove sot janë një nga lëvizjet më të mëdha kundër qeverisë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. “Nuk bëhet më fjalë vetëm për flamingot, një zonë të mbrojtur natyrore apo një resort luksoz”, shpjegon Andreas Bachmann, drejtues i studios së ARD-së për Evropën Juglindore. “Bëhet fjalë për pyetjen: Kujt i përket Shqipëria – qytetarëve apo investitorëve me lidhje të mira me elitën politike?”

Projekt ndërtimi me përfshirje të një figure të njohur
Fakti që ky projekt ka një potencial kaq të madh politik përplasjeje, ndoshta lidhet edhe me një investitor të njohur, i cili pikërisht këto lidhje me elitën politike mund t’i ketë: Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Së bashku me gruan e tij Ivanka Trump, e cila është shprehur publikisht në favor të projektit, Kushner është në qendër të kritikave.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, një kompani investimesh e lidhur me të ka marrë nga autoritetet shqiptare statusin e një “investitori strategjik”. Kjo do të thotë, për shembull, procedura më të shpejta të miratimit për projektet e ndërtimit.

Shqiptarët kanë frikë nga “shitja” e vendit
Shumë shqiptarë dhe shqiptare kanë ndjesinë se qeveria e tyre nuk vepron në interes të popullsisë dhe se është e interesuar vetëm për pasurimin personal, thotë protestuesja Laura Pohumi.

“Njerëzit që punojnë për këtë qeveri nuk duan që ne të jemi një vend me rregulla. Ata thjesht duan të fitojnë shumë para, pavarësisht se nga vijnë ato.” Kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe udhëheqjes politike në vend nuk janë të reja. Demonstruesit ankohen, në njëfarë mënyre, për një shitje të vendit të tyre. Prandaj edhe slogani qendror i protestave është: “Albania is not for sale” – “Shqipëria nuk është në shitje.”

Nuk duket fundi i protestave
Aktualisht nuk duket një fund i protestave të flamingove. Sipas korrespondentit të ARD-së, Bachmann, qeveria shqiptare është e vendosur ta zbatojë këtë projekt dhe, në perspektivë, edhe projekte të tjera: “Edi Rama i sheh investimet e mëdha ndërkombëtare, si të thuash, si programin e tij të modernizimit për Shqipërinë.”

Ai dëshiron të tregojë se Shqipëria është e hapur ndaj investitorëve të mëdhenj dhe se nuk do të ndalojë çdo projekt vetëm për shkak të protestave. Demonstruesit duken të vendosur. Në Frankfurt, Laura Pohumi përgjigjet kështu kur pyetet se sa gjatë mund të vazhdojë kjo: “Ne do të ndalojmë vetëm kur Edi Rama të japë dorëheqjen si kryeministër.” bw

Autorë shqiptarë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Göteborg 2026- Nga Gladiola Jorbus

 

 

Më 24–27 shtator 2026, në Göteborg të Suedisë u zhvillua Panairi Ndërkombëtar i Librit – Bokmässan Göteborg 2026, një nga ngjarjet më të mëdha letrare dhe kulturore në vendet nordike. Panairi u mbajt në ambientet e Svenska Mässan dhe gjatë katër ditëve mblodhi autorë, poetë, botues, përkthyes, studiues, profesionistë të kulturës dhe lexues nga vende të ndryshme. Organizatorët e përshkruajnë Bokmässan si ngjarjen më të madhe kulturore të vendeve nordike, me qindra ekspozues dhe një program të gjerë me seminare, biseda letrare, prezantime dhe takime me autorë.

Në këtë atmosferë të pasur letrare, letërsia shqipe u përfaqësua edhe përmes shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë në Suedi, ndër ta Rizah Sheqiri dhe Sokol Demaku, duke sjellë pranë publikut suedez dhe ndërkombëtar zërin, përvojën dhe krijimtarinë e autorëve shqiptarë të diasporës.

Një nga pjesëmarrjet e dokumentuara në programin zyrtar ishte ajo e shkrimtarit Sokol Demaku, i cili më 24 shtator zhvilloi një takim në kuadër të programit të Medborgarskolan, ku u diskutua për poezinë, shkrimin dhe identitetin, si dhe për librin e tij të ri “Örnens land: Av mödrars tårar blev havet salt”.

Po në kuadër të panairit, Sokol Demaku prezantoi veprën e tij edhe në stendën e Sol förlag, ku lexuesit patën mundësi ta takonin autorin dhe të merrnin autografin e librit. Vepra trajton historinë moderne të Shqipërisë, identitetin, humbjen, lirinë dhe përvojën e një shoqërie të përballur me diktaturën, luftën, izolimin dhe sfidat e demokracisë.

Rizah Sheqiri, poet dhe shkrimtar shqiptar në Suedi, është gjithashtu një emër i njohur në jetën letrare shqiptare dhe suedeze. Ai ka një veprimtari të gjerë krijuese dhe ka botuar dhjetëra vepra, një pjesë e të cilave janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Përvoja e tij në letërsi dhe në veprimtarinë kulturore e ka bërë një nga zërat e rëndësishëm të letërsisë shqiptare në diasporën suedeze.

Pjesëmarrja e autorëve shqiptarë në një ngjarje të tillë nuk është vetëm një prezantim individual i krijimtarisë, por edhe një mundësi për të afruar gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe me lexuesit suedezë dhe ndërkombëtarë. Përmes librit dhe përkthimit krijohen ura të reja komunikimi ndërmjet kulturave.

Panairi i këtij viti kishte në qendër tema të tilla si Québec-u si mysafir nderi, arsimi popullor dhe lojërat, ndërsa programi përfshinte gjithashtu tema mbi poezinë, letërsinë, demokracinë, lirinë e shprehjes dhe rolin e leximit në shoqëri.

Dita e fundit – takime dhe “Stafeta e Leximit”, shënoi ditën e katërt dhe të fundit të këtij edicioni të Bokmässan. Për autorët dhe miqtë e librit ishte një ditë e mbushur me takime me poetë, shkrimtarë, botues dhe dashamirës të letërsisë.

Në përfundim të panairit u zhvillua edhe “Stafeta e Leximit”, një veprimtari që e vë në qendër aktin e leximit dhe bashkimin e njerëzve përmes librit. Pjesëmarrja në këtë aktivitet i dha një kuptim të veçantë ditës së fundit të panairit, duke e mbyllur këtë event katërditor me fjalën e shkruar dhe të lexuar.

Për pjesëmarrjen dhe mundësinë e prezantimit të krijimtarisë së tij në këtë panair ndërkombëtar, autori Demaku shprehu mirënjohje për Sol Förlag, Medborgarskolan dhe Sveriges Författarförbund, si dhe për miqtë, kolegët dhe dashamirësit e letërsisë që e mbështetën gjatë këtyre ditëve.

Bokmässan Göteborg 2026 dëshmoi edhe një herë se libri mbetet një hapësirë e fuqishme takimi mes njerëzve dhe kulturave. Për komunitetin shqiptar në Suedi, prania e autorëve si Rizah Sheqiri dhe Sokol Demaku në këtë skenë është një mundësi për ta bërë më të dukshme krijimtarinë shqipe dhe për të vazhduar dialogun kulturor mes Shqipërisë, Kosovës, diasporës shqiptare dhe shoqërisë suedeze.

 

Göteborg, 27 shtator 2026

Si mund të harrohen ato mizori!- Nga Emine S. HOTI Norvegji

       

 

 

Bota dhe drejtësia duhet të dënojnë kriminelët e vërtetë serbë, që kryen krime gjakatare mbi popullin paqedashës të Kosovës (Dardanisë).

 

Gjenocidi dhe krimet serbe,

tronditën atëherë popujt e botës,

si mund të harrohen ato mizori,

të kryera në zemër të Evropës!?

 

Ata masakruan popullin dardan,

vranë mijëra gra, pleq e fëmijë,

për të fshehur dëshmitë e krimit,

gjithçka e bën shkrumb dhe hi.

 

Me gjenocidin e tyre barbar,

ata kërkuan të “vrisnin” lirinë,

për qëllimet e tyre sunduese,

donin të shuanin historinë.

 

Ata kryen në popull terror,

hodhën kudo helmin e zi,

kryen masakra të përbindshme,

që të të zhduknin ty, Dardani.

 

Bota duhet të zgjohet, të reagojë,

të mos rri indiferente e në rehati,

që fara e së keqes t ‘mos përhapet,

të mos shndërrohet në epidemi.


Send this to a friend