TIRANË– Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka dalë në mbështetje të protestave paqësore të studentëve, duke kërkuar njëkohësisht marrjen e masave për përshtatjen e kalendarit akademik. Sindikata vlerëson se studentët kanë të drejtën kushtetuese të protestojnë dhe shprehin shqetësimet e tyre, ndaj kërkon që aktivitetet e tyre të zhvillohen të mërkurave dhe të shtunave, sipas orareve të përcaktuara prej tyre.
Në këtë kuadër, drejtuesve të universiteteve u kërkohet të bëjnë riorganizimet e nevojshme në procesin mësimor, në mënyrë që protestat të mos sjellin pengesa në zhvillimin e leksioneve dhe aktiviteteve akademike. Sindikata thekson se është e rëndësishme të ruhet vijimësia e mësimit, por pa cenuar të drejtën e studentëve për të protestuar dhe për të kërkuar zgjidhje për shqetësimet e tyre.
Njëkohësisht, ajo ka bërë të ditur se do të monitorojë zbatimin e këtyre masave dhe do të bashkëpunojë me drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë, me qëllim që as studentët dhe as pedagogët të mos penalizohen për pjesëmarrjen në protesta./Dosja.al
