Aktivisti i shoqërisë civile, Ardit Mekshiqi gjatë bisedës me Adi Krastën në ‘A Show’ në SYRI TV, ka treguar se si Edi Rama dhe enturazhi i tij, po tenton që të joshë persona me ndikim në komunitetin shqiptar në Amerikë.
I riu, që më herët në Shqipëri është ndaluar nga policia për pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë Rama, u shpreh se Rama dhe PS po kërkojnë që të rrisin influencën e tyre në emigracion.
‘Unë po e ndjej diçka se vërtetë do të jetë e mundur shpejt mundësia e votës së shqiptarëve në emigracion.
Shoh konjunkturat e rilindjes që po mundohen të kapin faktorët shqiptarë që kanë ndikim në komunitetin shqiptar në Amerikë dhe besoj edhe në shtete të tjera.
Janë disa shqiptarë që merren me aktivitete, janë joshur nga qeveria Rama, kanë bërë disa investime në Shqipëri dhe këta persona kanë ndryshuar qëndrim.
Rama ka bërë që ata të ndryshojnë dhe duket se janë shitur tek djalli.
Kjo është fatkeqësi sepse po mundohen të rrisin influencën e PS në emigracion. Nuk besoj se është shumë e lehtë që të rrisin influencën sepse shumica e shqiptarëve kanë ikur nga kjo qeverisje’, tha Ardit Mekshiqi në SYRI TV.