Njëri vëlla
Prangoset në diktaturë.
S`e kam thënë herë tjetër,
Po e them tani:
I fsheha lotët për të,
Ngaqë s`doja të m`i shihte njeri.
Vëllai tjetër
Ofiqar burgu në demokraci,
I njëjti intenerar si i prangosuri,
Veçse nga burgu në shtëpi.
Njeri merrte lekët e burgut të ferrit
Tjetri pagën si ofiqar i burgut me kondita,
Ndërsa krimet e komunizmit
Dënohen vetëm nëpër libra.
Si fole fishekësh
Në koburen me mulli të Haxhi Qamilit,
Po duan të alternohen fatet,
Ku viktima po do të shenjtërohet,
Me fshehje të persekutorit
Dhe një i pafajshëm t`ia lajë gjynahet?!
A mund të mbytet në pikën e lotit,
Ai që i fshehu për ty?
Lëndimi dhemb më shumë se një plagë.
Mos ma jep shansin të besoj
Se pirati na qënkish bërë Papë…
___
Në koburen me mulli, Haxhi Qamili, një fishek e vinte në fole dhe tjetrën në radhë e linte bosh. “Qe baba!-thoshte. E vendoste tytën tek koka dhe e shkrepte.-Më do Zoti!” Më pas ia drejtonte kundërshtarit, e shkrepte dhe ai vdiste në vend. Kjo lloj kobureje sot është në modë, duke trukuar fabrikimin e shenjtorëve të rremë.
Fatbardh Amursi
