VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Mbretëria e Bashkuar do të ndalojë reklamimin e ndërhyrjeve kozmetike për nën 18-vjeçarët

By | November 25, 2021
blank

Komentet

blank

Putini paralajmëron Perëndimin: vendosja e trupave të Natos në Ukrainë, vijë e kuqe për Moskën

VOA

MOSKË (AP) – Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi ashpër NATO-n kundër vendosjes së trupave dhe armëve të saj në Ukrainë të martën, duke thënë se ajo përbën një vijë të kuqe për Rusinë dhe se do të shkaktonte një përgjigje të fortë.

Duke komentuar për shqetësimet e vendeve perëndimore rreth synimit të supozuar të Rusisë për të pushtuar Ukrainën, ai tha se Moska është po aq e shqetësuar për stërvitjet e NATO-s pranë kufijve të saj.

Duke folur me pjesëmarrësit e një forumi për investimet në internet, Presidenti rus tha se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes ka kërcënuar interesat thelbësore të sigurisë së Moskës. Ai shprehu shqetësimin se NATO-ja mund të përdorë përfundimisht territorin ukrainas për të vendosur raketa të afta për të arritur qendrat e komandës ruse në vetëm pesë minuta.

“Shfaqja e kërcënimeve të tilla përbën një “vijë të kuqe” për ne,” tha Putini. “Shpresoj që logjika dhe përgjegjësia për vendet e tyre dhe komunitetin global përfundimisht do të mbizotërojë”.

Ai shtoi se Moska është e detyruar të kundërshtojë kërcënimet në rritje duke zhvilluar armë të reja hipersonike.

“Çfarë duhet të bëjmë?” tha Putini. “Ne do të duhet të zhvillojmë diçka të ngjashme për të vënë në shënjestër ata që na kërcënojnë. Dhe ne mund ta bëjmë këtë edhe tani”.

Presidenti rus tha se një raketë e re hipersonike që do të jetë në dispozicion të marinës ruse në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë në gjendje të arrijë objektivat në kohë të përshtatshme.

“Do të duheshin gjithashtu vetëm pesë minuta për të arritur tek ata që lëshojnë urdhra”, tha Putin.

Raketa fluturuese hipersonike Zircon, e aftë të fluturojë nëntë herë sa shpejtësia e zërit në një rreze prej 1000 kilometrash, i është nënshtruar një sërë provash, më e fundi të hënën.

blank

Gati 200 milionë fëmijë në mbarë botën jetojnë në zonat më vdekjeprurëse të luftës

Londër

Afërsisht 200 milionë fëmijë në botë janë në rrezik të bëhen fëmijë ushtarë në zonat më vdekjeprurëse të luftës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e publikuar nga organizata ndërkombëtare e ndihmës Save the Children, thuhet se në vitin 2020, afër 337 milionë fëmijë ndodheshin në zonat nën kontrollin e grupeve të armatosura dhe forcave qeveritare që rekrutonin fëmijë.

Në raport theksohet se rreth 200 milionë prej tyre jetojnë në zonat më vdekjeprurëse të luftës në botë dhe ky numër është rritur me 20 për qind krahasuar me një vit më parë.

Në raport rekomandohet që autorët e shkeljeve të rënda të mbahen përgjegjës për të ndalur “këtë luftë kundër fëmijëve” dhe për të siguruar që fëmijët të kenë akses në arsim për t’i mbrojtur ata nga rekrutimi i detyruar.

Drejtoresha e Save the Children, Inger Ashing, në deklaratën e saj për këtë temë, tha se pavarësisht pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe thirrjes globale për armëpushim të Kombeve të Bashkuara, është e tmerrshme që më shumë se kurrë kaq fëmijë jetojnë në zonat më vdekjeprurëse të luftës dhe se këta fëmijë janë në rrezik për t’u rekrutuar, plagosur apo vrarë.

Duke theksuar se miliona fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë dhe nuk mund të shohin asgjë përveç luftës, Ashing tha: “Kjo është një njollë për komunitetin ndërkombëtar”.

blank

Jack Dorsey jep dorëheqje nga pozita udhëheqëse e rrjetit social Twitter

 

Shefi i rrjetit social Twitter, Jack Dorsey, ka njoftuar se do të heqë dorë nga pozita udhëheqëse e kompanisë, të cilën e ka themeluar më 2006.

Zyrtari për teknologji në këtë kompani, Parag Agrawal do të drejtojë tani e tutje kompaninë.

Dorsey, 45-vjeçar, ka thënë se ka vendosur të largohet për shkak të fuqisë që ka Agrawal në drejtim të rrjetit social, i cili përdoret nga rreth 200 milionë persona në ditë.

“Jam shumë i mërzitur, por edhe i lumtur”, ka thënë ai në një letër drejtuar punëtorëve.

“Nuk ka shumë kompani që kanë arritur në këtë nivel”, ka thënë ai, duke shtuar se vendimi për t’u larguar është marrë nga vetë ai.

Sipas revistës, Forbes, pasuria e tij kap vlerën e 11 miliardë dollarëve.

Vendimi për largimin e Dorseyt do të zbatohet menjëherë, ndonëse ai do të mbetet pjesë e bordit derisa t’i skadojë mandati vitin e ardhshëm.

Agrawal, në anën tjetër, ka studiuar në Universitetin Stanford dhe Institutin Indian për Teknologji në Bombej. rel

blank

Barbados bëhet republika më e re në botë

Pamje nga ceremonia e shndërrimit të Barbadosit në republikë.

RFE/RL

Barbadosi e ka larguar zyrtarisht Mbretëreshën britanike, Elizabeta II nga pozita e udhëheqëses së shtetit dhe është bërë republika më e re në botë.

Në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytetin Brixhtaun, Dama Sandra Mason është betuar si presidente.

Princi i Uellsit, Charles dhe këngëtarja e Barbadosit, Rihanna, kanë marrë pjesë në këtë ceremoni, e cila është zhvilluar në përvjetorin e 55-të të pavarësisë.

Princi Charles ka folur për “mizorinë e tmerrshme të skllavërisë” me të cilën është përballur ky ishull i Karaibeve.

Kjo epokë e re për Barbadosin i jep fund ndikimit të Britanisë, duke përfshirë më shumë se 200 vjet kur ishulli ka qenë qendër për tregtinë transatlantike të skllevërve.

Mbretëresha Elizabetë ka shprehur“urimet më të mira” dhe “paqe e lumturi në të ardhmen”, duke thënë se ky komb ka “vend të veçantë” në zemrën e saj.

Barbados ka njoftuar një vit më parë se dëshiron të shndërrohet në republikë, mirëpo do të mbetet brenda vendeve të Commonwealth-it (bashkësia e mbi 50 shteteve, pothuajse që të gjitha ish-territore të Perandorisë britanike).

Më vonë është bërë e ditur se këngëtarja Rihanna do të shpallet heroinë kombëtare nga presidentja Mason.

Kjo artiste dhe grua biznesi, është shpallur më herët ambasadore nga vendlindja e saj më 2018.

“Shpresoj që do të vazhdoni të shkëlqeni si diamant dhe të nderoni kombin tuaj”, ka thënë kryeministrja, Mia Mottley, duke përdorur referencë për një nga këngët e Rihannas.

Barbados ka qenë një prej kolonive të para të skllevërve të Anglisë.

Skllavëria është ndaluar në Barbados më 1834 dhe shteti është bërë tërësisht i pavaruar më 1966.

blank

Rusia thotë se ka bërë provë të suksesshme me raketën hipersonike Zircon

Në një video të qarkulluar nga ministria ruse e mbrojtjes shfaqet lëshimi i raketës hipersonike Zircon (29 nëntor 2021)

AFP

MOSKË – Rusia njoftoi të hënën se ka zhvilluar një tjetër provë të suksesshme me raketën e saj hipersonike Zircon, ndërsa fuqitë botërore janë duke konkurruar për ta zhvilluar më tej këtë teknologji të re armatimi.

Rusia, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Kina po eksperimentojnë me këto raketa hipersonike që mendohet se arrijnë shpejtësi minimale prej të paktën 5 Mach.

Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se në kuadrin e testimit përfundimtar të raketave hipersonike, luftanija “Admiral Gorshkov” lëshoi një raketë Zircon drejt një objektivi në Detin Barents, në një distancë prej 400 kilometrash.

“Objektivi u godit”, tha ministria ruse, duke e përshkruar provën si të suksesshme.

Kjo lloj rakete u është nënshtruar disa testimeve rishtazi, pasi Rusia synon të pajisë luftanijet dhe nëndetëset me raketat Zircon.

Presidenti rus Putin e zbuloi zhvillimin e kësaj arme të re në një fjalim drejtuar vendit në shkurt 2019, duke thënë se mund të godasë objektiva në tokë dhe në det, me një rreze veprimi prej 1 mijë kilometrash dhe shpejtësi 9 Mach.

Kjo provë nga Rusia vjen pasi në perëndim u njoftua se një raketë hipersonike kineze u lëshua gjatë një fluturimi në muajin korrik dhe arriti mbi Detin e Kinës Jugore një shpejtësi mbi pesë herë më të lartë se shpejtësia e zërit.

Deri në atë moment, asnjë nga fuqitë botërore nuk kishte demonstruar një arritje të tillë me një raketë të lëshuar në fluturim e sipër.

Kina i mohoi njoftimet dhe tha se ishte një test rutinë i një paisjeje hapësinore të ripërdorshme.

Rusia ka thënë se po zhvillon disa sisteme armësh që shmangin sistemet ekzistuese të mbrojtjes, si p.sh. raketat ndërkontinentale Sarmat dhe raketat Burevestnik.

Ekspertët perëndimorë kanë arritur në përfundimin se një shpërthim vdekjeprurës në vitin 2019 në një objekt testimi në Rusinë veriore që shkaktoi një rritje të madhe në nivelin e rrezatimit në zonë, ka të bëjë me raketat Burevestnik, të cilat funksionojnë me energji bërthamore. VOA

blank

Mbretëria e Bashkuar do të ndalojë reklamimin e ndërhyrjeve kozmetike për nën 18-vjeçarët

RFE/RL

Reklamat për ndërhyrje kozmetike, që kanë për qëllim ndryshimin e pamjes së një personi, nuk do të mund të kenë cak personat nën moshën 18-vjeçare nga maji i vitit të ardhshëm, ka thënë një rregullator në Mbretëri të Bashkuar.

Rregullat e reja nënkuptojnë se kompanitë nuk do të mund të reklamojnë ndërhyrje kozmetike në programet televizive apo media tjera ku ka audiencë të madhe të kësaj moshe.

Aty përfshihen intervenimet në gjinj, bark, qerpikë, hundë, dhe riformësim të fytyrës.

Në ndalesë përfshihen edhe injektimet në lëkurë, trajtimet me laserë të ndryshëm apo produkte për zbardhje të dhëmbëve.

Ky vendim është marrë pas disa konsultimeve, meqë ka pasur shqetësime për rrezik potencial të reklamimit të intervenimeve te personat në moshë të re.

Këto reklama kanë pasur rrezik të shkaktojnë presion për pamjen fizike, probleme të shëndetit mendor, si dhe rrezik për komplikime gjatë ndërhyrjeve.

Komiteti për Praktika të Reklamimit, ka thënë se të dhënat e mbledhura kanë ofruar “pamje edhe më të qartë” se fëmijët dhe të rinjtë janë të cenueshëm ndaj presionit për pamjen fizike dhe kjo gjë mund të ketë ndikim në vetëbesimin e tyre, si dhe shëndetin mendor.

blank

NASA nis mision për t’i ndryshuar kahjen një asteroidi

Anija kozmike, Falcon 9 duke u nisur në Hapësirë. Fotografi nga arkivi.

Agjencia amerikane e Hapësirës (NASA) ka lansuar një satelit të dizajnuar për t’u përplasur me një asterioid, me qëllim të ndryshimit të kahjes së tij.

Ky testim është duke u kryer për të parë nëse strategjia do të funksionojë në rast nevoje.

Misioni DART i NASA-s, synon të vë në pah se sa e vështirë që është të pengohet përplasja e një guri të madh hapësinor me planetin Tokë.

Në kuadër të misionit, sateliti do të përplaset me asteroidin e quajtur Dimorphos, për të kuptuar sa shpejt mund t’i ndryshohet kahja.

Kjo përplasje pritet të realizohet në tetor të vitit 2022.

“Asteroidi Dimorphos, jemi duke ardhur te ti”, ka thënë NASA përmes një postimi në Twitter pas lansimit.
Hëna e plotë në muajin tetor në Shkup.
Lexoni edhe këtë:
Kthimi i NASA-s në Hënë shtyhet për një vit

Ky mision realizohet me anijen kozmike Falcon 9, të prodhuar nga kompania SpaceX e miliarderit, Elon Musk.

Anija kozmike është nisur në Hapësirë në orët e para të mëngjesit nga Kalifornia.

“Ne jemi duke tentuar të mësojmë si të shmangin një kërcënim”, ka thënë shkencëtari i NASA-s, Thomas Zuburchen, duke komentuar projektin në vlerë të 330 milionë dollarëve, njëherësh të parin e këtij lloji.

Dimorphos është asteroid që, sipas NASA-s, nuk përbën kërcënim për Tokën.

Sipas kësaj Agjencie, ky mision nuk rrezikon planetin Tokë. rel

blank

A është Putini thjesht duke kërcënuar apo po përgatitet për luftë?

Jamie Dettmer

Kërcënim apo përgatitje për luftë? Zyrtarët dhe analistët perëndimorë mbeten të ndarë në domëthënien që ka dislokimi i trupave ushtarake ruse përgjatë kufirit të saj me Ukrainën. Rusia vendosi rreth 100,000 trupa në fillim të këtij viti dhe tha se lëvizja ishte e përkohshme dhe vetëm për stërvitje.

Por shumica e trupave ushtarake ka mbetur aty. Kohët e fundit sipas zyrtarëve perëndimorë dhe ukrainas, janë shtuar edhe njësi të forcave speciale elitë, shpesh fshehurazi brenda natës. Kjo ka shkaktuar alarm në rritje në Kiev dhe në Perëndim.

Gjenerali Kyrylo Budanov, Shefi i Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të Ukrainës, i dha edhe më shumë zë shqetësimeve kur i tha gazetës amerikane “Military Times”, se dyshon se Kremlini po përgatitet për një ofensivë të gjerë që do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, ndoshta nga fundi i janarit.

Sipas zotit Budanov, kjo ka të ngjarë të përfshijë sulme ajrore, bombardime me artileri dhe tanke në Ukrainën lindore dhe sulme nga deti në qytetet portuale të Ukrainës, Odessa dhe Mariupol. Një inkursion më i vogël mund të kryehet përmes vendit aleat të Moskës, Bjellorusisë, shtoi zoti Budanov.

Por përpara se të ndërmerrte këtë hap, Rusia do të rriste luftën psikologjike dhe fushatat e dezinformimit, tashmë në zhvillim, të projektuar për të destabilizuar Ukrainën tha ai.

Ata duan të nxisin trazira, përmes protestash e takimesh ku të tregojnë se njerëzit janë kundër qeverisë”, tha ai.

Zoti Budanov paralajmëroi se nëse do të niste një sulm, ai do të ishte i përmasave më të mëdha krahasuar me inkursionet ruse që u vunë re që nga shpërthimi i konfliktit mes dy vendeve, në vitin 2014.

Agjencitë ukrainase të zbulimit publikuan një hartë ku detajoheshin përllogaritjet se si do të ndodhte pushtimi, me forcat ruse që hyjnë në vend nga veriu, lindja dhe jugu. Do të ishte një operacion shumë më tradicional, por më i përgjakshëm sesa pushtimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Zoti Budanov beson se qëllimi përfundimtar i Kremlinit është të rrëzojë administratën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Ata duan ta bëjnë situatën brenda vendit (Ukrainës) gjithnjë e më të rrezikshme e të vështirë, si dhe të krijojnë kushtet që qeveria të ndryshojë”, tha ai. “Nëse nuk do ta arrijnë këtë gjë, atëherë punën e tyre do ta kryejnë trupat ushtarake“.

Komentet e zotit Budanov janë vetëm një pjesë e një spektri të shumtë opinionesh mbi synimet e udhëheqësit rus Vladimir Putin.

A është dislokimi i trupave një lojë provokuese që synon të nxisë Kievin dhe fuqitë perëndimore të bëjnë një lëvizje të gabuar, në një lojë shumë më të gjerë gjeopolitike?

Apo thjesht një shtirje e destinuar vetëm për provokim? A po punon Kremlini për atë që adhuruesit e shahut do ta quanin “Armagedon”, një lojë që synon të japë një rezultat vendimtar?

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar aleatët e NATO-s se Kremlini mund të jetë duke komplotuar për të kapur më shumë pjesë të Ukrainës, duke përsëritur aneksimin e Krimesë që ndodhi në vitin 2014.

Nuk jemi të qartë mbi qëllimet e Moskës, por ne njohim strategjinë e saj“, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në fillim të këtij muaji. “Shqetësimi ynë është se Rusia mund të bëjë gabimin e rëndë duke u përpjekur të ripërsëritë atë që ndërmori në vitin 2014, kur dislokoi forca ushtarake përgjatë kufirit, kaloi në territorin sovran të Ukrainës dhe e bëri këtë, duke gënjyer se ishte provokuar”.

Kremlini tha të hënën se paralajmërimet tejet serioze për një rritje të numrit të trupave ushtarake ruse përgjatë kufirit, po përdoren për të justifikuar furnizimin e Ukrainës me armë të teknologjisë së lartë, përfshirë raketa antitank Javelin. Mes disa javë tensionesh të përshkallëzuara mes Rusisë dhe Ukrainës, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve në Moskë se: “Kievi po rrit gjithashtu numrin e trupava ushtarake dhe për këtë po ndihmohet. Kievi po furnizohet me një numër të konsiderueshëm armësh, përfshirë armë moderne të teknologjisë së lartë”.

Ai shtoi se: “numri i provokimeve po rritet ndjeshëm. Këto provokime po kryhen me armë që furnizohen nga vendet e NATO-s dhe ne po e vëzhgojmë këtë gjë me alarm të madh”.

Sipas zotit Peskov, Kievi po kërkon një mënyrë për të mposhtur rebelët separatistë pro-Moskës që pushtuan një pjesë të rajonit lindor të vendit, Donbasin, pasi Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë në 2014.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë akuzuar Rusinë për fabrikim të lajmeve se separatistët kanë marrë territore të reja, si dhe për dërgimin e trupave dhe armëve përtej kufirit për të mbështetur forcat rebele. Moska i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Gjatë javëve të fundit, zyrtarët amerikanë kanë ndarë me aleatët evropianë informacione zbulimi, të cilat nënvizojnë se Moska është pranë fillimit të një goditjeje të shpejtë, e në shkallë të gjerë në Ukrainë nga disa pika gjeografike, sipas zyrtarëve evropianë që biseduan me Zërin e Amerikës. Zyrtarët amerikanë i thanë televizionit amerikan “Bloomberg News” të hënën se Moska kishte angazhuar gjithashtu me dhjetëra mijëra rezervistë, të cilët mund të përdoreshin për të siguruar territorin e pushtuar.

Por askush nuk thotë se një ofensivë nga ana e Rusisë është diçka e sigurt.

Nuk mund të flas për qëllimet e Rusisë. Ne nuk e dimë se çfarë janë duke planifikuar ata“, tha Sekretari Blinken në fillim të këtij muaji.

Por zyrtarët shohin diçka ndryshe dhe më të ashpër këtë herë krahasuar me dislokimet e mëparshme të trupave ushtarake përgjatë kufirit të përbashkët Rusi-Ukrainë.

Ata po e lidhin atë me vendimin e Rusisë të muajit tetor dhe përsëri këtë muaj për të mos dërguar furnizime shtesë me gaz natyror në Evropë, duke përkeqësuar situatën energjetike. Po kështu një sinjal janë dhe përpjekjet e Kremlinit për të përfituar nga kriza e emigrantëve përgjatë kufirit Bjellorusi-Poloni, një situatë e stisur nga udhëheqësi i bjellorusisë Alexander Lukashenko, një aleat i Presidentit Putin.

Kombinimi i të trejave, dislokimit të trupave, kriza e emigrantëve dhe problemet e furnizimit me gaz të Evropës Perëndimore, ka tërhequr vëmendjen e fuqive perëndimore, duke i bindur ata se këtë herë mund të jetë ndryshe.

Rusia ka deklaruar se ka rezerva të mjaftueshme me gaz për të plotësuar nevojat evropiane për energji. Ajo mund dhe duhet të sigurojë furnizime shtesë përmes rrjetit ekzistues të tubacioneve, përfshirë Ukrainën. Dështimi në këtë drejtim kërcënon sigurinë energjetike evropiane dhe vë në pikëpyetje motivet e Rusisë për ndalimin e këtyre furnizimeve”, tha një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit për “Zërin e Amerikës”.

Michael Kofman, drejtor i studimeve për Rusinë në Qendrën Amerikane mbi Analizat e Flotës Detare, vë në dyshim nëse e gjithë kjo është thjesht një truk i Vladimir Putinit, një tallje me Perëndimin për të parë se çfarë avantazhesh mund të sigurojë.

Nëse treguesi janë dislokimet e trupave ruse dhe diskursi politik, ato po kërcënojnë me një operacion të madh ushtarak”, shkruante ai në Twitter javën e kaluar. Zoti Kofman tha se është dyshues ndaj qasjes se zoti Putin “thjesht po luan me bllofin”.

Lidhur me hartën e publikuar nga agjencia ushtarake e zbulimit e Ukrainës, e cila përshkruan rrugët e mundshme të inkursionit rus, zoti Kofman shkruante në Twitter se: “Kjo është një pamje e kthjellët dhe mjaft e saktë e asaj që po konsiderohet të ndodhë. Ushtria ruse mund ta bëjë këtë”.

Krijimi i pasigurisë në lidhje me synimet e Kremlinit mund të jetë qëllimi kryesor i Vladimir Putinit, thotë David Kramer, i cili ka shërbyer si ndihmës sekretar i Shtetit gjatë administratës së Presidentit George W. Bush.

Të gjithë pyesin se çfarë do të bëjë Putini. Mendoj se atij i pëlqen kur shtrohet një pyetje e tillë“, thotë zoti Kramer.

Ai thotë se Kremlini lulëzon duke e vendosur në situatë të vështirë Perëndimin, duke qenë i paparashikueshëm.

Çështjet e pazgjidhura dhe të paqëndrueshme i shërbejnë interesit të tij si çdo gjë tjetër. Atij i pëlqen ta shohë Perëndimin duke u përpjekur të parashikojë se çfarë ka ndër mend të bëjë ai, dhe kjo nuk është saktësisht një mënyrë për krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme e të parashikueshme. Atij nuk i pëlqen të injorohet. Ai mendon se përqëndrimi i SHBA-së tek Kina është disi një fyerje për të”, thotë zoti Kramer për “Zërin e Amerikës”.

Por zoti Kramer druhet se Putini po luan “kumar”. Dhe kjo, thotë ai, është një “gjë vërtet e rrezikshme”.

blank

Në Teheran në vitin 2020 nga ndotja e ajrit kanë vdekur 3.751 persona

Teheran

Ndotja e ajrit në Teheran, kryeqytetin e Iranit, ka shkaktuar vdekjen e 3.751 personave brenda një viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Departamentit të Ajrit dhe Ndryshimeve Klimatike në Ministrinë e Shëndetësisë të Iranit, Abbas Shahsuni, ndau informacion për agjencinë e lajmeve studentore ISNA për problemet e shkaktuara nga ndotja e ajrit.

Duke theksuar se vitin e kaluar në Teheran humbën jetën 3.751 persona për shkak të ndotjes së ajrit, Shahsuni tha se ky problem ndodh çdo vit dhe se ligji për ajër të pastër nuk zbatohet.

Shahsuni tha se makinat e vjetra dhe me naftë, motoçikletat dhe karburantet e tjera janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Teheran.​​​​​​​

blank

RD e Kongos, sulmues të armatosur rrëmbejnë 5 kinezë në një minierë ari

Yaounde

Disa sulmues të armatosur kanë rrëmbyer 5 kinezë në një minierë ari në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, transmeton Anadolu Agency (AA).

Personat e armatosur sulmuan minierën në qytetin Fizi, në provincën Kivu Jugore, ndërsa bëhet fjalë për një minierë të cilën e menaxhon kompania Bayond, bënë të ditur mediat lokale. Gjatë sulmit është vrarë një polic ndërsa janë rrëmbyer 5 kinezë.

Gupe të armatosura në rajon shpesh rrëmbejnë njerëz dhe kërkojnë shpërblim.

Pjesa lindore e RD të Kongos, ku është kufiri me Ruandën, Ugandën dhe Burundin, është bastion i sulmeve dhe përleshjeve të grupeve të armatosura tashmë 20 vite duke tentuar të kontrollojnë minierat e arit dhe kobaltit.

blank

Kinë, numri i automjeteve të regjistruara pritet të kalojë mbi 300 milionë deri në fund të 2021

Pekin

Parashikohet se numri i automjeteve të regjistruara në Kinë do të kalojë mbi 300 milionë deri në fund të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij në Kongresin Botëror të Prodhimit të mbajtur në Hifey, kryeqyteti i provincës Anhui, zëvendës sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve të Automjeteve në Kinë (CAAM), Xi Jinhua tha se numri i automjeteve të regjistruara arriti në 297 milionë në fund të shtatorit.

Sipas tij, tregu i automjeteve pritet të rritet mesatarisht me 4 për qind çdo vit në periudhën 2021-2025. Xi tha se ata presin që numri i automjeteve të regjistruara të kalojë 300 milionë deri në fund të 2021.

Automjetet elektrike janë në rritje

Shitjet e automjeteve elektrike në Kinë po rriten më shpejt se automjetet me benzinë ​​dhe naftë. Sipas statistikave, në periudhën janar-tetor, prodhimi dhe shitjet totale të automjeteve elektrike janë rritur me 1.8 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë periudhë, shitjet e automjeteve elektrike kapin 11 për qind të totalit të shitjeve.

blank

Associated Press: A është faji i Rusisë që Evropa ka mungesë të gazit natyror?

Zjarri shihet pranë një pusi prej ku nxirret gazi natyror në Dakotën Veriore në SHBA, 26 gusht, 2021.

RFE/RL

Evropa ka mungesë të gazit natyror dhe rezervat janë jashtëzakonisht të vogla. Dimri i ftohtë mund të nënkuptojë që situata të përkeqësohet dhe faturat për energji të rriten, duke ua vështirësuar edhe më shumë situatën njerëzve të zakonshëm dhe duke rënduar edhe rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia e koronavirusit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka premtuar se do të ndihmojë që të mbushen stoqet evropiane me gaz teksa po rriten çmimet e energjisë – por furnizimet me gaz dhe tensionet politike po vazhdojnë të sfidojnë tregjet e energjisë, duke bërë që çmimet të mbeten të larta. Kjo ka bërë që bizneset të rrisin çmimet për konsumatorët, të cilët tashmë po përballen me rritjen e çmimeve të shërbimeve të tjera.

Moska akuzohet se po e përdor situatën e rënduar për të shtyrë përpara aktivizimin e gazsjellësit rus që kalon nën Detin Baltik: Rrjedha Veriore 2, që po pret miratimin e rregullatorëve gjermanë, e që është kritikuar nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera.

Me Evropën që varet nga importi i gazit dhe Rusinë që furnizon 40 për qind apo më shumë të këtyre importeve, Putin ka thënë se gazsjellësi i ri është i mbushur me gaz dhe do të mund të ndihmojë në rritjen e furnizimeve “një ditë”, pasi të jetë miratuar nga rregullatorët gjermanë.

Si u përfshi Evropa në këtë situatë?

Arsyet janë të shumta. Arsyeja numër një është dimri i ftohtë që shteroi rezervat me gaz, që përdoren për të gjeneruar energji elektrike dhe zakonisht rimbushen në verë. Por kjo gjë nuk ndodhi gjatë këtij viti.

Moti i nxehtë bëri që të shteroheshin rezervat e gazit më shumë sesa zakonisht, për shkak të kërkesës së shtuar për ajër të kondicionuar. Më pak erë nënkuptoi që do të kishte më pak prodhim të energjisë së ripërtërishme, duke bërë që gjeneratorët të funksiononin më shumë me karburante të gazit. Furnizimet e kufizuara të gazit të lëngshëm natyror, një opsion më i kushtueshëm që transportohet me anije dhe jo përmes tubacioneve të gazit, u blenë nga konsumatorët në Azi.

Për më tepër, Evropa, për vite me radhë, është fokusuar më shumë në kontrata të blerjes së gazit me çmime ditore, në vend të kontratave afatgjate. Gjiganti i gazit, që kontrollohet nga shteti rus, Gazprom, ka përmbushur kërkesat për kontratat afatgjate, por nuk ka dërguar gaz përtej kërkesave të përshkruara në kontratë. Putin ka thënë se konsumatorët që kanë kontrata të tilla, do të paguajnë shumë më pak për gaz sesa blerësit e tjerë.

Çmimet ishin shtatë herë më të larta në fillim të tetorit krahasuar me fillimin e këtij viti dhe, së voni, janë rritur edhe katër herë më shumë.

Çfarë roli ka gazsjellësi Rrjedha Veriore 2?

Gazpromi ka investuar miliarda dollarë për të ndërtuar tubacionin e gazit me gjatësi 1,234 kilometra deri në Gjermani. Ky gazsjellës do t’i mundësonte Rusisë që t’i shiste direkt gaz një konsumatori të madh dhe ta shmangte tubacionin e gazit përmes Ukrainës. Kjo e fundit po përballet me presion të madh nga Rusia prejse Moska aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët në Ukrainë.

Edhe para armiqësive të vitit 2014, Moska kishte nisur përpjekjet për të diversifikuar rrugët e furnizimeve me gaz për në Bashkimin Evropian, duke thënë se sistemi ukrainas ishte i shkatërruar dhe se për për këtë arsye gazi humbte në tubacione.

Ukraina mund të humbë dy miliardë dollarë në vit që i merr si tarifa të transitit. Ajo dhe Polonia, që është një prej rrugëve të tjera të gazsjellësit, fuqishëm po e kundërshtojnë gazsjellësin Rrjedha Veriore 2. Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera gjithashtu e kanë kritikuar fuqishëm, duke thënë se ky projekt do të rrisë varshmërinë e Evropës ndaj Rusisë, sa i përket energjisë.

Disa analistë kanë thënë se ata nuk presin që Rrjedha Veriore 2 do të aktivizohet gjatë këtij dimri. Ka pasur spekulime se Evropa mund të lejojë aktivizimin e këtij gazsjellësi derisa rregullatorët të marrin një vendim për këtë projekt ose ndoshta një gjë e tillë mund të ndodhë nëse Rusia dërgon më shumë gaz përmes Ukrainës.

A ka Rusia furnizime të tjera të gazit?

Gazpromi thotë që jo. Shefja për eksport e kësaj kompanie, Elena Burmistrova, ka deklaruar: “Ne nuk jemi të interesuar as për çmime rekorde të ulëta apo të larta”, duke shtuar se “ne duam të shohim një treg të balancuar mirë dhe të parashikueshëm”.

Të paktën disa analistë pajtohen me këtë gjë.

Thomas O’Donnell, një analist i energjisë dhe gjeopolitikës në shkollën Hertie të Berlinit, thotë se Rusia është dashur që të mbushë rezervat e saj të gazit – ashtu si BE – pas një dimri të ftohtë.

Përderisa Putin po e shijon rolin e tij si “kumbar i gazit” dhe ka shfrytëzuar mungesën e gazit për të bërë presion që të miratohet aktivizimi i Rrjedhës Veriore 2, “realiteti është që… thjesht, nuk ka pasur gaz rezervë rus për të eksportuar, derisa Rusia të përfundojë mbushjen e stoqeve të saj të gazit për përdorim të brendshëm për dimër”, thotë O’Donnell, i cili shkruan për globalbarrel.com. “Kumbari bëri blof”, shton ai.

O’Donnell thotë se mënyra e vetme që Rusia të ndihmojë në kompensimin e mungesës me gaz këtë dimër, do të ishte që të dërgonte më shumë gaz përmes Ukrainës – duke supozuar që Gazpromi është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë.

Putin e ka urdhëruar Gazpromin që të dërgojë gaz në depot evropiane, pasi Rusia përfundoi mbushjen e rezervave të saj javën e kaluar, por sasia e gazit që Rusia mund të dërgojë, sipas O’Donnellit, është “e kufizuar”.

“Ai do të mund të merrte më shumë vëmendje nëse do të ndihmonte më shumë”, thotë O’Donnell.

Zyrtarët amerikanë pajtohen.

“Rusia mund dhe duhet të ofrojë furnizime shtesë përmes Ukrainës, shtet që ka kapacitete të mjaftueshme të tubacioneve dhe atyre nuk iu duhet Rrjedha Veriore 2 për një gjë të tillë”, thotë Karen Donfried, zyrtare e lartë amerikane për Evropë.

“Dhe nëse Rusia dështon ta bëjë një gjë të tillë, natyrisht se kjo do ta dëmtojë sigurinë energjetike të Evropës”, shton ajo.

Duke nënvizuar varësinë e Evropës nga gazi rus, Putini dhe Gazpromi mund të shpresojnë për rregullativa më të favorshme të tregut në BE për projektin Rrjedha Veriore 2, thotë O’Donnell.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 është përballur me një sfidë të re, pasi, më 16 nëntor, rregullatorët gjermanë pezulluan procesin e miratimit, për shkak të një problemi me statusin e operatorit sipas ligjit gjerman.

Çfarë ndikimi mund të ketë mungesa e gazit që ka Evropa?

Çmimet e gazit natyror, herët ose vonë, do të reflektojnë në tarifat e qytetarëve dhe bizneseve që merren me energji elektrike dhe gaz.

Komisioni Evropian tha se ngritja e çmimit të energjisë do të pengojë rimëkëmbjen nga pandemia, për shkak se faturat më të shtrenjta do të bëjnë që konsumatorët të mos shpenzojnë për gjëra të tjera dhe bizneset nuk do të bëjnë investime.

Gjendja në tregun evropian ka ndikuar edhe në ngritjen e çmimeve edhe në SHBA, edhe pse gjendja me rritjen e çmimeve në tregun amerikan nuk është aspak afër shkallës së rritjes së çmimeve që ka ndodhur në Evropë.

Çfarë do të thotë kjo për dimrin?

Analistët kanë thënë se kjo është vështirë të parashikohet. Të gjithë shpresojnë se nuk do të ketë dimër të ashpër që do të mund të kërcënonte furnizimet.

Analistët kanë spekuluar se energjia elektrike mund të racionohet – ndoshta për disa konsumatorë industrialë në fillim – nëse situata rëndohet.

Një apokalips energjetik – një humbje totale e energjisë elektrike ose e ngrohjes, nëse rezervat e gazit bien në zero dhe nuk mund të zëvendësohen – me gjasë do të mund të çonte në vdekjen e njerëzve, veçmas atyre të varfër, ashtu siç ndodhi më herët gjatë këtij viti në Teksas, kur një stuhi dimërore shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike, që çoi në vdekjen e më shumë se 200 personave.

Po kërcënimi i Bjellorusisë për të ndërprerë furnizimet me gaz?

Polonia dhe shtetet e tjera të BE-së e kanë akuzuar liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, se po tenton të përdorë mirgrantët, duke i çuar drejt BE-së përmes kufijve mes Bjellorusisë dhe Polonisë, për t’u hakmarrë ndaj sanksioneve që blloku evropian ka vendosur ndaj Bjellorusisë, për shkak të shtypjes së protestave.

Teksa BE-ja e ka kërcënuar me më shumë sanksione, Lukashenka ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimet me gazin rus që kalon përmes Bjellorusisë për në BE.

Edhe pse deklarata e tij tronditi edhe më shumë tregjet, ka pak gjasa që Lukashenka të arrijë ta jetësojë këtë kërcënim, marrë parasysh varësinë e tij politike ndaj Rusisë dhe dëshirën e Moskës që të mbajë reputacionin e një furnizuesi të besueshëm.

Valery Karbalevich, një analist i pavarur politik bjellorus, hedh poshtë kërcënimin e Lukashenkas.

“Vendimet merren në Moskë e jo në Minsk”, thotë ai.

“Lukashenka dëshiron që ta frikësojë BE-në dhe ta nxjerrë Putinin në konfrontim, duke u përpjekur që ta provokojë Kremlinin që të ndërmarrë veprime më radikale”, shton Karbalevich.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend