VOAL

VOAL

Mbërrin në Kosovë ambasadori i ri i SHBA, Greg Delawie

August 21, 2015

Komentet

Refuzimi i gazit rrezikon partneritetin e Kosovës me SHBA-në, paralajmëron Oda Amerikane

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një kompani për eksportin e LNG-së në Luiziana më 2019. Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehu shqetësim për “mungesën e vazhdueshme të konsideratës” nga Qeveria në detyrë e Kosovës karshi thirrjeve të Qeverisë amerikane për përfshirjen e vendit në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG), duke paralajmëruar se një shpërfillje e thirrjeve amerikane mund të ketë ndikim në partneritetin mes dy vendeve.

“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”, u tha në reagimin e OEAK-ut më 17 qershor.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti ka shprehur më shumë interesim për “gazifikimin e qymyrit” vendor.

“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, ka deklaruar më herët Kurti.

Gazifikimi i qymyrit nënkupton procesin industrial ku qymyri shndërrohet në gaz të djegshëm, të quajtur gaz sintetik, i cili më pas mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se është shqetësues fakti që të gjitha shtetet e tjera të rajonit kanë shprehur zotim që të bëhen pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, “e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, tha OEAK-u.

Kjo odë tha se Kosova varet për prodhim të energjisë nga kapacitete të vjetruara gjeneruese – duke iu referuar dy termocentraleve të vjetra me qymyr, Kosova A dhe Kosova B ku prodhohet rreth 90 për qind e energjisë – dhe nga importet e mëdha të energjisë. Prandaj, sipas kësaj ode, qasja në LNG-në amerikane përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe “një zgjedhje strategjike”.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, tha OEAK-u.

Kjo thirrje e OEAK-ut vjen pasi nga Ambasada amerikane në Prishtinë vazhdimisht së voni po bënë thirrje për përfshirjen e Kosovës në projektin e LNG-së amerikane.

E ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati, tha në fillim të qershorit se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji dhe citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, se vendi ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.

Këto të dhëna tregojnë një rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.

Sipas Prattipatit, në një të ardhme të afërt, teksa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten Kosova, do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.

Prattipati, në opinionin e publikuar në mediat lokale, gjithashtu e citoi të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, i cili tha për Radion Evropa e Lirë më 10 maj se “sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane”, dhe se “Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.

“Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën”, shkroi Prattipati.

Së voni, disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit.

Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

Kosovë- Epoka 27-vjeçare e ujit falas në veri drejt fundit

Nadije Ahmeti

Për gati tri dekada, uji në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është konsumuar pa u faturuar. Tani, kjo praktikë e gjatë po shkon drejt fundit.

Banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit pritet që gjatë këtij viti të hyjnë për herë të parë në sistemin e rregullt të pagesës.

Kjo do të shënojë një kthesë të rëndësishme për një shërbim që për vite ka funksionuar jashtë rregullave të zakonshme të pagesës, duke krijuar rreth 20 milionë euro detyrime të pambledhura, sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”.

Por, çfarë do të ndodhë me borxhin e akumuluar ndër vite?!

Njëzet e shtatë vjet pa faturë

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, banorët e katër komunave janë furnizuar me ujë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, por pa asnjë mekanizëm faturimi.

Sipas të dhënave të kompanisë, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, vetëm nga viti 2016 deri në vitin 2025, vlera e ujit të shpenzuar ka arritur mesatarisht rreth 900 mijë euro në vit, ndërsa në disa periudha ka kaluar edhe mbi 1 milion euro.

Viti Shpenzimet Subvencionet
2016 815.912 816.658
2017 891.987 987.000
2018 1.031.978 580.000
2019 1.111.248 1.048.929
2020 1.007.244 700.00
2021 855.878 691.029
2022 846.221 340.000
2023 897.108 Nuk ka të dhëna
2024 981.208 Nuk ka të dhëna
2025 959.868 Nuk ka të dhëna

Shpjegimi për këtë situatë nuk lidhet me një faktor të vetëm.

Pas luftës, veriu i Kosovës – i banuar kryesisht nga komuniteti serb – ka funksionuar për vite me struktura paralele dhe lidhje më të forta me institucionet e Serbisë sesa me ato të Kosovës.

Edhe pse furnizimi është kryer nga KRU “Mitrovica”, mungesa e kontrollit efektiv në terren dhe mosfunksionimi i plotë institucional kanë bërë që të mos vendoset asnjëherë një sistem i rregullt i faturimit dhe inkasimit.

Në vend të pagesës nga qytetarët, kostoja është mbuluar nga buxheti i shtetit përmes subvencioneve.

Fillimi i ndryshimit

Në fillim të vitit të kaluar, KRU “Mitrovica” nënshkroi marrëveshje me kryetarët e atëhershëm të katër komunave veriore për fillimin e procesit të faturimit dhe inkasimit të ujit.

Sipas Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), faturimi fillimisht ishte planifikuar të niste në tre muajt e parë të këtij viti.

Por, nga vetë KRU “Mitrovica” konfirmohet se procesi është shtyrë dhe pritet të fillojë në fund të vitit 2026.

Arsyeja kryesore lidhet me mungesën e stafit të rekrutuar dhe organizimin e shërbimit në terren.

“Kompania ka hapur konkurse ku kanë aplikuar 500 persona. Janë punësuar 44 qytetarë serbë, të cilët tashmë janë në proces të integrimit në sistemin teknik, komercial dhe financiar”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për Radion Evropa e Lirë.

Pas kësaj faze bëhet e ditur se do të nisë edhe regjistrimi i konsumatorëve, fushata informuese dhe instalimi i ujëmatësve.

ARRU-ja ka përcaktuar tashmë tarifat që do të vlejnë edhe për veriun: 0.53 euro për metër kub për konsumatorët shtëpiakë dhe 0.69 euro për ata komercialë dhe institucionalë, pa TVSH.

Sipas rregullatorit, këto tarifa janë të njëjta për gjithë zonën e shërbimit të KRU “Mitrovica”, e cila përfshin Mitrovicën e Jugut, Skenderajn, Vushtrrinë dhe katër komunat veriore.

Të gatshëm për të paguar, por kërkojnë transparencë

Në terren, reagimet e qytetarëve janë të ndryshme, por jo refuzuese.

Disa banorë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se janë të gatshëm të paguajnë faturat, por kërkojnë qartësi dhe informim paraprak.

“Është normale të paguash. Në çdo vend normal faturat duhet të paguhen”, thotë Andrija Todoroviq.

Ai shton se është i vetëdijshëm që faturat do t’i lëshojë Kosova, duke kujtuar se edhe energjinë elektrike e paguan përmes kompanisë serbe Elektrosever, e cila ka licencë për operim në Kosovë.

“Ne kemi edhe letërnjoftime të Kosovës, prandaj është normale të paguajmë edhe faturat”, shton Todoroviq.

Bashkëvendasja e tij, Ollga Nikolliq, thotë se ka ardhur koha që kjo të ndryshojë.

“Është koha të fillojmë të paguajmë”, thotë ajo.

Dragani, në anën tjetër, nuk është kundër pagesës së faturave, por thotë se askush nuk i ka informuar për kushtet sipas të cilave do të llogaritet uji i shpenzuar, as se cila kompani do të jetë përgjegjëse për këtë.

“Asgjë nuk është transparente. Ne nuk jemi kundër pagesës, por dikush duhet të na informojë se kujt duhet t’i paguajmë”, thotë ai.

Hap drejt barazisë dhe shërbimeve më cilësore

Ekspertët e sektorit të ujërave e shohin faturimin si një hap të domosdoshëm drejt normalizimit të sistemit.

Afrim Lajçi thotë se kjo pjesë e vendit ka funksionuar jashtë rregullave të sistemit të Kosovës për një kohë të gjatë.

Sipas tij, përfshirja në sistemin e faturimit sjell barazi dhe përmirësim të shërbimeve.

“Përfitimet do të jenë të dyanshme, pasi faturimi pritet të sjellë shërbime më cilësore për qytetarët, por edhe t’i vendosë ata në një pozitë të barabartë me pjesën tjetër të vendit. Në këtë mënyrë, ata nuk do të trajtohen më ndryshe në aspektin e shërbimeve publike, por njësoj si qytetarët e Mitrovicës së Jugut dhe të gjithë Kosovës”, thotë Lajçi për Radion Evropa e Lirë.

Skender Bublaku vlerëson se të hyrat e reja do ta forcojnë financiarisht Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, duke mundësuar investime në infrastrukturë, zgjerim të shërbimeve dhe përmirësim të furnizimit me ujë në zonat që ende kanë qasje të kufizuar.

Kostoja që u mbulua nga shteti

Për gati tri dekada, uji i konsumuar në veri nuk është paguar nga qytetarët, por, deri në një masë, është mbuluar nga buxheti i shtetit.

Sipas të dhënave të KRU “Mitrovica”, nga viti 2016 deri më 2025, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar me rreth 5.2 milionë euro për këtë shërbim.

Analisti i politikave në Institutin për Studime të Avancuara – GAP, Bekim Salihu, thotë se subvencionimi i ujit mund të jetë parë si masë për të garantuar furnizimin dhe stabilitetin, por, sipas tij, ky model nuk është dashur të vazhdojë për kohë kaq të gjatë, sepse ka krijuar standard të dyfishtë.

“Mesazhi për paguesit e rregullt ka qenë demotivues dhe ka dëmtuar kulturën e pagesës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën të ditur se, deri më tani, nuk ka pranuar ankesa për këtë çështje, por edhe ai e konsideron të ndjeshme nga aspekti i barazisë dhe diskriminimit.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë shkurtimisht se, në rast se sigurohen informata relevante ose paraqiten ankesa që kërkojnë trajtim, do të veprojë në përputhje me mandatin e tij.

Çfarë ndodh me borxhin 20 milionësh?

Një nga pikat më të paqarta mbetet trajtimi i borxhit të akumuluar ndër vite.

KRU “Mitrovica” thotë se faturimi do të nisë nga zeroja, ndërsa për borxhin e vjetër prej rreth 20 milionë eurosh “do të vendoset në të ardhmen”.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e transparencës mund të krijojë perceptim të një amnistie të heshtur.

“… prandaj, qeveria duhet të publikojë shifrat reale dhe të gjejë një skemë tranzitore, të moderuar e të zbatueshme, për trajtimin e borxhit”, thotë Salihu.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të kërkohet të shlyhet edhe borxhi i grumbulluar.

Paralelja me rrymën: Një precedent i njohur

Rasti i ujit ngjan me atë të energjisë elektrike në veri, e cila për vite nuk është paguar dhe është mbuluar nga institucionet dhe qytetarët e tjerë të Kosovës.

Situata ndryshoi vetëm në vitin 2024, kur furnizimi dhe faturimi kaluan te kompania serbe Elektrosever, e licencuar në Kosovë, pas disa marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

SHBA-ja paralajmëron “përshtatje të kontributit” në KFOR

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it.

 

Valona Tela

Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, në kuadër të një procesi më të gjerë të rishikimit të pranisë ushtarake të Aleancës në vend.

Një zyrtar i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi bazohet në rishikimin vjetor të bërë nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), e cila rekomandoi përshtatjen e trupave në terren.

“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë, NATO-ja do të optimizojë pozicionimin e Forcës së Kosovës (KFOR). Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje – në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut – të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me këtë rishikim të udhëhequr nga SHAPE”, tha zyrtari i EUCOM-it për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë misionin një komponent kyç të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, pa dhënë detaje për natyrën apo përmasën e ndryshimeve të mundshme.

NATO: Prani më e vogël graduale në KFOR

Javën e kaluar, NATO-ja njoftoi se do ta zvogëlojë gradualisht praninë e saj në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha, përmirësimit të situatës së sigurisë.

Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga selia e Aleancës në Bruksel për treguesit konkretë që mbështesin këtë vlerësim, veçanërisht në veri të Kosovës, ku situata mbetet e brishtë.

Në përgjigje, një zyrtar i NATO-s tha se Aleanca nuk komenton çështje operative apo të inteligjencës, por theksoi se situata në terren monitorohet vazhdimisht dhe nga afër përmes mjeteve të ndryshme, për të siguruar që misioni mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga mbi 4.600 trupa nga 31 vende.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe ministritë e Mbrojtjes në Itali dhe Hungari – dy nga kontribuueset kryesore në KFOR, krahas SHBA-së – për të mësuar nëse planifikojnë rishikim të forcave të tyre, por nuk mori përgjigje.

As Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Në një aktivitet javën e kaluar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova ka ushtri të fortë dhe polici të aftë dhe se, së shpejti, do të ketë edhe xhandarmëri, me synim garantimin e paqes, stabilitetit dhe avancimin drejt integrimit në NATO dhe BE.

KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, si reagues i dytë.

Misioni është përgjegjës për sigurinë përgjatë kufirit me Serbinë, ndërsa në pjesët e tjera të vijës kufitare përgjegjësinë e ka Policia e Kosovës.

Debati për praninë amerikane në Kosovë dhe më gjerë

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it – një ulje e ndjeshme krahasuar me mbi 5.000 trupat e vendosura në vitin 1999, kur misioni u krijua pas përfundimit të luftës.

Që nga ajo kohë, SHBA-ja ka edhe kampin Bondsteel pranë Ferizajt, që konsiderohet baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.

Debati për rishikimin e mundshëm të pranisë amerikane në Kosovë nisi qysh në fillim të vitit të kaluar, kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Gjatë një vizite në Varshavë atëkohë, Hegseth tha se e ardhmja e pranisë amerikane do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike të SHBA-së.

Megjithatë, një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes tha për Radion Evropa e Lirë asokohe se nuk ka ndryshime në pozicionimin aktual të forcave amerikane.

Po ashtu, në shkurt të këtij viti, gazeta amerikane Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se SHBA-ja është duke kërkuar nga Aleanca që të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.

Edhe atëherë, një zyrtar i Pentagonit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndryshime në dislokimin e forcave amerikane.

Sipas Komandës Evropiane të SHBA-së, numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë është luhatur mes 75.000 dhe 105.000 që nga viti 2022.

Prej tyre, rreth 63.000 janë të dislokuara në mënyrë të përhershme, ndërsa pjesa tjetër shërben me rotacion.

Numri më i madh i trupave amerikane – mbi 35.000 – ndodhet në Gjermani, ku gjendet edhe baza ajrore Ramstein, me mbi 16.000 ushtarakë, civilë dhe kontraktorë.

Në fillim të majit, SHBA-ja njoftoi tërheqjen e 5.000 trupave nga Gjermania brenda 6-12 muajve të ardhshëm.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se vendimi pasqyron nevojat operacionale dhe situatën në terren.

“Reduktimi i SHBA-së në KFOR do të ishte destabilizues”

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, i publikuar në fund të muajit të kaluar, e përshkroi praninë e SHBA-së në KFOR si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

Analisti Mark Montgomery, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo reduktim i pranisë amerikane në KFOR do të ishte “shumë destabilizues”, pasi do ta largonte SHBA-në nga “pika më e mundshme e tensioneve” – kufiri Kosovë-Serbi – dhe do të dërgonte sinjal se Uashingtoni po tërhiqet nga roli i sigurisë.

Ai shton se SHBA-ja është thelbësore për suksesin e KFOR-it dhe se diskutimet për ndryshime në politikën ndaj Kosovës janë “shqetësuese”, pasi mund të dobësojnë parandalimin dhe të nxisin Serbinë të testojë vendosmërinë e SHBA-së dhe të Evropës.

Montgomery thekson se ruajtja e niveleve aktuale të trupave amerikane në KFOR është një masë me kosto të ulët, por me rëndësi të lartë strategjike, ndërsa çdo zvogëlim do të sillte, sipas tij, “kohë më të vështira” për Kosovën dhe rajonin.

“Pa asnjë zëvendësim logjik për Shtetet e Bashkuara në këtë rast, ka shumë gjasa që kushtet të destabilizohen më tej nëse SHBA-ja bën një hap prapa”, thotë Montgomery.

Ai shton se Kosova duhet ta forcojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara duke thelluar bashkëpunimin ekonomik, duke avancuar pavarësinë energjetike dhe duke lobuar vazhdimisht për një rol të qëndrueshëm dhe të fuqishëm amerikan në KFOR. Në të njëjtën kohë, ai thekson se vendi duhet të zgjidhë bllokadën e brendshme politike dhe të dëshmojë stabilitet institucional dhe qeverisje demokratike.

Pesë të arrestuar në aksionin për krime lufte në Reçak

Fotografi nga aksioni i sotshëm, e publikuar nga institucionet e sigurisë.

 

Radio Evropa e Lirë

Pesë persona janë arrestuar të dielën gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, gjatë operacionit janë realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për identitetin e të arrestuarve apo veprat konkrete për të cilat dyshohen, ndërsa kanë paralajmëruar se më shumë informacione do të bëhen të ditura në një konferencë për media që do të mbahet më vonë.

Rasti “Reçaku II” lidhet me hetimet për krime lufte që rrjedhin nga ngjarjet në fshatin Reçak të Shtimes gjatë luftës në Kosovë.

Më herët, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.

Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale e ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Kjo masakër shtyri NATO-n t’i niste bombardimet për t’i dhënë fund luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë, dhe përfundimisht pavarësimit të vendit disa vite pas çlirimit.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

NATO-ja thotë se do ta zvogëlojë praninë në Kosovë, sheh përmirësim të situatës së sigurisë

Radio Evropa e Lirë

Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich, tha se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) gradualisht do të përshtatë forcën për mbështetjen e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha ai, përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.

“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Grynkewich përmes një njoftimi më 12 qershor. “Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua me pyetje NATO-s për të mësuar se për çfarë shkalle të zvogëlimit të trupave bëhet fjalë.

Një zëdhënës nga Selia Supreme e Forcave Aleate në Evropë tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje “nuk ka të bëjë me numrat [e trupave], por me optimizim, ka të bëjë me ofrimin e sigurisë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe më gjerësisht, të rajonit”.

Lidhur me njoftimin e 12 qershorit të NATO-s, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar koment edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.

Ndërkaq, pyetje janë dërguar edhe në Departamentin amerikan të Mbrojtjes* për të kuptuar qëndrimin e SHBA-së për këtë vendim dhe nëse trupat amerikane do të jenë pjesë e planifikimeve të NATO-s për përshtatje të forcës në KFOR.

Muajt e fundit ka pasur raportime dhe diskutime për mundësinë që SHBA-ja të rishqyrtojë praninë e trupave të saj në misionet e NATO-s, përfshirë në KFOR.

Megjithatë, Pentagoni i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të vendosjes së forcave amerikane.

Radio Evropa e Lirë mëson se numri i trupave të KFOR-it pritet që gjatë vitit të ardhshëm të rikthehet në nivelet e para vitit 2023.

Në atë vit, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, aleanca kishte bërë dislokimin e afër 1.000 trupave shtesë në Kosovë.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999 në vend. Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar në atë vit, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë rreth 4.600 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga shtete të ndryshme.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX. Ky mision paqeruajtës po ashtu ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

Në njoftimin e NATO-s – që vjen në përvjetorin e 27-të të hyrjes së trupave të saj në Kosovë, pas fushatës ajrore të aleancës mbi caqet serbe – u tha se situata e sigurisë ka vazhduar që të përmirësohet në vitet e fundit. Për këtë arsye, në janar NATO-ja ndaloi dislokimin e forcave rezervë në KFOR pas pothuajse dy vjetësh të rotacionit të vazhdueshëm.

“Teksa situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht stabile, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it dhe gradualisht do të përshtatë forcën e tij aktuale gjatë vitit të ardhshëm”, u tha në njoftimin e aleancës ushtarake perëndimore.

Ndryshimet do të ndodhin gradualisht në përputhje me kushtet në terren dhe ato mund të zhbëhen, nëse është e nevojshme, tha NATO.

Aleanca ushtarake perëndimore kujtoi se kishte rritur numrin e dislokimeve për pothuajse 1.000 trupa shtesë pas tensioneve dhe dhunës më 2023, përfshirë edhe “sulmeve të pajustifikuara ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan”. Ky dislokim, sipas NATO-s, ishte më i madhi në mbi një dekadë.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime pas përleshjes me protestuesit serbë, të cilët po kundërshtonin marrjen e detyrës të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Deri më tani, për dhunën në Zveçan janë dënuar disa persona.

Përveç ofrimit të sigurisë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, KFOR-i ka edhe rol në ofrimin e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Përmes një zotimi të vitit 2013, Kosova nuk mund të dërgojë Forcën e Sigurisë së Kosovës – që është në proces të transformimit në ushtri – në veri, pa pëlqimin paraprak të misionit të KFOR-it.

Ky angazhim ishte dhënë përmes një letre që ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ai mbetet në fuqi sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

NATO tha po ashtu se vazhdon të mbështesë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian – duke u bërë thirrje palëve që të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

“Kjo është kyç për siguri afatgjatë në Kosovë dhe stabilitet në rajon”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Gjenerali Grynkewich po ashtu tha se NATO-ja është e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor, të cilin e cilësoi si rajon me rëndësi strategjike për aleancën, siguria e të cilit, sipas tij, lidhet direkt me sigurinë e zonës euroatlantike, duke shtuar se NATO nuk do të lejojë që të ketë vakum të sigurisë”.

*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025, duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë.

Planet e KQZ-së: Rezultatet përfundimtare më 26 qershor, certifikimi i tyre më 6 korrik

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës t’i shpallë më 26 qershor, ndërkaq certifikimin e tyre ta bëjë deri më 6 korrik.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë të mbajtur pasditen e 8 qershorit, tha se këto dy data janë vetëm planifikime nga ana e institucionit, pasi shpallja e rezultateve dhe certifikimi i tyre, ndër tjera, varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët për procesin.

“Krejt kjo varet nga ecuria e aktiviteteve, dinamika e aktiviteteve që zhvillohen në këto qendra [Qendrat komunale të Numërimit]. Gjithashtu, mes shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe certifikimit ka një proces ankimor, i cili duhet të zhvillohet në institucione të ndryshme siç është PZAP-ja [Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtres] dhe Gjykata Supreme”, tha ai.

Video: Hapat drejt institucioneve të reja të Kosovës

Elezi njoftoi se, nga 38 komunat, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë paraditen e së hënës ka nisur në 15 sosh: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

“Ndërkaq, pasdite aktivitetet do të fillojnë në Qendrat Komunale të 23 komunave të tjera”, shtoi ai.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë pritet të përmbyllet brenda disa ditësh.

Deri më tani, numërimi i votave të rregullta është përmbyllur – pasi ai bëhet në klasa menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve – brenda disa orësh pas përfundimit të votimit. Tani, KQZ-ja bën verifikimin e votave për partitë, paralelisht me numrin e votave për kandidatët.

Ndërkaq, pritet po ashtu që të numërohen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe të diasporës – ato nga përfaqësitë diplomatike dhe me postë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, për të votuar përmes postës ishin regjistruar 104 mijë e 480 votues, derisa në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovë kanë votuar 22 mijë e 414 nga 27 mijë e 724 shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Por, derisa numri i atyre që votuan në përfaqësitë diplomatike dihet, për votuesit që zgjodhën ta dërgojnë votën me postë, zëdhënësi i KQZ-së tha se duhet të pritet verifikimi i zarfeve që kanë mbërritur në Kosovës nga jashtë.

Sipas Elezit, ende nuk janë pranuar të gjitha pakot andaj edhe nuk kanë të dhëna përfundimtare për numrin e fletëvotimeve.

Ai tha se, pas tërheqjes së fletëvotimeve nga votimi me postë, do të verifikohet nëse ato janë dërguar nga votuesit e regjistruar.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve nga këto lloje të votimit, KQZ-ja do të bëjë skanimin e listave të votuesve, të cilat janë përdorur në vendvotime. Ky skanim e ndihmon KQZ që të verifikojë nëse ka ndonjë rast të votimit të dyfishtë”.

Elezi bëri të ditur po ashtu se nga 52 vendvotime me kusht në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar 8 mijë e 751 të regjistruar. Kurse, në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta të regjistruar kanë qenë 3 mijë e 144 votues.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave.

Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që së voni ka vendosur të njihet me emrin Aleanca – me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.

Këto ishin zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë. Votimet e 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura e kaluar nuk arriti të kishte konsensus për zgjedhjen e presidentit brenda afateve kushtetuese.

Sot zgjedhjet parlamentare në Kosovë- KQZ: Mbi 2 milionë votues të regjistruar, 22 mijë të rinj votojnë për herë të parë

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lista e votuesve përfshin 2.092.174 shtetas, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Nga ky numër, 1.959.962 qytetarë votojnë brenda Kosovës, ndërsa 132.212 janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.

KOSOVË– Kosova sot shkon në zgjedhje të parakohshme, pasi politika dështoi të zgjidhte presidentin e ri. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, këto janë zgjedhjet e treta për Kuvendin e Kosovës brenda 16 muajve.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lista e votuesve përfshin 2.092.174 shtetas, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Nga ky numër, 1.959.962 qytetarë votojnë brenda Kosovës, ndërsa 132.212 janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.

KQZ bën të ditur se 22.685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Procesi zhvillohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime, ndërsa diaspora ka votuar një ditë më parë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës./Dosja.al

KQZ-ja vazhdon të mbështetet te Britania për platformën e rezultateve zgjedhore

Valbona Bytyqi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) do të vazhdojë të mbështetet tek Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për mirëmbajtjen dhe sigurinë e platformës online për publikimin e rezultateve zgjedhore, e cila do të përdoret edhe për zgjedhjet e 7 qershorit.

Platforma, përmes së cilës publiku do të mund të përcjellë në kohë reale rezultatet preliminare pas mbylljes së procesit të votimit dhe nisjes së numërimit të votave, u zhvillua vitin e kaluar me mbështetje britanike dhe do të përdoret sërish në këtë proces zgjedhor.

Komisioni kishte hasur në telashe të mëdha me platformën në të kaluarën, si për shembull në zgjedhjet e shkurtit 2025, kur serveri dhe ueb-faqja zyrtare binin vazhdimisht në ditën e zgjedhjeve.

Ambasada britanike në Prishtinë thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se – derisa vitin e kaluar ndihmoi në zhvillimin e softuerit të ri për tabelimin dhe publikimin e votave – në zgjedhjet e kësaj të diele do ta mbështesë komisionin në përdorimin e tij.

Ajo shton se kjo po bëhet përmes një projekti të financuar nga Qeveria britanike, derisa softueri është zhvilluar nga një kompani ndërkombëtare me seli në Angli, në bashkëpunim me një kompani lokale të Teknologjisë Informative në Kosovë.

“Kjo organizatë (BAE Systems Digital Intelligence) ka kryer gjithashtu testime të infrastrukturës IT të sistemeve me qasje të jashtme dhe do të ofrojë monitorim të avancuar gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me qëllim mbrojtjen nga sulmet kibernetike që ndodhin gjatë zgjedhjeve”, thekson Ambasada britanike.

Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike, thotë se KQZ-ja duhet të investojë që të mos ketë probleme me platformën, qoftë me numërimin e votave, qoftë në publikimin e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që sistemi të jetë i qasshëm pikërisht në kohën e publikimit të rezultateve. Platforma duhet të përballojë një numër të madh vizitash njëkohësisht dhe të bllokojë sulmet eventuale”, thotë ai.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha se platforma e rezultateve është pronë e komisionit zgjedhor dhe “paraqet një komponent të rëndësishëm të infrastrukturës sonë zgjedhore”.

Sipas tij, tani Qeveria britanike është duke e mbështetur KQZ-në aspektin e mirëmbajtjes dhe avancimit të funksionaliteteve të platformës.

Mbështetja britanike ka ndikuar në rritjen e transparencës, besueshmërisë dhe sigurisë së procesit zgjedhor, sipas Elezit, i cili iu referua raportit të KQZ-së të vitit të shkuar, që u dërgua në Kuvendin e Kosovës.

As Ambasada britanike e as KQZ-ja nuk treguan se cila është vlera financiare e realizimit të këtij projekti, duke thënë se ai nuk ka “kosto specifike për KQZ-në”.

Ndërkohë, sipas Elezit, platforma online e KQZ-së do të publikohet gjatë fundjavës.

“Në platformën e KQZ-së do të publikohen të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në votime nga 911 Qendra të Votimit me gjithsej 2,498 vendvotime në të cilat zhvillohet votimi i rregullt si dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike, pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime”, deklaroi Elezi.

KQZ-ja thotë se synon të vazhdojë me zhvillimin dhe përmirësimin e platformës, me qëllim rritjen e transparencës, efikasitetit dhe qasjes së publikut në rezultatet zgjedhore.

Ndërkohë, Ambasada britanike shton se po shqyrtohen aktivitete të ardhshme në fushën e sigurisë kibernetike në Kosovë, përfshirë këtu edhe ato në mbështetje të “qëndrueshmërisë dhe rezistencës afatgjatë institucionale”.

“Çdo mbështetje e ardhshme do të shqyrtohet në këtë kontekst më të gjerë, krahas planeve të vetë institucioneve të Kosovës për mirëmbajtjen dhe forcimin e këtyre sistemeve”, thekson ajo.

Në shkurt të vitit të shkuar, rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme nuk ishin të qasshme për publikun, pasi platforma online e KQZ-së për disa orë ishte jashtë sistemit. Ajo u rikthye një ditë pas zgjedhjeve, por u përcoll me telashe të kohëpaskohshme.

Fetahaj thotë se vonesat në numërimin e votave dhe shfaqjen e rezultateve, shkaku i mosfunksionimit të duhur të platformës, ndikojnë në integritetin dhe besueshmërinë e procesit.

Ai thotë se, megjithëse platforma nuk është pika e vetme ku numërohen votat, sistemi duhet të funksionojë mirë që rezultatet të jenë sa më të shpejta, të sakta dhe të besueshme.

Kreu i Mitrovicës së Veriut ndalohet pas shkarravitjes në shenjën “E dua Mitrovicën”

Shenja “E dua Mitrovicën”, në Mitrovicën e Veriut, të banuar me shumicë serbe.

 

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës i ka ndaluar përkohësisht për t’i marrë në pyetje kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozhac, pasi ata u përpoqën ta mbulonin me ngjyrë të kuqe zemrën e gjelbër në shenjën “E dua Mitrovicën”, e cila ishte vendosur nga pushteti i mëparshëm i udhëhequr nga ish-kryetari shqiptar Erden Atiq.

Pasi u liruan, Radojeviq u tha gazetarëve se pushteti lokal vetëm po i zbatonte vendimet që kishte miratuar paraprakisht.

Policia e Kosovës njoftoi se kishte marrë informacion për largimin e shenjës “E dua Mitrovicën”, pas së cilës inspektorët komunalë ishin njoftuar se zbatimi i atij vendimi duhej të shtyhej derisa të merrej një vendim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila mbikëqyr komunat në vend.

Policia tha se në vendngjarje hasi edhe në kryetarin Radojeviq, i cili, pasi komandanti i stacionit policor e njoftoi për situatën, deklaroi: “Tani do ta ngjyrosim emblemën”.

“Pavarësisht kërkesës dhe urdhrit për të ndërprerë dëmtimin, përkatësisht ngjyrosjen e objektit publik, të pranishmit filluan ta ngjyrosnin atë, për çka zyrtarët policorë u detyruan të ndërhyjnë dhe t’i shoqërojnë në stacion policor dy persona”, thuhet në komunikatë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – u rikthye në pushtet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.

Deri atëherë, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku drejtoheshin nga kryetarë shqiptarë, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e largimit kolektiv nga institucionet e Kosovës me qëllim pengimin e zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, Lista Serbe kishte bërë thirrje dy herë për bojkotimin e zgjedhjeve, por më pas pranoi se largimi nga institucionet kosovare ishte gabim dhe, pasi u rikthye në pushtet, njoftoi se do t’i zhbënte të gjitha vendimet e marra nga pushteti i mëparshëm shqiptar.

Kështu, në fund të muajit maj, asamblistët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut votuan pro propozimit për largimin e shenjës “E dua Mitrovicën”.

Më parë, në atë vend ishte i vendosur një konstruksion me zemër të kuqe dhe mbishkrimin “E dua Mitrovicën e Kosovës”.

Ligji për Vetëqeverisjen Lokale në Kosovë nuk përcakton në mënyrë të qartë nëse një pushtet i ri komunal mund të shfuqizojë vendimet e pushtetit paraprak.

Megjithatë, në pjesën e ligjit që lidhet me mbikëqyrjen e ligjshmërisë, thuhet se nëse organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës – vlerëson se një vendim ose akt i komunës nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ai mund të kërkojë që komuna ta rishqyrtojë atë vendim ose akt.

Nëse organi komunal nuk i përgjigjet kërkesës për rishqyrtim, organi mbikëqyrës mund ta kontestojë aktin përkatës para Gjykatës Themelore kompetente për territorin e komunës brenda 30 ditëve nga mosmarrja e përgjigjes, nga refuzimi ose nga konfirmimi i vendimit apo aktit të kontestuar.

Gjykata mund të urdhërojë, përmes një mase të përkohshme, pezullimin ose shfuqizimin e vendimit apo aktit të kontestuar, si dhe masa të tjera të përkohshme në përputhje me ligjin në fuqi.

Pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025, Bashkimi Evropian deklaroi për Radion Evropa e Lirë se pret që autoritetet e reja komunale në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave të popullsisë përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjin.

Pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, me iniciativën e Listës Serbe, tensionet u rritën vazhdimisht si rezultat i përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë autoritetin në veri të vendit.

Gjendja u përshkallëzua në shtator të vitit 2023 kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter policor.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, për të cilin besohet se tani ndodhet në Serbi.

Kosova e fajëson Serbinë për përfshirje në këtë sulm, gjë që është mohuar nga ajo.

Fushata serbe në Kosovë mes Kurtit, Vuçiqit, protestave në Serbi…

Reklama zgjedhore të Listës Serbe në veri të Kosovës.

 

Sandra Cvetkoviq

Ndërsa Lista Serbe i cilëson si “referendum” zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është angazhuar në terren për t‘i bindur serbët e zhvendosur që të votojnë për këtë parti, të cilën e mbështet edhe Beogradi zyrtar.

E vetmja rivale e Listës Serbe në zgjedhje është Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, e cila, më 4 qershor, publikoi në rrjetet sociale një përmbledhje videosh nga protestat e studentëve antiqeveritarë në Serbi, me mesazhin: “Unë nuk dorëzohem dhe prandaj qëndroj”.

Muajin e kaluar, këta studentë kanë publikuar një memorandum, në të cilin thuhet se Kosova është “pjesë përbërëse e Serbisë”, duke nxitur reagime në publikun që i mbështet.

Në të njëjtin postim të partisë së Rashqit përmenden edhe marrëveshjet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe sugjerohet se mbyllja e institucioneve të Serbisë në Kosovë ka ardhur si pasojë e tyre.

Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicë të Veriut, vlerëson se këto mesazhe tregojnë se partitë nuk kanë ide të reja dhe se nuk u ofrojnë qytetarëve një vizion për dalje nga “situata shumë e vështirë në të cilën ndodhet sot komuniteti serb”.

“Shqetësues është sidomos fakti që kjo fushatë zhvillohet në kohën kur serbët në Kosovë, sipas mendimit tim, gjenden në pozitën më të rëndë institucionale që nga viti 1999”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, vlerëson se qasja e Serbisë është “ndërhyrje në procesin zgjedhor” dhe se “është shumë e dëmshme për jetën demokratike të serbëve në Kosovë”.

“Sjell çekuilibër në garën politike dhe demotivon iniciativa të reja që do të ishin të dobishme për zgjerimin dhe përmirësimin e përfaqësimit të tyre politik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare në Kosovë në më pak se një vit e gjysmë, ndërsa Bashkimi Evropian bën thirrje për një proces zgjedhor të lirë dhe transparent, “pa ndërhyrje apo manipulim nga jashtë”.

Mes Vuçiqit dhe Kurtit

Nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë thonë se ka ardhur koha që komuniteti serb “ta marrë jetën në duart e veta” dhe të vendosë vetë.

Rashiq, në fakt, shihet si bashkëpunëtor i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në qeverinë e të cilit ka shërbyer si ministër në dy mandate.

Kështu, nuk mungojnë as akuzat e ndërsjella për “serbët e Vuçiqit” apo “serbët e Kurtit”.

Nga Lista Serbe, përveç narrativit se Rashiq “e ka shitur besimin për një darkë”, vijnë edhe mesazhe se vota për Listën Serbe është “jo” për Kurtin.

Saviq vlerëson se pluralizmi politik brenda komunitetit serb është reduktuar në minimum dhe se pjesëtarët e këtij komuniteti kanë ndjesinë se në zgjedhjet e së dielës zgjedhin mes politikës së Aleksandar Vuçiqit dhe asaj të Albin Kurtit.

“Në bazë të gjendjes në të cilën është sot komuniteti serb, është vështirë të thuhet se politikat që janë bërë në vitet e fundit nga Beogradi dhe Prishtina, kanë sjellë rezultate që kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetesës, sigurinë apo pozitën politike të serbëve në Kosovë”, thotë ai.

Sipas tij, në fushatën zgjedhore, në vend të programeve konkrete, planeve të qarta dhe zgjidhjeve për problemet e grumbulluara, dominojnë “akuzat e ndërsjella, përplasjet politike dhe rritja e tensioneve”.

Si angazhohet Serbia në zgjedhjet në Kosovë?

Në fillim të qershorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje që të gjithë serbët e Kosovës të votojnë për Listën Serbe – gjë që ndodh para çdo procesi zgjedhor në Kosovë ku merr pjesë kjo parti.

Fushatën për Listën Serbe në Serbi e udhëheq kryesisht Zyra për Kosovën, e drejtuar nga Petar Petkoviq.

Gjatë një vizite në qytetin e Kralevës më 2 qershor, ai u tha serbëve të zhvendosur nga Kosova se vota për Listën Serbe është “votë për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë e Metohi”.

Sipas tij, të gjithë ata që kanë dokumente të Kosovës dhe mund të ushtrojnë të drejtën e votës, duhet të votojnë për opsionin politik që mbështetet nga Beogradi, sepse është “shtylla kryesore e mbrojtjes së interesave kombëtare serbe në Kosovë e Metohi”.

Më herët, Komisariati për Refugjatë i Serbisë u bëri thirrje personave të zhvendosur që të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet në Kosovë dhe t’i drejtohen atij për më shumë informacione.

Në mesazhin e publikuar në Instagram thuhet se “çdo votë është e rëndësishme për mbijetesën dhe të ardhmen e popullit tonë në Kosovë e Metohi”.

Sipas Muhaxhirit, Lista Serbe është “instrument i drejtpërdrejtë politik i Aleksandar Vuçiqit” dhe nuk është e papritur që shteti i Serbisë i jep sërish mbështetje vetëm këtij subjekti politik.

Ai vlerëson se kjo është një mënyrë “për të ruajtur pushtetin në jetën politike të serbëve të Kosovës”.

Si është situata mes partive shqiptare?

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitorojnë zgjedhjet, “Demokracia në Veprim”, vlerësoi më 2 qershor se oferta programore e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore është “riciklim i ofertave të mëparshme, i paketuar në formën e premtimeve të reja”.

Violeta Haxholli, nga ky koalicion, e veçoi si shqetësuese “konkurrencën e pabarabartë”, për shkak të, siç tha, përdorimit të resurseve publike para fillimit zyrtar të fushatës.

Ajo shtoi se gjatë fushatës janë vërejtur raste të përdorimit të fëmijëve në tubime, gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale nga mbështetësit e partive politike, si dhe gjuhë fyese dhe diskriminuese nga vetë subjektet politike.

Muhaxhiri vlerëson se fushata ka treguar qartë se partitë politike nuk kanë qenë të përgatitura. Sipas tij, në vend të zgjidhjeve të reja dhe ndërtimit të platformave për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, dominojnë përplasjet personale dhe argumentet pseudopatriotike.

Si risi të vetme, ai sheh pjesëmarrjen e ish-presidentes Vjosa Osmani në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dialogu me Serbinë nuk përmendet

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë qëndrimit në Prishtinë më 3 qershor, u bëri thirrje liderëve politikë që integrimet evropiane t’i vendosin si prioritet.

Ai tha se Kosovës i duhen institucione të forta dhe funksionale, që mund të zbatojnë reforma dhe të përmbushin obligimet që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi.

Por, Muhaxhiri vë në pah se dialogu me Serbinë është “diskredituar shumë herë gjatë qeverisjes së Kurtit” dhe se në disa raste është paraqitur si “tradhti shtetërore”.

Për këtë arsye, kjo temë nuk përmendet fare në fushatën zgjedhore.

“Për shkak të këtij konteksti shumë negativ, edhe partitë opozitare aktuale – të cilat më herët kur kanë qenë në pushtet, kanë qenë konstruktive në dialog – tani janë shumë të rezervuara dhe e shmangin plotësisht këtë çështje, nga frika e humbjes së votave”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011, ndërsa zyrtarët e BE-së kanë theksuar disa herë se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura është kusht thelbësor për përparimin e të dyja vendeve në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Përgatiti: Valona Tela

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Takimi mes Haxhiut dhe Costas i zhvilluar në Prishtinë më 3 qershor.

 

Radio Evropa e Lirë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror.

Këto deklarata ajo i bëri gjatë takimit në Prishtinë me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, me të cilin tha se bisedoi për një sërë çështjesh, përfshirë për Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor si dhe stabilitetin rajonal.

“Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë”, tha Haxhiu përmes një postimi në Facebook.

Para nisjes së takimeve, Costa shkroi në X se inkurajon udhëheqësit politikë në Kosovë që ta bëjnë prioritet integrimin në BE, “dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”.

“Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe të afta që të zbatojnë reforma, që përfitojnë nga ajo që ofron BE-ja dhe të zbatojnë zotimet që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi”, shkroi Costa.

Ndërkaq, sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, Haxhiu ka kërkuar që të avancohet procesi i integrimit, teksa Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka as statusin e vendit kandidat.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

Haxhiu vlerësoi se Kosova ka shoqërinë më “proevropiane në rajon”, duke argumentuar se ky orientim është bazë për rrugën e shtetit drejt BE-së.

Ndërkaq, sa i përket Planit të Rritjes, Haxhiu tha se Kosova atë e sheh si mundësi konkrete për zhvillim, “për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët”.

Paketa financiare e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Fondet u ndahen vendeve të rajonit pjesërisht në formë grantesh dhe pjesërisht përmes kredive të favorshme.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa u takua edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me udhëheqësit e partive opozitare në Kosovë.

Kurti tha se BE-ja mbetet partnerja kryesore zhvillimore e Kosovës.

“Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat”, u tha në njoftim.

Costa dhe Kurti në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Costa dhe Kurti në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Sipas Qeverisë në detyrë të Kosovës, Kurti dhe Costa po ashtu biseduan për sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë.

Vizita e zyrtarit evropian në Kosovë është në kuadër të një turneu në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: zotimi i Bashkimit Evropian për rajonin është i vërtetë, sikurse është e vërtetë edhe mundësia për zgjerim. Momentumi ekziston. Tani është koha që të japim rezultate”, tha ai përmes një njoftimi para nisjes së vizitave në rajon.

Costa nisi turneun ballkanik në Sarajevë, ku u takua me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe udhëheqësen e Këshillit të Ministrave.

Një ditë më vonë, ai qëndroi në Tiranë ku u takua me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe presdientin, Bajram Begaj. Më pas, në Shkup zhvilloi takim me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Costa do të udhëtojë drejt Serbisë, për takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryetaren e Parlamentit, Ana Bërnabiq, dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.

Vizitat në rajon, Costa do t’i përmbyllë në Mal të Zi, ku përveç takimeve me zyrtarët malazezë, ai do të jetë bashkëudhëheqës i samitit BE-Ballkani Perëndimro në Tivat.

Tema e samitit të sivjetshëm, sipas BE-së, është “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Vitin e kaluar, ky samit u mbajt në Bruksel dhe Kosova u përfaqësua me tashmë ish-presidenten Vjosa Osmani, ndërkaq Serbia nuk mori pjesë. Në deklaratën e samitit të vitit të kaluar, u tha se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat, nën ndërmjetësimin e Brukselit, mbi një dekadë më parë.

Gjatë procesit janë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

Dy vendet nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë politik që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një reshter. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen.

Për sulmin në Banjskë, autoritetet në Kosovë kanë dënuar tre të akuzuar, teksa dhjetëra të tjerë gjenden në arrati.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, teksa Kosova kërkon vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë atë.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës forcojnë masat për mbrojtjen e votës

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, së bashku me menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, zhvilluan një takim pune me përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës, lidhur me mbarëvajtjen dhe sigurinë e procesit zgjedhor.

Në takim morën pjesë edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, kolonel Florie Hajra nga Departamenti i Hetimeve dhe nënkolonel Arbnesh Ajvazi nga Departamenti i Rendit Publik.

Sipas njoftimit, takimi u fokusua në planifikimin, vlerësimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe të sigurt.

Prokurorja Pula bëri të ditur se janë caktuar tashmë ekipet kujdestare nga sistemi prokurorial, të cilat do të trajtojnë çdo parregullsi të mundshme gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, Policia e Kosovës ka aktivizuar ekipet e saj kujdestare për të siguruar rendin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Në takim u theksua gjithashtu se janë pranuar informacione për raste ku disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, kanë fotografuar ose incizuar votën e tyre gjatë votimit me postë dhe më pas i kanë publikuar në rrjete sociale.

Autoritetet njoftuan se disa persona tashmë janë identifikuar dhe janë në proces verifikimi dhe trajtimi të rasteve të tilla.

Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë paralajmëruar se çdo shkelje e tillë do të trajtohet sipas ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi.

Gjithashtu, qytetarët janë ftuar që të respektojnë rregullat zgjedhore dhe të mos e bëjnë publike votën e tyre në asnjë formë.

Në përfundim të takimit, të dy institucionet rikonfirmuan përkushtimin e tyre për bashkërendim të vazhdueshëm dhe reagim të shpejtë ndaj çdo parregullsie gjatë gjithë procesit zgjedhor./ RTK.


Send this to a friend