Kurti dhe Hamza diskutuan për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit, ku në takim u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit.
KOSOVA- Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë ditën e sotme në Kuvend propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kjo nisëm, vjen menjëherë pas vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës e cila dënoi me 81 vite burg në total katër ish-krerët e UÇK-së. Gjithashtu vjen edhe në kohën kur janë shtuar diskutimet politike rreth funksionimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara.
Pas vendimit të Hagës, PDK-ja ka zhvilluar diskutime për hapat që do të ndërmerren lidhur me Dhomat e Specializuara, ndërsa një ditë pas vendimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Kurti dhe Hamza diskutuan për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit, ku në takim u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit. Dhomat e Specializuara janë themeluar pas ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Kuvendi i Kosovës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, shpallën Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin fajtorë për krime lufte dhe i dënuan me nga 13 deri në 25 vjet burg. Gjykatësit argumentuan se katër të akuzuarit kontribuuan ndjeshëm në një qëllim të përbashkët kriminal për shënjestrimin e personave të perceptuar si kundërshtarë të synimeve politike ose ushtarake të UÇK-së./Dosja.al