Me forcën e kartonit, mazhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e Belinda Ballukut.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi nuk hodhi në votim raportet, por lexoi projekt vendimin mbi kërkesën e SPAK. Me 82 vota pro, 47 kundër dhe asnjë abstenim kërkesa e SPAK u rrëzuar.
Ajo që u vu re është fakti se në votim mungonin dy deputetë të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj.
Ndërkohë deputetët e opozitës protestuan, duke bllokuar foltoren me pankarta në duar kundër qeverisë.
Më pas me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla për shkak të tensioneve brenda në Kuvend, u kalua direkt në votime të pikave të tjera të rendit të ditës.
Më herët deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi lexoi raportin e opozitës të hartuar pas mbledhjeve të Këshillit të Mandateve në lidhje më kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin e deputetes dhe arrestuar Belinda Ballukut.
Në fjalën e tij, Bylykbashi argumentoi se Kuvendi duhet të japë autorizimin për t’i hequr imunitetin Ballukut, ndërsa evidentoi gjetjet e Prokurorisë së Posaçme, se ish zëvendës kryeministrja ka kryer në mënyrë të përsëritur veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, në bashkëpunim. Dëmi financiar i shkaktuar nga shkeljet e zyrtares, theksoi deputeti i Partisë Demokratike, arrin në 1.1 miliardë euro.
“Prokuroria ka marrë si të pandehur dhe person në hetim deputeten Belinda Balluku se dyshohet se ka kryer në mënyrë të përsëritur, 11 fakte penale, veprën penale shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera kryer në bashkëpunim. Kërkesa është marrë në shqyrtim nga këshilli për Mandatet në mbledhjen e datave 19 dhjetor dhe 23 shkurt, dhe në përfundim të shqyrtimit, 5 anëtarët e pakicës parlamentare, dhe analiza e fakteve dhe rrethanave të çështjes, rekomandojmë që deputetët të votojnë pro për miratimin e kërkesës së SPAK, duke vendosur dhënien e autorizimit për arrestimin apo heqjen e lirisë për Belinda Ballukun.
Nga ana e PS, raportin e lexoi Ulsi Manja, i cili tha se vepra penale e shkeljes së barazisë në tendera nuk përbën korrupsion dhe se nga dhënia e masës fillestare, asaj të ndalimit jashtë vendit e deri tani nuk kanë ndryshuar rrethanat ndaj deputetes, e për rrjedhojë, sipas tyre, nuk duhet dhënë autorizimi për zëvendësimin e masës me një më të rëndë si ajo e arrestit.
Manja pretendoi se tashmë që deputetja nuk mban më funksionet e zv kryeministres dhe ministres, nuk ka rrezik që ajo të prishë provat apo të intimidojë dëshmitarët, duke i cilëësuar dyshimet e SPAK si hipotetike.
“Deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Për rrjedhojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë efekt, dhe me këtë linjë arsyetimi, raporti ynë e qartëson edhe narrativën mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo kryerjes së një vepre penale, që mbeten thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhen me funksionet që ajo nuk i ushtron më.”, tha ai./Panorama