O njerëz, lidhi besa besë,
-Kudo që jini nëpër botë,
-Kush do një këngë e ka një shpresë,
Kush s’do të mbytet dheu me lotë,
Kush do një zog edhe një flutur,
Që nget mes grurit të jeshiltë,
Kush s’do të nxihet maj’i bukur
Agim’i kuq i trandafiltë!
.
Mos ndizen flakët atomike!
Në këmb’ për luftën më kreshnike:
Të mbrojmë fshatin dhe qytetin,
Të mbrojmë pyllin edhe detin,
Hardhitë dhe kallinjtë nd’arë,
Lavdinë, tempujt mijvjeçarë!
.
Ne duam njerzit, shpezët, bimët,
Ne duam dritë e gaz përhera,
Mos dridhen rrugëve jetimët,
Mos bëhen nënëzat të mjera!
Të flakim grindjet dhe mëritë
I shenjtë para nesh qëllimi
-Nuk vlejn’ intrigat dhe kufitë..
Sa vlen e ardhmja dhe njerzimi.
.
Mos ndizen flakët atomike!
Në këmb’ për luftën më kreshnike:
Të mbrojmë fshatin dhe qytetin,
Të mbrojmë pyllin edhe detin,
Hardhitë dhe kallinjtë nd’arë,
Lavdinë, tempujt mijvjeçarë!
.
O njerëz, duart të shtërngojmë,
S’na ndajnë mure, male e dete.
Për paqën ne gjithkund luftojmë
-Për nipat, mbesat dhe për vete.
Do i bëjmë kopshte shkretëtirat,
Ne rrojm’në shekullin e Djellit,
E nisëm sulmin për hapsirat
-Ja çels’i portave të qjellit,
.
Mos ndizen flakët atomike!
Në këmb’ për luftën më kreshnike:
Të mbrojmë fshatin dhe qytetin,
Të mbrojmë pyllin edhe detin,
Hardhitë dhe kallinjtë nd’arë,
Lavdinë, tempujt mijvjeçarë!