VOAL

VOAL

Maqedoni: Përleshen emigrantët me policinë, qindra të lënduar

April 11, 2016
blank

Komentet

blank

Serbia një kandidate për anëtarësim në BE nënshkroi marrëveshje me Rusinë për politikën e jashtme

VOA

Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç, nënshkroi marrëveshjen të premten me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Plani i konsultimit i paraparë me marrëveshjen pritet të zgjasë për dy vjet, thuhet në një deklaratë të ministrisë serbe. Serbia zyrtarisht është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Edhe pse Serbia thotë se e mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, ka refuzuar vazhdimisht t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Përafrimi i politikave të jashtme me BE-në është një nga parakushtet kryesore për t’u anëtarsuar në bllokun 27-vendesh, por Serbia i ka kundërshtuar vazhdimisht thirrjet për ta bërë një gjë të tillë.

Mediat në Serbi dhe Rusi thanë se presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takua me ministrin Lavrov në Nju Jork dhe të dy “theksuan përqendrimin e përbashkët në zhvillimin e mëtejshëm dinamik të marrëdhënieve ruso-serbe”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cilësoi marrëveshjen “skandal të rëndë”.

“Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunim në të ardhmen me agresorin rus. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, shkroi zonja von Cramon.

Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, tha se “si një mbështetës i zellshëm i çdo hapi drejt një Serbie evropiane, e shoh lajmin e konsultimeve të planifikuara midis Serbisë dhe Rusisë një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor. Të jemi të qartë: Rusia po mobilizohet për të sulmuar shtetin kandidat për në BE, Ukrainën, Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshja Serbi-Rusia, “duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”.

Zyrtarët nga opozita pro-perëndimore e Serbisë thanë se nënshkrimi i marrëveshjes së fundit me Rusinë është një shenjë se presidenti Vuçiç, një ish-ultranacionalist, ka hequr dorë nga orientimi i vendit ballkanik drejt BE-së dhe po e afron atë më pranë Moskës.

Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, një subjekt opozitar i qendrës SSP tha se “është e pabesueshme” që në një kohë kur pjesa më e madhe e botës po vëzhgon me frikë veprimet e Moskës, Serbia nënshkroi një marrëveshje për t’u konsultuar me një vend “që shkel drejtpërdrejt Kartën e OKB-së dhe synon të aneksojë territoret (ukrainasa)”.

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin, zëdhënësi jozyrtar i presidentit Vuçiç, tha në një deklaratë se “zgjerimi i bashkëpunimit me Rusinë nuk është çështje e respektimit të së kaluarës, por një vendim i përgjegjshëm për të ardhmen”.

Serbia shihet si aleati kryesor i Moskës në Ballkanin Perëndimor dhe është e rëndësishme për Rusinë si një rrugë për të destabilizuar rajonin dhe për të zhvendosur mundësisht një pjesë të vëmendjes së botës nga lufta në Ukrainë.

Ajo llogaritë në Moskën në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

blank

Abazoviq thotë se URA do të votojë për shkarkimin e Gjukanoviqit

RFE/RL

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se Kuvendi duhet të votojë iniciativën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviq.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se kjo do të dërgonte një mesazh të rëndësishëm politik.

Deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviq.

Ata pretendojnë se Gjukanoviqi ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

“Tashmë jemi një shumicë e sapo-konstituuar, e cila mbështet formimin e një Qeverie të re, por është mjaft e larmishme me subjekte të ndryshme politike, që kanë vizione të ndryshme. Zgjidhja me siguri do të vijë në zgjedhje, por nuk është presidenti ai që do të vendosë se kur do të zhvillohen ato zgjedhje”, tha Abazoviq.

Pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviqit, më 20 gusht, tri partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ranë dakord që Miodrag Lekiq të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve – sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.

Gjukanoviq e refuzoi propozimin që Llekiq të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të këtij vendi, me arsyetimin nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.

Ai në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Partitë e shumicës parlamentare kundërshtuan zgjedhjet e reja dhe vazhduan të këmbëngulin që Gjukanoviq duhet ta pranojë Lekiqin si mandatar, dhe një ditë pas përfundimit të afatit i dorëzuan 41 nënshkrimet e tyre në mbështetje të kandidaturës së Lekiqit.

Abazoviq tha në intervistë se ka diskutuar edhe me zyrtarë amerikanë edhe “akuzat se Rusia financoi fshehtas Frontin Demokratik në vitin 2016 dhe ndoshta në 2018”.

Ai tha se financimi i paligjshëm i partive politike duhet të jetë pjesë e agjendës në luftën kundër korrupsionit.

Më 14 shtator, SHBA-ja tha se Rusia financoi fshehurazi parti në Shqipëri, Bosnje e Mal të Zi

Raporti përmend financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për zgjedhjet e vitit 2018, si dhe fonde për partinë pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik.

Në intervistën pas fjalimit të tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abazoviq tha se Mali i Zi nuk do të ndryshojë kursin e politikës së jashtme dhe se këtë ua kishte përcjellë edhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Ne mbetemi një partner solid dhe i besueshëm për botën euroatlantike, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Natyrisht, duhet të punojmë më shumë për të promovuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Besoj se kemi bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por ende ka vend që të jemi edhe më mirë”, tha ai.

Abazoviq tha po ashtu se Mali i Zi qëndron pranë partnerëve të tij dhe popullit të Ukrainës.

“Ata me siguri mund të llogarisin tek ne si një partner i besueshëm i NATO-s dhe një vend që synon të jetë anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, tha tha ai.

blank

Alarmohet rreth “Ballkanit të Hapur” pasi Serbia nënshkruan marrëveshje me Rusinë

Përgjatë takimeve që po mbahen në Kombet e Bashkuara në New York, kreu i diplomacisë serbe, Nikola Selakovic dhe ai i Rusisë Sergei Lavrorv, kanë nënshkruar një marrëveshje sa i përket politikës së jashtme të përbashkët Moskë-Beograd, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me këtë ka reaguar gazetari nga Bosnje e Hercegovina, Jasmin Mujanovic, i cili përcjell në vazhdimësi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mujanovic ka thënë se nuk është çudi që Serbia vazhdon të koordinojë politikat e saj me regjimin kriminal të Vladimir Putinit, derisa shton se ajo që është për t’u çuditur është se si qeveritë kryesore perëndimore kërkojnë që Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

“Kjo është arsyeja pse është e pamundur”, ka shkruar Mujanovic.

Ai më tej ka thënë se nënshkrimi i një marrëveshje të tillë në mes të Serbisë dhe Rusisë do të duhej të ishte një alarm për Tiranën dhe Shkupin si dy shtete anëtare të NATO-s.

“Pse do të ndiqnit integrimin ekonomik me një vend që po përafron politikën e tij të jashtme me një shtet të pabesë ndërkombëtar? Nuk ka kuptim”, ka shkruar Mujanovic.

blank

Nismë për shkarkimin e presidentit të Malit të Zi, mblidhen nënshkrimet e nevojshme

Shumica parlamentare në Mal të Zi ka mbledhur 41 nënshkrime për filluar procedurat për shkarkimin e Presidenti i Malit të Zi, nëse vlerësohet se i njëjti ka shkelur Kushtetutën.

Iniciativa i është dorëzuar sot kryetares së Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, raporton RTCG.

Deputeti i partisë Fronti Demokratik, Jovan Vuçuroviq, ka thënë se Gjukanoviq e ka shkelur Kushtetutën për shkak se nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi në diskutimet për përbërjen e re të Qeverisë.

“Presidenti i Malit të Zi ka shkelur nenin 95 paragrafin 5 të Kushtetutës së Malit të Zi për shkak se nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi në diskutimet për mandatin për përbërjen e re të Qeverisë, gjë të cilin e ka obligim ta bëjë”, thuhet në dokumentin e dorëzuar me nënshkrimet e mbledhura.

blank

Vuçiçi kritikoi vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës

VOA

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se vendi i tij mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, ndërsa kritikoi vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke e shkelur siç tha, tërësinë tokësore të Serbisë.

Gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas fjalimit të presidentit ukrainas Volodymir Zelenskyy, presidenti serb tha se konflikti në Ukrainë nuk është i pari pas Luftës së Dytë Botërore në truallin e Evropës.

“Ne kërkojmë një përgjigje të qartë në pyetjen që unë ua bëj prej vitesh bashkëbiseduesve të mi, udhëheqësve të shumë vendeve – cili është ndryshimi midis sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës dhe sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur rëndë dhe që shumë prej jush i jepni njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar? Unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje racionale nga askush”, tha ai, duke e cilësuar agresion ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Presidenti serb tha se vendi i tij “me durim dhe vullnet të mirë është vënë në kërkim të një kompromisi për Kosovën” në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Është një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Është më mirë të negociojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë. Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha mundësitë tjera dhe, të paktën për sa i përket Serbisë, nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes. Rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një konflikt tjetër”, tha presidenti serb.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, por të dyja vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe janë pajtuar që si pjesë e këtij procesi, të zgjidhin çështjet e pazgjidhura dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Presidenti serb tha se Beogradi po përballet me luftë hibride dhe fushata “të ndyra” që duan ta paraqesin Serbinë si kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale si dhe për faktin që Serbia “vlerëson se politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse askujt nuk mund t’i sjellë rezultate”.

Serbia është i vetmi vend evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë.

Presidenti serb tha se popujt e Ballkanit kanë kapacitet për të vazhduar bashkëjetesën në të ardhmen si miq dhe partnerë që kanë një vizion të përbashkët për anëtarësim në një Evropë të bashkuar, duke përmendur si shembull siç tha, faktin se “Serbia dhe Shqipëria, sot kanë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore në historinë e tyre të përbashkët shekullore në Gadishullin Ballkanik”.

blank

Erdogani sulmon Greqinë nga foltorja e Asamblesë së OKB-së në SHBA: Shtet vrasës!

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, se “Greqia po e kthen Egjeun në një varrezë refugjatësh”.

Teksa mbante në duar foto të fëmijëve refugjatë të vdekur, të cilët, siç pretendon ai, vdiqën në Egje, kur forcat e sigurisë greke “fundosë varkat e tyre”, ai u bëri thirrje OKB-së, BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të “ndalojnë kryerjen e krimeve të tilla kundër njerëzimit”.

Presidenti turk zgjodhi të fokusojë fjalimin e tij te çështja e refugjatëve, duke përfshirë Greqinë në grupin e shteteve autoritare. Presidenti turk e cilësoi Greqinë “shtet vrasës”.
Erdogan tha se Greqia nuk po tregon përgjegjshmëri për refugjatët në kufi Greqi-Turqi në Evros.

Kohët e fundit ka patur një shtim të tensioneve mes dy shteteve, ku një varkë peshkimi turke u qëllua nga rojet bregdetare greke si edhe pati raportime se raketat S-300 të Greqisë në Kretë mbajtën në shënjestër për disa minuta avionët turq në Egje, shkruan abcnews.al.

Turqit kërkojnë nga Greqia demilitarizimin e ishujve përballë tokës turke duke iu referuar marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa së fundmi grekët janë armatosur rëndë përballë kërcënimeve të fqinjëve për luftë.

Situata duket serioze, aq sa ekspertët e sigurisë theksojnë se një luftë Greqi-Turqi është e pashmangshme dhe ajo do të ndodhë shumë shpejt. N jë faktor tjetër që vlerësohet nga ekspertët si shkaku që mund të ndezë zjarrin nga ana turke lidhet me faktin se Turqia do të shkojë në zgjedhje në pranverën e ardhshme dhe partia në pushtet nuk i ka aspak punët mirë për shkak të korrupsionit masiv dhe çmimeve të larta. Kështu, sipas tyre, mund të kërkohet nxitja e një problemi të jashtëm për të harruar problemet e brendshme.

blank

Borrell bisedon me liderët e Ballkanit Perëndimor për ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës

Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë takimit me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në Nju Jork të SHBA-së.

RFE/RL

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, tha se ka biseduar me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor për ndikimin që po ka në rajon dhe botë pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballje me sfidat që sjellë lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës në nivel botëror. BE-ja përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga blloku evropian.

Borrell u takua më 20 shtator në Nju Jork me liderët e Ballkanit Perëndimor, teksa në qytetin amerikan po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të kësaj lufte mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe të stabilitetit dhe sigurisë në Evropë dhe botë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga blloku evropian.

Borrell u ka premtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor se blloku evropian do t’i ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë ato kibernetike”.

Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, kriza energjetike është përkeqësuar në Evropë, pasi Moska ka ndërprerë furnizimet me gaz përmes gazsjellësit më të madh për në Evropë.

Blloku ka akuzuar Rusinë se po përdor energjinë si “armë”, teksa çmimet botërore të ushqimit po ashtu janë rritur për shkak të luftës në Ukrainë.

Në takimin në Nju Jork, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, Osmani në takim është shprehur se “askush në rajon nuk duhet t’i shërbejë si satelit” Rusisë, me qëllim të “destabilizimit të rajonit”.

Nga vendet e rajonit, Serbia refuzon që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, pavarësisht se BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që Beogradi ta ndëshkojë Moskën.

Pikërisht, lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si arsye shtesë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të zgjidhë sa më shpejt çështjet e hapura, me qëllim që të parandalohen tensionet.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Vetë Borrell, gjatë rundit të fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që u mbajt pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës – tha se në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, “nuk është koha për rritjen e tensioneve, është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kamotshme”.

Osmani kërkon përmbyllje “urgjente” të çështjes së vizave

Në Nju Jork, Vjosa Osmani, tha se ka kërkuar përmbyllje “urgjente” të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Osmani tha se në takimin në Nju Jork ka potencuar edhe përkushtimin e Kosovës për “paqe e stabilitet dhe për rrugën euroatlantike”.

Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk është pjesë e lëvizjes së lirë pa viza në zonën Shengen. Së fundmi, është thënë se ky proces ka hyrë në fazën vendimtare dhe është paralajmëruar se ekziston një momentum i mirë për të shtyrë këtë çështje përpara.

Vuçiq njofton për “tërheqjen” e një njohjeje për Kosovën

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë pjesë në takimin me Borrellin, dhe në takimet e Asamblesë së OKB-së, tha se pavarësisht se shteti i tij po kalon nëpër një periudhë të vështirë, ai ka “një lajm të mirë” për qytetarët e Serbisë.

“Kam marr një tjetër njoftim për tërheqje të njohjes për Kosovën, kështu që ne po forcojmë pozicionin tonë dhe në këtë kuptim do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të thirremi në të drejtën publike ndërkombëtare dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai përmes një postimi në Instagram.

Kosova edhe në të kaluarën e ka akuzuar Serbinë se zhvillon fushatë të ashpër për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe për ta bllokuar Prishtinën që të anëtarësohet në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar. Serbia edhe më herët ka pretenduar se disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, por në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës figurojnë 117 shtete që e kanë njohur Kosovën.

blank

Milo Gjukanoviç refuzon propozimin për kryeministrin e ri të Malit të Zi

VOA

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, refuzoi të martën propozimin që Miodrag Lekiç të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.

Të hënën Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe URA e kryeministrit ne largim Dritan Abazoviq, u pajtuan që Miodrag Lekiç të jetë mandatar, por nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve të tyre në parlamentin 81 vendesh. Këto parti fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare të gushtit të vitit 2020.

Presidenti Gjukanoviç tha se nuk ishte i bindur se ekziston një shumicë e qartë për formimin e një qeverie, “që do t’u ofronte zgjidhje problemeve shumë të vështira në planin financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”. Ai vuri theksin te aspekti i sigurisë duke nënvizuar se kriza aktuale në Evropë, e shkaktuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë ka ndikime në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Gjukanoviç tha se zgjidhja e situatës politike është shkurtimi i mandatit të parlamentit, që do të hapte mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Mali i Zi është me qeveri teknike që nga muaji gusht kur parlamenti miratoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq, pak pasi ai nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme me Kishën Ortodokse Serbe.

blank

Putini mbështet “kursin e pavarur të Serbisë në skenën ndërkombëtare”

RFE/RL

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj.

“Përmes kornizës së ligjit ndërkombëtar, duke u mbështetur mbi të gjitha në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje gjithëpërfshirëse për miqtë tanë serbë që të ruajnë të drejtat legjitime dhe interesat e Serbisë, duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit”, tha Putin më 20 shtator në Moskë gjatë pranimit të kredencialeve të 20 ambasadorëve, përfshirë edhe të ambasadorit serb, Momçilo Babiq, raporton Beta.

Siç u tha në ueb-faqen e Kremlinit, Putin tha se Rusia dhe Serbia janë të lidhura përmes raporteve të partneritetit strategjik që bazohen në traditë të miqësisë, kulturës, afërsisë shpirtërore dhe historike të dy shteteve. Aty po ashtu u tha se Moska do të vazhdojë ta thellojë këtë bashkëpunim.

“Me presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, gjatë takimeve personale dhe bisedave telefonike, ne rregullisht diskutojmë për çështjet kyçe për të zhvilluar më tej bashkëpunimin. Ne vlerësojmë dëshirën e miqve tanë serbë për të ndjekur një kurs të pavarur në skenën ndërkombëtare dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të thelluar dialogun politik, për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, tregtisë, shkencës, teknologjisë, kulturës dhe në sferat humanitare”, tha Putin, raporton Beta.

Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, Bashkimi Evropian vendosi një sërë sanksionesh ndaj Rusisë. Serbia dënoi pushtimin, por nuk vendosi sanksione ndaj Moskës.

Serbia dhe Rusia tradicionalisht kanë mbajtur raporte të ngushta dypalëshe. Serbia varet nga mbështetja ruse kur bëhet fjalë për pengimin që Kosova të bëhet pjesë e institucioneve ndërkombëtare. Po ashtu, në Serbi, gjiganti rus i energjisë, Gazprom, ka krijuar monopol.

blank

Kamberi për thirrjet për arrestimin e tij: Po përdoren metoda të Millosheviqit

RFE/RL

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se nuk e ka pritur që dikush do të guxonte të kërkonte arrestimin e tij në këtë institucion shtetëror, në prezencë të presidentit të Serbisë.

Arrestimi i Kamberit, për shkak të deklaratës së tij se Kosova është shtet i pavarur, u kërkua gjatë një seance parlamentare nga deputetja e Partisë Socialiste të Serbisë, njëherësh nënkryetarja e Kuvendit, Snezhana Paunoviq.

“Unë prisja që të gjithë të kundërshtonin qëndrimet e mia, por nuk prisja që dikush do të guxonte të kërkonte, në prani të presidentit të Republikës, në Kuvend, jo vetëm burgosjen e një deputeti, por ajo që është më e keqja – dëbimin tim nga Serbia”, tha Kamberi në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Gjatë seancës dyditore të Kuvendit, që u mbajt javën e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantoi raportin për dialogun me Kosovën dhe iu përgjigj pyetjeve të deputetëve.

Kamberi, një prej deputetëve të paktë që haptazi njeh pavarësinë e Kosovës, përfaqëson komunitetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Pasi Kamberi deklaroi në seancën plenare se Kosova është shtet i pavarur dhe se autoritetet në Serbi duhet të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës, Snezhana Paunoviq, deputete e Partisë Socialiste, partia e ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, deklaroi se Kamberi ka shkelur betimin e bërë para Kuvendit dhe Kushtetutën e Serbisë, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Çfarë nuk lejohet të thuhet në Kuvendin e Serbisë – është kjo”, tha Paunoviq, duke shtuar se ka bazë për arrestimin e Kamberit.

Sipas rregulloreve serbe, deputetët gëzojnë imunitet dhe nuk mund të ndiqen penalisht për shprehje të mendimeve apo votë të shprehur verbalisht apo me shkrim.

Shaip Kamberi tha për REL-in se e gjithë kjo ndodhi në prani të presidentit të Serbisë i cili nuk reagoi, dhe kryetarit të Kuvendit, i cili, siç tha Kamberi, obligohet sipas Rregullores së Punës dhe Ligjit për Kuvendit, të kërkojë nga deputetët që të mos përdorin metoda të tilla të frikësimit.

“Në këtë lloj mjedisi politik, është normale të presësh që dikush të shprehet se nuk është dakord me ju ose që ka mendim të ndryshëm politik. Mirëpo, siç ndodhi në Kuvend – një vend ku, të paktën formalisht, një deputeti i lejohet të shprehë lirshëm mendimin e tij, siç e parasheh Ligji për Kuvendin, sigurisht se nuk prisja që të shkonte kaq larg”, tha Kamberi.

“Pra, ky rast tregon se janë hequr maskat dhe se ata që kanë veshur kostumin demokratik po tregojnë se nuk kanë ndryshuar dhe se po mundohen të përdorin metodat e Millosheviqit, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët. Për mendimin tim, kjo është e keqe për demokracinë, e keqe për vendin që synim primar të politikës së jashtme e ka afrimin me Bashkimin Evropian, pra anëtarësimin në bllok”, shtoi ai.

Kamberi tha se deklaratat e nënkryetares së Kuvendit serb i ka parë si “gjuhë të urrejtjes”, por shtoi se duke e ditur se cilës parti i përket ajo, ato kanë qenë të pritshme.

“Kjo mund të pritej nga Partia Socialiste, partia që ka përgjegjësinë më të madhe për të gjitha krimet që ndodhën në Ballkan dhe për gjithçka që ka ndodhur në Kosovë. Por, të thonë diçka të tillë në prani të presidentit të Republikës, vërtetë nuk e prisja”, theksoi ai.

Sipas Kamberit, baza e politikës që kërkon që Kosova t’i kthehet Serbisë, është synimi që kishte Milosheviqi, “që Kosova të jetë nën Serbi, por pa shqiptarë”.

Deputeti Kamberi tha se tani është koha që Kosova dhe Serbia të diskutojnë dhe të arrijnë një marrëveshje në përputhje me situatën reale.

“Unë kërkova që presidenti Vuçiq të marrë përgjegjësinë e një burrështetasi, të arrijë paqe me shqiptarët dhe të punojë për prosperitet në Ballkanin Perëndimor”, tha Kamberi.

Ai tha se nëse deklaratat e tij në Kuvend konsiderohen armiqësore ndaj shtetit të Serbisë, atëherë, sipas tij, shtrohet pyetja se cili është qëllimi që ai është pjesë e Kuvendit serb, institucion ku ndalohet shprehja e mendimit të lirë.

Edhe në të kaluarën Kamberi ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe ka kërkuar që palët të arrijnë një marrëveshje dhe ai sërish theksoi se nuk do të tërhiqet nga këto qëndrime.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Të dyja palët kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi. Kosova kërkon që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje me njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi. Megjithatë, zyrtarët në Beograd nuk kanë treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

blank

Vuçiq flet për prapaskenat e ‘kornizës së re”, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka reaguar nga Nju Jorku rreth dokumentit që u publika dje, si kornizë e re e dialogut Kosovë -Serbi, të prezantuar nga emisarët europianë.

Ajo që në Beograd po quhet “armatura” e re e dialogut Kosovë -Serbi përmban marrëveshjen për normalizim mes dy vendeve, pa njohje, që duhet të nënshkruhet në vitin 2023. Ndërsa, cështja e njohjes reciproke, mes dy vendeve, parashihet të adresohet kur të afrohet anëtarësimi në BE.

Vuçiq tha se kur Lajçak vizitoi Beogradin, nuk donte ta merrte letrën me propozimet e reja, por, thotë se e ka lexuar përmbajtjen. Sipas tij, publikimi i dokumentit nuk është bërë nga pala serbe.

Po ashtu, Vuçiq ka theksuar se nuk do të tregojë se gjithçka që shkruan aty ësht e saktë.

“Nuk mund të them nëse gjithçka që është publikuar është e saktë, nuk më kujtohet gjithçka që është shkruar në ato katër faqe. E dija që nuk duhej ta merrja atë letër”, tha Vuçiq

Shefi i shtetit serb i cili po qëndron në Nju Jork në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së,  la të kuptohet se “korniza e re”, e ka edhe anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por që Serbia  nuk ka asnjë shans të lejojë të ndodhë kjo.

“Nuk mund të pranojmë që Kosova të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq.

Nuk dihet nëse ky dokument përmban në formë eksplicite anëtarësimin e Kosovës në OKB apo në organizata ndërkombëtare. Mund të ndodhë që Vuçiq po e reklamon këtë element sa për të thënë se po parandalon anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Njerëzit mendojnë se kjo thjeshtë është t’ia shash nënën dikujt dhe të vazhdojmë. Por ne duhet të mendojmë se çfarë do të hamë. Ata (emisarët)  i sqaruan gjërat dhe thonë se Putini ndërtoi një mur dhe ata na kërkojnë që të përcaktohemi në njërën anë.  Por ne nuk duam të jemi pranë asnjë muri. Kjo e komplikon edhe më shumë situatën tonë. Ne nuk jetojmë në një vend më të qetë, por në një udhëkryq”, thekson Vuçiq.

Ai thotë se për Serbinë do të kishte probleme edhe nëse do ta pranonin propozimin e Perëndimit edhe nëse nuk do ta pranonin.

“Nëse e pranojmë atë propozim, do të thotë se kurrë nuk do të mund ta përjashtojmë Prishtinën nga OKB-ja, edhe pse nuk kërkohet njohja formale. Nëse ky është një problem i vogël, nuk e di se çfarë mund të jetë më i madh. Nëse nuk pranojmë, sic thanë kroatët ( ireferohet një shkrimi të “Jutarnji list”,  sot  Vuçiç dhe Serbia do të izolohen. Nuk mendoj se është e lehtë, por nuk shoh asnjë mundësi tjetër. Çdo gjë ka pasojat e saj, si ajo që humbëm në 1999, 2004. 2008. Na pret një kohë shumë e ndërlikuar dhe do të duhet të marrim vendime të rëndësishme”, shtoi Vuçiq.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, dhe shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Pozicioni ynë është i vështirë” vazhdoi tutje ai.

blank

Drogë në makinën me logon e OSBE-së/ Serbia: Vinte nga Shqipëria

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, përmes një komunikate për mediat, ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona pasi ka sekuestruar 50 kilogram marijuanë në një makinë, e cila kishte dalë nga Shqipëria, kishte hyrë në Kosovë e më pas në Serbi dhe ishte e shënuar me shenjën e misionit të “OSBE”-së.

Sipas MPB-së serbe, ky thuhet të jetë një aksion ku është shkatërruar një rrjet i kontrabandës që niste nga Shqipëria, kalonte nëpër Kosovë dhe përfundonte në Serbi, raporton Gazeta Express.

“Tek të dyshuarit S.M (1993) dhe I.Z (1999) është kapur një sasi e drogës prej 30 kilogramëve, kurse te të arrestuarit e tjerë A.D (1980), G.K (1973) dhe G.K (1981) është gjetur pjesa tjetër e marijuanës dhe pak kokainë.

Këta tre të fundit janë arrestuar teksa kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes ku ishte planifikuar ta linin dërgesën. Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës me kallëzim penal do t’i dorëzohen Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd”, thuhet në njoftim./Express


Send this to a friend