VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Maqedoni, arrestohet ish shefi i sigurimit Mijalkov

By | November 20, 2018

Komentet

Këta janë emrat e udhëtarëve që gjenden në spital pas tragjedisë në Maqedoni, janë jashtë rrezikut për jetë

Para spitalit të qytetit “8 Shtatori”, drejtori i spitalit, Hristijan Kostov, lexoi emrat e udhëtarëve të lënduar që janë jashtë rrezikut për jetë në këtë spital.

Ai tha se në këtë spital kanë ndërruar jetë gjithsej 5 persona, katër burra dhe një grua, por që ende nuk janë identifikuar.

Familjet dhe të afërmit po përpiqen të gjejnë më shumë informacion rreth gjendjes së të dashurve të tyre. Një pjesë e tyre me lot në sytë kanë pritur lajmin për personat që janë jashtë rrezikut në këtë spital. Kostov tha se të katër sallat operative po punojnë me kapacitet të plotë.

Para hyrjes në Spitalin e Qytetit ka shumë skuadra policore dhe qasja në spital është e ndaluar në mënyrë që personeli mjekësor të mundë të kryejë punën pa probleme.
Kurse edhe në spitalin “8 Shtatori” ka ardhur një ekip nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Emrat e pacientëve jashtë rrezikut në spitalin “8 Shtatori”:

Nikolla Karanfilovski
Mersem Neziri
Esat Emruli
Jasmina Stojanova
Ahmeti Betim
Antonoi Antonievski
Alajdin Shabani
Dushan Stefanovski
Lulzim Dalipi
Manuill Trifunovski
Muhamed Shishko-Vjuzim
Verica Stojanovska
Serie Mustafi
Aliqe Uzeir
Goran Naumovski
Demira Ali
Seda Jusufi
Jeton Ismaili
Vjollca Ibrahimi
Halit Useini
Miqif Fikiri
Jasin Sejfuli
Fikrie Stefa
Jovana Gramatnikova
Abas Kasmi-Ferdi
Ilia Ristovski
Dilala Alili
Abdul Ismaili
Lujan Alili

Dy ditë zie në Maqedoninë e Veriut për viktimat e aksidentit rrugor

Isuf Kadriu

Katërmbëdhjetë të vdekur dhe mbi 40 të plagosur është bilanci i aksidentit të rëndë rrugor që ka ndodhur të mërkurën pasdite në autostradën Shkup-Tetovë, afër fshatit Llaskarcë, 10 kilometra nga kryeqendra e Maqedonisë së Veriut.

Aksidenti ka ndodhur nga rrokullisja e autobusit të linjës Shkup-Gostivar.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka ftuar në një mbledhje urgjente qeverinë, e cila ka shpallur dy ditë zie në këtë vend.

“Natë e rëndë, e mbushur përplot me dhimbje e dëshpërim. Sonte shteti jonë është në pikëllim. Nuk kam fjalë që mund të ngushëllojnë familjet e bashkëqytetarëve tanë, të cilët humbën jetën në këtë tragjedi të rëndë komunikacioni”, ka deklaruar Zaev.

Të plagosurit janë dërguar në urgjencën e Klinikës Universitare në Shkup dhe, sipas informacioneve të zyrtarëve, gjendja e së paku pesë personave është ende kritike.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se mjekët po bëjnë gjithçka për t’iu dhënë të të plagosurve ndihmën e nevojshme.

Ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Prokurorisë Publike kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekspertizat mbi shkaqet e aksidentit.

Vozitësi i autobusit i ka shpëtuar aksidentit dhe, sipas mjekëve, ndodhet në gjendje stabile, ndërsa ekipet e hetuesisë kanë zhvilluar bisedë me të, por pa dhënë detaje.

Jozyrtarisht mësohet se shkak për këtë tragjedi mund të ketë qenë plasja e njërës nga gomat e autobusit, pas çka vozitësi ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke rënë në një hendek përgjatë autostradës.

Përmbyset autobusi me pasagjerë në autostradën Shkup-Tetovë, të vdekur e të plagosur

SHKUP – Të paktën 13 persona kanë humbur jetën pasi një autobus me pasagjerë ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në autostradën Shkup-Tetovë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një deklaratë për mediat tha se në autobus gjendeshin rreth 50 pasagjerë dhe se aktualisht bilanci i viktimave është 13, prej të cilëve shtatë kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes, kurse gjashtë në spital.

Ambulanca nga spitale të ndryshme janë dërguar në vendin ngjarjes, kurse institucionet shëndetësore aktualisht janë duke bërë intervenimet e nevojshme për trajtimin e të lënduarve, njoftoi Filipçe.

“Në spitalin ‘8 Shtatori’ janë pranuar 25 pacientë, 22 u hospitalizuan, tre janë të lënduar lehtë nga numri total dhe me gjasë do të lëshohen në trajtim shtëpiak. Katër pacientë janë në Njësinë e Kujdesit Intensiv dhe dy pacientë janë në ndërhyrje kirurgjikale. Në qendrën urgjente në Shkup janë pranuar gjithsej pesë pacientë, tre prej të cilave janë në gjendje të lehtë. Në mesin e këtyre pacientëve është një grua shtatzënë dhe ajo do të lirohet në shtëpi. Një nga pacientët po përgatitet për ndërhyrje kirurgjikale dhe pacienti i pestë është në gjendje të rëndë rreziku, ndërsa një paciente është dërguar në Spitalin e Qytetit”, tha Filipçe.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme ende priten informacione të detajuara rreth shkaqeve të aksidentit.

Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit shndërrohet në ministri

Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit pranë Qeverisë së Maqedonisë së shpejti do të pushojë së ekzistuari dhe në vend të tij do të formohet Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Televizioni Alsat i Shkupit ka siguruar draft versionet e propozim ndryshimeve të ligjit për Qeverinë dhe ligjit për organizimin e organeve shtetërore, të cilat pritet të hynë në procedurë parlamentare dhe të miratohen para fushatës së zgjedhjeve presidenciale.

“Kemi nisur bisedimet me partnerët e koalicionit dhe urojmë që shumë shpejt ata dy ligje për themelimin e Ministrisë së re për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive të gjindet para deputetëve dhe të gjejmë përkrahjen e së paku 2/3 së deputetëve në Kuvend. Me këtë ministri zëvendësohet Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ashtu siç ishte rekomandim i autoriteteve të Brukselit dhe vlerësoj se do të tejkalojmë situatës ku tashmë e kemi miratuar të gjithë pjesën normative që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi sekretari organizativ dhe deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim Artan Grubi.

Deputetët në draft sugjerojnë që kjo ministri përveç kompetencave të sekretariatit, të marrë edhe një pjesë të kompetencave të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës.

Propozim – ligji

Në përbërje të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive janë:

– Drejtoria për zhvillim dhe avancim të arsimit në gjuhën e pjesëtarëve të bashkësive,
– Drejtoria për afirmim dhe avancim të kulturës së pjesëtarëve të bashkësive.

Sekretariati do të pushojë së ekzistuari menjëherë nga hyrja në fuqi e ligjit kurse ministri i cili do të drejtojë dikasterin e ri do të zgjidhet në afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. BDI-ja shpreson që të udhëheqë me këtë dikaster edhe pas riorganizimit të tij.

Nga Qeveria deklarojnë se deri tani në organin ekzekutiv nuk është diskutuar për këto ndryshime të mundshme.

“Në kuadër të Qeverisë nuk ka një proces të tillë, nuk është filluar. Ndoshta në nivel politik mes partnerëve të koalicionit duhet të pyesni a ekziston ndonjë iniciativë e tillë. Megjithatë, në Qeveri, nuk ka një proces të tillë”, deklaroi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.

Në rastet kur ndryshimet e këtilla iniciohen nga deputetët, Kuvendi kërkon vlerësim nga Qeveria. Në këtë përbërje të ekzekutivit me Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka udhëhequr zv.kryeministri Hazbi Lika. Ai ka qenë në qendër të kritikave për shkak të mungesës disamujore në punë dhe në seancat e Qeverisë.

/Fatlume Dervishi – Alsat/

Ngrihet flamuri i NATO-s para Qeverisë në Shkup

Isuf Kadriu

Flamuri i Aleancës Veri-atlantike është ngritur në një ceremoni solemne para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup. Ky është akt në të cilin kanë marr pjesë personalitete të larta të politikës vendore dhe ndërkombëtare, është vlerësuar si historik, pasi sipas kryeministrit, Zoran Zaev, anëtarësimi në NATO e bën këtë shtet më të sigurt dhe me perspektivë.

“Sot me plotë siguri themi se atdheu ynë është në rrugën e vërtetë drejt progresit dhe zhvillimit të pa penguar. Ia arritëm. Nga rrugët dytësore të Ballkanit ku pritëm me dekadat të tëra, tani jemi në autostradën kryesore drejt Evropës. Të gjithë mund të jemi krenarë, pasi po jetojmë në kohën moderne të ndërtimit të një shoqërie demokratike, të qytetarëve të barabartë, të cilët synojnë të arrijnë vlerat evropiane. E ardhmja më nuk është fat, ne kemi marr të ardhmen në duart tonë, të cilët edhe e kemi përcaktuar. Me këtë marrim edhe përgjegjësinë që të realizojmë synimin tone histori”,deklaroi Zaev.

Ai shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë ditë të rëndësishme, përfshirë edhe palën greke, përkatësisht Qeverinë dhe shumicën parlamentare, e cila sipas tij nuk u gjunjëzua para presioneve të fuqishme, por më guxim dhe vendosmëri iu përkushtuar zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar mes dy vendeve për çështjen e emrit.

Zaev tha se ditët në vazhdim pason edhe një fazë e rëndësishme, ajo e zbatimit në përpikëri e Marrëveshjes së Prespës dhe me këtë të ndërtimit të shtetit sipas standardeve e vlerave evropiane.

“Këtyre ditëve fillojmë me fazën komplekse të ndërtimit të shtetit tonë sipas standardeve evropiane. Askush më nuk do të na bllokojë nga jashtë. Me vendimet e Parlamentit tonë dhe të Parlamentit të Greqisë dhe me ftesën e shteteve anëtare të Aleancës, ne veç më marrim pjesë në punën e Aleancës më të fuqishme në botë dhe pas ratifikimit të protokollit nga të gjitha shteteve anëtare dhe hyrjes në fuqi të emrit të ri, ne bëhemi anëtarja e 30-të e NATO-s, me çka bëhemi shtet i sigurt dhe prosperues”, ka theksuar Zaev, duke theksuar se marrëveshja afron dy popujt dhe pushtetet në forcimin e marrëdhënieve nga të cilat dy vendet do të kenë vetëm se përfitime.

Por, jo vetëm kaq, kreu i Qeverisë, tha se marrëveshja dhe zgjidhja e kontestit forcon edhe raportet mes shteteve në rajon.

Kryeministri i Maqedonisë në Veriut, Zoran Zaev flet gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit të NATO-s në Shkup.

Kryeministri i Maqedonisë në Veriut, Zoran Zaev flet gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit të NATO-s në Shkup.

“Maqedonia e Veriut nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç se raporte të mira politike, ekonomike e kulturore. Ballkani nuk do të ketë zgjidhe tjetër përveç se bashkëpunimit dhe zhvillimit. Ndërtimi i miqësisë mbetet prioriteti jonë kryesor në politikën e jashtme”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, i cili fjalimin e ka mbajtur para ndërtesës pa mbishkrimin ri me emrin Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Mbishkrimi i vjetër është hequr, ndërsa për të riun nga Qeveria thonë se janë duke punuar dhe se së shpejti do të ndodhë ky akt.

Amendamentet kushtetuese, ndërkohë ende nuk janë shpallur në Gazetën Zyrtare për të shënuar përfundimisht ndërrimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Kryeparlamentari Xhaferi shpalli zgjedhjet presidenciale për 21 prill

SHKUP – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat e Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës. Rrethi i parë i zgjedhjeve duhet të mbahet më 21 prill, raporton Anadolu Agency (AA).

Menjëherë pas nënshkrimit të aktvendimit, kryeparlamentari Xhari dha deklaratë për mediat.

“Para pak kohe nënshkrova aktvendimin për shpalljen e zgjedhjeve të 6-ta presidenciale dhe aktvendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar komune në komunat e Ohrit, Novo Sellës dhe Dibrës. Këtë e bëra në pajtim me obligimin ligjor që e kam si kryetar i Kuvendit. Zgjedhjet do të mbahen më 21 prill. Aktendimi për shpalljen e zgjedhjeve do të dorëzohet deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor si organ për zbatimin e zgjedhjeve”, tha Xhaferi.

Ai më tej tha çdo zgjedhje të reja janë mundësi për mirëndërtimin e vlerësimit pozitiv të marrë nga zgjedhjet paraprake, duke shtuar se rruga për në NATO dhe BE tashmë është trasuar dhe se ulësja e 30-të në NATO është e Maqedonisë.

“Në periudhën që vjen, Republika e Maqedonisë do e japë testin e kapacitetit dhe pjekurisë. Zgjedhjet fer dhe demokratike janë një nga kushtet sipas të cilave do të na vlerësojnë dhe notojnë. Prandaj, apeloj deri te të gjithë pjesëmarrësit në garën presidenciale në vijim, partitë politike dhe te Ju qytetarë të bëjmë përpjekje maksimale që Republika e Maqedonisë të ketë përsëri zgjedhje siç i ngjajnë një shteti evropian, demokratik për realizimin e aspiratave të shtetit dhe për të mirën e qytetarëve”, theksoi Xhaferi.

Ai u bëri thirrje edhe institucioneve kompetente që të bëjnë gjithçka, që dita e zgjedhjeve të kalojë në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Maqedonia nënshkruan Protokollin për anëtarësim në NATO

Isak Ramadani

NATO-ja e nënshkruajti Protokollin me Republikën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e kësaj të fundit në Aleancë, si vendi i tridhjetë. 29 ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s e nënshkruan Protokollin, i cili i lejon zyrtarëve të Shkupit të marrin pjesë në çdo seancë dhe organizim të Aleancës Veriatlantike në Bruksel, por ende pa të drejtë vote.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha gjatë ceremonisë se ky është fillimi i procesit të ratifikimit, ndërsa shpresonte se do të vazhdojë pa pengesa për ta ftuar Shkupin si anëtar fuqiplotë të Aleancës. “Ju do t’i vazhdoni reformat, ndërsa NATO do të japë mbështetje dhe ndihmë. Prej sot, përfaqësuesit tuaj do të na shoqërojnë në këtë tryezë dhe do të ftohen për në takimet e NATO-s”, theksoi ai. Zoti Stoltenberg shprehu mirënjohje për guximin, siç tha të Kryeministrave Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të sjellë më shumë qëndrueshmëri dhe siguri në rajon.

Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov i cili e nënshkroi Protokollin si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut theksoi angazhimin e gjeneratave të tëra për arritjen deri tek kjo ditë. Ai tha se kjo ndodhi pasi “Kryeministrat Zaev dhe Tsipras e shtruan rrugën për këtë synim dhe pajtim dhe se dëshmuan që e pamundura është e mundur”. “Për Maqedoninë, NATO-ja paraqet kalimin e vijës së sigurisë dhe ajo është një familje shtetesh për siguri, qëndrueshmëri dhe që ka për qëllim ta bëjë botën më të qetë për ta jetuar”, tha ministri Dimitrov.

Para anëtarësimit të plotë, secili vend anëtar i NATO-s duhet ta ratifikojë protokollin. Greqia pritet të jetë vendi i parë që do t’i japë dritën jeshile fqinjit të saj për anëtarësim në Aleancën e NATO-s, pasi kishte bllokuar rrugët e integrimit të Maqedonisë për gati tre dekada, për shkak të problemit të emrit Maqedoni, me që një rajon në Greqinë veriore e mban të njejtin emër dhe për shkak të pretendimeve të mundshme të Shkupit ndaj territorit dhe historisë greke. Parlamenti grek pritet ta ratifikojë protokollin të premten.

Pas kësaj, Marrëveshja e Prespës e arritur më 17 qershor, 2017, përkatësisht emri Republika e Maqedonisë së Veriut hyn në fuqi dhe në përdorim zyrtar. Shkupi do ta njoftojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare për emrin e ri dhe t’u kërkojë atyre që ta përdorin atë.

Maqedoni, gjykata ngrin pasuritë e 4 ish-ministrave

Gjykata e Shkupit me kërkesë të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngrirë pasuritë e katër ish- ministrave.

Ish-ministrat Mihail Cvetkov dhe Hristijan Dellev kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa ish-ministri Aco Spasenovski për shkak të gjendjes shëndetësore është në arrest shtëpiak. Për Ljupço Dimovskin gjatë javës së ardhshme do të mbahet seancë për kërkesën për paraburgim, pasi Kuvendi ia mori mandatin e deputetit.

Më herët, Prokuroria hapi një çështje kundër tyre bazuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave gjatë shpalljeve publike”.

Ata dyshohen se gjatë kohës së ministra të Bujqësisë, kanë nënshkruar marrëveshje për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore dhe në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 1.4 milionë euro.

Gruevski: U largova për në Hungari, sepse në Maqedoni do të më vrisnin në burg

Gruevski edhe më herët ka deklaruar se ka marre kërcënime me vdekje në Maqedoni, një akuzë për të cilën, Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka shprehur skepticizëm, duke hedhur poshtë se ish-kryeministri Gruevski ka qenë viktimë e ndjekjes politike.

Gruevski, që ka lidhje të fuqishme me kryeministrin autokrat hungarez, Viktor Orban, u largua për në Budapest në nëntorin e vitit 2018, pasi ishte dënuar në Maqedoni nën akuza për korrupsion me dy vjet burgim. Budapesti zyrtar i dha azil Gruevskit, për atë që e cilësoi si “përndjekje politike” në Maqedoni.

Gruevski tha se ka zgjedhur shtetin e Hungarisë për shkak se ai është anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe sipas tij është shtet “me institucione të pavarura”.

Nikola Gruevski, ka shërbyer në postin e kryeministrit nga viti 2006 deri më 2016. Ai, në muajin maj të vitit 2018, u dënua me dy vjet burgim, për shkak se kishte përdorur për nevoja personale, një veturë në vlerë prej 600 mijë eurosh, që ishte blerë me fonde shtetërore.

Shkupi zyrtar, që ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Gruevskin, e akuzon atë edhe për një varg veprash të tjera që lidhen me korrupsion.

Maqedonia më 6 shkurt nënshkruan protokollin për pranim në NATO

BRUKSEL – Aleanca Veri-Atlantike NATO javën e ardhshme do të nënshkruajë protokollin për pranimin e Maqedonisë në Aleancë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në një mesazh të postuar nga llogaria e tij në Twitter ka njoftuar se me pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në selinë e NATO-s në Bruksel më 6 shkurt do të nënshkruajnë protokollin për pranim, e cila është faza përfundimtare për pranimin e vendit në Aleancë.

Për të filluar anëtarësimin e Maqedonisë, duhet që protokolli i pranimit të ratifikohet nga parlamentet e të gjitha shteteve anëtare dhe të përfundojnë disa procese zyrtare.

Gjatë këtij procesi, Maqedonia do të ftohet në takimet e NATO-s.

Sipas Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, emri i vendit do të jetë zyrtarisht Republika e Maqedonisë së Veriut pas nënshkrimit të protokollit të pranimit nga Athina dhe ratifikimit të saj në parlament.

NATO i dërgoi ftesë për anëtarësim Maqedonisë në Samitin e mbajtur vitin e kaluar në Bruksel. aa

Maqedonia dhe Kosova diskutojnë mbledhjen midis dy qeverive

PRISHTINA – Zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim zv/kryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani, me të cilin diskutuan për një sërë temash, duke përfshirë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe përgatitjen e një mbledhjeje të përbashkët midis qeverive të vendeve të tyre.

Pas takimit, Hoxhaj në një konferencë për media bëri të ditur se Osmanin e informoi për dinamikën e dialogut me Serbinë dhe se në maujt shkurt, mars dhe prill pritet një axhend intensive e takimeve në Bruksel. Ai gjithashtu tha se javën e ardhshme takimi duhet të mbahet në Bruksel.

“Ajo që ndodh në marrëdhëniet bilaterale midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë vetëm për këto dy vende, por edhe për rajonin dhe ne do ta informojmë zëvendëskryeministrin edhe në të ardhmen për çdo dinamikë që ky proces do të ketë, sepse arritjet e Kosovës do të jenë të rëndësishme për Maqedoninë dhe për shqiptarët në Maqedoni”, tha Hoxhaj.

Zv/kryeministri kosovar theksoi se ka përgëzuar homologun e tij nga Maqedonia për rolin e madh të faktorit politik shqiptar në Maqedoni në vitin 2018 në lidhje me emrin e vendit. Ai theksoi se janë biseduar edhe për përgatitjen e një takimi të qeverive të të dy vendeve që do të mbahet në vitin 2019.

“Kemi një axhendë shumë të mirë dhe 17 marrëveshje që duhet të nënshkruhen dhe që parashikojnë bashkëpunimin e zyrave të kryeministrive, ministrive të sektorëve të ndryshëm, komunave dhe këto marrëveshje edhe më tej do të rregullojnë bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, arsimit, shëndetësisë, lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe pikat doganore”, tha Hoxhaj.

Zvkryeministri Osmani tha se vizita e tij në Prishtinë përkon me një ditë të rëndësishme në të cilën pritet që Greqia të ratifikojë Marrëveshjen e Prespës, me të cilën përmbyllet çështja e emrit dhe Maqedonia mbyll të gjitha çështjet e hapura bilaterale me fqinjët e saj dhe hap rrugën për anëtarësim në NATO dhe BE .

“Unë shpesh kam theksuar se Maqedonia nxit dhe eksporton në një farë mënyre modelet evropiane të mbylljes së kontekstit ballkanik, gjë që shpresojmë të jemi katalizator për mbylljen e temave të tjera në rajon, me çka përfundimisht i gjithë rajoni të hyjë në periudhën e paqes, stabilitetit dhe integrimit në NATO dhe BE”, tha Osmani.

Ai gjithashtu deklaroi se erdhi për të informuar Hoxhajn se Maqedonia është e gatshme të mbajë takimin në maj menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale në vendin e tij. Që të dy zv/kryeministrat janë koordinatorë për organizimin e takimit të përbashkët midis dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe Kosovës.

Osmani theksoi se deri më tani është bërë shumë në përgatitjen e marrëveshjeve të nevojshme dhe se kjo kohë mund të përdoret për përgatitjen e disa çështjeve të tjera, veçanërisht në fushën e ekonomisë.

Zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në pranverë?

Isuf Kadriu

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni do të mbahen në pranverë. Data e saktë pritet të kumtohet në fillim të muajit të ardhshëm nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, por me gjasë ato do të mbahen në dy rrethe zgjedhore në prill dhe maj.

Megjithatë, dilema kryesore mbetet nëse së bashku me zgjedhjet presidenciale do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat kërkohen nga VMRO-ja opozitare, partitë shqiptare të opozitës, por edhe një pjesë e vetë Lidhjes Social- Demokrate (LSDM) të kryeministrit, Zoran Zaev. Për këtë edhe do të diskutohet në mbledhjen e të premtes të organeve të partisë, nëse do të pranohet ose jo një mundësi e tillë.

Kryeministri Zaev thotë ai personalisht nuk parapëlqen zgjedhje të dyfishta, por do të pranojë nëse një gjë e tillë kalon në organet e partisë.

“Zgjedhjet parlamentare reflektohen ndaj vendimeve që e çojnë përpara vendin, qoftë në ekonomi apo sfera tjera, andaj them që ky vit duhet të jetë ekonomik. Kjo është një nga arsyet se pse nuk duhet të ketë zgjedhje, pasi duhet të kryhen shumë reforma që ndodhen para nesh. Por, në anën tjetër ka vlerësime se kur ka zgjedhje presidenciale pse të mos shfrytëzohet mundësia për marrjen e një mandati të plotë, por edhe për faktin se mbajtja edhe e parlamentareve nuk do të rrezikonte presidencialet, për shkak të frikës për të mos kaluar pragun prej 40 për qind në rast të ndonjë bojkoti të mundshëm. Sidoqoftë, për vendimin final do të diskutohet në organet e partisë”, tha Zaev.

Nga opozita kanë thënë se zgjedhje duhet të ketë, për shkak të siç thonë, “humbjes së kredibilitetit të Qeverisë lidhur me Marrëveshjen për emrin me Greqinë, Ligjin për gjuhën shqipe, gjendjen e rëndë ekonomike, partizimin e gjyqësorit, e çështje tjera”.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partner kryesor i LSDM-së në Qeveri, thonë se nuk ka nevojë që të mbahen zgjedhje edhe pse ata shprehen të bindur në fitoren e tyre, në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Interes shtetëror për vendin në këtë situatë nuk është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por nëse të tjerët kërkojnë zgjedhje, BDI-ja është e gatshme t’i përgjigjet çdo përballjeje”, ka deklaruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhjet janë humbje kohe, por rreziku i dështimit të zgjedhjeve presidenciale, por edhe konfirmimi i legjitimimit pas Marrëveshjes për emrin, mund të jetë një nga arsyet që megjithatë në pranverë të ketë zgjedhje të dyfishta. Sasho Klekovski, thotë Qeveria aktuale përballet edhe me kritika tjera.

“Edhe partitë politike, por edhe deputetët që votuan Marrëveshjen e Prespës (Marrëveshja për emrin) nuk kishin legjitimimet që ta bëjnë këtë, pasi nuk ishte paraparë në programet e tyre, pra edhe mund të kontestohet vendimi i tyre.. Duke u nisur nga kjo, por edhe premtimi i pushtetit gjatë fushatës se do të ketë drejtësi për të gjithë, por që u komprometua me amnistinë dhe shumë veprime tjera, flet se premtimi nuk është realizuar. Për këtë dy çështje konsiderojë se mund të kërkohet besimi nga elektorati dhe nëse fitojnë në zgjedhje, atëherë këto çështje do të legjitimohen”, thotë Klekovski.

Partitë, ndërkohë kanë nisur edhe konsultimet lidhur me caktimin e kandidatëve të mundshëm për president, për të zëvendësuar kreun aktual të shtetit, Gjorge Ivanov, i cili në këtë post e ka ushtruar për dy mandate. Partitë në pushtet nuk përjashtojnë mundësinë që të dalin me një kandidat të përbashkët, por për momentin ende nuk ka ndonjë emër si kandidat serioz. Opozita me gjasë do të dalë e vetme dhe për momentin në rrjedh është paraqitja e kandidatëve në konkursin partiak.