“Një media e lirë mund të jetë e mirë apo e keqe, por pa liri, nuk mund të jetë veçse e keqe”. Kjo thënie e Albert Camus më erdhi ndër mend sot ndërsa mbi 200 punonjës të “Panorama group” u detyruan të ndërpresin punën, të tjera medie nuk patën kurajë të pasqyronin këtë lajm të trishtë. Përkundrejt tablosë së gazetarëve të përlotur të News 24, Panorama dhe Ballkanweb, në ekrane shfaqeshin telenovela turke, sugjeroheshin mjekime për dhimbjet e prostatës dhe të kockave, apo flisnin ‘boomin’ turistik të Shqipërisë, si perla e pazbuluar e Ballkanit. Pikërisht kur gjendesh mes këtyre dy realiteteve mediatike kujtohesh pse është kaq i çmuar njeriu i lirë i medias së cunguar.
Si Fatos Lubonja, që nën vështrimin e tij dyshues e zërin e pakompromisë ‘zbërthen gjer në kockë’ plagët e kësaj shoqërie, të kësaj qeverie, por edhe të asaj që duhet të jetë fryma opozitare.
Si Osman Stafa, një nga gazetarët më pranë shtresave më vulnerabël, që tregon çdo ditë se si me pak, mund të bësh kaq shumë vepra të mira.
Si Klevin Muka, gazetari kurajoz, që bën atë çka duhet të ishte një akt normal në medien e lirë, të pyesë pa u autocensuruar, të përçojë zërin e qytetarëve.
Si Klodiana Lala, gazetarja e palodhur që i ka rezistuar çdo lloj sulmi të shkaktuar për shkak të përcjelles prej saj të ngjarjeve të kronikës, mes krimit, mafies e politikës, shpesh edhe të kryqëzuara.
Si shumë gazetarë, redaktorë, operatorë e montazhierë, të cilët sot në vend të përcjelljes së informacionit, ishin lajmi i ditës. Të rrethuar nga policia për t’i rikthyer ambientet e punës së News 24 shtetit, për shkak se siç pretendohet nga njëra palë (MEKI) e mohohet nga tjetra (Fokus Media News) kontrata ka përfunduar. Ambienti do t’i kalohet shoqërisë shtetërore “KAYO” për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
A mund të gjendej një marrëveshje? E nëse po, a do të kishte kjo kosto te medha për fjalën e lirë në këto medie? Por, sa televizione të tjera ka që operojnë si qiramarrës në prona shtetërore, dhe sa ndikon ky faktor në pavarësinë e tyre mediatike? A janë shumë prej tyre pre e filozofizë që “sa kohë nuk flasim për problemet e politikës, qeverisë e institucioneve mund të themi ç’të duam”?
Nisur nga përvoja ime pranë “Panorama group (Gazeta “Panorama”) mund të them pa frikë (dhe e zeza është mbi të bardhë), se ka qenë një nga mediet që ka lejuar të përçohet zëri kritik, që për probleme madhore e ka vënë theksin tek fjala e specialistëve dhe intelektualëve, si dhe ka mbështetur artin e kulturën e mirëfilltë.
Sigurisht që nuk mund të flasim për kushte ideale mediatike në vendin tonë, por duhet mbështetur përpjekja për të përcjellë fjalën e lirë. Mbi të gjitha duhet mbeshtetur përpjekja e njerëzve të lirë të medies nga Lubonja tek Stafa, të cilët përmes analizave dhe raportimeve të tyre limitojnë sadopak ata që kanë pushtetin.