VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Lidershipi ne vendet ish – komuniste ose nga nomenklatura komuniste tek ajo borgjeze Nga Iris Halili

By | May 6, 2017

Komentet

Një përvjetor i shënuar i një shkrimtareje të shquar – Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

Në nderim të 60-vjetorit të lindjes

së Mjeshtres së Fjalës Artistike Mira Meksi

Ditëlindja! Ditë gëzimi, apo edhe ditë e përjetimit të një ndjenje trishtimi të lehtë, se u moshuam edhe një vit? Ka mendime të ndryshme. Sepse secili ka këndvështrimin e vet. E kuptueshme. Jeta prandaj edhe është interesante se ka larmitë e veta.

Me kalimin e moshës, disa kanë ndjesinë se pak ditë para festimit të ditëlindjes, atyre sikur u prishet humori dhe shenjat tregojnë se janë duke përjetuar një rënie shpirtërore. Vitet ikin dhe njeriu i ndryshon përfytyrimet e veta pë jetën. Ai ka qejf të kthehet drejt rrënjëve, sepse në jetë vjen e merr një rëndësi të madhe cilësia, jo sasia. Dhe vjen një ditë kur ai mendon seriozisht për njerëzit që e rrethojnë, i heq syzet, përmes së cilave bota i është dukur si fushë me lule, Kësisoj, ai, në mesin e jetës, fillon të vërejë gjëra, të cilat më herët nuk i kishin rënë në sy. Një sërë syresh vazhdojnë të repektojnë disa shprehi që kanë zënë vend me kohë në jetën e tyre dhe mundohen t’u përmbahen atyre, çka, me kalimin e kohës, bëhet burim i një tensioni të brendshëm.

Në mënyrë që në jetën e njeriut të vijë diçka e re, ai duhet të lirojë vend brenda vetvetes ose duhet ta zgjerojë hapësirën e vet për të tjerët. Sepse këtu mund ta ketë burimin njëra nga arsyet e rënies së lehtë shpirtërore para festimit të ditëlindjes, paçka se njeriu mund të mos jetë i vetëdijshëm për një gjë të tillë.

Festimi i ditëlindjes nuk mund të sjellë gëzim për një ditë, aq më tepër kur edhe shumë urime që vijnë, mund të tingëllojnë formale.

Është e kuptueshme që janë të shumë ata, që, me afrimin e ditëlindjes, rrinë e vrasin mendjen se çfarë kanë mundur të arrijnë dhe çfarë nuk kanë mundur ta arrijnë në jetë. Dhe nëse rezultatet e jetës nuk u kanë sjellë gëzim, është e kuptueshme që kjo do të reflektohet në gjendjen shpirtërore.

Një tjetër arsye e fortë e një gjendjeje të tillë shpirtërore, është sjellja në kujtesë e ditëlindjeve në moshën e fëmijërisë. Në moshë të re, ngjarjet dhe rrjedha e jetës rendin me një shpejtësi marramendëse dhe njeriu nuk arrin të vërë veshin dhe të dëgjojë vetveten. Kurse kur piqet, ai ka më shumë kohë për përsiatje dhe për të hyrë në kontakt me botën e tij të brendshme.

Ndodh edhe shpeshherë kur gëzimi është paksa i venitur gjatë festimit të ditëlindjes, për arsye se disa kërkesa që fshihen brendas shpirtit, nuk ka qenë e mundur të përmbushen. Se gëzimi është i lidhur me shpirtin. Sa më shumë njeriu e ka të zhvilluar logjikën dhe mendimin racional, aq më shumë ai largohet nga shpirti i vet.

Njeriu e ka të organizuar jetën në atë mënyrë, që ndjenjat dhe logjika, si dy pole të një gjysmësfere, nuk mund të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. Sa më shumë synon të eci në jetë ashtu siç e mëson mendja, aq më shumë ai e humbet ca lidhjen me shpirtin e, për pasojë, edhe gëzimin nga pak.

Gëzimi është cilësi dhe tipar i shpirtit. Është burim i brendshëm në thellësinë e zemrës së njeriut.

Personaliteti politik, njeriu i shquar i  letrave, diplomati i njohur dhe njëri nga udhëheqësit e luftës për pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banjamin Franklin (1706-1790), ka lënë një porosi të vyer për brezat pasardhës:

“Mundohu ta gjesh gëzimin në jetë. Kjo është mënyra më e mirë për ta tërhequr drejt vetes lumturinë”.

E kam njohur Mirën në vitin 1984, kur ajo u emërua përkthyese në Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Ishte një redaksi e madhe, me një personel prej 48 përkthyesish dhe disa daktilografiste, në të cilën përballohej një punë mjaft e vëllimshme për përkthimin e letërsisë politike në 8 gjuhë të huaja. Asokohe isha përgjegjës i Redaksisë. Mira i kishte përfunduar studimet universitare për frankofoni dhe midis pedagogëve që i kishin dhënë mësim në fakultet, kanë qenë edhe pedagogë francezë  dhe Profesor Vedat Kokona, një personalitet i shquar i kulturës sonë mbarëkombtare dhe njohës i shklqyer i kulturës franceze dhe asaj botërore.

Si studente e talentuar, që gjatë viteve të studimit në fakultet, ajo kishte studiuar gjuhën spanjolle dhe gjuhën italiane. Për gjuhën spanjolle kishte pasur një pasion të veçantë, prandaj edhe u punësua si përkthyese pikërisht në sektorin e spanjishtes të asaj redaksie. Talenti i saj si përkthyese, kishte shpërthyer që në moshën e pararinisë. që gjatë viteve të gjimnazit, në moshën 16-vjeçare, kur kishte arritur të përkthente  nga frëngjishtja novelën-përrallë alegorike“Princi i vogël” (Le petit prince) të shkrimtarit dhe poetit francez Ekzyperi (Antoine de Saint-Exupéry – 1900-1944), si edhe në vitet studentore, kur ajo pati kuturisur të përkthente me sukses poezi të Vedat Kokonës në frëngjisht.

Mira nuk qëndroi deri në fund në sektorin e spanjishtes. Aty nga fundi i viteve ’80, ajo u transferua në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku e priste “varka e saj e parapëlqyer” drejt hapësirave “kaltërore” të  përkthimit artistik, i cili edhe më shumë ushtroi mbi të një ndikim hyjnor për t’u bërë një shkrimtare me emër në botën e letrave shqipe.

Ja si e kujton Mira kohën kur punoi në Redaksinë e gjuhëve të huaja:

“Ishte vera e vitit 1984, kur, e porsadalë nga studimet universitare, iu bashkëngjita punëtorëve të përkthimit politik në gjuhë të huaj, në sektorin e spanjishtes…  E mësuar me përjetimin e një lloj klime liberale karshi dogmave të kohës gjatë viteve të studimeve të mia të larta për filologji frënge, – ku pedagogët francezë kishin luajtur një rol të madh jo vetëm me profesionalizmin, qytetarinë dhe shpirtin e tyre të lirë, por edhe me librat e ndaluar që më jepnin fshehurazi, ashtu siç kishte luajtur rol të jashtëzakonshëm miqësia me profesorin tim të paharruar Vedat Kokonën dhe të vëllain e tij Nedim Kokonën, një tjetër intelektual par excelence, –  me shumë drojë dhe frikë në zemër kapërceva derën e hekurt të sektorit të gjuhëve të huaja të “8 Nëntorit”, e cila, kohërave kur unë punova në Redaksi, nuk e kishte më rojen e mistershme të dikurshme pas saj. Ishte koha kur s’kisha shumë që e kisha kaluar pragun e të qenit vetëm një lexuese e thellë, serioze dhe e përkushtuar ndaj letërsisë së madhe të botës, dhe po hyja ngadalë, por sigurshëm, në udhën e përkthimit dhe të krijimit të mirëfilltë letrar… Kishte pasur raste që ishin përkthyer edhe 50 faqe në ditë nga një përkthyes i vetëm, ndonëse norma ishte katër faqe në ditë…  Ishte “parajsa intelektuale dhe profesionale”, ku u rrita dhe u formësova, ku, pasi futa duart në magjen ku gatuhej brumi i përkthimit politik, gjeta volinë për t’iu dhënë përkthimit letrar, dhe kjo, për tërë jetën, ishte, ndoshta, i vetmi vend në Shqipërinë tonë të izoluar ku mund të thithej një grimë ajri me parfumin e lirisë dhe të botës së madhe”.

Zëvendësimi i sistemit u shoqërua në mbarë vendin me shpërbërjen e gjithçkaje, në të gjitha sferat e jetës, që nga objektet “e panevojshme” industriale, deri te shtëpitë botuese. Populli shqiptar “nuk kishte më nevojë” për “asnjërin” nga ato objekte dhe aq “më pak” për shtëpitë botuese. Sikur kasta politike në pushtet të kishte pasur fuqi hyjnore, me siguri që do ta kishte nxjerrë në ankand edhe ajrin, për t’ua kaluar në pronësi oligarkëve, në mënyrë që popullit t’ia shisnin me çmim të vendosur sipas tekave të veta. Kjo do të kishte qenë një “mrekulli e vërtetë”.

Viti 1990 Mirën e gjeti një intelektuale tashmë të pjekur. Pas vitit 1990, Mira, ashtu si edhe të gjithë përkthyesit e tjerë të Redaksisë, si edhe krejt punonjësit e të dyja shtëpive botuese, u gjendën me jetën ballë për ballë. Redaksia u kishte shërbyer përkthyesve si një universitet tjetër, si një kudhër e vërtetë për të përballuar “tërmetin” që po afrohej. Ata e gjetën veten shumë shpejt, duke u sistemuar në punë të ndryshme, madje edhe në fushën e diplomacisë, meqenëse përveç gjuhës së përkthimit në Redaksi, ata, që të gjithë, zotëronin edhe gjuhë të tjera.

Mira, si një intelektuale e formuar dhe me një vizion të gjerë për jetën, u orientua shpejt në situatën e krijuar. Mjaft e talentuar, e zgjuar nga natyra dhe me një shpirt praktikë, në vitet ’80-90 dhe në vijim, përveç sukseseve që shënoi në përkthimin e letërsisë artistike, kur, përmes penës së saj, erdhën në gjuhën nshqipe vepra të më shumë se 20 autorëve të huaj, ajo ra në sy për tri gjëra me peshë.

Së pari, në vitin 1994 ajo bashkëthemeloi dhe punoi si Drejtore e Fondacionit të parë kulturor privat shqiptar “Velija”. Pikërisht me nismën e saj, siç e thekson ajo në një intervistë të paradokohshme që i ka marrë Leonard Veizi për gazetën “Fjala” të datës 19 shtator, u krijuan,çmimet e para private letrare, të cilat u dhanë për 8 vjet me radhë, dhe mendoj dhanë kontribut në ndërtimin e sistemit të vlerave në letërsi”.

Duhet përmendur Çmimi Kadare që ju dha shkrimtarit argjentinas, të njohur në mbarë botën, Ernesto Sabato (1911-2011), i cili, kur e mori atë Çmim, pati deklaruar: “Ky ishte më i madh se Çmimi Nobel”.

Së dyti, në vitin 1996, Mira themeloi dhe drejtoi revistën letrare “Mehr Licht” (Më shumë dritë – sipas shprehjes së famshme të Gëtes), anëtare e rrjetit evropian letrar “Eurozine”. Ajo revistë ka pasë qenë një faqe e ndritur në historinë e kulturës letrare mbarëkombëtare. Ajo pati shërbyer për adhuruesit e letërsisë si një dritare e shkëlqyer me vlera të jashtëzakonshme enciklopedike për prurjet e pamata nga krijimtaria më e mirë letrare mbarëkombëtare dhe botërore. Revista, me më shumë se 400 faqe, vazhdoi të botohej për 16 vjet me radhë dhe ka hyrë në fondin e artë të letërsisë sonë. Por paskëtaj ajo u “largua për në pasjetë”, u fik, u shua, mbaroi. Në kujtesën e lexuesve ajo “avulloi”, u ngrit drejt hapësirës, u shndërrua në një “meteor” që qarkullon nëpër humnerat qiellore dhe vazhdon të mbajë në sipëfaqen e vet emrin e skalitur me merak “Mira Meksi”.

Së treti, gjatë viteve 2002-2010, Mira ka qenë Drejtore e Përgjithshme e “TV ALSAT”. Drejtimi i këtij kanali televiziv me shikueshmëri të lartë, ka pasë qenë një kontribut i ndjeshëm i drejtpërdrejtë i saj në fushën e mjeteve informative pamore.

Të shumta janë veprat artiske që Mira ka krijuar në disa gjini letrare, si romani, novela, tregimi, eseistika dhe letërsia për fëmijë. Ajo ka kontribuar, gjithashtu, në lëmin e publicistikës, me botimet e saj në shtypin shqiptar, si edhe në shtypin francez.

Të shumta janë edhe vlerësimet që i janë bërë Mirës për përkthimet artistike dhe për veprat artistike origjinale. Ajo është nderuar më shtatë Çmime, me një Titull nderi dhe me Urdhrin  “Comendadora” i Meritës Civile, i akorduar nga Mbreti i Spanjës Huan Carlos I.

Jam më se i bindur se Mira nuk rend absolutisht pas Çmimeve. Megjithatë, kur atë e ka vlerësuar aq lart mbreti i Spanjës, do të kishte qenë shumë mirë, sikur parapavijat e Presidencës në Tiranë të ishin kujtuar me kohë dhe t’i kishin çuar Presidentit propozimin për t’i akorduar një Çmim të lartë.

Një meritë të veçantë ka Mira për përkthimin e veprave të veta artistike në frëngjisht, madje edhe të rikrijuara në këtë gjuhë. Kjo është një dukuri shumë e rrallë në kulturën  tonë kombëtare. Ky është një talent i jashtëzakonshëm që haset rrallë edhe në kulturën botërore. Me këtë rast, ja çfarë i ka deklaruar ajo Leonard Veizit në intervistën e lartpërmendur:

“Të gjitha romanet e mia, përveç romanit “Porfida-Ballo në Versailles”, i cili është i përkthyer, i kam rishkruar në frëngjishte. Por edhe ky roman do të ribotohet në Francë më 2021, i rikrijuar në frëngjishte nga unë… Është një punë shumë e vështirë, e cila më merr vërtet shumë kohë. Është pothuaj sikur i shkruaj nga dy herë librat e mi. Sepse bëhet fjalë për një rikrijim në frëngjishte, është e pamundur që shkrimtari ta përkthejë veprën e tij, njëlloj siç mund të bënte me veprën e një shkrimtari tjetër… Si shkrimtare frankofone, kam më shumë shanse për t’u botuar. Ishte në të vërtetë propozimi i botuesit të Editions Persee, kur lexoi një përmbledhje në frëngjishte të romanit “E kuqja e demave”, që të më botonte si shkrimtare frankofone. Një ndërmarrje që rezultoi pozitive dhe që vazhdoi me romanet e tjera”.

Merreni me mend, të nderuar lexues, se sa lart e vlerëson botuesi francez veprën e Mirës në frengjisht, saqë i ngjallë një interesim të veçantë jo vetëm si përmbajtje, por edhe si nivel artistik i përkthimit apo i rikrijimit në këtë gjuhë.

Në veprën artistike të Mirës, lexuesi zbulon për shijet e veta jo vetëm atë që eshtë e nevojshme, e dobishme, por edhe atë që është e bukur. Aty ai vëren thellësinë e qiellit kaltëror, vezullimin e yjeve në hapësirat e tij të pamata,  perëndimin e ndezur të diellit flakërues, paqyrimin e tij në morinë e pafundme të pikave të vesës mëngjesore, shpërthimin e fuqishëm të ndjenjave të dashurisë dhe dhembjen dridhëruese që ajo mbart në shpirtërat njerëzorë. Ai ndjek me endje dhe herë-herë edhe me një kërshëri të pazakontë rrëfimet artistike të Mirës dhe, tek ecën nëpër hapësirat e atdheut amë, tek ndjek lodrimin embëlor të valëve lozonjare të detit hijerëndë pranë brigjeve amtare dhe fëshfërimën  solemne të gjethnajës së pyllit aty pranë,  edhe ai mundohet ta kuptojë të bukurën sa më mirë. Madje edhe vetë të dijë si ta krijojë dhe si ta mbrojë atë. Dhe në zemrën e tij nisin të shpërthejnë filizat e fisnikërisë së shpirtit njerëzor. Pikërisht ky është ai ndikim i fuqishëm që ushtron proza artistike e Mirës mbi edukimin e lexuesit.

Tri gjëra më kanë lënë mbresa të thella në krijimtarinë artistike të Mirës.

Së pari, erudicioni i saj i jashtëzakonshëm. Në këndvështrimin tin, erudicioni i shkrimtarit shërben si uji i freskët, pa të cilin nuk mund ta përballosh dot zhegun e verës. Erudicioni atij i shërben si një përtejanë (sfond) e sigurt për shtjellimin mjeshtëror të ngjarjeve në veprën e vet artistike, për rikrijimin sa më të natyrshëm të skenave nga më të ndryshme për ngjarjet që pasqyron, për shndërrimin me një elegancë mahnitëse të të vërtetave jetësore në të vërteta artistike. Është pikërisht erudiconi i jashtëzakonshëm i Mirës që ka bërë të mundur krijimin  e krejt korpusit të veprave të saj, çka bie në sy veçanërisht në romanin “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe te novela “Hakmarrja e Kazanovës”.

Së dyti, mjeshtëria e saj e rrallë. madje e jashtëzakonshme, për skalitjen e ndjenjave të dashurisë. Mira e përshkruan pasionin e të dashuruarve me tone të ndezura, me një ndërkëmbim ngjyrash ëmbëlake, të shoqëruar me vellon e një drite poetike. Në krejt krijimtarinë artistike, Mira zbulon filozofinë e vet për dashurinë, çka të kujton krijimtarinë e disa autorëve francezë, të tillë, si Prosper Krebijoni (Prosper Jolyot de Crébillon1674-1762), Zhan Marmonteli  (Jean-François Marmontel17231799) dhe Sebastian Shamfori (Sébastien-Roch Nicolas de Chamfort1741-1794).

      Së treti, pasuria gjuhësore e krijimtarisë artistike. Leksiku i Mirës është një thesar i çmuar për gjuhën shqipe. Proza e saj është një “arkeologji gjuhësore”. Shumë fjalë ajo i ka nxjerrë nga harresa pikërisht me merakun dhe me pasionin e një arkeologu për kulturën dhe jetën e periudhave të lashtësisë. Ajo, me një guxim të kuturisur, krijon fjalë të reja dhe kompozita fantastike me brumin e shqipes në gatimoren e saj të pasur.

Mira e meritonte plotësisht ta priste dhe ta festonte 60-vjetorin e lindjes me një ngazëllim të jashtëzakonshëm, pikërisht për sukseset e arritura në krijimtarinë artistike, për jetën publike që përmenda më lartë, për vlerësimet e larta që i janë bërë. Por… Jeta ka të papritura. Dhe ndodhi ajo që thotë aktorja, shkrimtarja dhe komediania e njohur amerikane Fenni Fleg (Fannie Flagg 1944):

“Mund të rastis që të torturohesh për një kohë të gjatë dhe mandej, kur për diçka nuk të ka shkuar mendja fare, fati, pa pritur e pa kujtuar, bën një piruetë befasuese”.

Më shumë se një muaj para festimit të 60-vjetorit më 27 shtator, Mirës i ndodhi një fatkeqësi e rëndë: Nëna e saj e dashur, Mami Nora e shtrenjtë, ndërroi jetë më 18 gusht. Kjo ngjarje e papritur ia ka rënduar së tepërmi gjendjen shpirtërore. Sepse Mami Nora ka qenë Kryezonja e edukimit të saj me tipare të shkëlqyera karakteri, ajo ka shërbyer për të si një Bibël e vërtetë. Ishte pikërisht Mami  Nora ajo që Mirës i futi në gjak dashurinë për Gjuhën Shqipe, Gjuhën e Perëndive, siç e ka quajtur Naimi i Madh dhe Aristidhi i Madh. Falë edukimit të Mami Norës, tash sa vite, para lexuesit del një Mirë e çiltër si vetë thjeshtësia, e hijshme si vetë bukuria, me takt si vetë fisnikëria, dinjitoze si vetë krenaria, e prerë si vetë drejtësia, e zgjuar si vetë mençuria, zemërbardhë si vetë shenjtëria.

Unë dhe bashkëshortja ime e çmuar, Havaja, Mirën e urojmë nga zemra për 60-vjetorin e lindjes. Jemi të bindur se ajo do ta përballojë këtë gjendje të rënduar shpirtërore dhe do të gjejë forca për ta vazhduar po me kaq suksese krijimtarinë e vet artistike, sepse krijues të formatit intelektual të Mirës janë pasuri kombëtare.

Santa Barbara, Kaliforni

23 shtator 2020

Sugjerim për bandillët e ekraneve të Tiranës – Nga SHABAN MURATI

 Kur thirrni në studio pashallarët me shtatë tuje, kuq apo blu qofshin, u bëni një pyetje të thjeshtë: Përse Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, nuk e ka ngritur asnjëherë në NATO absurdin armiqësor të Greqisë, shtet anëtar i Natos, e cila 75 vjet mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore mban në fuqi ligjin e luftës kundër Shqipërisë? A përputhet ligji grek i luftës kundër Shqipërisë me Nenin e famshëm 5 të Traktatit themelues të NATO-s, i cili përmban detyrimin e shteteve anëtare për t’u bashkuar me një shtet anëtar, që është në luftë me një tjetër? Dy alternativa ka: Ose NATO duhet pranojë që Lufta e Dytë Botërore nuk ka mbaruar ende dhe të adoptojë ligjin grek të luftës duke e bërë ligj atlantik të luftës me Shqipërinë. Ose Nato të detyrojë Greqinë që ta heqë një orë e më parë ligjin e turpshëm grek të luftës me Shqipërinë. Mirpo a mund t’i vesh faj NATO-s, kur që nga 2009 e deri më sot asnjë qeveri shqiptare, që janë drejtuar nga pashallarët me shtatë tuje, nuk është kujtuar njëherë ta ngrejë në NATO këtë situatë absurde të një ligji lufte midis dy shteteve anëtare. NATO nuk ka faj, ajo mendon se vetë Shqipëria sadomazokiste e ka qejf ligjin grek të luftës, përderisa pashallarët shqiptarë me shtatë tuje të qeverive kuq dhe blu gjithmonë i klasifikojnë marrëdhëniet me Greqinë si “të shkëlqyera”.

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË (V) – Nga EUGJEN MERLIKA

 

(Tridhjetë vite historie shqiptare)

“Demokraci do tw thotw shumw mw tepwr se sa qeveri popullore e zotwrim i shumicws”

  1. F. KENNEDY

 

Një tipar i theksuar i demokraturave në përgjithësi është këmbëngulja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet e në politikë, mundësisht deri sa të ndërrojnë jetë. Në këtë drejtim edhe shtetarët tanë nuk janë shumë të prirur të mos e respektojnë këtë rregull të pashkruar, por që është kthyer në një “ungjill” apo “kuran” të politikës.    Po të hedhim vështrimin në politikën botërore, do të vërejmë se Vëndet që nuk kanë një demokraci të hershme e të traditës, kanë një klasë politike të ngulur në kolltuqet e pushtetit prej dhjetëvjeçarësh, pavarësisht sistemit që praktikojnë.

Ata mund të jenë mbretëri, si shumë Vënde të botës arabe (Jordania, Maroku, Arabia Saudite, Vendet e Gjirit persik), Nepali e ndonjë tjetër e për ta është i ligjshëm pushteti i trashëguar, por mund të jenë edhe republika të mbretërizuara, në të cilat pushteti është i përjetshëm në duart e atij që qeveris. Në këtë kategori hyjnë Vendet ish komuniste apo të tilla si Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Venezuela, Nikaragua, Bjellorusia, ish republikat sovjetike të Azisë qëndrore, Zimbabve, Siria etj. Kësaj liste të paplotësuar i duhet shtuar edhe Turqia e Erdoganit apo Irani i ajatollaheve që vijnë nga histori të ndryshme por kanë edhe ngjajshmëri në disa drejtime.

Në shumicën dërmuese të këtyre Vendeve, që përfaqësojnë rreth 40 % të popullsisë së globit, parimet bazë të demokracisë perëndimore janë shkelur e zëvendësuar nga urdhëra e urdhëresa të qeverive që zhvillojnë edhe zgjedhje “të lira”, të cilat i fitojnë gjithmonë ata me shumica “bullgare”, duke ruajtur për dhjetëvjeçarë me rradhë strukturat e tyre shtetërore të drejtuar nga të njëjtit njerëz. Lëvizjet demokratike n’ata shtete, herë herë organizohen dhe e ngrenë zërin e tyre, por ai bie në vesh të shurdhër, sepse demokratura njeh vetëm gjuhën e forcës dhe Lukashenko, Maduro, Asadi, Putin, Xi Jinpin e të ngjajshmit e tyre nuk ngurojnë t’a përdorin atë kundrejt bashkështetasve të tyre.

Teoria e “eksportimit të demokracisë”, e vënë në provë nga Shtetet e Bashkuara nën presidentin Bush në Irak, nuk gjeti përkrahje të gjërë tek të gjitha demokracitë evropiane e sprova e Irakut u quajt e gabuar, edhe se koalicioni ndërhyrës hoqi nga pushteti e nga jeta një satrap të patentuar si Sadam Hysejni e i dha mundësi popullit dhe klasës politike irakene të ndërtonin shtetin e tyre demokratik. Madje dhe ndërhyrja anglo – franceze në Libi në mbrojtje të kryengritësve kundër Gadafit, që shmangu një det gjaku të cilin po e përgatiste diktatori libian t’a kryente në Mizurata, vlerësohet si një gabim i madh nga vetë demokracitë, sepse solli “destabilizimin” e Vendit mbas vdekjes së tij. Një ndërhyrje e tillë kishte qënë ajo e NATO-s në Kosovë e në Sërbi në verën e vitit 1999 në mbrojtje të popullit të Kosovës, që kërcënohej me zhdukje fizike, si pasojë e genocidit serb, por që u dënua nga Rusia, Kina apo ndonjë Vend tjetër si Greqia e të tjera që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës. Ndërkaq më vonë Rusia ndërhyri ushtarakisht në Krime, në Gjeorgji, në Ukrainë, në Siri e Turqia në Siri e së fundi në Libi, por opinioni publik nuk u shqetësua shumë, nuk pati asnjë protestë para selive përfaqësuese të këtyre Vendeve. Kjo mënyrë të ndërpretuari të ngjarjeve që dënon ndërhyrjen e demokracive në ndonjë zonë të botës në mbrojtje të popujve të rrezikuar, por quan vendosje rendi e rregulli ndërhyrjen e demokraturave në të tjera, është një nga treguesit më të çiltër të çoroditjes mediatike e politike në kohën tonë.

Mund të jetë e drejtë të vendosen marrëdhënie bashkëpunimi ekonomik e tregtar me diktaturat e majta kudo në botë, me Kinën kryesisht, por nuk duhet të gjejë vënd në mendësinë demokratike mospërfillja kundrejt shfaqjeve të dhunës së qeverisë kineze mbi ujgurët, mbi Hong Kongun, apo të dallimeve mbi pakicat katolike. Ajo të çon në një parodi të parimeve e të demokracisë, që i nënështrohen lehtësisht interesave ekonomike apo hamëndjeve si të tilla. Ndërgjegja demokratike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës në botën e soçme është në krizë njimendësie, e detyruar të pajtohet në heshtje me shumë dukuri që bien ndesh me të, e pafuqishme të veprojë, veçse nëpërmjet fjalës së lirë ku është e mundur, në mbrojtje t’atyre parimeve, të cilëve i beson, por që i sheh të nëpërkëmbura në shumë anë të botës. Protestat e bjellorusëve, apo të venezuelanëve më parë, të ukrainasve apo të banorëve të Hong Kongut, trajtimi çnjerëzor që i bëhet myslimanëve në Birmani, meritojnë të gjithë mirëkuptimin e solidaritetin tonë, ashtu si edhe të gjithë ata intelektualë turq, viktima të shtypjes policore të regjimit mbas t’ashtuquajturit “grusht shteti” në Turqi. Si qytetarë të botës ndihemi në vështirësi me pafuqinë tonë…..

Tek neve prirja për të kaluar gjithë jetën në politikë e ka kaluar edhe atë të regjimit komunist, ku politika ishte në plan të parë. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë se në diktaturë kishte një mekanizëm rregullator me qëndër në trurin e Enver Hoxhës, që kujdesej për të vendosur kohë të përcaktuara për secilin politikan, madje edhe për secilin qytetar. Ajo ishte një kohë e çuditëshme e mbushur me ushtri hafijesh që, si marimangat endnin për çdo qytetar, “mik” apo “armik”, rrjetat e tyre të padive që dikush tjetër lart, shumë lart, vendoste kur t’i shkrepte mëndja e hazdisur, t’i vinte në zbatim, duke porositur arrestimin dhe dënimin e njerëzve. Çuditërisht për njerëzit më t’afërt, shokët e luftës të cilën “kryeheroi” e kishte parë vetëm me dylbi, të bashkëqeverisjes kriminale dhjetravjeçare, pasues të zellshëm, të cilët përgjëroheshin për të e për të cilët ai ishte kthyer në një Perëndi mbi tokë, dënimet ishin më të ashpra, shkonin deri në vdekje, me zbatime në vënde të panjohura, në orët e thella të netëve pa hënë….

Të gjitha këto vërtetonin “drejtësinë” e udhëheqësit, që mendonte vetëm për popullin e drobitur nga skamja, por të cilit i kishte krijuar një parajsë, atë socialiste. Për ata që e “tradhëtonin” atë popull, qoftë edhe vetëm në haluçinacionet e tij, ai nuk kishte aspak mëshirë, u merrte më parë dinjitetin nëpërmjet “autokritikave” para partisë, e pastaj jetën, në varrezën e përbashkët të truallit shqiptar, me të njëjtën mungesë mëshire që kishte shfaqur për të tjerë “tradhëtarë”, duke filluar nga kunati i tij që ishte një nga shqiptarët më të mirë të kohës së tij. Dhe rapsodi popullor i këndonte:

Enver Hoxha e mprehu shpatën

      Dhe njëherë o për situatën.

      Kjo asht shpata qi i rrin te koka         

                                                     Gjithë anmiqvet o që ka bota.”

Sa më shumë vriste Enveri me urdhërat e tij, aq më shumë rapsodi brohoriste e çirrej:

Enver Hoxha o tungjatë jeta

                                                        Sa kto male o sa kto shkrepa.

                                                        Emnin shqipes o lart i a ngrite                     

                                                        Gjithë këtë popull në dritë e qite.”

Mbas vrasjeve duheshin zëvendësuar postet e tyre me njerëz të besimit: atëherë mblidheshin ata apo ato ku ishin e ku s’ishin, shoferë, kooperativistë, karrocierë, elektriçistë etj., e zinin vëndet e tyre në byronë politike e në qeveri, duke kënduar “Enver Hoxha or tungjatë jeta…..”      

Sa anakronike tingëllonin këto vargje kur shqiptarët u liruan nga zinxhirët e provuan të gjenin fatin në botën e madhe, larg e afër, e panë me sytë e tyre errësirën në të cilën kishin qënë të zhytur deri atëherë. Kjo ishte historia nga dolën drejtuesit e demokraturës që në dhjetorin 1990, një vit mbasi rumunët kishin dërguar në botën tjetër çiftin mizor të shtetit të tyre, u betuan e u stërbetuan se do të ndërtonin demokracinë perëndimore në Shqipëri. Një vit më parë prijësi i tyre u kishte dhënë të gjithë udhëzimet se si do të ujdisej Shqipëria “demokratike”. Ata do t’a ruanin si gjënë më të çmuar “ungjillin” e pas komunizmit, madje do të shkonin të këshilloheshin me autorin e tij sa herë që hasnin në vështirësi ose sa herë donin t’a falënderonin për misionin e tij “historik”. Ishte një mision që kish nisur herët duke miratuar vrasjet e mijëra bashkatdhetarëve  djem të Kosovës martire e kishte përfunduar me vrasje djemsh shqiptarë në kufi, që donin të largoheshin  nga ferri shqiptar, gjithmonë i gatshëm të jepte recetat e ecurisë së Shqipërisë mbas komuniste.

Rruga e gjatë tridhjetëvjeçare në të cilën ata e drejtuan e solli Shqipërinë në ditët e sotme. Në dukje qe një rrugë e vështirë, me kundërshti të mëdha, me luftë për pushtet, me padi nga më të ndryshmet për njëri tjetrin nga klanet politikë, por në thelb ishte një ecje krah për krah, gjithënjë në mbrojtje të interesave të kastave, të pasurimit të tyre, të projektit të përbashkët të plakjes në pushtet, qoftë edhe duke ndërruar postet, për të ruajtur formën “demokratike” e për t’u hedhur hi syve “armiqve të revolucionit” e miqve të rinj evropianë e amerikanë. I sendërtuan plotësisht detyrat e shtëpisë: kastat u pasuruan, madje përtej çdo parashikimi, armiqtë u degdisën jashtë shtetit sepse nuk i duheshin më Shqipërisë, mbasi ajo nuk mund të përsëriste përvojën e kampeve të punës së detyruar për t’i shfrytëzuar si skllevër. Në pushtet nuk qëndruan më rangallat e vjetra të komunizmit, por u ngjitën bijtë e tyre, të shkolluar e me veshje perëndimore. Shumica e tyre vinin nga familjet e aradhës së Sigurimit të shtetit që, në heshtje e pa rënë në sy lëviznin fijet e administratave demokratike duke shfrytëzuar famëkeqet dosje të tyre.

Në një evidencë në botuar në gazetën “Dielli”, organ i shoqatës “Vatra” në New York, gazetari Ilirian Blloshmi rendit 35 emra të nomenklaturës së lartë të administratës shqiptare aktuale,  duke shënuar përbri origjinën e tyre familiare. Na del një kuadër i tillë i kthyer në përqindje:

  1. Familjarë të ish udhëheqësve komunistë 5,6 %
  2. Ish funksionarë të komunizmit 5,6 %
  3. Pasardhës të ish punonjësve të Sigurimit 40 %
  4. Pasardhës të ish funksionarëve të komunizmit 34 %
  5. Ish oficerë Sigurimi 15 %

Nëse këto përqindje, të nxjerra nga një mostër e vogël në numur por e bollshme në ofiqe e pozita shtetërore, do të shtriheshin në të gjithë spektrin politik, karakteri klasor i administratës së demokraturës nuk do të linte asnjë farë dyshimi mbi vazhdimësinë ramiziane që karakterizon gjithë kalesën e në veçanti vitet e fundit të cilët merr në shqyrtim hulumtimi. Fakti që pjesa dërmuese e kuadrove të larta të Vendit të vijnë  nga rrjedha e pjesës më besnike e më mizore të diktaturës, nga organet e ish Sigurimit të shtetit është një tregues tepër shqetësues për të sotmen por edhe për t’ardhmen e Shqipërisë. Kjo dukuri dëshmon se tjetërsimi i sistemit, pavarësisht nga ngjyrat e propagandës apo nga pohimet e drejtuesve të ndryshëm, përgjegjës në funksionet më të larta të shtetit që, çuditërisht  janë gjithmonë të njëjtat fytyra, ka qënë tërësisht një operacion fasade, një dramë e fëlliqur e luajtur mbi idealet e dhjetorit 1990 e mbi shpresat e një populli që i kishte paguar një tribut shumë të rëndë epokës para-ardhëse. Në vënd që të jepnin llogari para drejtësisë së demokracisë për të gjitha prapësitë e krimet e kryera në pothuaj gjysmë shekulli tiranie, ish Sigurimi i shtetit arriti të plotësojë nomenklaturat e shtetit shqiptar me bijtë e bijat e tij. Kjo fitore dyfishe e së shkuarës mbi t’ardhmen, e servirur me emrin e bujshëm të Rilindjes, i kalon edhe metodat e Enver Hoxhës përsa i përket përzgjedhjes së klasës drejtuese, të cilën ai e bazonte, së paku kështu thonte, më shumë në kuadrot e partisë që duhej të kontrollonin ata të Sigurimit.

 

Shtator 2020                                                VIJON

63 % E TË RINJVE AMERIKANË NUK E NJOHIN SHOAH, NJË ALARM PËR TË GJITHË – Nga Monica Ricci Sargentini – Përktheu Eugjen Merlika    

 

 

            Nëse bota e harron Shoah-un. Çdo 27 janar kremtohet Dita e Kujtesës për të përkujtuar viktimat e gjenocidit të kryer nga nazistët gjatë luftës së Dytë botërore. Por në Shtetet e Bashkuara, një hulumtim zbulon se 63 % e të rinjve amerikanë nuk e dijnë se gjashtë milionë hebrenj u vranë gjatë Holokaustit. Akoma më keq: njëri ndër dhjetë beson se Shoah-u është ngacmuar nga vetë hebrenjtë. Është një dush i ftohtë që do të duhej të na bënte të përsiasnim shumë.

Hulumtimi, i shtrirë për të parën herë në të 50 Shtetet amerikanë, merr në pyetje njerëz nga 18 deri në 38 vjeç. Përfundimet janë rrënqethëse. Pothuajse gjysma (48 %) e të pyeturve nuk njeh as emrin e ndonjë kampi përqëndrimi, ndërsa 23 % mendon se Holokausti është një mit, ose pak së paku, është stërmadhuar. Ndërsa 12 % nuk ka dëgjuar kurrë të flitet për të.

Ka të dhëna që dëshmojnë se mohimësia dhe kundërsemitizmi janë të përhapura në Shtetet e Bashkuara. 56 % e pjesëmarrësve ka pohuar se ka parë simbole naziste tek mediat sociale ose në mesazhet e shkëmbyera në brendësi të bashkësive të tyre.  Është një dukuri që, në heshtje, po përhapet edhe n’Itali ku, përshembull, në shkëmbimet e mesazheve ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme, madje dhe fillore, vërtiten sticker (shirita ngjitëse) me fytyrën e Hitlerit. Këtu holokausti kthehet në një videolojë dhe gjashtë milionët e hebrenjve një trofe. Djelmoshat nuk kuptojnë përbindshmërinë e asaj që shohin dhe dal nga dalë mësohen me të. “Ky hulumtim nxjerr në dukje se të mbijetuarit duhet të vazhdojnë të tregojnë historitë e tyre.” Ka shpjeguar Gideon Taylor, kryetari i Konferencës së Jewish Material Claims Against Germani që ka porositur kërkimin. Të kujtohet tmerri që të mos përsëritet. Asnjëherë si sot kemi nevojë për Historinë.

 

“Corriere della Sera”, 16 shtator 2020        Përktheu Eugjen Merlika

Uk Lushi më kërcënoi se do të më çonte “për shpifje” në gjykatën penale të Zvicrës Nga Elida Buçpapaj

Me Uk Lushin jemi njohur në Facebook. Ish luftëtar i Batalionit Atlantik. Ishte një kohë që na dërgonte shkrime. Ia botonim rregullisht. Nuk mund të them se ishte autor, por një qytatar i angazhuar. Shkrimet e Uk Lushit janë ende tek Voal.ch.   Në një farë mënyre voal.ch e ka promovuar dhe mbështetur si njeri serioz. E respektonim. Pastaj erdhi një kohë prej disa vjetësh që përkon edhe me të tashmen që nuk na dërgoi më opinione për voal.ch. Zgjedhjet janë personale. Për një kohë Uk Lushi m’u zhduk nga sytë. Deri kur Prokurori i Gjykatës Speciale në Hagë shpalli nën hetim Hashim Thaçin. Kur Thaçi anulloi vizitën në Shtëpinë e Bardhë. Uk Lushi nuk e priti mirë thirrjen e krerëve të shtetit të Kosovës, që janë edhe krerët e krahut të luftës, nga Prokurori Special.

Pikerisht në këtë kohë në posten elektronike te voal.ch erdhi nje deklaratë e ish- Batalionit Atlantik pa datë, pa firma, pa vulë ku Prokurori Special i Gjykatës Speciale akuzohej si spiun i Serbisë, kur në fakt është emëruar nga administrata e Presidentit Trump. Edhe kjo deklaratë është botuar tek voal.ch.

Po në këtë periudhë menjëherë pas anullimit të vizitës nga Hashim Thaçi, katër shqiptaro-amerikanë bëjnë një takim videozoom me Ambasadorin Grenell, njëri nga të katërt ishte Uk Lushi.

Nuk kam asgjë kundër takimeve private të lobit shqiptar me krerë të politikës Amerikane. Përkundrazi, të jenë sa më të shpeshta. Sepse Komunitetit Shqiptaro-Amerikan është në apati të plotë. Për të mos thënë, në krizë. Disa ditë më parë ishKongresmeni JoeDioGuardi mbushi 80 vjeç dhe Komuniteti Shqiptaro-Amerikan as që mori mundimin t’ia urojë e festojë, njeriut që si askush krijoi ura te fuqishme me figurat me te spikatura të politikës Amerikane këto tridhjetë vjet.

Mënjanimi i JoeDioguardit është bërë me urdhër nga Prishtina e Tirana duke krijuar një vakuum të madh në korrelacionin midis Komunitetit Shqiptaro-Ametikan dhe Administratës Amerikane.

Emra të shkëlqyer si Tom Lantos, Ben Gilman, Henry Hyde, John Mc Cain bashkepunetore te ngushte të JoeDioGuardit nuk jetojne më. Senatori Bob Doll është i moshuar. Edhe Eliot Engel nje tjeter Ëngjëll Mbrojtës i shqiptarëve nuk arriti që të rizgjidhej në Kongres. Pra është një situatë shumë stanjative e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan.

Pikërisht në një moment të tillë katër shqiptaro-amerikane takohen virtualisht me ambasadorin Grenell, midis tyre Uk Lushi. Pas marrëveshjes të 4 shtatorit, katërshja me një zevendësim takohen edhe fizikisht me ambasadorin Grenell.

Takimi ishte privat, s’ka asgjë të keqe. Diskutimi lind kur takimet me të dërguarin e Presidentit Trump nuk bëhen publike, edhe kjo pranohet në kuadrin e takimit privat. Ajo që s’pranohet janë komentet e këtyre takimeve nëpër televizionet e Tiranës dhe Prishtinës nga Uk Lushi.

U bëra kurioze dhe i pashë të gjitha videot. Ajo që vura re ishte se Uk Lushi fliste pa limite, ndërsa gazetarët ishin jashtë loje. Për më tepër Uk Lushi nuk ishte aspak serioz në ato që thosh.

Për hir të respektit si ish luftëtar i Batalionit Atlantik i dërgova një masazh në inbox ku i thosha troç se intervistat e tij ishin pa lidhje. Uk Lushi fillimisht u tregua shumë i edukuar. Kur më tha se po bēn detyrën si patriot, unë ia ktheva se ai po sillet si shërbëtor i Hashim Thaçit. Këtu tensioni i bisedës u rrit. Uk Lushi menjëherë më kërcënoi të më çonte në gjykatën penale të Zvicrës për shpifje kundër tij, më tha “se do angazhonte menjëherë avokat dhe se do të reagonte fuqishëm, sepse mundësitë i kishte në çdo aspekt.”

Po nuk dyshoj që Uk Lushi mund t’i ketë mundësitë në çdo aspekt.

Unë konstatoj se lobi i fuqishëm shqiptaro-amerikan i Joe DioGuardit eshte luftuar pēr t’u zevendësuar nga lobe të Hashim Thaçit dhe të Edi Ramës në SHBA dhe shtetet e BE.

Unë si gazetare nuk i kam mjetet e fuqishme të Uk Lushit, s’kam as avokat dhe as para, por kam me vete të vërtetën.

Gazetaria shqiptare është e kërcënuar me jetë. Gjykata Speciale pritet të zbardhë edhe vrasjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë pas 1999.

Gazetaria shqiptare është e kërcënuar me bukën e gojës, duke u kthyer në gazetari klienteliste.

Gazetaria shqiptare rrezikon nga hakerat. Voal.ch është vazhdimisht e sulmuar nga hakerat.

Gazetaria shqiptare rrezikon ekzistencën, nëse nuk do të ketë ndryshime rrënjësore.

Gazetaria shqiptare është e rrezikuar nga të gjitha poshtërsitë e segmentit që i ka duart me gjak dhe po bën gjithçka përmes propagandës që Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë ta konfondojë si gjyq kundër UÇK-së apo trupën gjykuese ta akuzojë në shërbim të Beogradit.

Uk Lushit i thashë bujrum, më ço në gjykatën zvicerane. Në fakt, nuk kisha bërë akuza publike kundër tij, sepse nuk është kompetenca ime, i kisha shprehur mendimin tim privatisht, se nuk isha absolutisht dakord me mënyrën e tij të kominikimit me televizionet e Tiranës në dëm të informimit publik. Edhe kur i thashë se duket si në shërbim të Hashim Thaçit, konstatimi im ishte i bazuar në interpretimet e tij aspak serioze nëpër mediat shqiptare.

Ky është mendimi im. I bazuar në fakte.

Dje për shembull në rrjetin social Uk Lushi akuzonte policinë e EULEX-it për arbitraritet se kjo polici arrestoi dy të dyshuar nga Gjykata Speciale. Nëse EULEX-i dhe “forcat e jashtme sillen si okupatore, populli i Kosovës mund të detyrohet të veprojë” shkruan Uk Lushi në Facebook! Forcë e jashtme është KFOR-i -dmth NATO që e çliroi Kosovën! Kështu provokon Uk Lushi, dmth sipas tij, populli i Kosovës do të ngrihet kundër EULEX dhe KFOR-it. Sepse ky është kuptimi implicit i asaj që shkruan Uk Lushi.

Uk Lushi ka të drejtë ta shprehë mendimin e tij. Unë gjithashtu. Jam gazetare. Po mbushen tridhjetë vjet që mbuloj çfarë ndodh ndër shqiptarë.  Por ca mendime të shprehura publikisht, ku bëhet thirrje apo insinuohet per prishje të rendit kushtetues, janë antikushtetuese dhe i dënon drejtësia. Drejtësia e shtetit të së drejtës, jo e shtetit të Hashim Thaçit dhe Edi Ramës.

https://www.voal.ch/uk-lushi-nese-eulex-forcat-e-jashtme-sillen-si-okupatore-populli-i-kosoves-mund-te-detyrohet-te-veproje/

DEDË GJON LULI – NJË KUJTIM I BJERRUR – Nga Frank Shkreli

Na ishte njëherë një Ded Gjon Luli!  Por po të vërejmë se si kujtohet ai sot nga shqiptarët, me rastin e vrasjes së tij 105 vjetë më parë nga forcat serbo-malazeze, njeriu kollaj mund të vijë në përfundim se ai nuk ekziston më në memorien e kombit të vet, si njëri prej figurave më të dalluara kombëtare të historisë së shqiptarëve.

 

Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve.  Ishin këto pengesa të vjetra e të reja, sipas orekseve të rastit, të armiqëve të shqiptarëve, por të cilat ishin shumë më të rënda se pengesat me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës, në rrugën e tyre drejtë bashkimit kombëtar.  Megjithë këto pengesa — dëshira dhe ndërgjegjia e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar nuk u shua kurrë.  Por megjithë pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia ka plot raste personalitetesh kombëtare që janë dalluar për veprimtarinë dhe luftën e tyre për bashkim shpirtëror dhe kombëtar të shqiptarëve.  Njëri prej këtyre figurave më të dalluaraa është Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe.  Me 24 Shtator 2020 u mbushën 105-vjetë nga vrasja tradhtisht e tij. Ishte 24 Shtatori, 1915 kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar.

 

Megjithëse – në mungesë të kujtimit të kësaj date dhe të këtij heroi të kombit, nga faktorët zytar shqiptarë – përpjekja ime modeste për të kujtuar këtë burrë të maleve tona – më duket krejtësisht si një përpjekje e bjerrur, por nuk po mundem të kursehem pa i thënë dy fjalë, me këtë rast.

 

Dedë Gjo’ Luli ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë në trojet shqiptare, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut.  Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për nga karakteri mbarëkombëtar që e frymëzonte atë, që më në fund, tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.  Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me Ded Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkuan për tu takuar me malësorët e Ded Gjo Lulit dhe si përfundim përpiluan, atë që njihet si, “Memorandumi”, i cili përmbante kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin.  Memorandumi në fjalë ishte, në të vërtetë, një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim.  Kërkesa kryesore e Ded Gjo Lulit dhe e malësorëve të tij, ishte se Shqipëria, vetëm “donte vedin me sundue”.

 

Lufta e tyre kishte qëllime, kryekëput, mbarëkombëtare.  Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve gjithë kombëtare, Ded Gjon Luli mbetet edhe në këtë 105-vjetor të vrasjes së tij — një simbol mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i bashkrendimit të interesave dhe të fateve, afat-shkurta dhe afat-gjata, të trojeve etnike shqiptare

për bashkim.  Për më tepër, Dedë Gjon Luli duhej të konsiderohej edhe si njeriu që ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, në atë kohë. Si përfundim i luftërave të malësorëve për liri, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më duke përdorur një fraza të zbrazta gjeografike, por shkruanin për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit turk: për një popull i cili dëshironte bashkim të trojeve të veta etnike — ndër më homogjenet në Europë– pasi si sanxhak ottoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër otoman.  Për më tepër, Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912.

 

Dedë Gjo’ Luli, si rradhë ndonjë tjetër patriot shqiptar, pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializimin shekullor të shqiptarëve ngaa institucionet e sajë. Si i tillë, ai ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike të një shteti të pavarur, të quajtur Shqipëri. Vepra e Dedë Gjon Lulit dhe e malësorëve të tij mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do që meritonte të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar, në përgjithësi, për të jetuar në liri dhe duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që, historikisht, nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve — as atëherë, as sot!  Me heroizëm dhe sakrificë Dedë Gjon Luli dhe malësorët e tij —  i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë, si dhe vet-sundimit dhe vlerave të Kombit Shqiptar – besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe të armiqëve të tjerë të afërt dhe të largët të Kombit shqiptar, ndër shekuj. Dedë Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.

 

Ded Gjon Luli duhet të kujtohet edhe sot si një figurë e kombit shqiptar i cili  i  me shembullin e tij u thotë edhe sot shqiptarëve se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për tu shitur nga askush.  Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe, për herë të parë në pesë shekuj, Dede Gjon Luli ka  ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve.

 

Prandaj, në këtë 105-vjetor të vrasjes nga serbo-malazezët, Ded Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akordohet rilindasëve të kombit dhe baballarëve të pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Mungesa e vazhdueshme e respektit zyrtar për Ded Gjo Lulin, si figurë historike dhe e veprës së tij atdhetare por – të pakën edhe e një kujtimi sadopak simbolik të tij në përvjetorë si ky 105-vjetor, më bën të ndihem se edhe ky kujtim modest nga ana ime –mijëra kilometra larg trojeve shqiptare – në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se një kujtim i bjerrur.  Si rrejdhim, në këtë përvjetor,  së bashku me Fan Nolin, dua të shprehem se megjithë,  “Trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij”, Ded Gjon Luli — edhe unë ashtu siç është shprehur edhe Noli —  “Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Ded Gjon Luli, sipas Fan Nolit.  Besoj se Noli do të shprehte të njëjtin zhgënjim edhe sot se si politika 30-vjeçare post-komuniste trajton Herojt e Kombit si Dedë Gjon Lulin dhe kontributin e tij ndaj lirisë dhe vet-sundimit të Kombit!

 

Me heshtjen e tij, regjimi komunist i Enver Hoxhës e dënoi për së vdekuri Dedë Gjon Lulin, heroin e luftërave për Flamur dhe Pavarësi të shqiptarëve.  Fatkeqsisht, është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën post-komuniste.  Çdo komb tjetër po mos të kishte një hero si Ded Gjo Lu do ta çpikte një të tillë. Sot, udhëheqsit shqiptarë, për fat të keq, adhurojnë më shumë pasardhësit e atyre kombeve që kolonizuan tokat shqiptare për pesë shekuj, madje duke u ndërtuar atyre edhe përmendore në tokat shqiptare që dikur i kishin zaptuar dhe jo heronjtë, e luftërave për Flamur dhe Pavarësi të Shqipërisë, si Dede Gjon Luli. Megjithëkëte, “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli, në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Ded Gjon Lulit.

 

Frank Shkreli

Marrë nga libreza “Kryengritja e Ded Gjo’ Lulit” (1911-1971), Ernest Koliqi, Romë, 1971

Skënderbeu i sodit Joe DioGuardi mbushi tetëdhjetë, ndërsa Komuniteti shqiptar në SHBA, për turp, fjetë ! Nga Elida Buçpapaj

Më 20 shtator 2020 ish Kongresmeni Joe DioGuardi festoi 80 vjetorin e lindjes.

Ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan heshti. Heshtën kudo, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut!

Heshtën për të treguar se sa poshtë kanë rënë.

Prej vdekjes së Ibrahim Rugovës, por sidomos prej 2008, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan  është tjetërsuar, ka dalë nga roli, ka humbur identitetin, ka humbur vitalitetin, nuk ka emra, nuk ka përfaqësues, ka pseudopërfaqësues dhe e ulëta është se ata që pretendojnë se janë kokat kanë mbajtur komunitetin larg nga ish-Kongresmeni Joe DioGuardi!

Për të keqen e kujt? Gjejeni vetë!

Normalisht Komuniteti Shqiptaro-Amerikan mund të organizonte të paktën një Simpozium shkencor me rastin e ditëlindjes së Joe DioGuardit, Skënderbeut të sotshëm të shqiptarëve, të shqiptarëve që tashmë nuk dinë se kush janë dhe janë kthyer në marioneta të Hashim Thaçit, kandidat për Hagë si dhe Edi Ramës, që ka uzurpuar të gjitha pushtetet duke e kthyer Shqipërinë në diktaturë.

Joe DioGuardi prej 1984 si anëtar i Kongresit Amerikan dhe prej 1989 si President i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane bëri të pamundurën, për ta kthyer çështjen shqiptare nga më të panjohurën në metropolin kryesor të politikës, që mbizotërohej nga ndikimi serb, në gjithmonë të pranishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan.

Në këto 30 vjet nuk ka asnjë shqiptar që të ketë ndikuar në ndryshimin e rrjedhave të historisë për faktorizimin e shqiptarëve si Kongresmeni Joe DioGuardi.

Nuk ka asnjë shqiptar që t’i jetë përkushtuar çështjes shqiptare, që të ketë luftuar për liritë e të drejtat e njeriut dhe lirinë e shqiptarëve, që të ketë denoncuar krimet serbe të kohës të Milosheviçit, segregacionin antishqiptar në Maqedoni, që të jetë angazhuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve në Malin e Zi; nuk ka burrë shteti shqiptar si Joe DioGuardi që t’i ketë ndjekur shqiptarët hap pas hapi, nga koha e pushtimit dhe respresionit, konflikteve deri tek sendërtimi i demokracisë dhe lirive me standart Perëndimor!

Askush nuk mund të kishte atë fuqi si Joe DioGuardi për t’i bërë bashkë shqiptarët e prezantuar në Washington D.C; askush nuk mund të kishte shpirtin arbëresh si ish-Kongresmeni Joe DioGuardi  për të sensibilizuar Washongtin DC se çfarë po ndodh në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zit; askush dhe asnjë veç Joe DioGuardi ka patur si mbështetje emrat më të shkëlqyer të Administratave Amerikane prej Presidentit George W.H.Bush e me rradhë; vetëm Joe DioGuardi ka patur atë ndikim tek përfaqësuesit më të lartë të popullit Amerikan që ta donin Kosovën dhe shqiptarët sikur i do Joe DioGuardi.

Nuk ka shqiptar në mbi njëqind vjet histori të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në SHBA që të ketë bashkëpunuar me ligjvënës të SHBA për çështje themelore të shqiptarëve sikur Joe DioGuardi që ka bashkëpunuar me kongresmenët Tom Lantos, Ben Gilman, Henry Hyde, Dana Rohrabacher, Ileana Ros-Lehtinen, senatorët Charles Schumer, John McCain , Joe Biden, Bob Dole, Claiborne Pell me gjeneralin Wesley Clark në periudhat më kritike që kalonte kombi, në kriza dhe konflikte në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës etj.

Ish-kongresmeni Joe DioGuardi hyri në kontakt menjëherë me gjithë elitën në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës që e paraqiti në administratën Amerikane.

Joe DiGuardi bashkëpunoi ngushtë me Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, Arbër Xhaferin, Zekeria Canën, Zenun Celajn, Bajram Kelmendin, Imzot Mark Sopin, Rexhep Qosjen, Adem Demaçin, Ramush Haradinajn, Fadil Sulejmanin, Iliaz Halmin, Gjerg Gjokajn, Riza Halimin etj etj.etj.

Askush si Joe DioGuardi nuk ka arritur të mbledhë përpara Shtëpisë të Bardhë e OKB deri në mbi dhjetë mijë veta nga komuniteti shqiptar në praninë e Kongresmenëve dhe Senatorëve Amerikanë ku kërkoheshin të drejtat e Kosovës.

Duhen ekipe historianësh të tregojnë 35 vjet histori me protagonist Joe DioGuardi.

Joe DioGuardi bashkë me bashkëshorten e tij Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte e Ballkanit  nuk ndalen dhe ndjekin hap pas hapi fatin e shqiptarëve në rajon, duke u bërë Avokatët Mbrojtës të tyre.

DioGuardi ka qenë gjithmonë me shqiptarët kudo: në Prishtinë, Gjakovë, Tiranë, Tetovë, Bruksel, Gjenevë, Romë, New York, Washington DC. Ai ishte i pranishëm në varrimin e Enver Hadrit, ishte i pranishëm me Shirley Cloyes kur inagurohet Universiteti i Tetovës; ishte në Hagë kur dëshmon në gjyqin e Milosheviçit dhe nuk ndalet asnjë çast. Ka një sukses dhe ndikim të padiskutueshëm në sajë të kredibilitetit që gëzon. Tom Lantos u kujtonte shqiptarëve gjithmonë t’i ishin mirënjohës JoeDioGuardit!

Nuk ka ndodhur kurrë që në Kongresin dhe Senatin e SHBA në një hark kohor prej 30 vitesh të ketë patur dëshmi, seanca dëgjimore dhe Rezoluta në mbrojtje të shqiptarëve sa këto të votuara e sponsorizuara nga LQSHA me në krye Joe DioGuardi. Zor të besoj se ka patur përpara!

Joe DioGuardi ka krijuar lidhje shumë të forta me Lobin Hebre në SHBA. Kongresmenët Tom Lanos, Ben Gilman ishin hebrej që e respektonin dhe e çmonin pa fund. Me Lobin Hebre ka bashkërenduar aktivite, ekspozita, filma; ka sensibilizuar për rolin që patën shqiptarët gjatë Holokasutit, duke ngritur në piedestal “Besën” dhe tolerancën shqiptare e duke sjellë në SHBA familjarë të shqiptarëve që kishin shpëtuar hebrejtë.

Joe DioGuardi gjithmonë u ka dalë në mbrojtje shqiptarëve, sikur Skënderbeu.

Ishte Joe DioGuardi që në një seancë dëgjimi në Kongres mbrojti UÇK-në pas deklaratës të Ambasadorit Rober Gelbard sipas të cilës UÇK ishte një “Grup terrorist”.

Joe DioGuardi bashkë me Shirley Cloyes dhe LQSHA kanë afër katër dekada që u kanë dalë në mbrojtje shqiptarëve.

Ndërsa shqiptarët nuk e kujtojnë as më 20 shtator, kur mbush 80 vjet!

Joe DioGuardi u krenohet hebrejve për “Besën” shqiptare ndërsa shqiptarët e kanë humbur edhe besën edhe veten se cilët janë.

Sa dekorata janë ndarë në Komunitetin shqiptaro-amerikan nga presidentët e Shqipërisë?

Sa tonelata metal do të bëheshin?

Ndërsa Joe DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi dhe LQSHA nuk kanë marrë asnjë nder e respekt nga shtetet që ata dhanë kontributin e tyre këto shtete të bëheshin.

Vetëm një dekoratë ka nga koha kur ishte Rugova gjallë.

Lajmi tjetër i trishtë është se Joe DioGuardi ka mbi dhjetë vjet që nuk e viziton Kosovën!

JoeDioGuardi që e vizitonte Kosovën në kohë pushtimi, lufte, krizash ka mbi dhjetë vjet që nuk shkon në Kosovë!

A e pyesni veten se përse ? A e gjetët përgjigjen ?

Më në fund!

E vërteta është se Joe DioGuardi nuk e ka pranuar erën e Thaçizmit dhe politikanëve që kanë kapur shtetin; ai ka denoncuar keqqeverisjen, korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e liderëve shqiptarë për të vënë në rrezik sovranitetin shtetëror.

Po Komuniteti Shqiptaro-Amerikan çfarë ka ? Që dallohet për organizimin e ballove e mbrëmjeve gala, pse bën sikur e harron Joe DioGuardi-n? Se Joe DioGuardi nuk harrohet!

Joe DioGuardi është aty në New York ! Të harruar janë kush mbjell harresën për Figurat si Joe DioGuardi që i lindin kombit një herë në 100 vjet !

Konferencat shkencore për Skënderbeun e Krujës janë vetëm demagogji, sepse po të ishte gjallë Kalorësi i Krishtërimit, do të silleshin sikur me Skënderbeun e ditëve të sotme, Joe DioGuardin.

Në fund të këtij shkrimi, më duhet të them, se kemi rreth 30 vjet që bashkëpunojmë me DioGuardët, kjo është në nderin tonë.

Joe DioGuardit dhe Shirley i uroj mbi 100 vjet, ndërsa shqiptarëve u dëshiroj që të zgjohen e të dalin nga ky makth kombëtar!

Kur i bëmë urimin direkt Joe-s, ai na u përgjigj tekstualisht:

“Të dashur Elida dhe Skënder. SHUMË FALENDERIME për urimet tuaja dhe vlerësimin tuaj për punën time për GJITHË Shqiptarët. Dhe, Elida, unë e lexova shkrimin tuaj të mrekullueshëm dhe ju vlerësoj të gjithë ju që zbardhni të vërtetën e Çështjes Kombëtare Shqiptare, sikur do të vazhdoj të bëj me Shirley. Puna ime nuk ka përfunduar ende, edhe nëse i kam mbushur 80 vjeç dje. Nëna ime jetoi deri 95 vjeçe, unë kam genet e forta shqiptare DHE italiane për të vazhduar me Shirley (që mbush 70 vjeç në tetor). Përshëndetje të ngrohta, Joe”

Nuk ka shqiptar e bir shqiptari që të mos i urojë Joe DioGuardit, Skënderbeut të sodit, të ketë gjithmonë pranë Zotin e të mos ndalen bashkë me Shirley duke dhënë kontributin te jashtëzakonshëm për të mirën e Çështjes Kombëtare Shqiptare, që do të fitojë kur shqiptarët të udhëhiqen nga shtete të së drejtës dhe politikanë të përgjegjshëm. U bëfshin mbi 100 vjeç dhe Shqiptarët t’i nderojnë sikur u takon!

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË (IV) – Nga EUGJEN MERLIKA

 

(Tridhjetë vite historie shqiptare)

“Demokraci do tw thotw shumw mw tepwr se sa qeveri popullore e zotwrim i shumicws”

  1. F. KENNEDY

 

Kohët e fundit është diskutuar shumë për një ligj të miratuar nga Këshilli i ministrave mbi një amnisti fiskale për kapitalet shqiptare që aktualisht janë jashtë shtetit. Praktikisht bëhet fjalë për një ligjësim të shumave të mëdha të parave që nuk janë të regjistruara n’asnjë bankë, apo janë në banka fantazma që i shërbejnë veprimtarisë mafioze. Kjo mbulohet me një vello “bamirësie”, për t’i ardhur në ndihmë shumë shqiptarëve që kanë “kursyer” gjatë jetës së tyre e tani duan të vijnë të investojnë në Shqipëri. Po t’ishte i vërtetë ky motiv nuk do të kishte nevojë për një amnisti, mbasi paratë e fituara me punë të ndershme, janë të depozituara në banka dhe i janë nënështruar taksimit në Vendin ku kanë punuar. Pra shteti shqiptar nuk ka të drejtë tjetër t’i taksojë ato e prandaj nuk ka kuptim të shpallë një amnisti, mbasi është e drejtë e tyre e ligjëshme t’i sjellin nëse dëshirojnë. Kështjella e amnistimit si një përkrahje nga ana e tij për qytetarët e tij që jetojnë jashtë është e ngritur mbi rërë.

E vërteta është se demokratura është e interesuar jo për kursimet e shumicës, të cilët janë simbolike, po të mbahen parasysh kërkesat e familjeve për jetesën e rritjen e shkollimin e fëmijëve. Të gjithë ata që, në këto tridhjetë vite, kanë jetuar e punuar ndershmërisht jashtë Shqipërisë, kudo qoftë, e dinë mirë se sa e vështirë e me sa shumë flijime ka qënë e mundur të vihen kapitale, më së shumti kanë kursyer diçka për të mos i shtrirë dorën bijve të tyre në pleqërinë që ndoshta e ëndërrojnë t’a kalojnë në Vendin ku kanë lindur për mall, për t’u varrosur aty apo për leverdi ekonomike.

Ligji i ri, i miratuar nga qeveria, ka hasur në kundërshtimin e organizmave ekonomikë ndërkombëtarë, që e dijnë mirë se çfarë fshihet mbas tij. Hartuesit e tij mund të thonë, me të drejtë, se veprime të këtilla nuk janë dukuri vetëm shqiptare, se ndodhin edhe gjetkë e janë mënyra të ligjëshme të shtetit për të pasuruar thesarin e tij, nëpërmjet faljes së parregullsisë së disa individëve në këmbim të një takse të kripur që duhet të paguajnë ata. Sidoqoftë janë lëvizje parash, frute të shmangies së pagimit të taksave, e si të tilla, ligjërisht të diskutueshme. Mbas përvojave të financiareve e të parave të drogës masive të kanabizimit, besoj se nuk kemi nevojë për një ligj të mbytjes së tregut financiar shqiptar me kapitale të paligjëshme. Gjithmonë pasojat e këtyre dukurive bien mbi qytetarët e thjeshtë, mbasi ata që i gatuajnë e hedhin vaun pa u lagur. Ndoshta ky ligj synon të verë rregull në paratë që investohen me lehtësi vetëm në Shqipëri, ku mbyllen sy e veshë përsa i përket prejardhjes së tyre. Me siguri nuk është kjo rruga m’e mirë për përparimin e mirëqënien e shqiptarëve.

Zhvillimi i një Vendi arrihet nëpërmjet shfrytëzimit më t’arsyeshëm të mundësive ekonomike që ai premton. Çuditërisht, në gjithë këto vite, pasuritë nëntokësore që dikur ishin nga bazat më të sigurta të ekonomisë, edhe në sajë të punës së papaguar të të dënuarve politikë e jo, janë kthyer në problematika shtetërore e shoqërore, me dukuri të tilla si mungesa e t’ardhurave shtetërore nga taksat e veprimtarive të tyre ekonomike e aq më keq mungesa e pagesave të rrogave të vetë punonjësve, që detyrohen të ushtrojnë trysni mbi shtetin, për të ndërhyrë tek ndërmarrjet konçesionare duke ju kujtuar atyre se duhen paguar rrogat e punonjësve. Është e pakonceptueshme që të ketë konçesione për nxjerrjen e naftës apo mineraleve, që nuk paguajnë asnjë taksë prej 15 vjetësh. Bujari e lashtë e demokraturës shqiptare! Kjo dukuri është tregues i një politike ekonomike krejtësisht të dështuar në dhënien e konçesioneve për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, që mund të kenë luhatjet e veta, por është e papranueshme që të tkurren në zero përsa i përket përfitimit të veprimtarisë ekonomike. Është shëmbull domethënës i papërgjegjshmërisë së klasës drejtuese të demokraturës, në të gjithë përbërëset e saj dhe i trajtimit të pasurisë së përbashkët si pasuri që nuk i përket askujt e në të cilën mund të verë dorë kushdo. Është tregues i diletantizmit marramendës me të cilin mbarështohet ekonomia, e përfaqësuar në organet e saj drejtuese nga njerëz krejtësisht jashtë fushës e kompetencave. Janë dëshmi të kësaj keq-qeverisjeje faktet e heqjes e tani të rivendosjes së kazinove, të marrjes së vendimeve që mbas ankimimeve në organizmat e Drejtësisë evropiane e detyrojnë shtetin shqiptar të paguajë dhjetra  miliona euro si dëmshpërblim për ndërmarrjet apo individët e goditur, faktet e panumurta të dhënies së tënderave për ndërtime rrugësh apo objektesh të tjera shtetërore me një farë çmimi të përcaktuar me marrëveshje e më pas të miratohen çuditërisht të tjera shtesa financiare, krejtësisht të paligjësuara. Të gjitha këto parregullsi që i kushtojnë humbje shtetit e qytetarëve, kalojnë në heshtje ose shumë shumë shkaktojnë ndonjë ndrrim vendi apo shkarkim të ndonjë ministri, pa shpjeguar asnjëherë se ku qëndron e vërteta e shkarkimit e sa janë përgjegjës n’atë të vërtetë kryeministri apo zëvendësi i tij. Në këtë drejtim demokratura përcjell shëmbujt që vijnë nga diktatura, përsa i përket shpërndarjes së përgjegjësisë, edhe se nuk zbaton kriterin e saj sa i takon dënimit të njerëzve.

Sot i gjithë synimi i strategjisë së zhvillimit të Vendit përqëndrohet te turizmi. Është një synim i arsyeshëm, sepse mbështetet në nismat vetiake e familjare, duke mobilizuar në sendërtimin e tij një sasi banorësh, të cilët me punën e tyre mund t’i japin një vlerë të shtuar vetë përfytyresës së Shqipërisë në fushën e turizmit. Por ky zotim nuk përjashton edhe investimin e kapitalit të madh në destinacione luksoze që mbeten objekte pushimi e dëfrimi të mjerëzve të pasur, të huaj apo vendës, tepër larg nivelit mesatar të përgjithshëm të shoqërisë. Duket se demokratura është mjaft e ndjeshme ndaj kësaj veprimtarie, duke e ndihmuar në të gjitha mënyrat e mundëshme e duke e quajtur një përparësi të zhvillimit, ndoshta dhe t’interesave të saj lëndore. Kjo fushë e re duhet të synojë t’a kthejë Vendin në një objekt të stërmadh turistik që të jetë tërheqës në të gjitha stinat e vitit, falë shumllojshmërisë së mjediseve natyrore që janë të pranishëm në Shqipëri.

Por turizmi duhet të ketë edhe bazën e furnizimit me produkte ushqimore të kultivuara në vend (agroturizëm) që të vlerësojnë traditën tonë të lashtë, sa i përket larmisë së ushqimeve e të gatimit të tyre, të cilat janë nga përbërësit më të rëndësishëm të vetë veprimtarisë turistike. Ky lidhet me bujqësinë e gjëndjen aspak të kënaqëshme, në të cilën ajo është zhytur në këta tre dhjetëvjeçarë. Ka nisma vetiake të lëvdueshme e përfundime shpresandjellëse n’atë drejtim, por nuk ka një strategji shtetërore që të ndihmojë investitorët dhe punonjësit e bujqësisë në punën e tyre.

Nga komunizmi trashëguam një bujqësi jo shumë të përparuar, por t’organizuar në ndërmarrje shtetërore e kooperativa bujqësore. Krahas tyre plotësonin kuadrin ndërmarrjet e ujitjes e të bonifikimit, të mekanikave bujqësore e të grumbullimeve të prodhimeve. Në sajë të bashkërendimit të veprimtarive të këtyre formave të organizimit shtetëror, bujqësia ishte njëra nga përbërëset më të rëndësishme të vetë ekonomisë. Nxjerrja jashtë veprimit apo shkrirja e plotë e tyre krijoi një zbrazësirë që ende sot nuk po mbyllet e që nuk po gjen asnjë alternativë të vlefshme për zëvëndësimin e funksionit të tyre në dobi të gjithë ekonomisë bujqësore. Bujqësia bashkëkohore, e aftë të përballohej me tregjet e huaja, mbeti një ëndërr të cilën edhe mbas tridhjetë vitesh po e shohim me sy hapur.

Është për t’ardhur keq, por demokratura shqiptare nuk pati asnjë ide të qartë për të ndihmuar zhvillimin e kësaj pjese t’ekonomisë që, në shekuj, ka qenë baza e jetesës së shqiptarëve. Kjo mungesë idesh vazhdon edhe sot. Është e vërtetë se tjetërsimi i sistemit detyronte kthimin e pronës në duart e fshatarëve, por atyre askush nuk i tha se në fazën e re të marrjes së tokave në zotërim, ishte i domosdoshëm një organizim mbi baza vullnetare të miqësive a të lidhjeve familjare, për të krijuar ekonomi më të mëdha që do t’ishin në gjëndje të ishin, për shumë arsye, konkuruese në treg. Si pasojë e këtij organizimi të ri do të kishte më shumë prodhim, më shumë pasuri për vetë punonjësit e tokës, më pak toka djerrë e më pak njerëz të papunë.

Nëse sot ka në Shqipëri ekonomi bujqësore, blegtorale a të pemtarisë, që janë vepruese e rentabël, kjo i detyrohet krejtësisht nismave të lëvdueshme të vetë fshatarëve shqiptarë, e deri diku edhe përvojës së fituar jashtë, kryesisht në Itali e Greqi, Vëndeve ku më së shumti mërguan shqiptarët, duke përsëritur dukuri të shekujve të shkuar, të viteve të para të pushtimit osman. Por nëse nismave të individëve apo familjeve do t’i ishte përgjigjur një strategji krijuese e bashkëkohore e klasës drejtuese, përfundimet do të kishin qënë shumë më të mira në shumë drejtime. Madje jo vetëm kjo strategji është e paqënë, por në të kundërt ka tregues që dëshmojnë mungesën e plotë të organeve qeveritare në gjithë këto vite, për t’i ardhur në ndihmë kësaj dege të rëndësishme t’ekonomisë. Është i paligjërueshëm fakti i çmimeve shumë të larta të naftës që zbatohen në Shqipëri. Nafta është një nga përbërësit kryesorë të kostos së një veprimtarie ekonomike, për më tepër bujqësore. Dihet se çmimi  i shitjes të saj, më shumë se sa vlera e blerjes varet nga sasia e taksave që ngrenë në qiell atë. Janë demagogji e pastër premtimet e ndryshme të kastave drejtuese për të ulur taksat nëse nuk ndërhyhet në ato të tërthortat, që janë TVSH apo taksat e naftës.

 

Shtator 2020                                                VIJON

NË 50-VJETORIN E VDEKJES SË NEXHAT PESHKËPISË – LE TË NISEMI SË BASHKU – Një thirrje klasës politike anë e mbanë trojeve shqiptare – Nga Frank Shkreli

 

Viti 2020 shënon 50-vjetë nga vdekja e një prej figurave më të dalluara të diasporës shqiptare të shekullit të kaluar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prof. Nexhat Peshkëpisë.  Prof. Peshkëpia ishte dhe vazhdon të mbahet mend në komunitetin tonë këtu në Amerikë si një ndër kampionët dhe mbrojtësit e pazevëndësueshëm të lirisë dhe të demokracisë.

 

Prof. Nexhat Peshkëpia ishte një anëtar shumë aktiv i Komitetit Shqipëria e Lirë me qëndër në Nju Jork, që drejtohej nga Dr. Rexhep Krasniqi – organizatë kjo që mbështetej financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ishte anëtar ekzekutiv i Komitetit due njëkohësisht edhe redaktor i gazetës “Shqiptari i Lirë”.  Komiteti Shqipëria e Lirë gëzonte njohjen dhe legjitimitetin si një ent i sanksionuar nga qeveria amerikane, si përfaques i komunitetit anti-komunist shqiptar në Shtetet e Bashkuara gjatë luftës së ftohtë dhe, njëherazi, përfaqësonte Shqipërinë në komitetin e Përgjithëshëm të Asamblesë së Vendeve të Robëruara Evropiane, organiazatë umbrellë kjo,  që si objektiv të veprimtarisë së saj kishte, përmbysjen e komunizmit në vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore dhe Qendrore.

 

Nexhat Peshskëpia kryer shkollën e mesme dhe të lartë në Itali dhe Belgjikë. Më të këthyer në Shqipëri pas shkollimit jashtë, Nexhati qe emëruar mësues i matematikës dhe fizikës në Shkollën Teknike të Tiranës.  Me pushtimin italian të Shqipërisë në vitin 1939, Prof. Peshkëpia iu bashkua forcave të rezistencës dhe ishte një prej organizatorëve të Ballit Kombëtar dhe një prej ideologëve të programit të kësaj partie. Me daljen e lëvizjes komuniste në skenën politike shqiptare dhe që ra nën ndikimin e shpejt të komunistëve jugosllavë, Nexhat Peshkëpia iu bashkua edhe luftës kundër komunizmit, duke shërbyer si redaktor i shtypit anti-komunist dhe anti-fashist.

 

Ndonëse, fatkeqësisht, nuk ia kam mbërrijtur ta takoja sa ishte gjallë këtu në Amerikë po e kujtoj Nexhat Peshkëpinë me rastin e 50-vjetorit të kalimit në amshim – me fjalët e një prej miqëve të tij më të ngushtë, Karl Gurakuqit, i cili në një shkrim me rastin e vdekjes në vitin 1970, e ka kujtuar kështu mikun e tij Nexhatin: “Ishte Shqiptar i mirë Nexhati.  Atdhetar i kulluet, shembull për të rijt, njeri i ndermë; i kjante zemra kur vrente përçamje e mosmarrëveshje në mes bashkëatdhetarëve, bij të nji gjaku.  Predikonte vëllaznim; për ‘të mjaftonte të ishe Shqiptar, prej çdo krahine dhe menjiherë e afronte dhe me të kjante hallet. Kur ia paten vra vëllain në Tiranë, Manushin e mjerë, më vjen keq më tha sepse nuk e kishte meritue, ka qenë shqiptar i pastër, e ka dashtë Shqipninë, do të kishte dhanë jetën për ‘të.  E pra, u vra e u pushkatua, e për më tepër prej dorës së Shqiptarit”, i ka shkruar Nexhati, mikut të vet Karl Gurakuqit në lidhje me pushkatimin e vëllait të tij, Manush Peshkepisë ditën e 27 shkurtit, 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës, të akuzuar për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike.

 

“Si njëni vëlla ashtu tjetri, si Nexhati ashtu edhe Manushi ishin burra të padjallëzuem”, shkruan Karl Gurakuqi dhe vazhdon: “Të dy predikojshin dashuni ndërmjet vëllazënve shqiptarë, bashkim dhe njisi. Ishin gati tu shtrijshin dorën edhe kundërshtarëve, mjaftonte që veprimet e këtyre të përkojshin me idealet e kombësisë dhe të atdhedashunisë”, ka shkruar Karl Gurakuqi, albanologu, gjuhëtari, përkthyesi, dramaturgu, historiani dhe bashkpuntori më i ngusht i revistes Shejzat të Ernest Koliqit. “Ishte përnjimend Shqiptar Nexhati, me të gjitha virtytet, me të tana vetitë e bukura të racës”, ka kujtuar Karl Gurakuqi 50-vjet më pare, mikun e tij Nexhat Peshkepinë, me rastin e kalimit të tij në amshim.

 

Nexhat Peshkepia, shkrimtar e poet, në disa prej shkrimeve dhe poezive të tija, shihet se sa mall e kishte Atdheun, se sa shumë vuante në mërgim për Atdheun e tij të largët:

“O ti që vjen nga larg,

Nga vendi i lindjes

Më thuaj: Kur vjen vera

Atje në kopshtin tonë?

Te shtëpia në atë vend të mjerë,

Kumbulla dhe qershija

Çelin gjithmonë lule

Si njiherë?….”

Në çdo shkrim  që lexoj për Nexhat Peshkepinë, ajo që dallon është fakti se ai e donte me gjithë shpirt Atdheun dhe i donte shqiptarët pa dallim feje, krahine a ideologjie, për derisa ata të ndanin me të, “Idealet e Kombësisë dhe të Atdhedashunisë”:  Le të nisemi së bashku, e jo nji nga nji, i porosiste shqiptarët  Nexhat Peshkepia sa ishte gjallë. Edhe sot 50-vjet pas vdekjes dhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ai ka të njëjtën porosi për brezat e sotëm të shqiptarëve, si në trojet shqiptare ashtu edhe në diasporë!  Lexoni më poshtë, “Le të nisemi së bashku”, nga Nexhat Peshkepia:

 

 

Një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, në vitin 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth interesave të Atdheut due të shqiptarëve — jo një nga një –por të gjithë së bashku!

 

Eh, medet!  T’i kishte sot Kombi Shqiptar vetëm 5 Nexhat Peshkepia, anë e mbanë trojeve shqiptare, besoj se ndryshe do të ishin punët e shqiptarëve!

Nexhat Peshkëpia ka lindur në Vlorë më 15 mars 1908 dhe ka ndërruar jetë më 8 shkurt 1970 në Dearborn të shtetit Miçigan, ku kishte shkuar nga Nju Jorku, ku edhe banonte, për të vizituar një kushëri të tijin që jetonte atje.

 

 

Frank Shkreli

Nexhat Peshkepia i pari nga e djathta, në Romë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastritoit -Skenderbeut (Shejzat)

 

Prof. Nexhat Peshkëpia ulur midis Mons Dr. Zef Oroshit dhe Inxhinjer Vasil Germenjit

 

Nexhat Peshkëpia

 

 

 

Nga Kujto.al

Manush Peshkëpia

 

Financier, poet, publicist, anëtar i Ballit Kombëtar, delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes. Lindi në vitin 1910, në Vlorë. Punoi si financier në Bankën Kombëtare. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, bashkë me të vëllanë, Nexhat Peshkëpinë, u transferua në Elbasan. Gjatë luftës qe redaktori kryesor i gazetës «Flamuri». Më 1944 drejtoi emisionin letrar të Radio Tiranës. U arrestua më 1945 dhe, më 13 prill të po atij viti, Gjykata Speciale e Tiranës e dënoi me 5 vjet burg dhe punë të detyruar si «armik të popullit». U lirua pas katër vjetësh. U arrestua sërish më 20 shkurt të vitit 1951, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike dhe, pas një jave torturash, duke u gdhirë 27  shkurti, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës.

Presidenti Donald Trump me ndërmjetësinë për njohjen e Kosovës nga Izraeli shkundi Perëndimin, shqiptarët dhe serbët! Nga Elida Buçpapaj

Më 3 shtator, një ditë përpara se Presidenti i SHBA Donald Trump të zhvillonte takimin mes dy delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, unë u përpoqa të imagjinoj me trurin e magjistarëve dhe iluzionistëve më të famshëm të njerëzimit me fuqi supernatyrale, spiritualistë, mistikë nga ata që bëjnë trike, fakeçudira tek ata që bëjnë mrekullira prej Ali Babës, personazhi i Një mijë e një netëve, Magjistari Oz tek David Copperfield se çfarë mund të ndodhte në Zyrën Ovale një ditë më pas.

Ishte një dyshim që lidhej me ata që do të priste Presidenti i SHBA, Donald Trump.

Nuk prisja që Presidenti serb Aleksandër Vuçiç të çlirohej nga klishetë dhe mitomania e kohës kur ishte ministër i propagandës për ta pranuar Kosovën e 4 shtatorit 2020 sipas tre datave  të sanksionuara:

Në 9 qershor 1999, data kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës që e detyronte Milosheviçin si humbës të largonte nga Kosova ushtrinë pushtuese dhe makinerinë e luftës që kishte shkaktuar mijra viktima të civilëve të pafajshëm dhe kishte spastruar etnikisht rreth 1 milionë shqiptarë;

Në 17 shkurt 2008, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur sot nga 116 shtete prej 192 sa janë anëtare të OKB;

Në 22 korrik 2010, dita e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e njohu si legjitim aktin e shpalljen së pavarësisë të shtetit të Kosovës.

Kanë kaluar mbi 21 vjet nga përfundimi i konfliktit të fundit në ish-Jugosllavi dhe paranoja mitomane ndaj Kosovës e mban gjithë rajonin peng të Serbisë, e cila ka angazhuar gjithë makinerinë shtetërore dhe diplomatike që shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën, ta çnjohin, dhe ato që nuk e kanë njohur të vazhdojnë të mos e njohin. Serbia synon kështu që ta kthejë Kosovën mbrapsht nga shekulli XXI në shekullin XX, më të ziun për kujtesën e njerëzimit, që dallohet nga dy Luftra Botërore, nga Holokausti, nga Srebrenica, nga diktaturat totalitare gjakatare naziste dhe staliniste që kanë shkaktuar mbi 200 milionë viktima!

9 qershori 1999, 17 shkurti 2008 dhe 22 qershori 2010 janë vija demarkacioni që ndajnë të shkuarën e përgjakur nga çmenduritë e Milosheviçit me të ardhmen e përbashkët demokratike të gjithë rajonit, të cilën e mban peng Serbia e Vuçiçit dhe kasta e politikanëve shqiptarë të skaduar, që kishin sjellë në Washington DC në Shtëpinë e Bardhë tek Presidenti i SHBA përfaqësuesit e tyre, por jo përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës.

Natyrisht që shqiptarët i kanë ata që përfaqësojnë me dinjitet. Më i shquari është ish Kongresmeni arbëresho-amerikan Joe DioGuardi, me të njëjtën origjinë si Regis Philbi, miku i Presidentit Donald Trump. Joe DioGuardi është Skënderbeu i kohëve moderne. Prej mbi tre dekada ai ka bashkëpunuar ngushtë me figurat me të shkëlqyera të Senatit e Kongresit Amerikan po ashtu edhe me lobin hebre në SHBA! Joe DioGuardi meritonte i pari të ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe të jetë ndërmjetës midis shqiptarëve dhe Presidentit Donald Trump.

Por megjithë situatën e 4 shtatorit 2020 në dukje e pashpresë dhe mediokre, Presidenti Donald Trump i la me gojë hapur të madh e të vogël, shqiptarë e serbë, Prishtinën e Beogradin, Brukselin, Strasbourg-n, Berlinin, Parisin, thinktank-ët, diplomatët e politologët e të gjitha ngjyrave dhe niveleve. Këtë efekt pati njohja që kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu i bëri shtetit të Kosovës, që ishte e papritura madhështore e pritur prej 12 vitesh të bëhej realitet, e lobuar nga të gjitha administratat pararendëse të SHBA por e arritur direkt prej Presidentit të 45-të të SHBA.

Njohja që Izraeli i bëri shtetit të Kosovës i shkon për shtat sloganit MAGA – Make America Great Again.

SHBA fituan menjëherë vemendje pozitive nga bota që me Marrëveshjen në shërbim të paqes në Lindjen e Mesme, e nënshkruar midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e arritur po përmes rolit të Trump. Po ashtu edhe njohja e Kosovës nga Izraeli ka një ndikim shumë të fuqishëm për paqen në Ballkan. Si reagim ndaj arrogancës serbe, sepse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e shkeli pikēn e 15 të Marrëveshjes nënshkruar në Zyrën Ovale, sapo u kthye në Beograd, duke iu shprehur palestinezëve, në takimin me ambasadorin e tyre, mirënjohjen që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

Tash shqiptarët ëndërrojnë që Presidenti Trump t’ia mbushi mendjen Papa Françeskut që edhe Vatikani ta njohë pavarësinë e Kosovës! Përse të mos e njohë Vatikani shtetin e pavarur të Kosovës?! Paqja nuk vjen vetëm me lutje por edhe me veprime!

SHBA janë si një Melting Pot gjigand. Shtetasit amerikanë me origjinë migratore janë nga të gjitha shtetet e globit. Kjo e mban të lidhur pazgjidhshmërisht Amerikën me fatet e njerëzimit. Mua më mahnit Ura e Bruklinit e dizajnuar nga një amerikano-gjerman me mendje të ndritur si John Augustus Roebling, por më ka mahnitur edhe më tepër ura e Korridorit Ajror të Berlinit Airlift ( 26 qershor 1948 – 30 shtator 1949), kur Amerikanët hanin nga një racion mish më pak për t’iu dërguar ushqime dhe qymyr për ngrohje e çka u nevojitej qytetareve gjermanë në Berlinin Perëndimor, ku forcat aleate me në krye SHBA përballuan një nga krizat më kritike të Luftës së Ftohtë duke e mbuluar këtë urë korridor me rreth 280 mijē fluturime që mposhti më në fund bllokadën dhe rrethimin e Berlinit Perëndimor nga BRSS.

Në fund të shekullit XX SHBA me aleatët e NATO-n ndalën një Holokaust të ri ndaj shqiptarëve të Kosovës që janë trashëgimtarët e Skënderbeut, Nënë Terezës dhe i vetmi vend që u kanë dhënë hebrejve strehë e mbrojtje, kur Europa i dorëzonte në Kampet e Përqendrimit në Auschwitz, Mauthausen e Treblinka.

Johanna Neumann, një zonjë hebreje që e kishte provuar mikpritjen e thjeshtë shqiptare me “bukë e kripë e zemër” përsëriste se “Moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët”. Nuk ndodhi kurrë dhe nuk ka asnjë hebre të dorëzuar tek gjermanët nga shqiptarët, duke pasur parasysh se Shqipëria ishte nën pushtimin nazist. Johanna Neumann, për t’i shpëtuar Shoah, u largua nga Hamburgu kur ishte 10 vjeçe bashkë me nënën dhe babain e saj. Familja me tre anëtarë, sikur shumë hebrej që u vendosēn aty, jetuan në Shqipëri 5 vjet dhe me mbarimin e luftës gjetën strehë në SHBA. Zonja Johanna ka tre vjet që është larguar nga kjo botë, por nuk ka asnjë dyshim se prej Parajse ajo, një nga Ëngjëjt Mbrojtës të Shqiptarëve, e ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Izraeli me ndërmjetësinë e Presidentit të SHBA.

Të mos diskutohet pastaj mirënjohja e shqiptarëve ndaj Presidentit Trump për këtë njohje kaq të rëndësishme.

Por ndërkohë shqiptarët e Kosovës janë duke përjetuar hutimin dhe ngërçin më të madh që nga vdekja e Ibrahim Rugovës. Në vend të faktorizimit dhe integrimit, janë të defaktorizuar dhe të dezintegruar. Nga lufta në Kosovë dolën të plagosur, por u kthyen në shtëpitë e tyre, ndërsa ranë në fatkeqësinë e sundimit nga kasta politike e korruptuar dhe inkriminuar. E njëjta kastë si në Kosovë, është edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, që ka uzurpuar pushtetin përt të qenë e përjetëshme si Llukashenko dhe miliardere si Silvio Berlusconi apo Donald Trump, pa trashëguar asgjë e pa derdhur asnjë pikë djerse, vetëm duke vjedhur pasuritë e vendit në stanjacion të plotë ekonomik.

Kastat dhe regjimet e korruptuara politike përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit njëlloj si regjimet totalitariste.

Nuk ka stabilitet nën regjimet e kastave. Ka diktatura mafioze, regjime hibride, ndërsa stabiliteti është fake.

Po ashtu nuk ka as shpresë për zhvillim ekonomik në regjimin e kastave, sepse shpërdorin pushtetin dhe shkelin ligjin, i cili është far udhëheqës në ekonominë e tregut. Nuk mund të ketë ekonomi të lirë tregu në Kosovën ku shteti është i kapur nga politikanë të konsumuar shtershēm, të korruptuar dhe të komprometuar përfundimisht si përçudnues të demokracisë dhe votës së popullit.

Por shpresë për Kosovën ka. Populli i Kosovës është vetë shpresa që e ka nxjerrë jashtë loje këtë kastë politike.

Njohja e Kosovës nga Izraeli në Zyrën Ovale të Presidentit Trump ishte një shkundje për të gjithë Perëndimin, sepse vetizolimi nga Covid e ka futur të gjithin në një kafaz izolacionist, sipas sloganit seicili për vete e Zoti për të gjithë! Presidenti Donald Trump doli nga kafazi izolacionist!

A do ta njihte Izraeli shtetin e Kosovës?

Normalisht do të duhej të ishte nga shtetet e para, sikur e njohën SHBA dhe vendet kryesore të BE, por u deshën 12 vjet nga administratat e presidentëve George W.Bush, Barak Obama deri tek Presidenti Donald Trump.

Ndikimi direkt i Presidentit Trump për njohjen e shtetit të Kosovës nga Izraeli iu dha fund gjithashtu edhe teorive konspirative dhe i shkundi shqiptarët nga dyshimet dhe apatia.

Prandaj ishte historik takimi i 4 shtatorit 2020 në Zyrën Ovale!

Shqiptarët do të donin që me abrakadabra Presidenti Donald Trump, Kancelarja Merkel, Presidenti Macron me aleatë të bëhen bashkë e t’i shpëtojnë edhe prej kronizmit, favoritivizmit, nepotizmit, klientelizmit, të kastës së korruptuar e të inkriminuar që ka si aleate nëntokën e krimit dhe për pushtet e kall rishtas Ballkanin në flakë.

Natyrisht që SHBA me aleatë duhet të marrin në dorë fatin e demokracisë në Ballkan, të rrezikuar seriozisht nga kjo kastë e bashkërenduar me krimin e nëntokës që janë duke krijuar rendin e ri mafioz, e cila  harxhon para të majme për ta falimentuar sistemin demokratik duke korruptuar dhe komprometuar zyrtarë të lartë të institucioneve Perëndimore ! Fatin e tyre duhet ta marrin në dorë edhe vetë shqiptarët, duke mbledhur forcat për të krijuar një dialog të denjë me Perëndimin, me përfaqësuesit e duhur si dhe për të të mbrojtur vlerën e shenjtë që ka vota e popullit.

Joseph J. DioGuardi (Xhozef DioGuardi) – Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

Paragraf i shkëputr nga libri imElitat e Mohuara, Krenari Kombëtare”(fq.428-435)

Me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Zotit Joseph DioGuardi i uroj jetë të gjatë, të lumtur dhe të sukseshme me familjen e tij të bukur!

   Bashkë me urimin, e falënderoj për gjithësa ka bërë dhe bën për kombin shqiptar!

Me konsideratë  të lartë!

                                      Autorja

 

   Xhozef  DioGuardi lindi më 20 shtator 1940, një Elitë politike bashkëkohore. Hon.DioGuardi është një personalitet dhe individualitet i veçantë për ShBA dhe për kombin shqiptar,  për Shqipërinë dhe Kosovën. Është me karrierë politike dhe diplomatike të ndritur, Senator i Kongresit Amerikan, avokat i çështjes shqiptare.  Drejtor Financiar për çdo repart dhe çdo agjenci të qeverisë amerikane dhe aktualisht President i organizatës”Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane”     (Albanian American Civic League). Si specialist  i  zoti shquhet në këto fusha: Kontabilitet, buxhetim, mjaft i aftë në  politikat fiskale, financim, kurse fjalimi( oratoria) është cilësi kryesore e virtytit të tij. Është mbrojtës i të drejtave të njeriut…

  Joseph J. DioGuardi lindi në Nju Jork më, 20 shtator, 1940. Babai i tij kishte lindur në Kalabri, ishte arbëresh, i cili emigroi në ShBA. Vendlindja e të atit ishte Bashkia arbëreshe në provincën e Avellinos,  i vetmi katund arbëresh në Provincën e Campanjës. Gruaja e Dioguardit, Shirley Cloyes Dioguardi – Shirli Kloyes Dioguardi ka qenë konsulente e biznesit dhe bashkëpunëtore e  Lidhja  Shqiptaro-Amerikane. Familja DioGuardi jeton në Nju Jork. Kanë vetëm një vajzë  Cara DioGuardi, kompozitore dhe këngëtare.
Joseph DioGuardi ka qenë  kongresmen në Kongresin e Shteteve Bashkuara të Amerikës. Aderon në Partinë Republikane. Shqiptarët nga të huajtë njihen si ushtarakë të zotët.

  Sipas DioGuardit ai vjen nga një familje e ushtarëve të  Skënderbeut të cilët ndihmuan Mbretërinë e Napolit në luftën e vitit 1461. Si shumë ushtarakë të tjerë shqiptarë të kohës së Skënderbeut, edhe të parët e tij ngelën në Itali. Joseph DioGuardi i takon gjeneratës së parë amerikane, është diplomuar në vitin 1958 në shkollën Prepartory të Fordham dhe në vitin 1962 është diplomuar shkëlqyer në Universitetin Fordham. Kurse më 1971 përfundoi një studim trevjeçar për t’u bërë një AQP (Agjencia Qëndrore e Prokurimit),  është organ qëndror, person juridik funksionon e pavarur dhe është jashtë kompetencave të ministrit. AQP në bashkëpunim me organizatat buxhetore cakton kushtet, kërkesat dhe obligimet për ta shpallur tenderin, pra siç shihet asnjë procedurë apo veprim nuk merret dhe nuk kërkohet nga ministri i Financave, qeverisja qëndrore dhe vendore.

Dioguardi ka arritur statusin e partnerit në moshën 31 vjeç, pasi ka punuar 22 vjet me kompaninë. Ai, si specialist në taksat federale e shtetërore, kishte përgjegjësi të madhe për organizatat jofitimprurëse. Në nëntor 1984, ai u zgjodh në Kongresin Amerikan. U rizgjodh në vitin 1986, duke qenë kështu anëtar i Kongresit në periudhën 1985-1989. Paraardhësi i DioGuardit ishte Richard Ottinger dhe pasardhës i tij ishte Nita Lowey.

Joseph DioGuardi, është politikan amerikan me origjinë arbëresheshqiptare. Anëtar i Dhomës së përfaqësuesve – Nju Jork, distrikti nr.20, mandat që e mbajti nga 3 janari vitit 1985, – 3 janar, të vitit 1989. Më 1986, së bashku me Kongresmenin Demokrat Mickey Leland, DioGuardi inicioi legjislacionin për t’i dhënë Medaljen e Nderit heronjve ushtarakë zezakë të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, gjë që u ishte mohuar për arsye raciale. DioGuardi është avokat i çështjes shqiptare. Pasi la Kongresin, në vitin 1989,  Ai ka bërë të paktën 20 vizita në  Shqipëri, Kosovë dhe  Maqedoni, pra në tojt etnike shqiptare. Si president i organizatës  “Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane”  (Albanian American Civic League), Ai dhe Kongresmeni Tom Lantosh në maj 1990 bënë një vizitë historike në Kosovë dhe në Shqipërinë që akoma nuk kishte dalë nga komunizmi. Gjatë takimit me presidentin e atëhershëm Ramiz Alia, i cili i dorëzoi Tom Lantosh-it një dosje të trashë me dokumente që vërtetojnë se shqiptarët shpëtuan qindra hebrenjë gjatë luftës së Dytë Botërore. Tom Lantosh, me origjinë hebraike dhe DioGuardi me origjinë arbëreshe, i dërguan dokumentet në Izrael, ku u çertifikua vërtetësia e tyre. Dhjetëra shqiptarë kanë marrë titullin Righteous Among the Nations (të drejtat e kombeve) nga shteti Izraelit që u jepet atyre që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fal këtyre dokumenteve faktik për shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë është realizuar nga Norman Gershman një film dokumentar. Në gusht, të vitit 1990, DioGuardi ishte iniciatori i vizitës së Bob Doll (Bob Dole), (kandidat për President i SHBA në 1996) dhe gjashtë senatorëve të tjerë të senatit të ShBA në Kosovë. Në qershor  1997, DioGuardi kryesoi një delegacion për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Me kërkesë të Kongresmenit Dana Rohrabacher, në gusht 1998, Joseph  DioGuardi udhëtoi në viset veriore të Shqipërisë për të vlerësuar krizën humanitare, si rezultat i luftës në Kosovë.. DioGuardi, më 1979,  është vlerësuar me Urdhrin “Kalorës i Urdhrit të Maltës”  Joseph J. DioGuardi pas mbarimit të mandatit, ishte dhe vazhdon të jetë president i “Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane”. Karriera politike e Dio Guardit është e ngjeshur: Në nëntor të vitit 1984, DioGuardi u zgjodh në Kongres, i pari i regjistruar në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve. Ka qenë senator (Qarku 20 i Kongresit të Nju Jorkut, Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara (në 3 janar 1985 – janar 1989), 4 vjet e 1 muaj. Joseph DioGuardi, mbërriti në Capitol Hill në vitin 1985, me axhendën e tij të deklaruar personalisht: për Revel( ahengjet apo festat); për të rregulluar praktikat mashtruese financiare të Kongresit; për të rivendosur përgjegjësinë fiskale dhe përgjegjësinë publike ndaj taksapaguesve. Karriera kongresuale e Joseph DioGuardit: Në Kongres, DioGuardi ka pasur detyrën e Drejtorit financiar, i cili ka qenë i ngarkuar me shumë detyra të një CFO (Chief Financial Officer.) Drejtor Financiar për çdo repart dhe çdo agjenci të qeverisë amerikane. Meqë DioGuardi, ishte i vetëm në zyrën e tij për dy vjet radhë, për ta lehtësuar disi atë, çështjen e kaluan në Kongres me aprovimi dhe nënshkrimin nga presidenti Xhorxh H. W. Bush, në vitin 1990. Në vitin 1986, me anëtarin e Kongresit Demokratik Michael Leland, DioGuardi projektoi një legjislacion për të dhënë Medaljen e Nderit, shoqëruar me shpërblim monetar për forcat Militare pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore. Pas legjislacionit si Kongresmen në vitin 1989, DioGuardi themeloi një fondacion të quajtur “Verità al Governo”(E vërteta për qeverinë), i cili mbrojti reformat e taksave dhe ato federale. Në të njëjtin vit bashkë me anëtarin e kongresit Tom Lantosh, bëri një vizitë në Shqipëri, duke i dhënë vendit tonë ndihmën e tij kundër komunizmit,që ndërkohë ishte në grahmën e fundit. Në gusht 1990, Dioguardi dhe Bob Dole, pasi përshkuan disa shtete amerikane, më pas e vazhduan udhëtimin për të vizituar disa qytete shqiptare në Kosovë. Në shtator të vitit 1996, u kthye sërish në Shqipëri, së bashku me Ben Gilman, u takua me presidentin shqiptar Sali Berisha për të diskutuar mbi sigurinë dhe të drejtat e qytetarëve grekë të Shqipërisë së Jugut. Në qershor, të vitit 1997, Dioguardi ngriti një delegacion për të shqyrtuar zgjedhjet kombëtare në Shqipëri dhe në muajin gusht, të vitit, 1998 u rikthye përsëri në vendin tonë për të vlerësuar krizën humanitare të shkaktuar nga lufta në Kosovë, me kërkesën e anëtarit të Kongresit Dana Rohrabacher. DioGuardi shërbeu për 22 vjet, nga të cilët 12 vjet si partner me Arthur Andersen LLP (Limited liability partnership (Partneritet me përgjegjësi të kufizuar), i cili ishte vetëm 22 vjeç (1962 – 1984). DioGuardi ishte një nga avokatët e parë publikë të politikës fiskale qeveritare. Në janar 1985, ai solli përvojën e tij të gjerë profesionale dhe vullnetare në Kongres. Ai u bë i pari CPA (Cassa Previdenza Avvocati – Avokat i Parashikimit të çështjeve), pra u zgjodh në krye të dhomës së avokatëve për parashikimin e çështjeve të ndryshme. Detyra e tij ishte një praktikë e vështirë, por me vlerë për të shërbyer në Shtëpinë e Përfaqësuesve të SHBA. DioGuardi mori rolin udhëheqës në thirrjen për të vërtetën në buxhetimin, kontabilitetin dhe raportimin federal dhe në sjelljen e llogaridhënies financiare në Kapitol Hill. Si President për organizatën “E Vërteta në Qeveri”, 1989, – qëndroi 29 vjet. E vërteta në qeverinë e inkorporuar është një organizatë jofitimprurëse që informon qytetarët për nevojën e transparencës dhe praktikave të përmirësuara në buxhetimin dhe shpenzimet në Kongres.

Vo:www. truthingovernment.org. Pas mandatit të Kongresit në vitin 1989, DioGuardi krijoi disa organizata jo partiake, duke përfshirë edhe organizatën “E Vërteta në Qeveri”. DioGuardi, është folës(oratori) kryesor i vendit, pasi ka folur në konferencën e Shoqatës për Kontabilistë të Qeverisë në NY, Shoqata Amerikane e Kontabilitetit dhe Instituti i Kontabilistëve të Menaxhimit në Uashington. Joseph DioGuardi gjithashtu është një aktivist i komunitetit dhe i të drejtave të njeriut që formon Ligat Qytetare Amerikane Amerikane, Fondacionin Shqiptar dhe Komitetin Amerikan të Çështjeve Amerikane. Është specialist në këto fusha: Kontabilitet, buxhet, mjaft i aftë në politikat fiskale, financim, kurse fjalimi( oratoria), është cilësi virtyti kryesor i tij. Senatori DioGuardi dhe çështja kombëtare në trojet arbërore, veçanërisht në Kosovë e Maqedoni. Nëse Abdyl Frashhëri ishte një shqiptar me mision kombëtar, DioGuardi pas një shekulli, është një misionar i çështjes kombëtare shqiptare në kohë moderne.

vo: TV. Iliria, 27.1.2015 “Joseph DioGuardi,misionar i shqiptarisë”, 432 PB Artur Vrekaj, Voal-Zvicër: “Për shqiptarët e Amerikës DioGuardi ngjason me Abdyl Frashërin.” -shprehet autori Vrekaj me të drejtë,pasi për analogji, them: “Rrënjët e Lidhjes së Prizrenit u mbollën në Janinë nga Abdyl Frashëri dhe hodhën shtat në Prizren. Kurse tani, Pavarësia e Kosovës, rrënjët i mbolli Senatori J.DioGuardi në ShBA dhe shtati i lirisë u rrit në Kosovë.”

Shqiptarët, kudo që kanë shkuar, anekënd botës, i ka tërhequr aroma e tokës mëmë dhe gjaku i të parëve pallazgo-iliro-arbër. Pikërisht rrënjët e kombit më të lashtë në botë ngjallën interesin e Joseph DioGuardit. Për cilindo Ai është  një misonar i vërtetë i shqiptarisë në Amerikë. Nga viti1986, deri tani, ai jeton mes trevave shqiptare të Ballkanit dhe Amerikës. Për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare, DioGuardi ka shkuar: në Beograd, Stamboll, Australi, Londër, Paris, Luxembourg, Vienë, Prishtinë, Ulqin, Bajram Curri, Tiranë, Tetovë, Toronto e gjetkë. Kur fitoi mandatin e kongresmenit,  është çuditur, sepse nga 535 anëtarë të Kongresit, vetëm 12 prej tyre dinin diçka për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe nuk dinin se shumica e banorëve të kësaj treve ishin autokton shqiptarë. Këtë fakt tronditës ai e dëshmon me shqetësim në një intervistë të vitit 2000 te gaz. “Zëri”.

Vo: A.Vrekaj:  1-Me DioGuardin anëtar të Kongresit Amerikan fillon një etapë e re e historisë së shqiptarëve të Amerikës për të sensibilizuar qeverinë dhe legjislativin amerikan për të prezantuar, përfaqësuar e ndihmuar në zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.”

  1. Aktiviteti i ngjeshur, i pandërprerë diplomatik, politik dhe humanitar prej Atdhetari e Shqiptari të madh, DioGuardi, krijoi ura miqësie mes kombit shqiptar me atij amerikan. Përkrahja e shqiptarëve në Amerikë, sidomos roli i veçantë në Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, i përket humanizmit të Joseph DioGuardit. Për këtë arsye lobi shqiptar i New Yorkut e përkrahu në elektoratë dhe Dioguardi u rizgjodh Senator për të dytën herë në nëtor,1986. DioGuardi në mandatin e dytë si kongresmen, i dha përparësi të madhe çështjes së Kosovës, se nxiti median amerikane dhe fitoi mbështetje në Kongres e Senat për të dalë e vërteta e shqiptarëve në shesh
  2. Cilido mund të pyes : -Pse?! Le të shohim ç’ka bërë DioGuardi: vo: Admin: 27.01.2015: “Joseph DioGuardi-Misionar i Shqiptarisë! –Qershor, 1986: i paraqiti Kongresit Amerikan rezolutën për mbrojtjen e të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Jugosllavi. -Pas një dite, Senatori Bob Dole, prezantoi në Senatin Amerikan rezolutën me të njëjtën Ngritja e çështjes shqiptare në ShBA,ishte një Rilindje e Dytë për shqiptarët e Amerikës. –Qershor, 1987 me 57 Kongresmenë Ai prezantoi Rezolutën(162) me kërkesa më të detajuara për drejtësinë e shqiptarëve në Kosovë. Të njëjtat kërkesa bëri dhe Senatori Bob Dole. -1987, ardhja e Millosheviçit në fuqi, rriti më tepër luftën e mbështetësve të serbëve në Uashington, në Departamentin e shtetit, në Kongres e Senat. Kjo nxiti kunder DioGuardit ish-qeveritarë, Senatorë dhe Kongresmenë, të paguar nga serbë, grekë dhe rusë që mbronin interesat serbe kundër çështjes shqiptare në Kosovë. Milosheviç i quante shqiptarët armiqte e Jugosllavisë –Nëntor 1989, Dioguradi takon Millosheviçin në Beograd ku i kërkon Liri për Kosovën me një letër të firmosur nga 13 senatorë amerikanë. -Intervistoi para Grand Hotel, Prishtinë para tankeve e ushtrise serbe, konfirmoi faktin konkret të pakundërshtueshëm të militaritzmit serb në Kosovë. –Shkurt 1990, DioGuardi dhe Lantosh në Kosovë. Më 1990– Ai solli në Beograd përfaqësinë e Komisionit të të drejtave të Njeriut të Kongresit Amerikan për represionin serb karshi shqiptareve të Kosovës. –Prill 1990, ai mbështet delegacionin e parë nga Kosova për në Amerikë, për të folur në një séancë dëgjimore kundër pushtimit serb të Kosovës, si akt Historik për Kongresin Amerikan. –Shkurt 1991 DioGuradi bën publike kërkesën për Pavaresinë e Kosovës në Senatin Amerikan, ku Millosheviçin e quajti (Hitleri i Ri dhe Sadam i Serbisë… –Janar 1992, Lantos paraqet rezolutën(264) ku kërkohet Njohja e Pavarësisë së Kosovës.   –Shtator 1993, në krye të delegacionit të Kongresit Amerikan shkon në Shqipëri e Maqedoni për të treguar mbështetjen amerikane për anëtarësimin e tyre në NATO. -Nëntor 1993, Tiranë (Konferenca e parë ndërkombëtare për Investime në Shqipëri), ai thekson se potenciali i shqiptarëve nuk janë vetëm resurset natyrore, por milionat e shqiptarëve të Diasporës në botë. -Shkurt 1994, prezanton Rugovën e Bukoshin te presidenti Clinton, për ta bërë të njohur gjendjen e Kosoves nën sundimin serb. –Prill 1994, udhëheq një protestë paqësore para Selisë se Kombeve të Bashkuara ku bën kërkese për dërgimin e trupave amerikane në Kosovë.  -Maj 1994,kongresmeni Gilman paraqet rezolutën(251), për të pyetur presidentin Clinton për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe mundesinë e një bashkëpunimi nd/kombëtar me Këshillin e Sigurimit të OKB dhe BE. –Shkurt 1995, shkon me Shirley Cloyes (gruaja e tij, njëkohësh misionare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane për problemin e shqiptarëve të Ballkanit).Në Maqedoni ndihmon për hapjen e Univ.të Tetovës si dhe udhëheq protestën ndaj dhunës qeveritare maqedone deri në mbyllje të këtij institucioni të dijes dhe shkencës. –Gusht 1995, me Kongresmanin Gilman vjen në Shqiperi në një vizitë zyrtare në kabinetin qeveritar te Berishës per sigurinë në Ballkan, për Sh.B.A dhe për Shqipërinë. –Janar 1996, Kongresi Amerikan nëpërmjet Gilman prezanton rezoluten (103) që garanton të drejtat e shqiptarëve te Maqedonisë dhe njohjen zyrtare te Universitetit te Tetovës.  –Tetor 1997 Lidhja qytetare shpërndan 10 mijë kopje të një broshure që bënte fjalë për shpëtimin e popullit hebre nga shqiptarët dhe Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore. –Shkurt 1998, me deklaratën,“në mbrojtje të Çështjes Kombëtare Shqiptare mbështet Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. –Mars 1998, i shpjegon Kongresit Amerikan se UÇK nuk është organizatë terroriste –Mars 1999, Cloyes DioGuardi dëshmon para Kongresit mbështetjen e ndërhyrjes së trupave amerikane në Kosovë. –Gusht 1999, Dioguradi viziton Kosovën e lirë dhe raporton Kongresin Amerikan për gjendjen e pasluftës në Kosovë. –Shkurt 2002, Millosheviçi nga Tribunali i Hagës sulmon Lidhjen Qytetare dhe DioGuardin për mbështetjen që i jep “terrorizmit shqiptar dhe separatizmit” në Kosovë. –Qershor 2003, nëpërmjet Gilman e Lantos, u paraqit rezoluta (467) në Kongresin amerikan në mbështetje të Pavarësisë se Kosovës në ndihmë të statusit final. –Janar 2004, DioGuardi ndikues i riprezantimit të rezolutës (28) që mbështet Pavarësinë e Kosovës në Kongres. -Shkurt 2007,po me këtë përmbajtje Lantos referoi se, “Çështja shqiptare ende e pazgjidhur”. –Korrik 2008, DioGuardi në një Konferencë me Inteligjencën, në Uashington, nënvizon se Sh.B.A-s duhet të sigurojnë kontrollin e plotë te territorit të Kosoves dhe parandalimin e ndarjes në veri të saj.

Është fat i madh që kemi përkrahjen e Joseph DioGuardit, një personalitet me gene shqiptar, i cili me vullnet e bëri çështjen kombëtare shqiptare më të dëgjuarën në Amerikë e në botë dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro Amerikane një organizatë të Pavarur, me vlera kombëtare në të mirën e shqiptarisë. Me të drejtë ne krenohemi për një potencial intelektual dhe një individualitet të tillë diplomatik e politik me përmasa botërore.

 FRAKSIONI – SHPRESË E NGRITJES SË LDK-SË – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Degradimi i qëllimshëm i LDK-së, me ndryshimin e statutit, për të pasur mundësi zgjatje mandati të pakufizuar, si metodë staliniste të sundimit, duke ndaluar debatin, përjashtuar konkurrencën zgjedhore dhe harruar votimin e fshehtë, për ta zëvendësuar me deklamacionin mashtrues dhe të turpshëm, janë shkelje flagrante të tri parimeve bazë të demokracisë.
     Stazhionimi i klanit ekzistues dhe përforcimi me klanorë të rinj, ka zvetnuar shpresën për ndryshim të afërt. Zhgënjimi i madh i kuadrove dhe anëtarësisë, rrezikon dobësimin e mëtejmë të LDK-së. Alternativa e fraksionit brenda partiak, është zgjidhja e mundshme, për mobilizimin e sërishëm të anëtarësisë. Fraksioni pamundëson goditjen selektive nga klanorët. LDK-së i kthehet debati dhe konkurrenca, ndërsa votimi i fshehtë është i paalternativë.
     Të qenurit të pakënaqur dhe të presësh, p.sh. çfarë bënë shefi i Grupit Parlamentar, është e padrejtë. Sepse shefi është një, goditja e tij është më e lehtë, ndërsa deputetët janë duzinë. Ata duhet të reagojnë karshi kësaj katrahure çoroditëse, që ka kthyer LDK-në në servis të PDK-së. Ajo është shpëlarë, pa fije dinjiteti e krenarie, siç ishte dikur kryezonjë, me atributet e rezistencës aktive, e vetmja forcë luftëbërëse, e shtet-formimit dhe e shtet-ndërtimit të Kosovës.
     Akuzat kundër Vjosë Osmanit, se është vënë kundër LDK-së, duke u rrjestua me Vetëvendosjen, janë shpifje monstrume, të dirigjuara, pikërisht, nga krerët e klanit, rrënues të partisë. Në të gjitha kundërshtitë e saj, ajo ka pasur dhe vazhdon të këtë drejtëpeshim dhe pozicionim të mirëfilltë rugovian e atdhetarë. Citojmë disa nga qendrimet e saj:
     1) Ishte kundër “Zajednicës” të Hashimit dhe të Isës;
     2) Kundër “Demarkacionit” në vijën aktuale;
     3) Kundër zgjedhjes bizare të Hashimit president;
     4) Kundër koalicionit me PDK-në;
     5) Kundër prishjes të koalicionit me VV-në dhe të rrezimit të qeverisë Kurti;
     6) Kundër koalicionit me PAN-in.
          Ngulmimi i Vjosë Osmanit për aleancën me Lëvizjen e Vetëvendosjes, ishte dhe është logjik, sepse nuk ka partnerë të tjerë të pranueshëm për LDK-në, në skenën politike të Kosovës. Partitë e PAN-it akuzohen për përgjakjen e LDK-së dhe të Kosovës, gjatë dhe pas luftës.
     Kryetarët komunalë, kryetarët e LDK-së në komuna, Grupi i deputetëve, brezi i Republikës, Këshilli i Përgjithshëm e deri tek Kryesia Qendrore, duhet ta thyejnë heshtjen, hiç fisnike aktuale. Është detyrë e tyre parësore, të ngrisin zërin në mbrojtje  të demokracisë partiake, në mbrojtje të LDK-së, për të shpëtuar atë që ka mbetur nga LDK-ja e Presidentit Rugova.
     Të gjithë këta së bashku, duhet ta stopojnë revanshin stalinist të klanit Mustafa.  Duhet ta mbrojnë Vjosë Osmanin, nga sulmet banditeske, që horrakët klanorë dhe veglat e tyre, si hiena, sulën kundër saj. Klani është në garë me PAN-istët, se kush më shumë anatemon dhe shanë Vjosë Osmanin, luftëtarën unike, në mbrojtje të frymës dhe parimeve rugoviane.
     Është detyrë hyjnore e të gjithë atyre, që dje krenoheshin me princeshën e LDK-së, Vjosë Osmanin, duhet të bashkohen me Fraksionin brenda LDK-së, për ta bindur Vjosën se ikja nuk është zgjidhje. Ajo nuk duhet, madje, në asnjë rrehtanë, ta dëmtojë LDK-në, qoftë edhe me abstenimet e mundshme, që, tashmë, i kanë të gatshme anëtarësia e lënduar e LDK-së, ngaqë ndërhyrja dirigjuese e PDK-së të Hashimit është faktike.
     Vjosa duhet të qendrojë, qoftë edhe si anëtare e thjeshtë, me fraksion brenda LDK-së, pa provuar, asnjëherë, për të krijuar një subjekt të ri dhe aq më pak t`i bashkangjitet ndonjë partie tjetër, qoftë edhe Vetëvendosjes. Përndryshe, do të na kujtonte atë thënien të cilën e përdorin vëllezërit tanë jugorë: “Për inat të simeje vjehërre, do të fle me mullixhinë!”
     Nëndegët e zëshme të LDK-së të Dobërçanit të Gjilanit, Hogoshtit, Ferizajit, Prishtinës, Lipjanit, Fushë-Kosovës, Mitrovicës, Vushtërisë, Prizrenit, Zhurit, Gjakovës, Isniqit, Junikut, Pejës, Rugovës, Vrellës, duhet të zgjohen, me kërkesën ngulmuese: “Kur është mjaft, është mjaft”! Problemi është Qendra dhe jo baza. Partia krenare e Presidentit Rugova, LDK-ja, nuk guxon të vazhdojë të mbetet bisht e patericë e PAN-it, PDK-së, për arsyen e vetme se dikush është zhytur në biznese e konspiracione të pista. Për rrjedhojë të dosjeve shantazhuese, po i bëjnë gjëmën LDK-së, Kosovës.
     Çfarëdo që të ndodhë, edhe sikur amvise e bareshë të mbetet Vjosë Osmani, do të mbahet mend, për guximin e saj unik, për të denoncuar paligjshmërinë kriminale drejtuese të partive politike, të shtetit dhe të pushtetit në Kosovë. Katandia ekonomike dhe politike e Kosovës, është, pikërisht, kasta drejtuese kriminale e korruptive, që ka uzurpuar kupolën shtetërore e pushtetare, për dy dekada radhazi.
     Gjithësesi, Vjosë Osmani vuri pikën mbi -I-, denoncoi falsitetin dhe paligjshmërinë e klanit të LDK-së dhe të të gjithë udhëheqjes të partive politike të Kosovës, krerët e të cilave nuk e kanë guximin qytetar, për t`u provuar me votën e fshehtë demokratike. Vjosa është qendresëtare, në mbrojtje të demokracisë në Kosovë, është heroinë, e cila nuk bënë pazare me parimet, njëjtë si Rugova në gjallje të Tij. Andaj, meriton respekt dhe mbrojtje.

Send this to a friend