VOAL

VOAL

Letër e hapur për mendjet e mbyllura – Nga LEDI SHAMKU

May 19, 2016

Komentet

VIDEO- “Evis, projekti s’është thjesht një vrimë”! Dalin mesazhet e supervizorit grek me Berberin, alarm për cilësinë e punimeve te tuneli i Llogarasë

Të dhënat e siguruara nga hetimi i SPAK ndaj ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi ngrene hije dyshimi edhe mbi cilësinë e punimeve në tunelin e llogarase dhe sigurinë e tij. Pas një inspektimi në kantier në korrik të vitit 2022, Ioannis Kirkinezis përfaqësuesi grek i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në tunelin e Llogarasë mbeti i shokuar. Ai i shkroi i alarmuar kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi se punët po shkonin përditë e më keq me projektin.

“Evis…kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…”

Ankesat kulmojnë në nëntor 2022, kur inxhinieri grek raporton shkelje alarmante sigurie, si fakti që kontraktori po hidhte “betonin pa çelik. Jo i përforcuar”. Ai gjithashtu e paralajmëron Berberin se dizajni i ri i ventilimit nuk kishte “asnjë dispozitë për rastet e zjarrit”, duke shtuar se kjo do të rrezikonte jetën e udhëtarëve.

“Propozimi i ri i Kontraktorit ka të bëjë vetëm me kushtet normale të funksionimit, pa asnjë dispozitë për rastet e zjarrit. Nëse ndodh një incident i tillë, sigurisht që do të ketë viktima”, shkruan më tej supervizori grek.

Mesazhet e shkëmbyera mes Kirkinezis dhe Berberit nxjerrin në pah një marrëdhënie të ndërlikuar. Ato e kanë zanafillën në gusht të vitit 2021, pasi Ministria e Infrastrukturës çeli tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, me një fond limit prej 196.2 milionë lekësh.

Fitues të tenderit u shpallën kompania “Hill International” e përfaqësuar nga Kirkinezis dhe “Net Group” sh.p.k, por Prokuroria e Posaçme pretendon se ky është një tjetër tender i manipuluar pas atij të ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe e akuzon Berberin për paracaktimin e fituesit.

Sipas hetimit, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë paguante kompaninë “Hill International NV” (dega në Shqipëri) për shërbimet e mbikëqyrjes, kjo e fundit i transferonte “Net Group” sh.p.k një pjesë të pagesave. Deri në nëntor 2024, “Net Group” ka përfituar rreth 74.3 milionë lekë nga “Hill International”, por nga këto para, 19.2 milionë i kaluan kompanisë DAAM , që prokuroria thotë se zotërohej de facto nga Evis Berberi. Transfertat justifikoheshin me fatura fiktive për “specialist për tunelin Llogara”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, një listë e gjatë ekspertësh nga Greqia që ishin deklaruar se do të bënin mbikëqyrjen e punimeve të tunelit nuk e kaluan kurrë kufirin. Ngjashëm një numër ekspertësh shqiptarë që supozohej se punonin për kompaninë Net Group nuk qenë kurrë në Llogara. Prokuroria thotë se ata që bënë mbikëqyrjen ishin të ndryshëm nga lista me të cilën kompanitë fituan tenderin.

Ish-kreu i ARRSH-së evis berberi u dërgua në gjykim në qershor të këtij viti së bashku me 18 persona të tjerë për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Në një skemë më të madhe, të zbuluar po ashtu nga mesazhet në telefonin e Berberit, ky i fundit dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku akuzohen se u përfshinë në paracaktimin e fituesit të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. bw

Gara për 5 bashkitë- Votuesit mbi 55 vjeç vendimtarë për rezultatin, 34.4% e zgjedhësve dhanë 50% të votave

Personat që janë mbi 55 vjeç ishin sa një e treta e zgjedhësve që kishin të drejtë vote në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara dje në 5 bashki, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë. 16% e zgjedhësve me të drejtë vote ishin të grupmoshës 55-64 vjeç dhe 18.4% të grupmoshës mbi 65 vjeç, sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Megjithatë preferenca e tyra për kandidatët që garonin për kryetarë bashkie është vendimtare për rezultatin final të zgjedhje, për shkak të interesit dhe gatishmërisë të tyre shumë më të lartë për të votuar, në krahasim me votuesit më të rinj.

Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, ndonëse përbënin 34.4% të zgjedhësve në listë, grupmosha mbi 55 vjeç dha 50% të votave në total, ose 15.5 pikë përqindje më shumë se pesha e tyre në totalin e listës së zgjedhësve.

Grupmosha më aktive në votime është ajo mbi 65 vjeç, që dha 27.6% të votave, kur përbën 18.4% të listës së zgjedhësve.

Interesi më i lartë nga kjo grupmoshë ka qenë në Mat e Tepelenë, ku më shumë se gjysma e të regjistruarve mbi 65 vjeç kanë shkuar të votojnë dhe më pak në Vlorë, me 18%.

Grupmosha nga 55-64 vjeç dha 22.3% të votave, kur përbënte 16% të të regjistruarve.

Grupmosha 45-54 vjeç ka ekuilibrin më të lartë mes peshës në listën e zgjedhjeve dhe votuesve, me përkatësisht 16.7% dhe 15.5%.

Tek më të rinjtë, kontributi për votën është dukshëm më i ulët për dy arsye kryesore.

Së pari, për shkak të nivelit të lartë të emigracionit, që ka përfshirë kryesisht moshat e reja.

Së dyti, si rrjedhojë e interesit më të ulët që ata kanë për të votuar, çka bën që dhe ata që janë në Shqipëri të mos u drejtohen qendrave të votimit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se grupmosha nga 18 deri në 44 vjeç përbënin gati gjysmën e listës së zgjedhësve (48.9%), por ata dhanë në zgjedhjet e djeshme 34.6% të votave totale, duke e lënë “fatin” e rezultateve në dorë të votuesve mbi 55 vjeç.

Interesi i të rinjve për të votuar ka qenë sidomos i ulët në Vlorë, ku më pak se 10% e grupmoshës deri në 35 vjeç që kanë të drejtë vote, i janë drejtuar qendrave të votimit, duke dëshmuar dhe për nivelin e lartë të emigracionit të të rinjve në qytetin bregdetar.

Të rinjtë më të zellshëm për të votuar ishin në Mat dhe Tepelenë, ku 20-25% e atyre që kanë të drejt vote nga 18 në 34 vjeç iu drejtuan kutive të votimit gjatë ditës së djeshme.

Zgjedhjet e pjesshme u zhvilluan gjatë ditës së djeshme në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, pas krijimit të vendeve bosh në postet e kryetarëve të bashkive për shkak të dorëheqjeve, shkarkimeve apo marrjes së mandateve të tjera publike nga ish-kryetarët.

Në total, në listën e zgjedhësve në këto bashki kishte 334,539 persona. Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, përqindja e votuesve ishte 18.45% (për 383 qendra nga 472 gjithsej), me interesin që ishte shumë më i ulët në raport me zgjedhjet normale vendore të vitit 2023, kur pjesmarrja totale ishte rreth 38%.

Zgjedhjet ishin planifikuar dhe në kryeqytet, por u anuluan pas Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj./ Monitor

Lokale 1 1024x621

Aeroporti i Vlorës, ngrehina pa operim Nga Irena Beqiraj

Koncensioni i aeroportit të Vlorës është i formës BOT ( build operate transer ) ose ndërto , opero, transfero. Sipas frymës së ligjit konsorciumi fitues privat duhet të kishte eksperiencë në të ndërtim edhe operimin e aeroporteve.

Madje një nga arsyet përse jepet me koncension është kapaciteti i aftësive të partnerit privat për të operuar edhe menaxhuar risqet operacionale në vepra të tilla.

Gjatë intervistës z. Pacolli deklaroi se kompania e tij kishte ndërtuar aeroporte por nuk kishte operuar ose menaxhuar të tilla, ndaj kishin dakortësuar që menaxhimin ose operimin ta nënkontraktonin tek Aeroporti i Munihut.

Por në këtë kohë , sipas Z.Pacolli futet në lojë YDA e cila vjen në Shqipëri për dy qëllime; 1) për të ndërtuar spitalin e Fierit edhe 2) për Aeroportin e Vlorës. Sipas z. Pacolli YDA kishte eksperiencë ne operim, edhe për këtë arsye ishte i mirëpritur në konsorcium.

Deklarata e Pacollit se YDA ishte takuar me ministren para bërjes së procedurës së tenderit si dhe fakti që ministria ndryshoi kriteret edhe e shtyhu disa herë tenderin deri sa konsorciumi në fjalë përgatiti ofertën, edhe shpallja fitues po këtë konsorcium qartëson përfundimisht faktin që fituesi ka qënë i parapërcaktuar .

Por dëshmia e z. Pacolli nëse bashkohet me përcaktimet në kontratë tregon më shumë. Edhe pse një partner i cili ka 40% të aksioneve YDA-JA në këtë rast, e cila u përfshi për shkak të eksperiencës së saj në operim , kontrata parashikoi që operimi të jepet me nënkontraktim .

Sipas ligjit duhet të përcaktohet që në dokumentet e tenderit edhe më pas në kontratë fushat ku mund të nënkontraktohet . Kjo tregon që është ditur edhe pranuar që në krye të herës që YDA do të largohej edhe nuk do të merrte pjesë në ndërtimin edhe operimin e Aeroportit.

Pra YDA ishte futur jo si partner real por si partner fiktiv. Z. Pacolli (megjithëse nuk e tha ) kur nuk pranoi që YDA të kishte 60 % të aksioneve duke i ulur ato në 40% në fakt ka negociuar jo maxhorancën por pagesën e shitjes së aksioneve të YDA-së.

Pra, ministria ka dhënë një koncension pa Operimin të garantuar në kundështim me frymën e ligjit edhe me shumë gjasa do të rezultojë në kundështim me pikën 3 të nenit 34 të ligjit të PPP I cili kërkon që në PPP e punëve edhe shërbimeve publike mos të tejkalohet përcaktimet e ligjit të prokurimit publik për masën e nënkontraktimit.

E pra YDA morri një pagesë indirekte 3 milionë Euro, ( sipas Z. Pacolli kishte kërkuar 5 milionë ) “për dhuratën” e Spitalit të Fierit, pagesë kjo që me ndihmën e qeverisë u maskua si shitje aksionesh. Ndërsa populli i varfër i cili u gëzohet akoma dhuratave i këndonte këngë Erdoganit.

Z.Pacolli dëshmoi se Aeroporti i Vorës do të përfundojë së ndërtuari por nuk do të vendoset në operim. Kjo për dy arsye, e para Aeroporti i Munihut i cili kishte kishte rënë dakord që ta operonte kur të kishte përfunduar ndërtimi, është tërhequr për shkak të vendimit të këshillit bashkiak të Munihut në përmbushje të kërkesës së ambientalistëve.

Edhe së dyti, konflikti midis dy partnerëve të mbetur të konsorciumit e bën të pamundur arritjen edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje me një operues tjetër.

Të nënshkruash një kontratë koncensioni BOT duke vendosur në lojë OPERIMIN i cili është i një rëndësie thelbësore në kontratat koncesionare është akrobaci që do guxim të madh si nga parneri publik ashtu edhe nga parneri privat.

Për shkak të këtij guximi në Shkurt 2026 sipas z.Pacolli do të kemi një ngrehinë të përfunduar por jo një Aeroport , pasi qeveria e të paaftëve kishte krijuar iluzionin se mund të menaxhohen edhe akrobaci të tilla në kontrata kaq komplekse e me risk afatgjatë.

Uroj të kenë mësuar se iluzioni është një borxh me interesa të larta, por për më keq paguhet me kamatvonësë !

/Nga Irena Beqiraj

Gent Gazheli nën hetim nga SPAK për skandalin 130 milion euro që tronditi doganat

 

Një mega aferë financiare pritet të shpërthejë në zemër të sistemit doganor shqiptar, me në qendër Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli — personazh që burime nga brenda institucionit e përshkruajnë si “i paprekshëm” dhe “Don Zhuani i Doganave”.

Sipas dokumenteve dhe komunikimeve zyrtare tashmë të referuara në SPAK, bëhet fjalë për një skandal të pezulluar prej pesë vitesh, që lidhet me gjobën ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, me vlerë që shkon deri në 130 milionë euro.

Burime nga Prokuroria e Fierit bëjnë me dije se çështja është referuar për hetim në SPAK, pas një hetimi paraprak të nisur që në vitin 2020.

Në atë periudhë, pas emërimit të Gent Gazhelit si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, shefi i Degës Doganore të Fierit, Olti Kuke, ka njoftuar zyrtarisht drejtuesin e lartë në lidhje me vendimin për gjobë 30 milionë euro ndaj kompanisë “Bankers”.

Por, sipas kallëzimit, me kërkesë të hetimeve tatimore, kjo shumë u rivlerësua në 130 milionë euro — një shumë kolosale që, siç pretendohet, është pezulluar nga vetë Gazheli përmes mosveprimit administrativ, ndonëse ishte njoftuar dy herë me shkresë zyrtare dhe email nga Olti Kuke.

Në dosjen që ndodhet tashmë në SPAK, ekzistojnë dy shkresa zyrtare, të cilat mjaftojnë për të provuar zinxhirin e komunikimit. Megjithatë, deri më sot, nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar mbi gjobën, ndonëse ligji kërkon zgjidhje brenda gjashtë muajve.

Burime: “Ka pasur takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të kompanisë”

Sipas burimeve konfidenciale, Gent Gazheli dyshohet se ka zhvilluar takime personale me përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum”, ndërkohë që dosja mbeti “në sirtar”.

Madje, shefi i Doganës së Fierit, Olti Kuke, mësohet të ketë qenë nën presion të vazhdueshëm, derisa u shkarkua nga detyra vetëm dy muaj më parë, duke u transferuar nga drejtues i sektorit të akcizës në specialist — lëvizje që burimet e lidhin me përpjekjen për ta heshtur çështjen.

“Gjobë e zbardhur pas pesë vjetësh, nga frika e ekspozimit publik”

Ironikisht, vetëm pas pesë vitesh “ngrirje”, gjoba ndaj kompanisë është zbardhur — pikërisht pak ditë pasi Prokuroria e Fierit ia kaloi dosjen për kompetencë SPAK-ut, dhe kur rasti u përmend publikisht nga Kryetari i KLSH-së gjatë raportimit në Kuvend, si dhe nga deputeti socialist Erion Braçe.

Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje të forta mbi lidhjet politike që, sipas burimeve nga brenda sistemit, e kanë “mbrojtur” Gent Gazhelin çdo herë që ka shpërthyer një aferë.

Skandale të tjera në horizont?

Gazheli, i cilësuar nga vartësit e tij si “Drejtori i 2030-s”, pritet të përballet me disa kallëzime të tjera, të cilat lidhen me shkelje të rënda në sektorin e akcizës dhe tregtisë së mallrave të ndjeshme./ Maska.al

Inxhinieri grek dëshmon 2 ditë në SPAK, si e fitoi tek Balluku mbikqyrjen e punimeve të tunelit të Llogarasë Nga Elton Qyno

 

Inxhinieri Grek, Yannis Kirkinezis, është njeriu që foli në SPAK, duke dhënë shpjegime të sakta mbi fitimin e kontratës me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për mbikqyrjen e punimeve që po kryheshin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në Orikum.

Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi i dosjes së supervizimit të tunelit të Llogarasë, rrëfimi i inxhinierit grek dhe komunikimet në telefonat e ministres Belinda Balluku, ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberit dhe Sekretares së Përgjithme të Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, përbëjnë provat gjenerale për ngritjen e akuzës penale ndaj Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë.

Kirkinezis, ka qëndruar mbi 6 orë në SPAK duke dhënë shpjegime dhe pas përfundimit të orarit zyrtar, prokurori i çështjes Dritan Prençi, është kujdesur që dëshmia e grekut të ndërpritej dhe më pas ka vijuar ditën tjetër.

Për shkak të vonesës dhe prezencës së gjatë në SPAK të inxhinierit Kirkinezis, interes ka shfaqur dhe Ambasada Greke në Tiranë, e cila mësohet të jetë vënë në dijeni nga SPAK, se shtetasi grek po merrej në pyetje si përson që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes dhe jo si person nën hetim apo qoftë të ishte marë ndonjë masë ndalimi.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se shtetasi grek ka bashkëpunuar me prokurorinë duke treguar të gjithë dinamikën e plotë që çuan atë dhe “Net-Group” të Valter Begaj, në fitimin e kontratës prej 2 milion euro për supervizimin e punimeve të tunelit të Llogarasë.

Ai i ka pohuar hetuesve të BKH-së dhe prokurit Prençi të gjitha marëveshjet që ka bërë në vitin 2021 e në vijim me Valter Begaj të “Net-Group” që tashmë ndodhet në burg. Begaj njihet si njeri i afërt me ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, edhe ky i fundit në burg.

Yannis Kirkinezis, ka treguar se është me profesion inxhinier dhe në Shqipëri administron degën e kompanisë hollandeze “Hill Internacinal N.V” me Seli në Amsterdam. Si përfaqësues ligjor i kësaj kompanie vepron dhe shtetasi tjetër, Emmanouil Sigalas.

Sipas tij, kompania është hapur në 4 qershor 2019 në Tiranë, ndërsa marëdhënien e punës, fillimisht e kanë nisur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ku kanë marë kontratën e parë në administratën publike.

Një muaj më pas kompania e administruar prej tij, arrin të fitojë tenderin 2 milionë euro të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku në këtë garë inxhinieri grek kishte bashkuar forcat me kompaninë “Net-Group”, e Valter Begaj.

Yannis Kirkinezis, ka pohuar në SPAK se tenderi për supervizimin është hapur në datën 25 nëntor 2021 nga Sekretaria e Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi.

“Net Group” dhe “Hill Internacinal N.V” kanë garuar përballë dy kompanive të tjera që kishinhyrë si Bashkim Operatorësh Ekonomikë “Stucky” l.t.d dhe “Gjeokonsult & CO”.

Fondi limit i këtij tenderi ishte planifikuar në 1 miliard e 947 milion lekë të vjetra, ku shërbimi duhej të kryhej në 34 muaj.

Sipas dokumentave zyrtare të sekuestruara tashmë nga SPAK, kompania “Hill Internacinal N.V” e inxhinierit Grek dhe “Net Group” e Valter Begaj, në total ka përfituar në 14 transaksione të bëra nga Ministria e Infranstrukturës, 1 miliard e 979 milion lekë.

Pra edhe 32 milion lekë të vjetra mbi atë që ishte parashikuar në kontratën mes palëve.

Shuma prej 1 miliard e 979 milion lekë është paguar në bazë të kontratës Nr.1537/3 të lidhur në 16 Maj 2022 ku parashikoheshin shërbime inxhinierike për 13 situacione të mbykqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë.

Situacionin e parë, Ministria e Infrastrukturës rezulton ta ketë paguar drejt “Hill Internacinal N.V” në muajin Tetor 2022 në vlerën prej 88 milion lekë të vjetra. Ndërsa situacioni i fundit është paguar në 24 Janar 2025 në vlerën prej 55 milion lekë.

Kjo kontratë shërbimi ka dyshime të forta se është paracaktuar në favore korruptive, ndaj dhe SPAK prej disa muaj ka sekuestruar të gjithë praktikën dokumentare që është mbajtur për këtë tender.

Ndërkohë të dhënat kompromentuese që janë luajtur në prapaskenën e këtij tenderi, tashmë ndodhet në telefonat e Evis Berberit dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, të cilët i ka sekuestruar dhe ekspertuar prokuroria e posaçme SPAK.

Kjo është një dosje Nr.2 për ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila ka afatin e parashkrimit deri në 25 nëntorin e 2026.

Ndërsa aktualisht, Belinda Balluku, është marrë e pandehur së bashku me 5 zyrtarë të tjerë, për praktikën tenderuese të ndërtimit të tunelit të Llogarasë me vlerë gati 180 milion euro.

Por kjo është vetëm fillimi, pasi ndaj Ballukut janë hapur dhe tre hetime të tjera duke filluar nga hetimi pasuror, hetim për dy anijet Gjenerator “Tigri 1” dhe “Tigri 2” si dhe hetime për kontratën konçesionare të ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar.

Nga Elton Qyno – Syri.net

Kruja, si po shuhet pak nga pak kryeqyteti i historisë- Nga NDUE DEDAJ 

 

– Rruga panoramike Krujë-Tiranë nga Paskuqani, gjithnjë premtohet e asnjëherë nuk bëhet! –

Kruja dikur ishte zemra e Shqipërisë dhe konsiderohej një “lagje” e Tiranës. Aty shkonin për vizitë të gjitha delegacionet e huaja që vinin në kryeqytet. Kjo për shkak se ishte qyteti i historisë, i heroit kombëtar, por edhe një ballkon natyror i pazakontë nga shihej deti. Shkurt, Kruja i kishte të gjitha, peizazhin turistik, ajrin që të mbushte gjoksin, muzën e historisë. Të gjitha këto i ka dhe sot, por jo më vëmendjen e qeverisë. Kruja si qytet po braktiset pak nga pak. Ka rënë në 13 mijë banorë. Nuk ka punë, mbahet vetëm me fasone. Kur me dy fabrika çimentoje dhe Rinasin në “tapinë” e saj, si dhe pasuritë natyrore duhej të rronte mes luksit, thonë banorët. Por sa duket me të pushuar guroret nga puna, po shuhet dhe ekzistenca e një qyteti me “ujin më të mirë në botë”. Vite më parë një turist, teksa ngjiste kreshtën me pisha, i thoshte shoqëruesit të tij vendas, se në Krujë duhet të rrojnë pasanikët e Shqipërisë. Ashtu duhej të ishte, por më mirë prit ta shohësh, i thotë vendaliu. Dhe u ngjit zotëria lart, pa dhe u shpreh se gjeti një fshat…

Krujës në vend që t’i jepej, i ishte marrë çdo gjë, asnjë institucion tjetër veç Bashkisë nuk ka, bile dhe për atë qe folur se do ta kalonin në Fushë-Krujë!? Do ta kishte ndryshuar gjendjen rruga Krujë-Tiranë, që vazhdimisht premtohet dhe asnjëherë nuk bëhet, thotë Haliti, që e ka për zemër qytetin e vet, të cilin nuk ka dëshirë ta lëshojë. Do të ishte një rrugë 12 kilometra e gjatë, me vetëm tri vepra arti, rrëzë malit, që qytetarët do ta kishin bërë në këmbë për qejf, shton ai me pak humor. Po bëhen të gjithë rrugët e qyteteve që kufizojnë Tiranën, vetëm ajo e Krujës jo! Është bërë rruga e Elbasanit. Rruga e Burrelit dhe e Dibrës. Po bëhet rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës. Vetëm për rrugën e Krujës nuk ka ende ndonjë lajm nga qeveria. Rruga e Fushë-Krujës nuk është rruga e Krujës, por e Veriut. Është e habitshme se si është lënë pas dorë, apo hedhur pas krahëve një qytet i rrallë në të gjitha anët që ta marrësh. Nuk i buzëqeshi fati as Fushë-Krujës, edhe pse është i vetmi qytet shqiptar, pos Tiranës, ku ndaloi një President amerikan, Xhorxh Bushi II. Krujën, sidoqoftë, nuk e kanë braktisur turistët që nuk i ndahen, le pastaj sikur të ishte atraksion turistik dhe Zgërdheshi ilir etj.. Si është e mundur të bjerë ky “mallkim” mbi njërin prej visareve më të çmuara te vendit tonë?! A do të ketë përgjigje të paktën për rrugën e munguar Krujë–Tiranë, që do të ishte po aq e vlefshme dhe për vetë kryeqytetin, pasi ëndërrimtarët e së bukurës shohin pallate moderne në shëmbëllim dhe të kullave të maleve, që do të ndërtoheshin rrëzë malit panoramik, në vend të kullave që po e gllabërojnë Tiranën, si oktapodët. Kur ajo rrugë të bëhet një ditë, kryeqyteti veç një atraksioni më tepër, do të ketë dhe biçikleta më shumë…

Kruja nuk është si Lezha, Durrësi apo Vlora që ta mbajë deti. “Deti” i saj është fusha, sot për sot pa të mbjella e të korra, industria e ndërtimit dhe turizmi kulturor, që ta përshkojë cep më cep. Në malin e Krujës është dhe tempulli i shenjtë e Sari Salltikut, një arsye më shumë për ta pasur përherë Krujën një faltore të historisë dhe të besimit.

Ka përfunduar në sirtarët e burokracisë kërkesa e para 7 viteve e dy deputetëve, Gjermeni e Beqaj për ndërtimin e rrugës së shkurtër Krujë–Tiranë, që përgjysmon kohën e udhëtimit prej dyzet minutash, sa ç’bëhet sot nga FushëKruja. “Nëse distanca Tiranë–Krujë do të përshkohet në jo më shumë se 20 minuta, oferta turistike e Krujës do të bëhet pjesë e ofertës turistike të Tiranës dhe gjithë destinacionet turistike të Krujës do të jenë lehtësisht të arritshme nga turistët vendas e të huaj, si kështjella mesjetare dhe dy muzetë unikë të Krujës, objekti fetar i Sarisalltikut dhe më tej, Parku Kombëtar i Qafë–Shtamës”, argumentonin asokohe dy deputetët që nuk i dëgjoi askush.

Por nuk është e thënë që një projekt i tillë të mbetet vetëm në një nismë, prej atëherë duhej të kishte nisma të tjera e lobim të fortë për këtë rrugë, që vërtetë nuk çon drejt detit, por drejt një mali ku detin e ke në pëllëmbë të dorës…

/Gazeta Panorama

Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet- Nga Dom Vlash Palaj

“Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet,
e krijoi në përngjasimin e Hyjit;
i krijoi mashkull e femër.”
(Zanafilla 1, 27)
Le ta dijë mirë çdo deputet i krishterë se kush voton kundër këtij citimi biblik:
-voton kundër Zotit,
– kundër natyrës,
– kundër familjes,
– kundër Kishës,
-kundër prinderve të tij,
-kundër civilizimit të vërtetë që ndërtoi Europën,
-e padyshim kundër shumicës apsolute të atyre që perfaqson në parlament.
Zoti ua ndrit mendjen edhe atyre që mbeten skllever permanent të ideologjive!

Ujku në lëkurë deleje: Pushteti i mprehtë i Kinës nga Amerika Latine deri në Australi

Asja Hafner

Përveç ndërtimit të hekurudhave, porteve, rrugëve, fabrikave dhe minierave përmes nismës Brezi dhe Rruga, Kina po i ndryshon edhe peizazhet informative, mediatike dhe të komunikimit në të gjitha kontinentet e botës, duke përdorur gjithnjë e më shumë mjetet e pushtetit të mprehtë.

Pushteti i mprehtë i Kinës

Radio Evropa e Lirë (REL) po heton pushtetin e mprehtë të Kinës në Ballkanin Perëndimor dhe në nivel global. Pushteti i mbrehtë përkufizohet si një qasje ndaj politikës ndërkombëtare që përfshin censurë dhe manipulim për të minuar integritetin e institucioneve të pavarura. Përmes një sërë mekanizmash zbatimi, pushteti i mprehtë synon ta kufizojë lirinë e shprehjes dhe ta destabilizojë mjedisin politik. Ai i referohet aftësisë për të ndikuar tek të tjerët për të arritur një rezultat të dëshiruar, jo duke iu drejtuar publikut siç është rasti me pushtetin e butë, por duke përhapur dhe manipuluar informacionin. Si e përdor Kina atë?

Midis pushtetit të butë të ideve dhe pushtetit të fortë të ushtrisë dhe shantazhit ekonomik ndodhet pushteti i mprehtë i propagandës dhe dezinformimit. Pushteti i mprehtë mashtron, pushteti i butë përdoret për tërheqje, ndërsa ai i fortë është kërkues i pakushtëzuar.

Politologu i ndjerë, Joseph Nye, krijuesi i konceptit të pushtetit të butë, ka pohuar se kufiri midis pushtetit të butë dhe atij të mprehtë qëndron te e vërteta dhe çiltërsia.

Të njëjtën gjë, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) e thotë edhe Klaus Soong nga Instituti Mercator për Studime mbi Kinën në Berlin (MERICS).

“Qëllimi është i rëndësishëm. Pyetja është, cili është qëllimi. Mendoj se dallimi midis pushtetit të butë dhe atij të mprehtë qëndron në ndërtimin e narrativit”.

Kur agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua vepron hapur në vende të tjera, ajo luan lojën e pushtetit të butë. Por, kur Radioja Kineze Ndërkombëtare fshehurazi financon 33 stacione radioje në 14 shtete, ajo kalon në sferën e pushtetit të mprehtë, kishte theksuar Nye në një artikull për Project Syndicate.

Kanalet televizive kineze CGTN dhe CCTV janë pjesë e ofertës së operatorëve kabllorë edhe në Ballkanin Perëndimor. Mediat rajonale transmetojnë përmbajtje të krijuara nga agjencia Xinhua, ndërsa Radioja Kineze Ndërkombëtare (CRI) ka portale mediatike në gjuhën shqipe dhe serbe.

Në faqen e internetit CRI serbisht, ky medium paraqitet si një medium me mbulim rajonal, më saktë si “redaksi programi që mbulon zonën e ish-Jugosllavisë”. Megjithatë, përveç faqes në gjuhën shqipe, aktivë janë edhe portalet e CRI-së, të cilat mbulojnë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën.

“Shumë gjëra kryhen përmes luftës së informacionit. Shumë prej gjërave që ndodhin në kuadër të veprimit të pushtetit të mprehtë janë përpjekje për të manipuluar dhe bindur publikun në mënyrë që të formësohet opinioni publik dhe një mjedis që i përshtatet më shumë Partisë Komuniste të Kinës ose rritjes së ndikimit të Kinës jashtë kufijve të saj”, shpjegon për për REL-in Daria Impiombato, analiste në Institutin Mercator për Studime mbi Kinën, duke shtuar se “qëllimi përfundimtar është që Kina të bëhet superfuqi globale”.

Thika e padukshme e pushtetit të mprehtë të Kinës

Nëpërmjet pushtetit të mprehtë, vlerat përgjithësisht jo tërheqëse dhe shtypëse të sistemeve autoritare projektohen në sfera interesi duke nxitur monopolizimin e pushtetit, kontrollin nga lart, censurën dhe besnikërinë e bazuar në frikësim.

“Vetë thelbi i institucioneve dhe strukturave demokratike [perëndimore] është rrjedha e lirë e informacionit, që do të thotë se çdo aktor mund të hyjë dhe të ndajë çfarë të dëshirojë, brenda kufijve të caktuar. Disa nga këta narrativë mund të jenë tërheqëse për audiencat jashtë Kinës”.

“Mendoj se gjithnjë e më shumë këta narrativë që po promovohen, nuk kanë të bëjnë vetëm me Kinën ose interesat thelbësore të Kinës, si çështjet e Tajvanit ose Hong Kongut… ose provincës Ksinjang… por ato po përpiqen gjithnjë e më shumë të shtyjnë përpara narrativë që kanë të bëjnë me çështjet ndërkombëtare, në një mënyrë që i përshtatet Partisë Komuniste Kineze. Dhe, kjo është mjaft shqetësuese, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. Pra, do të thotë ndryshimi i kushteve dhe gjërave që janë vendosur nga bashkësia ndërkombëtare”, theksoi Impiombato.

“Përdorimi i pushtetit të fortë lejon që dikush të ndërhyjë në strukturën e shoqërisë, duke thelluar kështu përçarjet ekzistuese në shoqëritë demokratike. Pushteti i fortë nënkupton një shkallë të caktuar sekreti, fshehjeje, abuzim me mjedisin e informacionit të hapur në demokraci”, shtoi ajo.

Nga vetë natyra e tij, pushteti i fortë është i paprekshëm, por ka pasoja dhe efekte të thella dhe të prekshme. Radio Evropa e Lirë ofron shembuj se si Kina e përdor skajin e padukshëm të pushtetit të fortë dhe sa larg shtrihet ai në të gjithë botën.

Fqinjësia e Kinës dhe rasti i Tajvanit

“Në fqinjësinë e saj të afërt, Kina ka më pak nevojë të përdorë pushtetin e fortë, me përjashtim të Tajvanit, sepse tani po fiton luftën e pushtetit të butë në vende si Tailanda dhe Malajzia. Kina mund të përshtatet deri diku në vende të caktuara, por për momentin është shumë më efektive në Azi dhe në autokraci [në mbarë botën]”, tha për REL-in Joshua Kurlantzic, bashkëpunëtor për Azinë Juglindore dhe Azinë Jugore në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë (CFR) dhe autor i librit “Ofensiva Globale e Medias së Pekinit: Fushata e Pabarabartë e Kinës për të Ndikuar në Azi dhe në Botë”.

“Sigurisht, e ashtuquajtura politikë e ‘një Kine’ është ende shumë e fortë. Dhe, Kina po përpiqet të përdorë një version të parimit të një Kine për të kundërshtuar politikën e ‘një Kine’ siç perceptohet në Perëndim. Mendoj se është ende një konkurrencë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”, theksoi Soong.

Një shembull i përdorimit të pushtetit të fortë në rastin e Tajvanit ishte i qartë kur ushtria kineze njoftoi ushtrime të quajtura “Bubullima në Ngushticë” në fillim të vitit, duke publikuar njëkohësisht posterë ku thuhej se po sulmonte “separatistët e Tajvanit”, si dhe një seri sulmesh personale ndaj presidentit të Tajvanit, Lai Ching-Tea.

Në një animacion të publikuar nga ushtria kineze, Lai përshkruhet si një “parazit” helmues që përpiqet të pushtojë Tajvanin, për t’u hedhur në zjarr në fund. Ky portretizim i presidentit tajvanez është një shembull i një makinerie propaganduese që përdor instrumente të pushtetit të fortë.

Kina nuk është dorëzuar kurrë nga përdorimi i forcës ushtarake për të rimarrë kontrollin e ishullit, të cilin e konsideron pjesë të territorit të vet.

Të dyja palët janë qeverisur nga qeveri të ndara që nga viti 1949, pas përfundimit të luftës civile kineze.

Komunistët morën pushtetin në Pekin dhe themeluan Republikën Popullore të Kinës më 1 tetor 1949, ndërsa nacionalistët e mundur ikën në Tajvan, duke zhvendosur selinë e Republikës së Kinës nga kontinenti në Taipei.

Ndikimi politik, ushtarak dhe ekonomik i Kinës në Afrikë

“Njëra politikë ndaj Kinës është pika kryesore në tregtinë me vendet afrikane, tjetra është sigurisht borxhi, borxhet ndaj Kinës të realizuara përmes investimeve dhe investimeve në infrastrukturë”, thotë Impiombato.

Perceptimi është se paratë nga vendet perëndimore, përkatësisht demokracitë perëndimore të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, shpesh vijnë me më shumë kushte që duhen përmbushur sesa në rastin e parave kineze.

Sepse, siç thotë Impiombato, “SHBA-ja në veçanti do të japë para vetëm nëse vendi demokratizohet, nëse respekton të drejtat e njeriut, ndërsa Kinës nuk i intereson kjo. E vetmja gjë që kërkon është që këto vende të mos e njohin Tajvanin. Dhe, kjo është një tregti shumë e thjeshtë, nëse je kaq larg Tajvanit dhe nuk ke patjetër interes për demokracinë dhe që Tajvani të jetë i lirë”.

Qasja e Kinës ndaj marrëdhënieve dypalëshe me partnerët afrikanë është në kontrast të fortë me atë të vendeve të Amerikës së Veriut dhe Evropës.

Ndërsa këto të fundit tradicionalisht i kushtojnë vëmendje të konsiderueshme integritetit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Kina predikon një politikë të mosndërhyrjes ose mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve partnere, siç thuhet në botimin e Institutit Hoover (Pushteti i Mprehtë i Kinës në Afrikë, Një Manual për Ndërtimin e Politikave Kombëtare).

Përjashtim nga ky rregull është fushata e Pekinit për njohjen ndërkombëtare të politikës së “një Kine”. Si dëshmi e suksesit të kësaj fushate, Esvatini është tani i vetmi vend afrikan që mban marrëdhënie diplomatike me Tajvanin, ose emri zyrtar është Republika e Kinës në Tajvan dhe vetëm Republika e Kinës, siç thuhet në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kinës në Tajvan.

Kontinenti afrikan është gjithashtu një zonë e zgjerimit të ndikimit ushtarak të Kinës dhe e qëllimeve të saj të sigurisë dhe gjeostrategjike, siç demonstrohet nga objekti i parë i ushtrisë kineze, i quajtur zyrtarisht Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës, në Afrikë, i hapur në vitin 2017 në Xhibuti.

Raportet e inteligjencës amerikane sugjerojnë, sipas botimit të Institutit Hoover të vitit 2022, se ushtria kineze po kërkon të krijojë një bazë të ngjashme në bregun perëndimor të Afrikës në Guinenë Ekuatoriale.

Qendra hapësinore kineze në tokën e Amerikës Latine

Shtrirja e Kinës përtej kufijve të saj në zgjerimin e ndikimit të saj global u ndihmua nga kriza financiare globale në vitin 2008, kur Qeveria kineze lëshoi një deklaratë në lidhje me politikën e jashtme ndaj Amerikës Latine dhe Karaibeve.

Lidhur me lidhjet e Kinës dhe depërtimin në Amerikën Latine, Soong thotë se janë dy arsye kryesore – Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara.

“Sa i përket Amerikës Latine, mendoj se është një ndërhyrje e Kinës në oborrin e Shteteve të Bashkuara. Por, është gjithashtu një rajon ku Tajvani ka pak partnerë diplomatikë. Pra, është një territor natyror konkurrues me interes për Kinën”, sipas tij.

Përveç kësaj, ai vëren se Amerika Latine është një komponent i rëndësishëm i Jugut Global, “në mënyrë që në ambiciet globale të Kinës, e cila po pozicionohet si lidere në Jugun Global, ajo duhet të krijojë lidhje me këto vende”.

Sa i përket depërtimit në oborrin e Shteteve të Bashkuara, Kina ka thelluar bashkëpunimin në fushën e eksplorimit të hapësirës me vendet e Amerikës Latine. Kjo filloi me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh mbi zhvillimin e satelitëve me Brazilin në vitin 1984.

Në dekadat e fundit, Kina u ka ofruar rregullisht bashkëpunim të tillë disa vendeve të Amerikës Latine, përfshirë Venezuelën, e cila ka rezervat më të mëdha të naftës në botë. Në prill të vitit 2024, Kina mbajti Forumin e parë të Bashkëpunimit Hapësinor Kinë-Amerikë Latine dhe Karaibe.

Pekini ka kërkuar gjithashtu krijimin e një Komiteti të Përbashkët për Bashkëpunim Hapësinor brenda aleancës BRICS , nga të cilat Brazili është një nga themeluesit, si një partner i rëndësishëm për Kinën. Komiteti, i themeluar në vitin 2022, synon të promovojë shkëmbimin e të dhënave midis satelitëve.

Stacioni i Thellë Hapësinor, objekti më i madh i kërkimit hapësinor në Kinë, ndodhet në shkretëtirën Patagoniane në Argjentinë. Gjithashtu ka stacione satelitore në disa vende të tjera, duke përfshirë Bolivinë, Brazilin, Kilin dhe Venezuelën. Afërsia e objektit me Shtetet e Bashkuara ka rritur frikën se mund të jetë duke spiunuar asetet amerikane.

Stacioni hapësinor kinez shihet pas një gardhi, në Las Lajas, Argjentinë, 22 janar 2019.

Stacioni hapësinor kinez shihet pas një gardhi, në Las Lajas, Argjentinë, 22 janar 2019.

Skandalet e spiunazhit në Australi

Skandali i spiunazhit që shpërtheu në Australi në gusht nuk kishte të bënte drejtpërdrejt me politikën, por me një grup fetar, por sigurisht që ngriti shqetësime se si Kina kontrollon diasporën dhe çfarë do të thotë kjo për vendet pritëse të diasporës kineze.

Konkretisht, organizata ndërkombëtare budiste kontroverse, Guan Yin Chita Dharma Dor, është gjetur në qendër të një skandali spiunazhi, e cila ka disa degë në Australi.

Në këtë rast, një grua e lindur në Kinë është akuzuar për ndërhyrje të pamatur dhe spiunazh ndaj degëve dhe anëtarëve australianë të grupit në emër të agjencive të inteligjencës së Partisë Komuniste Kineze. Policia australiane tha se hetimi është duke vazhduar dhe mund të akuzohen më shumë persona.

Organizata budiste pretendon se ka 10 milionë anëtarë në të gjithë botën, përfshirë pesë milionë në Kinë. Megjithatë, Qeveria kineze, e cila e ka ndaluar organizatën, thotë se ka 50.000 në Kinë. Mediat shtetërore në Kinë e kanë akuzuar grupin si një sekt me “teori të liga”.

“Regjimi kinez është mjaft i pasigurt dhe shumë grupe fetare shihen si një kërcënim për stabilitetin e regjimit. Qofshin ato vendas apo nga jashtë vendit. Kjo është shumë e dukshme në presionin mbi lëvizjen Falun Gong. Por, për shumë vite me radhë, Qeveria kineze ka përdorur organizatat fetare kineze budiste dhe myslimane për të depërtuar në ato grupe dhe për t’u siguruar se ka njohuri për atë që po ndodh.

“A ka ndonjë shenjë kritike ndaj regjimit, apo po veprojnë në ndonjë mënyrë që do ta destabilizonte regjimin? Pra, ata po i monitorojnë të gjitha këto grupe nga shumë afër”, tha Impiombato.

Anëtarët e grupit fetar kinez, Falun Gong, ecin përpara Konsullatës së Republikës Popullore të Kinës në Nju Jork, maj 2019.

Anëtarët e grupit fetar kinez, Falun Gong, ecin përpara Konsullatës së Republikës Popullore të Kinës në Nju Jork, maj 2019.

“Ky rast ishte ndoshta tronditës për shkak të burimeve që iu dhanë këtij personi”, theksoi Impiombato, duke shtuar se “lidhjet në qarqet e larta që [të akuzuarit] kishin në Kinë dhe në Ambasadën kineze flasin gjithashtu për atë se sa i lartë është prioriteti i këtyre operacioneve”.

Ajo vuri në dukje se “ekosistemi i ndikimit të Partisë Komuniste Kineze është shumë i shtresuar dhe i përhapur, veçanërisht në vendet që janë një përparësi strategjike për Pekinin”.

Metodat e pushtetit të fortë janë mashtruese, por thelbi i problemit është se, derisa pushteti i fortë përdoret qartë për aktivitete të paligjshme, shumë aspekte të tjera të luftës politike zhvillohen në zonat gri të kornizave ligjore të sistemeve demokratike që nuk janë rreptësishtë të paligjshme dhe janë të vështira për t’u karakterizuar si spiunazhi tradicional i huaj.

BIRN: Nga Spaçi në Marinzë, punonjësit e nëntokës në protestë për siguri dhe dinjitet

Prej gati një muaji, minatorët e Spaçit kanë dalë nga nëntoka për të protestuar për të drejtat e tyre, që mbulohen prej vitesh nga errësira e galerive. Të rraskapitur në punë me orë të zgjatura për 30 Euro dita, minatorët kërkojnë që të legjitimojnë sindikatën e tyre për kushte më të mira pune dhe siguri.

 

“Të gjithë punëtorët po të shkojnë te spitali janë me mushkëri të bllokuara, me silikozë dhe me probleme nga më të ndryshmet,” thotë Kastriot Prenga, një prej minatorëve të Spaçit.

Rreth 150 kilometra më në jug të vendit, në fushën naftëmbajtëse të Marinzës në Fier, një tjetër betejë po zhvillohet nga naftëtarët e kompanisë “Bankers Petroleum”. Prej dy javësh në grevë urie, naftëtarët kërkojnë gjithashtu paga të denja dhe kushte minimale pune mes helmeve të përditshme që lëshon nafta.

“Jo vetëm unë, por të gjithë ne jemi me fenole në gjak. Këtu po punove katër-pesë vite, të gjithë janë me fenole në gjak,” thotë Sotiraq Dhimo, njëri prej naftëtarëve grevistë. “Kompania na i bën vetë analizat dhe i nxjerr të gjitha në rregull,” tha ai me mosbesim.

Shqipëria është një vend me burime të pasura minerare dhe hidrokarbure, por ka dështuar në dekada që t’i transformojë ato në burim mirëqënieje për qytetarët. Të shfrytëzuara prej vitesh përmes koncesioneve të debatueshme, burimet natyrore duket se janë kthyer në mallkim për punonjësit e industrive nxjerrëse.

Në minierën e Spaçit, ky është ditari mujor i një minatori. Janë 36 ditë pune, sepse shpesh punojnë 16 orë në galeri për të plotësuar një pagë dinjitoze për familjen. Aksidentet në minierë janë gjithashtu të shumta, por protestuesit thonë se shumica prej tyre nuk raportohen.

Dritan Lleshi, kryetar i sindikatës së minatorëve thotë se gjatë viteve të fundit, shumë prej incidenteve janë manipuluar.

“Traditë e kësaj kompanie ka qenë që i kanë kërkuar minatorëve të thonë se jemi dëmtuar jashtë vendit të punës, që të mos shënohet si incident në punë,” thotë Lleshi për BIRN. “Ja, ky kolegu këtu është aksidentu së fundmi, i ka rënë një gur,” shtoi ai, duke treguar me dorë nga minatori  Lekë Gjergji.

“Prej Zotit kam shpëtu lehtë me gurin që më ra në galeri,” thotë Gjergji, ndërsa shton se kompania i ka shënuar ditët e raportit si ditë pune.

Kompania Tete Albania, e cila menaxhon përmes një koncesioni minierën e bakrit në Spaç, i mohon pretendimet, ndërsa bën rezistencë për njohjen e sindikatës së minatorëve. Përmes një përgjigje me shkrim, kompania i tha BIRN se ofron standardet më të larta të protokolleve të sigurisë, kushteve të punës dhe paga mbi nivelin mesatar të tregut.

“Dokumentet që provojnë përfaqësimin duhet të paraqiten si pjesë e kërkesës për nisjen e negociatave. Kjo u bë e qartë dhe u kërkua nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit gjatë takimit tonë ndërmjetësues me përfaqësuesit e Konfederatës dhe dokumente të tilla ende nuk janë paraqitur,” deklaroi Tete Albania.

Minatorët ankohen se kompania po hakmerret me shkarkime të paligjshme nga puna, ndërkohë që këmbëngulin se nuk do të tërhiqen nga të drejtat e tyre.

“Ne mendojmë se është e drejtë e ligjshme për të pasë sindikatë dhe kontratë kolektive, që të jemi të mbrojtur,” tha Lleshi, i zgjedhur si drejtues i Sindikatës.

“Nuk e kemi ndjerë veten të mbrojtur asnjëherë. Konkretisht tani e ndjejmë veten të braktisur nga shteti, sepse mesa duket, na ka shitë megjithë pasurinë minerare,” shtoi ai.

Ndryshe nga minatorët në Spaç, naftëtarët e Marinzës e kanë sindikatën dhe kontratat kolektive të punës, por u detyruan që të futen në grevë urie pasi kompania nuk i respekton sipas tyre marrëveshjet.

Aktualisht, kompania Bankers Petroleum po hetohet nga Prokuroria për një skemë mashtrimi 20 vjeçare, që dyshohet se i ka shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Të informuar për diferencat e mëdha në paga mes drejtuesve të kompanisë, naftëtarët thonë se nuk do të tërhiqen nga greva pa u plotësuar kërkesat e tyre.

“Kompania ka deklaruar se nuk kemi mundësi për rritjen e fondit të pagave për punonjësit. Por në të vërtetë nuk është kështu, sepse ajo që kemi kërkuar për 400 punonjësit shqiptarë është sa paga e një kinezi,” tha Dritan Shahu, kreu i sindikatës së naftëtarëve duke iu referuar drejtuesve të huaj të kompanisë.

“Ka dalë në përgjimet e Prokurorisë se merr 850 mijë euro në vit. Kaq kërkojmë edhe ne për 400 veta,” shtoi ai.

Kompania Bankers Petroleum pretendon se ofron paga të mira, bonuse dhe mbulim shëndetësor për të gjithë punonjësit e saj dhe i konsideron kërkesat e grevistëve si të pabazuara në fakte dhe vërtetësi.

Por punonjësit e naftës e konsiderojnë këtë reagim një fyerje.

“Kjo është absurde, është fyerje,” thotë inxhinieri i naftës, Eduard Mita.

“Unë jam lindur e rritur këtu në Marinzë dhe dua që fëmijët e mi të rriten në vendin tim…. Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund me çfarëdolloj kushti,” shtoi ai.

Në betejën e tyre për siguri dhe dinjitet, punonjësit e industrisë nxjerrëse kërkojnë ndërhyrjet e institucioneve shtetërore për zgjidhur mosmarrëveshjet – të zhgënjyer se kërkesat e tyre kanë rënë deri më tani në vesh të shurdhër.

“Ne e themi me zë e figurë që kemi këto probleme dhe nuk ka reagim. Kur do të kujtohen, kur të mos mbetet asnjë këmbë njeriu këtu,’ pyet Shahu.

Për kryetarin e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, punonjësit e industrisë nxjerrëse vuajnë pasojat e kontratave korruptive dhe mungesës së sindikatave që luftojnë për sigurinë, shëndetin dhe të drejtat e tyre në punë.

“Çfarë e bën të veçantë rastin e naftëtarëve dhe minatorëve është fakti se këtu bëhet fjalë për investime të cilat kanë zaptuar pasurinë publike. Pra, nafta dhe mineralet janë pronë e popullit shqiptar dhe punëtorët janë të fundit që përfitojnë nga kjo pasuri,” tha Qori, duke shtuar se të vetmit përfitues janë koncesionarët dhe zyrtarët politikë që ua kanë dhënë këto koncesione ndër vite./BIRN

Balotazhi që mund të riformësojë hartën politike të Kosovës

Bekim Bislimi

Të dielën, qytetarët e Kosovës në 18 komuna do të rikthehen në qendrat e votimit për të përcaktuar se kush do t’i udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, më 12 tetor, njëzet komuna siguruan kryetarë të rinj, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin në balotazhin e 9 nëntorit.

Në këtë rund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.

Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

Prishtina dhe Prizreni – garat më të forta

Kryeqyteti mbetet arena kryesore e përplasjes politike.

Për më shumë se një dekadë, Prishtina ishte simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Këtë herë, balotazhi zhvillohet mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (LVV), me një diferencë minimale në rundin e parë – vetëm 0.5 për qind.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me kandidatët – shkon përtej kandidatëve dhe lidhet me luftën e partive për pushtetin e tyre në kryeqytet, ndërtimin e bazës zgjedhore dhe krijimin e një bastioni politik në këtë komunë”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG).

Prishtina, si komuna më e madhe e vendit, ka rëndësi ekonomike dhe politike, duke e kthyer fitoren aty në avantazh strategjik për çdo parti.

Kjo, sipas Eminit, bën që fitorja në kryeqytet të përkthehet “në pushtet dhe ndikim në nivel nacional”.

Pas Prishtinës, gara më e vëmendshme zhvillohet në Prizren, ku përballen Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Artan Abrashi nga LVV-ja.

 

Mitrovica e Jugut – sfidë për bastionin tradicional

Një garë tjetër e rëndësishme, sipas Eminit, do të zhvillohet në Mitrovicën e Jugut, mes Faton Pecit të LVV-së dhe Arian Tahirit të PDK-së.

Emini e konsideron këtë betejë si veçanërisht të rëndësishme për Vetëvendosjen dhe për udhëheqësin e saj, Albin Kurti.

“… sepse Kurti e ka zhvilluar garën nacionale me ndryshimin e situatës në Mitrovicën e Veriut, si narrativ. Angazhimi i kandidatit më të fortë të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo (Faton Peci) tregon rëndësinë që kjo garë ka për partinë. Kjo sfidon direkt bastionin e PDK-së – gjë që është shumë domethënëse”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Roli i profilit të kandidatëve

Në zgjedhjet lokale, roli i individit shpesh rezulton vendimtar.

Sipas Eminit, rasti i Ramiz Lladrovcit në Drenas e ilustron qartë këtë.

PDK-ja, pjesë e së cilës ishte Lladrovci, vendosi për kandidat në garë Petrit Hajdarin.

Lladrovci, i cili deri atëherë ishte kryetar, i hyri garës me një nismë qytetare dhe e fitoi atë që në rundin e parë.

“Kjo tregon qartë se kandidatët kanë rëndësi të madhe”, thotë Emini.

Një shembull tjetër, sipas saj, është edhe Përparim Rama në Prishtinë.

“Rasti i Përparim Ramës tregon ndikimin e një fytyre të re që vjen në një parti si LDK-ja nga jashtë Kosovës. Përkundër të gjitha pritshmërive, kandidati fitoi, dhe profili i tij kishte rëndësi jo vetëm për shkak të vetë figurës, por edhe për mbështetjen e partisë. Pra, kombinim i faktorëve”, shpjegon Emini.

Hartë e re politike në horizont?

Rezultatet e balotazhit pritet të ndikojnë ndjeshëm në hartën politike të Kosovës.

Në shumë komuna, diferencat janë minimale, dhe çdo koalicion lokal mund të përmbysë rezultatin.

Në Prishtinë, për shembull, vendimi i kandidatit të PDK-së, Uran Ismaili, për qëndrimin neutral apo përkrahjen eventuale të njërës palë, mund të përcaktojë fituesin.

“Koalicioni eventual mund ta ndryshojë situatën në terren”, thotë Emini.

Ajo shton se Vetëvendosja po përpiqet ta zgjerojë ndikimin lokal, veçanërisht në zonat ku më parë nuk kishte bazë të fortë.

LVV-ja garon në balotazh në 12 komuna – në dy prej tyre si e para, në dhjetë si e dyta.

Në zgjedhjet e vitit 2021, kjo parti kishte fituar vetëm në katër komuna.

“Shembull është targetimi dhe investimi në Mitrovicën e Jugut, duke tentuar për të zvogëluar PDK-në në një nga bastionet e saj. Nëse (LVV-ja) ka një fitore eventuale edhe në Vushtrri, atëherë e sfidon edhe më shumë (PDK-në)”, thekson Emini.

PDK-ja dhe LDK-ja, në anën tjetër, janë përqendruar në mbajtjen e komunave që i konsiderojnë bastione tradicionale.

“Këto parti janë duke luajtur në mbrojtje, duke u përpjekur t’i mbajnë bastionet e tyre. Ndërsa Vetëvendosje po përdor një lojë më strategjike dhe të fuqishme, me përfshirje aktive edhe të kryeministrit në detyrë (Albin Kurti)”, thotë Emini.

Zgjedhjet lokale si pasqyrë e skenës qendrore

Historikisht, votuesit në Kosovë kanë bërë dallime midis zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore.

Megjithatë, Emini vëren se lidhjet midis sjelljes lokale dhe strategjive nacionale po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Vetëvendosje, sipas saj, po punon me qëllim për të zgjeruar kontrollin komunal, ndërsa partitë e tjera po përpiqen t’i ruajnë territoret e tyre politike.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet PDK-së dhe LDK-së e ilustron mirë këtë dinamikë. Ai pasqyron një model tashmë të njohur në politikën kosovare, ku Vetëvendosje dhe disa parti më të vogla përballen në thelb me një front të bashkuar të elitës së vjetër politike kundër tyre – me disa përjashtime të vogla në nivel lokal”, thotë Emini.

Edhe pse mbetet e paqartë nëse këto marrëveshje lokale do të çojnë në koalicione të reja në nivel qendror, Emini nuk e përjashton mundësinë.

“Prirja e PDK-së dhe LDK-së për të bashkëpunuar në ruajtjen e pozitave të tyre, mund të sinjalizojë edhe mundësi të bashkëpunimeve të ngjashme në skenën qendrore”, thotë analistja.

Polarizimi politik dhe pritjet për të ardhmen

Zgjedhjet e këtij viti, si ato parlamentare apo lokale, kanë dëshmuar polarizimin e skenës politike në Kosovë.

Vetëvendosja ka ruajtur narrativin “ne kundër të gjithëve”, ndërsa partitë tradicionale po përpiqen t’i mbrojnë pozitat ekzistuese, thotë Emini.

Sipas saj, rezultati i balotazhit do të jetë një tregues i rëndësishëm për të gjitha partitë, për të kuptuar ku qëndrojnë në raport me elektoratin dhe si duhet t’i përshtatin strategjitë për zgjedhjet nacionale – nëse mbahen sërish.

Në këtë kohë, LVV-ja po përpiqet ta formojë Qeverinë e re me Glauk Konjufcën si mandatar për kryeministër, ndërsa partitë e tjera kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Ndaj, edhe balotazhi merr dimension të dyfishtë: lokal në dukje, por thellësisht politik në ndikim.

Rrëfimi tronditës – Mafia shqiptare vendosi 1 mln euro për kokën e tij/ Prokurori belg: Në Shqipëri po ndodh pastrim kolosal parash

Media e njohur investigative franceze Blast publikoi sot një investigim tronditës që tregon se si narko-shteti i Edi Ramës po rrezikon Europën.

Shkrimi përmban shumë elementë shokues, që tregojnë se sa larg ka depërtuar krimi i organizuar dhe mafia në qeverisjen e Edi Ramës.

Por ndër të tjera, media e njohur ka arritur të intervistojë një prokuror të njohur belg, për kokën e të cilit, mafia shqiptare kishte vënë një çmim prej 1 milion euro.

Ai thotë se krimi shqiptar po pastron shuma kolosale në Shqipëri.

Më poshtë pjesë nga shkrimi:

Hetimi i SKY ECC, i emëruar sipas këtij rrjeti telekomunikacioni të koduar shumë të përdorur nga kriminelët, zbuloi ngjitjen e shpejtë të krimit të organizuar shqiptar në Belgjikë. Të irrituar nga një seri gjyqesh masive që çuan në mbi 1.000 dënime, disa anëtarë të mafias shqiptare nuk ngurruan të vendosin shpërblim për kokën e prokurorit të mbretit, Julien Moinil, përgjegjës për një pjesë të hetimeve. Për një shumë të majme: më shumë se një milion euro.

I pyetur nga Blast, prokurori Julien Moinil siguron se “nuk e bëj këtë profesion për të marrë lule nga kriminelët”. Por ai konfirmon: hetimet SKY ECC nxorën në pah si “fuqinë financiare” të mafies shqiptare, ashtu edhe “pastrimin kolosal të parave që po ndodh aktualisht në Shqipëri”.

Ky konstatim shqetëson edhe Nicolo Gratteri-n. Gjatë një vizite të fundit në Roterdam (Holandë) për të shkëmbyer eksperienca me kolegë, prokurori italian i specializuar në luftën kundër mafies – veçanërisht ‘Ndrangheta – ndau vëzhgimet e tij: “Sot këto grupe kontrollojnë portet e Antverpës dhe Roterdamit, ata mund të sjellin lehtësisht disa qindra kilogramë në një udhëtim”.

…Prokurori Moinil ka gjithashtu kujtime për të ndarë. Ai gjithashtu ka pasur pjesën e tij të surprizave të këqija. “Kam qenë disa herë në terren, bashkëpunimi ishte gjithmonë shumë i mirë, me rezultate të mira. Por në disa çështje të rëndësishme, korrupsioni është i pranishëm”, thekson magistrati. “Në çështjen TOYOTA, zbuluam se hetuesja e prokurorisë kishte… një telefon SKY ECC. Ajo fyeu delegacionin belg dhe qartazi ishte e korruptuar. Kjo gjë të vret nga tmerri”.

Edhe këtu, poroziteti i drejtësisë dhe roli i medias lokale krijojnë një atmosferë të veçantë. “Më vjen keq që kërkesat hetimore përfundojnë në media”, vazhdon Moinil. “Kjo nuk do të thotë se nuk ka njerëz të mirë, të angazhuar për drejtësinë, por ata shpejt bien nën presionin e një sistemi të shkatërruar nga korrupsioni”.

…Grupet kriminale kanë përfituar maksimalisht nga sistemi i krijuar nga Edi Rama për të tërhequr kapital në Shqipëri. Një shifër flet vetë: nga mbi tre miliardë euro të investuara në rindërtimin e qendrës së Tiranës, vetëm një e treta vjen nga institucionet financiare, sipas gazetares Ole Xama. Në hetimin e kësaj kolegeje shqiptare, zbulohet se mbi 50.000 apartamente janë të pabanuara vetëm në Tiranë. Pas këtyre zbulimeve, gazetarja u përball me ngacmime online dhe kërcënime ndaj familjes së saj.

Ndërtesat po shtrihen kudo në një qytet me pak më pak se gjysmë milioni banorë, ku emrat e mëdhenj të arkitekturës nxitojnë si drejt një Eldorado-je. Sipas të dhënave të publikuara nga drejtësia shqiptare, sektori i ndërtimit përbën rreth 17% të PBB-së shqiptare dhe mbetet një nga mjetet kryesore për pastrimin e parave./sn

Deputetja e PS: Disa shtete të BE kanë miratuar ndryshimet ligjore vetëm me “dy sekse biologjike”, por nuk janë shembujt për t’u ndjekur

 

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka bërë një postim në rrjetin e saj social Facebook, përmes të cilit sqaron ndryshimet ligjore të projektligjit për Barazinë Gjinore, i cili u miratua mbrëmë (6 nëntor) me 77 votat e socialistëve.

Reagimi i Luarasit vjen pas debatit opozitë-mazhoranacë për barazinë gjinore. Partia Demokratike kundërshton projektligjin për Barazinë Gjinore, duke argumentuar se ndryshimet në projektligj shkelin vlerat themelore të familjes.

Sakaq socialistja thekson në shkrimin e saj se vendet e BE-së që kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”, nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së.

Sipas Luarasit ndryshimet ligjore vetëm me “dy sekse biologjike “janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian.”

“Jane permendur disa here nga kolege te opozites ne komisione shembuj nga disa vende europiane. Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”. Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian”, shprehet Luarasi.

Deputetja socialiste shton se koncepti i barazisë gjinore nuk mund të kufizohet në kategori biologjike, por duhet të garantojë trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim për të gjithë qytetarët, pavarësisht identitetit gjinor apo orientimit seksual.

Postimi i plotë

Ligji për Barazinë Gjinore i miratuar dje nga Parlamenti Shqiptar, synon të transformojë në realitet parimin kushtetues të barazisë mes grave dhe burrave në çdo fushë të jetës.
Për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe mungesës së lirisë së debatit dje në Parlament, është e rëndësishme të adresojmë panikun dhe debatet që ky ligj ka shkaktuar, të cilat i i kemi dëgjuar në komisone dhe i dëgjuam edhe dje në seancën plenare dhe ishte e qartë se shumë kolegë kishin më shumë kohë për rrjetet sociale sesa për leximin e projektligjit.
Janë shprehur shqetësime për terminologjinë e përdorur, duke pretenduar se ligji “kërcënon familjen tradicionale dhe shton numrin e gjinive”. Në realitet, ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua. Nëse dikush do të donte të prezantonte gjini të reja në shoqërinë shqiptare do të duheshin reforma të thella ligjore, duke nisur nga ndërhyrjet në Ligjin “Për Gjendjen Civile” apo duke miratuar një kuadër specifik ligjor për njohjen e identiteteve të reja gjinore.

Eshtë pretenduar se ligji “kërcënon familjen tradicionale dhe shton numrin e gjinive”. Le të jemi të qartë: narrativa që “po legalizohen 70 gjini në Shqipëri” është një gënjeshtër e qëllimshme, e përsëritur aq shumë sa disa filluan ta besonin. Në realitet, ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrësesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua.

Koncepti i “përkatësisë së shumëfishtë” që referohet në ligj nënkupton diskriminimin e shtuar që mund të përjetohet për shkak të moshës, origjinës etnike, vendbanimit rural, aftësive të kufizuara apo statusit socio-ekonomik. Ky koncept, nuk lidhet me konceptin “perkatesi e shumëfishtë gjinore” siç është pretenduar gabimisht. Mjafton një kërkim në tekstin e projektligjit dhe do kuptohet se togfjalëshi “Përkatësia e shumëfishtë gjinore” nuk ekziston. “Përkatësia e shumëfishtë” është koncept ligjor që do të thotë se një person mund të përjetojë diskriminim bazuar në më shumë se një shkak. Për shembull, si grua dhe rome dhe si grua me aftësi të kufizuara, si baba i vetëm dhe emigrant, ose si vajzë e re nga zonat rurale.

Në realitetin shqiptar, këto ndërthurje janë të zakonshme dhe të dukshme dhe këto realitete nuk mund të injorohen nga ligji kryesor kombëtar që pretendon të adresojë efektivisht barazinë gjinore. Pa njohjen e konceptit të përkatësisë së shumëfishtë, këto raste komplekse bëhen juridikisht të padukshme.

Kemi degjuar gjatë kësaj periudhe se projektligji detyron përdorimin e “gjuhës gjithëpërfshirëse gjinore”, duke zëvendësuar termat “nënë” dhe “baba” me shprehje neutrale si “prind 1” dhe “prind 2”. As unë dhe as kolegët e mi të Partisë Socialiste nuk do votonin kurre per nje ligj qe nuk do na jepte mundesine qe femijet mos na therrasin nënë dhe baba dhe termat prindi 1 dhe prindi 2 në ligj janë vetëm një gënjeshtër e shpikur nga ata që nuk e kanë lexuar projektligjin, por besojnë çdo gjë që lexojnë në rrjetet sociale.
Koncepti “Gjini” i marrë nga Konventa e Stambollit, e nenshkruar dhe ratifikuar nga ky Parlament kur opozita e sotme ishte ne pushtet, nuk flet per shume gjini. Me lejoni ta citoj sic eshte ne projektligj meqe shumica e narratives eshte ngritur nga njerez qe s’e kane lexuar fare projektligjin, por vetem besojne narrativen e rrjeteve sociale se duan te na shkaterrojne familjen.

Gjini nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat;
Në projektligj nuk përdoret termi “gjuhë gjithëpërfshirëse gjinore”, por flitet për gjuhë me ndjeshmëri gjinore, e cila nuk përfaqëson asgjë më tepër sesa korrektësi gramatikore në terma, qe koleget e mia në vendimarrje mos te nenshkruajne me termin Minister, por te nenshkruajne me termin Ministre. Mos te perdorim termin drejtor, por drejtore kur drejtuesja e institucionit eshte nje grua, e keshtu me rradhe.
Jane permendur disa here nga kolege te opozites ne komisione shembuj nga disa vende europiane. Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”. Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian.

Ashtu sic eshte e vertete se Komisioni Evropian ka hapur procedura shkeljeje ndaj disa prej këtyre shteteve dhe ka paralajmëruar sanksione financiare sipas nenit 260 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.

Nëse shtetet refuzojnë të korrigjojnë shkeljet, ato rrezikojnë gjoba ditore, pezullim të fondeve të BE-së, apo përjashtim nga programet e bashkëpunimit.
Pra, nuk kemi të bëjmë me “shembuj të mirë” que duhen ndjekur, por me shkelje që po diskutohen në gjykatat evropiane si cenim i parimeve themelore të së drejtës evropiane.
Realiteti që Injorohet Ndërkohë që disa shpikën probleme imagjinare, le të flasim për problemet reale që ky ligj adresson: Çdo ditë në Shqipëri 7 gra raportojnë dhunë në familje. Vetëm në 6 muajt e parë të 2025-ës, janë regjistruar 1,260 denoncime—një alarm social që duket se disa kolegë preferojnë ta injorojnë në emër të “familjes tradicionale”.

Gratë në Shqipëri paguhen 4.5% deri në 17.4% më pak se burrat për të njëjtën punë. Për çdo 100 lekë që fiton një burrë, një grua fiton vetëm 82.6 lekë sipas disa studimeve.
31% e grave dhe vajzave nuk kërkojnë punë sepse janë të dedikuara detyrave shtëpiake, krahasuar me vetëm 2% të burrave. Kjo është “familja tradicionale” që disa duan ta mbrojnë—ku gruaja mbetet në shtëpi, e pa paguar dhe e pa mundësi.

Në përfundim, ky projektligj nuk është një eksperiment social, por përmbushje e detyrimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare. Ai nuk kërcënon familjen, por e përforcon atë duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët e saj. Nuk krijon privilegje, por korrigjon padrejtësi historike. Nuk imponon ideologji të huaja, por zbaton vlera universale të të drejtave të njeriut që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar.
Nuk ecën përpara shoqëria shqiptare kur në emër të familjes, do që ta kthesh gruan në rolin e saj tradicional që të mos shkoj në punë, por të kujdeset për familjen. Shoqëria ecën përpara kur burrë e grua janë partnerë, e paguhen njësoj për të njëjtën punë, e trajtohen me dinjitet pa u ndarë në qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë.

Dhe të gjithë ata që vazhdojnë të shpërndajnë dezinformim dhe të nxisin urrejtje, le ta dinë: historia nuk do t’i mbajë mend si mbrojtës të familjes, por si pengues të progresit. Ndërkohë që ne do të vazhdojmë përpara, duke ndërtuar një Shqipëri ku çdo qytetar—burrë apo grua—ka të njëjtat mundësi, të njëjtat të drejta, dhe të njëjtin respekt.
Kjo është Shqipëria që ne po ndërtojmë. Dhe kjo është Shqipëria që do të hyjë në Bashkimin Evropian—jo me diskriminim dhe pabarazi, por me drejtësi dhe dinjitet për të gjithë. /Panorama


Send this to a friend