LERENI NJERIUN TË QAJË!
Kur njeriun e prek dhimbja në palcë
E zjarri djeg damarëve të zemrës
Shqetësimet lëvrojnë gjymtyrëve të trupit
Vetëm mjegull shikon, dridhje ndien
E prushi brenda ndizet e fiket si vetëtimë
Pastaj shikon zharavën e shkriftë
Si lëmashk loti, si rrëshirë…
Lëreni të çajë me lotin që shpërthen zemrës
Të zbrazet ajo kupë dhimbje si helmi
Një botë tjetër ka secili njeri
Shkarkesa ndihmon dhimbjen, shpirtin
E pastron zemrën përmes lëngut të syve
Andaj, lëreni njeriun të qajë
Dhimbja për njeriun të jep nder
Të bënë krenar….
Gjakovë,07.12.2024
KUR TË VDES…
Kur të vdes
Do jetë ditë me diell,
Me lule maji e aromë
Nga pak erë do fryjë
Do pikla shiu rrokullisen shpateve
Ejani në lamtumiren e fundit
Shikojeni atë ngjyrë të zverdhur pa frikë
Ndryshon ylberi jetës, venitje pëson
Kujdes, mos qani me lot
Mos i tremni zogjtë përreth
Cicërimën e ëmbël ta ndjej
Nëse zemra vetvetiu ju dridhet
Dënesni në heshtje, përtypni dhimbjen
Ç’malluni me kujtimet ashtu siç dini…
Me kryeneçësinë time të paepur
Së fundmi pajtohuni
Mos ejani të pispillosur,
Me kollare, të parfumosur..
Hidhërohet lapsi mes gishtërinjve
Nxihet fleta e bardhë…
Kur të vdes,
Në varrim të vijnë skamnorë
Me rroba të vjetra e faqebardhë
Me arna të shqepur, këmbëzbathur
Ata dinë të lexojnë letrën e jetës
Ata qajnë, vajtojnë siç u dikton zemra
I dua e më duan…
M’i njohin dhimbjet e fshehura në shpirt
Ua kam puthur gjithmonë këmbë e duar
Sakramenton askush sikur ata nuk ma lexon
Më larg ushton dhimbja
Se trillimet e kota….
Gjakovë,07.12.2024
RRUGA IME….
Mbaj mend saktë rrugën e gjatë
E dij se ecja ngadalë e herë edhe me vrap
Ndalesha akullimit rrugor
E rrëshqisja padashje
Më shtynin edhe nga pas….
Tatëpjetave mbushesha fryme, të pëlcas
Humnerave u ikja e në to rashë
Për flokë si rrënjë lisi më tërhoqën
Volli frymëmarrja ime gjatë
Kryqëzoreve të rrugëve lëndova këmbët
Gishtërinjtë e këmbëve i thërrmova gjembave
Gjurmët e lëndimeve buzëqeshin me kohën
O Zot, kah shkoj kjo qenie?!…
Herët provova edhe valët e detit
Pa më mësuar askush të notoja
Më hidhen anash valët
Fati e deshi të shpëtoja
Miqtë imituan varrimin tim në rërë
Vendosen gur te koka e te këmbët
Kinse po qajnë, sa shumë buzëqeshnin
Ndien dhimbje për emrin tim të vogël,
Pa testament…
Rrugëtimi im i gjatë
Emër i fshehur n’guaska
Dhimbje e pashkruar kurrë
Dje e as sot…..
Dhjetor,2024