Idriz Rrecaj (i zhdukur nga lufta e fundit) në mes, me vajzat e tij, Florën dhe Valbonën, anash. Fotografi e realizuar rreth vitit 1997.
Veprimtar politik nga Skenderaj, Idriz Rrecaj, është ndër tre personat e identifikuar pas analizave të ADN-së disa javë pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, njoftoi familja e tij të dielën.
Idriz Rrecaj, i dekoruar më 2019 si “Hero i Kosovës”, ishte veprimtar politik, i cili së bashku me 22 persona të tjerë shqiptarë, të njohur si “grupi i intelektualëve”, u zhduk në kohën kur lufta e forcave serbe në Kosovë ishte intensifikuar.
“Pas 27 vjetësh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj”, shkroi në Facebook i biri i tij, Shpëtim Rreci.
“Pyetjes ‘Ku është Idriz Rrecaj?’ i erdhi fundi. Më në fund kemi përgjigjen që e kemi pritur për kaq gjatë. Gjaku nuk humb kurrë”, shtoi ai.
Njoftimi i Rrecit vjen një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se ishin identifikuar tri viktimat e para të varrezave masive të zbuluara në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut gati dy muaj më parë.
Sipas Kurtit, raportet e ADN-së kishin konfirmuar se tri viktimat i përkasin grupit të njohur si “grupi i intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
Kryeministri nuk kishte treguar me emër dhe mbiemër se kush ishin viktimat.
Radio Evropa e Lirë e kishte vizituar familjen e Idriz Rrecajt në Skenderaj në gusht, pasi autoritetet thanë se mbetjet mortore të zbuluara në këto varreza masive mund t’i përkisnin grupit ku bënte pjesë edhe ai.
Flora Rrecaj, bija e tij, i tha Radios Evropa e Lirë më 30 gusht se ajo dhe familjarët e tjerë e kishin kërkuar për plot 27 vjet atë nëpër lista të burgjeve në Serbi, dëshmi, informata të pakonfirmuara dhe vende ku herë pas here zbuloheshin mbetje mortore.
Në pritje të rezultateve të ADN-së për të kuptuar nëse mbetjet mortore ishin të babait të saj, ajo kishte thënë se po përjetonte ndjenja “të përziera”.
“Janë ndjenjat e dhimbjes, ndjenjat e shpresës, por janë edhe ndjenjat e frikës. Pas kaq shumë vitesh, tash e ke një frikë prej përgjigjes. Por, megjithatë, është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme të dihet e vërteta”, kishte thënë ajo.
Ndërkohë, ende nuk dihet se kush janë dy viktimat e tjera të identifikuara.
Njoftimi i Kurtit të shtunën për identifikimin e tri viktimave vjen gati dy muaj pasi u zbuluan tri varre masive në Zubin Potok, ku u gjetën mbetje mortore të së paku 23 njerëzve.
Në fund të muajit të kaluar, autoritetet kosovare i dërguan në Hagë të Holandës mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Kurti tha se Kosova pret t’i pranojë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së “në ditët dhe javët në vijim”.
Varrezat në Zubin Potok u zbuluan rreth dy muaj më parë pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte, sipas autoriteteve kosovare.
Prokuroria Speciale e Kosovës po i heton për këtë rast katër persona, J.R., M.J., R.K dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Që të katër ndodhen në paraburgim.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.







Komentet