Kuvendi nëse beson se klani Thaçi nuk ka dorë në vrasjet politike, pse nuk e miraton një Deklaratë që garanton dënimin e atyre që vranë rugovistët!
Kuvendi zotohet po ashtu se do të jetë i kompromis në mbrojtjen e të drejtave të viktimave serbe dhe për viktimat shqiptare të vrasjeve politike, të cilat as i përmend tekstualisht.
Kuvendi i Republikës edhe njëherë u përdor për interesa të një grupi, që për dekada ka manipuluar me shumë të vërteta, dhe duke përdorur gjithnjë propagandën e shkollës enveriste.
Vetë Hashim Thaçi ka deklaruar në Hagë, se ‘nuk kishte Shtab të Përgjithshëm funksional deri në dhjetor 1998, dhe në vitin 1999 ishte formalisht në letër’. Ka jo pak të vërteta ky mesazh, por ashtu edhe si ishte gjysmë fantom Shtabi, sipas Thaçit në vitin 1998, ai me disa shokë përndiqnin rugovistët dhe nuk hezitonin t’i kërcënonin dhe të përpilonin lista likuidimi në krye me Rugovën dhe udhëheqësit kryesor të Republikës, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e miqtë më të ngushtë të tij.
Edhe deklarata e sotme e Kuvendit, mundohet ta pajtojë këtë kontradiktë të së vërtetës, duke u thirrur në meritat e luftës paqësore, që të ndihmohet procesi në vijim ndaj Thaçit dhe të tjerëve ose t’u hiqen të gjitha akuzat!
Por, ata pjesërisht janë dënuar edhe për vrasjet politike, sipas kumtimit të vendimit të Gjykatës speciale, dhe mbetet të shihet në vendimin e plotë, nëse mund të identifikohen apo do të mbeten sekret edhe emrat e viktimave të kundërshtarëve politik, përveç të rastit të Behajdin Allaqit.
Por, ky Kuvend, nëse vërtetë beson se katërshja e të dënuarve në krye me Thaçin janë vërtetë të pafajshëm, duhet që para së gjithash, të miratonte edhe një deklaratë zotimi për zbardhjen dhe ndëshkimin e të gjitha vrasjeve politike, nga 1998 deri më 2005, apo nëse ka pasur edhe më vonë, apo më parë përfshirë vrasjen e zëdhënësit të UÇK-së, gazetarit Ali Ukaj (1997)!
Në pikën e 7 të Deklaratës së Kuvendit thuhet pos tjerash: “… drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre… Kuvendi do t’i mbrojë … pa kompromis”.
Pra, Zotimi i Kuvendit për t’i mbrojtur të gjitha viktimat njësoj, për të cilat gjykohet katërshja në Hagë, është edhe hipokrizi e dyfishtë, dhe hedhje hi syve ndaj atyre që po shpresojnë se Kuvendi do të jetë i pakompromis për rrënimin e Gjykatës speciale dhe me këtë lirimin e pakusht të të gjithë të dënuarve.
Dhe edhe më e padrejtë është, që ky zotim, të bëhet njëlloj si për serbët e vrarë dhe spiunët, të cilët sipas të gjitha gjasave janë viktima të hakmarrjes së shqiptarëve për krimet gjenocidale të kryera nga serbët, dhe i gjithë aparati shtetëror jugosllav i dominuar nga Serbia e Millosheviçit,
Në vijim Deklarata, që mund të motivojë më tej grupet e interesit për të ndërmarrë veprime në dëm të interesave të shtetit, e në favor të atyre grupeve:
DEKLARATË PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare, e mbajtur më 28. 9. 2026;
Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;
Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;
Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit;
Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje.
I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;
Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.
Miraton këtë deklaratë:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
2. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
3. KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
4. Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua nëpërmjet strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
5. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
6. KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare, apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe për mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
7. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.