Pablo Eskobar do të kishte qarë me gulçe, sa i mallëngjyer, aq i ngazëllyer, duke parë atë që ne e pamë jo pa ankth në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku votohej për aferën e kompanisë CEZ.
Shumica parlamentare u tkurr në 54 vota, duke qenë shumë larg notës kaluese prej 71 votash. Në një republikë sadopak serioze kryeministri do t’ia kishte dërguar Kryetarit të Shtetit kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit dhe kalimin e vendit në zgjedhje të reja të parakohshme.
Pala që e solli në Kuvend ligjin për hetimin ndërkombëtar të CEZ, e improvizuar nga partia opozitare PD dhe nga partia qeveritare LSI, me kënaqësinë më dehëse dhe dalldisëse, e humbi mundësinë për ta çuar në humbje PS-në, e cila ishte e zhveshur edhe nga një pjesë e saj dhe nga aleatët jolësëistë, të cilët abstenuan ose votuan kundër.
Jam absolutisht i bindur se asnjë lobim i drejtpërdrejtë nuk është bërë nga CEZ-i, asnjë grup iniciator nuk ka ekzistuar jashtë apo brenda Kuvendit për ta rregulluar në mënyrë aq magjike votimin që ne, së bashku, e pamë në transmetim live. Nuk kishte nevojë as t’i fërkonim sytë, as ta bënim veten ëndërr, as të habiteshim, as të befasoheshim.
Vetëm një dorë e padukshme i rregulloi të gjitha shifrat – si atë të pranisë numerike në sallë, si atë të pjesëmarrjes në votime, si atë të votimit për, si atë të votimit kundër, si atë të largimit ng seanca. Ajo dorë e padukshme ishte ndërgjegja e inkriminuar e secilit, ishte hipoteka e rëndë e secilit. Nga 140 deputetë që e përbëjnë Kuvendin, gjatë diskutimeve ishin të pranishëm 123 deputetë, gjatë votimeve ishin të pranishëm 116 deputetë, 54 votuan kundër ligjit, 50 votuan për ligjin, 12 abstenuan.
Në mesin e atyre që votuan, ashtu si të atyre që nuk votuan, të atyre që votuan për dhe atyre që votuan kundër apo atyre që abstenuan kishte emra të shquar, por kishte një mori emrash të pashquar, nga ata që e kanë mbushur me bollëk atë sallë këto 25 vite, i kanë mbushur me bollëk zyrat e shtetit në Shqipëri këto 25 vite, por kanë mbetur anonimë dhe do të jenë përjetësisht anonimë. Do të jenë tejet të lumtur me milionat e tyre të krimit në anonimitetin e tyre përjetësisht të siguruar në një vend ku mbret është krimi dhe mbretëreshë ëshë mafia, ku Zotëri i Parë është Krimi dhe Zonjë e Parë është Mafia.
CEZ, megjithatë, mbetet mrekullia më e madhe në historinë e këtyre 25 viteve, sepse i ka bashkuar në të njëjtën vathë të krimit tri parti që e qeverisin vendin pandërprerë këto 10 vitet e fundit, dy ish kryeministra dhe një kryeministër, plot ministra të tyre, deputetë të panumërt, zyrtarë të pafundëm, të gjithë të përlyer së bashku, të gjithë të pështyrë dhe të baltosur nga gjuhët e njëri tjetrit, të gjithë të lëpirë, të larë dhe të lyer sërish nga gjuhët e njëri tjetrit.
Çështja CEZ, skandali CEZ zbërthen gjithë mekanizmin e korrupsionit dhe të mafies të këtyre 25 viteve, me pjesëmarrje dhe bashkëpjesëmarrje, edhe heshtas, edhe zëshëm të të gjitha palëve. Shpalosja e tij do të ndriçonte gjithë mekanizmin e zhvatjes që iu është bërë shqiptarëve nga të votuarit e tyre në bashkëpunim me partnerët e jashtëm. Prandaj kjo çështje, ky skandal është tashmë Veza e Kolombit që nuk del dot ta hapë as burrë as grua, në Shqipëri as përtej saj.
Pablo Eskobarit do t’i ishte çoroditur vetja po të kishte parë, siç e pamë ne, seancën e CEZ-it në Kuvendin e Shqipërisë, do t’i dukej vetja një zero para atyre që ngritën kartonat trengjyrësh të votimit në sallën e këtij kuvendi.
Mungonte vetëm diçka në sfond, që s’ka pse të mungojë në seancat e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë, kolona zanore e serialit të Eskobarit, të cilin e ka transmetuar dhe ritransmetuar disa herë Top Channel.
Komentet