Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula priti në një takim të enjten kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, Kurti vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit dhe koordinimit institucional.
Kurti tha se vendi nuk ka më kohë për të humbur pas bllokadës politike, ndërsa shtoi se kanë shumë sfida shtetërore përpara.
“Takimi i parë me presidenten dhe mikpritje e zotim për punë të mëdha e të përditshme për interesin e gjithë qytetarëve, pa dallim. E falënderova shumë, e cila na nderoi me pranimin e saj të kandidaturës. Tash na presin shumë punë. Kosova, më në fund, pas më shumë se një viti ka institucione funksionale dhe tash nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, deklaroi Kurti.
Presidenca, nga ana tjetër, tha në një njoftim zyrtar se Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve.
“Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit. Kryeministri Kurti e falënderoi presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, theksoi Presidenca.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues. Votimi u zhvillua pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe PKD-së.