VOAL

VOAL

Kurti pret në zyrë ambasadorët e vendeve të Quint-it

April 25, 2022
blank

Komentet

blank

Kurti: Nuk mund të bëj kompromis me republikën demokratike

Radio Evropa e Lirë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të dielën transmetuesit britanik BBC, se, nuk mund të bëjë kompromis me republikën demokratike, dhe se ndërtesat komunale në tri komunat në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë asete të Republikës së Kosovës.

Duke i komentuar tensionet e fundit në veri, Kurti ka thënë se Kosova mund ta zvogëlojë numrin e zyrtarëve policorë në ndërtesat komunale, nëse paraprakisht, ato, që ai i ka cilësuar banda – të financuara nga Beogradi – të shkojnë “ose në Serbi, ose në burgje”.

“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë”.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Pjesëtarë të komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, të cilat i kanë fituar kandidatët shqiptarë.

Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.

Përgjatë bisedës, Kurti e ka pranuar se kryetarët e rinj kanë legjitimitet të zbehtë, por ka thënë se, megjithatë, “të tjerët nuk kanë aspak”.

Faktori ndërkombëtar e ka shtuar presionin ndaj Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë dhënë shenja se mund të organizohen zgjedhje të reja.

Kurti është pyetur edhe për qëndrimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me vendimet e tij dhe nëse ai është i shqetësuar nga diçka e tillë.

Ai ka thënë se Kosova i konsideron Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, dhe aleatët e Perëndimit si “aleatë të domosdoshëm, dhe që ua ka borxh çlirimin dhe pavarësinë”.

“Por, ne nuk mund t’ia dorëzojmë republikën tonë demokratike një milicie fashiste, e cila paguhet nga një autokrat në Beograd”.

Escobar: Tensionet në veri kanë qenë të shmangshme

Para Kurtit, paraprakisht për BBC-në është deklaruar dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës, ka qenë i shmangshëm.

“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.

Escobar ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë.

“Nuk ka pasur nevojë që të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të thata tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”.

Escobar ka përsëritur se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.

“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përbalje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”.

Escobar, bashkë me të dërguarin evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, më 5 dhe 6 qershor.

Më 30 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se si pasojë e moskoordinimit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, për veprimet në veri, Prishtina është përjashtuar nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, Defender Europe 2023.

I pyetur se çfarë kërkon aktualisht SHBA-ja nga Kurti, Escobar ka thënë se kryeministrit të Kosovës i janë dhënë shumë porosi.

“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Një ditë më parë, Bashkimi Evropian, po ashtu, ka kërkuar nga Kosova që t’i pezullojë operacionet policore në afërsi të komunave, dhe ka kërkuar që Kosova të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat në veri.

BE-ja ka thënë se pret që edhe pjesëtarë të komunitetit serb të marrin pjesë në to.

Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.

Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

blank

Dhjetëra mijëra veta në protestën antiqeveritare në Serbi

VOA/Marrë nga Associated Press

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Serbisë të shtunën për të pestën herë në një muaj, pas dy vrasjeve në masë që tronditën kombin, ndonëse presidenti populist i vendit hodhi poshtë çdo përgjegjësi për krizën dhe injoroi kërkesat e protestuesve për të dhënë dorëheqjen.

Turma, duke brohoritur parulla kundër presidentit Aleksandër Vuçiç, parakaloi rrugëve të Beogradit, për t’u mbledhur para selisë së tij në qendër të qytetit. Ata lëshuan një tullumbace të madhe me mbishkrimin “Vuçiç ik”.

Studentët e universitetit udhëhoqën parakalimin, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej “Serbia kundër dhunës!”

Protestuesit e opozitës kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe heqjen e licencave të transmetimit për rrjetet televizive të cilat, thonë ata, promovojnë dhunën dhe lavdërojnë figurat e krimit.

Protesta e së shtunës, që ka të ngjarë të jetë më e madhja deri tani, ishte disi ndryshe nga ato të mëparshmet. Gazetarët e pavarur që mbulonin parakalimin panë grupe të krahut të djathtë të infiltruar për të promovuar agjendën e tyre nacionaliste.

Analistët thonë se disa nga këto grupe kanë lidhje të ngushta me shërbimin serb të sigurimit.

Pati raportime për mbështetës të ultranacionalistëve që sulmuan një gazetar të huaj me shkop. Disa nga sulmuesit kishin bluza me mbishkrimin rus Z, një simbol i agresionit rus në Ukrainë.

Ndërsa po binte muzgu, pjesëmarrësit ndezën telefonat e tyre celularë, duke i mbajtur lart teksa parakalonin nëpër një rrugë qendrore të Beogradit dhe rreth ndërtesës së presidencës, shumë prej tyre duke fishkëllyer dhe duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Vuçiç.

Protestuesit lanë qindra mesazhe në pusulla për presidentin Vuçiç, shumë prej tyre duke i bërë thirrje atij të jepte dorëheqjen.

Një protestë e re është planifikuar për javën e ardhshme, në atë që po bëhet një sfidë gjithnjë e më serioze për Vuçiçin, ndoshta më e madhja me të cilën ai është përballur që nga ardhja në pushtet 11 vjet më parë.

Opozita e ka akuzuar Vuçiçin për nxitje të jotolerancës dhe gjuhës së urrejtjes gjatë qeverisjes së tij gjithnjë e më autokratike, ndërsa ka marrë në mënyrë të paligjshme kontrollin mbi të gjitha institucionet shtetërore. Presidenti Vuçiç e ka mohuar këtë, duke pretenduar se grupet opozitare duan rrëzimin e tij me forcë.

“Ata vetëm duhet ta dinë se gjallë a i vdekur, duke përfshirë fëmijët e mi, unë do të luftoj kundër atyre që mbështesin dhunën”, tha Vuçiç në një stacion televiziv pro-qeveritar. “Ata nuk do të më trembin kurrë”.

Dy vrasjet në masë me 3 dhe 4 maj tronditën vendin, veçanërisht sulmi i parë që ndodhi në një shkollë fillore në qendër të Beogradit, kur një djalë 13-vjeçar mori armën e babait të tij dhe hapi zjarr ndaj shokëve të tij. Tetë nxënës dhe një roje shkolle u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën. Një vajzë tjetër vdiq më vonë në spital nga plagët në kokë.

Një ditë më vonë, një 20-vjeçar përdori një armë automatike për të qëlluar mbi njerëzit në dy fshatra në jug të Beogradit, duke vrarë tetë persona dhe duke plagosur 14 të tjerë.

Aktori i njohur serb Dragan Bjelogërliç i tha turmës se “kemi një borxh” ndaj fëmijëve të vdekur.

“Ne u detyrohemi atyre të vërtetën dhe drejtësinë”, tha ai. “Ne u kemi borxh atyre atë që nuk ua dhamë sa ishin gjallë”.

Autoritetet kanë nisur mbledhjen e armëve pas sulmeve dhe kanë dërguar policinë në shkolla në një përpjekje për të rritur një ndjenjë sigurie.

Serbia është e mbushur me armë të mbetura nga luftërat e viteve të 90-ta përfshirë raketahedhës dhe granata dore. Masat e tjera të kontrollit të armëve të deklaruara pas sulmeve përfshijnë kontrolle më të forta mbi pronarët e armëve dhe poligonet e qitjes, një moratorium për licencat e reja dhe dënime të ashpra për posedim të armëve të paligjshme.

blank

Ndizet qendra e Beogradit nga dritat e celularëve në protestën e Serbisë kundër dhunës

Qendra e Beogradit, nga sheshi Slavija deri në Terazije, mbrëmë është ndriçuar me bateritë e celularëve të pjesëmarrësve të protestës “Serbia kundër dhunës”, të cilët vazhdojnë të kalojnë në kolonë të vazhdueshme pranë Presidencës së Serbisë, njofton agjencia Beta.

Për rreth një orë pa ndërprerje, të mbledhurit në protestën para presidencës kanë brohoritur me fishkëllima “Dorëheqje, dorëheqje” dhe “Vuçiç ik”, ndërsa njerëzit kanë vazhduar të mbërrijnë në kolonë nga drejtimi i Sllavijës.

Parku mes Presidencës dhe Pallatit të Vjetër është i ndriçuar me celularë dhe shumë prej pjesëmarrësve në protestë kanë veshur, përveç pankartës “Serbia kundër dhunës”, bluza dhe mesazhe me kërkesa proteste.

Në mesin e të tubuarve në protestën e pestë me radhë ishin edhe një numër i madh prindërish me fëmijë të vegjël si dhe nxënës të cilët me pankartat “Serbia kundër dhunës” ishin më të zhurmshmit me bilbila para Presidencës së Serbisë.

“Studentët nuk do të heshtin” thoshte një nga pankartat e vendosura krahas pankartës së madhe “E vërteta, Liria, Drejtësia”.

Pjesëmarrësit e protestës kundër dhunës nisën të ecin drejt godinës së Presidencës

Një numër i madh pjesëmarrësish në tubimin “Serbia kundër dhunës” kanë nisur sonte rreth orës 19:20  një ecje nga ndërtesa e Kuvendit Kombëtar, e cila duhet të përfundojë me vendosjen simbolike të një “unaze” rreth ndërtesës së Presidencës. , ku kërkesat dhe mesazhet e tyre do t’ia lënë presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Pjesëmarrësit e protestës ecën nga Shtëpia e Kuvendit Kombëtar, bulevardi Kralja Aleksandra, rruga Beogradska, përmes sheshit Slavija deri në rrugën Kralja Milana dhe Parkun Pionirski, ku do të rrethojnë presidencën.

Tubimi i pestë “Serbia kundër dhunës” filloi me transmetimin e kompozimit “Emocionet”, shkruar nga 13-vjeçari Andrija Çikiç, një nga dhjetë fëmijët e vrarë në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, dhe më pas të mbledhurit mbajtën heshtje ndërsa mikrofonat iu dhanë të afërmëve të viktimave të vrasjeve masive në Beograd dhe rrethinat e Mlladenovcit.

Në tubim folën më pas aktorë, gazetarë, prezantues dhe personazhe të tjerë publikë, të cilët apeluan që qytetarët që të mos heqin dorë nga kërkesat e tyre lidhur me uljen e dhunës në media dhe në  hapësirën publike, largimin e anëtarëve të Këshillit të Medias, të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Agjencive të Sigurisë dhe Informacionit./SYRI.NET

blank

Kurti: Janë identifikuar edhe 28 pjesëmarrës në protestat e dhunshme në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të shtunën se organet e sigurisë i kanë identifikuar edhe 28 persona të cilët kanë marrë pjesë në protestat e mbajtura në veri të vendit.

Teksa ka vizituar punimet në segmentin e rrugës Plavë-Sharr, Kurti në një deklarim për media tha se të njëjtit kanë marrë pjesë në organizim, orkestrim e nganjëherë edhe aktivisht në sulme të dhunshme kundër ushtarëve të NATO-s, policëve të Kosovës dhe gazetarëve.

“Ndërsa, sa i përket atyre emrave që i kam përmendur në seancën plenare të Kuvendit të Republikës, i kam përmendur 5 që janë arrestuar dhe organet tona të sigurisë i kanë identifikuar edhe 28 të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në organizim, orkestrim e nganjëherë edhe aktivisht në sulme të dhunshme kundër ushtarëve të NATO-s, kundër policëve të Kosovës dhe kundër juve gazetarëve, siç mund ta keni parë edhe vet”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar.

Tutje, Kurti tha se është sundimi i ligjit dhe proceset e drejtësisë ato të cilat do ta vërtetojnë gjithçka.

“Mirëpo ne videot, fotografitë i kemi pa që të gjithë. Nuk jetojmë në shekullin XIX, që mos të dihet çka ka ndodh në një vend tjetër. Në kohë reale është përcjellur një dhunë brutale e elementeve ekstremistë të cilët edhe dirigjohen, edhe paguhen nga Beogradi zyrtar”.

“Dhe Lista Serbe kur i ka braktisur institucionet me datën 5 nëntor të vitit të kaluar e ka bërë gabimin kardinal. Pastaj e kanë pasur me gabimin e dytë që i kanë bojkotuar zgjedhjet, pastaj kanë thirrur të tjerët për bojkot të zgjedhjeve dhe për këto gabime të njëpasnjëshme që janë pasojë e qëllimeve të gabuara duhet të paguajnë ata, jo Republika jonë”, përfundoi ai. syri.net

blank

Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi: Vuçiq dhe aleatët e tij rusë kanë punuar me vite të tëra për të destabilizuar veriun

Të dashur miq dhe përkrahës,

Më 1 qershor, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u takua në Moldavi me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Joseph Borrell, Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz.

Pas takimit, Presidentja Osmani tha se “Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se ligjshmëri dhe kushtetutshmëri në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Lidershipi i BE-së ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që sa më shpejt të organizojnë zgjedhjet e reja në komunat e veriut të Kosovës. Osmani tha se kur nga Presidentit Vuçiq u kërkua që të mos ushtrojë presion ndaj qytetarëve lokalë në veri që të refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e reja, Vuçiq ka heshtur.

Kjo e fundit nuk është për t’u habitur, sepse Vuçiq dhe aleatët e tij rusë kanë punuar me vite të tëra për të destabilizuar veriun. Dhe kështu zgjedhjet e reja nuk do të jenë vetëm një provë e tensionit tani të zvogëluar në veri, të shkaktuar nga dhuna e sponsorizuar nga Beogradi dhe të çpërshkallëzuar nga paqeruajtësit e EULEX-it dhe KFOR-it. Do të jetë gjithashtu një test i besimit të zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së se Asociacioni i Komunave Serbe mund të themelohet pa e kthyer Kosovën në një Republika Sërpska tjetër.

Në fund, ju rekomandojmë që të lexoni “Si u gërshetua udhëheqja e Serbisë me Sindikatat Kriminale të Kombit—Një ngatërresë që tani e kërcënon stabilitetin e rajonit”—nga Robert F. Worth në The New York Times Magazine, 5 maj 2023.

Shirley Cloyes DioGuardi

President

Joe DioGuardi
Këshilltare për Çështje të Ballkanit

 

Këtu është Linku:

https://www.nytimes.com/2023/05/03/magazine/aleksandar-vucic-veljko-belivuk-serbia.html

 

blank

Kurti: Adresa për të ushtruar trysni duhet të jetë Beogradi, jo Prishtina

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se adresa ku duhet të bëhet trysni sa i përket situatës së krijuar në veriun e Kosovës, është Beogradi që nuk po distancohet nga krimet e Sllobodan Milosheviçit, dhe jo Prishtina, që sipas tij është kryeqyteti i shtetit më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

Edhe këtë të shtunë, Kurti ripërsëriti qëndrimini se protestuesit që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët ditët e fundit në veri, duhet të përballen me drejtësinë, në mënyrë që në të ardhmen të ketë zgjedhje të lira.

Thirrjen për shtensionimin e situatës në këtë zonë, Kurti e bëri në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gurit të themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

“Sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë, nuk mund të ketë asnjë pakicë të privilegjuar dhe të gjithë qytetarët, shumica shqiptare, komunitetet joshumicë, duhet të çlirohen prej elementeve të ndryshme që kanë ideologji ekstremiste dhe bëjnë sulme të dhunshme ndaj shtetit tonë dhe organeve të tij.

Nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja dhe zyrat e ndërtesave e komunave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok janë asete të Republikës së Kosovës. Gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt po të mos ishin obstruksionet e Beogradit.

Për t’u bërë normalizimi, adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina, që është kryeqyteti i shtetit më demokratik e me policinë më profesionale në Ballkanin Perëndimor, por është Beogradi, i cili duke mos u distancuar nga krimet e Millosheviçit, dëshiron të kthehet prapa në kohë për ta ndryshuar rezultatin e luftës më 1999 që rezultoi me kapitullim të Serbisë dhe për ta ndryshuar edhe rezultatin e vitit 2008 kur ne shpallëm pavarësinë dhe morëm njohjet ndërkombëtare të botës demokratike”, tha ai. syri.net

blank

Nuk ka izolim Kosova – përkundrazi Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u mirëprit nga gjithë liderët e Europës në samitin e 2-të të liderëve të Komunitetit Politik Evropian –

Voal.ch po i referohet albumit zyrtar të Presidentes të Kosovës gjatë samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian mbajtur në Moldavi. Presidentja Osmani është mirëpritur nga të gjithë liderët Europianë nisur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidententja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me rradhë. Voal.ch po i përcjell më poshtë të gjitha liderët me të cilët është takuar presidentja e Kosovës. Siç do të shihni në fotonkolazh mungon Kryeministri i Shqipërisë Edvin Rama dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

 

blank

blank

blank

Albumi i pjesëmarrjes së Presidentes Vjosa Osmani në #EPCMoldova

Presidentja Osmani gjatë pjesëmarrjes në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian në Republikën e Moldavisë është pritur nga:
🇲🇩 Presidentja e Moldavisë Maia Sandu
🇲🇩 Kryetari i Kuvendit Igor Grosu
🇲🇩 Kryeministri Dorin Recean
🇲🇩 Ministri i Punëve të Jashtme Nicu Popescu

Përgjatë samitit, Presidentja ka pasur diskutime edhe me liderë të tjerë nga mbarë Evropa, përfshirë:

🇫🇷 Presidentin e Francës, Emmanuel Macron
🇩🇪 Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz
🇬🇧 Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak
🇪🇺 Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel
🇪🇺 Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
🇪🇺 Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola
🇺🇦 Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy
🇱🇹 Presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda
🇲🇪 Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović
🇸🇪 Kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson
🇨🇿 Kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala
🇸🇮 Kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob
🇩🇰 Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen
🇫🇮 Kryeministren e Finlandës, Sanna Marin
🇧🇪 Kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo
🇦🇹 Kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer
🇮🇪 Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar
🇮🇸 Kryeministren e Islandës, Katrín Jakobsdóttir
🇱🇺 Kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel
🇲🇰 Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski
🇵🇹 Kryeministrin e Portugalisë, António Costa
🇲🇹 Kryeministrin e Maltës, Robert Abela
🇦🇩 Kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora
🇱🇮 Kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch
🇸🇰 Kryeministrin e Sllovakisë, Ľudovít Ódor
🇦🇲 Kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan
🇪🇺 Përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell
➡️ Gjatë samitit, Presidentja Osmani ka mbajtur fjalim në tryezën tematike mbi sigurinë në Evropë, duke shprehur përkushtimin e vendit tonë për thellim të bashkëpunimit me aleatë dhe partnerë tjerë demokratikë për të kontribuar për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në Evropë
➡️ Në fillim dhe në fund të samitit, Presidentja Osmani iu është drejtuar mediave vendore dhe ndërkombëtare mbi pritshmëritë si dhe rreth rezultateve të takimeve/Ky informacion është marrë nga faqja zyrtare e Presidencës së Kosovës

blank

Zelensky: Ukraina është e gatshme ta nisë kundërofensivën

Radio Evropa e Lirë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shteti i tij, është i gatshëm të nisë kundërofensivën e shumëpritur, për t’i çliruar territoret e pushtuara nga forcat ruse.

Por ai ka paralajmëruar se kundërofensiva do të jetë e kushtueshme.

“Ne besojmë fuqishëm se do të dalim fitimtarë”, ka thënë Zelensky në një intervistë të publikuar në të përditshmen amerikane, Wall Street Journal, më 3 qershor.

“Nuk e di sa do të zgjasë. Për të qenë i sinqertë, mund të ndodhin shumë gjëra, do të shkojnë në disa drejtime. Mirëpo ne do ta nisim, dhe jemi të gatshëm”, ka thënë ai.

Zelensky ka thënë se ushtria ukrainase nuk i ka pranuar “të gjitha armët për të cilat ka shpresuar, mirëpo nuk mund të presim më”.

Ai ka thënë muajin e kaluar se shtetit të tij i duhen më shumë armë, përfshirë pajisjet e armatosura, përpara se të nisë kundërofensiva e shumëpritur.

Presidenti ukrainas ka muaj që i kërkon Perëndimit, më shumë ndihmë ushtarake dhe armë.

Rusia tani zotëron territor ukrainas në lindje, jug dhe juglindje të shtetit.

Zelensky ka thënë se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë sisteme raketore të mbrojtjes, Patriot, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’i mbrojtur qytetarët e saj nga sulmet ajrore ruse.

Ai ka thënë se mungesa e mbrojtjes nga sulmet ajrore ruse, nënkupton se “një numër i madh i ushtarëve do të vdesin” në kundërofensivë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

blank

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim: Zhgënjim – SHBA e konsideron korrupsionin kërcënim të sigurisë kombëtare!

 

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim shpreh zhgënjimin e saj në Twitter:

“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirant të BE dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare.

Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.”

 

blank

Kurti: Nuk e përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kështu ka thënë ai në një intervistë me gazetarin amerikan Chuck Todd në kuadër të emisionit “Meet the Press Now” në NBC, duke theksuar se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe demokratike.

“Kryetarët e rinj duket se nuk e kanë legjitimitetin e mjaftueshëm për shkak të pjesëmarrjes së vogël të votueseve në zgjedhje. Ne kemi bërë thirrje që të gjithë të marrin pjesë, por Beogradi ka kërkuar nga qytetarët serbë që t’i bojkotojnë zgjedhjet e 23 Prillit”.

“Nuk e përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme, por ato duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira”.

Sipas Kurtit, serbët e Kosovës duan që të marrin pjesë në zgjedhje, por nevojitet që Beogradi të mos i bullizojë ata.

“Beogradi do që Lista Serbe ta prezantojë komunitetin serb. Prandaj ne insistojmë që të ketë fushatë të hapur dhe ne shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar do të na ndihmojë në këtë drejtim”.

Kujtojmë se në fund të muajit Maj, u krijuan tensione në veri të Kosovës me protestuesit serbë që nuk i lejonin kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe t’i ushtronin detyrat e tyre nga objektet komunale.

Si rrjedhojë, u desh të ndërhyjë Policia e Kosovës, e më pas edhe KFOR-i prej të cilëve 30 morën lëndime trupore gjatë përplasjes me protestues të dhunshëm serbë.

Të enjten (01/06/2023) gjatë një takimi në Moldavi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani, që sa më parë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto katër komuna në mënyrë që të qetësohet situata.

Borrell ka kërkuar po ashtu që të sigurohet se serbët marrin pjesë në procesin zgjedhor si dhe sa më parë të fillohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./klankosova

blank

Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet

VOA

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Finer kishte biseduar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.

“Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedën me kryeministrin e Kosovës.

Zoti Finer gjithashtu i bëri thirrje presidentit serb për marrjen e masave për qetësimin e gjendjes.

“Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin për telefonatën e së premtes.

Dy ditët e fundit si kryeministri Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë shprehur vullnetin për zgjedhjet e reja.

Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, që nga e hëna është në zyrën e tij, pa dalë asnjëherë. Ndërkaq kryetarët e komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut, nuk janë në zyrat e tyre.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u kritikua të premten nga opozita e vendit në parlament për veprimet në veri pa bashkërendim me aleatët kryesorë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, që kundërshtuan hyrjen me forcë ne komunat veriore, por ai këmbënguli se përgjegjësia është e Serbisë.

Serbia nga ana tjetër ka akuzuar qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës.

Tensionet pasuan zgjedhjet e 23 prilli në Kosovë, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nxiti reagimin e palës serbe që u hodh në protesta. Të hënën protestuesit u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Përplasjet shkaktuan plagosjen e 30 ushtarëve dhe nxitën shqetësimin për ripërtëritje të konfliktit në rajonin e trazuar.

Perëndimi ka ushtruar trysni për uljen e tensioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve, përfshirë zgjedhje të reja lokale në veri të Kosovës, uljen e gatishmërisë së trupave serbe në kufi dhe riangazhimin për procesin e normalizimit.

“Zoti Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”, thuhet në njoftimet e Shtëpisë së Bardhë për telefonatat e Zëvendës Këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare me kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç.

blank

Blinken: nuk mund të ketë armëpushim në Ukrainë pa tërheqjen e forcave ruse

VOA/Marrë nga Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se nuk mund të ketë një armëpushim për luftën në Ukrainë, nëse nuk është pjesë e një marrëveshjeje për paqe “të drejtë dhe afatgjatë”, ku përfshihet tërheqja e ushtrisë ruse. Sipas sekretarit amerikan të shtetit, nëse Rusisë do t’i lejohej të mbante territorin e pushtuar ukrainas, kjo do të jepte një mesazh të gabuar për Moskën dhe për të gjithë agresorët e tjerë në të ardhmen.

Sekretari Blinken tha se “një armëpushim që thjesht do të ngrinte vijat aktuale” të frontit dhe do t’i lejonte Presidentit rus Vladimir Putin “të konsolidonte kontrollin mbi territorin e kapur, të riarmatosej dhe të rifillonte sulmet – nuk është një paqe e drejtë dhe afatgjatë”.

Nëse do t’i lejohej Moskës që të mbante një të pestën e territorit ukrainas që e ka pushtuar, kjo do të dërgonte një mesazh të gabuar për Rusinë dhe për “agresorët e tjerë në të ardhmen në mbarë globin”, tha sekretari amerikan i shtetit.

Sekretari i Shtetit i bëri komentet në Helsinki.

Presidenti Putin u përpoq për dy dekada të ringrejë ushtrinë ruse në një forcë moderne me armatime të reja, me një zinxhir komandimi efikas dhe me ushtarë të mirëstërvitur dhe të mirëpajisur. Kremlini ka pretenduar shpesh se ka ushtrinë e dytë më të fortë në botë dhe shumë njerëz e besuan. Sot, shumë e shohin ushtrinë ruse si të dytën më të fortë në Ukrainë, paisjet e saj, teknologjinë, drejtuesit, trupat, strategjinë, taktikat dhe moralin. Një shembull klasik i dështimit. Edhe ndërsa Moska po shkakton dëme shkatërrimtare dhe pa dallim ndaj Ukrainës dhe ukrainasve, Rusia vlerësohet se pësuar mbi 100 mijë viktima vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit, ndërsa Putini dërgon valë pas vale rusësh si mish për top”, tha Sekretari Blinken.

Shtetet e Bashkuara janë aleati dhe furnizuesi kryesor perëndimor me armatime për Kievin për ta ndihmuar në përballjen me forcat ruse. Më herët nga Oslo, ku u zhvillua takimi i NATO-s, Sekretari Blinken rikonfirmoi mbështetjen për sovranitetin e Ukrainës.

blank

Ndërsa populli i Ukrainës tregon kurajo dhe sakrificë të jashtëzakonshme, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende nga mbarë bota vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e tyre për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre. Së bashku, kemi angazhuar miliarda dollarë për asistencën e sigurisë, përfshirë zotimin tonë rishtazi për të përgatitur pilotët ukrainas për përdorimin e avionëve F-16, që po shqyrtohet nga Norvegjia. Kemi vendosur sanksione të ashpra ndaj makinerisë ruse të ekonomisë së luftës, ndërkohë që ofrojmë ndihmë humanitare, ekonomike dhe energjitike”, tha Sekretari Blinken.

Gjatë vizitës së tij në Finlandë, vend kufitar me Rusinë dhe që u anëtarësua rishtazi në NATO, Sekretari Blinken theksoi se Rusisë do t’i duhet të paguajë gjithashtu për rindërtimin e Ukrainës dhe se do të mbahet përgjegjëse për sulmin frontal ushtarak ndaj vendit fqinj që filloi në shkurt 2022.

Uashingtoni ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet për paqe nga vende të tjera, përfshirë iniciativat rishtazi nga Kina dhe Brazili, por ka nënvizuar se një marrëveshje për paqen duhet t’i përmbahet parimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë.


Send this to a friend