Të vdekur mes të gjallëve
të vdekur të gjallë
një lojë me fjalë
kundër apatisë sociale
që drogojnë me kokainë rrena
fare pa frena
televizionet e Tiranës
atje ku çimkat me syze
në tregun mediatik
të helmimit të psikës së masave
shiten për xixëlloja
nepërkat gjuhëhelmuese
të propagandës
hardhuca syrruazë gjelbëruese
karkalecët lekurërreshkur
me antena e disiplinë partie
hallkë pas hallke
popullit klient i shiten
si fatsjellëset nuse pashke
nuk mund t’i mungojnë
këtij peisazhi bukolik
poetët e brigadave të tërshërës
për stomakun publik
të reklamuar nga showmenët
rojtarë me tufa çelësash
të ndryshkur
në brezat e pantallonave
firmato këllirë
që i shpërndajnë
mendimet të gatëshme
gjellë guzhinash kolektive
për audiencën televizive
populli mjafton t’i mbllaçisë
pa patur nevojë
për ta vënë trurin në prizë
showmenët kanë inkarnuar
rojtarët e burgjeve
të Spaçit e Qafë Barit
vigjëlojnë me sy picërruar
me mjekrat gozhdë
mos penetrojë
në hartēn e mendjes
ndonjë iluzion optik i parruar
nga makineria e agjitpropit
apo mos ka depërtuar
ndonjë spiun armik delirant
në kutitë e trushplarjes
së programeve edukative
të përpunimit kolektiv të shijeve
brënda natës në karierë hip
sipas formatit të Big Brother VIP
kur militantët i futen në shtrat
si tufa delesh të klonuara
kryetarit pirat
me aperitivë etikë estetikë
të parafabrikuar
populli mjafton t’i mbllaçisë
pa patur nevojë të mendojē
ta vejë trurin në prizë
Të gjallë mes të gjallëve të gjallë
të vdekur ngrihuni nga varret
nuk është lojë me fjalë
është luftë kundër apatisë sociale
(Nga libri poetik në përgatitje për botim “Skaterr”