VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kryqi i Kuq mbledh 13 milionë euro gjatë një koncerti në Mançester

By | June 5, 2017
blank

Komentet

blank

E rrallë: Bie borë në Saharanë algjeriane

Bora ka rënë mbi rërë në Shkretëtirën e Saharasë, pasi temperatura ra nën zero.

Ky është fenomen shumë i rrallë në shkretëtirën më të madhe në botë, ku temperatura ka shkuar deri në 58 gradë.

Fotografi Karim Bouchetta i bëri fotografitë mahnitëse në qytezën Ain Sefra, që shtrihet në pjesën veriperëndimore të Algjerisë.

Gjatë natës, temperatura atje ra në -2 gradë, shkruan Daily Mail, përcjell Gazeta Express.

Kjo është vetëm hera e pestë në 42 vitet e fundit që qyteza ka parë borë mbi rërë. Në të kaluarën, kjo gjë kishte ndodhur më 1979, 2016, 2018 dhe 2021.

 

blank

Foto: Karim Bouchetta

Ain Sefra, e njohur edhe si “Porta e Shkretëtirës”, shtrihet rreth 910 metra mbi nivelin e detit dhe është e rrethuar nga Malet Atlas.

Shkretëtira e Saharasë përbën pjesën më të madhe të Afrikës Veriore dhe i është nënshtruar disa herë ndryshimit të temperaturës dhe lagështisë në qindra mijëra vjetët e fundit.

Ndonëse kjo hapësirë është e thatë në ditët tona, besohet se ajo të bëhet përsëri e gjelbër pas rreth 15.000 viteve.

blank

Vullkani dhe cunami pamundësojnë komunikimet në Tonga

RFE/RL

Ishujt në Tonga kanë pësuar dëme të mëdha pas shpërthimit të madh të vullkanit dhe cunamit, që kanë shkatërruar një fshat të tërë dhe shumë ndërtesa, tha një diplomat i këtij shteti, duke rritur shqetësimet se mund të rritet numri i viktimave dhe i të lënduarve.

“Njerëzit i ka kapur paniku, po vrapojnë dhe po lëndohen. Ka gjasa që të rritet numri i viktimave, por lutem që kjo mos të ndodh”, tha zëvendësdrejtori i misionit të Tongas në Australi, Curtis Tu’ihalangingie.

Ai shtoi se imazhet e bëra nga Forca e Mbrojtjes së Zelandës së Re, tregojnë se një fshat në ishullin Mango është shkatërruar i tëri, ndërkaq disa ndërtesa janë zhdukur në afërsi të ishullit Atata.

Policia në Tonga i tha Komisionit të Lartë të Zelandës së Re se deri më tani janë dy viktima të konfirmuara, por komunikimet në këtë ishull në Oqeanin Paqësor janë ndërprerë, kështu që është e paqartë se cili është numri i saktë i viktimave.

Në mesin e viktimave është edhe britanikja, Angela Glover, 50 vjeç, që besohet se vdiq nga cunami, teksa ajo kishte tentuar që të shpëtonte qentë për të cilat përkujdesej, tha vëllai i saj.

Vullkani nënujor shpërtheu të shtunën, duke liruar hi vullkanik dhe më pas shkaktoi cunami.

Tonga përbëhet nga mbi 170 ishuj në zonë e Paqësorit Jugor. Mbi 100,000 persona jetojnë në Tonga dhe pjesa më e madhe e popullsisë jeton në ishullin Tongatapu.

Kombet e Bashkuara më herët raportuan se një alarm ishte lëshuar në Ha’apai, ku gjendet ishulli Mango. Autoritetet detare të Tongas raportuan se kjo zonë është goditur nga valë 5 deri në 10 metra të larta.

Ishujt Atata dhe Mango janë rreth 70 kilometra nga vullkani Hunga Tonga-Hunga Ha’apai, që shpërtheu më 15 janar. Cunami që pasoi shpërthimin e vullkanit u detektuan rreth 2,300 larg, deri në Zelandën e Re.

Për shkak të hirit të madh vullkanik që është mbi pistën e aeroporti kryesor, janë penguar përpjekjet për dërgimin e ndihmës në Tonga.

Autoritetet e Zelandës së Re po tentojnë që të dërgojnë ujë të pijshëm dhe ndihma të tjera përmes ajrit, por avionët nuk po munden që të aterojnë në aeroportin kryesor të vendit, Fua’amotu.

Zyra humanitare në OKB tha se zyrtarët në Tonga kanë njoftuar se pastrimi i pistës do të marrë kohë disa ditë.

Qytetarët në ishullin Tongatapu janë evakuuar për shkak të “dëmit të madh” raportuan autoritet, ndërkaq ministrat qeveritarë kanë paralajmëruar se çmimet e produkteve ushqimore mund të rriten për shkak të furnizimeve të pakta.

Ministria e Jashtme e Zelandës së Re tha se dy anije janë nisur drejt Tongas për të dërguar ujë të pijshëm, ekipe të shpëtimit dhe një helikopter.

Tonga pritet që të bëjë kërkesë zyrtare për ndihmë nga Australia, njoftoi ministrja e Jashtme australiane, Marise Payne. Më pas ky shtet mund të dërgojë ndihmë përmes aeroplanëve apo anijeve.

“Ndikimi jo vetëm i përmbytjeve, por edhe i hirit vullkanik që ka mbuluar gjithçka, plus ndërprerja e komunikimeve, po i bën përpjekjet (për ndihmë) edhe më të vështira”, tha ajo.

Një fotografi e bërë nga Forca e Mbrojtjes së Zelandës së Re tregon një zonë në Tonga të mbuluar nga hiri vullkanik në Tonga.

Një fotografi e bërë nga Forca e Mbrojtjes së Zelandës së Re tregon një zonë në Tonga të mbuluar nga hiri vullkanik në Tonga.

Komunikimi me botën i këtij arkipelagu është pothuajse i ndërprerë tërësisht, pasi shpërthimi i vullkanit shkatërroi kabllot e komunikimit, që gjendeshin nën det.

Kompania private me seli në Shtetet e Bashkuara, Subcom, tha se po punon që të rregullojë një sërë kabllosh nën det në paqësor dhe tha se po punon me autoritetet në Tonga që të rregullohet një kabllo që kalon nga ky shtet në Fixhi.

Ishulli Hunga Tonga-Hunga Ha’apai gjetet në zonën mjaft aktive sizmike të njohur si “Unaza e Zjarrit e Paqësorit”. Pas shpërthimit të vullkanit, sipas imazheve satelitore, ky ishull është zhdukur. Kjo ua ka bërë më të vështirë vullkanologëve që të monitorojë aktivitetin sizmik.

Tonga është një mbretëri që ka 176 ishuj, ku 36 prej tyre janë të banuara dhe popullsia e këtij shteti është 104,494.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
blank

Kinë, nataliteti bie në nivel rekord

Kina po lufton me rënien e numrit të popullsisë ndërsa të dhënat e reja të publikuara sot tregojnë se lindshmëria në vitin 2021 ka rënë në një rekord të ulët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Byroja Kombëtare e Statistikave (NBS) në Kinë njoftoi se shkalla e lindjeve në të gjithë vendin ra në 7.52 lindje për 1.000 persona në vitin 2021, nga 8.52 në 2020.

“South China Morning Post” raportoi se popullsia e përgjithshme e Kinës ishte rritur me rreth 480 mijë njerëz.

Ky është viti i pestë në të cilin Kina shënon rënie të natalitetit.

Sipas të dhënave zyrtare në 31 provinca, rajone autonome dhe komuna, duke mos përfshirë Hong Kongun, Makaon dhe Tajvanin, popullsia është rritur në 1.4126 miliardë banorë në 2021.

Në vitin 2016, Kina hoqi politikën e saj prej dekadash e cila lejonte vetëm një fëmijë për të ndaluar plakjen e shpejtë të vendit, duke inkurajuar çiftet të kenë më shumë fëmijë.

blank

Dhjetë njerëzit më të pasur në botë dyfishuan pasurinë gjatë pandemisë së COVID-19

Raporti i publikuar nga organizata ndërkombëtare, Oxfam zbuloi se pasuria totale e 10 njerëzve më të pasur në botë u dyfishua gjatë pandemisë së COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të BBC, raporti i Oxfam “Pabarazia vret”, i cili zbuloi se pasuria e 10 njerëzve më të pasur në botë u rrit gjatë pandemisë, gjithashtu u zbulua se u rrit numri i njerëzve që jetojnë në kufirin e varfërisë.

Kreu i Oxfam-it në Mbretërinë e Bashkuar, Danny Sriskandarajah tha se 163 milionë njerëz të tjerë filluan të jetojnë nën kufirin e varfërisë pas kufizimeve të vendosura në turizëm, udhëtime dhe tregti me masat e mbylljes të miratuara në pandeminë e COVID-19.

Në raport thuhet se 10 emrat më të pasur në botë si Elon Musk, Jeff Bezos, Bernard Arnault, Bill Gates, Larry Ellison, Larry Page, Sergey Brin, Mark Zuckerberg, Steve Ballmer dhe Warren Buffet pasuria totale e të cilëve u dyfishua gjatë periudhës së pandemisë, shkoi mbi 1.5 trilion dollarë.

Përveç kësaj, thuhet se çdo 4 sekonda 1 person vdes në botë për shkak të urisë, qasjes së kufizuar në shërbimet shëndetësore, krizave humanitare të shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe dhuna.

Sipas raportit, pandemia e bëri pabarazinë globale më serioze ndërsa njerëzit e varfër në vendet e pazhvilluara pothuajse 4 herë më shumë kishin gjasa të vdisnin nga COVID-19.

Nga ana tjetër, u zbulua se numri i grave që punojnë është ulur me 13 milionë në këtë periudhë krahasuar me vitin 2019 dhe mbi 20 milionë vajza janë në rrezik të pamundësisë së kthimit në shkollë.

blank

Shtëpia e Bardhë: SHBA e shqetësuar se Rusia po përgatit një sulm ndaj Ukrainës

Një marins qëndron roje në hyrjen e krahut perëndimor të Shtëpisë së Bardhë

Marrë nga Reuters

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin se Rusia mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë së shpejti në Ukrainë, duke fabrikuar një pretekst për luftë nëse diplomacia nuk arrin të përmbushë objektivat e saj, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara, aleatëve të saj evropianë dhe Rusisë rreth vendosjes së dhjetëra mijëra trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës përfunduan pa rezultat këtë javë, pa plane konkrete për t’u takuar përsëri. Sulmi kibernetik kundër Ukrainës i ka ndezur më tej tensionet.

Një zëdhënës i Këshillit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare tha se nuk ishte ende e qartë se kush ishte përgjegjës për sulmin kibernetik, por se presidenti Joe Biden ishte informuar për të.

“Ne jemi në kontakt me ukrainasit dhe kemi ofruar mbështetjen tonë ndërsa Ukraina heton lidhur me pasojat dhe natyrën e tij dhe merr masa kundër incidenteve”, tha zëdhënësi.

Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike për Rusinë nëse presidenti rus Vladimir Putin ndërmerr një ndërhyrje në Ukrainë. Rusia mohon të ketë plane për të sulmuar Ukrainën dhe i ka kërkuar NATO-s të ndalë zgjerimin e saj drejt lindjes dhe të japë garanci sigurie që ka propozuar Rusia. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i kanë refuzuar kërkesat.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se qeveria ruse mund të jetë duke u “përgatitur për një ndërhyrje në Ukrainë që mund të rezultojë në shkelje të gjera të të drejtave të njeriut dhe krime lufte nëse diplomacia nuk arrin të përmbushë objektivat e saj.”

“Si pjesë e planeve të saj, Rusia po krijon terrenin që të sajojë një pretekst për pushtim, përfshirë aktivitete sabotuese dhe operacione informative, që t’i përdorë më pas për të akuzuar Ukrainën për përgatitjen e një sulmi të afërt kundër forcave ruse në Ukrainën lindore.” tha zonja Psaki.

Ushtria ruse “planifikon t’i fillojë këto aktivitete disa javë përpara një ndërhyrjeje ushtarake, që mund të fillojë nga mesi i janarit deri në mes të shkurtit,” tha ajo.

Zëdhënësja tha se nëse Presidenti rus Vladimir Putin ndërmerr hapa të tillë, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ashpër.

“Nëse ata vendosin të angazhohen në negociata dhe bisedime diplomatike, ne do të jemi shumë të hapur dhe shpresojmë që (Moska) ta bëjë një gjë të tillë. Por në fund të fundit, është një zgjedhje që u takon atyre,” tha ajo.

Operacion i mundshëm provokues

Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara kanë informacione që tregojnë se Rusia ka pozicionuar tashmë një grup operativësh për të kryer një operacion provokues në Ukrainën lindore.

“Operativët janë të trajnuar në luftën urbane dhe në përdorimin e eksplozivëve për të kryer akte sabotimi kundër forcave pro-ruse” tha zyrtari, i cili foli me kushtin që të mos identifikohet.

Zyrtari tha gjithashtu se të dhënat tregojnë se “aktorë të përpjekjeve të ndikimit rus tashmë kanë filluar të fabrikojnë provokime në mediat shtetërore dhe sociale për të justifikuar një ndërhyrje ruse dhe për të shkaktuar përçarje në Ukrainë.”

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se duke u nisur nga shembujt e historisë, vështirë që këto lloj aktivitetesh të bëhen pa dijeninë e udhëheqësve të lartë rusë.

I pyetur nëse ushtria amerikane do të vazhdojë të mbështesë forcat ukrainase në rast të një pushtimi rus, zoti Kirby tha: “Ne i kemi dhënë dhe do të vazhdojmë t’i ofrojmë ndihmë sigurie Ukrainës për mbrojtjen e saj.”VOA

blank

SHBA: Me Rusinë jemi të gatshëm edhe për diplomaci edhe për sanksione

Washington DC

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, ka deklaruar se me Rusinë janë të gatshëm edhe për diplomaci mbi çështjen e Ukrainës, por edhe për sanksione ekonomike në rast të pushtimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të rregullt për media, Sullivan vlerësoi bisedimet e zhvilluara mbi Ukrainën me Rusinë në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë.

Sullivan tha se në takimet në fjalë edhe SHBA-ja edhe Rusia shprehën çështjet e tyre shqetësuese, si dhe shtoi se gjithashtu u shprehën hapur edhe fushat në të cilat mund të arrihet ose që nuk mund të arrihet përparim.

“Bisedimet ishin të sinqerta dhe të drejtpërdrejta. Ishin bisedime të dobishme. Neve dhe Rusisë na dhanë materiale mbi të cilët të mendohemi”, tha Sullivan.

Pasi bëri të ditur se pas bisedimeve do të flasin me aleatët e tyre se si do të vazhdojë procesi, Sullivan tha: “Jemi të gatshëm për diplomaci për zhvillimin e sigurisë dhe stabilitetit euro-atlantik. Në të njëjtën mënyrë jemi të gatshëm të japim kundërpërgjigje nëse Rusia zgjedh një rrugë tjetër. Bashkëpunimi ynë intensiv vazhdon me partnerët tanë për sanksionet e ashpra ekonomike që do zbatohen në rast se Rusia pushton Ukrainën”.

“Rreziku i pushtimit është akoma i lartë”

Sullivan theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

“Rusisë i shprehëm hapur kostot dhe pasojat e ndërhyrjes ushtarake”, shtoi Sullivan.

Më tej, Sullivan njoftoi se për vazhdimin e bisedimeve me Rusinë nuk kanë përcaktuar një datë të re dhe se kontaktet e tyre do të vazhdojnë edhe me aleatët e tyre edhe me Rusinë.

Ai theksoi se inteligjenca e SHBA-së nuk ka arritur ende një gjykim përfundimtar se Rusia do të pushtojë Ukrainën. Ai shtoi se Rusia ka grumbulluar në kufi dhjetëra mijëra ushtarë dhe se rreziku i pushtimit është akoma i “lartë”.

blank

Pasaportat më të fuqishme dhe më të “këqija” në botë për vitin 2022

Ekziston një hendek në rritje midis veriut global dhe jugut global kur bëhet fjalë për liritë e udhëtimit, thotë raporti i parë i vitit 2022 nga firma këshilluese globale për qytetarinë dhe vendbanimin me qendër në Londër, Henley & Partners.

Indeksi i pasaportave Henley, bazuar në të dhënat ekskluzive të ofruara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), ka monitoruar rregullisht pasaportat më të përshtatshme për udhëtime në botë që nga viti 2006.

Sipas kësaj firme, rritja e barrierave të udhëtimit që janë futur gjatë rrjedhës së pandemisë Covid kanë rezultuar në hendekun më të madh global të lëvizshmërisë në historinë 16-vjeçare të indeksit.

Indeksi nuk merr parasysh kufizimet e përkohshme, kështu që duke lënë mënjanë aksesin aktual të udhëtimit, mbajtësit e pasaportave në krye të renditjes — Japonia dhe Singapori — janë në gjendje, teorikisht, të udhëtojnë pa viza në 192 destinacione.

Europa dominon

Më poshtë në top 10, renditja mbetet praktikisht e pandryshuar ndërsa hyjmë në tremujorin e parë të 2022. Koreja e Jugut është e barabartë me Gjermaninë në vendin e dytë dhe Finlanda, Italia, Luksemburgu dhe Spanja janë të gjitha së bashku në vendin e tretë.

Vendet e BE-së dominojnë në krye të listës si zakonisht, me Francën, Holandën dhe Suedinë që ngjiten nga një vend për t’iu bashkuar Austrisë dhe Danimarkës në vendin e katërt.

Irlanda dhe Portugalia janë në vendin e pestë.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë rifituar pak terren. Ata janë ngritur një renditje në vendin e gjashtë, së bashku me katër kombe të tjera me një histori izolacioni ose neutraliteti: Zvicra, Norvegjia, Belgjika dhe Zelanda e Re.

Në numrin 7 kemi Australinë, Kanadanë, Çekinë, Greqinë dhe Maltën. Vendet e Evropës Lindore përbëjnë pjesën tjetër të 10-shes së parë.

Hungaria dhe Polonia janë ngjitur në vendin e tetë, Lituania dhe Sllovakia janë ngjitur në vendin e 9-të dhe Estonia, Letonia dhe Sllovenia janë në vendin e dhjetë.

Raporti i fundit vë në dukje se shfaqja në fund të vitit të kaluar e variantit Omicron hodhi dritë mbi një ndarje në rritje të lëvizshmërisë ndërkombëtare midis vendeve më të pasura dhe atyre të varfra, duke çuar drejt kufizimeve të ashpra të vendosura kundër kombeve kryesisht afrikane që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i përshkroi si duke qenë e ngjashme me “aparteidin e udhëtimit”.

Përveç pandemisë, nivelet e përgjithshme të lirisë së udhëtimit janë zgjeruar jashtëzakonisht gjatë dy dekadave të fundit. Indeksi i pasaportave Henley zbuloi në vitin 2006 se një individ mund të vizitojë mesatarisht 57 vende pa pasur nevojë të marrë vizë paraprakisht. Sot, ky numër është 107 — pothuajse dyfishi.

Christian H. Kaelin, kryetar i Henley & Partners dhe krijues i konceptit të indeksit të pasaportave, thotë se hapja e kanaleve të migracionit do të jetë vendimtare për rimëkëmbjen pas pandemisë.

“Pasaportat dhe vizat janë ndër instrumentet më të rëndësishme që ndikojnë në pabarazinë sociale në mbarë botën, pasi ato përcaktojnë mundësitë për lëvizshmëri globale,” thotë ai.

“Kufijtë brenda të cilëve ne kemi lindur dhe dokumentet që kemi të drejtë të mbajmë, nuk janë më pak arbitrare se ngjyra e lëkurës sonë. Shtetet më të pasura duhet të inkurajojnë migrimin pozitiv të brendshëm në një përpjekje për të ndihmuar në rishpërndarjen dhe ribalancimin e burimeve njerëzore dhe materiale në mbarë botën.”

Pasaportat më të mira në vitin 2022 janë:

1. Japoni, Singapor (192 destinacione)
2. Gjermania, Koreja e Jugut (190)
3. Finlandë, Itali, Luksemburg, Spanjë (189)
4. Austria, Danimarka, Franca, Holanda, Suedia (188)
5. Irlandë, Portugali (187)
6. Belgjika, Zelanda e Re, Norvegjia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara (186)
7. Australi, Kanada, Republika Çeke, Greqi, Maltë (185)
8. Polonia, Hungaria (183)
9. Lituani, Sllovaki (182)
10. Estonia, Letonia, Sllovenia (181)

Po, pasaportat më të këqija që kufizojnë lëvizjen në sa më shumë destinacione?

104. Koreja e Veriut (39 destinacione)
105. Nepali dhe territoret palestineze (37)
106. Somali (34)
107. Jemeni (33)
108. Pakistan (31)
109. Siri (29)
110. Irak (28)
111. Afganistan (26)

a.m/dita

blank

“Ka rrezik real për plasjen e një lufte të re në Evropë”, thotë Stoltenberg për konfliktin Rusi-Ukrainë

NATO ka shprehur vullnetin për të biseduar me Rusinë mbi kontrollin e armëve dhe zhvillim e raketave.

Është Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ai i cili ka thënë se Moska nuk mund të përdorë veto për anëtarësimin e Ukrainës në këtë aleancë.

Ai madje ka paralajmëruar për rrezikun që situata në mes të Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë me luftë.

“Ekziston rreziku real për një luftë të re të armatosur në Evropë”, është shprehur Stoltenberg në konferencë për media.

“Ekziston dallimet thelbësore në mes të aleatëve të NATO-s dhe Rusisë. Dallimet tona nuk do të jetë e lehtë që të kapërcehen, por që është shenjë pozitive që të gjithë aleatët dhe Rusia janë ulur në të njëjtën tryezë dhe janë të angazhuara në tema substanciale”.

Stoltenberg ka thënë se NATO është e gatshme gjithmonë për t’u dalë në mbrojtje aleatëve.

blank

Cilat janë synimet gjeostrategjike të Rusisë?

VOA

Hartuesit e politikave perëndimore mbeten po aq të paqartë për synimet gjeopolitike të Rusisë sot, sa ç’ishin homologët e tyre në prag të Luftës së Ftohtë dyzet vjet më parë.

A po përgatitet Kremlini të ndërmarrë një ndërhyrje në territorin e fqinjit të tij Ukrainës, e cila gjithnjë e më shumë e sheh veten si pjesë e Perëndimit, nëse refuzohen garancitë gjithëpërfshirëse të sigurisë që ka kërkuar Rusia?

Apo është grumbullimi i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës një mënyrë për të treguar forcë, një manovër e Presidentit Vladimir Putin për të siguruar sa më shumë lëshime nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë në tryezën e bisedimeve?

Këto pikëpyetje mund të fillojnë të marrin përgjigje duke filluar nga e hëna që shënoi fillimin e bisedimeve mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë në Gjenevë, ku do të diskutohen kërkesat e Kremlinit që NATO-ja të tërheqë pranitë ushtarake nga vendet ish-sovjetike të Evropës Qendrore, si edhe mënyrat për të ulur tensionet mbi Ukrainën.

Edhe rreth tetë dekada më parë, hartuesit e politikave perëndimorë po përpiqeshin të deshifronin synimet e diktatorit të atëhershëm komunist sovjetik Josif Stalin, trashëgiminë e të cilit presidenti Putin është përpjekur ta rehabilitojë në Rusi.

Guy Liddell, një zyrtar i lartë i zbulimit britanik, shkruante në ditarin e tij në shkurt 1948 se sa e vështirë ishte të kuptohej nëse Rusia Sovjetike po planifikonte ndonjë agresion ushtarak.

Megjithëse Kremlini kishte këmbëngulur se synimet e tij ishin paqësore dhe tha se manovrat e Moskës ishin “për mbrojtje strategjike”, zoti Liddell komentonte në ditarin e tij se veprimet ruse – që nga përgatitjet ushtarake tek fushatat propagandistike, nga ndërhyrjet tek “përpjekjet për përçarje” – dukeshin si një “politikë e planifikuar për agresion” dhe fuqitë perëndimore nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të përgatiteshin për skenarin më të keqen dhe të qëndronin vigjilentë.

Vetëm dy javë më pas komunistët e drejtuar nga Kremlini morën kontrollin përfundimtar të qeverisë së Çekosllovakisë. Përmbysja e e demokracisë së fundit që kishte mbetur në Evropën Lindore, kompletoi ndarjen e Evropës, duke ngrirë dy gjysmat e kontinentit në një Luftë të Ftohtë prej katër dekadash.

Hartuesit e politikave janë të ndarë tani në lidhje me synimet e Presidentit Putini me grumbullimin e më shumë se 100,000 trupave në kufijtë e Ukrainës dhe lidhur me pyetjen nëse konsolidimi ushtarak është e nxitur nga ndonjë kapriço apo ndonjë ndjenjë pasigurie, pavarësisht nëse është e justifikuar ose jo.

Evropa

Disa diplomatë perëndimorë druhen se qëllimi i presidentit rus mund të jetë që bisedimet të dështojnë, në mënyrë që ta përdorë si pretekst për të depërtuar më thellë në Ukrainë, një përsëritje e skenarit të vitit 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe pushtoi një pjesë të madhe të rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore.

Ata gjithashtu po peshojnë se çfarë opsionesh kanë në dispozicion për ta penguar zotin Putin të bëjë ndonjë lëvizje dramatike ushtarake në Ukrainë.

Dhe megjithëse të gjithë anëtarët e NATO-s, dhe disa vende evropiane që nuk janë anëtare të saj, i janë bashkuar Shteteve të Bashkuara duke paralajmëruar për pasoja të rënda dhe sanksione ekonomike ndëshkuese në rast të një ndërhyrjeje ruse në Ukrainë, qëndrimet e aleatëve kanë disa dallime të rëndësishme në tonin e tyre. Disa udhëheqës perëndimorë janë shprehur më ashpër se të tjerët.

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili ka kërkuar një takim me udhëheqësin rus Putin më vonë këtë muaj, ka folur për rivendosjen e marrëdhënieve me Moskën dhe për përpjekje për “një fillim të ri”, megjithëse ai gjithashtu paralajmëroi për pasoja të rënda në rast të një sulmi tjetër rus në Ukrainë.

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö, ka qenë shumë më i ashpër s në komentet e tij publike, duke përsëritur të drejtën e vendit të tij për t’u anëtarësuar në NATO-n, nëse finlandezët vendosin për një gjë të tillë, dhe duke hedhur poshtë kategorikisht kërkesat ruse që NATO-ja të mos pranojë anëtarë të rinj.

Suedia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, por ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me aleancën, po reagon gjithashtu ashpër ndaj kërkesave të Moskës për moszgjerim të mëtejshëm të NATO-s. Ministrja e jashtme, Ann Linde, ka nënvizuar se Moska nuk ka të drejtë të diktojë se cilat vende mund të bashkohen me aleancën ushtarake transatlantike.

“Nuk duhet të varet nga Rusia nëse ne anëtarësohemi ose jo në NATO,” tha ajo të premten.

Zyrtarët e NATO-s i kanë hedhur poshtë kërkesat e sigurisë nga ana e Rusisë duke thënë se është e pamundur të plotësohen. Kërkesat përfshijnë ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe tërheqjen e çdo pranie ushtarake të aleancës në shtatë nga tetë shtetet ish-sovjetike të Evropës Qendrore, të cilat i janë bashkuar aleancës perëndimore që nga viti 1999. Kremlini ka kërkuar gjithashtu tërheqjen e armëve taktike bërthamore amerikane nga Evropa, por nuk ka ofruar asnjë kufizim reciprok në arsenalin e saj të raketave taktike.

Bisedimet dypalëshe amerikano-ruse në Gjenevë, të cilat po udhëhiqen nga nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit për palën amerikane do të pasohen këtë javë nga negociatat e këshillit Rusi-NATO në Bruksel dhe një takim në Vjenë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku përfshihen Rusia, Ukraina dhe të gjitha vendet e NATO-s.

Ato janë pjesë e një jave tdiplomacie intensive të një niveli të tillë që nuk është parë që nga Lufta e Ftohtë. Presidenti Putin duket i vendosur t’i kthejë bisedimet në një diskutim të të gjithë arkitekturës së sigurisë të Evropës, ndërsa fuqitë perëndimore duket se duan t’i kufizojnë diskutimet.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka paralajmëruar kundër “diskutimeve të pafundme”. Presidenti Putin, ka thënë gjithashtu se ai nuk do që bisedimet të zvarriten për dekada me radhë.

Disa diplomatë perëndimorë dyshojnë se Putini po përpiqet të nxitojë, sepse sfidat e tij mund të dobësojnë vendosmërinë perëndimore dhe të dëmtojnë unitetin e tij.

Por Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën për CNN se qëllimi i Putinit mund të jetë “të rikthejë në sferën e ndikimit rus vendet që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik”.

Ai shtoi: “Ne nuk mund t’i rikthehemi një bote me sfera ndikimi. Ishte një formulë për destabilitet, për konflikt, një formulë që shkaktoi luftra botërore.”

Andrew Marshall i Këshillit Atlantik, thotë se zhvillimet gjeopolitike mund të sjellin ndryshime historike.

“Rezultati i kësaj mosmarrëveshjeje, mund të rishkruajë kushtet e sigurisë në kontinentin evropian për një brez të tërë – ashtu siç bënë vendimet e viteve 1990 pas përfundimit të Luftës së Ftohtë,” shprehet ai në një analizë të fundit.

Taktika perëndimore duket se është përpjekja për të tërhequr Putinin nga synimet e tij dhe për ta bindur të diskutojë për marrëveshje sigurie me interes për të dyja palët.

Analistë të tjerë besojnë se Putini është i fokusuar tek Ukraina dhe kthimi i saj në orbitën ruse dhe se kërkesat më të gjera mbi arkitekturën e sigurisë evropiane janë një rast i asaj që ish-diplomati amerikan Henry Kissinger dikur e përshkroi si tendencë ruse për të “shkelmuar të gjitha dyert për të parë se cilat prej tyre rrëzohen”.

Analisti rus Vladimir Frolov beson se Putini është i vendosur të garantojë që Ukraina të pranojë “përcaktimin e marrëdhënieve të saj me Rusinë sipas kushteve të Rusisë.”

Por ai mendon që edhe përparime më modeste në bisedime janë të pamundura.

“Përshkallëzimi mbetet i mundshëm, për shkak të kërkesave jorealiste që paraqiten me afate artificialisht të kufizuara,” thotë ai.

blank

BE dhe SHBA diskutojnë stacionimin ushtarak të Rusisë rreth Ukrainës

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, diskutuan stacionimin ushtarak të Rusisë rreth Ukrainës gjatë një bisede telefonike të shtunën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Telefonata u realizua përpara takimit të 10 janarit SHBA-Rusi mbi sigurinë, që do të mbahet në Gjenevë.

Borrell dhe Blinken riafirmuan mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe theksuan nevojën që Rusia të ulë tensionet dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjet e Minskut, tha BE-ja në një deklaratë.

Çdo agresion i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të ketë pasoja masive dhe kosto të rënda, thuhet në deklaratë.

Dy shefat e diplomacive kanë diskutuar gjithashtu angazhimet diplomatike dypalëshe dhe shumëpalëshe pas propozimeve të paraqitura nga Federata Ruse në lidhje me pikëpamjet e Moskës për marrëveshjet e sigurisë në Evropë.

Ata kanë nënvizuar partneritetin e qëndrueshëm të SHBA-së dhe BE-së dhe angazhimet e përbashkëta për sigurinë transatlantike dhe për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Ata po ashtu kanë rënë dakord që çdo diskutim për sigurinë evropiane do të bëhet në koordinim dhe me pjesëmarrjen e BE-së, si dhe për të mbajtur kontakte të ngushta në të gjitha fushat prioritare.

Rusia pushtoi dhe aneksoi Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014 dhe mbetet autoriteti de fakto atje. Moska atë vit filloi gjithashtu të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka vazhduar gjatë tetë viteve të fundit.

blank

Kazakistan: Zyrtarëve të sigurisë iu jepet urdhër për të shtëna pa paralajmërim

RFE/RL

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka thënë më 7 janar se ka lëshuar urdhër për zyrtarët e zbatimit të ligjit për të shtëna me armë zjarri pa dhënë paralajmërim, ndërkohë që shteti po përballet me protesta të paprecedentë.

Protestat kanë shpërthyer pesë ditë më parë, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.

Duke folur në një adresim televiziv, Toqaev ka thënë se i ka dhënë urdhër personelit të sigurisë për të shtëna me armë zjarri pa paralajmërim, me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të mëtejmë të situatës.

Sipas tij, ata që refuzojnë të dorëzohen, do të “shkatërrohen”.

Toqaev ka thënë se rregulli kushtetues është kthyer në këtë shtet të Azisë Qendrore, pas disa ditëve të trazirave të dhunshme, për të cilat Qeveria ka fajësuar “terroristët”.

“Rregulli kushtetues në thelb është rikthyer në të gjitha rajonet e shtetit. Autoritetet lokale e kanë nën kontroll situatën”, ka thënë Toqaev, gjatë një takimi për sigurinë më 7 janar, njofton zyra e tij.

“Terroristët vazhdojnë të përdorin armë dhe t’i dëmtojnë pronat e qytetarëve. Prandaj, veprimet kundër terrorizmit duhet të vazhdohen derisa të ketë shkatërrim të plotë të militantëve”, ka shtuar ai.

Protestues dhe policë të vrarë

Ministria e Brendshme ka thënë përmes një tjetër deklarate se 26 “kriminelë të armatosur” janë vrarë dhe më shumë se 3,000 të tjerë janë ndaluar.

Në njoftim është thënë se 18 zyrtarë policorë dhe trupa të gardës kombëtare janë vrarë prej nisjes së protestave.

Protesta vdekjeprurëse në Kazakistan 

Protesta vdekjeprurëse në Kazakistan

Imazhet e publikuara nga ushtria ruse tregojnë trupa ushtarake duke u nisur për në Kazakistan mes protestave vdekjeprurëse antiqeveritare në vendin e Azisë Qendrore. Më 6 janar, gjithashtu, u pa personel i shtuar ushtarak i paidentifikuar që gjuante me armë automatike në qendër të qytetit Almati.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se prej shpërthimit të protestave këtë javë, më shumë se 1,000 persona janë plagosur dhe 400 janë shtruar në spital.

Prej tyre, 62 janë në kujdes intensiv.

Përgjatë javës, protestuesit kanë hyrë nëpër ndërtesa qeveritare, u kanë vënë zjarrin disa prej tyre dhe kanë plaçkitur biznese.

Dhuna më e madhe është raportuar në qytetin më të madh të shtetit, Almati.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Almati, kanë thënë se forcat e sigurisë, disa edhe me pajisje të armatosura, kanë shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve më 6 janar.

Gjatë natës ka pasur raportime për shpërthime dhe të shtëna me armë.

Sipas Shërbimit Kazak të Radios Evropa e Lirë, një numër i paidentifikuar i njerëzve është vrarë.

Si pasojë e përshkallëzimit të situatës, Toqaev i ka kërkuar Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO)– që të ndihmojë në “stabilizimin” e situatës.

CSTO, me bazë në Moskë, përbën një aleancë ushtarake të disa shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik.

Trupat e para ruse kanë arritur shumë shpejt në Kazakistan më 6 janar.

Më shumë trupa ruse do të arrijnë më 7 janar nga Armenia dhe Taxhikistani, derisa edhe Kirgizia mund të dërgojë trupa nëse kërkesa miratohet nga Parlamenti.

Autoritetet është raportuar se kanë bllokuar internetin dhe kanë përkeqësuar sinjalet telefonike.

Mediave, po ashtu, u është kufizuar raportimi.

Në disa pamje që kanë depërtuar jashtë shtetit janë parë makina të djegura dhe ndërtesa të dëmtuara.

Pse shpërthyen protestat?

Vala e protestave ka shpërthyer në rajonin perëndimor, Mangystau katër ditë më parë për shkak të rritjes së papritur të çmimit të gazit të lëngshëm, i cili përdoret për makina në shtetin e pasur me naftë.

Shumë shpejt, protestat janë përhapur edhe në qytete e qyteza tjera nëpër Kazakistan, duke përfshirë edhe pakënaqësi tjera.

Presidenti Toqaev ka fajësuar bandat “terroriste” të trajnuara nga jashtë për dhunën e raportuar.

Ai ka shkarkuar Qeverinë më 5 janar dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi mijëra protestues kundër udhëheqësisë janë përleshur me policinë dhe kanë hyrë në ndërtesa qeveritare.

Protestuesit e zemëruar, disa prej të cilëve kanë pasur shkopinj gome dhe mburoja, kanë nisur zjarr në zyrën e kryetarit të qytetit Almati më 5 janar.

“CSTO me mision të shkurtër”

Në këtë qytet, protestuesit kanë marrë edhe kontrollin e aeroportit dhe për pasojë janë pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet.

Shpejtësia e angazhimit të CSTO-s në Kazakistan, është parë nga disa analistë si shenjë e strategjisë së Kremlinit për të vepruar shpejt edhe për të mbrojtur ndikimin e tij në këtë vend të ish-Bashkimit Sovjetik.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Grushko, është cituar të ketë thënë se trupat paqeruajtëse “janë angazhuar për Kazakistanin dhe janë duke bërë atë që bëjnë aleatët”.

Sekretari i Përgjithshëm i CSTO-s, Stanislav Zas, ka thënë për agjencinë e lajmeve RIA, se numri i forcave paqeruajtëse që do të dërgohet në Kazakistan do të jetë 2,500 dhe më pas numri mund të shtohet sipas nevojës.

Megjithatë, Zas ka thënë se pret mision të shkurtër për vetëm “disa ditë apo javë”.

Ai ka thënë se qëllimi dërgimit të trupave të Organizatës është mbrojtja “e një shteti të rëndësishëm dhe ndërtesave strategjike”, si dhe për të zbatuar ligjin dhe rregullin.

Ai ka shtuar se trupat e Organizatës nuk do të përdoren për t’i shpërndarë protestuesit.

“Trupat paqeruajtëse të CSTO-s kanë nisur të arrijnë në Kazakistan për të ndihmuar në kthim të rregullit. Trupat kanë ardhur për periudhë të caktuar për të siguruar objektet strategjike”, ka thënë zyra e Toqaevit.

Borrell: Të garantohen të drejtat e civilëve

Këto zhvillime të shpejta në shtetin e pasur me naftë, kanë rritur shqetësimet në botë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke monitoruar raportimet për angazhim të trupave nga jashtë dhe ka ngritur pyetje nëse ata janë ftuar në mënyrë legjitime në Kazakistan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore të trazirave, derisa shefi i diplomacisë në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka shprehur ‘shqetësime të thella” për situatën, duke insistuar se duhet të mbrohen të drejtat e civilëve dhe ka dhënë paralajmërime për përfshirjen e huaj ushtarake.

“Të drejtat e civilëve duhet të garantohen. Ndihma e jashtme ushtarake sjell kujtime të situatave që duhen shmangur”, ka shkruar Borrell në një postim në Twitter.

Përgatiti: Krenare Cubolli
blank

Presidenti i Kazakistanit: Rendi kushtetues është vendosur në të gjitha rajonet e vendit

Nur Sultan

Presidenti i Kazakistanit, Kassym Jomart Tokayev, theksoi se rendi kushtetues është vendosur në të gjitha rajonet e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të bërë nga shërbimi për media i Presidencës së Kazakistanit, Tokayev zhvilloi një takim me zyrtarët lidhur me luftën kundër terrorizmit.

Në fjalimin e tij pas mbledhjes Tokayev tha se kanë filluar operacion kundër terrorizmit, duke shtuar se institucionet e zbatimit të ligjit punojnë intensivisht.

“Në përgjithësi, rendi kushtetues u rivendos në të gjitha rajonet e vendit. Autoritetet lokale po kontrollojnë situatën. Por terroristët ende vazhdojnë të përdorin armë dhe të dëmtojnë pasuritë e qytetarëve. Prandaj operacioni kundër terrorizmit do të vazhdojë deri në asgjësimin e plotë të militantëve”, u shpreh ai.

Në njoftim gjithashtu u bë e ditur se njësitë paqeruajtëse të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) kanë filluar të vijnë në Kazakistan.

Çfarë po ndodh në Kazakistan?

Forcat kazake të sigurisë thanë më herët se dhjetëra protestues kanë vdekur teksa tentonin të pushtonin ndërtesat qeveritare në Almaty, metropolin më të madh të Kazakistanit.

Situata thuhet se është nën kontroll në qytetet Shymkent pranë kufirit me Uzbekistanin dhe Aktau që ndodhet në bregun lindor të Detit Kaspik.

Po ashtu, presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka vendosur një shtetrrethim në Almaty, ku mijëra njerëz dolën në rrugë.

Protestat filluan në Kazakistanin perëndimor më 2 janar për shkak të rritjes së çmimeve të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) dhe më vonë u përhapën në pjesë të tjera të vendit.

Për të garantuar sigurinë publike, një gjendje e jashtëzakonshme u shpall në Almaty dhe rajonin e pasur me naftë Mangystau.

Tokaev ka miratuar gjithashtu dorëheqjen e qeverisë.

Ai më vonë kërkoi ndihmë nga aleanca ushtarake e udhëhequr nga Rusia, Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), e cila ra dakord të dërgonte një numër të paspecifikuar paqeruajtësish.


blank
blank
Send this to a friend