“Detyra dhe dinjiteti para çdo gjëje tjetër”
LACORDAIRE (1802 – 1861) Prift domenikan francez
Viti që mbyll dhjetëvjeçarin e dytë të mijëvjeçarit të tretë pas Krishtit, me gjasë do të mbetet ndër më të shënuarit e më të rëndësishmit e pas komunizmit shqiptar. Kjo si përsa i përket zhvillimeve politike të Vendit, si përsa i takon marrëdhënieve të tij me botën e jashtëme. Janari, që në fillim të tij, pati një lajm të mirëpritur për të gjithë shqiptarët kudo ku janë: Shqipëria mori Kryesinë e rradhës të një organizate ndërkombëtare për gjithë rrjedhën e këtij viti.
Është hera e parë në historinë tonë që vërtetohet një dukuri e këtillë. Për të hasur në një ngjarje afërsisht të këtillë duhet të kthehemi në vitin 1464, kur Papa Piu II u vu në krye të ushtrive të bashkuara të një pjese t’Evropës, në Ankona të Italisë, për t’u imbarkuar për në Durrës e për t’i besuar zyrtarisht kryetrimit të Arbërisë komandën e Evropës në luftën për të zbrapsur sulmet otomane mbi kontinentin e krishterë. Fatkeqësisht kreu i Vatikanit u sëmur dhe ndërroi jetë në Ankonë, më 14 korrik 1464, dhe kështu u shua shpresa e Arbërisë për të patur një pjesë t’Evropës në krah të saj në luftën e pabarabartë me perandorinë më të fuqishme të kohës e, ndoshta, për të ndryshuar fatin e saj, por edhe historinë e gadishullit nën prijësinë e saj. Mbas 14 vitesh të asaj ndodhie Shqipëria e Ballkani do të bëheshin pjesë e perandorisë osmane, do të dilnin nga historia e vërtetë e një bote në të cilën për shekuj të gjatë kishin qënë protagonistë absolutë.
Sot jetojmë në kohë krejtësisht të ndryshme, tepër larg epokës së lavdisë arbërore që u pasua nga shekuj dhimbjeje kombëtare, me pasoja dramatike për ecjen e Vendit drejt përparimit. Jetojmë në kohë ndërlidhsinash dhe ndërvartësish ekonomike, sigurie, kulturore, kryesisht ndërmjet Vendeve t’Evropës. Rëndësia e marrjes së kryesisë së OSBE-s do të jetë m’e dukëshme në fundin e këtij viti, kur të bëhet bilanci i veprimtarisë s’asaj kryesie, që nuk duhet të jetë vetëm një ushtrim i thjeshtë kompetencash, në krye të një Organizate prej 57 shtetesh, por duhet gjithashtu të nxjerrë në pah aftësinë tonë si komb e si shtet për të dhënë ndihmesën në proçeset përbashkuese të botës bashkëkohore.
Viti që lamë pas, mund të quhet me të drejtë ”annus horribilis” i jetës sonë shtetërore: jo vetëm se u mbyll me një fatkeqësi natyrore të shkallës së parë, pasojat e së cilës duan kohë, mjete financiare e vullnet të ndershëm për t’u shëruar plotësisht, por edhe për ecurinë, apo më mirë ngërçin që ndaloi politikën shqiptare të plotësonte detyrat e saj kushtetuese. U desh tërmet i stërmadh me pasojat e tij, për të fashitur sado pak kundërshtitë e ndezura mes shqiptarëve të politikës e për të nxjerrë në dukje detyrimin e përbashkët kundrejt njëri tjetrit.
Për të qënë të vetëdijshëm se cila është përgjegjësia e jonë si shtet, n’ushtrimin e fuksionit kryesues të kësaj organizate botërore, duhet të mbajmë parasysh se cila është veprimtaria e saj, fuksionet e synimet e saj, zyrat, komisionet e tematikat e larmishme që trajtohen prej saj. OSBE është një “instrument themelor për paraalarmin, për ndalimin e konflikteve, mbarështimin e krizave dhe rindërtimin e mëpasmë të gjëndjeve të luftës në rajone”. E krijuar në fillim si KSBE (Konferenca mbi sigurinë dhe bashkëpunimin n’Evropë), që u mbajt më 3 korrik 1973 në Helsinki të Finlandës, Vëndet themeluese i vunë vetes detyrën e uljes së tensioneve n’Evropën e ndarë në dy blloqe kundërshtare. Më 1 gusht 1975 u nënëshkrua “Akti përfundimtar”, ku ftilloheshin një sërë parimesh politike që duhej të respektoheshin nga shtetet pjesëmarrës në marrëdhëniet e ndërsjellta e kundrejt qytetarëve të tyre.
Fatkeqësisht politika e verbër, kryeneçe dhe errësuese e Shqipërisë së Enver Hoxhës e la jashtë atë nga ky tubim Vendesh të Lindjes e të Perëndimit evropian. Nuk mund të pajtohej me parimet e asaj konference një Vend ku flitej vetëm për luftë (imagjinare) kundër gjithë botës imperialiste e revizioniste e për luftë të vërtetë kundrejt një pjese të qytetarëve të vet. Është mirë të kujtohen më shpesh nga historianët, që vazhdojnë të sheqerosin diktaturën, dëmet e mëdha që pësoi Shqipëria nga politika donkishoteske e tekat mizore të një kaste të paditur që qeveriste jashtë të gjitha rregullave e vlerave njerëzore, duke u fshehur mbas ”mbrojtjes së parimeve të marksizëm-leninizmit”. I bukur “nacionalizëm”, që ndonjë kalemxhi i vjetër apo i ri, sot valëvit duke i a veshur tiranit si një ndihmesë kombit, ishte ai i veçimit nga bota e i mbajtjes së marrëdhënieve me grushte njerëzish, të panjohur krejtësisht në Vendet e tyre, vetëm se mbanin etiketën e parapëlqyer të udhëheqjes mesjetare të Tiranës.
Ndryshoi krejtësisht gjëndja me tjetërsimin e sistemit. Më 19 qershor 1991 “jetimja e Evropës” u pranua me dashamirësi n’atë organizatë si anëtarja e 35 e saj. “Tani, me demokratizimin e Shqipërisë Evropa u bë më e plotë”, shprehej CNN atëherë, në lajmin që njoftonte ngjarjen.
Veprimtaria e OSBE-s ndahet në tre sektorë themelorë ose, siç përdoret rëndom, në tre “përmasa”: e para është ajo politiko – ushtarake, e dyta ekonomiko – mjedisore dhe e treta njerëzore. E para merret me vështrimet ushtarake të sigurisë, si kontrolli i armatimeve, mbrojtja e kufijve, lufta kundër terrorizmit e siberkriminalitetit. E dyta interesohet kryesisht për temat e energjisë, të zhvillimit ekonomik e të mjedisit, mbi mbarështimin e rezervave ujore e natyrore, mbi mbrojtjen e ekosistemit etj. E treta i kushtohet tematikave të shtetit të së Drejtës, të mbrojtjes së të drejtave njerëzore dhe lirive themelore, të lirisë së shtypit, të të drejave të pakicave etj.
Në këtë kuadër programatik e qëllimor veprojnë tre institucione të pavarura: Zyra për Institucionet Demokratike e të Drejtat e Njeriut (ODIHR), me qendër në Varshavë; Përfaqësia për Lirinë e Medias, me qendër në Vjenë dhe Komisariati i Lartë për Pakicat Kombëtare, me qendër në Hagë.
Kryesia që ka mandat njëvjeçar ka përgjegjësinë e veprimtarisë ekzekutive t’Organizatës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, me mandat trevjeçar, kryen funksionet e përfaqësuesit dhe ndihmësit të Kryetarit në detyrë. Sekretariati me qendër në Vjenë, siguron mbështetjen administrative dhe vepruese t’Organizatës. Organi i zakonshëm, i caktuar për Këshillimet politike dhe proçesin vendimmarrës është Këshilli i Përhershëm, në të cilin marrin pjesë përfaqësuesit e emëruar të të gjithë shteteve. Me pak fjalë, kjo është organigrama, funksionimi dhe synimet e punës së OSBE-s, në kryesinë e së cilës, për gjithë vitin 2020 është Vendi i ynë. Këtë nder që na bëhet, me këtë detyrë që na ngarkohet, duhet të mundohemi t’a kryejmë më së miri, sepse ky rast mund të ndihmojë në përmirësimin e përfytyresës së përgjithëshme të Shqipërisë n’arenën ndërkombëtare e kryesisht n’Evropë. Në nivel të marrëdhënieve politike brënda Vendit, është mirë që të kthehemi në një standart normal, duke zhvilluar pa ndrojtje dialektikën mes forcave të ndryshme, por pa nxitur artificialisht tensionet e mundëshme të politikës. Një hap mbrapa i të gjithë përbërësve të saj, shumicës qeverisëse, opozitës jashtëparlamentare, Kryesisë së Shtetit, do t’ishte mjaft i dëshiruar për të dhënë përshtypjen e një Vendi normal. Në rolin e ri Shteti shqiptar vihet në qendër të vëmëndjes e ka nevojë të domosdoshme të paraqitet si i tillë, për të fuqizuar besimin e të tjerëve e për të bërë të mundur thyerjen e tabusë historike të mosmarrëveshjes së shqiptarëve me njëri tjetrin që, fatkeqësisht, ne e ushqejmë çdo ditë me veprime nga më të ndryshmet.
Rolin më të rëndësishëm në këtë kuadër duhet t’a luajnë organet qeveritare dhe përfaqësuesit e tyre në kryerjen e detyrave përkatëse, por ata kanë nevojë të ndjejnë edhe mbështetjen e gjithë Vendit në shpatullat e tyre, siç duhet të ndodhë gjithmonë kur bëhet fjalë për të dhënë përfytyresën e Atdheut në botën e madhe. Për ata është e domosdoshme një kah i fuqishëm përgjegjësie e urtësie profesionale, një vullnet i madh e një pregatitje e lartë. Duhet vetëdijesimi i plotë se kanë mbi shpatulla një detyrë aspak të lehtë, por plotësisht të realizueshme, se suksesi i tyre është sukesi i Shqipërisë. Në këtë drejtim është e nevojshme edhe një dozë, sado e vogël idealizmi, e aftë të shumfishojë vullnetin dhe përkushtimin ndaj detyrës.
Jashtë motivimit të brëndshëm, mendoj se aktorët kryesorë të veprimtarisë shtetërore, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, duhet të ndihmohen nga një skuadër njerëzish kompetentë deri në shkallën më të lartë. Kjo bëhet e nevojshme sepse vëllimi i punës, me problematikat e 57 Vendeve antare dhe rreth njëzet të tjerëve që kërkojnë të hyjnë e marrin pjesë në mbledhjet si vëzhgues, është i një sasie të madhe dhe e një larmie të pazakontë. Vetëm inventarizimi i këtyre problematikave, studimi i tyre e përpjekja për t’i vënë në rrugën e zgjidhjes, kërkon zotimin e shumë njerëzve në lartësinë e detyrës nga përgatitja intelektuale dhe nga shtati moral.
Në gjëndjen e sotme të të diplomuarve shqiptarë në universitetet e zgjedhura të botës, gjatë këtyre tridhjetë viteve, nuk duhej të përbënte një pengesë aktivizimi cilësor i një grupi pune që t’i përgjigjej plotësisht kërkesave të kësaj veprimtarie. Por, duke mbajtur parasysh kriteret, krejtësisht politike e jo meritokratike, që trashëgimia e mendësisë komuniste e tregëtare ka arritur t’i bëjë zotëruese në ngritjen në përgjegjësi të kuadrove në vitet e kalesës, duke qënë të pranishëm çdo ditë në shfaqje mangësish të theksuara në nivelin kulturor e profesional të përfaqësuesve të jetës politike dhe administrative të Vendit, lind dyshimi se kryesia e rradhës së OSBE-s mund të lerë për të dëshiruar.
Meqë detyra që kemi marrë përsipër më 9 janar nuk mund e nuk duhet të rrezikohet nga mangësi të kësaj natyre, sepse është tepër i rëndësishëm sendërtimi i saj për të gjithë shqiptarët, mendoj se një këshillë modeste për t’a shikuar problemin me sy kritik e kërkues, duke u përpjekur që të aktivizohen njerëzit më t’aftë në botën shqiptare e jo vetëm në nomenklaturat e partive, nuk do t’ishte e padobishme.
Kjo gjë mendoj se i shërben prestigjit dhe emrit të mirë të Shqipërisë e, si e tillë, është detyrë e çdo shqiptari që i don sinqerisht ato vlera, t’u a sugjerojë qeveritarëve të Vendit të tij.
Janar 2020 Eugjen Merlika
Komentet