Nis seanca për Metën dhe Kryemadhin në GJKKO
Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë”.
Ish-deputetja Kryemadhi lexoi kundërshtitë e saj mbi aktakuzën e SPAK.
“Akuza e bazuar në interpretime dhe deduksioneve të mesazheve. Edhe pse SPAK pretendon se seksioni i fibrës optike është parashkruar, e ka vënë në akt-akuzë për të na rënduar pozitat. Akuza paraqet një sms “u firmos nga gjithë ministrat”. Shatku më thotë “shkëlqyer”.
Sipas akuzës, kjo quhet vepër penale. Kjo VKM nuk u miratua nga Ministria e Inovacionit. Një sms i 11 prillit për qëndrimin e Milena Haritos, SPAK citon një komunikim të Adrian Shatkut. Në përmbajtje të tij tregohet mendimi i Adrian Shatkut mbi këtë qëndrim. SPAK ka shkëputur një pjesë të komunikimit që i shërben atyre, edhe pse kronologjia e sms është krejt ndryshe”, tha Kryemadhi.
Gjatë seancës pati edhe debat me gjykatën, e cila i kërkoi Kryemadhit që diskutimi të kufizohej vetëm te faktet që lidhen me objektin e gjykimit dhe jo te çdo komunikim në pajisjet e saj personale.
Kryemadhi: E kemi lënë në faqen 46 të akuzës. Jam e detyruar të bëj një analizë shkencore, ku akuza bën interpretime të ndryshme. Nga komunikimi rezulton vetëm kjo fjali: “U firmos dhe u shpërnda te të gjithë ministrat.” Shatku thotë: “Urime.” Sipas akuzës, ky SMS që u shpërnda tek të gjithë ministrat quhet provë. Por kjo gjë nuk u miratua, atëherë akuza nuk duhet të ekzistojë. Ky debat nuk ishte mbi favorizimin e Unifi, siç pretendon akuza, por për kompetencat. Mesazhi i 11 prillit nuk përmban urdhër politik. Përkundrazi, akuza ka shkëputur vetëm një pjesë. Ka komplet nxjerrje nga konteksti.
Në 19 qershor, Shatku çon SMS: “Ke folur gjë me Ëngjëllin?”
Shatku bën një pyetje. A kishte përgjigje nga unë? Se në telefonin tim janë disa Ëngjëlla. A ka kryer hetim akuza se kush është Ëngjëlli dhe a ka folur Kryemadhi me të? Akuza pretendon se më vonë Ëngjëll Zeqo më nis raport.
Më tej, akuza i referohet komunikimeve mes Shatkut dhe Darien Faber.
Kryemadhi: Të gjithë thonë: “Të kishim shkopin magjik”, po faktikisht shkopin magjik e kishin ca të tjerë. Dokumentet mbështesin tezën se Ardian Shatku e ndiqte vetë komunikimin me investitorët.
Kryemadhi: Askund nuk rezulton një mesazh: “Bëje se do të jap para, bëje se të shkarkova, bëje se të vrava.”
Kryemadhi: Emaili i dërguar Haxhinastos nuk përmban asnjë element ndërhyrjeje. Për rrjedhojë, edhe faqja 47 nuk provon asgjë, sepse është ndjekje e një procedure administrative të Unifi.
Në faqen 48, SPAK lidh teorinë e përfitimit përmes kartës ekspres. Provat përdoren ose në një ngjarje, ose në tjetrën, pra karta ose është përdorur tek Unifi, ose tek Vodafone.
Kryemadhi: Pra bëhet fjalë për komunikimin e 25 shtatorit me Ardian Shatkun. Komunikimi ka dy anë personale mes meje dhe kushëririt. Unë jam në San Marino dhe në 30 faqe komunikimi, në fund shkëpusin një fjali. Siç jemi ne këtu në gjykatë dhe themi një fjali: “Ore, ati, flamingot do vazhdojnë apo jo?” Dhe të merret kjo fjali e shkëputur.
Gjykata: Me sa duket, ju jeni bërë edhe juriste.
Kryemadhi: Po, po, e mësova dhe këtë zanat në pleqëri.
Gjykata: Kur të vijë momenti, do të flasim për provat.
Kryemadhi: Provat shkresore tregojnë se organi i akuzës më numëron qimet e shtëpisë dhe m’i nxjerr në media. Mua, të paktën, do të më japësh kohën të flas një më një. Se në qoftë se këta kanë sjellë 2 mesazhe me Ardian Shatkun, unë do t’i lexoj të 300.
Gjykata: Këtu nuk flitet për gjithçka doni ju. Sipas rregullave procedurale, do të flisni vetëm për faktin objekt gjykimi. Që do të thotë, në atë telefon ju mund të keni 5 mijë emaile, ju do të përmendni çfarë ka për hetimin.
Kryemadhi: Nëse do bëja ashtu, do më duheshin 45 vjet gjykim që t’i lexoja një më një, por kontekstin e emaileve dhe mesazheve në objekt do ta sjell.
Gjykata: Thuaj, kjo është në mënyrë të përmbledhur.
Kryemadhi: E përmbledhur është. Avokatët vijnë e flasin në anën procedurale. Unë di të them se, duke parë dosjen faqe për faqe çdo ditë, më rezulton një provë e re që hedh poshtë çështjen.
Kryemadhi: Më vjen shumë turp që të thonë anëtarët e bordit: “Kujdes se mos na hedh në gjyq ai.” Dhe të çohet drejtori juridik, që sot është ambasador, një gjobaxhi. Më vjen keq.
Gjykata: Mirë, vazhdo.
Kryemadhi: Në dosje ekzistojnë komunikime për komunikime me Edi Ramën. Lind pyetja: përse nuk i kanë marrë? Sepse komunikimet janë Ardian Shatku-Rama-unë? Ku është Ilir Meta këtu? Nga ekspertimi rezultojnë komunikime edhe me funksionarë të tjerë publikë, por nuk janë marrë në konsideratë, ndaj them që analiza e provave është selektive.
Diskutimet zhvillohen në kuadër të një procedure administrative. Nuk ka asnjë rezultat të marrë për shkak të ndërhyrjes sime. Faqja 49 ka përfundim të akuzës mbi komunikime selektive.
Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet seanca e radhës e procesit gjyqësor në ngarkim të Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhit.
Gjyqi ndodhet në fazën e parashtrimeve, teka Kryemadhi lexoi kundërshtitë e saj mbi aktakuzën e SPAK.
Kryemadhi shprehet se prokuroria ka përzgjedhur provat e përfshira në akuzë pasi ka lënë jashtë komunikimet me Edi Ramën, që sipas saj janë edhe më të shumta sesa me Ilir Metën.
“Ekzistojnë komunikime me Edi Ramën, më shumë se komunikime ndërveprimesh me Ilir Metën, pra janë komunikime që tregojnë ndërveprim mes meje e Kryeministrit. Këtu është Edi Rama, pse ndryshon standardi, ose njësoj për të gjitha provat, ose seleksionimi për të shkuar tek akuzë politike. Janë përzgjedhur fragmente që i shkonin akuzës dhe janë përjashtuar ndërveprime të tjera të njëjta si për ato të tjerat. Këto komunikime nuk janë konsideruar në akuzë, megjithëse tregojnë sjelljen time institucionale. Asnjë prej komunikimeve nuk tregon ndikim të paligjshëm. Ato tregojnë se bisedimet ishin në kuadër të një procedure administrative.”, tha Kryemadhi.
Ish-kreu i shtetit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Moika Kryemadhi kanë pretenduar se provat janë marrë në mënyrë të paligjshme duke goditur vlefshmërinë e tyre.
/Pamfleti