VOAL

VOAL

KPA vendos: Kreu i Gjykatës së Lartë shkarkohet nga detyra

July 26, 2019

Komentet

Profili i Mirlinda Karçanajt/ Fijet që e lidhin shefen e AKSHI-t me Ramën

 

Zyrtarja më e lartë grua e shtetit shqiptar e arrestuar deri më tani, Mirlinda Karçanaj, ndonëse një nga njerëzit më të përfolur të kësaj qeverisjeje ka qenë një personazh me profil të ulët në publik.

Përpara se të parakalonte tek dera e SPAK-ut dhe me përjashtim të një konference shtypi të dhënë në krah të kryeministrit Rama, shumëkush që do të këmbehej me të në rrugë, zor se do ta njihte.

E megjithëatë, emri i një prej grave më jetëgjata të pushtetit të rilindjes ka qenë i lidhur me skandalin e vjedhjes së të dhënave të qytetërve shqiptare, për ti përdorur patronazhistët e PS në zgjedhje, ai është lakuar me rënien e sistemit informatik të vendit dhe vjedhjen e të dhënave nga hakerat iranianë, me rjedhjen e pagave të qindra mijra punëonjësve, etj.

Pyetja që shtrohej për të gjithë ata që e njihnin, por dhe për të tjerët që nuk ia identifikonin dot fytyrën është e njëjtë: Si po rreziston kaq gjatë kjo grua?

Disa e lidhnin mbijetesën e saj me afërsinë që ajo kishte me bashkëshorten e kryeministrit. Të tjerë me tenderat që i jepte kunatit të Ramës, Armand Frangu.

Por, në një farë mënyre të gjithë gabohen, pasi lidhja e saj daton shumë më herët, që prej kohës kur ajo punonte në Bashkinë e Tiranës. “Ishte e vetmja që kur Rama ishte i nervozuar i hynte në zyrë dhe arrinte ta qetësonte”, i tregoi Lapsit, një punonjëse e bashkisë, në fillim të viteve 2000, pra në kohën kur Karçanaj punoi si drejtore e Teknologjisë së Informacionit në Bashkinë e Tiranës, nga maji 2007 deri në shtator 2011.

Kur Ramës i vodhën ato dhjetë votat e famshme dhe e nxorën nga bashkia, prej aty u largua edhe ajo, për tiu rikthyer përkohësisht zanatit të saj si lektore në Fakultetin e Ekonomisë. Por ky udhëtim në shkretëtirë nuk zgjati shumë. Me ardhjen e Ramës në pushtet, ajo ishte një nga zyrtaret e para të rikthyera në administratë që në vitin 2013.

Në katër vitet e dyta të pushtetit fuqia që do i jepej asaj do të zmadhohej tepër. Në 2017, Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kaloi direkt nën kontrollin e kryeministrit. Ironia e fatit: kjo lëvizje u bë në emër të luftës kundër korrupsionit për të mbledhur në një dorë të gjithë tenderat për të dixhitalizuar sistemet dhe për të zhdukur rryshfetet e vogla nëpër sportelet e shtetit.

Pas këtij momenti AKSHI do të kryente çdo procedurë prokurimi që lidhej me infrastrukturën e IT për çdo njësi të qeverisë, që nga blerja e kompjuterëve dhe deri te implementimi e mirëmbajtja e sistemeve. Kështu dalë ngadalë, do të krijohej ai që më pas Arben Ahmetaj do ta quante “kopshti privat i kryeministrit”.

Që kur ndodhi ndryshimi i vitit 2017, kjo agjensi, e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, nën vartësi direkte nga Edi Rama ka menaxhuar mbi gjysëm miliardi Euro.

Duke përshkruar këtë hop marramendës gazetarja Ola Xama ka vënë re: “Në 2017-n buxheti i AKSHI-t ishte 5 milion euro, ndërsa për vitin 2026 planifikohet të jetë 189 milion euro, rritje me 38 herë….”. më pas ajo ka komentuar: ” fabula është kjo: nuk marrim më 2 mijë lekë të vjetra për të lëshuar certifikatën, por vjedhim miliona euro me tenderat e sistemeve që do të eliminojnë korrupsionin e administratës së ulët! Qytetarët varfërohen më shumë, por ndihen më pak të vjedhur”.

Kjo para është pak a shumë filozofia që polli atë që po përjetojmë sot duke parë fotot dhe përgjimet e ralizuara nga “kordinatori i Ramës me krimin”, Ergys Agasi.

Dosja e SPAK që ka çuar në arrest shtëpie Mirlinda Karçanajn, për shkelje të barazisë në tendera dhe për pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal tregon se si përdoreshin këto qindra miliona euro: për tendera të paracaktuar, për vendosje të kritereve siç i donin fituesit e percaktuar dhe për pengmarrje ndaj atyre që ankoheshin. Në përgjime dëgjohen fraza të tilla: “tenderi realisht kushton 2 milionë euro, po do e bëjmë 4”.

Si rezultat i kësaj skeme grabitëse, në ngritur nën hundën dhe me bashkëpunimin e Kërçanajt, sipas llogarisë së prokurorëve dyshohet se Ergys Agasi ka futur në xhep rreth 29 milionë euro nga kompani që fituan tendera të AKSHI-t, ndërsa partneri tjëtër i tij Ermal Beqiri, me kompaninë SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.

Të tre këta personazhe rrezulton të jenë takuar disa herë sipas filmimeve që disponojnë prokurorët. Ndonëse është munduar ti relativizojë këto takime drejtoresha e AKSh-it nuk i ka mohuar ato në dëshminë e saj të dhënë për SPAK: “As nuk pi kafe dhe as nuk rri apo të shoqërohem me ndonjë operator ekonomik jashtë zyre. Ka patur një rast ku kam takuar një operator ekonomik të cilin e kam takuar rastësisht në zyrën e një të njohuri tim, të cilin e kisha takuar për një kafe në zyrën e tij, për shkak të një konsulence private, konkretisht në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, me të cilin kam njohje të vjetra, të cilin e kam takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private. Ergysi do të bënte një partneritet që donte të bënte me një kompani izraelite, dhe më pyeti për një zgjidhje teknike. Në këtë ambient ka qenë dhe shtetasi Ermal Beqiri, i cili rezultoi në mënyrë rastësore prezent në këtë takim” është rrefyer ajo.

Ndërkohë, duke lexuar mbi 200 faqet e dosjes të detajuar të SPAK me provat e kësaj bande të dyshuar si kriminale, të lind një pyetje: Ku e gjenin ata guximin të vidhnin ditën për diell dhe të shkonin deri aty sa të rrëmbenin njerëz? Kush ia jepte fuqinë për të përdorur si shantazhues oficerë të lartë policie, apo pushtetin për të kontrolluar aplikimet e tenderave përmes Komisionit të Prokurimit Publik?

Vetëm kur shtron këtë pyetje e kupton ata që nuk gjendet mes rreshtave të dosjes së SPAK. Erdys Agasi është tashmë i njohur botërisht si eminenca gri e Edi Ramës në mbajtjen e lidhjeve me krimin. Ajo që bashkëpunonte me Agasin, Kërçanaj qe njeriu që u mor nga rama nën vartësinë e tij personale, për të menaxhuar një fond 540 milionë euro (nga 2017 deri sot). Prandaj profili i drejtoreshës së AKSH, që prej 2011 kur ajo filloi punë në bashkinë e Tiranës shërben shumë për të kuptuar gjenezën e batërdisë që na ka shpërthyer sot para syve./Lapsi.al/

U arrestuan në tubimin kombëtar të PD! Gjykata konsideron të paligjshëm ndalimin, lirohen 4 protestuesit

Katër protestues të Partisë Demokratike, të arrestuar gjatë protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet janë liruar pasi gjykata e cilësoi të paligjshëm arrestimin.

Gjykata vendosi: 1. Konstatimin e paligjshmërisë së arrestimit te kater protestuesve. 2. Urdhërimin e lirimit te menjëhershëm të tyre. 3. Rrëzimin e kërkesës për vendosje masë sigurimi.

Ngjarja ndodhi gjatë protestës së organizuar nga PD-ja, ku qytetarët u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë ndaj skandaleve të qeverisë. bw

“Surreli është zonë krimi”- Berisha nxjerr fotot: Ergys Agasi ka qenë në shtëpinë e Ramës, policia i ka gjobitur makinën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar prova që sipas tij në datën 15 dhjetor, Ergys Agasi ka qenë në shtëpinë e Edi Ramës në Surrel.


Berisha në një deklaratë për mediat tha se “Surreli është zonë krimi”, pasi sipas tij çdo tullë në shtëpinë e kryeministrit është e vjedhur.

Po ashti Berisha me dokumente tregon se në disa raste makina e Ergys Agasit ka qenë në Surrel, madje i janë vendosur edhe gjoba nga ana e policisë.

Kyreopozitari tha se është fyerje per shqiptaret qe Edi Rama te vazhdoje te qëndrojë ne pushtet.

“Është kapur në zonën e krimit. Surreli është zonë krimi, sepse çdo tullë është vendosur në vjedhje, e kanë paguar qytetarët shqiptarë. Çdo metër katror aty është e vjedhur ndaj dhe opozita e ka shpallur atë zonë krimi. Ky tani…ja ku është dëshmia. Ka lënë makinën aty. Ja morën apo jo me karotrec këtë nuk do ta them, por aty nuk mund të parkojë askush.

Ajo që flet më shumë se cdo gjë tjetër janë fitimet 22 mln herë më shumë brenda 4 muajve sesa kapitali fillestar i investuar ne EA Solution

Nuk ka provokim më të madhe se shqiptarët. Nuk ka fyerje më të madhe sesa Rama qëndron në pushtet”, tha Berisha. gsh

gjobat per agasin

Në bashkëpunim më SHBA, Shqipëria pajiset me sistemet raketore Javelin

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë përfituar sistemet moderne të mbrojtjes Javelin, falë bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Lajmin e ka dhënë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ndër të tjera, shprehet se Javelin-ët do të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura shqiptare, rrisin parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.

“Ardhja e sistemeve , falë bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik SHBA, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare”, shprehet Vengu. gsh

 

Katër të arrestuar për protestën e opozitës, Berisha: Dy prej tyre kishin ardhur si turistë nga Kosova, njëri ishte djali i një ish-luftëtari të UÇK

Kreu i PD-së, Sali Berisha theksoi se dy nga personat e arrestuar për protestën e djeshme ishin turistë nga Kosova dhe nuk kishin lidhje me protestën.

 

Sipas tij, njëri prej tyre ishte djali i një ish luftëtari të UÇK-së. Berisha tha se ai ishte arrestuar vetëm se ai kishte bërë foto me të. Kryedemokrati kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.

“Janë ndaluar 10 nga të cilat 4 janë arrestuar. Këta dy prej tyre janë kosovarë, turistë të ardhur dhe janë arrestuar nga policia sapo kanë marrë vesh se janë kosovarë për të mundur me akuzuar edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta.

E vërteta është që këta të dy kanë ardhur si turistë. Kanë qenë këtu pas protestës, në mos gabohem. Kanë bërë foto. Njëri më tha se jam djali i një luftëtari të UÇK.

Bëra foto me të. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tyre dhe paralajmëroj policinë që të mos prekë me dorë protestuesit se ata po luftojnë kundër hajdutëve të kombit, e kriminelëve në detyrë.”, tha Berisha.  Panorama

“Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri”- Berisha: Publikojmë librin me 1500 faqe, dokumenton dhunimin e votës

Partia Demokratike ka publikuar sot librin me mbi 1500 faqe që sipas tyre dokumenton vjedhjet në zgjedhjet e 11 majit.


Kreu i PD-së, Sali Berisha tha se ky libër është quajtur “Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri”.

Libri është realizuar sipas Berishës falë një punë të jashtëzakonshme të strukturave të Partisë Demokratike.

“Jemi këtu para jush, para shqiptarëve publikimin e PD, të cilin kësaj herë kemi preferuar ta quajmë “Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri”.

Ky dokument i hartuar mbi 1500 faqe dhe mbi 2000 e ca prova, dokumente, video, fotografi. Një punë e jashtëzakonshme e strukturave të PD, të cilat kanë mbrojtur votën duke identifikuar cdo shkelje ligjore, cdo dhunim të votës, cdo ndërhyrje e krimit etj”, tha Berisha. gsh

“Balluku ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve, gjendja e lirë të pandehurës paraqet rrezik”- Bardhi lexon kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit: E pandehura mund të asgjësojë provat dhe të arratiset

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe deputetët e tjerë anëtarë në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve morën pjesë në mbledhjen që ata vetë e kishin thirrur, por PS nuk mori pjesë.

 

Gazment Bardhi tha se anëtarët e PS në Këshillin e Mandateve po bëhen avokatë të Belinda Ballukut.

Ai lexoi edhe një pjesë nga kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit, ku sipas tij është urgjente mbledhja dhe shqyrtimi i çështjes së mandatit të Ballukut.

Sipas Bardhit, SPAK thotë se Balluku ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve, konkretisht ndaj një vartëse të saj. Po sipas Bardhit, referuar kërkesës së SPAK, e pandehura Balluku mund të prishë dhe asgjesojë provat dhe mund të largohet.

“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer ky kuvend gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mbledhë Këshillin e Mandateve.

Unë për herë të parë dua tju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bëjnë të ngutshme mbledhjen.

Balluku që ka interes për të zvarritur cështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 mld eurove.

SPAK ka argumentuar se “në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartësja të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku. Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik real. Ekziston mundësia që ajo të asgjesojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”, tha Bardhi. Panorama

Balluku e “zënë” duke fshehur milionat e vjedhura, BE skualifikon qeverinë shqiptare nga Ministeriali i Energjisë

Qeveria shqiptare është skualifikuar nga Ministeriali i Energjisë së BE-së. Më 18 dhjetor, ky ministral ka vendosur të ndëshkojë qeverinë shqiptare për shkak të detyrave që Belinda Balluku ishte zotuar të realizonte në sektorin e energjisë, por siç duket nuk ka mundur ti realizojë pasi ka qenë e “zënë’ duke fshehur milionat që ka vjedhur.

Sipas dokumentit të Ministerialit të Energjisë, Shqipëria nuk ka miratuar dhe zbatuar ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për t’u përputhur me Direktivën e Bashkimit Europian, që lidhet me përgatitjen për rrezikun në sektorin e energjisë elektrike.

“Shqipëria nuk ka transpozuar ende Rregulloren (BE) 2019/941 dhe as ka caktuar një autoritet kompetent për përgatitjen ndaj rreziqeve, pavarësisht se afatet përkatëse kanë përfunduar më 31 dhjetor 2023 dhe 5 janar 2023.“- thuhet në vendim.

Rregullorja (BE) 2017/2196 gjithashtu nuk është transpozuar ende. Shqipëria nuk ka paraqitur Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit me Energji Elektrike pranë Sekretariatit, pavarësisht detyrimit të saj sipas nenit 29 të Traktatit.

“Zhvillimet kryesore në fushën e sigurisë kibernetike në Shqipëri përfshijnë miratimin në vitin 2024 të Ligjit të ri gjithëpërfshirës nr. 25/2024, i cili është pjesërisht i harmonizuar me Direktivën e BE-së për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit (NIS2) dhe pasqyron standarde më të gjera evropiane. Përveç kësaj, është krijuar Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), për të mbikëqyrur dhe koordinuar përpjekjet e vendit në fushën e sigurisë kibernetike”, vlerëson raporti.

Vendimi i Ministerialit të Energjisë mendohet se lidhet me tre projekte ku Balluku është investuar personalisht, si TEC-i i Roskovecit, ku dyshohet si investitore edhe një korporatë ruse, anijet energjitike “Tigrat” në Vlorë dhe destabilizimi i linjave të interkonjeksionit europian për shkak të marrëveshjeve korruptive.

Bashkimi Europian ka vendosur se qeveria shqiptare duhet të raportojë gjatë vitit 2026 se çfarë hapash do të ndërmarrë në korrigjimin e problemeve të konstatuara në politikat e energjisë.

“Shqipëria duhet të marrë të gjitha masat e duhura për të ndrequr shkeljen e identifikuar në nenin 1 dhe për të siguruar menjëherë pajtueshmërinë me ligjin e Komunitetit të Energjisë. Shqipëria do të raportojë rregullisht në Sekretariat dhe në Grupin e Përhershëm të Nivelit të Lartë në lidhje me masat e marra në vitin 2026” – theksohet në vendimin e Ministerialit të Energjisë së Bashkimit Europian.

Nëse shkeljet e Shqipërisë nuk janë korrigjuar deri më 1 korrik 2026, Sekretariati ftohet të fillojë një procedurë sipas nenit 92 të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, që parashikon pezullimin e disa të drejtave që rrjedhin nga zbatimi i këtij traktati për palën përkatëse, duke përfshirë pezullimin e të drejtave të votimit dhe përjashtimin nga mbledhjet ose mekanizmat e parashikuar në këtë traktat./boldnews.al

foto galeri

U paraqit në SPAK, Olta Xhaçka në Prokurorinë e Posaçme për hetimet në Portin e Limionit

Deputetja e Partisë Socialiste dhe ish ministrja Olta Xhaçka është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.


E pyetur nga gazetarët Xhaçka nuk dha asnjë koment, por mësohet se ajo është thirrur për hetimet mbi Portin e Limionit.

Hetimi nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive.

Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë. gsh

BIRN:Manipulime, zhvatje dhe pengmarrje: Grupi kriminal pas ‘Shqipërisë digjitale’ të Ramës

Paraditen e 12 gushtit 2025, Gerond Meçe, aksioner i një kompanie të teknologjisë në Tiranë, zbriti si zakonisht nga apartamenti i tij me një çantë të zezë në dorë dhe një çantë të dytë në shpinë. Pasi bëri pak hapa në drejtim të makinës së tij të parkuar, ai hapi bagazhin dhe po sistemonte çantat, kur një fuoristradë e zezë “Range Rover Defender” me xhama të errët i preu rrugën dhe u ndal pranë tij.

Nga fuoristrada zbriti një burrë i veshur me uniformë blu me mbishkrimin “BKH” dhe i thirri në emër.

“Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne,” i tha ai duke hapur derën e pasme të makinës. I bindur se po thirrej nga organet e drejtësisë, Meçe nuk bëri rezistencë. Por iluzioni i ndalimit nga SPAK zgjati vetëm pak minuta.

Sapo makina u largua nga zona e banuar, “oficerët” i vendosën Meçes një kapuç të zi në kokë dhe morën rrugën e vjetër të Krrabës në drejtim të Elbasanit. Në rrënojat e një godine të braktisur në afërsi të fshatit Graçen, maskat ranë dhe jelekët e BKH-së u zëvendësuan me pistoleta të drejtuara në kokë.

Pengmarrësit e Gerond Meçes, që SPAK i lidh me organizatën kriminale “Çopja”, i dorëzuan atij një zarf të bardhë që përmbante një tabelë në Excel me një listë të detajuar tenderash publikë, procedura të ankimuara nga kompania e Meçes, “Advanced Business Solutions” ABS, pranë Komisionit të Prokurimit Publik, KPP.

“E njeh këtë letër?”, e pyetën rrëmbyesit. Mesazhi ishte i qartë: Tërhiqu. “Në të kundërt ke plumbin në kokë”.

Ultimatumi zbuloi se pas rrëmbimit mafioz fshihej lufta për milionat e tenderave publikë në fushën e teknologjisë, kryesisht të prokuruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe rivalin e Meçes në biznes, Ermal Beqirin për organizimin e pengmarrjes së tij me qëllimin zhdukjen e një pengese në kontrollin e tenderave me vlerë dhjetra milionë euro të AKSHI.

Hetimi është shumë më i gjerë dhe nxjerr në sipërfaqe simbiozën mes krimit të organizuar dhe drejtueseve të AKSHI në shpërndarjen e tenderave të teknologjisë; për të mundësuar përzgjedhjen e fituesve dhe devijimin e dhjetra milionë eurove në llogaritë e Ergys Agasit – një ish funksionar publik i dorës së dytë, i akuzuar nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj si koordinatori i Ramës me krimin e organizuar.

Përveç Agasit dhe Beqirit, Prokuroria e Posaçme akuzon drejtoreshën jetëgjatë të AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të AKSHI.

Vendimi i gjykatës për masë sigurie sugjeron se Agasi komandonte dyfishimin e kostove për tenderat publikë, eliminonte përmes kërcënimit dhe korrupsionit rivalët dhe menaxhonte pastrimin e parave përmes një kompanie fiktive dhe një distributori çokollatash të lira turke.

Të dhënat e SPAK dëshmojnë se vetëm në periudhën dhjetor 2024 – shtator 2025, kompania e dyshuar fiktive në pronësinë e Agasit, EA Solution, arkëtoi rreth 29 milionë euro nga kompani që fituan tendera të AKSHI-t.

“Të gjitha sa sipër, krijojnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se, personat nën hetim Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë kryer veprat penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, në kuadër të një formacioni të posaçëm, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, citohet në vendimin e GJKKO prokurori Bledar Maksuti, i cili po heton dosjen.

Agasi e Beqiraj janë tashmë në arrati dhe nuk qenë të arritshëm për koment, ndërsa studioja ligjore “Beçi & Partners” që po mbron drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj tha se do të ketë një qëndrim pasi të njihet me materialet e dosjes.

“Modus operandi”

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masë sigurimi e bën të qartë që grupi nën menaxhimin e Agasit nuk e kishte për herë të parë që përdorte dhunën për të futur duart në fondet publike.

Për të ilustruar mënyrën e operimit, prokurori përmend një ngjarje të pahetuar të vitit 2019  me personazhe ish-deputetin e dënuar në aferën e inceneratorëve, Alqi Bllako dhe Agasin që kishin në shenjestër një koncesion në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pengesa në këtë rast, sipas vendimit, ishte ministri i kohës, Damian Gjiknuri dhe Agasi i shkruante Bllakos: “Do ja q* robt, do fusim çunat pastaj”, duke nënkuptuar ndonjë grup kriminal.

Prokuroria thotë se ky rast ilustron “modus operandi” të Ergys Agasit.

“Kjo rrethanë lidhet dhe me pengmarrjen e shtetasit Gerond Meçe, pasi ai gjithashtu si në rastin e shtetasit Damian Gjiknuri, kishte krijuar “pengesa”, nëpërmjet ankimimeve të shumta pranë KPP-së,” arsyeton Prokuroria.

Dosja hetimore shkon përtej përdorimit të dhunës, që ishte akti i fundit në mekanizmin e përvetësimit të fondeve publike. Sipas vendimit, Agasi regjistronte bisedat me ortakët dhe zyrtarët publikë në zyrën e tij pranë “Vesa Center” në Tiranë – regjistrime që ndodhen tashmë në duart e SPAK.

Prokuroria liston dhjetëra screenshot nga video të sekuestruara në zyrën e Agasit, ku flitet për fiksimin e tenderave publikë.

Në bisedat e cituara në dosje, Agasi cakton kriteret e tenderave dhe po ashtu haptazi fryn fondet limit që duhen për kryerjen e punëve. Në një takim të datës 16 mars 2024 mes tij, Karçanajt dhe Beqirajt, Agasi citohet të thotë: “Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.

“Nga këqyrja e pamjeve filmike, arsyeshëm krijohet bindja mbi lidhjet me interes që kanë këta shtetas me njëri-tjetrin, e cila, nga analizimi i përmbajtjes së bisedave të transkriptuara, krijon dyshimin e arsyeshëm mbi realizimin e një skeme kriminale në funksion të paracaktimit të procedurave të prokurimit, krijimit të avantazheve dhe përfitimit të paligjshëm prej tyre,” arsyeton prokuroria.

Edhe dëshmitë e marra nga punonjësit e AKSHI dhe të dhënat nga dokumentacioni për tenderat, provuan sipas prokurorisë se vlerat e tenderave fryheshin dhe kur ishte e nevojshme tenderat fshiheshin pas emërtimeve “sekret” dhe “të klasifikuar”. Duke iu referuar kësaj situate, prokurori citon edhe biznesmenin nën hetim Gëzim Hoxha, i cili ka pranuar në dëshmi se një projekt për të cilin ai paguante EA Solution të Agasit si bashkëpunëtor, kostoja ishte vetëm sa gjysma e vlerës.

“Duke u nisur nga vlera e fondit limit dhe shpenzimeve të mia, mund të them se kanë qenë rreth 50% e vlerës, për blerjen e këtyre moduleve ose si shpenzime në tërësi…”, citohet Hoxha.

Në dosje identifikohen 19 procedura tenderimi ku dyshohet se grupi ka futur duart në një formë apo një tjetër. Prokurori i ndan ato në tre kategori; procedurat e shpallura në kohën e takimeve mes Agasit, Karçanajt dhe Beqirit; procedurat e prokurimit për të cilat Gerond Meçe u detyrua të tërhiqej nga ankimet si dhe procedurat për të cilat dyshohet se janë bërë pagesa fiktive në drejtim të subjektit “EA Solution” sh.p.k., në pronësi të Agasit.

Bazuar në vlerat e përmendura në vendimin e gjykatës dhe dokumentet për tenderat që gjenden online, vlera e këtyre kontratave pa TVSH është rreth 5.9 miliardë lekë apo 59 milionë euro.

Prokuroria thotë se tenderat manipuloheshin për t’u fituar nga kompania “Soft& Solution” e Beqirajt, kompania “Fastech” e Andis Papës dhe kompania First sh.p.k e Gëzim Hoxhës.

“Nga analiza e këtyre dy procedurave të prokurimit, në harmoni dhe me shpjegimet e punonjësve të shoqërisë “EA Solution”, krijohet bindja se këto procedura prokurimi, fitohen nga subjektet e kontrolluara nga shtetasi Ermal Beqiri, në bashkëpunim me shtetasin Andis Papa, fitimet e të cilave, i kalohen në mënyrë fiktive subjektit “EA Solution”, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi”, thotë prokuroria duke iu referuar procedurave nën hetim.

Pagesa fiktive për çibukë e çokollata

Ergys Agasi gjatë dëshmisë së tij në SPAK. Foto: LSA.

Në hallkën e fundit, Prokuroria thotë se ka zbuluar se përtej manipulimit të procedurave, palët në proces u përfshinë në pastrim parash dhe faturime fiktive.

Edhe pse Agasi rezulton pronar i EA Solution, kjo e fundit funksionon brenda zyrave të kompanisë së Beqiraj dhe asnjë prej punonjësve të pyetur nuk e di që Agasi është pronar dhe as që punojnë për këtë kompani.

Punonjësit thonë se u intervistuan nga “Soft&Solution” dhe ishin habitur që rezultonin në listpagesat e EA Solution. Vetë administratorja e kompanisë së Agasit pranon se punëtorët e tyre menaxhoheshin nga burimet njerëzore të kompanisë së Beqirit.

Pasi mori në më pak se një vit 29 milionë euro nga kompanitë e Beqirit, Papës dhe Hoxhës, kompania EA Solution shpenzoi vetëm 30 mijë euro për blerjen e një makine luksoze, duke dëshmuar se nuk kishte aktivitet real.

Në një operacion paralel për transferim dhe pastrim parash, në skemë është përfshirë edhe një kompani import-eksporti nën pronësi të Rogers Rrytës.

Kompania ka aktivitet të kufizuar në importin e veshmbathjeve dhe produkteve ushqimore nga Turqia. Vetë aksioneri e pranon se praktikisht ajo sjell dhe shpërndan çokollata e çibukë. “Gjatë kohës që ka qenë administrator i kompanisë ka pasur marrëdhënie tregtare me kompanitë “Fastech” sh.p.k. dhe “Soft & Solution” sh.p.k. për tregtimin e çokollatave dhe biskotave”, citon prokuroria deklarimin e Rrytës.

Por çuditshëm, kompania ka kontrata mbi 10 milionë euro për “zgjidhje teknologjike” dhe “për aplikacione kompjuterike”.

Administratori i “Fastech”, Andis Papa është i bindur që nuk ka blerë çibukë nga kjo kompani, edhe pse ajo nuk shet tjetër gjë.

“Shtetasi Andis Papa u pyet edhe lidhur me bashkëpunimet me shoqërinë “Mega Distribution” sh.p.k., për të cilën ai deklaroi se: “…Po, kam bashkëpunuar përpara vitit 2020, kam bashkëpunuar me këtë shoqëri, gjithnjë në fushën e teknologjisë dhe informacionit…””, citohet Papa.

Shteti digjital në duart e krimit

Pengmarrësit e veshur me uniforma të sajuara policie që rrëmbyen biznesmenin Gerond Meçe nuk janë identifikuar ende, por hetimet gjetën se makina që ata përdorën i përket kompanisë Merkaj 3 sh.p.k. në pronësi Endri Merkaj. Për SPAK, ky i fundit dhe vëllai i tij Klajdi Merkaj, nuk janë figura të panjohura.

“Nga burimet e hapura është verifikuar fakti se shtetasi Endri Merkaj, së bashku me vëllain e tij Klajdi Merkaj, janë lidhje me interes të shtetasve Arjan Ormenaj dhe Arben Lamçe, pjesë e grupit kriminal “Çopja,”, thuhet në dosjen hetimore.

Klajdi Merkaj është dërguar ndërkohë për gjykim në një procedim të lidhur me vëllezërit Çopja dhe akuzohet se kreu pastrim parash për llogari të tyre duke përdorur kompanitë e tij të ndërtimit.

SPAK thotë se kjo nuk qe e vetmja lidhje mes palëve, sepse në zyrën e Agasit u sekuestruan kontrata shitjeje pasurish të paluajtshme që po ashtu të çonin te lidhja dhe kontakti me Çopjat.

“Këto të dhëna, në përputhje dhe me deklarimet e shtetasit Gerond Meçe, i cili shpjegon se ka konstatuar se dy nga personat që e kishin rrëmbyer kishin dialekt nga zona e Elbasanit, madje njëri prej tyre i kishte thënë se po ta shihte në Elbasan, do ta përshëndeste”, thuhet në dosje.

Në dëshmitë e marra nga SPAK, Andis Papa, administratori i kompanisë “Fastech” pretendon se nënshkroi kontrata me vlerë mbi 1.5 milion euro me kompaninë EA Solution të Agasit, pa takuar kurrë qoftë edhe një përfaqësues të vetëm të kësaj kompanie. Tenderat e fituar nga Beqiri dhe Papa prekin drejtpërdrejt infrastrukturën kritike digjitale.

Të 19 tenderat që janë nën hetim prekin drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë qytetarët, pasi kanë të bëjnë me dokumente identifikimi, nënshkrimin digjital e të ngjashme, deri te siguria ushqimore e ajo e barnave. Ndërkohë, këtyre kompanive u është dhënë akses dhe u është lejuar të ndërtojnë sisteme për sigurinë e burgjeve apo sisteme të Policisë së Shtetit.

Sipas hetimeve të SPAK, të gjithë tenderat sensitivë u lanë në duart e një grupi, që kur mori peng Meçen përcolli mesazhin: “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti”./BIRN

PS kërkoi përjashtimin e 29 deputeteve, por u ndëshkuan vetëm 6 demokratë, Manja: Ja pse u tërhoqëm

Partia Socialiste kishte kërkuar përjashtimin e 29 deputetëve të Partisë Demokratike, për shkak të tensionit dhe kaosit në seancën e fundit parlamentare.

 

Për në mbledhjen e sotme të Sekretariatit të Etikës, PS u tërhoq për 26 deputetë, mes tyre edhe për Berishën dhe Bardhin, të cilët nuk u përjashtuan.

PS mori vendimin që të përjashtojë për 30 ditë punë 6 deputetë, Belind Kelliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Klevis Balliu, Flamur  Noka dhe Elda Hoti.

“Sot erdhëm u mblodhëm për të dhënë edhe masat përkatëse, në përfundim sekretariati vendosi që për 6 deputetë nga ata që u propozuan të përjashtohen për 30 ditë pune, kur të fillojë seanca.

Belind Kelliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Klevis Balliu, Flamur  Noka dhe Elda Hoti kanë kryer veprime të dhunshme.

Ndërsa të gjithë deputetët e tjerë, për të cilën u propozuan 30 dhe 10 ditë nga punimet e Kuvendit, Sekretariati vendosi që këtë radhë të mjaftohet vetëm me tërheqjen e vëmendjes”, tha Manja per mediat. Panorama


Send this to a friend