VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kosova dhe Mali i Zi në proces të shënjimit të kufirit në terren

By | June 6, 2018

Komentet

Vjosa e ka pas vetes gjithë LDK-në, e kalon Albinin e vitit 2017 (tabela)

Është kandidatja më e votuar e këtyre zgjedhjeve në Kosovë.

Vjosa Osmani në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’ia sjellë Lidhjes Demokratike të Kosovës 162 mijë e 209 vota, duke e lënë pas kështu Albin Kurtin e Vetëvendosjes i cili në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 kishte arritur t’i mbledhë 143 mijë e 642 mijë vota duke qenë lideri më i votuar në vend.

Por, situata ka ndryshuar në këto zgjedhje. Vjosa Osmani, si kandidate nga LDK-ja për kryeministre ka arritur të marrë rreth 20 mijë vota më shumë se sa Albin Kurti në vitin 2017.

Nga 200 mijë votat sa llogaritet t’i ketë LDK-ja në zgjedhjet e 2019-s, Vjosa Osmani ka arritur që t’i marrë 162 mijë e 209 vota.

Jeta e shqiptarëve në komunën e Medvegjës

Medvegja është një nga tri komunat e banuara me shqiptarë në jug të Serbisë. Shqiptarët atje, të mbetur të paktë në numër, ankohen për trajtim jo të barabartë nga shteti serb, ndërsa thonë se presin trajtim më serioz nga qeveria e re e Kosovës, të cilës tashmë i bëjnë thirrje të zbatojë reciprocitet në raport me serbët e Kosovës. Korrespondentja jonë, Edlira Bllaca, vizitoi Medvegjën.

Shifrat alarmante, Shqipëria po shpopullohet, banorët e fshatrave të shqetësuar: S’ka kush na varros

Prej 30 vitesh, nga Shqipëria janë larguar rreth 1 milion e gjysmë qytetarë të saj. Më shumë se gjysma e qytetarëve që jetojnë në Shqipëri. Rreth 2.862.427 banorë ka sot Shqipëria. Referuar statistikave, prej këtij numri kanë dëshirë të largohen nga 50% e tyre. Janë tri valë të emigracionit në Shqipërinë e pas vitit 1990.

E para, i përket vitit 1991, kur mijëra shqiptarë u sulën drejt brigjeve italiane me anije. Emigracioni vazhdoi edhe pesë gjashtë vitet që pasuan, por me shifra më të ulëta. Në vitin 1997, kur Shqipëri u përfshi nga kaosi, pati një tjetër valë largimesh. Pas vitit 1998, ra ndjeshëm fluksi i emigracionit për t’u rikthyer pas liberalizimit të vizave.

Vala e tretë i përket vitit 2011-2018. Fluksi në rritje i vitit 2011-2012 lidhet më së shumti me liberalizimin e vizave dhe hapjen e kufijve për shqiptarët. Është e ndryshme statistika e viteve që pasuan, sidomos vitit 2015 ku ka një numër shumë të madh të emigracionit për të vazhduar edhe sot në vitin 2019.

Nuk sheh të rinj rrugëve të fshatit. Oborret janë bosh, s’ka fëmijë atje duke lozur. Më së shumti sheh ndonjë të moshuar tek ecën për tu takuar me ndonjë prej miqve të pakët që i ka mbetur në fshat….Ky është Shishtaveci këto ditë vjeshte të vitit 2019.

Banorë në Shishtavec: “Jemi rreth 50 pleq e plaka që jetojmë në këtë fshat. Fëmijët kanë ikë. S’kanë me se të ushqehen këtu. Të gjithë kanë ikë… edhe unë që jam 67 vjeç do të ikja pot ë mundesha. Jemi vetëm ne… s’ka kush na varros.”

Dyert janë të kyçura. Ka porta që prej vitesh nuk hapen. Janë larguar në emigracion. Fshati është thuajse i boshatisur. Sipas censusit të vitit 2011 Shishtaveci ishte një ndër zonat më të populluara të qarkut të Kukësit me një popullsi prej rreth 3800 banorë. Tani atje kanë mbetur vetëm të moshuar që jetojnë të vetmuar.

“Nuk ka qenë e nuk është dëshira e të rinjve të asaj zone të braktisin prindërit dhe të largohen. Padyshim që i kanë bërë përpjekjet për të ndërtuar jetën në trojet e tyre. Por politikat qeveritare jo vetëm që nuk I kanë stimular, por i kanë penguar”, shprehet Angjelo Masafra.

“Deri para dy vitesh i kisha këtu fëmijët. Kishim një dyqan por na e mbyllën. S’kishin me se të jetonin dhe ikën. Katër fëmijët e mi janë në Angli e Austri. Nuk deshën të ikin por s’kishin rrugë tjetër”, rrëfen një tjetër banorë i fshatit Shishtavec.

Ende të parritur, fëmijët e pakët të mbetur në Shishtavec për shkak të pamundësisë së prindërve për t’u shpërngulur, duan gjithashtu të ikin. Nuk parashohin asnjë stacion tjetër ndërmjet Shishtavecit dhe Londrës. Nuk duan as të ndalojnë nëpër qytetet e vendit të tyre. Dëshira e tyre është vetëm të ikin atje ku bashkëmoshatarët e tyre prej vitesh jetojnë me familjet.

Profesor Prof. Russel King, Drejtor i Qendrës Sussex për Kërkime mbi emigracionin, e njohur në të gjithë botën, ishte në krye të një studimi për emigracionin në Shqipëri por edhe vende të tjera. Për Shqipërinë, profesor Russel King shpjegon se emigracioni nuk është vetëm për shkak të varfërisë, por nga Shqipëria po largohen njerëzit e saj më të kualifikuar. Me pak fjalë, ai pranon se Shqipërisë po i ikën truri.

“Po, e vërtetë. Shqipërisë po i ikën truri, po i ikin përvoja dhe kualifikime të nivelit të lartë. Por kjo dukuri nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore. Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e emigrimit të njerëzve që kanë mbaruar universitetin, i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë. 57 % e grupmoshës 18- 40 vjeç synojnë të emigrojnë. 46 % e atyre që nuk kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë. 72% e emigrantëve të kthyer, pra e atyre që kanë qenë njëherë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri. Rreth 1.4 milion vetë, pothuajse gjysma e popullsisë së tanishme të Shqipërisë, ka emigruar në Europën Perëndimore”, thotë profesor Rasëll King për DW.

Revista Monitor raporton se pak javë më parë, drejtuesit e një spitali me emër në Gjermani, erdhën në Tiranë për të rekrutuar një numër të konsiderueshëm infermierësh. Ata kërkuan përshpejtimin e procedurës për mësimin e gjuhës, duke iu dhënë një pagesë prej 400 euro në këmbim të lënies së punës nëpër spitalet shqiptare për të shfrytëzuar kohën për mësimin intensive të gjuhës gjermane. Drejtuesit e spitalit gjerman e kanë me nxitim nevojën për infermierë shqiptarë në spitalin e tyre.

Për shtetarët tanë nuk është aspak një problem për Shqipërinë ikja e infermierëve, mjekëve, inxhinierëve apo profesionistëve të tjerë. Emigrimi drejt Gjermanisë i mjekëve dhe infermierëve ka nisur në vitin 2015 me një konferencë të përbashkët mes shoqatave të biznesit gjerman dhe atij shqiptarë, me pjesëmarrjen e suksesshme të qeverisë.

Ne kemi një ministër e një qeveri që e stimulon e migrimin e bluzave të bardha drejt Gjermanisë. Ministri mburret se si qeveria ia ka dalë që fale vëmendjes tek arsimi profesional të përgatisë 250 infermierët e parë të gatshëm për tregun gjerman.

Kryeministri Edi Rama e sheh si një mundësi të mirë për ata profesionistë që kërkojnë të ardhmen e tyre në vende të ndryshme të perëndimit.

Statistika
Nga viti 2013 në vitin 2018 janë larguar nga vendi 875 mjekë. Teksa vetëm gjatë vitit 2018 janë larguar nga vendi kryesisht drejt Gjermanisë rreth 2 mijë infermierë. Sipas të dhënave nga numri i certifikatave të kërkuara pranë Urdhrit të Mjekut vetëm në vitin 2018 janë larguar 164 mjekë, nga 250 të diplomuar në fakultetin e mjekësisë.

Sipas censusit të kryer nga Eurostat në vitin 2011 rezulton 1 milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Sipas Institutit të Statistikave, në vitet 2011-2017 u numëruan 330 mijë persona që ikën si emigrantë.
Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se 167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të Bashkimit Europian për periudhën 2011-2017.

Vetëm gjatë vitit 2018 janë shtuar edhe 16 mijë aplikime të tjera, duke e çuar numrin total të aplikantëve në 183 mijë.

Pse ikin?!
Studimi, i drejtuar nga Russell King i Universitetit të Sussex dhe studiuesi shqiptar, Ilir Gedeshi, zbuloi se 52% e shqiptarëve në moshë 18-40 vjeç, kanë dëshirë të largohen nga atdheu.

Studimi i profesorëve Gëdeshi-King, konstaton se vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Sipas studimit, gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish.

Shkollimi dhe perspektiva më e mirë e jetës është dëshira e shumë shqiptarëve, që për ta realizuar synojnë largimin nga Shqipëria. Në një intervistë për “DW”, profesor Rasell King interpreton kështu tendencën e shqiptarëve për të lënë atdheun.

“Studimi tregon se një nga arsyet kryesore pse njerëzit duan të ikin është se nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Shqipëri. Pjesa më e madhe kërkojnë një shkollim më të mirë për fëmijët e tyre. Vendet e preferuara janë Gjermania dhe SHBA. Arsye tjetër kryesore janë të ardhurat shumë të ulëta në Shqipëri, kur kosto e jetesës sa vjen e ngrihet. Është normale që njerëzit në Shqipëri të duan të eksplorojnë mundësi për të fituar të ardhura më të mira.

Është ky grup faktorësh: të ardhura të ulëta, pakënaqësi nga arsimi i lartë, perspektiva të vakëta pune, mungesa e perspektivës për brezin e ri, që vazhdojnë të ekzistojnë duke e bërë Shqipërinë të zërë vendin e parë në Europë dhe të pestin në botë për dëshirën e madhe për të emigruar – në bazë të një studimi të IOM ( International Organization for Migration). Që kjo situatë të ndryshojë lypsen politika zhvillimi që krijojnë më shumë mundësi punësimi dhe të ardhura të mira”, tha profesor Rasëll King për DË.

Për shkak të largimit të qindra familjeve shqiptare gjatë vitit që shkoi, janë rreth 10 mijë fëmijë më pak të regjistruar këtë vit në sistemin parauniversitar. Kjo shifër pranohet edhe nga qeveria.

Shkodra
Kjo shtëpi në fshatin Postribë pak kilometra në periferi të Shkodrës. Atje kanë jetuar deri gjatë muaj më parë, një familje e madhe, gjashtë fëmijë dhe prindërit e tyre. Pas shumë përpjekjesh për t’ia dalë në vendin e tyre, ata janë larguar drejt Gjermanisë. Porta e tyre nuk është hapur qysh prej asaj dite. Kanë nisur kalvarin e mundimshëm nëpër çadrat e kampeve që iu rezervohen refugjatëve, në përpjekje për të qëndruar në vendet e BE-së. për shkak të shpërnguljes së shumë familjeve të kësaj zone, janë mbyllur edhe disa shkolla.

Një 12-vjeçar nga fshati Samrisht, pak kilometra në periferi të Shkodrës, nuk mund të mësojë në shkollën e këtij fshati sepse Ministria e Arsimit ka vendosur ta mbyllë shkollën, pasi është ulur numri i nxënësve. Prej një viti, i duhet të udhëtojë çdo ditë 5 kilometra drejt një tjetër fshati për të bërë mësim. Nuk ka asnjë arsye që ky djalë 12 vjeçar të bëje hesapet e politikës, ta justifikojë atë pse shkolla nuk mund të qëndrojë e hapur pse ikin nxënësit e a pse nuk vijnë mësuesit…. Në fund të ditës ky është një fëmijë, shtetas shqiptar që i takon me ligj e Kushtetutë të marrë shërbimin për arsim, si një e drejtë themelore e tij…. Këtë problem vuajnë mijëra nxënës në fshatrat e Shqipërisë. Ministria mbyll shkolla dhe nuk garanton asgjë për ta.

Jo vetëm fshatrat janë prekur nga emigracioni. Ka qytete turistike të cilat gjatë periudhës së dimrit boshatisen. Këto ditë tetori në Gjirokastër sheh pak qytetarë të lëvizin rrugëve të qytetit. Shumica e të rinjve largohen drejt emigracionit.

Leskoviku është gjithashtu një qytet që është prekur së tepërmi nga emigracioni. Shqipëria nuk është vend në konflikt, nuk vuan prej mungesës së burimeve natyrore, nuk është vend me regjim totalitar, por është vendi i dytë pas Afganistanit për numrin e kërkesave për azilkërkues. Një paradoks që e shesh si të tillë edhe kryeministri Emanuel Macron e parlamenti francez.

Pak ditë më parë, në parlamentin francez u zhvillua një debat për azilkërkuesit. Kryeministri i Francës, Emanuel Macron, foli edhe për Shqipërinë, ku informoi se shqiptarët janë të dytët pas Afganistanit për numrin e lartë të azilkërkuesve. “Një vend kandidat për në BE, që është i dyti për nga azilkërkuesit. Një paradoks”, tha ndër të tjera kryeministri francez.

Është paradoks, sepse Shqipëria konsiderohet vend i sigurt origjine. Pra, ka një diferencë të madhe më Sirinë apo Afganistanin, që janë vende në konflikt. Për këtë arsye, Autoritetet franceze dhe ato të vendeve të tjera të bashkimit Evropian, përgjithësisht i refuzojnë kërkesat e shqiptarëve për azil.

Rinasi, rruga drejt shtëpisë
Këtë të martë në aeroportin e Rinasit zbritën nga avioni Çarter… … rreth 60 azilkërkues shqiptarë. Ata janë kthyer nga Franca dhe Belgjika, atje ku iu është refuzuar kërkesa për azil. Çdo të martë, në aeroportin e Rinasit riatdhesohen shtetas shqiptarë që kthehen nga vendet e ndryshe të Evropës. Ata kthehen pa dëshirën e tyre, të detyruar nga autoritet e vendeve të BE-së. Kthehen pa asnjë shpresë, e gjejnë atdheun siç ishte pa asnjë mundësi për t’iu garantuar minimumin jetik. Ata nuk duan të rrëfejnë asgjë nga përvoja ndoshta e hidhur që lanë pas, për disa muaj a pak vite në çadrat e azilkërkuesve. Në rrugën e tyre drejt shtëpisë, nuk shohin ende asnjë fener e as dritë shprese për një të ardhme më të mire për fëmijët e tyre. Prandaj ata duan sërish të ikin. Shumica kanë dëshirë të ikin.

Burimi: Balkanweb

Christiane Amanpour në Twitter: Peter Handke mbështetës i Kasapit të Ballkanit s’ka busull morale!

 

Ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë fituesi i çmimit Nobel për letërsinë e Peter Handke.

Ka reaguar gjithë bota e qytetëruar duke denoncuar Peter Handke të padenjë për këtë çmimi.

Po ju sjellim më poshtë reagimin e Christiane Amanpour e cila ka reaguar në Twitter si më poshtë:

 

 

“Kam mbuluar Millosheviçin dhe genocidin e tij dhe të ithtarëve gjatë gjithë luftës në Bosnje, dhe më vonë gjyqet e tyre për krime lufte.

Ishte kasaphana etnike e parë dhe e vetme në shkallë Europe që nga Lufta e Dytë Botërore. Kaq shpejt janë harruar kujtimet?

Ndërsa më poshtë Christiane Amanpour po në Twitter shkruan:

 

“Shumë mirë që Olga Tokarczuk fitoi Nobelin për Letërsi, por çfarë turpi që ajo u njoftua së bashku me Peter Handke.

Mbështetja e tij për Slobodan Millosheviçin, madje fjalimi i tij gjatë varrimit të Kasapit të Ballkanit, rrefen ashpër busullën e tij morale.”

 
 

Intervista – Kurti: Projekti për shkëmbim territoresh ka dështuar – por ideja nuk ka vdekur

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në takimet me të dërguarin presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi është diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje brenda disa muajsh. Por ai tërheq vërejtjen se perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet kur afati kohor vihet përpara përmbajtjes. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Kurti thotë se projekti për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar por ideja ende nuk ka vdekur dhe se qeveria e tij do t’i jap fund asaj.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, ende pa e marrë pushtetin, ju po përballeni me kërkesat për ripërtëritje të shpejtë të bisedimeve me Serbinë. A jeni i gatshëm për një gjë të tillë?

Albin Kurti: Sigurisht që po. Besoj që do të ketë dhe duhet të ketë dialog me Serbinë, sepse kemi shumë çështje të hapura, mirëpo, statusi i Kosovës nuk është njëra prej tyre. Ne konsiderojmë që me Serbinë tashmë i kemi 33 marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe duhet ta shohim qysh në muajin e parë në zyrë një bilanc të zbatimit të tyre dhe të ndikimit të tyre në realitetin e qytetarëve. Por edhe më herët se kaq, në javën e parë në zyrë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, unë do të filloj dialogun me serbët e Kosovës, që është një gjë tjetër për zhvillim, dialog demokratik prej poshtë për integrim të tyre, ndërkaq ekipi negociator, ekipi i bisedimeve me Serbinë do të udhëhiqet nga unë sepse republika jonë parlamentare ashtu e do dhe ashtu e thotë me ç’rast do t’i vendosim edhe principet të dialogut të ardhshëm. Do ta kemi përgatitjen paraprake me dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, por dua që patjetër të jetë edhe opozita e përfshirë meqenëse skena jonë politike e Kosovës nuk guxon të jetë e ndarë dhe e përçarë sa i përket Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Serbia kërkon diçka nga Kosova në mënyrë që ta njoh pavarësinë e saj. Si do t’ia bëni me këtë?

Albin Kurti: Ne kemi po ashtu kërkesa për Serbinë. Përveç se duhet ta njohë Republikën e Kosovës, duhet ta ndryshojë kushtetutën, e ka kushtetutën të vjetruar Republika e Serbisë dhe duhet ta ndryshojë dhe gjithashtu duhet që të ballafaqohet me të kaluarën me ç’rast patjetër që Serbia na shfaqet si borxhli ndaj Kosovës edhe sa i përket suksesionit të Jugosllavisë edhe sa i përket reperacioneve të luftës edhe të okupimit. Prandaj besoj që i gjithë spektri politik kosovar, duhet të bashkohen në kërkesat e Republikës së Kosovës për Republikën e Serbisë, ku duhet theksuar një mijë e 500 të pagjeturit, pastaj janë mbi një milionë shqiptar të dëbuar ga shtëpitë e tyre në pranverën e vitit 1999, 860 mijë të deportuar jashtë Kosovës, njëzet mijë gra e vasha të përdhunuara, janë 10 mijë civilë të pambrojtur e të paarmatosur të vrarë në mesin e të cilëve mbi 1 mijë fëmijë, fondi i kursimeve pensionale, depozitat bankare dhe 1 mijë e 200 artefakte kulturore gjithashtu të plaçkitura por të mos harrojmë se edhe shumë ndërmarrje në Kosovë i kanë pasur degët, zyrat e tyre gjithandej në Serbi të cilat janë tjetërsuar padrejtësisht dhe këto janë vetëm disa prej elementeve përbërëse të kërkesave tona për borxhin që na e ka Serbia.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Serbia nuk ka shprehur ndonjë gatishmëri për ta njohur të themi Kosovën dhe një gjendje e tillë do të mbaj një status quo si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Sa është e qëndrueshme një gjendje e tillë?

Albin Kurti: Unë nuk them se po kënaqemi apo gëzohemi me këtë status quo, por nuk do të lejojmë as të nxitohemi dhe të biem edhe më poshtë seç jemi. Me hapa të nxituar mund ta përkeqësosh gjendjen. Besoj që korniza e integrimeve evropiane, fryma e Bashkimit Evropian, ideja udhërrëfyese e fqinjësisë së mirë, parimi i reciprocitetit, dialogu parimor i përgatitur mirë dhe i qëndrueshëm, është rruga e duhur përpara në mënyrë që të mos kemi dështime të reja për çfarë sigurisht më nuk e kemi komoditetin.

Zëri i Amerikës: Një javë pasi u emërua si përfaqësues i Posaçëm presidencial për bisedimet Kosovë – Serbi, ambasadori Grenell qëndroi në Prishtinë dhe në Beograd duke kërkuar që të dyja palët të punojnë ngushtë dhe shpejt për një marrëveshjeve gjithëpërfshirëse. Keni diskutuar në takim me të për ritmet kohore se kur mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë?

Albin Kurti: Shkëlqesia e tij, ambasadori Grenell, insistonte që për investime në vendin tonë e në vendet tona, është e domosdoshme një marrëveshje e shpejtë përfundimtare me Serbinë. Natyrisht që ne nuk e mohojmë faktin që imazhet e vendeve tona, joshja e investitorëve të huaj do të mund të ndihmohej nga një marrëveshje që do të arrinim ne, mirëpo janë tre faktorë tjerë posaçërisht të cilët ndikojnë në ardhjen e investimeve të huaja, në kushtet ku as mërgata jonë nuk po investon në Kosovë e këto janë; e para, varfëria e përhapur në Kosovë që e zbret kërkesën agregate, e dyta; është korrupsioni i përhapur në institucionet e sistemit i cili ka krijuar biznese të privilegjuara që në mënyrë kujdestare i fitojnë tenderët të cilët specifikohen pikërisht për t’u fituar nga ato biznese dhe e treta; është qasja e vështirë në financa për shkak të bankave komerciale me kamata të larta të kredive. Pra, jemi për marrëveshje me Serbinë, jemi për dialog parimor me Serbinë dhe besojmë që marrëveshja e tillë ka nevojë të përmbaj patjetër pavarësinë e Kosovës të njohur nga Serbia, Serbia ta ndryshojë kushtetutën, të ballafaqohet me të kaluarën që do të thotë se për këtë marrëveshje duhet shumë më tepër të ndryshojë Serbia se sa Kosova dhe mbi të gjitha procesi drejt marrëveshjes dhe përmbajtja e marrëveshjes janë më prioritare, më të të rëndësishme se sa afati kohor për të. Nuk kemi kohë për të humbur por nuk e kemi as komoditetin për t’u nxituar.

Zëri i Amerikës: A është për përmendur ndonjë afat kohor në takim me ambasadorin Grenell?

Albin Kurti: Është përmendur disa muaj pra jo çështje javësh por disa muaj.

Është përmendur disa muaj pra jo çështje javësh por disa muaj. Mirëpo unë besoj që perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet pikërisht kur e vë afatin kohor përpara përmbajtjes dhe procesit deri atje.

Mirëpo unë besoj që perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet pikërisht kur e vë afatin kohor përpara përmbajtjes dhe procesit deri atje.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë kërkesë për një takim të themi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi që të zgjidheni kryeministër i vendit, një takim të shpejtë?

Albin Kurti: Deri sot jo. Natyrisht që janë disa forume ndërkombëtare ku me përfaqësuesit e shtetit të Serbisë do të na binte që të takohemi, njëri prej tyre është procesi i Berlinit por e kemi edhe iniciativën franko-gjermane, e kemi Brukselin si lehtësues. Unë jam i gatshëm që si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës të marr përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit tonë në këtë dialog të ri e parimor, por kërkesa konkrete me takime të tilla në ndonjë kohë të caktuar nuk ka.

Zëri i Amerikës: Në dritën e forcimit të angazhimit amerikan rreth marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ka pasur ide që mund të jetë një lloj konference, apo siç tha komisionari i deritashëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, një lloj konklave, ku palët nuk do të dilnin pa një rezultat. A është e mundur një formë e tillë dhe a u diskutua kjo me ambasadorin Grenell?

Albin Kurti: Nuk është diskutuar me ambasadorin Grenell një mundësi e tillë. Natyrisht që nuk mund të përjashtosh asgjë, por ajo që është e sigurt është se formatet e tilla janë në fund të procesit negociator dhe kurrsesi në fillim dhe mendoj se jemi shumë larg nga ajo ditë.

Zëri i Amerikës: Diçka e tillë si konferenca e Rambouillet?

Albin Kurti: Rambouillet ka qenë midis lufte pra kur në Kosovë vdisnin çdo ditë civilët tanë dhe kishte për ditë beteja midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake policore të Serbisë. Ajo ishte një konferencë për ta ndalur luftën mirëpo dështimi i konferencës së Rambouillet na dha neve një hov të fuqishëm meqenëse ndërhyri NATO-ja kundër Jugosllavisë së Millosheviçit dhe asisoj u mundësua çlirimi i Kosovës në qershorin e vitit 1999. Ajo është kontekst krejt tjetër fare prej asaj që kemi sot.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti që nga vera e vitit të kaluar janë hedhur ide të ndryshme për korrigjim kufijsh apo një lloj shkëmbimi të territoreve, deri tash i keni kundërshtuar idetë e tilla por nëse hidhen ato sërish çfarë do të bëni?

Albin Kurti: Projekti për shkëmbimin territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Më duhet të pranoj se ideja nuk ka vdekur, projekti ka dështuar – ideja nuk ka vdekur. Me qeverinë tonë jo vetëm që projekti i dështuar vuloset, mirëpo vdes edhe një ide e tillë meqenëse nuk mund të shtiremi thua se jemi para një çerek shekulli dhe me lapsa mbi hartë luajmë rolin e (Franjo) Tugjmanit e Millosheviqit teksa ndajnë dhe copëtojnë Bosnjën. Mendoj që ajo kohë ka kaluar, ajo është kohë lufte. Tash jemi në kohë të paqes kur kemi nevojë që sa më shpejt të bëjmë hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Projekti për shkëmbimin territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Më duhet të pranoj se ideja nuk ka vdekur

Shkëmbimi territorial në Beograd është quajtur kufizim me shqiptarët, përkufizim me shqiptarët apo siç e thonë ata “razgraniçenje”, që për bindjen time është koncept racist, meqenëse gjithmonë do të ketë në të dy anët e kufirit edhe shqiptarë edhe serbë. Nuk ka kufij të përsosur etnik dhe kërkimi i një përsosmërie të tillë është qasje dhe qëndrim racist. Ndërkaq shkëmbimi territorial në Kosovë nga presidenti ynë quhej korrigjim kufiri me kompromis të dhimbshëm ku veriu është dhuratë e (Aleksandër) Rankoviqit, pra ai kishte një frazë tjetër për shkëmbimin territorial, por koha e monarkëve të mesjetës që e trajtojnë territorin e shtetit sikurse pronë private të tyre që mund ta shkëmbejnë por si një mall të zakonshëm, ka përfunduar. Kosova është Republikë parlamentare dhe demokratike, mban zgjedhje të lira dhe në këto zgjedhje të gjashtë tetorit mund të themi që më parë kishim ironikisht një lloj shkëmbimi të popullsisë ku shumë të rinj tanë fatkeqësisht emigruan për shkak të qeverisë së keqe por edhe shumë nga mërgata u kthyen që të votojnë me gjashtë tetor për ndryshimin e madh që opozita e djeshme të bëhet qeveri e nesërme dhe që këtij ndryshimi e kësaj qeverie të ardhshme t’i prijë Lëvizja Vetëvendosje.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti ju keni thënë që kur të vini në qeveri do të bëni bashkë të gjitha partitë politike duke përfshirë opozitën për bisedimet me Serbinë. Këtu pjesë e institucioneve është edhe zoti Thaçi me të cilin dihet që nuk keni marrëdhënie të mira, si do të veproni?

Albin Kurti: Unë nuk do ta përjashtoj presidentin Thaçi, unë nuk do ta përjashtojë opozitën, unë do të përfaqësoj koalicionin qeverisës dhe do t’ja shtrij dorën e bashkëpunimit opozitës në mënyrë që ne të mos ndahemi nga Serbia si një pykë e cila na e dobëson pozicionin tonë dhe shtetin tonë në përgjithësi. Pra nuk do të ketë përjashtim të presidentit Thaçi, por nuk është e mundshme më që ai të udhëheq në dialogun me Serbinë. Udhëheqja ka ndryshuar me rezultatet e gjashtë tetorit, ardhmëria në Kosovë ka datë, ishte ky gjashtë tetori i vitit 2019. Në qershorin e vitit 1999 kishim entuziazmin e çlirimit të vendit tonë dhe popullit tonë nga një shtet i huaj, në shkurtin e vitit 2008 kishim entuziazmin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë dhe në tetorin e vitit 2019 kemi entuziazmin e çlirimit të shtetit tonë nga uzurpimi i brendshëm, nga një pushtet apo regjim i cili e bëri veten më shumë se qeveri e shtetin tonë më pak se Republikë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti presidenti Thaçi zakonisht ka marrë ftesë nga Bashkimi Evropian për bisedime, nëse merr prapë si do të ja bëni?

Albin Kurti: Nuk është e mundshme një gjë e tillë sepse unë do të vendosi menjëherë kontaktet me Brukselin qysh në javën e parë të punës sime si kryeministër i ri dhe po e theksoj nuk do të ketë përjashtim të presidentit Thaçi. Ai është përfaqësues i politikës së jashtme por nuk është më krijues i politikës së jashtme. Republika jonë nuk është presidenciale sikurse Franca, është republikë parlamentare dhe konform kësaj dhe vendimit të gjykatës Kushtetuese të pranverës të këtij viti, dialogun e ardhshëm me Serbinë e udhëheq kryeministri i ri i Republikës së Kosovës nga qeveria e re dhe ekipi përkatës negociator dhe jo më presidenti.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti të enjten në Novi Sad presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, nënshkruan një deklaratë për atë që ata e kanë quajtur si një “mini shengen” ballkanik. Si e shini ju një deklaratë të tillë dhe mungesën e Kosovës këtu?

Albin Kurti: Në njëfarë mënyre të tria këto vende tashmë e kanë lirinë e lëvizjes e kanë liberalizimin e vizave, këtu çështja është që Kosova ta fitojë këtë gjë. Unë jam i bindur që për liberalizimin e vizave të Kosovës thelbësore

Serbia duhet të shihet me sytë e Kosovës nga Tirana zyrtare

është Prokuroria Speciale, pra liberalizimin e vizave nuk do ta sjellë qeveria e re por aktiviteti i ri i Prokurorisë Speciale atëherë kur ajo do të jetë e çliruar prej ekzekutivit. Unë synoj që të takohem me qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe të shohim më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë, por mendoj që në të gjitha këto iniciativa është tejet e rëndësishme që Kosova të jetë gjithnjë e pranishme, e përfaqësuar, të marrë pjesë, sepse Serbia duhet të shihet me sytë e Kosovës nga Tirana zyrtare.

Zëri i Amerikës: Të gjitha këto debate po bëhen në një kohë kur Kosova ende po numëron votat. Ju tashmë keni një marrëveshje me Lidhjen Demokratike për të bashkëqeverisur ose për të krijuar koalicionin e ardhshëm. Kur pritni që të formohet qeveria?

Albin Kurti: Ka një lloj një lloj zvarritje me rinumërimin, janë edhe votat me kusht, votat e mërgatës tonë, por besoj që një muaj prej tash çdo gjë do të jetë e përfunduar ndonëse rezultati nuk do të ndryshoj, ai do të mund të thellohej për shkak të votave të mërgatës. Në vitin 2014 lëvizja Vetëvendosje ka pasur 50 për qind të votave të mërgatës, në vitin 2017 kemi pasur 70 për qind të votave të mërgatës rrjedhimisht diferenca që kemi ne si subjekt fitimtar i dalur i pari nga zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti vetëm sa do thellohet në fund kur do të certifikohet rezultati nga KQZ.

Zëri i Amerikës: Cilat do të jenë punë te para pasi që të bëheni kryeministër?

Albin Kurti: Punët e para tashmë i kemi nisur në bisedat që kishim me Lidhjen Demokratike të Kosovës. U dakorduam plotësisht për qeveri të zvogëluar dhe efikase dhe për shtet sa më të fortë e të fuqishëm, që do të thotë se nga 21 ministri sa ishin, ne do të zvogëlojmë me synimin tonë që të jenë rreth 12 prej tyre dhe jo më shumë se aq, ndërkohë që numri i zëvendësministrave nga mbi 80 sa ishin të mos jenë, të themi më shumë se një e treta e çfarë e kishim me këtë qeverisje të dy viteve të shkuara. Po ashtu jemi dakorduar që të kemi përfaqësim të duhur gjinor me ç’rast të jenë së paku 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe të zëvendësministrave. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të kenë alternative tjera përveç se njëra tjetrën, do të vazhdojmë kontaktin edhe me pakicat tjera jo serbe dhe do të ecim drejt, mbarë e mirë drejt qeverisë së re të Republikës së Kosovës e cila do të jetë po ashtu e drejtë, e mbarë dhe e mirë.

PEN America: Mëzitje e madhe që shkrimtari zëdhënës i Millosheviçit e Karaxhiçit merr Nobelin

VOAL – PEN America lëshoi ​​deklaratën e mëposhtme, nga autori dhe Presidenti i PEN America Jennifer Egan, në përgjigje të zgjedhjes së Akademisë Suedeze të Peter Handke për çmimin Nobel në Letërsi 2019 (së bashku me Olga Tokarczuk):

PEN America zakonisht nuk komenton çmimet letrare të institucioneve të tjera. Ne e pranojmë që këto vendime janë subjektive dhe se kriteret nuk janë uniforme. Sidoqoftë, shpallja e sotme e çmimit Nobel në Letërsi për Peter Handke duhet të jetë një përjashtim. Jemi mërzitur nga përzgjedhja e një shkrimtari që ka përdorur zërin e tij publik për të nënvizuar të vërtetën historike dhe duke ofruar ndihmë publike për autorët e gjenocidit, si ish Presidenti serb Slobodan Milosevic dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, Radovan Karadzic. PEN America është angazhuar që nga miratimi i Kartës sonë PEN të vitit 1948 për të luftuar kundër botimit të rremë, gënjeshtrës së qëllimshme dhe shtrembërimit të fakteve. Karta jonë më tej na angazhon të punojmë për të “davaritur të gjitha urrejtjet dhe për të mbrojtur idealin e një njerëzimi që jeton në paqe dhe barazi.” Ne e hedhim poshtë vendimin që një shkrimtar që i ka vënë vazhdimisht në dyshim krimet e dokumentuara të luftës, të meritojë të vlerësohet për “Zgjuarsi gjuhësore”. Në një moment të nacionalizmit në rritje, udhëheqjes autokratike dhe dezinformimit të gjerë në të gjithë botën, bashkësia letrare meriton diçka më mirë se kjo. Ne kemi shumë keqardhje për zgjedhjen e Komitetit Nobel për Letërsinë.

Reagime të ashpra pas zgjedhjes së Peter Handkes për Nobelin për letërsi

Keida Kostreci

Shpallja e austriakut Peter Handke si fitues i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019, u prit menjëherë me reagime të ashpra. Kritikët e quajtën atë mohues të gjenocidit, dhe vunë në pah lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin dhe deklaratat në mbrojtje të nacionalizmit serb dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Zoti Handke ka marrë pjesë në funeralin e Millosheviçit.

Të enjten Akademia Suedeze njoftoi se Handke fitonte për vitin 2019,ndërsa autorja polake Olga Tokarczuk për vitin 2018.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku i tha Zërit të Amerikës se vendimi për t’i dhënë çmimin një mohuesi të gjenocidit dhe justifikuesi të Millosheviçit është një shuplakë për të gjitha viktimat e luftrave në Kosovë dhe Bosnje.

“A jemi imunizuar aq shumë ndaj racizmit, të pandjeshëm emocionalisht ndaj dhunës, aq komodë me mbajtjen me të mirë, saqë mund të anashkalojmë bindjet e dikujt që përputhen me axhendën e mbrapshtë të genocidit?”

Zonja Çitaku tha se shpreson që academia ta tërheqë vendimin.

“Arti, humanizmi dhe etika, janë dhe duhet të jenë të gërshetuara. Nuk ka dyshim që fituesit të këtij viti i mungojnë ato. Nëse jo atëherë Handke do ta varë medaljen e Çmimit Nobel pranë Urdhrit Kalorsiak Serb që i është dhënë personalisht nga Millosheviçi”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Shkrimtari Salman Rushdie, më i njohur për “Vargjet Satanike”, e kishte denoncuar Handken në vitin 1999 për qëndrimet e tij ndaj fushatave të Millosheviçit. Të enjten, ai iu përgjigj një postimi në Twitter të zonjës Çitaku.

“Unë kam shkruar për idiotësirat e Handkes para 20 vjetësh. Jam dakord me ju”.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në një letër drejtuar Akademisë së Çmimit Nobel, shprehu indinjatën e saj, duke e quajtur Handken një eksponent të shquar të ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviçit dhe luftërave të tij gjenocidale në Ballkan,

“Si Akademi e një shteti të sapo krijuar mbi vlerat perëndimore të lirisë së popujve dhe institucion që edhe vetë ka vuajtur segregacionin dhe aparthejdin e një regjimi të urryer dhe luftën e tij shfarosëse, nuk kemi besuar se kaq shpejt do të përballemi me humbjen e kujtesës dhe amnistinë morale të atyre që mbështeten me aq pasion një vrasës të popujve, siç bëri laureati i juaj, Peter Handke”, thuhet në letër.

Organizata PEN America, që mbron lirinë e shprehjes dhe promovon letërsinë, u shpreh e tronditur me ndarjen e çmimit Nobel për autorin Handke.

“Jemi të shtangur me përzgjedhjen e një shkrimtari, i cili ka shfrytëzuar zërin e tij publik për të minuar të vërtetën historike dhe për t’iu ofruar ndihmë publike autorëve të gjenocidit, si ish-presidenti serb, Sllobodan Milloshevç, dhe ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç”, thuhet në qëndirmin e organizatës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi se ky vendim sjell dhimbje për shumë njerëz.

“Mbaj mend në vitin 1990 Vaclav Havel, Susan Sontag dhe shumë të tjerë e dinin se e keqja në Evropë duhet të ndalet dhe se gjenocidi në Kosovë e në Bosnjë e kishte një përgjegjës. Handke vendosi t’i mbrojë e përkrah përgjegjësit. Ky vendim sjell dhimbje të thellë për shumë viktima”, shkroi presidenti Thaçi.

“Çmimi për Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb”, thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje duke shtuar se “për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, për mbi 12 mijë të vrarët gjatë luftës, për mbi 20 mijë gra, burra e fëmijë të dhunuar seksualisht, për njerëzit të cilët vuajtën dhe ende vuajnë traumën e pësuar, për familjarët e mbi 1600 personave ende të pagjetur, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze për Peter Handken është fyerje e rëndë. Plagët ende të pambyllura, dhembin e djegin. Nuk është letërsi e mirë, nuk është letrar i mirë, ai që i bashkohet dhunës së luftës, ai që poshtëron e fyen viktimat”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkruante në Twitter se “paturpësia po bëhet pjesë normale e botës ku jetojmë. Pas zgjedhjes të turpshme nga një autoritet moral si Akademia e Nobelit, turpi vuloset si një vlerë e re”.

Një nga gazetarët dhe shkrimtarët më të njohur boshnjakë, Zlatko Dizdarevic i tha shërbimit boshnjak të Zërit të Ameriksë, se nuk habitet.

“Çmimi Nobel për letërsinë ka kohë që nuk është provë në vetvete e një cilësie të lartë apo madhështisë së punës së dikujt. Dhe meqë ra fjala, tetë vetë në historinë e Çmimit Nobel, e kanë fituar atë për çështjen palestinezo-izraelite dhe sot jemi më larg një zgjidhjeje se kurrë”, tha ai.

Analisti Florian Bieber i Universitetit të Gracit në Austri tha shërbimit serb të Zërit të Amerikës, se ajo që e bën zgjedhjet edhe më problematike është se idetë e Handkes pro nacionalizmit serb, janë reflektuar edhe në punën e tij.

“Ai ka këmbëngulur në mbrojtjen që i ka bërë pozicionit të atij që e ka quajtur pozicion serb, por unë do ta quaja pozicion nacionalist serb. Dhe kjo e bën dhënien e çmimit shumë problematike sepse nuk janë vetëm deklaratat e tij politike por i ka përfshirë në shkrimet e tij dhe tre libra, dy nga të cilët shënime udhëtimesh dhe një skenar pjese teatrale që reflektojnë këto pikëpamje”.

Çmimi Nobel për letërsi nuk ishte dhënë vitin e kaluar, pas akuzave për abuzim seksual dhe çështje të tjera brenda radhëve të Akademisë Suedeze, që zgjedh fituesin.

Problemet në Akademinë Suedeze, shpërthyen pas një skandali lidhur me Jean-Claude Arnault, një personalitet kulturor në Suedi, që është edhe bashkëshorti i poetes Katarina Frostenson, anëtare e akademisë.

2019 Nobel Prize in literature: PEN Albania expresses the deepest regret to the Nobel Prize Academy

Based on the principles of PEN International Charter, PEN Albania expresses the deepest regret to the Nobel Prize Academy, according to its decision of 2019 Nobel Prize in literature. The P.E.N. Charter P.E.N. affirms that:

1. Literature knows no frontiers and must remain common currency among people in spite of political or international upheavals.

2. In all circumstances, and particularly in time of war, works of art, the patrimony of humanity at large, should be left untouched by national or political passion.

3. Members of P.E.N. should at all times use what influence they have in favour of good understanding and mutual respect between nations; they pledge themselves to do their utmost to dispel race, class and national hatreds, and to champion the ideal of one humanity living in peace in one world.

4. P.E.N. stands for the principle of unhampered transmission of thought within each nation and between all nations, and members pledge themselves to oppose any form of suppression of freedom of expression in the country and community to which they belong, as well as throughout the world wherever this is possible. P.E.N. declares for a free press and opposes arbitrary censorship in time of peace.

It believes that the necessary advance of the world towards a more highly organized political and economic order renders a free criticism of governments, administrations and institutions imperative. And since freedom implies voluntary restraint, members pledge themselves to oppose such evils of a free press as mendacious publication, deliberate falsehood and distortion of facts for political and personal ends.

Intervista – Visar ZHITI – KLASA JONË POLITIKE KA NGRITUR LART NJË TJETËR MUR BERLINI TË PADUKSHËM RRETH VETES, KA LËNË JASHTË REALITETIN SHQIPTAR

VOAL – Shkrimtari i shquar Visar Zhiti, i burgosur nga diktatura për poezitë e tij, ia ka dhënë intervistën e mëposhtme gazetarit dhe drejtuesit të qendres se mediave në Tiranë, Remzi Lani, per portalin e tij bota.al, me rastin e 30 vjetorit te renies se Murit te Berlinit, e lidhur dhe me aktualitetin dhe ecurinë e demokracise ne Shqiperi. Z. Visar Zhiti flet në intervistën e tij për përballjet e shqiptarëve në këtë tranzicion 30 vjeçar me format e padukshme të Murit të Berlinit që ndodhen midis vetë atyre. Shqipëria e pas rënies së Murit të Berlinit, pavarësisht të gjithave, është në Perëndim dhe kjo shënon sigurinë e perspektivave të shqiptarëve të kësaj epoke. VOAL e sjell për lexuesit e tij këtë intervistë që jep përgjigje shumë të rëndësishme, shpalos vizione shumë të thella ndaj shqetësimeve më të mëdha me të cilat sot përballen shqiptarët.

 

Në serinë e intervistave dhe eseve mbi Tranzicionin 30-vjeçar të Shqipërisë, kjo intervistë që shkrimtari dhe poeti i njohur Visar Zhiti ka dhënë për bota.al, është nga ato që nuk duhet humbur. 
Me forcën e fjalës, që ia pasuron mesazhin si rrallëkujt tjetër, Visar Zhiti flet për shembjen e Murit të Berlinit, që ai e imagjinonte me tulla – njësoj si tullat që prodhonte me duart e tij “në qytetin e vogël të Lushnjës” pas daljes nga burgu komunist – por që kur e pa nga pranë, zbuloi një Mur të ndërtuar me blloqe të mëdha betoni, gri e zymtë në anën e Lindjes, dhe shumëngjyrësh në anën e Perëndimit.
“Sa për rrugëtimin e Shqipërisë pas vitit 1990”, thotë poeti, “këto tre dekada na kanë treguar se e mira dhe e keqja në tranzicionin shqiptar janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, si vëllezërit siamezë

1. Z. Zhiti, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?
Përgjigje: …ndante dhe njeriun nga njeriu, do të shtoja, madje dhe secilin sikur e ndante më dysh nga vetvetja, nga ëndrra, nga e ardhmja.
Ai Mur, duke ndarë vetë botën, ndërhynte mizorisht në gjithë jetën njerëzore dhe u bë dhe shenjues i vendeve dhe sistemeve të tyre, se ç’ishin ato: totalitare nga njëra anë e Murit dhe demokraci nga ana tjetër e tij, ku drejtuesit ishin diktatorët nga brenda Murit dhe lider të zgjedhur nga ana jashtë, vetë popullin e mbyllur, i zbulonte shtresëzimet: ata lart që e kishin dashur dhe urdhëruar të bëhej Muri dhe milionat e milionat që punonin si nën hijen e tij të zymtë dhe ata, të dënuarit që, si të thuash, ishin nën atë Mur.
Ku isha unë, kur e rrëzuan Murin e kobshëm? Në atdhe, në një qytet të vogël, Lushnjë, kisha dy vjet që kisha dalë nga burgu politik, i lirë pa liri, punëtor krahu në fabrikën e tullave, me turne. Pra, merresha me tullat, që bëhen mure shtëpish dhe shtëpi vetë s’kisha. Atëhere kisha ndjesira të forta për diktaturën deri dhe metafizike, më dukej si një përbindësh dhe makineri makabre njëkohësisht, me shtyllën kurrizore si ai Mur, me tela me gjëmba përsipër, që ndërkaq vëzhgonte vëngër gjithçka pa e ditur nga ç’sy pa fund a valë dhe të përfshinte, kudo që të ishe, të bënte pjesë të kthetrave të veta ose të shtypte me to.
Që shëmbën Murin e Berlinit, e dëgjova si lajm të huaj, por s’m’u duk dhe aq i huaj, sikur ia ndjeva rrapëllimën, s’ka gjë se larg, por më dha drithma dhe mbeta shtang për një çast me tullat si luspa të rënda përbindëshi në duart e mia të vrara.
Po muret përreth nesh a do të binin?

2. A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?
Përgjigje: Patjetër që po. Ai ishte dhe mur politik, ishte bërë mur-simbol i luftës së ftohtë, i ndarjes në dy botë të botës, si dhe i luftës së klasave brenda në çdo vend të njërës nga botët, atje ku ishim dhe ne dhe lufta e klasave është luftë civile në kohë paqeje, kam thënë, pra, ai ishte muri i urrejtjes së madhe, të universalizuar, gjarpëronte jo vetëm nëpër Berlin, vazhdonte gjithandej në perandorinë komuniste, në muret shtetërore të të gjitha ngrehinave, të pallateve të kongreseve dhe të vendimeve të tyre, të reparteve ushtarake, vazhdonte te telat me gjëmba të burgjeve, të kufirit mes shteteve, madje fillimisht dhe vetë Muri i Berlinit ishte realisht prej telash me gjëmba, futej në mendësi, në universitete, në romane, në Realizmin Socialist, vinte që nga doktrina marksiste-leniste dhe s’dukej ku mbaronte, sa thellë, deri dhe në ndërgjegje. Dhe i padukshëm ishte më i rrezikshëm dhe më fatal se atje ku përshfaqej i fortë, si te Muret e Kremlinit apo tek muri i ushtarëve që rrethonin “Bllokun” e sundimtarëve në Tiranë, në Komitetin Qendror të Partisë, etj, etj.
Rënia e Murit shenjoi fillimin e rrokullimës së shpejtë të perandorisë komuniste dhe të diktaturave të saj, pra dhe të vendit tonë, edhe pse i fundit, që ishte dhe më i vetmuari, më i vetëmbylluri, më i varfëri dhe më i vrazhdi…
Rënia dha guximin e ngritjes. Ra Muri i Berlinit dhe shqiptarët thyen murin e ambasadave e u futën turma nëpër to, çanë kufirin, telat me gjëmba, që t’i iknin diktaturës e të shkelnin Europë. U ngritëm në protesta dhe… dhe vazhdimi dihet, nisën ndryshimet e mëdha, të detyruara.
Ndodhi vërtet mrekullia, ra regjimi, që unë dhe shumë si unë, ndoshta gati të gjithë shqiptarët, ia kishim dashur rënien, e ndillnim, por nuk besonim se do të ndodhte në kohën tonë, edhe pse ne ishim pa kohë. Na dukej e pamundur rënia, të paktën “hë për hë”, dhe kjo “hë për hë“ do të thoshte gjithë jeta. Ne pra, jetuam, si të thuash, fillimin e të ardhmes. Ky ishte fat.

3. Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës.
Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Ju vetë keni patur një rol të rëndësishëm në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?
Përgjigje: Një rrugëtim i vështirë dhe sublim, të gjithë bashkë, ata që e bënë diktaturën dhe ata që e pësuan atë, madje dhe me paqe të ashpër, me historinë e afërt, që s’donin të largohej, të përzier me të ardhmen që e pengonin të afrohej, pas linim Murin e rrëzuar të Berlinit dhe përpara përplaseshim me Mure të padukshme si të Berlinit, sikur ai hakërronte përbindshmërisht. Do të ishte shumë më vështirë të rrëzoje muret e padukshëm. Si thotë poeti gjerman (Lindor), Bertold Brehti, në një poezi: lufta mbaroi, ruhuni nga paqja.
Kritikat do të ishin të domosdoshme. Aq më mirë që kishte. Po ndërroheshin sistemet. Dhe të mendosh që diktaturat komuniste ishin vendosur me luftë, me revolucione dhe gjakderdhje të madhe dhe po iknin jo ashtu siç erdhën, kjo ishte një arritje e historisë, një hop i madh njerëzor.
Ju më thoni se kam patur një rol të rëndësishëm në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. (?!)… S’e di, roli im ndoshta ka qenë aq sa juaji në diktaturë. Ja, u bashkuam të gjithë, me të pakënaqurit bashkë, u shkrimë… Dola në protesta dhe shkruajta. U bëra gazetar i gazetës së parë opozitare në vend, solla dhe unë nga zëri i mbytur i të persekutuarve, tregova për burgjet, persekutimet, për klithmat dhe qëndresën, dëshirat dhe ëndrrat, kritikova dhe unë si qytetar, si në të gjithë Lindjen, i nisur nga dashuria, jo nga urrejtja. Të bëhej më e mira!
Solla dhe lutje të Nënë Terezës, i ngazëlluar që Shenjtja jonë u lejua të vijë dhe vetë në atdhe. Në fakt po shkonim ne drejt saj. Tempujt e fesë ishin (ri)hapur.
Punova në diplomaci. Po i tregohej dhe botës kështu se Shqipëria po ndryshonte. Nga ne, ish të burgosurit politikë, bënë dhe ministra, edhe mua, bënë dhe kryetar parlamenti, thashë “bënë” dhe jo “bëmë”. Ishim shumë që vinim nga burgjet dhe internimet, na dhanë shtëpi, punë dhe mundësi shkollimi, dëmshpërblimin me hope dhe me debate, se kështu do të rëndohej taksapaguesi shqiptar. Por të burgosurit me mijëra kanë punuar, – dhe nuk u është paguar puna kurrë, – në miniera e kanë tharë këneta, kanë hapur themele e ndërtuar uzina, taraca, pallate, aeroporte, stadiume, etj, i kanë dhënë shumë e më shumë atdheut se i kanë marrë. Dhe mbi të gjitha i kanë dhënë aspiratat e sotme, ideale dhe ëndrra, vuajtjen e shndërruar në vlerä. Ne sollëm dhe “letërsinë tjetër”, atë që kishte munguar. Shqipëria sot jeton, në fakt duhej të jetonte, në realitetin që deshën të burgosurit politikë e të internuarit e shumtë, që u vranë e u martirizuan.
Jemi në fakt dhe dëshmi të gjalla të “Murit të shëmbur të Berlinit”, por ne shpesh e më shpesh mbetemi sërish brenda “mureve të padukshëm”, në braktisje harresë dhe varfëri.
Duhej vuajtja jonë, domethënia jonë, simbolika, vizionet për një Shqipëri të lirë, demokratike, por ne jo dhe aq. Fryma jonë pothuajse mungoi në këtë rrugëtim, gjithnjë e më pak, tani ndoshta fare. Ky është paradoksi dhe njëri nga zhgënjimet themelore. Mosdashja e nismëtarëve, shpërngulja e zanafillës.
Tranzicioni u bë më i lodhshëm, jo vetëm i vështirë, zhgënime pati, edhe mashtrime e të gjitha vazhdojnë ende
Po të kishim rol të rëndësishëm në rrugëtimin politik të Shqipërisë unë,/ata si unë, punët do të kishin shkuar më mirë. Përgjegjësia është gjetiu…
Megjithatë është më i durueshëm kaosi i lirisë, se sa liria në pranga apo koha çnjerëzore. Zbulojmë dhe vetveten kolektive kështu.
Gjithsesi Shqipëria është më mirë nga ç’ishte.

4. Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?
Përgjigje: Shumëçka ia ka kaluar dhe imagjinatës, do të thosha. Për mirë dhe për keq. Për keq, vetëm po të krahësohet me atë që do të donim të ishim.
Shqipëria u hap, pranoi pluralizmin dhe demokracinë, pa burgje politike, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e lirë të tregut dhe të gjitha liritë, që po i mësonim. Por po përsëris dhe ato që themi rëndom: nuk u dënua diktatori i madh e diktatorët e vegjël me gjyq moral të paktën, me ligj, pra vetë diktatura, por u dënua me slogane dhe entuziazëm efemer. Aq sa na duket se ajo, diktatura, thjesht u shpërbë siç do të donte.
Kishim imagjinuar të kundërtën. Drejtësi dhe paqe. Po flas si para 2 apo 3 dekadave. Mungoi drejtësia e re, e pavarur, pasojat e së cilës po vuhen dhe tani.
Të gjithë shqiptarët u bënë pronarë, të paktën të shtëpive të tyre. Dolën kapitalistët e rinj. Prona, tokat dhe pasuritë e patundëshme sipër saj, dhe u keqpërdorën në tërësinë e tyre. U shkatërruan fabrika e uzina e taraca dhe c’u takonte pronarëve të dikurshëm a trashëgimtarëve të tyre u është kthyer me vështirësi dhe me pjesë, ndërsa më lehtësiht u bënë pronarët e rinj, të tjerët, tashmë dhe oligarkë duke u ngritur kështu mure tjetërsoj, nga ata të padukshmit…
I kthehem persekutimit, nuk dolën persekutorët duke munguar ndjesa dhe falja dhe dhëmbja dhe dhe kështu muri moral mes tyre dhe të persekutuarve mbeti i padukshëm, pa hakmarrje, ndërsa realizimi më i lartë i dëmshpërblimit për të gjithë do të ishte një Shqipëri normale, demokratike dhe me prosperitet.
Etj, etj.
Ka liri dhe shpërdorim të saj. Të lirë të bëjmë çdo gjë, edhe të ikim apo dhe të çmendemi.
E di që në demokraci prirja është të shohësh ato që s’janë bërë, e kundërta e diktaturës që të detyron të shohësh ç’është bërë, edhe vepra të mëdha, por me një popull të varfër dhe të pa lirë, për të mos thënë me skllevër modernë.
Shqipëria ka bërë përpara, ka shëmbur mure, njerëzit ekonomikisht janë më mirë në përgjithësi, ku po polarizohet pasurimi, pa shtresë të mesme të ndjeshme, pa shoqëri civile të fortë, etj, megjitha është vend në NATO ashtu siç ne deshëm dhe pret të futet në Bashkimin Europian.
Këtë s’e kisha imagjinuar, që s’ishim në Europë dhe që Europa të mos na rrinte aq afër sa do të donim.
Politika u liberalizua. Ka arritje dhe në planin ndërkombëtar me lidership që dhe ka shkëlqyer. Por nuk kishim imagjinuar që politika të përditësohej herë pas here e shpesh kështu duke rënë në interesa vetanake, mediokre, grindavece, e shpëlarë, që do të kishim dhe politikanë pa ideale, nën nivelin e mesatares së popullit, të kapur dhe nga krimi, etj, etj.
Deshëm zgjedhje të lira dhe të tilla janë, të lira dhe në shit-blerje, që dhe Presidenti i Republikës të mund të zgjidhej nga populli dhe nuk e kisha imagjinuar kurrë që në demokraci një ish oficer i rëndomtë i ushtrisë së diktaturës të caktohej si president. Një rënie kjo e pamerituar, ndëshkim i Shqipërisë.
Ka dhe rënie të seriozitetit të edukimit masiv, të atij universitar, fjala është për cilësinë, por ka shkollim të nivelit bashkëkohor në veçanti, me mundësitë dhe nëpër botë, shpresë për të bërë më të mirën gjithë të rinjtë së bashku.
Besoja për një prani të ndjeshme të diasporës tonë në jetën e vendit dhe jo një emigracion tonin kaq të begatë dhe dëshpërues.
Shqipëria është Perëndim, kështu dhe donim. Ashtu si dhe me Europën e Bashkuar, adhurimi dhe aleanca me SHBA është historike, e ëndërruar, vendimtare, me të ardhme dhe do të donim që politika dhe diplomacia e vendit tonë të ishin më produktive, të kultivuara, me një program mbarëkombëtar, me strategji të tillë.
Populli e di që marrëdhëniet me SHBA janë jetike, shpëtimtare, edhe qeveritë tona të bëjnë çmosin që ato të forcohen vazhdimisht, të bëhen të shumanëshme, që Shqipëria të arrijë sa më shpejt ku e imagjononim 2 apo 3 dekada më parë.

5. Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa.
Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?
Përgjigje: Dhe përgjigjia ime dua të jetë po aq e drejpërdrejtë: e mira dhe e keqja në tranzicionin shqiptar, sipas meje, janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën si vëllezërit siamezë.
E kam thënë dhe herë tjetër, ne na u desh të ndërtojmë demokracinë me kundërshtarët e demokracisë, krahas të keqes kjo ka dhe të mirën e saj, ne po ndërtojmë kapitalizmin me armiqtë e kapitalit, të pronës private, të dikurshmit natyrisht, si të thuash me ata që bënin socializmin real ose me bijtë e tyre dhe kjo ka të keqen e saj, që është dhe e mira, pra “kundërshtarët u bënë me ne”. Që armiqtë t’i kthesh në vëllezër, është biblike. E kundërta që po ndodh, që vëllezërit kthehen në armiq e vrasin njëri-tjetrin për pronën, është punë e djallit. Lidhjet me djallin kënë mbetur ende të forta.
Nuk na duhet një demokraci pa virtyte, thoshte Shën Gjon Pali II, ai që punoi aq shumë dhe për rrëzimin e Murit të Berlinit, papa i parë që vizitoi Shqipërinë.
Pamjaftueshmëria si virtyte e drejtësë, e dhimbjes, e të bërit mirë, e dashurisë, e pendimit, e faljes, e së bukurës, etj, është keq. Kthimi te virtytet, te ato e te të tjera, te dëshirat për dije e punë, për t’iu gjendur tjetrit, atdheut, ëshë mirë dhe duhet patjetër që t’u kthehemi më me frymëzim, duke shëmbur çdo mur pengues, që fitoret e demokracisë shqiptare të mos jenë dhe fataliteti i kësaj demokracie. Jo më fitore në humbje dhe as humbje në fitore!

6. 93 % e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave.
Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”.
Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve?
Përgjigje: Ndoshta dhe i prekëm disi më lart, janë disa nga çështjet e tranzicionologjisë, besoj. Jemi një popull i traumartirizuar, (m’u desh ta krijoj këtë fjalë për të dhënë bashkë traumën dhe martirizimin), dolëm nga terri dhe barbaria më e madhe në Europë, më të varfërit dhe më të gënjyerit.
3-4 shqiptarëve së bashku u takonte nga një bunker që tani nuk duhen për asgjë, ndërsa shumica e familjeve shqiptare jetonte në apartamente të ngushta, madje dhe dy dhe tre kurora në në shtëpi. Jetonim si në rrethim dhe prinim armikun që s’vinte e s’vinte.
Drejtuesit në shumicë, pa dashjen e tyre, tani kanë në mendësi atavizma nga sistemi i dikurshëm socialist, nga ato praktika, qëndrime e interesa, ndërkohë janë në një proces të ri, ku nuk mungon përkushtimi, fantazia dhe shkenca si dhe interesi vetanak ndaj sistemit të tanishëm kapitalist dhe prapë, pa dashjen e tyre, kështu më duket, është arritur një kapitalizëm parak, i egër si për të na thënë se ja, kjo është ajo që deshët, duke u mbajtur gjallë ndërkohë dhe nostalgjia e dëmshme për sistemin e kaluar, në përpjekjet vetanake të gjithsecilit për t’u pasuruar sa më shpejt, por jo me mundësitë e atyre që dalin në krye të vendit, ku korrupsioni është tronditës.
Populli ynë dëshiron shumë e vepron pak, ka dhe egon e mirë, por jo ndërgjegjësimin dhe kulturën e bashkësisë, e kolektivitetit, i tmerruar nga kolektivizimet në diktaturë.
E do dhe e pret integrimin në BE. Me padurim. Meqënëse ai vonon, prnadja dhe ikin për andej. Është klasa politike që s’ia ka dalë të gjejë rrugën më të shkurtër për atje, për të mos thënë se ndonjëherë i intereson dhe status-quoja. Nuk janë plotësuar kushtet, një pjesë të cilave dëmtojnë interesat e vetë klasës politike, korrupsioni alarmant, papunësia e ndjeshme, paaftësia drejtuese, zhvillimi i pa planifikuar, importi më i madh se eksporti, infrastruktura e prpapmbetur, çinteresimi flagrant për kulturën, etj, etj.
Si faktor i parë është që ne jemi vonë për tek vetja… Dhe “Treni i integrimit” nuk pret. Dhe vetë BE nuk ka unitetin e duhur dhe një venitje të dëshirës për zgjerim, pa zemërgjerësinë dhe kujtesën e duhur, se Shqipëria me Skënderbeun në krye u bë mur mbrojtës për Europën 500 vjet më parë, u vranë dhe u dogjën shqiptarët dhe ballkanasit, pa pati një lulëzim në bregun tjetër, një Rilindje Europiane, Da Vinç e Mikelanxhelo e Makiavel. Duket si legjendë, kur e themi, por është histori dhe borxh. E meritojmë Europën dhe na meriton Europa me pak punë të përbashkët që Shqipëria të mos presë “ende tek porta”.- siç thoni ju. Pra, pas mureve të padukshëm…

7. A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?
Përgjigje: Nuk është ngritur ende në atë lartësi, por klasa politike ka ngritur lart një tjetër mur të padukshëm përreth vetes, duke iu larguar realitetit të popullit të vet dhe Europës ngjitur.
Dhe Muri, e përsëris, është dhe politikë. Ndërkaq ka një gjithëpërfshirje në një si “sindromë muri”, që një pjesë e duan ta kenë, i mbron në vetëveçimin e tyre dhe të tjerët që nuk duan mure, t’i rrëzojnë kudo, edhe atje ku janë mure mbrojtëse.
Nga kjo sindromë nuk mund të dilet kollaj. As unë nuk rri dot pa treguar një poezi timen, pa poezi nuk ka Europë, e kam shkruar në Gjermani në 1993, është në librin tim, “Mbjellja e vetëtimave”, që u botua një vit më pas në Shkup, duke rrëzuar kështu mure të tjerë rreth vetes. Po e sjell dhe si tregues dhe dëshmi të njeriut që u dënua për poezi nga Muri dhe del nga dënimi dhe shkruan pranë atij Muri të rënë. Në Europë.

NJË COPË GUR NGA MURI I BERLINIT

Urrej të ndjek si dhe të prij.
Fridrih Niçe

Mos harro
të më sjellësh një copë të vogël guri
nga muri i shëmbur i Berlinit, miku im i huaj!

Kur ta mbaj në duar, e di, do të dridhen
kufijtë e përgjakur, burgjet, selitë e tiranëve
do të ndiejnë gërryerje dhe
do të duan të bien si në një mallkim.
Gurët në veshka do t’i shkaktojnë kriza të tjera shtetit.
Do të ndjehen keq piramidat, do të lëvizë shkretëtira
valë-valë e zemërimit,
Muri i vjetër kinez –
si një rresht pleqsh të lagur në azilin e historisë.

Oh, sa frikë kanë tani nga ky gur i pakët, i dhuruar,
që unë e kam lënë mbi tryezën e punës. E prek
si një plagë të përtharë dhe menjëherë lëvizin
të vrarët nën dhé, ata që deshën të kapërcejnë muret,
telat me gjemba, vdekjen…
Dhe gurët e varreve pendohen.

Dhe do të desha të shtoj dhe këto vargje:

– Ku e gjete, nga ç’planet erdhi ky gur? –
do t’më pyeste im bir.
– Nga një planet i rënë, – do t’i thosha, teksa shihja flatrat
që po rriteshin mbi supet e tij..

Dhe vërtet kam një copëz guri nga Muri i Berlinit në shtëpi, ma dha një mik gjerman, ia kërkova, e dua, i thashë, ç’të jetë, tullë, shkëmb, ndërsa ai më kërkoi diçka nga shtatorja, dhe ajo e rrëzuar, e Enverit. S’kisha bronz të thyer, vetëm ca mermeri nga piedestali, e ndava.
Të rrezikshme ato janë kur i mban në kokë. Shkëmbime të tilla në natyrë, kaq emocionuese, më janë dukur si paraprirje të marrëdhënieve të vendit tim me Europën.
Pastaj e pashë dhe unë Murin në Berlin, pjesë të tij në tre vende të ndryshme, në Berlin së pari, ku e kishin lënë ndoku, ku nuk pengonte rrugën, për kujtesën. Ai s’ishte prej tullash siç e kisha menduar, por bashkime masivësh të larta betoni. Pra tullat, me të cilat kisha punuar dikur, nuk shërbenin për mure kësisoj. Vura re se në faqen Lindore Muri ishte tejet i shkretë, gri e zbrazët, kurse nga faqja Perëndimore ishte plot me grafite, vizatime ngjyra-ngjyra, fjalë, profile, puthje, etj. Dhe e kujtova se në anën Lindore nuk lejohej të afroheshe, të qëllonte me automatik menjëherë ushtari si në kufi, të vriste për tentativë arratisjeje. Oh, sa shumë janë vrarë e janë zvarritur kufoma të përgjakura!
Po kështu ishin dhe ato pjesë autentike të Murit të Berlinit, që i shpërngulën duke kaluar oqeanin në Uashington, i pashë në një muze të tij dhe kështu është dhe në Tiranë ajo copëz Muri, e vendosur në hyrje të “Bllokut”, megjithëse në faqen që i takonte Lindjes, dikush ka hedhur ngjyra.
Tani që nga kjo copëz Muri në Tiranë dhe deri në Berlin dhe më tej, në Uashington, politika shqiptare has në mure të padukshëm, pengues si të mbetura që para viteve ’90, që s’dihet me sa shpirt e zell u vërvitet për t’i shëmbur. Duhet.

8. Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit.
Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.
Përgjigje: S’ka si të jetë ndryshe, dhe ligji tek ne është si demokracia që kemi, mes mureve të padukshëm. Nëse ndërruan Kushtetuta dhe Legjislacioni, Kodi Penal, etj, gjyqtarët, prokurorë e hetues, etj, ishin po ata të diktaturës, një pjesë e të cilëve kaluan në avokatë, që dikur nuk lejohej dhe kështu nga dënuesit tanë u kthyen në mbrojtësit tanë, të mësuar që drejtësia të ishte pronë e shtetit dhe e sundimtarëve, prandaj dhe më shumë është vepruar ne gjyqësor sipas urdhërave nga lart dhe interesave partiake dhe jo sipas ligjit, i pamjaftueshëm dhe ky.
Ligji është dhe moral, ndërgjegje dhe përgjegjësi, mbrojtje e lirisë dhe e pronës.
Me urgjencë do të duhet një ligj që njerëzit e ligjit të jenë vetëm të ligjit.
Drejtësia është dhe panteon i popullit. Ende s’është ngritur si i tillë.

9. Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja.
Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?
Përgjigje: Herë-herë mendoj se njerëzit ngulmojnë të jenë më shumë të së tashmes dhe të vetes së tyre se sa të së ardhmes dhe të vendit. Është arritur shumë ndërkaq, ndryshime europianizuese, por e them me keqardhje se ka që duan të punojnë pak dhe të kenë shumë e më shumë sot, tani, në çast, pa mund e sakrifica e djersë të ndershme, ja, si ata në krye, thonë.
S’e di se sa me këmbë në tokë jemi bërë. Mua më duket se ka dhe një si çartallosje donkishoteske, ballkanike, ndërsa bota vetë sot përballet me vetveten, me një shoqëri likuide, pa formë e shumëformëshe. Që ne në pjesën tonë e turbullojmë më shumë ujin… Që të flas për të ardhmen, më mirë të marr në ndihmë një nga zërat e së ardhmes, atë që kisha më afër. Më ka goditur ç’shkruante një student i filozofisë, im bir, në një universitet jashtë, në Perëndim, e kam nënvizuar:
I- “A është vërtet vendi im i gatshëm për atë çka aspiron dhe a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”
Pra, mund t’i kemi këmbët në tokë, por kryet në re. Ndërkohë dhe jam dëshpëruar, por kam marrë dhe kurajo e shpresë. Të rinjtë po dinë të na shohin, po dinë të na gjykojnë dhe do të dinë të veprojnë.
Gjenerata ime, unë/ne kemi menduar me teprí se do të vinte bota, Europa, Amerika që do të na shëmbte muret, të dukshëm dhe të padukshëm, e do të na e përparonte Shqipërinë, por mbi të gjitha do të duhej puna jonë, vullneti dhe mënçuria, etj, dhe kur s’ja kemi dalë e jemi ndjerë të penguar, është dëshiruar ikja, të vemi ne te përparimi i botës, në Europë, Amerikë, por ai studenti, brezi i tij, më kanë mrekulluar kur kam zbuluar se po duan ata që ta mëkëmbin Shqipërinë, ta bëjnë si do të donim, duke marrë dije nëpër botë, në universitet më të mira në Europë e SHBA, që me t’u kthyer, t’i përvishen punës për të shembur muret tona e të ndërtojnë të ardhmen.
II. Po vazhdoj të shfletoj librin “Për atë që dua(m)”, të tim biri, Atjonit, dhe ja, një nënvizim tjetër: Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë… Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…
Kryengritje morale? Sa bukur! Sa e rëndësishme! Sa e duhur. Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.
III- Të rinjtë po i kërkojnë rrugët vetë. Po më shtohej besimi: …shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne. Dhe kredoja: TË BËSH TË KTHEHEN GJËRAT NË SHËRBIM TË LUMTURISË SË NJERIUT.
Ndërkaq mua më ndodhi tragjedia, M’u ndie sikur betonet e Murit të Berlinit e zunë nën vete të ardhmen. Duke parë gjithë këto realitete tronditëse, mos vallë ka dhe tragjizëm në demokracinë shqiptare?

10. Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?
Përgjigje: Duket larg për mua. Nuk shikoj dot. Vetëm të klith mundem… E di se do të jemi më larg se “1984” e George Orwell-it edhe 65 vjet të tjera. Me shumë mure të tjerë të padukshëm të rrëzuar ose duke u rrëzuar. Meritë absolute e logjikës së jetës kjo. Lutem për sa më pak viktima, për më shumë jetë e mirëqenie.
Jo se nuk kam merak, frikë dhe ankth. Të shëmbim mure dhe të ndërtojmë ura, thotë dhe papa Françesku, kurse Presidenti Donald Trump tha së fundmi se e ardhmja nuk u takon globalistëve, por patriotëve.
Globalizimi nuk duhet të jetë humbje e identiteteve, por bashkësi e tyre. Besoj se dhe ne nuk do kemi humbur edhe më. Më shumë se sa Atdhe do të doja të jetë Birdhe. Një Shqipëri më moderne, më humane, më me shpirt, kulturë dhe art, që, shpresoj, do ta ketë zbutur dhe arkitekturën e saj të çartur të qyteteve, si grafik i mendjeve tona, me blunë e qiell-detit tonë dhe të blertën e pyjeve dhe ëndrrave tona, euroatlantike patjetër, por sipas 2049 dhe më e rëndësishme mbetet porosia, që uroj të jetë profeci: “të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut”.

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike – pajtohen për bashkëqeverisje

Luljeta Krasniqi – Veseli

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur të enjten janë pajtuar për fillimin e bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se janë pajtuar që të qeverisin bashkë me LDK-në.

“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët për një qeveri sa më efikase dhe një shtet sa më të fuqishëm, synimi jonë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga drejtësia, zhvillimi”, tha Kurti.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se te dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.

“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë me LVV-në për të diskutuar mundësitë e bashkë qeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve jo të detajeve më e rëndësishmja është se të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se do të presin numërimin edhe të votave me postë, votave me kusht para arritjes së një marrëveshje finale.

Gjatë këtij takimi, Kurti dhe Osmani kanë bërë të ditur se është diskutuar sa i përket reduktimit të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Po ashtu, ata kanë bërë të ditur se do të krijohen grupet punuese të të dyjave partive për të diskutuar detajet dhe për të harmonizuar programet.

Para nisjes së këtij takimi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit të zgjedhjeve pritet të jetë mandatari i ardhshëm për kryeministër të Kosovës ka thënë para medieve se ky është fillimi i qeverisë së re.

“Ky është fillimi i Qeverisë së re, po punojmë për koalicion qeveritar që do ta çkapë shtetin nga e keqja”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkaq, tani rezultati preliminar zgjedhor e favorizon për kryeministër liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Ndryshe nga e kaluara, kur pas zgjedhjeve parlamentare ishin shënuar vonesa të theksuara në konstituimin e institucioneve qendrore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, analistët politikë në Prishtinë nuk parashikojnë se do të ketë vonesa të mëdha.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto dy parti politike kanë dhënë sinjale pozitive për koalicion edhe para zgjedhjeve, andaj sipas tij, nuk pritet të ketë zvarritje rreth formimit të qeverisë e re.

Ai thotë se këto dy parti mund të sigurojnë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e ardhshme të Kosovës. Ibrahimi shton se të dy partive, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani u mbetet vetëm të ulen dhe të shohin se cila do të jetë marrëveshja ndërpartiake për formimin e qeverisë së re.

“Nuk besoj që do të ketë zvarritje të formimit të qeverisë, sepse në dy palë zgjedhjet e kaluara kur kemi pasur zvarritje të tilla, është parë se partia fituese e ka të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe mandatarit të qeverisë, prandaj dhe kjo nuk do të kontestohet nga asnjë parti politike, por edhe partitë politike kanë mësuar nga këto procese. Pra, nuk është se mund të nxjerrin ndonjë gjë (përfitim) nga ndonjë proces i tillë”, tha Ibrahimi.

“Përveç kësaj e dimë se kemi përpara një proces të vështirë të dialogut me Serbinë, një proces që pritet të fillojë shumë shpejt dhe të ketë një epilog sepse këtë e kemi parë edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që kanë vizituar Prishtinën edhe qëndrimet vendeve të Kuint-it, prandaj nuk besoj që klasa politike kosovare ka luks të bëjë vonesa të tilla”, thotë Ibrahimi.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në qeveri.

Edhe analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se nuk pret vonesa në konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Sipas tij, deri në nëntor Kosova mund të ketë qeverinë e re.

Sipas Tahirit, dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar tanimë se kryeministri i takon subjektit që ka fituar më së shumti vota dhe se mbetet vetëm harmonizimi programor.

“Zgjedhjet parlamentare treguan ndryshimin si vullnet i shprehur i popullit. Vetëvendosje doli e para, e ndjekur me pak vota ose më një apo dy deputetë më pak nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kosova nuk e ka përjetuar asnjëherë një koalicion të tillë i orientimit socialdemokrat edhe liberal-demokrat, por që e shprehin një elan të ri të qeverisjes. Probleme sa i përket krijimit të qeverisë së këtyre dy partive nuk shoh, pasi që kanë pasur partneritet për të bërë koalicion parazgjedhor dhe nuk janë marrë vesh vetëm për anën formale të caktimit të kryeministrit, mirëpo janë marrë vesh parimisht që kryeministri i takon subjektit që del e para në zgjedhje dhe kjo e zgjidh problemin”, thotë Tahiri.

Sa i përket çështjeve programore, Tahiri shton se do t’i harmonizojnë shpejtë, sepse siç thotë ai ‘do të kenë edhe ndihmën ndërkombëtare të ekspertëve’.

Në të kaluarën pas zgjedhjeve, konstituimi i institucioneve të reja në Kosovë zakonisht ka hasur në vështirësi.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017 krijimi i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës kishte qenë një sfidë e vërtetë për koalicionin fitues të zgjedhjeve të atëhershme të 11 qershorit, i quajtur koalicioni PAN, i cili më vete kishte përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Koalicioni ishte arritur të krijohej pas tre muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

Një kohë më të gjatë të krijimit të institucioneve të reja kishte ndodhur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Në atë kohë, koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte arritur të bëhet pas gjashtë muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

Vetëvendosje dhe LDK me sinjale pozitive për formimin e Qeverisë së re

Luljeta Krasniqi – Veseli

Ndryshe nga e kaluara, kur pas zgjedhjeve parlamentare ishin shënuar vonesa të theksuara në konstituimin e institucioneve qendrore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, analistët politikë në Prishtinë nuk parashikojnë se do të ketë vonesa të mëdha.

Bazuar në rezultatin preliminar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilat kanë fituar më së shumti vota, pretendojnë që të krijojnë së bashku qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Të dy partitë fituese kanë paralajmëruar nisjen e negociatave për formimin e qeverisë. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme është paralajmëruar se përfaqësuesit e të dy partive do të takohen për të nisur negociatat rreth formimit të institucioneve të reja.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit të zgjedhjeve pritet të jetë mandatari i ardhshëm për kryeministër të Kosovës, ka paralajmëruar për nisjen e bisedimeve me LDK-në qysh nga e enjtja.

Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkaq tani kur rezultati zgjedhor e favorizon liderin e Vetëvendosjes, Osmani është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me Kurtin për krijimin e qeverisë së koalicionit.

“Koalicioni LDK-LVV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto dy parti politike kanë dhënë sinjale pozitive për koalicion edhe para zgjedhjeve, andaj sipas tij, nuk pritet të ketë zvarritje rreth formimit të qeverisë e re.

Ai thotë se këto dy parti mund të sigurojnë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e ardhshme të Kosovës. Ibrahimi shton se të dy partive, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani u mbetet vetëm të ulen dhe të shohin se cila do të jetë marrëveshja ndërpartiake për formimin e qeverisë së re.

“Nuk besoj që do të ketë zvarritje të formimit të qeverisë, sepse në dy palë zgjedhjet e kaluara kur kemi pasur zvarritje të tilla, është parë se partia fituese e ka të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe mandatarit të qeverisë, prandaj dhe kjo nuk do të kontestohet nga asnjë parti politike, por edhe partitë politike kanë mësuar nga këto procese. Pra, nuk është se mund të nxjerrin ndonjë gjë (përfitim) nga ndonjë proces i tillë”, tha Ibrahimi.

“Përveç kësaj e dimë se kemi përpara një proces të vështirë të dialogut me Serbinë, një proces që pritet të fillojë shumë shpejt dhe të ketë një epilog sepse këtë e kemi parë edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që kanë vizituar Prishtinën edhe qëndrimet vendeve të Kuint-it, prandaj nuk besoj që klasa politike kosovare ka luks të bëjë vonesa të tilla”, thotë Ibrahimi.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në qeveri.

Edhe analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se nuk pret vonesa në konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Sipas tij, deri në nëntor Kosova mund të ketë qeverinë e re.

Sipas Tahirit, dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar tanimë se kryeministri i takon subjektit që ka fituar më së shumti vota dhe se mbetet vetëm harmonizimi programor.

“Zgjedhjet parlamentare treguan ndryshimin si vullnet i shprehur i popullit. Vetëvendosje doli e para, e ndjekur me pak vota ose më një apo dy deputetë më pak nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kosova nuk e ka përjetuar asnjëherë një koalicion të tillë i orientimit socialdemokrat edhe liberal-demokrat, por që e shprehin një elan të ri të qeverisjes. Probleme sa i përket krijimit të qeverisë së këtyre dy partive nuk shoh, pasi që kanë pasur partneritet për të bërë koalicion parazgjedhor dhe nuk janë marrë vesh vetëm për anën formale të caktimit të kryeministrit, mirëpo janë marrë vesh parimisht që kryeministri i takon subjektit që del e para në zgjedhje dhe kjo e zgjidh problemin”, thotë Tahiri.

Sa i përket çështjeve programore, Tahiri shton se do t’i harmonizojnë shpejt, sepse siç thotë ai ‘do të kenë edhe ndihmën ndërkombëtare të ekspertëve’.

Në të kaluarën pas zgjedhjeve, konstituimi i institucioneve të reja në Kosovë zakonisht ka hasur në vështirësi.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017 krijimi i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës kishte qenë një sfidë e vërtetë për koalicionin fitues të zgjedhjeve të atëhershme të 11 qershorit, i quajtur koalicioni PAN, i cili më vete kishte përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Koalicioni ishte arritur të krijohej pas tre muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

Një kohë më të gjatë të krijimit të institucioneve të reja kishte ndodhur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Në atë kohë, koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte arritur të bëhet pas gjashtë muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

Intervista – Albin Kurti: Problemi ynë më i madh me Thaçin është raporti i tij me Serbinë

Autori: Blendi Fevziu

21:47 09/10/2019

Intervistë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Albin Kurti në “Opinion”: Në parim, LDK ka pranuar të ketë koalicion

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, tha mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion” se Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar në parim të hyjë në koalicion me ta për krijimin e qeverisë së re.

Në parim kanë pranuar që të kenë koalicion me ne. Kanë pranuar që të kenë koalicion me ne dhe ne nesër do të kemi një takim ku do të marrim pjesë unë dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Prof. Besnik Bislimi, ndërkaq nga LDK do të jenë prof. Isa Mustafa dhe kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Kurti tha se LVV dhe LDK nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse të hyjnë në koalicion sëbashku.

Pra ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi të dënuar të bashkëpunojmë. Ishim opozitë të dyja, ndryshimi nënkupton që opozita bëhet qeveri dhe mu këtë gjë e ka dashur populli me pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 6 Tetorit.

Kurti tha se posti i Kryeministrit nuk është në tryezën e negociatave, pasi sipas tij këtë e ka vendosur populli në kutitë e votimit, kur e nxori LVV si parti të parë.

A do të kërkojë Kurti shkarkimin e Hashim Thaçit?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse do të kërkojë shkarkimin e Presidentit Hashim Thaçi.

Blendi Fevziu: Është folur që mund të kërkoni shkarkimin e Presidentit të Kosovës, Zotit Hashim Thaçi. Është e vërtetë?

Albin Kurti: Ne gjithmonë e kemi kërkuar këtë gjë.

Blendi Fevziu: A do të merrni ndonjë akt në këtë drejtim, se sot keni vota?

Albin Kurti: Nuk kemi vota për ta bërë shkarkimin.

Blendi Fevziu: Po me ç’shkak do kërkoni ta bëni shkarkimin, se kjo kërkon edhe një argumentim?

Albin Kurti: Problemi më i madh që kemi me Presidentin, tani ta shohim pas vendosjes sonë si qeveri dhe fitores në zgjedhje, është sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik në këto dy vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?

Albin Kurti: Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme për ne para 3 viteve, për shkak se në njërën anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm, ku Veriu është dhuratë e Rankoviçit.

Çfarë pritet t’i ofrojë Albin Kurti LDK-së në negociatat për qeverinë

Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme, postin e Presidentit të Kosovës ta marrë Isa Mustafa, megjithatë ai thotë se momentalisht prioritet është formimi i kabinetit qeveritar. Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion”, Kurti u shpreh besimplotë se qeverisja me Vjosa Osmanin do të jetë e mirë. I pyetur për vizionin e tij, sa i takon postit që mund të mbajë në qeverinë e re zonja Osmani, kreu i LVV tha se qoftë Ministren e Punëve të Jashtme, qoftë Kryeparlamentaren, ajo do ta bënte shumë mirë.

Blendi Fevziu: A do të bënit ju një marrëveshje me LDK, për shembull që duke marrë Kryeministrin t’i lëshonit zotit Mustafa, në të ardhmen, brenda afatit që nevojitet, postin e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës?

Albin Kurti: Nuk e përjashtoj mundësinë që mund ta diskutojmë këtë gjë në të ardhmen. Por edhe njëherë po theksoj që tani për tani kemi një prioritet tjetër, është formimi sa më parë i kabinetit qeveritar.

Blendi Fevziu: Nëse unë ju pyes, edhe pse është shumë e parakohshme, që ku do ta shihnit ju personalisht zonjën Osmani në qeverinë tuaj, çfarë përgjigje do më jepnit?

Albin Kurti: Unë besoj që tani i takon zonjës Osmani që ta flasë. Ajo ka dashur që të bëhet Kryeministre e Republikës së Kosovës, tani duhet ta shohim se cili është plani B. Unë nuk e di cili është plani B, por do ta diskutojmë nesër këtë gjë.

Blendi Fevziu: Ky është plani i saj, por në fakt cili është vizioni juaj?

Albin Kurti: Unë kam pasur bashkëpunim shumë të mirë me zonjën Osmani çdo herë, si kolegë deputetë që kemi qenë. Edhe në legjislaturën e 4, edhe të 5 edhe të 6, besoj që edhe do të qeverisim mirë bashkë. Ajo ka qenë kryetare e Komisionit për Punët e Jashtme, Komisionit Parlamentar në mandatin që shkoi.

Blendi Fevziu: Aq më tepër që dialogu me Serbinë në këtë moment kërkon një konsensus përtej Vetëvendosjes…

Albin Kurti: Pa dyshim, por nëse shikoni votimet e zonjës Osmani për çështjet me Serbinë, përputhen pothuajse 100 % me Vetëvendosjen. Zonja Osmani e ka kundërshtuar madje dhe marrëveshjen Thaçi-Daçiç të 19 Prillit 2013, para 6 viteve gjysma e ka votuar. Prandaj kemi një shans shumë të mirë me të dhe gjithashtu unë besoj që qoftë Ministren e Punëve të Jashtme qoftë Kryeparlamentaren do ta kryente shumë mirë. Kjo është edhe vokacioni i saj nga përvoja parlamentare që kemi bashkë.

Kurti: Dialogun me Serbinë do ta drejtoj unë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se nuk do të jetë një kryeministër arrogant me opozitën dhe se bashkë me këtë të fundit do të krijojë një ekip negociator për dialogun me Serbinë. Këtë dialog thotë se do ta drejtojë vetë ai, ndërsa drejtimin e këtij dialogu nga Presidenti i Republikës e cilëson të gabuar.

Blendi Fevziu: Nëse do të shkoni në dialog me Serbinë, duket që SHBA e kanë marrë shumë seriozisht këtë dialog, përderisa Presidenti Trump ka caktuar një të dërguar special përtej atij për Ballkanin, një të ngarkuar direkt të tijin për dialogun Kosovë-Serbi. Sa të përfshira do të jenë SHBA-të në këtë dialog?

Albin Kurti: Do të jenë shumë të përfshira, ne kemi edhe letrën e Presidentit Trump nga Dhjetori i vitit të kaluar. Mirëpo Presidenti Trump aty thotë se ne duhet të flasim me një zë unik në Kosovë, gjë që nuk ka qenë rasti në dy vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Dhe ju mendoni se do ta keni zërin unik si Kryeministër?

Albin Kurti: Unë si Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës nuk do të jem arrogant ndaj opozitës, do të krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën dhe nuk do të lejoj që Serbia të futet si pykë në skenën politike kosovare, të në ndajë e të na përçajë.

Blendi Fevziu: Kush do ta drejtojë dialogun me Serbinë?

Albin Kurti: Unë.

Blendi Fevziu: Kush ju mandaton për këtë?

Albin Kurti: Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një shtet të pavarur që është republikë parlamentare dhe demokratike, kjo më takon.

Blendi Fevziu: Deri tani është marrë Presidenti i Republikës me këtë çështje.

Albin Kurti: Gabimisht pra, prandaj edhe dështoi.

Blendi Fevziu: Do të përjashtohet krejtësisht apo do të përfshihet edhe Presidenti në dialog.

Albin Kurti: Jo këtë do ta udhëheq unë. Presidenti i Republikës së Kosovës do të jetë president, por ai është përfaqësuesi i politikës së jashtme, jo krijuesi i politikës së jashtme. Ai është sjellë si krijues i politikës së jashtme, ai nuk mund të jetë më krijuesi i politikës së jashtme.

“Më ka ofenduar vajzën minorene”, Albin Kurti i përgjigjet Vuçiçit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të dielën, tha se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është në siklet me ardhjen e tij në krye të qeverisë.

Kurti po ashtu iu përgjigj edhe akuzave të Vuçiç, se lideri i LVV i ka ofenduar edhe vajzën minorene.

Blendi Fevziu:  Vuçiç, në një intervistë për Tv Klan, që do të transmetohet nesër, thotë se “nëse do të jetë më e vështirë apo jo, nuk e di, por për mua është më e vështirë që nuk kemi një zgjidhje kompromisi. Dhe unë flas për gjëra serioze, jo për gjëra personale, siç është ajo që Albin Kurti ka ofenduar bijën time minorene, duke e përfshirë në procese politike. Sepse njerëzit e ndershëm nuk e bëjnë këtë, por ta lëmë anash”.

Albin Kurti: Ta lëmë anash, por e përmend.

Blendi Fevziu: Vuçiç thotë “sa i përket Beogradit dhe Prishtinës, unë mund të them se nëse nuk dëshironi kompromis, nuk ka problem njerëz, vetëm na njoftoni dhe më thoni që nuk duam kompromis, dhe ne do të jemi në rregull. Do të vazhdojmë kështu të jetojmë, ne pak më mirë, se ju dhe me një autoritet më të madh në bashkësinë ndërkombëtare, që më vjen keq, por kjo është zgjidhja juaj me sa duket”. Pra ai thotë, nëse s’doni, mund të vazhdojmë secili, që do të thotë, stanjacion ose status-quo.

Albin Kurti: Ai ka një siklet të madh sepse me ardhjen time kryeministër ai zbulohet në të vërtetën e tij origjinale. Që është që kur unë fillova në politikë si udhëheqës studentor, ai ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviçit.

Blendi Fevziu: Jeni takuar me të?

Albin Kurti: Jo nuk e kam takuar, nuk e kam takuar kurrë. Por unë bëja protesta në Universitetin e Prishtinës, ai jepte intervista në Hotelin Grand, ku ndodheshin Tigrat e Arkanit. Pra ai e kupton shumë thellë çka do të thotë ardhaj e LVV në qeveri dhe e imja si kryeministër. Prandaj është ky siklet.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, ia keni përmendur vajzën?

Albin Kurti: Kur ka ardhur në Kosovë në Shtator, as që kam ditur që ka vajzë ky e që ka djalë Thaçi, skam ditë gjë. Unë kam thënë në parim që këta të dy, aq shumë janë afruar e duan të bëjnë marrëveshje si monarkë mesjetarë, vetëm ju ka ngelur edhe të bëjnë krushqi e t’i martojnë fëmijët e tyre. Idenë nuk ia kam pasur çfarë kanë këta.

Albin Kurti tregon pse u “ftoh” me Ramën

Mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, shpjegoi edhe arsyet se pse është “ftohur” marrëdhënia e tij me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Megjithatë, ai tha se kërkon të ketë marrëdhënie të mira me homologun shqiptar dhe se do ta takojë atë shumë shpejt.

Blendi Fevziu: Si janë raportet tuaja me Kryeministrin e Shqipërisë?

Albin Kurti: Raportet i kemi pasur shumë të mira, tash nuk mund të them se i kemi shumë të mira, por unë dua t’i përmirësoj ato për shkak se ne nuk jemi persona të veçantë, por krerë shtetesh.

Blendi Fevziu: Pse u prishët me Edi Ramën?

Albin Kurti: Besoj se kjo ka ardhur si rezultat i afërsisë së tepruar të Kryeministrit me Presidentin e Kosovës, në një kohë kur në Kosovë u zhvillua protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës pikërisht kundër Presidentit. Ishte protesta e 29 Shtatorit të vitit të kaluar, me parullën “një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”. Ai më pas mbështeti presidentin e Kosovës.

Blendi Fevziu: Keni pasur bisedime private për këtë çështje me Ramën?

Albin Kurti: Jam takuar me të në Dhërmi, në rezidencën qeveritare, kemi diskutuar për shumë gjëra, për aq shumë gjëra jemi pajtuar, sepse jemi bashkë në forumet ndërkombëtare të partive simotra. Por për këtë gjë për mua ka mbetur pak enigmatike se si bëhet që ai nuk shkëputet dot prej aventurës së Presidentit, prej akrobacionit të tij të rrezikshëm për shkëmbim territorial.

Blendi Fevziu: A ka ardhur ftohja juaj për shkak të interferimit tuaj në politikën shqiptare? Nga zërat për krijimin e LVV në Shqipëri.

Albin Kurti: Nuk ka të bëjë me atë, jo fare nuk ka të bëjë me atë.

Blendi Fevziu: Do të takoheni shpejt me Ramën?

Albin Kurti: Po.

Blendi Fevziu: Po me presidentin e Shqipërisë?

Albin Kurti: Po.

Blendi Fevziu: Keni raporte të mira me Presidentin Meta?

Albin Kurti: Po kam raporte të mira, kam shumë kohë që se kam takuar./tvklan.al