Si çdo shtet sovran, edhe Kosova ka të drejtë t’i ketë forcat e saj të armatosura dhe për këtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me autoritetet e Kosovës në krijimin e forcave mbrojtëse, ka thënë Philip Kosnett, kandidat për ambasador të ardhshëm i SHBA-së në Kosovë.
Kosnett është emëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ambasador i ardhshëm në Kosovë. Ai të enjten është paraqitur para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ku u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të disa senatorëve. Pos tjerash, ai ka folur edhe për çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur. Ai ka thënë se edhe Kosova, sikurse çdo shtet tjetër, ka të drejtë të ketë ushtrinë e saj.
“Do të punoj në mënyrë që Kosova të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Si çdo vend tjetër, edhe Kosova e ka të drejtën e vet sovrane t’i ndërtojë forcat e saj të armatosura për mbrojtjen e vet. Shtetet e Bashkuara mbështesin tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri ndërvepruese në NATO, me mandat mbrojtës të limituar”.
“Kosova duhet të qëndrojë në bashkëpunim të ngushtë me ne dhe të vazhdojë shtrirjen e saj dhe të flasë edhe me serbët e Kosovës, që të garantojë një tranzicion të suksesshëm. Nëse unë konfirmohem si ambasador, do të punoj me aleatët e NATO-s dhe Kosovën që t’i krijoj Forcat e Armatosura të Kosovës që të jenë të afta, gjithëpërfshirëse dhe një forcë që ndikon në stabilitetin e rajonit”, ka deklaruar Kosnett.
Pjesëtarë të FSK-së mbajnë flamurin e SHBA-së.
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Qeveria e Kosovës po punon për transformimin e FSK-së në ushtri me komunitetet në Kosovë, me vendet rajonale, NATO-n, KFOR-in dhe me shtetet partnere, veç e veç.
“Ne kemi arritur rezultate të pakontestueshme në raport me komunitetet që jetojnë në Kosovë, kemi ndërtuar bashkëpunim të rregullt me shtetet rajonale, e marrëveshje bashkëpunimi me 13 shtete në botë. FSK-ja është institucion kredibil, përfaqësues dhe i gatshëm”.
“Përpjekjet tona për ndryshime kushtetuese nuk do të ndalen asnjëherë, sepse kjo do të mundësonte ndryshimin e emrit dhe maksimalizimin e mbështetjes politike, derisa qasja jonë në tranzicionin e FSK-së nuk është qasje ad-hoc. Kemi planin 10-vjeçar të tranzicionit, i cili në substancë bëhet përmes ndryshimeve ligjore, ndërsa përpjekjet për ndryshimet kushtetuese do të jenë të vazhdueshme”, ka thënë Ramandani.
Sipas tij, transformimi i FSK-së në ushtri nuk do të thotë zëvendësim i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Nuk do të zëvendësohet KFOR-i, por do të thellohet partneriteti mes FSK-së dhe KFOR-it. Përkundrazi, kjo nënkupton partneritet edhe më të thellë mes FSK-së dhe KFOR-it. Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me shtete partnere, veç e veç, po ashtu me KFOR-in, me NATO-n dhe me komunitetet në Kosovë dhe besojmë se kjo është rruga, të cilën do ta ndjekim edhe më tutje”, ka theksuar Ramadani.
Ndërkaq, gjatë paraqitjes në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Kosnett po ashtu është pyetur lidhur me spekulimet për mundësinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara për idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes dy vendeve. Mendojmë se ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për t’i kapërcyer tensionet e vjetra”, ka thënë Kosnett.
Megjithatë, zyrtarët e NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur qëndrimin se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, të cilat deri më tash janë refuzuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës, në vazhdimësi kanë deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës, në të ardhmen, do të jenë faktor i stabilitetit brenda për brenda Kosovës dhe për rajonin, ndërkohë që autoritetet e Serbisë i shohin këto forca si të rrezikshme për paqen dhe si faktor i destabilitetit në rajon.
Altin Dumani i dorëzoi sot zyrtarisht detyrën kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Klodian Braho.
Në një fjalim shkurt, Dumani tha se sot mbyll një nga kapitujt më sfidues në karrierën e tij profesionale. Ai u shpreh se gjatë detyrës së tij është ndeshur edhe me presione, por theksoi se ka punuar me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.
“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit në karrierën time 26 vjeçare si prokuror. Drejtimi i SPAK ka qenë privilegj, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presion të mëdha.
Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot SPAK është më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë.
Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve. Çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri dhe kurajo”, deklaroi Altin Dumani.
Një falënderim kishte edhe për partnerët ndërkombëtarë: “Kanë qenë krah nesh në cdo etapë me mbështetje dhe ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar, për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për të ndërtimin e standardeve që kemi sot.
Besimi i publikut -tha Dumani- ka qenë forca jonë më e madhe.
Dumani i uroi Brahos suksese në punën e tij, duke shprehur bindjen “se do të mbështetet në trashëgimin 6 vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet dhe vendosmëri”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau gjatë takimit të tyre në korrik të vitit 2025.
Radio Evropa e Lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon të hënën në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.
Aty nuk janë dhënë më shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin që zhvillohet pasdite, me orën lokale të Kosovës.
Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur dy palët i kanë diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së e kanë përjetuar një goditje më herët gjatë vitit për shkak të vendimit të Uashingtonit për të pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e ekzekutivit janë parë si sfida për përparim.
Gjatë viteve të fundit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi, apo mbylljen e institucioneve serbe.
Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.
Vetë Kurti ka thënë ditë më parë se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.
E pyetur lidhur me këto deklarata, Ambasada e SHBA-së në Kosovë I ka thënë Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.
Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.
Opozita shqiptare organizon sot një protestë kombëtare në Bulevardin e ‘Dëshmorët e Kombit’, kundër qeverisë dhe asaj që e cilëson si “keqqeverisje, korrupsion dhe abuzim me fondet publike”.
Protesta, e cila nis në orën 18:00 ka në qendër akuzat ndaj qeverisë për afera të mëdha infrastrukturore, me fokus të veçantë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku është e përfshirë në shkelje të rënda ligjore lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe, për të cilat SPAK e ka marrë të pandehur zyrtarisht.
Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzon Belinda Ballukun se ka vjedhur 50 milionë euro, ka 300 apartamente, 2 jahte dhe 13 supermarkete.
Opozita kërkon që Balluku do të japë dorëheqjen dhe të shkojë para drejtësisë. Ndërkohë SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e mandatit të Belinda Ballukut, me qëllim arrestimin e saj.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama një ditë më parë paralajmëroi se do të bllokojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit.
Nesër ora 18:00 Protesta kombëtare përballë pabarazisë dhe korrupsionit
Sali Berisha: Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë.
I kemi filluar ato që janë te kryeministria.
Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare.
Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar.
Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë.
Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira.
Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD.
Ditë e hënë, 22 dhjetor ora 18:00, është fillimi i protestës tonë.
Të jemi të qartë se ne kemi vetëm një rrugë protesta,
protesta gjer në largimin e Ramës.
Pa protesta të qëndrueshme, narkodiktaturat nuk largohen.
Ne do të jemi më tepër, por në radhë të parë nuk kam më të rëndësishme sesa vendimi i secilit prej nesh çfarë do të bëjë më shumë.”, tha Berisha.
Gazetaria sportive shqiptare humbi një nga figurat e saj më madhore. Afër mesnatës së 20 dhjetorit u shua në moshën 91 vjeçare Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit, gazetari, komentatori dhe publicisti i rrallë, zëri i të cilit u bë pjesë e pandashme e historisë së sportit dhe medias shqiptare.
Kushdo që e ka dëgjuar ndonjëherë, vështirë të mos jetë drithëruar, vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë.
Zëri i tij kumbues dhe timbri i veçantë tashmë do të dëgjohen vetëm në fonotekën e Radio Tiranës dhe në arkivat sportive të RTSH, por jehona e tij do të jetojë përgjithmonë në kujtesën e miliona shqiptarëve.
Me largimin e Ismet Bellovës, gazetaria sportive shqiptare humbi jo vetëm një profesionist të jashtëzakonshëm, por një pasuri kombëtare, një vlerë të rrallë radiofonike dhe një shkollë të vërtetë të gazetarisë sportive, nga e cila u formuan e u frymëzuan breza të tërë. bw
Sërish tensione mes aktivistëve të Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ dhe policisë. Përfaqësues të Lëvizjes, që po protestojnë para Kryeministrisë prej disa ditësh, denoncojnë se policia i ka marrë gjeneratorin, ndërsa thuhet se janë ndaluar dhe 4 aktivistë.
Në videon e shpërndarë nga lëvizja Shqipëria bëhet, dëgjohet një nga përfaqësueset e lëvizjes që debaton me punonjës të policisë.
“A kemi të bëjmë me policinë, apo me bandat! Këtë dua të di dhe unë. Policia a respekton shkresat? Se kemi shkresa. Dhe ne na e hoqën gjysmë ore para. Ju po silleni si banditë, dhe ne si njerëz.”, tha ajo. Ndërkohë, Adriatik Lapaj tha se ky është shteti dhe policia e Edi Ramës. “Ne kërkojmë që të na jepet gjeneratori dhe më pas ju mbroni Ramën.”, dëgjohet teksa thotë ai. BW
Sic ishte lajmëruar, aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” kanë nisur protestën para kryeministrisë, përmes të cilës kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Pak minuta pas nisjes së protestës, aktivistët janë përleshur me policinë.
Me thirrjet “Edi Rama o hajdut”, protestuesit kanë denoncuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi, aferat korruptive të qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të tij.
Prej disa ditësh, kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe aktivistë të kësaj lëvizje janë zhvendosur para selisë së qeverisë duke theksuar se nuk do të lëvizin nga sheshi deri në largimin e tij.
Ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut, gazetari Sokol Balla, i njohur si megafon i Edi Ramës ka kërcënuar mbrëmjen e djeshme (18 dhjetor) në një editorial në hyrje të emisionit të tij drejtpërdrejt Edi Ramën se, nëse lëshon Belindën, do të të vijmë tek Linda.
Pavarësisht se ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut mundohet të mbulojë mesazhin e tij me SPAK apo me opozitën e Sali Berishës, përfshirja e Linda Ramës, madje edhe me foto, me ish-gruan e tij dhe Milinda Kërçanajn e AKSHI-t, tregon qartësisht se Koli ka kërcënuar drejtpërdrejt Edi Ramën.
Mesazhi i Kol Ballës është i qartë dhe i drejtpërdrejtë për Ramën: Nëse e lëshon Belindën, ajo do ta orientojë SPAK-un për tek Linda dhe ti. Madje ai le të kuptohet se jo vetëm Belinda, por edhe Koli vetë do të flasë më shumë.
Dhe si për t’ia bërë më të qartë këtë Edi Ramës i ka përmendur botuesin e shqiptarja.com dhe Report Tv, Carlo Bollino, i cili del edhe në përgjimet e dosjes Balluku ku përmes personave të tretë kërkon paratë që i ka dhënë Belinda me udhër të Ramës. Koli në editorial shpreh mërzinë që edhe Carlo që ka marrë para nga Belinda me urdhër të Ramës, tani i kërkon dorëheqjen asaj.
Editoriali i fundit i Kol Ballës të enjten në mbrëmje tregon qartë se lufta mes ortakëve që kanë ndarë paratë e shqiptarëve po bëhet tepër agresive dhe tashmë ka dalë në sipërfaqe. Askush nuk po fshihet më në kampin e rilindjes.
Pjesë nga kërcënimi publik i Kol Ballës ndaj Ramës:
“Prokuroria i shpalli të martën një luftë frontale grave. Ndoshta nga frustrimi se me burrat nuk i ecën, prokurorët special u morën një ditë më parë me dy zonja, të dyja me emër të përafërt. Bile po t’i besosh Sali Berishës, SPAK po niset të kapet edhe me Lindën e tretë.
Por përtej batutave, SPAK të martën ndërmori një aksion të pastër politik. Për ta shpjeguar këtë argument, e dha po vetë, duke nisur nga rasti i Balluku. Për zëvendëskryeministren kërkoi një masë më të rëndë sigurie, një muaj pasi thjesht e pezulloi përkohësisht nga detyra. Nga 1 nëntori e deri dje, Balluku rrinte në shtëpi. U kthye në punë të hënën pas vendimit të Kushtetueses.
Pra, përse SPAK kërkoi një masë më të rëndë kur nuk ishte ndryshuar diçka? Pra, vendimi erdhi si reagim ndaj Gjykatës Kushtetuese, ku padinë nuk e bëri Balluku, por Edi Rama. Edhe Berisha po thotë se pas goditjes së Lindës së AKSHI-t, është Linda Rama. Pra SPAK e ka me Edi Ramën.
Dhe nëse e ka me kryeministrin, sigurisht që sfida e këtyre prokurorëve është me shtetin, me Gjykatën Kushtetuese, me qeverinë dhe tashmë edhe me parlamentin. Kjo është një përballje serioze e cila premton luftë, sigurisht një luftë që nuk e dëshiron askush.”- thotë megafoni, deri dje, më i zellshmi pro Edi Ramës e pro SPAK.
Tani mbetet për t’u parë nëse në editorialin e radhës Kol Balla do të jetë qetësuar, pasi dihet që Edi Rama ka mekanizma të shumtë “qetësues” për zarat e tij, apo Koli do vijojë me kërcënime edhe më të forta./Syri.net
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar vendimin e Bahamas, që u bë shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, raporton Sinjali.
Kurti në një potim në ‘Facebook’, tha se viti 2025 është viti i njohjeve të reja.
“Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar.“, shkroi ai mes të tjerash.
Postimi i plotë i Kurtit
Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran.
Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar.
Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas.
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me lajmin që Bahamas është shteti më i ri që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Në një postim në “X”, Begaj shkruan se ky vendim është një kontribut domethënës për paqen e stabilitetin në rajon.
“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Bahamas për njohjen e Kosovës, një kontribut domethënës për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë” shkruan kreu i shtetit.
Bahamas, vend në Karaibe, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të premten, njoftoi presidentja Vjosa Osmani.
Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamas u arrit në kryeqytetin e Bahamas, Nasau.
“Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkroi ajo.
Bahamas është bërë tani shteti i 121-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.
Marrëveshja për njohjen e Kosovës nga vendi ishullor i Oqeanit Atlantik dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Bahamas, Philip Davis.
Në një deklaratë të përbashkët, Kosova dhe Bahamas thanë se janë të përkushtuara ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Ato u pajtuan për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
“Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv”, thuhet në komunikatë. bw
Komentet