VOAL

VOAL

Korrupsioni dhe pagat e ulëta- BBC: Arsyet pse shqiptarët po ikin nga vendi i tyre

November 11, 2022

Komentet

Një muaj protestë- Televizioni publik gjerman: Edhe diaspora i bashkohet lëvizjes kundër Ramës

Televizioni publik gjerman, ARD, në programin informativ kryesor, Tagesschau i ka kushtuar sërish një hapësirë protestave në Shqipëri.

“Në Shqipëri, mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër qeverisë. I ashtuquajturi “Revolucioni i Flamingove” filloi një muaj më parë. Shkaku ishte një projekt ndërtimi shumë i diskutueshëm, në të cilin ishte i përfshirë dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Ndërkohë, protestat janë drejtuar edhe kundër kryeministrit socialist Edi Rama. Vazhdimisht po zhvillohen hetime për korrupsion ndaj njerëzve në rrethin e tij,” thekson televizioni gjerman.

Më poshtë është kronika e tyre e përgatitur nga kryeqyteti shqiptar:

“Tirana, mbrëmjen e djeshme.

Mijëra njerëz janë mbledhur.

“Revolucioni i Flamingove”, siç e quajnë, ka katër javë që vazhdon pa ndërprerje.

Edhe shqiptarë të diasporës nga Gjermania, Anglia dhe Italia janë bashkuar së fundmi me demonstratat.

Mes tyre është edhe Eduard Kasa nga Dyseldorfi.

Pas një udhëtimi prej 48 orësh me makinë, ai ndodhet në mes të protestës.

“Unë besoj se kjo do të jetë Pranvera Shqiptare. Ky është fundi i një sistemi dhe një fillim i ri për Shqipërinë.”

Shkëndija që ndezi protestat ishin flamingot.

Dhëndri i Trump, Jared Kushner, dëshiron të ndërtojë një marinë jahtesh dhe akomodime luksoze pranë një zone të mbrojtur natyrore.

Kur, në fund të muajit maj, gjatë natës u vendos një gardh në këtë parajsë natyrore, shpërthyen përplasje me policinë dhe me shërbimin privat të sigurisë.

Që prej asaj kohe, njerëzit nuk protestojnë më vetëm kundër shitjes së vendit të tyre.

Ata kërkojnë që të marrë fund korrupsioni dhe të gjitha problemet e tjera në qeverisje.

Ndërsa kryeministri Rama shkëlqen në arenën ndërkombëtare, brenda vendit akuzat ndaj tij po bëhen gjithnjë e më të forta.

Në rrethin e Ramës po zhvillohen hetime për korrupsion dhe pastrim parash.

Disa nga bashkëpunëtorët e tij ndodhen tashmë në burg.

Rama përpiqet ta minimizojë zemërimin e qytetarëve.

Ai thotë: “Sa herë që lind një krizë, qoftë edhe e vogël, shpërthen një entuziazëm kolektiv. Pa hezitim, të gjithë ndiejnë nevojën të marrin pjesë”.

Edhe fjalimi i Eduard Kasës, i ardhur nga Dyseldorfi, u prit me shumë duartrokitje.

Ai thotë se tani është koha që brezi i ri i politikanëve të marrë drejtimin e vendit.

Protestuesit kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të dalin në demonstrata edhe në ditët në vijim”.

Qytetarët në revoltë prej 1 muaji- Gazeta “Le soir”: Mijëra shqiptarë në protestë, revolucioni i flamingove trondit pushtetin e Edi Ramës

Protestat në Tiranë kanë marrë vëmendjen e mediave botërore. Shqiptarët protestojnë prej 29 ditësh kundër kryeministrit dhe kërkojnë largimin e tij.

Gazeta e njohur belge Le Soir i ka kushtuar një artikull protestave që kanë përfshirë vendin.

Media belge e përshkruan lëvizjen popullore si një “revolucion të flamingove”, që po vë në pikëpyetje jo vetëm projektet e mëdha turistike, por të gjithë sistemin qeverisës të kryeministrit Edi Rama.

Shkrimi i plotë;

“Në Shqipëri, revolucioni i flamingove po e trondit pushtetin e Edi Ramës. Për më shumë se një muaj, mijëra shqiptarë kanë demonstruar çdo natë kundër një projekti turistik të mbështetur nga vajza dhe dhëndri i Donald Trump. Pas mbrojtjes së një bregdeti të ruajtur, tani po sfidohet i gjithë sistemi i kryeministrit Edi Rama.

A mund të jetë Edi Rama një nga viktimat e ardhshme kolaterale të trumpizmit?

Duke i ofruar Ivanka Trump dhe Jared Kushner ishullin e Sazanit dhe disa mijëra hektarë bregdet të egër, kryeministri socialist 61-vjeçar, në pushtet që prej vitit 2013, me siguri mendonte se do ta forconte statusin e tij si njeriu më i fuqishëm në vend dhe do të fitonte simpatinë e presidentit amerikan.

Por pamjet e shqiptarëve të zemëruar, të keqtrajtuar nga punonjës të sigurisë private gjatë vendosjes së kantierit të ndërtimit, nën sytë e një policie pasive, shkaktuan një nga lëvizjet më të mëdha të protestës që nga rënia e diktaturës në vitin 1991.

Këto pamje tërhoqën gjithashtu vëmendjen e mediave ndërkombëtare mbi mënyrën se si qeveris Edi Rama.

Prej më shumë se një muaji, çdo mbrëmje, turma shqiptarësh marshojnë poshtë dritareve të tij duke thirrur: “Shqipëria nuk është në shitje” dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.

Këto tubime, alegro dhe plotësisht paqësore, u quajtën shumë shpejt “Revolucioni i Flamingove Rozë”.

Ky zog, i pranishëm me mijëra në lagunën e zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, është bërë simboli i protestës. Pikërisht aty mund të ndërtohet një kompleks gjigant turistik luksoz, i lidhur me familjen Trump.

Bëhet fjalë për një investim prej 4 miliardë eurosh, të cilin kryeministri e quan “një mundësi historike”.

Megjithatë, projekti është njollosur nga dyshime për pastrim parash, të lidhura me grupet kriminale shqiptare, të cilat janë shndërruar në aktorë kryesorë të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Artisti që u bë ministër i Kulturës dhe më pas kryebashkiak jokonformist i Tiranës, Edi Rama, për një kohë të gjatë është paraqitur si i vetmi njeri i aftë për ta futur Shqipërinë në shekullin XXI.

Por sot, në protesta, ai paraqitet i maskuar si një gangster, i gatshëm të shesë pasuritë më të çmuara natyrore dhe kulturore të vendit.

Për Gjeneratën Z shqiptare, e cila po mbush rrugët e kryeqytetit me zërin e saj, ish-basketbollisti profesionist është mishërimi i një sistemi politik të kalbur nga klientelizmi dhe interesat mafioze.

Një sistem që i shtyn të rinjtë të largohen nga vendi: 160.000 persona mendohet se janë larguar nga Shqipëria midis viteve 2021 dhe 2026, ndërsa sot Shqipëria do të kishte vetëm 2,3 milionë banorë (krahasuar me pak më shumë se 3 milionë sipas regjistrimit të vitit 2001).

“Artisti që luan rolin e kryeministrit”

Përballë përmasave të protestës, njeriu më i fuqishëm i Tiranës denoncon një “luftë hibride”, që sipas tij po zhvillohet nga interesa të huaja, herë greke, herë iraniane, e herë kosovare (ndonëse Kosova është e banuar rreth 92% nga shqiptarë).

Ai vë gjithashtu në dyshim integritetin e gazetarëve të huaj dhe sulmon në rrjetet sociale disa figura të lëvizjes protestuese. Në një intervistë për Financial Times, më 23 qershor, ai u tha protestuesve thjesht: “Shkoni e q*ni”.

Më pas shtoi: “Nuk është detyra ime të provoj se nuk jam padrinoja; është detyra e tyre të provojnë se jam.” Ky poliglot, i cili kultivon imazhin e tij ekscentrik gjatë samiteve ndërkombëtare, ka treguar zakonisht shumë më tepër finesë në komunikimin e tij.

Vitet e fundit, nga Emmanuel Macron, te Giorgia Meloni, e deri te Ursula von der Leyen, të gjithë kanë përshëndetur “të dashurin Edi”, i cili e ka rreshtuar Shqipërinë me qëndrimet gjeopolitike të Bashkimit Evropian, ndërsa anëtarësimi në BE është përmendur herë pas here si i mundshëm në vitin 2030. I rizgjedhur vitin e kaluar për një mandat të katërt, ai tani e sheh pushtetin e tij të lëkundet.

Ndërsa në vend shtohen rrokaqiejt dhe hotelet luksoze, në një vend ku paga minimale mezi kalon 500 euro, SPAK-u, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit – e krijuar në vitin 2019 nën presionin e Brukselit dhe Uashingtonit – po hap gjithnjë e më shumë hetime mbi këto projekte të pasurive të paluajtshme, të dyshuara se lidhen me pastrimin e parave të trafikut të kokainës.

Disa figura të rëndësishme të Partisë Socialiste janë vënë nën hetim.

Pikërisht këto lidhje denoncojnë protestuesit kur brohorasin: “Qeveri e krimit!” Por Edi Rama, të paktën për momentin, i hedh poshtë këto akuza me një lëvizje të dorës.

Për më shumë se një dekadë, “artisti që luan rolin e kryeministrit” ka promovuar imazhin e një Shqipërie progresiste dhe moderne, të hapur ndaj investitorëve dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Sot, rrëfimi i ndërtuar nga Edi Rama po përplaset me “Revolucionin e Flamingove Rozë” dhe me një rini që kërkon me ngulm drejtësi, demokraci dhe ndryshim të thellë politik.”, shkruan media belge Le Soir.

Zbardhet dosja e re- Si Maksim Et’hemaj i Aviacionit Civil merrte tendera dhe licencë për panele diellore nga Balluku, kompania në emër të motrës që punon si shefe kuzhine jashtë vendit dhe kunatit

Disa ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) u depozitua një kallëzim i ri për ish zëvendëskryeministren dhe ish ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, krye-bashkiakun e Fierit, Armando Subashi dhe drejtorin e Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj. Në një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Posaçme, avokatja Adriana Kalaja foli për skemën e përdorur për ngritjen e parqeve fotovoltaike përmes kompanive fiktive, ku janë të përfshirë Belinda Balluku dhe vartësit e saj Maksim Ethemaj dhe motra e këtij të fundit, Eva Kajer.

Skandali
Maksim Et’hemaj, një personazh jo shumë i njohur për publikun, e por një nga personazhet kyç të Belinda Ballukut, sa i përket mbarimit të punëve, kryesisht në fushën e Aviacionit Civil, ku edhe vetë Balluku gëzon një eksperiencë të gjatë. Maksim Et’hemaj  aktualisht është Drejtor Ekzekutiv i Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, dhe me një përvojë 22 vjeçare në menaxhimin e trafikut ajror. Por përvoja e Et’hemajt, falë lidhjeve të forta me Ballukun, apo familjarëve të tij, është po ashtu e suksesshme edhe në kontrata me qeverinë. Sipas standardit rilindas, bashkëpunëtorët e afërt të ‘Shefe Belës’ shpërblehen me licensa po me firmë të saj.

Investigimi i Plug

Në tetor të vitit 2020 themelohet kompania “GREEN PLUS ENERGY” me aksionere shtetasen Eva Kjaer dhe administrator shtetasin Gjergj Pano. Objekt i aktivitetit: Implementimi dhe menaxhimi i projekteve gjeneruese te energjise elektrike, fotovoltaike, dhe gjithë llojeve të tjera të prodhimit të energjisë dhe veprave ndihmese në gjithë territorin e Shqipërisë. Pra aktiviteti që ka zgjedhur zonja që jeton jashtë Shqipërie e me profesion shef kuzhine është prodhimi i energjisë nëpërmjet impianteve fotovoltaike. Eva Kjaer, kuzhinierja, me ambicie për investime në energjetikë, rezulton të jetë motra e Drejtorit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj, kurse shtetasi Gjergj Pano është vëllai i gruas së Maksim Et’hemaj.

Të dhëna të mjaftueshme këto që në datë 28 prill të vitit 2023 Ministria e Infrastrukturës dhënies së kontratës “Për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet prodhues 2 MW, dhe veprave ndihmëse, në Njësinë Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier”, ku aktualisht Belinda Balluku është ende drejtuese politike e kësaj zone.

Leja
Në një kohë rekord, vetëm një  muaj më pas, leja e firmosur nga Belinda Balluku, merr edhe vulën e KKT, -që i miraton lejen zhvillimore. Pra , gjithë kjo urgjencë për të miratuar e këtë kontratë të majmë për motrën e Drejtorit Et’hemaj, për një kompani që nuk ka asnjë të ardhur dhe 0 m2 tokë në pronësi.

Dy muaj pasi është miratuar leja zhvillimore nga KKT në korrik të vitit 2023, Eva Kjaer vendos të shesë 40% të aksioneve kompanisë 4 A-M -në vlerën 40.000 lekë. Deri këtu kushdo do të mendojë që është një marrëdhënie normale biznesi por bilancet e kompanisë flasin e ndryshe. Në bilançin e vitit 2020 pasqyrohet se kompania ka në llogari vlerën 34.500.000 lekë e cila sipas sqarimeve pasqyrohet si garanci paraprake për kryerjen e punimeve.

Kjo vlerë e konsiderueshme nuk është kontribut i ortakut të kompanisë dhe nuk identifikohet se kush i ka parapaguar. Për vitet 2021, 2022 kjo e vlerë qëndron në llogari bankare e pandryshuar. Në bilancet e vitit 2021 dhe 2022 pasqyrohet dhe një tjetër pagesë, ajo për Bashkisë – Fier për marrjen me qera të tokës.

Specifikisht për vitin 2021 është paguar 221.000 lekë qera toke dhe në vitin 2022 është paguar 121.000 lekë. Një vlerë qesharake qeraje 120 euro në muaj për 30.000 m2 tokë sipas përcaktimeve në studimin e paraqitur pranë -KKT. Në bilancin e vitit 2023 identifikohet më në fund se kush ishte bamirësi që i dha rreth 340.000 euro pa interes për 3 vite kompanisë së motrës së Drejtorit të Aviacionit Civil i cili më parë ka mbajtur dhe detyrën e rëndësish me në ANTA, atë të Drejtorit të Përgjithshëm Teknik. Sipas të dhënave rezulton se tashmë vlera 34.500.000 nuk paraqitet më si parapagim por si hua e dhënë nga ortaku 4 A-M shpk.

SPAK të hetojë
Pra, e thënë më thjeshtë, motrës së drejtorit i lind dëshira t’i futet biznesit energjitik në Shqipëri dhe pse dekada në emigracion dhe me profesion kuzhiniere. Për të realizuar këtë dëshirë sepse duhen disa para e garanci në ndihmë i vjen kompania bujare 4 A-M dhe Bashkia Fier. Njëra bamirëse me para dhe tjetra bamirëse me toka shtet. Por a është kjo rastësi? Në kohën kur 4 A-M tregohej bamirëse me kompaninë e të motrës, ANTA i jep asaj 3 tendera në vlerën 500 mijë euro. Konkretisht në vitin 2018, në mes ANTA-s dhe 4 A-M lidhet kontrata për “Blerje AC specifik sipas nevojave te Teknikes” me vlerë 2.5 milionë lekë. Në prill të vitit 2019, në një tendera pa garë dhe flamur të kuq, 4 A-M merr 29.3 milionë lekë për Shpenzime mirëmbajtje dhe blerje pjesë ndërrimi e sistemeve të instaluara në Administratë”. Dhe në fund të vitit 2021 merr tenderin tjetër me vlerë 20.5 milionë lekë pa garë e me flamur të kuq. Të gjitha këto procedura të përfituara nga 4 A-M pranë ANTA (ALBCONTROLL) në vlerën 500.000 euro janë në v periudhën kur Drejtori Drejtorisë Teknike është pikërisht vëllai për i Eva Kjaer shtetasi Maksim Et’hemaj. Nuk duam të akuzojmë askënd por këto veprime ngrenë dyshime të arsyeshme që SPAK kush të hetojë. Një tjetër problem i rreth konstatuar në këtë projekt është  kategoria e tokës, e cila nuk e lejon miratimin e ndërtimit të një Impianti Fotovoltaik, pasi sipas projektit është thjesht “ranishte” por pa përcaktuar kategorinë. Ky fakt penal gjendet gjerësisht në kontratat e firmosura nga Balluku për Shqipërinë Superfuqi Energjetike.

Emri i Et’hemajt në dosjen “Balluku”

Nga hetimi i SPAK rezulton se njësitë e banimit në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, kanë filluar t’u dorëzohen personave të interesuar për banim në muajin qershor të vitit 2019. Që nga momenti i marrjes në dorëzim të vilës, ajo rezulton të jetë përdorur në mënyrë të rregullt nga Belinda Balluku. Ndërkohë nga kqyrja e aktit të ekspertimit Nr.203 të datës 8 Tetor 2024, të aparatit celular “Blackberry”, sekuestruar Viola Haxhiademi, rezulton se në 21 qershor 2019, në aplikacionin “Whats App”, Belinda Balluku, e cila ka përdorur numrin e celularit “069604XXXx”ka krijuar grupin e titulluar “Dhërmi”. Në këtë grup bëjnë pjesë Belinda Balluku, Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Et’hemaj dhe Alketa Pano. Ka rezultuar se personat komunikues të futur në grup nga Belinda Balluku, zyrtarët Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano, kanë njësi banimi në kompleksin “White Rocks”, 1 në Dhërmi. Emri i grupit është titulluar “Dhërmi”, për shkak të vendndodhjes së këtyre njësive e të banimit, ky grup është krijuar që zyrtarët e mësipërm të koordinoheshin me njëri-tjetrin, gjatë kohës që ndodheshin në kompleks. Dyshohet se dhe Et’hemaj ka një vilë në këtë kompleks të përfituar nga korrupsioni në bashkëpunim me Ballukun./ Gazetasot

Plagët e buldozerëve mbi ‘Folenë e Zogjve të Egër’ në Zvërnec

TIRANË- Parakalimi i buldozerëve deri një muaj më parë në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë duket ende si një plagë e freskët mbi peizazh. Në disa zona gjenden gurë të thyer të hedhur mbi rërë, gjurmë gomash, barishte të shtypura dhe pemë e degë të rrëzuara përtokë.

Në pjesë të tjera, natyra po përpiqet të shërojë ndërhyrjen. Në rrugën e hapur përmes dunave lëvizëse, era ka nisur ta mbulojë sërish trasenë me shtresa të holla rëre.

Thuajse një muaj nga përplasja fatale mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë private në Zvërnec, Administrata e Zonave të Mbrojtura është rikthyer së bashku me një tabelë që u kujton turistëve ndalimin e makinave dhe të kampingjeve.

Por punimet e kryera në mungesë të një lejeje të zbardhur nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit kanë lënë gjurmë të pariparueshme, sipas banorëve dhe ekspertëve të mjedisit.

“Aty ku është Limopua, ne i themi ‘Foleja e zogjve të egër’,” thotë një 60-vjeçare nga Zvërneci, e cila e krahason rrethimin me një “pushtim shkatërrues”. “Për qindra vite askush nuk e ka prekur. Ne e kemi mbrojtur,” theksoi ajo.

Punimet e prezantuara si “përgatitore” në Pishë Poro tregojnë një ndryshim fizik të peizazhit. Sipas një vlerësimi paraprak të organizatës mjedisore, PPNEA, ndërhyrjet kanë përfshirë hapjen e të paktën 7.45 kilometrave rrugë të reja, zhvendosjen e sasive të mëdha të rërës dhe vegjetacionit, depozitim zhavorri si dhe sheshimin e disa hapësirave pyjore e ranore.

Rrugët dhe zonat e prekura shtrihen sipas të njëjtit vlerësim në 7.2 hektarë dhe prekin të paktën pesë tipe habitatesh të rrjetit Natura 2000, përfshirë habitate prioritare të Bashkimit Europian.

Zydjon Vorpsi, menaxher i politikave dhe advokimit pranë PPNEA, thotë se ndërhyrjet janë bërë në shkelje të ligjit dhe do të kallëzohen.

“Ajo që kanë bërë është e paligjshme,” thotë Vorpsi. “Ndërhyrjet kanë dëmtuar zonën e mbrojtur, kanë dëmtuar habitatet në mënyrë të pakthyeshme.”

Punimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë lidhen me njërin nga projektet më të debatueshme turistike në Shqipëri, resortin e lidhur publikisht me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump dhe partnerët e tij në Lindjen e Mesme dhe Shqipëri.

Projekti i Zvërnecit u prezantua së bashku me një plan të ngjashëm për ishullin e Sazanit si pjesë e ambicieve për ndërtimin e turizmit elitar në Shqipëri. Por në terren, premtimi për investime nisi me gardhe telash me gjemba, makineri të rënda dhe ndërhyrje në një peizazh të mbrojtur, pa transparencë dhe qartësi.

Prej gati një muaji, ajo që ndodhi në Zvërnec ndezi një protestë maratonë në Tiranë, përfshirë edhe qytete të tjera jashtë vendit ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Protestuesit kërkojnë jo vetëm anulimin e projektit, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Simboli i protestave u bë flamingoja, shpendi që e lidh publikisht Vjosë-Nartën me një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare në vend. Për protestuesit, flamingoja nuk ishte vetëm figurë mjedisore, por shenjë e një pyetjeje më të madhe: kush vendos për territorin publik, për zonat e mbrojtura dhe për hapësirat që shqiptarët i kanë përdorur prej brezash?

Për ambientalistët, ndërhyrja pa leje është prova e parë fizike se si një projekt i madh turistik mund të ndryshojë një peizazh të mbrojtur, përpara se publiku të ketë parë dokumentet, lejet dhe vlerësimet që duhet ta paraprinin ndërhyrjen.

“Dunat marrin qindra vite për t’u bërë ashtu siç ishin,” thotë Zydjon Vorpsi. “Hapësira dhe rruga në një zonë që ishte shumë e ruajtur, ndryshe nga pjesa tjetër që ishte më e aksesueshme, tani nuk është më e ruajtur. Është ndërtuar edhe një urë me beton,” shton ai.

Dunat nuk qenë të vetmet që u prekën. Pjesë të kodrave molasike, monumente natyre dhe prona të patjetërsueshme shtetërore sipas legjislacionit në fuqi, janë gërryer nga ekskavatorët për të krijuar një rrugë që nuk ka qenë aty.

Përpos këtyre gjurmëve, dëmi më i menjëhershëm ishte shqetësimi i jetës së egër në një nga periudhat më të ndjeshme të vitit. Ndërhyrja nisi në kulmin e folëzimit të shpendëve dhe në fillim të periudhës kur breshkat detare dalin në breg për të lëshuar vezët. Prania e ekskavatorëve në plazh, qarkullimi i mjeteve dhe zhurma e kantierit krijuan një presion të menjëhershëm.

Një tjetër dëm lidhet me monumentin tjetër të natyrës, lagunën me ujë të ëmbël të Limopuos.

“Ki parasysh që në momentin që filluan punimet, kishte dhjetëra makina, kishte buldozerë, kishte ekskavatorë, kishte kamionë dhe kishte qindra njerëz brenda. Dhe kjo bënte që jeta e egër aty të largohej komplet,” thotë Vorpsi.

Problem për aktivistët është edhe ndërhyrja në kanalet që mundësojnë komunikimin mes lagunave dhe detit. Mbi njërin prej kanaleve kryesore, qarkullimi i ujit u bllokua për ditë me radhë dhe tani ka një urë me beton dhe gurë që mbahen bashkë në kosha hekuri.

“Tashmë [zona] nuk është më aq e ruajtur, sepse është krijuar një rrugë e cila kalon mes përmes atij habitati. Është ndërtuar edhe një urë me beton në kanalin lidhës, e cila do të ketë dhe problemet e veta në të ardhmen,” thekson Vorpsi.

Urbanistja Doriana Musai thotë se problemi me ndërhyrje të tilla është se ato krijojnë një fakt të kryer. Edhe kur cilësohen si “punime përgatitore”, ato ndryshojnë gjendjen ekzistuese të territorit, hapin akses, krijojnë infrastrukturën fillestare të kantierit dhe e bëjnë shumë më të vështirë kthimin e zonës në gjendjen e mëparshme, nëse më vonë konstatohen probleme ligjore ose mjedisore.

“Në një zonë të mbrojtur si Zvërneci, ndërhyrje të tilla kanë pasoja afatgjata që shkojnë përtej sipërfaqes së prekur,” argumenton Musai. “Ato fragmentojnë habitatet, ndryshojnë ekuilibrat ekologjikë dhe krijojnë precedentë zhvillimi që mund të shërbejnë si bazë për ndërhyrje të tjera në të ardhmen.”

Sipas saj, rreziku është që Zvërneci të kthehet në model për mënyrën se si ndërhyrjet e para në zona të mbrojtura përdoren më pas si justifikim për zhvillime të tjera.

Kjo është arsyeja pse ambientalistët dhe urbanistët e shohin çështjen e lejes jo si formalitet, por si thelbin e problemit.

“Duket se Zvërneci është modeli i cili, njëherë i lejuar të zhvillohet, do të krijojë efekt domino për të ndërtuar përgjatë gjithë bregut Adriatik të mbrojtur dhe zonave të tjera në territor,” paralajmëron Musai.

Për banorët e zonës, rrethimi me gardh dhe punimet janë paralajmërimi se një ditë ata do të humbasin jo vetëm plazhin, por edhe lidhjen me tokën dhe shtëpitë e tyre.

“Djemtë tanë kanë punuar në emigracion me mish e me shpirt. Do donin të ktheheshin e të ndërtonin diçka vetë, qoftë edhe një kasolle aty,” thotë një grua rreth të 60-ave nga Zvërneci, me dorën e vendosur mbi kraharor.

“Ajo që po bëjnë na ka trembur, na ka frikësuar. Ato toka për ne janë të shenjta,” përfundoi ajo./Dosja.al

“Albanian Files”, Lubonja: Libri jep prova të projekteve hartuar nga krimi i organizuar! Kopshti Eden dhuratë 4 mln euro nga Fusha SHPK! Rama të merret në hetim për pastrim parash të pista

Analisti Fatos Lubonja foli për Panorama Online nga protesta e 29-të para kryeministrisë.

Ai u shpreh mbi lbirin Albanian Files, vizionin e Ramës me grataçela e resorte për Shqipërinë e së nesërmes. Duke e lidhur dhe me hetimet e dosjes Aruba dhe pastrimin e parave të drogës nga Amerika Latine në Shqipëri, Lubonja shikon shenja të parave të pista në këtë dosje publikuar së fundmi edhe nga vetë kryeministri si arritje.

Sakaq, Lubonja shtoi se edhe kopshti Eden në kryeministri na del se qenka dhuratë nga Fusha SHPK 4 mln euro.

Lubonja: E para siç ka dalë në dosjet e SPAK ka qenë një takim në Aruba, por edhe në Gjermani dh gjetkë ku përfaqësues të krimit të organizuar dhe përfaqësues të shtetit dhe qeverisë kanë biseduar për një proces të pastrimit të parave të pista në Shqipëri përmes tokave dhe gratacelave resorteve. Nuk është rastësi që j libër paraqet projektet e 60 studiove me gratacelave. Ta do mendja që do bësh lidhje mes projektit të hartuar nga krimi dhe projekteve arkitektonike këto bukurira mbi çfarë parash ndërtohen? Ky libër të jep një provë në këtë drejtim. Vërteton këtë që thashë dhe duhet të merret në hetim vetë kryeministri për pastrim parash të pista.

Po ashtu ka raste të veçanta siç kam parë, kopshti brenda kryeministrisë. Kemi menduar se e ka financuar shteti duke abuzuar me paranë publike. Mirëpo del që nuk janë para shteti por i është dhënë fushës, kompania i ka dhuruar pushtetit 4 mln në shkelje të ligjit. Si mund të bëj 4 mln para dhuratë vetëm po të mori projekte? Ky libër është me të tilla materiale. Edi Rama tha nuk ka projekt për Zvërnecin, i tha fake neës, ky aty tregon se ka projekte. Master plani është baza. Tregon vizionin që ke ti. Është dhe në këtë aspekt një provë. Mendoj se nuk është vetëm kjo prova. Shumë nga ato në libër janë bërë. Si ka mundësi një kryeministër nuk di se kujt ja jep lejet e ndërtimit? Ja jepka krimit të organizuar dhe nuk e di? Kaq e thjesht është gjëja.

Mijëra qytetarë marshojnë çdo natë dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës “Associated Press”: Njerëzit e thjeshtë dhe të vërtetë pas protestës në Shqipëri

Nga Zana Cimili, “Associated Press”/ Protestat e Shqipërisë kundër një projekti zhvillimi bregdetar kanë tërhequr vëmendje globale, si për lidhjen e tyre me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner, ashtu edhe për shkak të maskotës së tyre interesante.

Projekti luksoz ka dy komponentë: një vendpushim të vogël në ishullin e pabanuar të Sazanit dhe një zhvillim bregdetar në zonën pranë Lagunës së Nartës, e cila është një rezervat i jetës së egër i frekuentuar nga specie ligatinore, përfshirë flamingot.

Çdo mbrëmje për javë të tëra, protestuesit kanë marshuar me mijëra në kryeqytetin e vendit, Tiranë, duke mbajtur lart figura të prera flamingosh. Rezultati ka qenë një nofkë për lëvizjen e tyre të re: “Revolucioni i Flamingove”.

Ja disa nga anëtarët e saj.

Artistja që krijon flamingo

Fatma Paja, 28 vjeç, jeton në Tiranë dhe drejton një studio krijuese me dy motrat e saj. Ajo është pjesë e një grupi artistësh që krijuan flamingot e prera që janë bërë një pjesë e përhershme e tubimeve të natës.

“E kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësinë që lidhen me jetën e përditshme civile në Shqipëri”, – tha Paja për Associated Press të premten, ndërsa pikturonte një flamingo me shkumë rozë për protestën e asaj mbrëmjeje.

Grupi i Pajës organizon gjithashtu aktivitete vizatimi dhe ngjyrosjeje për fëmijët gjatë protestës, në mënyrë që prindërit që dëshirojnë të kenë mundësi t’i bashkohen.

Në demonstrata, ajo drejton thirrjet përmes një altoparlanti. “Shqipëria nuk është në shitje!” bërtet ajo, dhe “Mos e prekni Nartën!”

Projekti ka shkaktuar zemërim për shkak të natyrës së pacenuar të vendndodhjes dhe habitatit unik që do të shkatërrohej në mënyrë të pakthyeshme, sipas ambientalistëve.

Qytetarët po kërkojnë ndalimin e projektit, duke përmendur mungesën e transparencës dhe shqetësimet se në shumë projekte të ngjashme nuk janë përmbushur standardet mjedisore.

“Unë jam kundër një projekti “pro-elitist” që po bllokon një zonë plotësisht të mbrojtur dhe po e shkatërron atë”, – thotë Paja. “Është një projekt që nuk ka bazë ligjore dhe nuk është mbështetur nga asnjë studim mbi dëmin që do t’i shkaktonte mjedisit dhe natyrës”.

Ajo tha se është optimiste, duke besuar se protesta ka dhënë tashmë rezultate.

“Kjo protestë i ka motivuar njerëzit të flasin dhe të reagojnë”, thotë ajo, duke shtuar se, meqenëse nuk ishte e lidhur me partitë politike, ajo nxiti besimin dhe solidaritetin.

Edhe pse nuk janë të lidhur me ndonjë parti specifike, protestuesit pothuajse të gjithë po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Nga guidë turistike në udhëheqës proteste

Arben Kola, një nga protestuesit e parë në “Revolucionin e Flamingove”, ka punuar si ciceron turistik për më shumë se një dekadë. Ai i çon vizitorët në vende historike dhe natyrore në të gjithë Shqipërinë – përfshirë edhe zonën përreth projektit të ardhshëm.

Turizmi në Shqipëri ka parë një rritje të ndjeshme vitet e fundit, me njerëzit që shijojnë vijën bregdetare të gjerë dhe të pazhvilluar të vendit. Ndër ata që kanë mbetur të impresionuar ishin Kushner dhe vajza e Trump, Ivanka Trump. Ajo shpjegoi në një podcast muajin e kaluar se ata zbuluan vendin ku planifikohet projekti teksa ishin në varkën e një miku dhe ndaluan për të notuar.

Për Kolën, ky ishte një tjetër shembull i qeverisë që abuzonte me pushtetin e saj, dhe ai nuk mund ta duronte më këtë. Ai iu bashkua lëvizjes së sapolindur të protestave kur ajo sapo kishte filluar.

“Shqipëria po përballet me një nivel të lartë korrupsioni, me privatizimin dhe dhënien e tokës, plazheve, luginave dhe lumenjve”, – tha 46-vjeçari në një intervistë teksa udhëhiqte një grup turistik nëpër Tiranë.

Agjencia antikorrupsion e Shqipërisë ka hapur një hetim në lidhje me projektin. Qeveria thotë se toka është në pronësi private, por kanë dalë pretendime rivale mbi privatizimin e saj.

Në një intervistë me Associated Press këtë muaj, Rama i hodhi poshtë kundërshtimet mjedisore si rezultat i dezinformimit dhe tha se ky zhvillim po e kthente Shqipërinë nga një vend dikur të injoruar nga investitorët në një vend “ku kapitali i madh dëshiron të vijë dhe investitorët e mëdhenj duan të vijnë”.

Nuk është e qartë se cili është saktësisht roli investues i Kushnerit në zhvillimin e projektit, por Rama konfirmoi përfshirjen e tij.

Kryeministri tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis nuk ka filluar sepse plani për zhvillimin nuk është finalizuar. Ai tha se arkitektët dhe specialistët ndërkombëtarë të mjedisit janë ende duke e formësuar propozimin.

Kola thotë se i duket sikur projekti po ecën përpara me shpejtësi të plotë. Ai është i zemëruar që tashmë ka filluar puna për pastrimin e tokës brenda një rezervati natyror me ekskavatorë dhe makineri të tjera të rënda.

Sot, Kola është një nga njerëzit që organizon turmat duke u folur atyre në altoparlant. Ai është ende i habitur nga sa shumë janë rritur demonstratat.

“Nuk besonim se protesta do të arrinte këto përmasa”, tha Kola, duke shtuar se njerëzit e pyesin vazhdimisht nëse lëvizja do të vazhdojë. “Varet nga njerëzit”, thotë ai.

Matriarkja e protestës

Ndryshe nga shumica e protestave të Shqipërisë në më shumë se tre dekada demokraci, të rinjve në rrugë këtë herë u bashkohet një numër në rritje pensionistësh. Bujare Ishmi, 70 vjeçe, është një prej tyre.

Ish-inxhinierja merr pjesë në protestë pothuajse çdo natë, duke mbajtur një pankartë ku shkruhet: “Ju keni fuqinë e krimit, ne kemi fuqinë e së vërtetës”.

“Nona! Nona!” brohorasin protestuesit kur ajo mbërrin, duke i uruar mirëseardhjen. Fjala është një term në shqip që tregon përzemërsi për një anëtare të moshuar të familjes dhe sinjalizon se ajo është matriarkja e protestës.

Ishmi thotë se kishte ëndërruar prej kohësh të shihte një protestë si kjo, duke e përshkruar sistemin politik të Shqipërisë si një “demokraci gjysmëzemërshe”.

Burri i saj është një ish-i burgosur politik nën sundimin katërdekadësh të Enver Hoxhës dhe ajo thotë se asnjëri prej tyre nuk është kundër investimeve të huaja. Shqetësimi i tyre kryesor është mungesa e transparencës.

Investimet sjellin përparim, “por vendndodhja duhet të dihet dhe parametrat e duhur duhet të ruhen”, tha ajo. bw

“Albanian Files”, dosja kundër Ramës? Gazetari bën deklaratën e fortë: Do ishte i vetmi artist dhe kryeministër në botë që aktakuzën ndaj tij e financoi dhe publikoi me dorën e vet

Gazetari Habjon Hasani ka komentuar debatet rreth katalogut arkitekturor “Albanian Files”, duke e lidhur atë me kryeministrin Edi Rama.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Hasani nuk i ka kursyer ironitë.

“S’do habitesha nëse pas disa muajsh i gjithë katalogu ‘Albanian Files’ do përdorej si akt-akuzë kundër Edi Ramës. Kjo, në një kuptim, do ta fuste emrin e tij në histori si i vetmi kryeministër që një akt-akuzë ndaj tij është konceptuar, financuar dhe publikuar me vetë dorën e tij.” bw

Whatsapp Image 2026 06 28 At 5.26.08 Pm

Rugovistët e rrejshëm më të dëmshëm sesa antirugovistët!- Nga Florim Zeqa

 

LDK nuk e di ku e ka ‘bishtin e as kokën’

 

Pas shkuarjes në amshim të liderit historik, LDK-në e kanë pushtuar klane dhe grupe interesi, të cilat e kanë keqpërdorur filozofinë politike rugoviane, duke u munduar të imitojnë Ibrahim Rugovën, disa me shall rreth qafe, sa të tjerë me buzëqeshje cinike tentuan që të krijojnë imazhe fallso në emër të Ibrahim Rugovës.

 

LDK e zhveshur tërësisht nga filozofia politike rugoviane

 

Individ dhe grupe të interesit ndërtuan karrierë politike, duke u ngritur madje dhe në hierarkinë më të lartë shtetërore pas asnjë kontribut personal në çlirim dhe shtetndërtim, të cilët e shfrytëzuan LDK-në vetëm për qëllime personale, grupore dhe klanore.

Aq shumë e kanë bastarduar Lidhjen Demokratike të Kosovës, saqë Ajo nuk ka mbetur më as si surrogat i LDK-së rugoviane!

LDK aq shumë është varfëruar në vlerat e saj politike, historike dhe kombëtare, saqë është zhveshur tërësisht nga filozofia politike rugoviane!

Këta individ, klane dhe grupe të interesit, e kanë ndarë partinë shtetformuese në disa fraksione si brenda ashtu edhe jashtë në mërgatën tonë.

Janë këta shërbëtor të ish sistemit komunist jugosllav, të ricikluara dhe mercenarë të cilët ishin kundërshtarë të Rugovës dhe rival politik të LDK-së rugoviane, që asnjëherë nuk ishin në linjën e pastër kombëtare.

Pas vdekjes së Rugovës, Lidhja Demokratike e Kosovës është abuzuar pamëshirshëm në vijimësi nga grupet e caktuara të interesit, të cilat sot kanë marrë formë dhe përmbajtje antishtetërore!

Këta individ dhe grupe të interesit kanë ndërtuar fraksione brenda partisëe, e kanë sjellë Lidhjen Demokratike të Kosovës jo vetëm në pozitën e tretë në nivel vendi, por me tendencë të zhbërjes totale si subjekt politik!

Fakti që LDK nuk po arrin të konsolidohet asnjëherë, e gjithë kjo është pasojë e aspekteve të sipërcekura dhe pasojë e ambicieve të sëmuara karrieriste të individëve dhe grupeve të interesit.

 

Rivaliteti mes grupeve të interesit e rrënoj në themel LDK-në post-Rugoviane

 

Aq i madh është rivaliteti mes grupeve të interesit në subjektin më të vjetër politik në vendin tonë, saqë më nuk dihet kush e ushtron forcën e vogël reale të mbetur në këtë parti!

Pa dashur që ta personalizojë, sot LDK nuk e di ku e ka ‘bishtin e as kokën’ për shkak të ngatërrimit të roleve politike, ku të ricikluarit dhe mercenarët po ngriten më lartë në hierarki sesa veprimtarët dhe themeltarët!

Kjo e ka zbehur në masë të madhe imazhin LDK-së.

Andaj nuk është për t’u habitur pse elektortati i saj ka lëvizur drejt partive tjera!

Për të qenë ironia edhe më e madhe, klanet dhe grupet e interesit këtë elektorat të LDK-së të shpërndarë gjithandej partive politike në Kosovë i quajnë “trushpërlarë”, e vetën “shpëtimtarë” të LDK-së!

Po ndodhë pikërisht kështu, për faktin se LDK asnjëherë nuk iu ka dhënë hapësirë veprimi dhe vlerësimi figurave markante të saj, aktivistëve dhe veprimtarëve, të cilët më vite dhe dekada e kanë bartur mbi supet e tyre barrën e të gjitha aktiviteteve dhe vështirësive të kohës.

Por, ju ka dhën hapësië dhe i ka ngritur në karrierë politike ata që nuk kanë asgjë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht me traditën e lavdishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës përgjatë viteve të ’90-ta apo siq e pëlqej t’i quaj ndryshe, ‘Vitet e Krenarisë Kombëtare’.

 

Përkthyer ndryshe këtë realitet të hidhur, LDK-ja e sotme në radhë të parë ka mungesë lidershipi, mungesë të vlerave njerëzore, politike dhe atdhetare! Nuk ka si të jetë ndryshe, kur akuzohet elektorati për dështimet e drejtuesve të saj!

Fluturimet sekrete në Izrael, kush e pagoi avionin privat? Media izraelite: Marrëdhënia e Ramës me biznesmenin Ron Yeffet në qendër të akuzave për projektin “Kayo”!

Yeffet nuk është i vetmi i njohur i Ramës në komunitetin e biznesit në Izrael. Biznesmeni Sani Sanilevich, i cili shërben si Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael, është gjithashtu i afërt me të dhe është aktiv në Shqipëri, ku po punon për ngritjen e një spitali.

Gjatë vizitës së fundit të Ramës në Izrael, pesë muaj më parë, ai ishte mysafir i Sanilevich. Rama udhëtoi drejt Izraelit me një avion të marrë me qira kundrejt pagesës nga partneri i biznesit të Sanilevich, biznesmeni Tzachi Nachmias.

Një hetim i publikuar nga media shqiptare Reporter.al zbuloi se fluturimi drejt Izraelit nuk ishte paguar nga qeveria shqiptare. Rama shpjegoi se vizita e tij në Izrael përfshinte “elemente që lidhen me sigurinë”, megjithatë mbetet e panjohur se kush e pagoi përfundimisht fluturimin.

Rama është një mysafir i shpeshtë në pronën e madhe të Yeffet në Shqipëri, ndërsa Yeffet ka interesa biznesi në fushën e pasurive të paluajtshme, infrastrukturës dhe mbrojtjes në vend. Më e rëndësishmja, një kompani në pronësi të Yeffet është partnere e kompanisë shtetërore shqiptare të mbrojtjes Kayo.

Yeffet bashkoi forcat me Kayo për të ngritur një fabrikë prodhimi në Shqipëri që prodhon automjete të blinduara, mjete zjarrfikëse, ambulanca dhe kamionë për mbledhjen e mbeturinave. Sipërmarrja e përbashkët i shet produktet e saj ministrive të qeverisë shqiptare, si edhe vendeve afrikane dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s.

Yeffet nuk është e vetmja lidhje izraelite e Kayo-s. Në nëntorin e kaluar, Haaretz zbuloi se Elbit Systems do t’i furnizonte Shqipërisë sisteme të avancuara artilerie dhe dronë në bashkëpunim me Kayo-n, e cila do të ngrejë një fabrikë për prodhimin e këtyre sistemeve. Në prill të vitit 2025, media të huaja raportuan se Elbit do të krijonte një shkollë fluturimi në Shqipëri.

Marrëdhëniet e biznesit dhe partneritetet që përfshijnë Yeffetin, Ramën dhe qeverinë shqiptare kanë gjeneruar raportime të shumta në mediat shqiptare, të cilat kanë kritikuar dy burrat. Arben Ahmetaj, i cili shërbeu si zëvendëskryeministër i Shqipërisë deri në vitin 2022, deklaroi në një intervistë në janar të vitit 2026 se ai që e quajti “Projekti Kayo” ishte “një projekt korruptiv që përfshin transferimin e aseteve shtetërore shqiptare në duar private”.

Ahmetaj pretendoi gjithashtu se Yeffet kishte qenë i përfshirë në marrëdhënie biznesi me Air Albania dhe kishte kërkuar të blinte borxhin kombëtar të vendit. Në prill të këtij viti, Blend Këlliçi, shkoi edhe më tej. Ai deklaroi se fakti që kompania e Ron Yeffet, R&I Trading, akuzohet për mashtrim në një proces civil gjyqësor ende në zhvillim, “kërcënon pozicionin e Shqipërisë brenda NATO-s dhe sigurinë e të gjithë Aleancës së Atlantikut të Veriut”.

Ai i referohej një padie të depozituar në një gjykatë në Florida nga biznesmeni amerikan Mark Faist, i cili pretendon se Yeffet përdori marrëdhënien e tij me Ramën – madje i premtoi edhe një takim me kryeministrin – për ta mashtruar në lidhje me mundësitë e investimit të ofruara nga R&I.

Deri më sot, këto akuza ndaj Yeffet nuk kanë çuar në ndonjë hetim zyrtar dhe është e dyshimtë që një proces civil në Florida, që përfshin vetëm disa milionë dollarë, mund të përbëjë ndonjë kërcënim për sigurinë e Shqipërisë, e aq më pak për NATO-n. Megjithatë, marrëdhënia e ngushtë mes biznesit dhe pushtetit politik që është zhvilluar mes Yeffet dhe Ramës mund të ndërthuret tani me protestat publike kundër projektit të Kushner dhe, në fund, të rrezikojë qëndrimin e Ramës në pushtet.

Vetë Yeffet u përgjigj në një bisedë me gazetën: “Nuk kam absolutisht asnjë lidhje me Air Albania. Figurave të opozitës në Shqipëri po më përdorin mua dhe biznesmenë të tjerë si mjete për të sulmuar dhe dëmtuar kryeministrin e tyre.”

Zyra e Qeverisë Shqiptare reagoi duke deklaruar: “Ka aq shumë pretendime absurde në diskursin publik në Shqipëri, sa t’u përgjigjesh secilit prej tyre jo vetëm që është e pamundur, por do të ishte vetë absurde. Kayo është një kompani shtetërore e krijuar sipas standardeve ndërkombëtare me qëllim bashkëpunimin me sektorin privat në interes publik. Akuzat ndaj saj tregojnë se sa lehtësisht përdoret sot fjala ‘korrupsion’. Ky term hidhet në qarkullim po aq lehtësisht sa t’i pyesësh dikë se çfarë ka ngrënë për drekë, ndërkohë që duhet të përdoret vetëm kur ekzistojnë fakte serioze dhe të besueshme që mbështesin një akuzë të tillë. Në rastin e Kayo-s, këto akuza janë plotësisht të pabazuara.”/reporter.al

“Njeriun e bën arsimi dhe kultura” Fjalimi i Bujar Asqeriut: Me shkopinj gome dhe me biruca do ta edukojnë rininë shqiptare?!

Disa nga fjalimet e forta të aktorit të njohur Bujar Asqeriu, janë sjellë në vëmenedje nga postime të ndryshme në rrjetet soiale, kjo pasi lidhen me situatën aktuale në vend, ku për 29 ditë shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e qeverisë së tij dhe anulimin e një sërë ligjesh, mes tyre ai për zonat e mbrojtura i vitit 2024.

Në fjalën e tij të shpërndarë në rrjet, aktori ka rikthyer në vëmendje debatin mbi mungesën e investimeve në art, kulturë dhe arsim.

Sipas Asqeriut, mungesa e investimeve në kulturë dhe edukim ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e problemeve sociale dhe kriminalitetit.

“Në Shqipëri janë ndërtuar 24 burgje. Më thoni, sa teatro janë ngritur? Zero! E gjithë rinia shqiptare është nëpër burgje, nuk ka qytet pa burg. Them unë, këta me shkopinj gome dhe me biruca do ta edukojnë rininë shqiptare? Po të ndërtoheshin katër, pesë apo gjashtë teatro, më pak burgje do të kishim, jam i sigurt për këtë. Sepse njeriun, siç thoshte Viktor Hygo, e bën arsimi dhe kultura; nga kafshë e bën njeri, e zbukuron arti dhe kultura. Por këta nuk investojnë dhe ne zihemi me njëri-tjetrin për një pesëlekësh që hedhin ata si një kockë, kush ta kapë kockën. Rinia shqiptare, nga mosha 20 deri në 30 vjeç, e ke nëpër burgje,” u shpreh ai.

 

“Një muaj protestë në Tiranë” Televizioni publik gjerman, ZDF: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama!

Televizioni publik gjerman ZDF i ka kushtuar vëmendje protestave që po zhvillohen në Shqipëri, duke raportuar se mijëra qytetarë dolën sërish në rrugët e Tiranës mbrëmjen e së shtunës për të kundërshtuar projektin e planifikuar të një kompleksi luksoz në bregdetin e Adriatikut.

ZDF thekson se protestat zhvillohen prej gati një muaji pa ndërprerje, ndërsa demonstruesit akuzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe mungesë transparence.

Në raportimin e tij, televizioni gjerman thekson se protestuesit kërkojnë, ndër të tjera, dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ndalimin e projektit të diskutueshëm.

Megjithatë, sipas ZDF, pavarësisht protestave të vazhdueshme dhe kundërshtimeve të forta, kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kanë mbetur të vendosur për ta çuar përpara projektin e pasurive të paluajtshme.

 

“Të shtunën në mbrëmje, mijëra njerëz në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, demonstruan përsëri kundër një projekti të planifikuar luksoz të pasurive të patundshme në bregdetin e Adriatikut.
Protestat kanë ndodhur pa ndërprerje për gati një muaj. Demonstruesit akuzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe mungesë transparence, ndër të tjera, dhe kërkojnë, ndër të tjera, dorëheqjen e Ramës. Pavarësisht protestave të ashpra, ai dhe qeveria e tij kanë mbetur të përkushtuar ndaj projektit të pasurive të patundshme”, thuhet në artikull. bw

“Ftohtësi emocionale, egoist dhe manipulues”- Shau protestuesit “Fuck You”, analiza psikologjike pas sjelljes së Ramës: Një lider e tregon veten nga mënyra si reagon kur sfidohet

“Ftohtësi emocionale, egoist dhe manipulues”, ky ka qenë vlerësimi që një person i diplomuar në psikologji i ka bërë sjelljes së kryeministrit Edi Rama në reagimin e tij ndaj protestave masive ku kërkohet dorëheqja e tij dhe largimi i qeverisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Valdet Selimaj analizon se shprehja e Ramës, i cili në një intervistë së fundmi në mediat ndërkombëtare iu drejtua protestuesve me “Fuck You”, zbardh psikologjinë që qëndron pas qeverisjes së tij.

“Fyerja e protestuesve nga Edi Rama nuk është thjesht një pamje e keqe – mund të jetë një dritare në psikologjinë pas lidershipit të tij.
Kjo video nuk është një diagnozë klinike. Është një analizë sjelljeje.
E përmend triadën e errët sepse na jep gjuhën për të kuptuar disa modele toksike të lidershipit:
-Narcisizmi: egoja, madhështia dhe armiqësia ndaj kritikave. (Tendencat narcisiste janë të ndryshme nga Çrregullimi Narcisist i Personalitetit (ÇPP). Dikush mund të ketë tendenca narcisiste pa pasur ÇPP)
-Makiavelianizmi: manipulimi, kontrolli i imazhit dhe lojërat e pushtetit.
-Tiparet e lidhura me psikopatinë: ftohtësia emocionale, mungesa e empatisë dhe shpërfillja agresive për të tjerët. (Njerëzit mund të kenë tendenca psikopatike dhe të mos kenë diagnostikuar Psikopati)
Kur udhëheqësit i trajtojnë protestuesit me përbuzje, ata mund të zbulojnë më shumë sesa zemërim. Ata mund të zbulojnë se si e shohin pushtetin, si e shohin mospajtimin dhe si i shohin njerëzit që supozohet t’u shërbejnë.
Një udhëheqës i shëndetshëm nuk ka nevojë ta poshtërojë publikun për t’u dukur i fortë.
Një udhëheqës i shëndetshëm mund të tolerojë mosmarrëveshjet pa u bërë abuziv. Prandaj kjo ka rëndësi. Sepse testi i vërtetë i lidershipit nuk është se si sillet dikush kur lavdërohet. Është se si sillet kur sfidohet”, shprehet ai. bw


Send this to a friend