VOAL

VOAL

Koment: Vendim i mrekullueshëm për Snowdenin

November 23, 2016
blank

Komentet

blank

Serbët shkruajnë simbolet e pushtimit rus në automjetet e Policisë dhe të KFOR-it në veri

Shkronja “Z” e shkruar me ngjyrë në një automjet në Zveçan më 29 maj 2023 gjatë protestës së serbëve.

Sandra Cvetkoviq

Një ditë pasi ekipet e mediave regjistruan dhe publikuan shkronjën “Z” në veturat e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it, gjatë tensioneve në veri të Kosovës, Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politikë të serbëve heshtin.

Mes tensioneve në veri të Kosovës, më 29 maj, ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL) dhe disa media të tjera regjistruan dhe publikuan fotografi ku shihet një nga simbolet kryesore të pushtimit rus të Ukrainës, Z, e shkruar me ngjyrë në veturat e Policisë së Kosovës dhe ato të forcave të NATO-s.

Nuk është ende e qartë se kush është përgjegjës për shkrimin e tyre në kohën kur po ndodhin tensione, ndër më të mëdhatë, në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.
Ekipet e mediave regjistruan simbole të tilla gjatë protestës së banorëve serbë para Komunës së Zveçanit.

Lista Serbe dhe Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën nuk janë distancuar nga shkrimi i simbolit “Z” në veturat e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it në veri të Kosovës, e as nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it.

E gjithë kjo u përcoll nga afër nga kanalet pro-ruse dhe ruse në platformën Telegram.

Fotot me simbolin "Z" të shkruar në automjetet e KFOR-it janë publikuar në kanalet pro-ruse Telegram "Rusia në zemër", "Shqiponjat e liga", "Eurasia" dhe "Rebelimi është një gjendje shpirtërore".

Fotot me simbolin “Z” të shkruar në automjetet e KFOR-it janë publikuar në kanalet pro-ruse Telegram “Rusia në zemër”, “Shqiponjat e liga”, “Eurasia” dhe “Rebelimi është një gjendje shpirtërore”.

Zyrtarët në Serbi, ndryshe nga ata në Kosovë, e vlerësojnë Rusinë si një vend mik dhe mbajnë marrëdhënie të ngushta. Serbia është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe pavarësisht thirrjeve të shumta të Perëndimit, Beogradi zyrtar refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Sipas Naim Leo Beshirit, nga Instituti joqeveritar i Beogradit për Çështje Evropiane, simboli “Z” e minon edhe më shumë konfliktin mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

“Ai veprim paraqet një akt të papranueshëm të mbështetjes së sjelljes agresive”, thotë Beshiri.

Artan Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e agjendës pro-ruse në këtë mënyrë, siç shprehet ai, mund të zvogëlojë gatishmërinë tashmë të zbehtë të politikanëve serbë për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt arritjes së një rezultati në dialog.

Përshkallëzimi në veri të Kosovës

Më 29 maj, serbët vendas protestuan në komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave në veri të Kosovës, të cilët më 26 maj kishin hyrë në vendet e tyre të punës të asistuar nga Policia e Kosovës.

Në ato komuna, shumica e popullsisë është e përbërë nga serbët. Kryetarët e komunave u zgjodhën në zgjedhjet e prillit, të cilat u bojkotuan nga partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më 29 maj, forcat e Policisë së Kosovës dhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dolën në terren.

Mëngjesin e 29 majit, Policia e Kosovës përdori sprej piperi për t’i penguar qytetarët që tentuan të çajnë kordonin policor dhe të hyjnë në ndërtesën e Komunës së Zveçanit.

Pasditen e së hënës, po ashtu KFOR-i intervenoi në Zveçan.

*Video: Dhunë, gaz, tension: Zhvillimet në veri në dy minuta

E, ndërsa Serbia me urdhër të presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, dislokoi ushtrinë në jug drejt kufirit me Kosovën, zyrtarët e BE-së, SHBA-së dhe NATO-s bënë thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve.

Qeveria e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë më 30 maj se vizita e kryeministrit Albin Kurti në Bratislavë, ku po mbahet samiti i sigurisë, ishte planifikuar, por u shty për shkak të ngjarjeve në veri të vendit.

Burime nga Bashkimi Evropian përmendin Bratislavën si vendtakim të mundshëm ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Sipas burimeve, ky samit ende është duke i zhvilluar punimet, por nuk ka konfirmim nga asnjëra palë.

“Rusia ka nevojë për një situatë të ndërlikuar”

Ngjyrosjen e shkronjës “Z” në veturat e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it Artan Muhaxhiri e sheh si mbrojtje politike kolektive.

“Identifikimi vizual me një fuqi më të madhe, siç është Rusia, është një mënyrë simbolike për të ndërtuar vetëbesim dhe vetësugjerim se kjo popullsi (serbët) është pjesë e rëndësishme e një mozaiku më të madh gjeopolitik”, shpjegoi Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai thotë se aktivitete të tilla mund të rezultojnë të paefektshme dhe mund të kthehen vetëm në një “performancë artistike të motivuar politikisht”.

Muhaxhiri thekson se Rusisë “i duhet” situata e komplikuar në Kosovë për të “ruajtur shpresat” se do të jetë e pranishme në tryezën ku do të merret vendimi për “marrëveshjen përfundimtare historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Një prani e fortë ruse mund të dobësojë pozitën e Serbisë, sepse do të zvogëlojë disa nga përfitimet afatgjata dhe përparimin në nivele të ndryshme socio-ekonomike”, thekson ai.

Shkronja “Z”, kundër Kushtetutës së Serbisë dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve

Naim Leo Beshiri thotë për Radion Evropa e Lirë se shkrimi i shkronjës “Z” është në kundërshtim me vlerat e shpallura me Kushtetutën e Serbisë. Sipas tij, kjo është në kundërshtim me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2012.

“Është çdo ditë e më e qartë që Qeveria e Serbisë dhe presidenti i Serbisë janë të vendosur të mos vënë sanksione ndaj Rusisë — ata në fakt inkurajojnë të gjithë ata që jo vetëm pajtohen me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, por edhe e mbështesin atë”, thekson Beshiri.

Beshiri rikujton se agresioni rus kundër Ukrainës “tashmë ka shkaktuar vuajtje të mëdha dhe e ka destabilizuar rajonin”.

Në kontekstin e paraqitjes së shkronjës “Z” në veri të Kosovës, sipas tij, duhet pasur parasysh fakti se Serbia dhe Kosova po hyjnë në fazën e fundit të dialogut, kur duhet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme.

“Është e qartë se mbi të gjitha forcat pro-ruse që i kemi në Serbi dhe në veri të Kosovës duan të destabilizojnë gjithçka për të cilën është rënë dakord deri më tani”, nënvizon Beshiri.

Zyrtarët e Kosovës kanë paralajmëruar vazhdimisht se bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Rusisë përbën kërcënim për sigurinë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në fillim të janarit se ka kërkuar shtim të numrit të forcave të NATO-s në Kosovë, për shkak të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.

Mesazhe nga Kremlini

Interesim për ngjarjet në veri të Kosovës më 29 maj ka shfaqur edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili ka deklaruar se situata në Kosovë është “e papranueshme, e tensionuar dhe shqetësuese”, njoftoi agjencia shtetërore ruse RIA Novosti.

Lavrov me këtë rast ka akuzuar edhe një herë Perëndimin, pavarësisht faktit se BE-ja dhe SHBA-ja janë ndërmjetësuese në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe se kanë bërë thirrje për qetësimin e tensioneve.

Në deklaratë, Lavrov tërhoqi një paralele mes Kosovës dhe gadishullit ukrainas të Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014, kur sanksionet e BE-së dhe SHBA-së u vendosën ndaj saj.

Ai deklaroi, gjithashtu, se “një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës”.

Ai nuk specifikoi se për çfarë lloj “shpërthimi” e kishte fjalën.

Moska zyrtare ka theksuar vazhdimisht se avokon për status quo-në kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Z” , një motiv i shpeshtë në protestat e krahut të djathtë në Serbi

Simboli i pushtimit rus të Ukrainës është një motiv i shpeshtë në protestat e organizuara nga lëvizjet dhe organizatat e krahut të djathtë në Serbi.

Këto lëvizje dhe organizata e mbështesin publikisht regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe pushtimin rus.

Së bashku me shkronjën “Z”, në protesta ishin të dukshme edhe shenjat e ushtrisë mercenare ruse Wagner, e cila ka marrë pjesë aktive në operacionet ushtarake të Moskës në Kiev që nga shkurti i vitit 2022.

Këto organizata dhe lëvizje kundërshtojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të cilën u pajtuan presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ohër.

Siç ka raportuar më parë REL-i, disa prej tyre kanë udhëtuar për në Rusi pas pushtimit dhe disa kanë vizituar selinë e Wagner-it.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi
blank

Nuk ka paqe me Serbinë pa rrëfyer forcë!- Nga ARTUR ZHEJI

Presidenti serb Vuçiç, po lufton në Beograd për mbiegzistencën e vet politike dhe jo vetëm.

Nga njëra anë, Vuçiç është i kërcënuar nga Putini, sepse u zbulua para pak kohe që luante një lojë të dyfishtë, duke u shitur armë ukrainasve, ndërkohë që përbetohej për Moskën.
Ka të dhëna të besueshme se forcat Wagner në Serbi, mund ta kenë në shenjstër për eleminim fizik dhe njoftohet se ka një atentat të dështuar ndaj Presidentit serb, nga ana e mercenarëve të Wagnerit.
Nga ana tjetër, ai është i pabesueshëm për amerikanët, sepse ata kanë dijeni për baza të shumta ruse të spiunazhit dhe jo vetëm, që gjinden të maskuara në territorin e Serbisë.
Vuçiç është mjeshtër i krijimit të një imazhi të moderuar ndërkombëtar, një ballkanas ndryshe, një ballkanas europian dhe një europian serb, krejt larg radikalizmit ballkanas.
Por në të vërtetë, grupet e interesit të radikalëve nacionalistë serbë, kanë mështetur besim të madh tek aftësia e tij: që premton të realizojë interesat nacionaliste serbe, në mënyrë të mëndafshtë dhe me një flirt të vazhdueshëm me Brukselin ku ai hiqet si një viktimë e pafajshme ndërmjet dy zjarresh.
Zjarrit radikal serb nga njera anë dhe zjarrit radikal të shqiptarëve të kosovës nga ana tjetër.

E pra Vuçiç, ka nevojë për sherr dhe barut në Mitrovicë, që të tregojë muskujt e Serbisë përkundrejt radikalëve të vet, duke mobilizuar Ushtrinë në kufinjte e Kosovës, dhe njëkohësisht të qajë me ngashërim të rremë në Bruksel, se gjoja u godit pas shpine nga shqiptarët.
Por amerikanët, kanë një plan tjetër, të cilin Albin Kurti duhet ta kuptojë: ata duan të këpusin rripin e transmesionit që punon gjithë kohës dhe lidh Moskën me Beogradin.
Vizita e kryeserbit të serbëve të Bosnies, Dodikut në Moskë, në takim kokë më kokë me Vladimir Putinin, nuk është një lëvizje boshe. Sepse Dodiku në Moskë, nuk ka shkuar vetëm si përfaqsues i serbëve të Bosnies, por edhe si përfaqsues i krejt radikalizmit serb në Ballkan.
Blinken nuk u shqetësua kot. Uashingtoni ka nevojë për një kohë sa më të qetë, në prapavijat e luftës së Ukrainës.
Ndërkohë që disa fije të bashkëpunimit ushtarak Begrad-Moskë, amerikanët janë duke i ndërprerë. Zbulimi se disa fabrika serbe dërgonin armë në Ukrainë, nuk është një fitore e vogël gjeopolitike amerikane.
Albin Kurti duhet tu japë kohë të qetë aleatëve tanë të përtej Atlantikut, që gjinden të përfshirë në këtë përballje të vështirë në mbështetje të Ukrainës dhe njëkohësisht në një front edhe më të gjerë. 360grade.al

blank

AGK raporton për disa sulme ndaj gazetarëve në veri

Zveçan, 30 maj 2023.

RFE/RL

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se gazetarët, që po përcjellin ngjarjet në veri, kanë cak i disa sulmeve.

AGK tha se persona të maskuar kanë sulmuar gazetarë të mediave të ndryshme në Leposaviq dhe njërit medium i është thyer kamera.

Po ashtu, në këtë komunë, gazetarët janë sulmuar edhe me gjësende të forta nga protestuesit serbë.

“Në një transmetim direkt të medieve, shihen disa gra duke tentuar t’i pengojnë gazetaret e RTV Dukagjinit, Kohës dhe mediave të tjera të raportonin drejtpërdrejt nga kjo komunë”, tha AGK.

Ky asociacion bëri të ditur se përveç sulmeve ndaj gazetarëve ka pasur sulme edhe ndaj makinave me të cilat udhëtojnë ekipet mediale në veri.

Ekipit të televizionit Kanal 10 i është dëmtuar vetura në Zveçan, ndërkaq vetura e ATV-së është vandalizuara, duke iu shpërthyer gomat.

AGK tha se sulmet ndaj gazetarëve, që po përcjellin protestat e serbëve në veri, po intensifikohen.

“Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR-i, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit”, u tha në njoftim.

Edhe të hënën, ekipet mediale kanë qenë cak i tentim-sulmeve dhe makinat e tyre janë vandalizuar, teksa makina një kanali televiziv është djegur.

Serbët lokalë po protestojnë në veri të Kosovës për të dytën ditë me radhë, për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, dhe po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

blank

TREGIMI I KADRI ROSHIT DHE TURPI QË NXJERR CULLAK KLASËN TONË POLITIKE! Nga ILIR ÇUMANI

Vite më parë, (kur ishte gjallë), aktori i madh i skenës dhe i ekranit shqiptar Kadri Roshi, pati një takim me simpatizantët e tij dhe artëdashësit në qytetin e Lushnjës.

Në atë takim të përzemërt që zhvillohej në sallën e kinoteatrit të atij qyteti, ai do të rrëfente para publikut të pranishëm një ndodhi që vinte qysh nga koha e viteve të fundit të rregjimit komunist.

Ishte një ndodhi, si shumë prej ngjarjeve dramatike dhe groteske që i prodhonte me shumicë ajo kohë e çmendur, e mbushur me paradokse absurde dhe të çuditshme.

Asokohe, e gjithë shoqëria shqiptare ishte e detyruar të jetonte në shkelje të dinjitetit njerëzor, përmes një modeli jetese me rregulla të kufizuara e barazitiste, me të njëjtin standard jetese për secilin.

E gjitha kjo, ndërtoi status-quo’në e një shoqërie të frustuar e të frikësuar, e zhytur thellë e më thellë në një mjerim antivlerash dhe skamjeje, e lodhur dhe e drobitur në një varfëri ekstreme me triska e tollona të racionuara ushqimore.

Përmes rrëfimit krejt origjinal e me nota të theksuara sarkastike, narrativa e Kadri Roshit në atë takim me simpatizantët e tij, merrte jo vetëm nuanca humori nga përshkrimi i situatave dhe rrethanave të ngjarjes, por më së shumti përcillte edhe një mesazh tek të gjithë të pranishmit në atë sallë të madhe, ku hera herës pati ilaritet dhe të qeshura që shoqëroheshin pafund me brohoritje e duartrokitje frenetike për aktorin e madh.

Aktori rrëfeu se si një brigadier në një ish ndërmarrje të peshkimit në Lagunën e Karavastasë së Divjakës, së bashku me brigadën e tij të peshkatarëve zinin çdo ditë peshk për furnizimin e popullatës.

Kjo ishte puna e përditshme që bënin punonjësit e asaj ndërmarrjeje shtetërore peshkimi.

Kur gjuetia për peshkim shkonte mbarë, e gjitha sasia e peshkut soditej nga vështrimet e gëzuara dhe fytyra të qeshura të brigadës së peshkatarëve.

Suksesit të tyre i bashkoheshin të gjithë banorët e pranishëm atje, të cilët i gëzoheshin fryteve të punës të një dite tejet të lodhshme, që në fund të fundit i gjithë mundi u punëtorëve të peshkimit i’a kishte vlejt.

Pas përfundimit të gjuetisë, përpara se të bëhej bilanci i normës në fund të ditës dhe të sitemohej peshku në arka për tu shpërndarë për konsum në popull përmes rrjetit të njësive të tregëtimit, fillimisht brigadieri së bashku me të tijët, një pjesë jo të vogël të sasisë së peshkut e ndanin mes vetes së tyre.

I pari që nuk i përmbahej gëzimit dhe binte në sy të të gjithëve ishte brigadieri i ndërmarrjes së peshkimit.

Ishte një burrë shtatlartë, me mustaqe, me barkun e madh dhe mollëzat e faqeve që i kuqëlonin nga shëndeti i tepërt, i cili, gjithë neps e babëzi i shqyente sytë nga peshku i zënë prej peshkatarëve.

Ai, prej tundimit, e niste refrenin e përditshëm duke drejtuar gishtin tregues tek peshku më i madh mes belbëzimit ndër dhëmbë:

“Ky peshku i madh fare është për mmmuuuu….! Edhe ky tjetri më i madh është për mmmuuuu….! ….Edhe ai tjetri që është pak më tutje është për mmmmuuuuu….!”

Brigadierit trupmadh, s’i ndalej që s’i ndalej prej gojës fjala “mmmuuuuu….!”

Nuk lodhej e nuk lodhej së përzgjedhuri, deri sa të gjente edhe peshkun e fundit të madh, duke lënë për arkat që priteshin të mbusheshin dhe të çoheshin për tu shpërndarë në popull vetëm peshqit e vegjël dhe cironkat….

Njëri nga të pranishmit që e ndiqte atë skenë groteske, del si më i guximshëm nga të tjerët dhe i thotë brigadierit:

“Aman, o shoku brigadier, të mbeti goja duke thënë vetëm “mmmuuuuu…!!!”

Edhe lopa që është lopë, gjithmonë bën “mmmuuuu….”, por të paktën ajo na jep çdo ditë qumësht që të hamë të gjithë….!”

“Po pse jam brigadier”, – i’a priti brigadieri barkmadh me faqet shend e verë.
Ç’farë pret nga unë, që të them: “Tyyyyyy….!?”

Në sallë plasi e qeshura dhe duartrokitjet nuk pushonin…

Kjo rrëfenjë e gjigandit Kadri Roshit më erdhi në mëndje për të disatën herë gjatë këtyre ditëve, kur më datën 25 maj 2023, në seancën e Parlamentit shqiptar ndodhi diçka e pazakontë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, i cili nxorri cullak anën jo njerëzore dhe aspak empatike të një klase të tërë politike.

Ishin mbledhur si asnjëherë tjetër deputetët e të gjitha krahëve politike, për të miratuar (rrufeshëm pas zgjedhjeve) me një urgjencë të çuditshme paketën e ligjit për “Reformën e Pagave” në Republikën e Shqipërisë.

Së pari, për të qenë i sinqertë, dëshiroj publikisht të jem i qartë lidhur me këtë çështje kaq sensitive dhe me interes publik.

Personalisht, nuk kam qenë dhe nuk jam kundër rritjes së pagave, si për anëtarët e qeverisë ashtu edhe për deputetët, ministrat dhe drejtuesit e rëndësishëm në të gjitha nivelet e institucioneve tona (edhe pse këto kategori, para miratimit të ligjit për dyfishimin e pagave) në raport me nivelet e tjera në hierarkinë e pagave shtetërore, kryesonin listën e më të mirëpaguarve.

Për administratën puplike jo dhe jo, pasi ata janë truri që vë në lëvizje motorin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe jo vetëm. Madje, kjo do të duhej të kishte ndodhur edhe më herët për këtë kategori.

Një tjetër arsye mjaft domethënëse e bën legjitime të gjithë kontestimin dhe mosdakortësinë e shumicës së shqiptarëve, që me të drejtë ka ngjallë një revoltë masive në opinionin e gjerë publik lidhur me aktin e pashembullt të asaj që ndodhi të enjten e javës së shkuar në sallën e Parlamentit Shqiptar.

Miratimi i “Ligjit për xhepin e deputetëve dhe ministrave”, (siç ka nisur të quhet rëndom ajo që ndodhi në sallën e Parlamentit shqiptar më dt. 25 maj, 2023), ka të bëjë me mungesën e transparencës.

Ngase u morr një vendim ekstremisht i ç’balancuar dhe në disproporcion me kushtet e realitetit shqiptar, ku si rrallë herë, të gjithë deputetët nxituan dhe u bënë bashkë për ta votuar me shpejtësi dhe në unanimitet të plotë atë ligj.

Ai ligj vjen në një kontrast të plotë në raport me të ardhurat ekonomike fare modeste të shumicë së qytetarëve shqiptarë.

Madje të ardhurat që ata kanë, në të shumtën e rasteve janë të pamjaftueshme për të përballuar koston e minimumit jetik.

Buxheti i shtetit mbahet me taksat, të cilat i delegohen dhe i mirëbesohen qeverisë dhe shtetit nga qytetarët shqiptarë që janë jo vetëm votues, por edhe taksapagues të financave publike.

Ato taksa, mblidhen në mënyrë periodike nga qeveria, me qëllim për ti mirëadministruar dhe për t’ua kthyer sërish qytetarëve jo vetëm përmes investimeve publike, programeve zhvillimore dhe fuqizimit të politikave ekonomike në funksion të rritjes së mirëqënies të qytetarëve, por edhe për ti shpërndarë ato në mënyrë të drejtë dhe të ndershme.

E njëjta gjë duhet të ndodh edhe me pagat në të gjithë hierarkinë e administratës publike dhe shtetërore.

Rritja dhe shpërndarja e pagave duhet bërë në mënyrë graduale dhe ciklike, periudhë pas periudhe, e mirëstudiuar dhe e vlerësuar në përshtatje me realitetin dhe kushteve të zhvillimit ekonomik të vendit.

I gjithë ky proces bëhet për të mbrojtur dhe mbajtur të shëndosha jo vetëm themelet e ekonomisë, por duke mbajtur në këmbë edhe shtyllat kryesore të kohezionit social, (mbrojtjen dhe fuqizimin e politikave mbështetëse për shtresat në nevojë dhe ato më të dobëta të shoqërisë, për pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, invalidët, të moshuarit e braktisur, fëmijët pa kujdesin prindëror, jetimët, etj).

Politikat dhe reforma e pagave duhen zbatuar në mënyrë proporcionale, në raport të drejtë jo vetëm me nevojat dhe mundësitë finaciare të shtetit, por edhe me kontributet reale dhe meritat e gjithsecilit, ku në fund të fundit duhet të prevalojë meritokracia, por edhe drejtësia sociale.

Në librin e tij “Çmimi i pabarazisë”, profesori i ekonomisë me origjinë nga India, Nobelisti Joseph Stiglitz, analizon dhe paralajmëron njëkohësisht se: “thellimi në ndarjet sociale rrezikon të ardhmen duke nxitur krizat dhe kolapse financiare…”

Kjo do të thotë që, jo vetëm Presidentit të Republikës, Kryeministrit, anëtarëve të kabinetit qeveritar, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë, por edhe qytetarit më të thjeshtë të këtij vendi, i mundur apo i pamundur, t’ju garantohet përmes një legjislacioni bashkëkohor një siguri dhe mbrojtje e balancuar sociale, që buron si një e drejtë themelore universale për një jetë të dinjitetshme për të gjithë, duke i shmangur nga kthetrat e varfërisë që shpesh herë dhe rëndomë këto kategori bien pre e saj, pikërisht prej këtyre vendimarrjeve të nxituara dhe disbalancave që prodhon politika për interesa të një pakice që sundon mbi shumicën.

Kjo është një praktikë mjaft e njohur kudo në botën e qytetëruar, e mbrojtur nga Konventa të ndryshme Ndërkombëtare, ku mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë prevalon dhe duhet të prevaloj vetëm Ligji, i sanksionuar në Preambulën e çdo kushtetute të vendeve të lira dhe demokratike.

Në një shoqëri dhe sistem demokratik, ku shteti i së drejtës funksionon në mënyrë normale, në çdo rrethanë dhe në çdo situatë duhet të prevaloj mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë parimi universal i të drejtës për të qenë jo vetëm të barabartë para ligjit, por të barabartë edhe në të drejtën njerëzore për të bërë një jetë të dinjitetshme.

Në debatin e seancës për shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore “Për piramidën e pagave” në Republikën e Shqipërisë, askush nga deputetët nuk solli argumenta bindëse për të legjitimuar këtë vendim absurd dhe krejt të sforcuar për dyfishimin e pagave të deputetëve, ministrave dhe kategorive të tjera, deri në nivelet më të larta në hierarkinë e shtetit.

Argumenti i vetëm që i përbashkonte deputetët e të gjitha krahëve politike duke mëtuar në një qëndrim të unifikuar ishte se e gjitha kjo kishte të bënte me “dinjitetin e figurës së deputetit”, por vetëm kaq!

Ky qëndrim në unison i deputetëve të Parlamentit Shqiptar, më solli në vëmendje veprimin e ish Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj, i cili, sapo mori drejtimin e qeverisë, më dt. 20 dhjetor të vitit 2017 merr një vendim për dyfishimin e rrogës së tij nga 1.500 euro në 3000 euro.

Nga ky vendim përfitonin të gjithë anëtarët e kabinentit të ri qeveritar që sapo kishte formuar z. Haradinaj, vendim, që me të drejtë revoltoi masën e madhe të qytetarëve të varfër të Republikës së Kosovës.

Kategori të ndryshme të shoqërisë kosovare reaguan me protesta civile masive kundër qeverisë.

Pyetjes së gazetarëve se ku e kishte bazuar marrjen e këtij vendimi, z. Haradinaj i’u përgjigj se kjo ishte një gjë normale, ngase i nevojitej një rrogë më e madhe për të mundësuar blerjen e kravatave dhe kostumeve, pra, i nevojitej një veshje më serioze me anë të së cilës i duhej një Kryeministri që ai të prezantohej me dinjitet në të gjitha takimet zyrtare dhe ndërqeveritare….(!!!)

Me ardhjen në pushtet të Kryeministrit të ri të Kosovës z. Albin Kurti, në shkurt të vitit 2020, ky i fundit e zhbëri vendimin e paraardhësit të tij, duke e përgjysmuar përsëri rrogën e Kryeministrit dhe të të gjithë ministrave në kabinetin e ri qeveritar.

Ky ishte një akt i përgjegjshëm jo vetëm politik, por në radhë të parë njerëzor dhe qytetar i një politikani vizionar, të përgjegjshëm dhe me integritet të lartë, që me shumë gjasa nuk mund të ndodh e njëjta gjë edhe me përfaqësuesit e klasës tonë politike.

Ajo që ndodhi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë të enjten e dt. 25 maj, 2023, as më shumë dhe as më pak, të kujton historinë e rrëfyer nga aktori Kadri Roshi, me atë Brigadierin e panginjur të ndërrmarrjes së peshkimit në kohën e komunizmit, i cili, peshkun e madh e mbante për vete ndërsa cironkat i linte për popullin.

Por, le të kthehemi në debatin e së enjtes së shkuar në Parlamentin Shqiptar. Në fjalën e tij, deputeti i PD z. Dashnor Sula, me të drejtë e kundërshtoi miratimin e Projekt Ligjit për miratimin e dyfishimit të pagës së deputetëve dhe të ministrave, duke artikuluar në diskursin dhe retorikën e tij faktin se, e gjitha kjo që po tenton shumica absolute e ligjvënsve është një veprim i pandershëm, aspak me natyrë humane.

Ky veprim, tha deputeti opozitar, vjen në kundërshtim me realitetin ekonomik, ku shumica e qytetarëve po përballen sot me varfërinë, që nuk mundin t’ia dalin as të mbyllin muajin me rrogat qesharake që ata marrin, ndikuar kjo edhe nga efektet negative që ka shkaktuar inflacioni në rritjen e çmimeve për shumë artikuj bazë ushqimorë.

Z. Sula, shkon edhe më tej në fjalën e tij duke protestuar me një deklaratë populiste se, nëse Parlamenti do ta miratonte paketën ligjore, referuar veçmas dyfishimit të pagës së deputetit, shtesën e gjysmës së rrogës së tij, do t’ia “dhuronte për dy vjet Shoqatës së jetimëve në Peqin”.

Në gjykimin tim, është e papranushme, e pasinqertë dhe e padinjitetshme për një deputet që Foltoren e Parlamentit e përdorë me një retorikë kaq bajate populiste, me synimin e vetëm për qëllime të pastra utilitare dhe politike! Përse e them këtë…?!

Z.Sula është deputet i Parlamentit Shqiptar prej katër legjislaturash, që nga viti 2009.

E pyes publikisht se, a ka dijeni ai që jetimët në vendin tonë, (në veçanti fëmijët jetimë në Peqin ku ai është deputet), prej vitesh dhe në mënyrë të pandryshueshme (edhe para se ai të hynte për herë të parë si deputet në Parlament), jetojnë me atë që marrin nga shteti si “ndihmë ekonomike”, vetëm me një lëmoshë qesharake, mjaft denigruese dhe fyese që është në masën 18 DSD në muaj….!?

A ka dijeni deputeti i Peqinit që jetimët familjar me “Status Jetimi”, prej vitesh e dekadash dhe në mënyrë të pandryshueshme marrin një lëmoshë nga shteti vetëm 30 USD në muaj si “ndihmë ekonomike…!?”

Ç’farë nisme dhe çfarë lëvizje politike ka ndërmarrë atje në sallën e Parlamentit ky deputet dhe të ngjashmit e tij kur dikur ishin në pozitë dhe sot në opozitë, për të korrigjuar këtë padrejtësi të paimagjinueshme të një endeku të frikshëm social…!?

Ç’farë përpjekje ka bërë si prind, si qytetar dhe politikan, me synim për të ç’rrënjosur këtë turp dhe krim të shëmtuar social që rëndon në ndërgjegjen e një klase të tërë politike, si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, me qëllim për të ndryshuar e përmirësuar të gjithë kuadrin ligjor dhe për t’ju garantuar fëmijëve jetim të Peqinit dhe 31.000 fëmijëve jetim në mbarë Shqipërinë një jetë të dinjitetshme, një fëmijëri normale e të qetë, si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë….!?

Jetimët e vendit tim dhe të vendit tënd i nderuar z.deputet, prej më shumë se tre dekada mbajnë mbi shpatullat e tyre të njoma dramën më të madhe të mbijetesës dhe pafajësinë që e kanë vetëm krijesat më të dobëta, më të pambrojtura të shoqërisë.

Ata nuk kanë nevojë për lëmoshën tuaj, as për lëmoshën e ndonjë deputeti tjetër, sepse në fakt, ju dhe vetëm ju jeni arsyeja dhe shkaku kryesor i dramës së tyre, për varfërinë e tyre kronike në luftën e përditshme që e bëjnë të vetëm në këtë botë të egër dhe pa dashuri….

Ngase jetimët jetojnë në një Shqipëri të padhembshur, në atë Shqipëri që ka modeluar në këto tre dekata sipas interesave të saj ajo pjesë jo e vogël e klasës politike e papërgjegjshme dhe e korruptuar, ndaj dhe këta jetim nuk mund t’i shpëtoj as “lëmosha” e deputetit Sula dhe as lëmosha e të gjithë deputetëve të marrë së bashku.

Jetimët e Peqinit dhe të mbarë Shqipërisë nuk janë lyparakë dhe as të pa dinjitet. Ata e neverisin dhe e përçmojnë lëmoshën publike që u serviret nga kushdo dhe cilido…

Jetimët i shpëton vetëm një Atdhe më i mirë, një Shqipëri më e dashur, më e dhembshur për të gjithë, pa politikanë mediokër që në fytyrat e tyre kanë vetëm maskën e cinizmit dhe të hipokrizisë…

Ata i shpëton nga kthetrat e mjerimit dhe të varfërisë vetëm një vullnet i mirë politik, që duhet të burojë në mënyrë organike nga një klasë e re politike, e vetëdijshme dhe e përgjegjshme njëkohësisht për misionin që mbart, e përfaqësuar nga njerëz të mençur dhe të zot, patriotë e atdhetarë të mirë, të urtë dhe të ndershëm, empatik dhe zemërdhembshur, që nuk e keqpërdorin politikën dhe postin si bankomat për të rritur pagat e tyre të majme duke u pasuruar në kurriz të shumicës, të më të varfërve dhe më të dobtëve.

Së fundi, jetimët i shpëton një legjislacion i fuqishëm që i mbron nga të gjitha cenet dhe plagët sociale, krimi dhe droga, shfrytëzimi dhe prostitucioni, fenomene të shumta dhe të përhapura që i vuan sot e gjithë shoqëria jonë.

Por, derisa të vijë ajo ditë, po e mbyll me një thënie të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, i cili me të drejtë thotë se: “Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të keq të ndotjes morale që ka njohur ndonjëherë. Nga kjo gropë ajo ose duhet të dalë me ngut, ose do të fundoset përgjithmonë”.

blank

FOTO- Polici serb Dragan Smigiç udhëhoqi sulmin e dhunshëm mbi forcat e KFOR-it

Personi që shihni në foton e mëposhtme është Dragan Smigiç, një polic serb nga qyteti i Rudares në Serbi

Mediat raportojne se Dragan u dërgua nga Vuçiç për të orkestruar dhunën në Kosovë. Në rrjete sociale janë publikuar pamjet kur Dragan shihet duke goditur ushtarët e NATO-s në Kosovë me shkop policie. Dragani nuk është shtetas i Kosovës, raporton Euronews Albania.

Gjithashtu pjesë e serbëve që dhunuan anëtarët e KFOR-it në veri të Kosovës ishte dhe grupi huliganëve të tifozëve të futbollit të njohur si grupi i Veljko Belivuk.

Të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kishin veshur kapele identike që mban dhe famëkeqi Veljko Belivuk, lideri i grupit kriminal që po kryen shërbime për shtetin serb në territorin e Kosovës.

Anëtarët e klanit të tij dhunuan ditën e djeshme forcat italiane të KFOR-it në Zveçan.

Akuza të shumta mbi lidhjet e këtij grupi kriminal me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç janë artikuluar në një shkrim të veçantë nga revista javore e New York Times. Artikulli i gazetarit Robert F. Worth përshkruan me detaje krimet e kryera nga banda e Veljko Belivukut, kreu i grupit të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizani i Beogradit. Ai dhe 29 pjesëtarë të grupit u arrestuan në vitin 2021.

blank

 

blank

Televizioni publik gjerman: Vuçiçi, i lidhur me bandën e Belivukut

Pas një shkrimi të gjatë investigues të “New York Times Magazine” mbi lidhjet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç me një grup të krimit të organizuar në Beograd, mbi këtë skandal të madh në Serbi ka raportuar tani edhe televizioni publik gjerman, ARD.

Sipas këtij televizioni, një proces gjyqësor po mban pa frymë opinionin në Serbi. Bëhet fjalë për huliganë, të cilët punonin për një klan të fuqishëm të drogës dhe akuzohen se kanë kryer vrasje brutale. Lidhjet e këtij grupi arrijnë me gjasë deri në krye të shtetit.

Në Beograd është duke u zhvilluar një proces gjyqësor kundër 31 personave, të cilët akuzohen për vrasje, posedim droge, rrëmbime dhe tregti me armë. Kreu i bandës quhet Velko Belivuk, prijës i huliganëve të ekipit të futbollit “Partizani” të Beogradit. Përkrahësit e këtij ekipi njihen si tejet agresivë dhe mbajnë lidhje me struktura të krimit të organizuar.

Krimet për të cilat akuzohen anëtarët e bandës së Belivukut dyshohet se i kanë kryer për një klan droge nga Mali i Zi. Ky klan prej vitesh zhvillon një përplasje të përgjakshme me një bandë tjetër. Vrasjet janë kryer jo vetëm në Serbi, por edhe në disa vende evropiane, thekson ARD.

Huliganët e Partizanit, sipas ARD, njihen si më brutalët në Evropë. Stadiumi konsiderohet si qendër për shitjen e drogës dhe për rekrutimin e anëtarëve të rinj të bandave.

Tani anëtarët e bandës së Belivukut akuzohen për vrasje kafshërore. Në fillim të vitit 2021, hetuesit ndërkombëtarë dekoduan aplikacionin Sky EÇ dhe gjetën aty fotografi të tmerrshme të kufomave të dëmtuara rëndë. Gjurmët çuan te një shtëpi në një fshat afër Beogradit me një hapësirë sekrete, në të cilët anëtarët e bandës kishin qasje përmes një vrime. Aty gjendej edhe një makinë për grirjen e mishit. Kriminelët i fusnin kufomat në këtë makinë dhe i bënin copa-copa për t’i fshehur më lehtë.

Procesi në Beograd ka nxjerrë në pah lidhjet e grupit me politikanët e vendit. Sipas gazetarit investigativ Stevan Dojçinoviç, mafiozi Belivuk ka deklaruar gjatë procesit se roli i tij ka qenë të përkrahë demonstratat për presidentin Vuçiç dhe të pengojë protestat e opozitës. Belivuk, sipas Dojçinoviç, ka listuar favoret politike që ka kryer për Vuçiçin.

Rol kyç në lidhjet e Belivikut me strukturat shtetërore duket se ka luajtur polici Nenad Vuçkoviç, i cili njihet si figurë prijëse e huliganëve. Në një fotografi Vuçkoviç shihet bashkë me Belivukun. Grupi nuk kontrollohej vetëm nga Vuçkoviç, por edhe nga nivelet më të larta, thekson Dojçinoviç.

Në një komunikim mes Belivukut dhe policit, Belivuk shkruan se ai nuk i frikësohet askujt dhe ‘është gati’. Pas kësaj polici Vuçkoviç përgjigjet se e dinte këtë, por në dijeni është edhe ‘shefi’ po aq sa edhe ‘shefi i madh’. Për gazetarin Dojçinoviç është e qartë se shefi ishte ish-ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç, ndërsa shefi i madh është presidenti Vuçiç. Në një fotografi tjetër të botuar nga mediat serbe shihet i biri i Vuçiçit, Danilo duke u përqafuar me një mafioz të bandës së Belivukut.

Gazetarja Brankica Stankoviç, e cila ka investiguar mbi lidhjet e huliganëve me politikanët, është kërcënuar dhe jeton nën mbrojtje të policisë. Sipas saj, huliganët serbë ‘janë të organizuar dhe të përshtatshëm për çdo keqpërdorim. Ata shndërrohen në hordhi të tërbuara, të cilat i nënshtrohen çdo apeli të strukturave të pushtetit, pa marrë parasysh çfarë përmban agjenda’.

Para gjyqit në Beograd gjenden anëtarët e bandës së Belivukut, ndërsa politikanët e lidhur me të – jo. syri.net

blank

Deklarata e fortë e deputetes britanike për situatën në veri të Kosovës: Armët po transportohen me ambulanca dhe ruhen nëpër kisha

Deputetja britanike Alicia Kearns deklaron se Serbia po furnizon me armë grupet kriminale në veri të Kosovës. Në një reagim në “Twitter”, Kearns duke komentuar në postimin e ambasadorit të Kosovës Petrit Selimi, shkruan se armët po zhvendosen me ambulanca dhe madje këto armë fshihen në kisha.

Ajo ka reaguar pas përplasjeve të djeshme mes serbëve dhe forcave të KFOR, ku pati disa të plagosur.

“NATO, KFOR luan një rol jetik, neutral në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e civilëve në Kosovë. Sulmet ndaj tyre dhe gazetarëve duhet të ndalen.

Furnizimi me armë në veri të Kosovës nga Serbia për të armatosur bandat në punësimin e elementëve në Beograd janë të papranueshme dhe thellësisht shqetësuese.

Mbetjet e armëve zhvendosen në ambulanca, madje ruhen në kisha për të fshehur armatimin e milicisë”, shkruan deputetja britanike.bw

blank

VIDEO/ Bildt: Militantët serbë duke sulmuar NATO-n, kjo është më e keqja që e kemi parë ndër vite

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga veriu, ku shihen protestuesit serbë teksa ushtrojnë dhunë mbi ushtarët e KFOR-it, duke lënë dhjetëra prej tyre të lënduar rëndë.

Bildt ka thënë se pamjet e sotshme janë më të rëndat për shumë vite.

“Kjo është më e rënda që është parë në Kosovë për shumë vite. Militantët serbë në veri të Kosovës sulmojnë forcat e NATO-s dhe lëndojnë dhjetë prej tyre. Cikli i përshkallëzimit duhet të ndërpritet me shpejtësi”, shkruan Bildt. syri.net

blank

Tiranë, përkujtohet dijetari Mid’hat Frashëri

VOA/Ilirian Agolli

Akademikë, pedagogë dhe studentë përkujtuan në Tiranë dijetarin e njohur Mid’hat Frashëri, përmes botimit të një tjetër vëllimi të krijimtarisë së tij.

Studiues nga Shqipëria dhe Kosova theksuan në një tubim shkencor ndihmesën e tij në fusha të kulturës, diplomacisë dhe çështjes shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, e cila u fsheh nga censura e regjimit komunist.

Akademikët dhe studiuesit nga Shqipëria dhe Kosova, që morën pjesë në tubimin e sotëm shkencor kushtuar dijetarit Mid’hat Frashëri, theksuan se ai punoi me përkushtim për bashkimin e shqiptarëve dhe për shpëtimin e kombit shqiptar.

Akademiku i njohur nga Kosova, Rexhep Ismajli theksoi se “Mid’hat Frashëri ishte dijetar i shquar i kulturës shqiptare si në krijimtarinë e penës, ashtu edhe organizator dhe pjesëmarrës i ngjarjeve me rëndësi si Kongresi i Manastirit, Kongresit të Elbasanit, shërbime në dikasteret ministrore dhe diplomatike, organizimit të rrjetit bibliotekar, deri edhe në themelimin e organizatave politike, ndaj edhe krijimtaria e tij u ndalua krejtësisht gjatë 50 viteve të regjimit komunist dhe mbisundimit sllav”.

Akademiku Ismajli i bëri këto komente në tubimin përkujtimor në nderim të albanologut Mid’hat Frashëri, ku u përurua vëllimi i tetë i krijimtarisë së tij etnologjike dhe antropologjike.

Studiuesit shprehën shqetësimin për censurimin dhe bllokimin e plotë të veprës së Mid’hat Frashërit gjatë regjimit komunist, si dhe për ashpërsinë e sjelljeve ndaj figurës së tij, me akte si dëmtimi i bustit dhe i varrit të tij, ndërsa trupi i tij u kthye në atdhe pas 70 vjetësh.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Lumo Skëndo, studiuesi Uran Butka po riboton serinë e veprave të Mid’hat Frashërit të mbledhura me shumë përpjekje në një mori arkivash dhe bibliotekash brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ai theksoi se “Mid’hat Frashëri ia kushtoi jetën e tij mbrojtjes dhe lartësimit të shqiptarizmës, duke shkruar pa ndalim studime mbi gjuhën shqipe, studime për etnologjinë dhe albanologjinë”. Ndërsa studiuesi Enver Kushi përshkroi përpjekjet e diplomatit Mid’hat Frashëri për Kosovën dhe Çamërinë.

Studiuesit theksuan se Mid’hat Frashëri është një studiues me përmasa europiane dhe sjellja në vëmendjen e opinionit të gjerë kulturor shqiptar e shkrimeve të tij dhe veprimtarisë së tij po ndikon në ridimensionimin e gjithë historisë kulturore shqiptare, në gjysmën e parë të shekullit 20, për të cilën regjimi komunist heshti dhe ndaloi studiuesit të merreshin me të.

blank

Tri përgjigje për veriun

Mimoza Sadiku

Mëngjesi i 29 majit zbardhi me grupe të serbëve lokalë që dolën para ndërtesave komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Arsyet: Ndalimi i kryetarëve të rinj shqiptarë të hyjnë në ndërtesat komunale dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.

Kjo ishte protesta e dytë në katër ditët e fundit që serbët kanë mbajtur, pasi më 26 maj, kryetarët e rinj hynë në ndërtesa komunale, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Si erdhi deri këtu?

Gjithçka nisi në nëntor të vitit të kaluar, kur kryetarët e katër komunave në veri (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) nga Lista Serbe, partia që ka mbështetjen e Beogradi zyrtar, dhanë dorëheqje, në kuadër të dorëheqjeve kolektive të serbëve nga veriu, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme fillimisht u caktuan për në dhjetor, por incidenteve të armatosura dhe vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë në veri, ato u shtynë për 23 prill të këtij viti.

Në këto zgjedhje, Lista Serbe nuk mori pjesë, e popullsia serbe e bojkotoi procesin zgjedhor.

Ata që dolën në zgjedhje, zgjodhën katër kryetarë shqiptarë: Erden Atiq (Mitrovicë e Veriut), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Lulzim Hetemi (Leposaviq).

Pse po kundërshtohen kryetarët e rinj?

Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, dhe ata në Beograd, kanë deklaruar se nuk i njohin kryetarët e rinj, të cilët, sipas tyre, kanë fituar “2-3 për qind” të votave.

Retorika u ashpërsua më 19 maj, kur në ndërtesën komunale të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, bëri betimin dhe nisi mandatin. Ndërtesa e kësaj komune, është e vetmja në veri, që gjendet në objekt të ndarë nga komunat paralele, që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Lista Serbe i dha ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri më 1 qershor, për të ndaluar, siç tha, “represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

Por, më 25 maj, tre kryetarët e tjerë të rinj të veriut bënë betimin në ndërtesa të tjera publike, për shkaqe sigurie.

Një ditë më pas, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, ata shkuan në zyra. Ky veprim u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët u përleshën me Policinë. Autoritetet bënë të ditur se pesë policë u lënduan dhe u dogjën disa makina.

Që nga 26 maji, Policia e Kosovës ka ruajtur ndërtesat komunale.

Fundjava e 27 dhe 28 majit kaloi e qetë dhe pa incidente, ndërkaq më 29 maj, në veri, pas paralajmërimeve për protesta, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, shtoi prezencën.

Lista Serbe paraqiti tri kërkesa për tërheqjen e protestuesve: tërheqjen e njësive speciale, tërheqjen e kryetarëve të rinj, por edhe mundësinë e zëvendësimit të Policisë së Kosovës – që po ruajnë ndërtesat komunale – me trupat e KFOR-it.

Çfarë thanë zyrtarët e Kosovës, Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare?

Bashkësia ndërkombëtare reagoi ashpër pasi kryetarët e rinj të komunave në veri hynë në ndërtesat komunale më 26 maj. Ndërkombëtarët e cilësuan si “hyrje me forcë” dhe i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të mos e tensionojë më tej situatën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, reagoi ashpër, duke i kërkuar Kosovës t’i ndalë “masat e dhunshme”. Ai tha se veprimet e tilla do të rezultojnë me pasoja në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Edhe shtetet e QUINT-it (SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Itali dhe Gjermani) i dënuan ashpër veprimet e Qeverisë në Prishtinë dhe thanë se presin nga Kosova që të mos ndërmarrë masa të reja për “hyrje me forcë në ndërtesat komunale” në veri.

I përballur me reagimin e ndërkombëtarëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mbrojti vendimin për shkuarjen e kryetarëve në ndërtesat komunale.

Ai deklaroi se e kupton shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, por theksoi se “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Pas tensionimit të situatës në veri, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi ngritjen në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake të ushtrisë së tij. Ministria serbe e Mbrojtjes tha se njësitë ushtarake, pas këtij vendimi, do të dislokohen në drejtim të kufirit me Kosovën.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në mandat ka ofrimin e mjedisit të sigurt për të gjitha komunitetet, ka paralajmëruar se është i gatshëm “të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme”.

blank

VOA: Tensione në veriun e Kosovës

VOA

Grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës u mblodhën të hënën të hynin në ndërtesat e komunave, në të cilat kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, hynë të premten mes tensionesh dhe nën përcjelljen e policisë.

Forcat e policisë së Kosovës dhe trupat e KFOR-it të drejtuara nga NATO-ja kanë shtuar praninë e tyre para ndërtesave të komunave. Në Zveçan policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Të premten grupe qytetarësh serb u përplasën me policinë e Kosovës e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe të hyjnë në zyrat e tyre. Zhvillimet e së premtes nxitën reagime të ashpra nga Beogradi, i cili ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan qeverinë e Kosovës për hyrjen me forcë në ndërtesat e komunave.

Të dielën në mbrëmje fuqitë perëndimore, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, paralajmëruan “të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”.

Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kundërshtohen nga serbët dhe përfaqësuesit politik të tyre, të cilët bojkotuan këtë proces zgjedhor.

Udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, kërkuan të shtunën që Serbia të pezullojë të gjitha negociatat me qeverinë e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

blank

VUÇIQ ËSHTË PASARDHËS I MILLOSHEVIQIT, KUR DO TA KUPTOJË BE POR EDHE SHBA Nga Luz Tomaj, SHBA

Kuptoni more, serbët në Kosovë i gëzojnë te gjitha të drejtat, madje janë të privilegjuar në krahasim me minoritetet tjera.

Në anen tjetër, serbët, sëpaku në Veri, nuk e respektojnë dhe as që e pranojnë shtetin e Kosoves, janë vetizoluar dhe, veprojnë vetem e vetem sipas udhëzimeve të Beogradit, konkretisht Vuçiqit.

Vuçiqi ishte ai I cili, gjatë luftes në Bosnje, klithte se nëse nji serb vritet, do vrasim 100 boshnjak.

Gjatë krimeve në Kosovë, Vuçiqi ishte minister në Kabinetin e kriminelitd Millosheviq ndërsa, Daçiqi ishte zëdhënës i Millosheviqit.

Tani, mu këta dy, janë figurat më të popullarizuara në Serbi.

Historia nuk e shenon se, në arenen ndërkombëtare, donji dialog ndërshtetëror është inicuar me askërkesen e shtetit aggressor, e shtetit gjenocidial.

BE dhe te tjerët, insistoin për njifar Associacioni.

Formimi i asociacioneve është proces i thjesht dhe normal, në suazat e legjislacionit të shtetit.
P

or, kjo çka serbët në Veri dhe Vuçiqi kërkoin, nuk është asociacion por process për qellime tjera të mosrrespektimit të shtetit.

Befasoni ju ndërkombëtarët, me këmngulje inistoni dhe e favorizoni shtetin gjenocidial recidivist dhe liderët serb, tëcilet duhen edhe të përgjigjen si pjesëmarrës të drejtëpërdrejt të rrjetit të egzekutdimit të krimeve gjenocidiale në Kosovë.

 

Zgjohuni more dhe kuptone se, në çdo process madje eddhe ndërkombëtar, drejtësia duhet të vij në shprehje…..

Luz Tomaj, jurist, SHBA
05/26/2023


Send this to a friend