VOAL

VOAL

KJO ASHT SHQIPNIA E GJERGJ KASTRIOTIT – Nga Fritz RADOVANI

December 6, 2022

Komentet

Veset e Sami Frashërit kur shkruante nën dritën e qiririt! Çfarë raportonte gazetari turk për shkrimtarin në librin “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”!

Naim bej Frashëri i njohur me emrin Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900) ka qenë nëpunës dhe intelektual i Perandorisë Osmane, poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, hartues tekstesh, përkthyesi i parë i pjesëve të Kur’anit në gjuhë shqipe dhe veprimtar i shquar i arsimit kombëtar shqiptar.


Shihet si nismëtari i letërsisë shqiptare dhe një nga ikonat kulturore shqiptare më ndikuese të shekullit të 19. I gjendur me pozita të larta në administratën osmane deri kur vdiq, mes të tjerash ndihmoi në nxjerrjen e lejes për Mësonjëtoren e Korçës si dhe të Gramatikës të Kristoforidhit. Naimi me vëllezërit, Abdylin dhe Samiun, u lindën në Frashër dhe më pas u shkolluan, u rritën dhe punuan në qendrat, Janinë e Stamboll. Përgjatë arsimimit dhe kultivimit të tij nxori gjuhët më të rëndësishme të realitetit të kohës, arabishten, persishten, turqishten, greqishten dhe frëngjishten.

Kësodore që prej atyre intelektualëve të mjedisit osman të shekullit të 19, që gëzonin qasje dhe vlerësonin si kulturën lindore që i rrethonte, si atë perëndimore. Kontributi i tij numëron 22 vepra të shtrira në 4 gjuhë, duke filluar me turqishten, persishten, greqishten dhe shqipen; si gramatika gjuhe, tekste divulgative shkencore, arsimore, përkthime dhe krijime origjinale. Duke parë tek besimi i tij një të mesme të lartë edhe për çështjen kombëtare shqiptare, u bë edhe autori më përfaqësues i mistikës islame në gjuhën shqipe përkatësisht me veprat “Fletore e Bektashinjvet” dhe “Qerbelaja”, si veprat e para të bektashizmit shqiptar. Në tekstet mësimore që botoi gjenden edhe përkthimet e para selektive të Kur’anit në gjuhën shqipe të bëra prej tij.

I ndikuar nga xhaxhallarët, bejtexhinjtë Shahin dhe Dalip bej Frashëri, në poezinë e tij u përpoq të gërshetonte sufizmin me filozofinë perëndimore të ideve poetike. Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Duke u përnderuar që në gjallje të tij si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”, ai hodhi themelet për zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë shqipe.

SHPËRNGULJA

Lindi në fshatin Frashër, Vilajeti i Janinës (sot në rrethin e Përmetit), fëmija i katërt i Halit bej Frashërit (1797–1859) dhe Emine hanëm Myteveliu (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të Korçës. Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten osmane, arabishten dhe persishten në Teqenë e Frashërit, si Myhib Bektashi. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 bashkë me familjen e tij u shpërngulën në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

Në “Zosimea” mori një kulturë të gjerë për kohën, u njoh me kulturat dhe letërsitë klasike, mësoi greqishten e re, greqishten e vjetër, gjuhën latine dhe gjuhën frënge. Atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng dhe veprat e Rusoit e Volterit. Vijoi të merrej privatisht me gjuhët klasike të lindjes (elsine-i selase). Në këtë periudhë u përqendrua edhe në fushat e interesit të tij jetëgjata: poetët persë dhe Iluminizmi frëng. Pasi u diplomua më 1870, më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj. Duke shpresuar të trajtonte në klimën e thatë të malësive shqiptare, prej të cilit vuante që fëmijë, u kthye në Janinë ku qëndroi dy vjet i pa zënë punë shteti. Me shpresën se do t’i përmirësohet shëndeti del shpesh në gjueti. Nisi punë si nëpunës në Berat dhe më pas qe drejtor dogane në Sarandë në vitet 1874-1877. I munduar edhe nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në llixhat e Badenit në Perandorinë Gjermane. E përjetoi rëndë vdekjen e parakohshme të vëllait Sherifit nga turbekulozi. Më 1877 u kthye në Janinë. Është i shqetësuar për fatin e Shqipërisë dhe përcjell me kujdes veprimtarinë politike të shqiptarëve në botën e huaj. Vëllai i vogël, Samiu, syrgjynoset për arsye politike në ishullin Rodos, ndërsa vëllai tjetër Tahsini ndërroi jetë nga tuberkulozi. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat.

STAMBOLLI

Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit. Ai u martua, ndoshta në pjesën e dytë të viteve ’70 të shek XIX, me Hatixhenë, e cila thirrej shkurtimisht Hexhe, vajza e një berberi nga Shkodra, e cila jetoi dy apo tre vjet më shumë pas ndarjes nga jeta të Naimit. Naimi dhe Hatixheja patën dy vajza, e para e quajtur Nerqeze, nuk jetoi as tre vjet, vdiq më 1881. Vajza e dytë, Nevrezi, u lind dhe u shkollua në Stamboll dhe më pas u martua me Xhafer Luarasin, dhe më pas me Shahin Kolonjën. Pas arrestimit të Abdylit në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm.

Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Kishte interes për thesarin shpirtëror të popullit shqiptar, gjë që e shtyu të punonte bashkë me vëllain rreth një fjalori të shqipes i cili do të mbetej pa botuar Në vitin 1883 nisi botimi i revistës Drita, ku në shkrimet e veta Naimi përdorte inicialet N.H.F. Pasi autoritetet osmane ndaluan shkrimin e shqipes, veprat nisën të botoheshin në Bukuresht dhe më pas në Sofie. Më 1887, me Samiun nxorën nga Porta e Lartë lejen për hapjen e një shkolle private shqipe në Korçë, ku tekstet i përgatiste Naimi. Pas 4 viteve duke lënguar, ndërroi jetë ndaj të gdhirë në orën 2 pas mesnate duke hyrë e shtuna, më 20 tetor 1900 në shtëpinë e tij në Këzëll Toprak, Kadikoy. Varrimi u bë të nesërmen, ditën e diel, 21 tetor 1900, në Teqen e Bektashinjve të Merdiven Qoit në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan minel yman”, që do të thotë: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”. Eshtrat e Naimit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25- vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë nënkoloneli Shefki Shatku, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishtës. I përcjellur nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve, arkivoli u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës.

KRIJIMTARIA

Gjuhët e huaja të nxëna nga mësimet private, fillore dhe më tej përgjatë shkollimit në Janinë bënë që Naimi të ishte një shembull parësor i intelektualit osman të shekullit të XIX që ndihej njëlloj i ambientuar si me kulturën Lindore ashtu dhe Perëndimore. Si autor i gjithsej njëzetedy veprave, shkroi në katër gjuhë të ndryshme: katër në osmanishte, dy në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqipe. Duke qenë se ishte në një post delikat si drejtor i këshillit të censurës në Ministrinë e Arsimit të perandorisë, me mundësi në disa raste për t’i bërë bisht ndalimit të librave dhe botimeve në shqipe nga ana e Portës së Lartë, Naimi e pa të arsyeshme të mos përdorte emrin e mbiemrin në shumë nga botimet e veta, por të shënonte vetëm ‘nga N.H.’, ‘nga N.H.F.’, ose ‘nga N.F.’ Më 1880 botoi poemën e parë në shqip “Shqipëria”, ku shpalli të gjitha idetë që përbëjnë trungun e veprës së tij atdhetare. Kur më 1884 e përkohshmja “Dituria” nisi të botohej në Stamboll, Naimi u nisi një varg poezish, të cilat trajtonin tema natyrore dhe shkencore në një gjuhë që fëmijët mund të kuptonin. Këto poezi u ribotuan më vonë si tekste shkollore. Nga 1885 dhe deri më 1895, pothuajse për çdo vit dilte nga shtypi në Bukuresht nga një punim i Naimit. Më 1886 botoi poemën e tij të famshme Bagëti e Bujqësi, më tej katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjtoret e para” bazuar te fabulisti frëng La Fontaine, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”. Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, – shkenca të natyrës).

Më 1890 doli përmbledhja e lirikave “Lulet e verës”, pastaj “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe “Fjala flutarake” (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poemat epike “Istoria e Skënderbeut” dhe “Qerbelaja”. Rëndësi të veçantë i dha botimit të librave për të cilët kishte nevojë shkolla shqipe. Këto poema do të shpërndaheshin në dorëshkrim mes bashkatdhetarëve të tij, pasi administrata osmane e ndaloi qarkullimin e botimeve shqip, ndërsa jashtë kufijve kishte mundësi të kufizuara botimi. Duke qenë se rreth 30 vjet të jetës do t’i kalojë në Shqipëri, Naimi do ta kuptojë mirë traditën historike, kulturore dhe kombëtare në përgjithësi kurse letërsinë popullore në veçanti.

Ndikimi i poezisë popullore në veprën e Naimit është i përvetësuar dhe shtrihet edhe në fushë të mjeteve stilistike, në fushë të strukturës rrokjesore e ritmike të vargut dhe në fushë të botëpërjetimit. Një sërë figurash në veprën e tij janë me prejardhje folklorike, në radhë të parë krahasimet. Tek botimi “Mësimet”, në pjesën Thelb’i Kuranit, Naimi ka botuar edhe të parin përkthim selektiv të Kur’anit në gjuhën shqipe. Më 1886 botoi po ashtu një tjetër vepër në gjuhën turke, një përkthim në prozë i “Iliadës” së Homerit, duke qenë edhe hera e parë që ndonjë pjesë e eposit përkthehej në gjuhën turke. Pas nja 10 vjetëve nxori edhe një variant në shqip që u botua në Bukuresht, “Iliadhë e Omeritë”

KUJTIMET

Rrëfime me copëza jete nga jeta e Sami Frashërit të treguara nga vajza e tij, e të përmbledhura në librin e gazetarit turk Hikmet Feridun Es, “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”. Zakonet e njeriut të letrave që rrethohej nga librat. Në librin “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”, me autor gazetarin turk Hikmet Feridun Es, mes personaliteteve spikat edhe enciklopedisti, dramaturgu, gjuhëtari, romancieri, përkthyesi, njeriu i rrallë për të gjitha kohërat, Sami Frashëri – apo Shemseddin Samiu, siç njihet ne historiografinë turke. Mes tyre, ai ka përcjellë për lexuesin kujtimet shumë të veçanta, treguar me shumë dashuri dhe besnikëri, nga vajza e madhe e Sami Frashërit, Samija. Gazetari thekson, se e bija ia kishte rrëfyer kujtimet për të atin, kur ishte 60-vjeçe. Kishte kujtesën e një 20-vjeçareje, thekson autori. Veç tjerash, ai potencon se Sami Frashëri kishte shumë shokë të ditur të kulturës islame, por nga pikëpamja e besimit fetar ai ishte ndarë nga ata përfundimisht, edhe pse fjala e fundit që ai ka thënë kur ndërroi jetë ishte fjala “Allah”(Perëndi).

Në shkrimet e tij, gazetari Hikmet Feridun Es, sjell nga kujtimet e Samijes: “Sami Frashërin nuk e ka shqetësuar asnjëri. Nëse hapni ngadalë derën e dhomës në katin e dytë, në fillim nuk keni për të mundur të shihni asgjë, vetëm grumbuj-grumbuj librash. Hidhni sytë dhe do t’iu dalë një kokë madhështore, tërheqëse, me një mjekër të gjatë dhe krejt të bardhë… Nën dritën e qiririt ai krijoi botën e shkencës… Deri sa të kishte lindur dielli, ai shkruante shkrimet e tij, i redaktonte ato dhe pasi i dërgonte në shtypshkronjë, shtrihej përsëri”. “Samiu ulej në një minder, i cili kishte madhësinë që mund të ulej vetëm një person, duke të kujtuar një divan të vogël. Kolltuku i tij i punës kishte disa gjëra specifike. Ishte i harkuar dhe ishte i mbuluar me një copë ngjyrë vishnje. Ulej mbi kolltuk dhe shpinën, kurrizin nuk e mbështeste në asnjë vend. Punonte vazhdimisht në një pozicion të përkulur. Letrën e kthente nga njëra anë dhe e mbështeste mbi gjunjë. Gjithashtu, në të njëjtën kohë u drejtohej librave. Për këtë kishte bërë një tavolinë me një plan të vetin, në një mënyrë të veçantë. Kjo është një tavolinë mjaft e gjatë, sirtarët e së cilës zgjateshin kur hapeshin me tërheqje të ndryshme. Mbi të qëndronin hapur libra në gjuhë të veçanta, ndonjëherë në 6-7 gjuhë të ndryshme, të cilat do t’iu duhej t’i shikonte dhe t’iu drejtohej. Kjo tavolinë gjendet tek vajza e madhe që e ruan atë  ashtu siç ka qenë. Zonja Samije Erer, e cila ndodhet përballë tavolinës, thotë: ‘Për librat që ai do të lexonte, kjo tavolinë nuk ishte e mjaftueshme’”.

“Në mes të grumbujve të librave, të cilët lartësoheshin në çdo cep të dhomës, ai vetes së tij i kishte caktuar një vend, një fole. Duke kaluar përmes cepave të këtyre grumbujve librash qëndronte duke punuar trupi i tij mjaft i lehtë. Në kohën që ju hyni në dhomë, ju nuk mund të shikoni atë nga poshtë qafës. Dhe, akoma më tepër, në hapin e parë ju do të ndjeni një aromë të veçantë. Kjo aromë do të ishte ‘era e librit’, e cila do të godiste menjëherë hundën tuaj. Zonja Samije Erer, me sytë e saj të kredhur në mendime dhe të vërejtur, duke parë tavolinën në të cilën Samiu ka kaluar përballë saj gjithë jetën e tij, shton: ‘Tani, me të hapur një libër të vjetër, me të ndjerë aromën e një libri, është njësoj sikur unë ndjej erën e babait tim’”. “Ne të dy anët e tavolinës, ndodheshin dy mbështetëse. Dhe në këto qëndronin letrat e dijetarit, dorëshkrimet, boja, pena. Drita vazhdimisht vinte nga mbrapa. Për këtë ai kishte bërë rafte të posaçëm për të vendosur qiririn. Në raftin, i cili ndodhej mbrapa, qëndronte një shandan trekëndor. Kurse në mbështetëset, ne secilën prej tyre, ishte vendosur një qiri. Dijetari, sipas nevojës, i tërhiqte nga atje-këtu, djathtas-majtas. Sipas nevojës, shkonte në tavolinë për të hapur librat voluminozë me trashësi të madhe. Vendosjen e qirinjve e kishte bërë në atë mënyrë që të kryqëzoheshin në të njëjtën kohë me syrin e tij”.

“Vazhdimisht shkruante në letër me madhësi të gjatë dhe ngjyre të kaltër të errët, jo të hapur. Pjesët anësore të letrës gjithmonë i përthyente dhe i linte bosh për të bërë korrigjimet dhe shtesat e tjera të mëvonshme. Rregullisht në shkrimet e tij përdorte vetëm bojën e zezë. Mirëpo, në veprat me tre tekste, për të mos i ngatërruar ato me njëri-tjetrin, përdorte tre lloj ngjyrash – të kuqe, të kaltër dhe të gjelbër. Mirëpo, ngjyrën e kaltër nuk e ndryshoi. Penën e tij do ta përgatiste me kujdes të veçantë, përpara se të fillonte të shkruante. E përthyente, i jepte asaj një formë të hollë dhe të trashë. Ndiente kënaqësi nga përthyerja e penës. Shishja e bojës përbehej nga qelqi dhe ishte në atë formë që po të përmbysej, boja nuk derdhej dhe ishte nga lloji më i lirë”.

“Në kohën që punonte, nuk do të futej asnjëri në dhomën e tij. Mirëpo, me të mbaruar punën, ai bënte diçka të veçantë. Kur mbaronte korrigjimet, përplaste tri herë duart me njëra-tjetrën. Kjo përplasje e duarve ishte e vetmja shenjë që thërriste vajzën e madhe, Samijen Ererin. Ajo ndodhej në dhomën ngjitur me atë të Samiut. Me të dëgjuar zhurmën e duarve, vajza e re fluturonte nga krevati dhe do të vraponte pranë babait të saj. Në këtë kohë do të ishin orët më të mira të babait me vajzën, e cila kishte ngelur pa nënë që në moshën gjashtëvjeçare”. “Samiu kishte një zakon në orët e mëngjesit: të përgatiste një ponç me konjak, limon dhe çaj. Çajin e ziente me dorën e tij. ‘Babai e pinte këtë çaj, filxhan mbas filxhani’. Samiu tregonte mjaft tregime të bukura. Pastaj, vajza e re Samije, duke thënë ‘Babaxhem, Perëndia të dhëntë qetësi’, do të dilte nga dhoma, sepse dijetari i madh mbasi dërgonte dorëshkrimet në shtypshkronjë, shtrihej për të fjetur”.

/Gazeta Panorama

Vranë 106 shqiptarë në Gjakovë dhe keqtrajtuan 300 të tjerë, zbardhet urdhër-arresti për Radoiçiç dhe 19 serbëve! Ja krimet e luftës

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiçit dhe 19 serbëve të tjerë për krime lufte. Ata po dyshohen se vranë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë dhe keqtrajtuan 300 të tjerë.

Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake Lutfi Shala, në të cilën URDHËROHET shoqërimi me forcë MENJËHERË ndaj të pandehurve.

Trupat e civilëve shqiptarë që dyshohen se u vranë nga ky grup, sipas urdhër-arrestit, ishin gjetur në një varrezë masive në Batajnicë. Derisa vrasja dhe keqtrajtimi i tyre ka ndodhë në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë, gjatë periudhës kohore 7 maj deri më 10 maj 1999.

Për këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka lëshuar urdhër arrest për krime lufte ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të tjerëve për krime lufte ndaj shqiptarëve.

Ata dyshohet se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë nga data 7maj e deri me datë 10 maj të vitit 1999, bashkë me pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuar, filluan të hyni shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezent duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe më pas i vranë gjithsej 106 civil të nacionalitetit shqiptar.

Image

Pas luftës trupat e tyre u gjeten në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pranë kësaj gjykate ka parashtruar kërkesën për lëshimin e urdhër arrestit PPS.nr.25/2025 të datës25.03.2025, ndaj të pandehurve Milovan Kovačevic, Radomir Čolić, Miloš Đošan, Miloš Došan, Predrag Ristić, Srdan Krstić, Ljubiša Obradović, Živko Sarić, Spaso Sarić, Lazar Drašković, Zvonko Ristić, Darko Gligorijević, Čedomir Božović, Vladimir Božović, Robert Dobrunaj, Radomir Raković, Ljubiša Raković, Miloš Šćepanović, Milan Radoićić, Svetislav Gligorijević, Tomica Avramović, për shkak të veprës penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në dokumentin e siguruar nga gazeta online Reporteri.net.
Ekziston dyshimi se u arrestuan dhe burgosen mbi 300 persona civil të nacionalitetit shqiptarë dhe komunitetet tjera të cilët fillimisht u mbajtën në burgje të improvizuara, ku nuk kishin pas trajtim human duke ju munguar gjerat elementare, ushqim i rregullt, higjiena dhe kujdes shëndetësor, dhe me pastaj një pjesë u e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë dhe në fund transferuan në burgjet serbe në Serbi për tu liruar pas muajit Qershor të vitit 1999 me ndihmën e Organizatave Ndërkombëtare.

Gjithashtu të gjithë banorët civilë të nacionalitetit shqiptar dhe nacionalitetet tjera që jetonin në qytetin e Gjakovës me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Fillimisht u plaçkitën të gjitha shtëpitë e banorëve të qytetit të Gjakovës të nacionalitetit shqiptarë e më pastaj i dogjën duke shkaktuar dëm shumë të mëdha materiale.

Në kërkesë PSRK për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj të pandehurve të lartpërmendur ka theksuar se nga kallëzimi penal me numër të rastit 2021-DKR-20 të parashtruar nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës si dhe nga raporti policor mbi masat e ndërmarra për identifikimin e vendqëndrimit të të pandehurve të datës 24.03.2025 rrjedh se të pandehurit nuk kanë adresë vendbanimi në territorin e Republikës së Kosovës dhe për pasojë janë të paarritshëm për organet e hetuesisë si dhe dërgimi i thirrjeve është i pa mundur.

“Në rrethana të tilla, vjen në shprehje aplikimi i urdhër arrestit si masë për sigurimin e prezencës së pandehurve të paraparë me nenin 175 par.1 të KPPRK. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës Gjykatës i kërkon që në pajtim me nenin 173 par.2 të KPPRK, urdhër arrësit të lëshohet për periudhën kohore deri në momentin kur të pandehurit të arrestohen nga organet kompetente me propozim qe kërkesa për urdhër arreste të aprovohet nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake.”, thuhet në urdhër-arrest.

Intervistë e rrallë me të mbijetuarin Dr. Harold Hayes: Kur avioni i ynë u rrëzua në Belsh

– Kjo intervistë e rrallë me Dr. Harold Hayes vjen për herë të parë në shtypin shqiptar, e realizuar në vitin 2015-ë, kur ai jetonte ende dhe ishte në moshën 92 vjeçare. Me profesion mjek ushtarak, Doktor i Shkencave, Harold Hayes mbylli sytë përgjithmonë më 29 janar 2017 në moshën 94-vjeçare. –


Dr. Harold Hayes ishte anëtari i fundit i mbijetuar i një skuadre të përbërë nga mjekë dhe infermierë amerikanë, që gjendeshin në një avion evakuimi mjekësor në nëntor të vitit 1943, i cili u detyrua të ulej në një terren të ashpër dhe të rrezikshëm malor dhe të panjohur për ta, (600 milje – qindra km.) përgjatë bregdetit Adriatik, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipërinë e pushtuar nga nazistët gjermanë. Grupi prej 30 veta, mes tyre 13 infermiere femra, dhe 13 mjekë meshkuj, së bashku me ekuipazhin prej katër personash të aeroplanit, u bllokuan befasisht për nëntë javë, dhe qëndruan të fshehur në shpellat e malet me borë, në fshatrat përreth Belshit, në Shqipëri, fare pranë prapavijave të trupave ushtarake gjermane, në frontin e luftës.

Të mbijetuarit u përballën me urinë, të pa shpresë, shpesh edhe nga bombardimet dhe mësymjet e nazistëve gjermanë, stuhisë së borës dhe agonisë së frikshme për jetë a vdekje. Por edhe të prekur nga morrat dhe të dobësuar fizikisht nga sëmundjet, si dizenteria dhe pasojat negative të tyre, porse më në fund ata ia dalin të shpëtojnë dhe të mbijetojnë në sajë të ndihmës, humanizmit, kurajos dhe heroizmit të popullit shqiptar të zonës së Belshit dhe Beratit. Odisea e heroizmit të atyre partizanëve dhe fshatarëve shqiptarë që i ndihmuan, i strehuan, dhe i ushqyen, u klasifikua si “Top Sekret”.

Të mbijetuarit u këshilluan nga vetë eprorët ushtarakë, për ta mbajtur të fshehtë këtë histori edhe për vitet më pas, të mos diskutonin detajet e kësaj ngjarje me këdo, madje edhe me anëtarët e familjes së tyre. Mbajtja sekret i kësaj ngjarje humanizmi, jo vetëm gjatë Luftës, por edhe vite e dekada më pas, ishte për të mbrojtur popullin- partizanët dhe fshatarët shqiptarë të zonës së Belshit e Beratit, të cilët ndihmuan grupin e infermierëve dhe të mjekëve amerikanë së bashku me mjetet e arratisjes të aviatorëve, me një heroizëm, bujari, guxim e kurajo të pashoq.

Disa prej partizanëve dhe fshatarëve shqiptarë u pushkatuan nga gjermanët nazistë për aktet e tyre të humanizmit, ndërsa disa të tjerë pas luftës, në bazë të fjalëve të përhapura nën zë, që dyshoheshin se kishin ndihmuar amerikanët, u ekzekutuan nga regjimi komunist në Shqipëri, i udhëhequr nga Enver Hoxha. Tashmë pothuajse 70-ë vjet më pas, Dr. Harold Hayes, i vetmi anëtar i grupit i cili jeton ende, atëhere ai ishte veçse 21 vjet, ndërsa tashmë 92 vjeç, na rrëfen këtë historie të rrallë dhe përvojat e tij, në këtë ngjarje.

 Zoti Hayes, cili ishte roli juaj në Forcat Ajrore të Ushtrisë të SHBA-ve dhe ku po shërbenit në fillim të nëntorit të vitit 1943?

Roli im ishte e një mjeku ushtarak dhe isha pjesë e skuadronit 807 të aeroplanit të evakuimit ajror mjekësor, i pozicionuar në Katania, Siçili. Skuadrioni ynë u nis nga Siçila, (jugu i Italisë), me aeroplanë transporti që transportonin pajisje dhe staf mjekësor drejt vijës së parë të frontit, dhe ndihmonim në evakuimin e të plagosurve të luftës, i shoqëronim në aeroplan për në bazat tona në Siçili ose Afrikën e Veriut, për të marrë një trajtim më të mirë mjekësor.

Kush po udhëtonte me ju në aeroplanin e transportit C-53D atë ditë nëntori, të vitit 1943?

Kjo aventurë e rrezikshme nisi dy muaj pasi Italia e Benito Musolinit kapitulloi, dhe Forcat Aleate u pozicionuan po ashtu në Itali, për të nisur mësymjen finale kundër gjermanëve në të gjithë Europën. Më 8 nëntor 1943, një aeroplan i Skuadronit 807 të Transportit Mjekësor i Evakuimit Ajror të Forcave Ajrore të Ushtrisë Amerikane, u ngrit nga Catania, Siçili, me destinacion Barin, në bregun lindor të Italisë, ku qindra ushtarë të plagosur prisnin evakuimin ajror.

Në aeroplan ishim gjithsej 30 veta; dy pilotët, një operator radio dhe një shef ekuipazhi, plus 13 infermiere femra dhe 13 mjekë meshkuj. Shiu që kishte nisur të binte prej tre ditësh, nuk pengoi asnjërin prej nesh që të ndërmerrnim këtë mision sekret, të largoheshim nga Katania. Kështu që komandanti i skuadrionit tonë, vendosi të dërgonte gjysmën e personelit mjekësor për të ndihmuar në evakuimin e të plagosurve të shumtë që prisnin. Vetëm një anëtar, nuk ishte pjesë e skuadrionit dhe ekuipazhit të fluturimit 807, ai ishte një mjek i skuadrionit 802, i cili erdhi me ne për në Bari, në jug të Italisë.

-Çfarë ndodhi dhe pse pilotët u detyruan të ulnin aeroplanin?

Aeroplani i evakuimit punonte me dy motorë dhe nuk mbartte armë, sepse piloti kryesor, Charles Thrasher, 22 vjecar, nuk parandiente ndonjë luftim. Të 13-të infermieret femra ishin me gradën toger, dhe ishin të moshës 22 deri në 32 vjeç. Ndërsa të 13-ë mjekët meshkuj, ishin ekuivalent me gradën rreshter, si të ekuipazhit të aeroplanit, dhe varjonin nga mosha 21 deri në 36 vjeç. Kur ne u ngritëm në fluturim nga baza ajrore e Siçilisë, në qiell nuk kishte asnjë re, por sa më shumë që i afroheshim Barit, aq më shumë ato shfaqeshin. Një orë pas fluturimit, aeroplani u përfshi nga një stuhi bore me erëra të forta. Fillimisht humbëm komunikimin me bazën në Bari.

Pilotët e ngjitën aeroplanin mbi re, por kur u ngritën në rreth 8000 feet, (gati 2500 metra mbi nivelin e detit), krahët e aeroplanit nisën të zinin akull, kështu që pilotët u detyruan të hynim midis reve, nga ku mundën të shihnim një vijë bregdetare; pilotët mendonin se mund të ishin duke fluturuar përgjatë bregut perëndimor të Italisë, porse nuk e patën kuptuar se po fluturonin përgjatë detit Adriatik. Pilotët u përpoqën të uleshin në një tokë që dukej si një aeroport i braktisur, por sapo u afruan, dikush nisi të qëllonte drejt aeroplanit dhe pilotët u detyruan të ngriheshin menjëherë dhe përsëri drejt reve. Kjo ishte ndoshta pjesa më e frikshme e fluturimit, nëpër një luginë ku majat e maleve ishin më të larta se retë.

Kur dolëm nga retë, aeroplani ishte shumë afër një aeroplani luftarak gjerman dhe më pas edhe me një tjetër. Pilotët vazhdonin të bënin përpjekjet për të shmangur avionët e armikut, derisa aeroplani zhytet mes stuhisë së fortë, mbi detin Adriatik, busulla dhe komunikimi më radio pësojnë avari dhe nuk funksionin. 100 milje larg kursit, aeroplani kalon në brigjet e Shqipërisë dhe pikaset nga ushtarët gjermanë, të cilët nisin ta qëllojnë me armët kundërajrore. Kështuqë aeroplani kalon 25 milje nëpër një kënetë në brendësi të tokës. Ëillis Shumëay, 23 vjeçar, komandanti i ekuipazhit, ishte i vetmi viktimë, me një dëmtim në gju, që e la atë të paaftë për të ecur.

Kush ju ndihmoi pas përplasjes?

Të 30 anëtarët e skuadrionit amerikan, ishim të frikësuar e të çoroditur, dhe nuk e kishim idenë se ku ndodheshim. Nga frika e shpërthimit të karburantit, dolëm menjëherë nga aeroplani dhe befas hasim me një grup burrash me pamje të vrazhdë që kishin pushkë në sup dhe thika në brez. Ata ishin partizanët shqiptarë, anëtarë të grupeve të rezistencës (Luftës Nacional-Çlirimtare) që luftonin kundër gjermanëve. Njëri prej tyre fliste pak anglisht. Emri i tij ishte Hasan Gina, që kishte dalë partizan dhe luftonte kundër pushtuesve gjermanë. Ai ishte edhe komandanti i çetës partizane.

Ai u tha amerikanëve se ndodheshin në Shqipëri, 150 milje në lindje të Barit, në anën e gabuar të Adriatikut, të rrethuar nga forcat gjermane që kishin pushtuar Shqipërinë prej muajsh dhe gjendeshin gjithashtu në një luftë civile midis grupeve rivale; ballistë e partizanë. Amerikanët nuk dinin pothuajse asgjë për Shqipërinë, një vend i vogël, kryesisht mysliman, që kishte ndryshuar pak në shekuj. Terreni malor ishte tejet i thyer, i rrethuar nga fshatra të varfër. Nuk kishte hekurudha dhe pak rrugë. Mushkat dhe kuajt ishin transporti kryesor.

Kishte pak ujë të rrjedhshëm ose energji elektrike. Dimri ishte i egër, ushqimi ishte i pakët por ata dhe disa fshatarë shqiptarë të zonës së Belshit, na ndihmuan së tepërmi. Gjatë javëve që pasuan, të udhëhequr nga partizanët, ne u ngjitëm nëpër male dhe ecnim fshehur përgjatë luginave, ndonjëherë edhe uleshim për t’u çlodhur. Disa herë ecnim të gjithë bashkë, por kishte raste që ndaheshim në grupe të vogla, për të shmangur patrullat gjermane, qëndronim jashtë në natyrë, ose strehoheshim në shtëpitë e fshatrave që kalonim, duke ndarë bukën e misrit me fshatarët.

Cili ka qenë shqetësimi tuaj më i madh kur ishit të bllokuar pas prapavijave të armikut?

Një nga shqetësimet tona më të mëdha ishte se ushtria amerikane, si dhe familjet tona, nuk e dinin se ku ishim. Ata as që e dinin që ishim në Shqipëri; ata nuk dinin asgjë për fatin dhe jetën tonë. Shqetësimi tjetër kryesor ishte se këpucët tona po griseshin shpejt, për shkak të terrenit malor, veçanërisht ato të infermiereve. Shpresonim të arrinim sa më shpejt në breg të detit, dhe e vetmja mënyrë ishte të ecnim sa më shumë. Të 30–ët u klasifikuam të “zhdukur në mision” dhe autoritet dërguan telegramet e ngushëllimit familjeve tona. Ndërkohë të mbijetuarit, mbartnin në një barelë të sajuar me ndenjëset e aeroplanit, rreshterin e plagosur, që nuk mund të ecte, derisa më vonë fshatarët shqiptarë sollën një mushkë dhe e vendosëm aty.

Pas pesë ditësh nëpër male dhe shtëpitë e fshatarëve, arritëm në një qytet që kontrollohej nga partizanët të quajtur Berat, ku u brohoritëm nga vendasit se kujtuan se ishim anëtarë të ndonjë misioni aleat për të çliruar Shqipërinë. Aty u takuam edhe me drejtues të tjerë partizanë, dhe mësuam për një agjent britanik, i cili kohët e fundit kishte rënë me parashutë në vend. Aty ne qëndruan tre ditë, ditën e katërt u zgjuam nga të shtënat me armë zjarri dhe nga shpërthimi i predhave të artilerisë, teksa forcat gjermane po hynin në qytet. Në konfuzionin që pasoi, avionët gjermanë goditën një kamion që transportonte disa nga në amerikanët në arrati. Tre infermiere u ndanë nga grupi kryesor dhe qëndruan në Berat; ato u strehuan në një shtëpi në një fermë dhe qëndruan të fshehur në atë zone, për katër muaj.

Si kaloi grupi gjatë atyre muajve të vështirë?

Në pjesën më të madhe, ne shkuam shumë mirë, por kishte disa prej tyre që griceshin me njëri-tjetrin gabimisht. Kur jeni të uritur, të ftohtë dhe të lodhur, harroni pothuajse gjithçka tjetër dhe mendoni vetëm për të mbijetuar. Watson, një nga infermieret, tha: “Çdo gjë që një mjek mund të bëjë, unë mund ta bëj”, dhe kjo është ajo që bëri pikërisht ajo. Më 27 nëntor 1943, inteligjenca britanike në Shqipëri, mësoi nga partizanët se aeroplani amerikan 807 ishte rrëzuar dhe se infermieret, mjekët dhe ekuipazhi, ishin gjallë, duke u përpjekur që të arrinin në breg të detit. Gjeneral Dwight D. Eisenhoëer, komandanti i Forcave Aleate në Europë, dhe vetë Presidenti Franklin D. Roosevelt, u dhanë lajmin e mirë familjeve të të zhdukurve.

Në dhjetor të po atij viti (1943), u ndërmor një plan tjetër amerikan shpëtimi, i udhëhequr nga një kapiten i ushtrisë, Lloyd G. Smith, 24 vjeç, i cili u caktua në Zyrën e Shërbimeve Strategjike, pararendëse e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës. Nën mbulesën e errësirës, ​​ai rrëshqiti me varkë në bregdetin shqiptar që ruhej me forca të shumta ushtarake, dhe ngriti një kamp bazë në një shpellë në shkëmbinjtë me pamje nga Adriatiku. Të tjerë u bashkuan me të dhe ata u zhvendosën në brendësi të vendit për të na gjetur, ne amerikanët. Ndërkohë britanikët organizuan një përpjekje të dytë shpëtimi, nën drejtimin e toger Gavan Duffy, një agjent sekret, i cili me një ekip të vogël kishte arritur në Shqipëri muaj më parë me parashutë dhe në këmbë. Nëpërmjet kontakteve partizane, ai i gjeti amerikanët në Shqipërinë lindore dhe nisi të na çonte drejt perëndimit, duke synuar të arrinte në bregdet.

Por në gjysmë të rrugës, në Gjirokastër, trupat gjermane bllokuan rrugën dhe ne ishim të lodhur, të sëmurë dhe të rraskapitur për të vazhduar më tej. Ai kërkoi nëpërmjet radios, për një shpëtim ajror amerikan. Dy aeroplanë mallrash C-47, fluturuan me shoqërues luftarakë, por gjermanët e pikasën dhe toger Duffy e anuloi uljen e avionit. Por ne e rifilluam udhëtimin dhe me ndihmën amerikane e britanike, derisa arritëm në bregdet. Më 9 janar, pas një sprove 63-ditore, 27 amerikanët – 10 infermierë dhe 17 mjekë dhe ekuipazhi fluturues – hipën në një anije britanike dhe kaluan në Itali. Tre infermiere mbetën pas në Beratin e pushtuar nga gjermanët. Kapiteni Lloyd Smith, i solli ata të sigurt në mars të vitit 1944. Të hipur në mushka që ecnim në tufë në pjesën më të madhe të rrugës, arritëm në bregdet dhe u pritën nga një barkë me silur, e cila na çoi përtej Adriatikut.

Pse ju ndaluan të tregonit për përvojën tuaj në Shqipëri, edhe pas përfundimit të luftës?

Kur u kthyem në bazat e Forcave Aleate, eprorët tanë ushtarakë, nuk na lejuan t’i tregonim askujt se ku kishim qenë, kush na ndihmoi, ose si shpëtuam. Madje as të mos diskutonin detajet e kësaj ngjarje me këdo, madje edhe me anëtarët e familjes. Konspiracioni ishte për të mbrojtur njerëzit që na kishin ndihmuar dhe shpëtuar jetën. Nëse ata do të kapeshin nga gjermanë, kishte të ngjarë që do t’i kishin vrarë. Edhe pas luftës, me vendosjen e regjimit komunist, ne ishim të shqetësuar se po të përmendnim emrat e atyre heronjve shqiptarëve që na shpëtuan jetën, ata do të vriteshin. Më vonë mësuam se njëri prej partizanëve që na ndihmoi e strehoi, Kostaq Stefa, u burgos menjëherë pas luftës dhe në fund u ekzekutua nga regjimi komunist. Jam mëse i sigurt se pa ndihmën e popullit shqiptar, ne nuk do të kishim mbijetuar atë dimër. Memorie.al  Nga Raimonda MOISIU

KUSH  MENDOI  PER  SHQIPNI ?!- Pjesa IV- Nga Fritz RADOVANI

 

Takohën Dy Burra!

Njeni me shpatë të futun në kllef e, Tjetri me Kryq në krahnor!

Asht Skenderbeu përballë Karol Vojtilës!

Asht Shqiptari përballë Polakut që paqë nuk ban me hasmin tonë! Asht Atleti i Krishtenimit përballë Atletit mbarë Njerëzimit!

Asht i Zoti i shtëpisë që dorën i shtrinë mikut që puthi Tokën tonë Arbnore!

Hajde! Urdhno!..Mirse të ka prue Zoti, Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut!

Mirëse erdhe, o Burr’ i Bekuem! E kryet zatesin njeni me tjetrin bash si atëditë me 12 Dhetor 1466, me Palin e II, në Romën plakë! E dora e rame mbi gjoks tash 500 e sa vjet, ngrihët naltë!…
“Qé, pra, Karol Vojtila! Ky asht Populli i em Shqiptar! E, Ti jé bash Ai Burrë Trim që bashkë me historinë e Botës mbarë, ké sjellë një Epokë të Ré edhe për Atdheun tim! Bijtë e mijë, vêni veshin Këtij Burrë e ndigjoni mirë shka thotë!…

Edhe unë dikur…Këta… ndigjova,.. e, Fitova!..”.

Bije një heshtje në nderim të pritjes së fjalës së Mikut Shekullor! “Shqiptarët, dikur, kur përmendej Emni i Tij u çonin në kambë dhe hiqnin kësulen”….Po, sot? – Sot, Ata kanë në Shtëpinë e moçme Ilire Atë Trim që me fjalën e Tij trandi Botën mbarë….E, prap, sot në kambë!…Shqiptarët e të gjitha trojeve Arbënore me sy të përlotun e shpresë të sigurt, prap sot ndigjojnë porosinë e këshillen Tande, Atë i Bekuem:

Zotni President!

Të nderuem zotnijë Autoritete civile, ushtarake dhe fetare!

Vëllazën e Motra Shqiptare, Ju përshëndes përzemërsisht!

Mbas njëdite me një program të ngjeshun me kremtime e takime, të cilat me dhanë mundësinë me prekë me dorën time jo vetëm fenë plot afsh të Bashkësisë Katolike po edhe ngrohtësinë e mirëpritjes së Popullit Shqiptar, ja ku erdhi çasti i ndamjes dhe i prekun thellë me duhët t’ ju la. Në miqësinë që me keni shfaqë kam kuptue se pata të baj me miqë që kishin një zemër të madhe.

Në çiltërsinë tuej pashë kurajon e një demokracie të ré, një demokraci që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, mbas sa vitësh të pafund dhe t’errta të një diktature dhe të një ateizmi mbytës.

Ju falemnderës për mikpritjen! Do të këthehëm në Romë me një kujtim të ngrohtë për vendin tuej të ngulitun në mendjën dhe në zemrën time. Ju falëmnderës!

Erdha mes jush për me përmbushë misionin tim si Mbasardhës i Apostullit Pjetër në shërbim të Kishës Universale, për me ju dishmue besimtarëve Shqiptarë prej shumë kohësh të munduem, solidaritetin e gjithë bashvëllazënve të të njejtit besim, të cilët janë shpërnda në të katër anët e Botës.Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh:Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve u sjellë një përshëndetje të përzemërt.

Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.

Të dashtun Vllazën e Motra!

Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.

Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.

Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës.

Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërinjtë vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat? Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat.

Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.

Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit.

Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues.

E gjithë kjo ndodhte në njëkohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë.

Ju sot keni fitue lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakun. Jeni ngritë nalt mrekullisht nga një greminë tiranie dhe vdekje. Kur dukëj se po shuhej gati çdo motiv i arësyeshëm besimi zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta.

U ringjall kurajo për me qëndrue, u ndez përsëri drita e shpresës.Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka për shka ti trembemi asnjë shrregullimi njerëzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.

Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.

Populli Shqiptar, – dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,- asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vllazën e Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit. Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm.

Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në vende të ndryshme të Botës, madje, dhe jo fort larg nga këtu tek Ju. Përkundrazi, u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashjetesë tek Ju.

Duhët mësue arti i dialogut dhe i të dëgjuemit kjoftë dhe kur ky art asht i lodhëshëm.

Ky asht çmimi i lirisë, ky asht sekreti i progresit të vërtetë moral e civil.

Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!

Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdërueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’u garantohët puna dhe, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré. Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia”.

Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun. Ajo kërkon një kujdes të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi.

Askujt nuk i falët të rrijë mënjëanë e të sodisë.

Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ua kursejë kontributin e Sajë. Ajo sigurisht nuk harron se misioni i Sajë asht kryesisht fetar dhe do të ketë shumë kujdes për mos me hy në çeshtje thelbësisht politike por, e mbështetun në forcën e Ungjillit Kisha që u ngrit nga Krishti si lajmëtare në Botë, do ta ofrojë ndihmesën e vet kjoftë me pjesëmarrjen në punë të institucioneve të Saja, kjoftë mbi të gjitha, me mbështetjen e Saj në favor të një humanizmi të vërtetë, i cili ngritë përsonin, i pamë ky në Dritën e Zotit dhe i përfshimë në të gjitha dimensionet në qendër të çdo projekti ekonomik, social dhe politik.

Njeriu dhe Zoti nuk janë kurrë në një alternativë dhe nuk konkurrojnë njeni tjetrin. Përkundrazi, njeriu ka një dinjitet të naltë, tamam siç i ka hije një krijese të bame simbas imazhit të Zotit. Njohja e kësaj vlere té çdo njeri do të bajë që edhe ekonomia të gjejë ekujlibrin e drejtë ndërmjet arësyeve të aftësive dhe të spikatjes së solidaritetit dhe do ta çojë kështu, impenjimin politik me një kërkesë përgjegjësie ndaj së mirës së përbashkët, tue ndjekë gjithmonë kërkesat e respektimit ndaj etikës dhe moralit.

Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit! Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës.

Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët e pafund të shtypjes së rregjimit totalitar. Lé ti ndrisë hapat e Tua dashunia për familjën, shpirti i vëllazënimit, mikëpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuej, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore Shqiptare.

Lé të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm , të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë dhe paqës.

E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë?

Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.

Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm.

Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…

Erdhi çasti i ndamjës.

Ju përshëndes i prekun thellë në zemër e me mirënjohje që Ju kam pranë.

Përshëndes veçanërisht Presidentin e Republikës, që më përkushtoi një pritje të ngrohtë. I jam mirënjohës për fjalët dashamirëse që më drejtoi. Përshëndes autoritetet civile dhe ushtarake. Përshëndes vllaznit e mijë të Episkopatës dhe veçanërisht ata që pata kënaqësinë Ti Shuguroj sot. Kam dëshirë ti drejtoj një përshëndetje të veçantë Monsinjor Joakim Herbut dhe Ausiliarit Monsinjor Nik Prela; gjithashtu edhe besimtarëve të ardhun nga Shkupi e Prizrêni dhe murgeshave.
Përshëndes ushtarakët e kontingjentit “Pelikan”, të cilët prej muejsh po përpiqen me një dedikim të admiruem në shërbimin humanitar ndaj Popullit nevojtar Shqiptar.

Përshëndes të gjithë Shqiptarët e shpërndamë në të katër anët e Botës. Lus Zotin, që mbi secilin të jetë Dora e Tij dhe e Virgjinës Mari, që këtu lutët me emnin Zoja e Këshillit të Mirë.

Vllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!

Zoti e ruajtë Atdheun Tuaj! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën!

Në Emën të Zotit Ju përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!

Mirupafshim! Ju uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!”

***
Perkthye nga Prof. Gjon Sinishta, Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, fq.171, viti 1993.
University of San Francisco, USA.

.Shenim nga Fritz Radovani: Material i plotë asht marrë nga dorshkrimi i pabotuem F.R.:
“GURËT E THËMELIT” Melbourne 2004.

Fund.
Melbourne 2024, 24 Prill.

“S’ka garanci më të mirë për shqiptarët, se njohja zyrtare e një qeverie në mërgim, drejtuar nga Mbreti Zog…” Letra e panjohur e Nolit për kryediplomatin amerikan

Një prej njohësve më të mirë të veprimtarisë historike të “Vatrës”, i cili shërbeu në gjirin e saj 60 vjet, shkroi afër 40 vjet më parë: “E premtja e zezë 7 Prilli 1939 i gjeti vatranët të ndarë keq: me dy ‘Vatra’ dhe dy ‘Diellë’! Pasi u shkel Shqipëria prej ushtrisë italiane dhe humbi lirinë e saj kombëtare, erdhi bashkimi i të dy ‘Vatrave’ menjëherë dhe u bë prap një ‘Vatër’ dhe me një ‘Diell’. Aherë qe shpresa e madhe për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve patriotë të Amerikës rreth ‘Vatrës’, por më kot. Kuvendi i vitit 1940 zgjodhi Faik Konicën për kryetar të ‘Vatrës’, i cili pas zaptimit të Shqipërisë prej Italisë, u lajmërua zyrtarisht nga autoritetet qeveritare të larta, se detyra e tij si ministër i Shqipërisë në Washington mori funt.

Për arsye jo të kthjellëta mirë, ‘Dielli’, organ i ‘Vatrës’, botonte kritika të ashpra kundër Mbretit Zog, i cili ishte refugjat në London me gjithë Familjen Mbretërore. Ajo gjë gëzoj armiqtë dhe dëshproj shumë ‘Vatranë’ dhe Shqiptarë të mirë”. (Refat Gurazezi: “Atdheu”, fq. 3, gusht 1968, New York).

Pas lamtumirës së Nolit me eulogjinë e famshme para kufomës së tij (Faik Konicës) dhe përcjelljes për në banesën e fundit, përpjekjet e “Vatrës” për mbrojtjen e interesave kombëtare, vazhdojnë mbi të njëjtën platformë politike.

VEPRIMTARIA DIPLOMATIKE E NJË AMBASADORI PA KREDENCIALE

Më 15 janar 1943, një muaj pas vdekjes së Faik Konicës, Udhëheqësi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, i cili ishte edhe Kryetar nderi i “Vatrës”, Peshkop Noli dërgoi në Washington ambasadorin e ri. Këtë ambasador të pa shtet dhe të pa qeveri, ish Kryeministri i Shqipërisë, e pajisi me këtë kredencial historik:

Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë

Boston, Massachusette

“Mbajtësi i kësaj shkrese, z. Petro Kolonja, 37 Marland Road, Worcester, Mass., dhe 1530 Sixteenth Street, Washington, D.C., është emëruar prej Madhërisë së Tij Mbretit Zog i Shqipërisë, si përfaqësues i Tij në Washington, për të zëvendësuar të ndjerin Faik Konica, ish – Ministër i Plotfuqishëm i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i besuar me mision të veçantë për të siguruar njohjen zyrtare të qeverisë shqiptare në mërgim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Çdo përkrahje që t’i jepet z. Kolonja do të vlerësohet lartë nga mbar populli shqiptar.”

Peshkop F. S. Noli

26 Blagden Street,

Boston, Mass.

Përfaqësuesi i Mbretit Zog u vendos në Washington, në të njëjtin apartament ku banoi dhe punoi për vite me radhë i ndjeri Konica. Në fillim, ai gjeti mbështetjen e plotë të sekretares së ish-ministrit të Legatës Shqiptare, zonjës Charlotte Graham. Kolonja shkruan në disa shënime kujtimesh të pabotuara:

“Zonja Graham më ndihmoi shumë, më siguroi apartamentin, më dorëzoi librin e Konicës me telefona e adresa dhe makinën e tij të shkrimit. Ajo më solli edhe disa orendi shtëpiake, të cilat më hynë në përdorim edhe pasi solla në Washington time shoqe me fëmijë”.

Një javë pas arritjes në Washington, Kolonja njoftoi 24 ambasada të huaja, me këtë shkresë:

“Shkëlqesi, kam nderin t’ju njoftoj se jam emëruar Përfaqësues i Mbretit Zog të Shqipërisë në Washington, për të zëvendësuar të ndjerin Faik Konica, ish-ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kapacitet do t’ju isha shumë mirënjohës nëse me jepni një intervistë në kohën tuaj më të përshtatshme. Në këtë mënyrë do t’ju shprehja falënderimet dhe respektin tim në person”.

Me nderime, Petro Kolonja

Përfaqësues i Mbretit Zog në Washington

Shtëpisë së Bardhë, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Luftës dhe zyrave të tjera kompetente amerikane, Kolonja u dërgoi letra me përmbajtje të ndryshme. Në secilën letër vuri në dukje deklaratën e ministrit Hull të 10 dhjetorit 1942, kërkoi njohjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare në mërgim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadorit turk, Kolonja i dërgoi një letër të veçantë falënderimi për denoncimin që shteti turk i bëri Italisë me rastin pushtimit të Shqipërisë. Një letër të tillë i dërgoi edhe ambasadorit egjiptian në Washington.

Ndërkaq, ambasadorit britanik i shkroi një letër të përzemërt, në të cilën thekson miqësinë e vjetër anglo-shqiptare dhe përkrahjen e Britanisë së Madhe, dhënë Shqipërisë në kohë të vështira. Në letër shpreh shqetësimin rreth deklaratës së ministrit Eden, dhe kërkon që qeveria britanike të njohë sa më parë integritetin tokësor të Shqipërisë. Ai shkruan:

“Shqiptarët janë tepër të shqetësuar nga deklarata e ministrit të jashtëm britanik, i cili lë hapur diskutimin e kufijve të Shqipërisë, të cilët janë vendosur nga një komision ndërkombëtar”.

Hapat e parë diplomatikë Kolonja i bëri në bazë të udhëzimeve të Nolit dhe të reagimit të tij ndaj deklaratës së ministrit britanik. Një muaj më parë Noli i kishte dërguar ministrit të Jashtëm amerikan këtë letër:

“Është tepër poshtërim për një Peshkop të besimit në fenë e Krishtit, kur mendon se vendet tona të mëdha të krishtera demokratike, luajnë çdo lloj dredhie politike për të kënaqur agresorin italian, ndërsa ato dy shtete të guximshme muhamedane (fjala është për Turqinë dhe Egjiptin, I.L.) nuk përfillën Musolinin në kulmin e fuqisë së tij, ndaj të drejtave të shkelura të popullit të vogël shqiptar. Më vjen keq që vendet tona të mëdha të krishtera, nuk tregojnë guximin e duhur moral të krishtërimit.

Besoj se nuk ka garanci më të mirë që mund t’u jepet shqiptarëve se sa njohja zyrtare e një qeverie shqiptare në mërgim nën drejtimin e Mbretit Zog dhe siguria e tërësisë tokësore të Shqipërisë brenda Lidhjes së Kombeve të Bashkuara. Një garantim i till është i domosdoshëm për të eliminuar dyshimet e ngritura nga z. Eden në deklaratën e tij në Dhomën e Komunave, në të cilën thuhet qartë se në Konferencën e Paqes duhet diskutuar çështja e copëtimit të Shqipërisë midis fqinjëve të saj, grekëve dhe jugosllavëve”.

28 Nëntori 1943, shënon një demonstrim serioz amerikan në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”, shtroi një darkë përkujtimore për 31-vjetorin e Shpalljes të Pavarësisë Shqiptare, në të cilën merrnin pjesë afër 120 veta. Në darkë ishin disa ish-diplomatë, katër-pesë senatorë e deputetë dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Jashtme dhe të ushtrisë amerikane. Megjithëse këta të fundit ‘nuk merrnin pjesë në emër të qeverisë’, lenin të kuptohej se mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, nuk ishte temë tabu në diplomacinë amerikane.

Kryetari i Shoqatës, ish- ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Charls C. Hart, hapi mbledhjen me këto fjalë: “Jemi mbledhur këtu për të demonstruar publikisht miqësinë tonë ndaj Shqipërisë dhe popullit të shumëvuajtur shqiptar. Mbretin e Shqiptarëve dhe ish Kryeministrin e Shqipërisë (fjala është për Nolin, I.L.), me të cilët fola në telefon, i urova në emrin tonë për 28 Nëntorin, duke shprehur bindjen e plotë se së shpejti, populli shqiptar do të kremtojë Festën Flamurit të vet në një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe me kufijtë shtetëror të paprekur nga askush”.

Të nesërmen, Kolonja i shkroi Nolit me entuziazëm rreth fjalimeve të mbajtura në darkën e shtruar nga “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”. Ai citoi në letër edhe disa folës të tjerë të cilët përkitën në veçanti mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Më 1943, thellohen intrigat politike midis organizatës “Shqipëria Lirë” dhe Federatës “Vatra”. Grupi shqiptar në Londër dhe Kostë Çekrezi, kërkojnë heqjen dorë nga formimi i qeverisë nën drejtimin e Mbretit Zog. Në vend të qeverisë, ata propozojnë krijimin e një Komiteti. Sipas mendimit të tyre, vetëm rreth një Komiteti mund të realizohej Fronti i Përbashkët dhe bashkimi i shqiptarëve në mërgim.

Ky propozim i kundërshtuar nga “Vatra”, vë Çekrezin në lëvizje. Ai zhvillon një mbledhje të organizatës së tij në Detroit dhe menjëherë deklaron në gazetën “Liria” se “protokolli i bashkimit u nënshkrua në Detroit”, pasi në mbledhje merrnin pjesë edhe dy degë të “Vatrës”. Përfaqësuesi i një dege të “Vatrës”, në atë mbledhje, Refat Gurrazezi, pendohet dhe i telefonon Nolit në Boston.

Gurazezi shkruan për reagimin e Nolit: “Nga zëri i tij m’u dukë, mjaftë i dëshpëruar dhe kish të drejtë. Më mbajti lartë nga një gjysëm ore në telefon, dhe para se të me thosh ‘natën e mirë’ më tha këtë: ‘Thuaju atyre shokëve të Detroitit, se sido që të bëhet, qoftë monarki, qoftë republikë ose komunizëm, s’ka vend për Çekrezin në Shqipëri”! (R. Gurazezi “Atdheu”, 3 gusht, 1868).

“Vatra” mbajti qëndrim të palëkundur politik deri në shtator të vitit 1944, kur themelohet në Shqipëri qeveria e dal nga Fronti Nacionalçlirimtar. Kolonja vazhdoi veprimtarinë e tij intensive gjithnjë në kontakt me Nolin dhe me ministrin e Oborrit Mbretëror në Londër. Shkroi, përktheu, ndoqi me vëmendje dredhitë politike greke e jugosllave dhe raportoi e reagoi menjëherë ndaj tyre.

Ambasadori atdhetar, i pa kredenciale, i ngarkuar me mision të veçantë nga “Vatra”, Noli dhe Mbreti, shkarkohet nga detyra me këtë telegram: “Siç është njoftuar me kohë çlirimi i atdheut sjell në përfundim misionin tuaj. Ju falem nderit, Sotir Martini, Londër 22 shkurt 1945, ora një e mëngjesit.”

Ish përfaqësuesi i Mbretit, i tërhequr në heshtje nga “Varta”, për vite me radhë, vazhdoi fushatën politike kundër regjimit komunist në Shqipëri. Ai banoi në Washington deri në fund të vitit 1956.

Përfundimisht: Qeveria shqiptare në mërgim, bashkimi i shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës “Vatra” dhe Fronti i Përbashkët, për të cilët u bë aq shumë fjalë, nuk u realizuan kurrë. Konica dhe Noli gjatë pushtimit të Shqipërisë bënë përpjekje të gjithanshme për sigurimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe përfshirjen e saj në aleancën e luftës antifashiste.

Ata ndikuan thellë në diplomacinë amerikane për realizimin e qëllimeve të tyre kombëtare. Përfaqësuesi i Mbretit Zog në Washington, Petro Kolonja, gjatë atyre viteve të mjegullta, u tregua diplomat i shkathtë. Me ndërgjegjen e tij atdhetare, ruajti balancat politike shqiptare në mërgim, përcolli me vëmendje çdo veprimtari politike ndërkombëtare dhe njoftoi menjëherë Mbretin Zog në Londër dhe Peshkop Nolin në Boston. Udhëzimet e atyre që e vunë në krye të detyrës i zbatoi me përpikëri dhe ndershmëri të pashoqe.

Analistë jugosllavë pohojnë se deklarata e Ministrisë Jashtme Britanike (1942), në të cilën lihej hapur diskutimi për copëtimin e Shqipërisë në Jug, ndikoi thellë në përforcimin e pozitës së komunistëve jugosllavë te komunistët shqiptarë. Për këtë nuk duhet të çuditemi, po të shikojmë me vëmendje përkrahjen politike dhe ushtarake që i dha qeveria britanike Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe Mareshalit Tito, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Qëndrimi i qeverisë amerikane ndaj tërësisë territoriale të Shqipërisë, ndryshoi rrënjësisht nga qëndrimi britanik. Megjithëse për shqiptarët nuk ishte një qëndrim i qartë, sjellja e urtë e qeverisë amerikane me grekët dhe vënia në heshtje e pretendimeve të tyre ekspansioniste linte të kuptohej drejtpërsëdrejti, se politika zyrtare e Washingtonit ishte kundër copëtimit të Shqipërisë.

Shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”, i bëri sfidë të shkëlqyeshme lobizmit grek. Kryetari i Shoqatës, Ch. Hart, ishte mik dhe mbrojtës i vendosur i interesave të larta kombëtare të popullit shqiptar. Qeveria amerikane vazhdimisht këshillohej me të për çështje shqiptare. Gjatë luftës, z. Hart mbajti lidhje të ngushta me “Vatrën”.

“Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore “Vatra” qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u orientua drejt politikisht”. (Prof. Beqir Meta: Kontributi i “Vatrës” për çështjen shqiptare, “Dielli”, Janar-Mars, 2003). Merita për këtë orientim të drejt politik iu takon Faik Konicës, Fan Nolit, Petro Kolonjes dhe miqve amerikanë të Shqipërisë. Memorie.al

“Ja kush ishin tregtarët shkodranë të floririt që vdiqën në burgjet komuniste….”?- Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

Pas ndryshimit të flamurit më 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Përgjithësisht qëndrimi i qytetarëve shkodranë ndaj regjimit komunist në ditët e tij të para!

Po ndërkaq, edhe mbas çlirimi, si dikur lufta, do të kishte mbështetësit e vet besnike e entuziastë, sado që të paktë në numër. Do të kishte kështu nji kategori njerëzish që pushtetin e ri ta konsiderojshin e ndjejshin si të vetin, kategori njerëzish kjo, që mbasi kishte kalue dy-tri vjet e përndjekun gjatë Luftës, po e shikonte veten të shpëtueme e të lirë, si edhe krenare për luftën që kishte ba. Këta njerëz, do t’u ndjejshin gjithashtu të gëzuem për të ardhmen që u buzëqeshte gjithë hir. Kësaj mase njerëzish do t’iu dukte se qielli u ishte ulë në tokë, se çdo gja ndrinte gjithandej, pa ditë e pa dashtë me ditë, në se gjithnji të kishte të tjerë njerëz, që si dikur ata vetë, tu ndiqshin nga qeveria, t’u burgosshin pa pasë qenë spiunë e as tradhtarë, që të kishte familje që t’iu shkonte makina te shtëpia për t’i degdisë diku në internim, që të tjerë t’u pushkatojshin pa pasë lye duaret me gjak dhe pa pasë kërkue me rrëzue pushtetin e tyne me dhunë, siç do t’u akuzojshin me të padrejtë nga prokurorët e tyne të porositun.

Pra ishte edhe kjo masë e vogël populli, që në kundërshtim me masën tjetër të madhe, u ndjente e lumtun se po u zbardhte e u errte me ditë të nji ngazëllimi të papamë. Nuk do të kishte as edhe nji gja që asaj mase njerëzish t’ia zbehte sadopak imazhin e besimin e atij pushteti të fituem me gjak.

Pjesëtarë të këtyne familjeve do t’i kishe të pranishëm kudo ku të kishte nji ngjarje, nji manifestim, nji inaugurim të çfarëdo vepre të parëndësishme, ose kur në rrugë të kalonte i lidhun duarsh nji njeri i konsideruem prej tyne “kriminel”. Këta njerëz do t’i shifshe kudo ku të kishte ndonji aktivitet, i cili mund të ishte nji koncert i randomtë vetëm me kangë partizane, a nji skeç gjysë oret, si gjithmonë me tematikë partizane E do t’i shifshe sidomos, kur t’u hapshin “gjyqet e popullit”, në lozhet e rezervueme për ta.

Po ndërkaq, duhet thanë se ka pasë edhe familje dëshmorësh që gëzimin e lirisë ta shfaqshin të përmbajtuna. Rinia nga ana e saj, e aktivizueme dikur gjanësisht brenda Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ishte rrudhë e tkurrë në dy momente deri në atë kohë: së parit me Mukjen, kur imazhi i Nacionalçlirimtares ishte prishë prej pranisë autoritare të jugosllavëve në përcaktimin e fateve të Shqipnisë, si dhe prej vetë luftës që s’kishte pasë pasë karakter çlirimtar, siç ishte propagandue, por social e me theks të fortë ideologjik; dhe së dyti, periudha mbas çlirimit, e cila në vend të lirisë e të së drejtës së premtueme me aq bujë, kishte sjellë shtypje e mjerim.

Nga e gjithë ajo masë e gjanë rinie antifashiste e kohës së Luftës, nuk kishte mbetë veçse nji pjesë e vogël e organizueme në “B. R. A. SH.” (Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare), me seli në godinën e bukur të ish-konsullatës italiane. Aty binte në sy entuziazmi i kësaj pjese të rijsh e të rejash që u dukshin shumë të miqësuem në shoqninë e tyne mikste e të lirë.

Shpeshherë do t’i shifshe tue këndue kangë partizane e ma shpesh tue bashkëbisedue mes tyne me shumë gjallni, tue qeshë gjithashtu, e disa herë tue provue të mësojshin me vallëzue. Ndrysh nga sa kishim vërejt ma parë të do partizane “fshatarka”, këto të reja për të cilat po flasim, që ishin qytetare e me veshje civile, u dukshin shumë simpatike për nji çiltërsi e zhdërvjelltësi që manifestojshin, për nji “portament” të tyne krenar e të çiltër, si pasojë e nji emancipimi të fituem nga lufta e liria, me ç’rast, që jo vetëm se kishin shpëtue prej paragjykimesh shoqnore të ma parshëm e do rregullave të ngurta që kishte pasë koha, po edhe se po mësojshin gë të jetonshin si mbas ndjenjave e bindjeve ma të fundit gë kishin fitue me siguri që ky ansambël të rinjsh e të rejash, numerikisht i pakët, po kalonte ditë të papërsëritshme lumnije.

Përfundimisht, ndërsa pjesa ma e madhe e popullit kishte nisë të vuante diktaturën, nji pjesë tjetër populli, ndonëse modeste në numër, po shijonte ditë gëzimi të vërtetë, tue ba që shqiptarët, edhe pse vëllazën e motra mes tyne e nën nji copë të vogël qielli, për herë të parë po jetojshin të ndamë e me fate të ndryshëm, për t’u kthye mbas do kohe edhe në anmiq për shoqi shojn. Kështu janë 117 emna tregtarësh, që me vëllazën e ortakë, shkojshin rreth dyqind e ma shumë familje tregtarësh të mëdhaj, shumë prej të cilave të vjetra e që Shkodrës i kishin shërbye me breza. Goditja që pushteti komunist u pat ba me këtë rast tregtarëve, do t’u pasqyronte shumë edhe në masën e popullit, e sidomos në elitën e qytetit, pjesë e së cilës ata ishin.

Me vite do të vazhdojshin me u marrë hetuesit e Sigurimit me tregtarë e sengsere, lidhun me arin që ua kërkojshin pa da. Per punë ari do të vdiste ne burg tregtari i nderuem, Ibrahim Hoxha, si dhe sengserët e mirënjohun në Shkodër, Kel Jerdha, Muhamet Spahia, Gaspër Doda e ndonji tjetër. Lidhun me të ashtuquejtunin “detyrime të pashlyeme”, ndaj shtetit, disa tregtarë do të vuejshin vite burgu dhe sorollatjet e tyne, me qellim që t’ua këputshin shpeshherë çdo mundësi komunikimi me familjet, do të ishin të shumta e djallëzore. Kështu p.sh., tregtarit të nderuem Zef Muzhani, mbasi t’i kishin marrë ç’kishte pasë, hetuesit e Sigurimit do t’i kërkojshin edhe arin.

Fillimisht me të, për punë ari, do t’u merrte hetuesia e Sigurimit Shkodër. Për të shmangë çdo mundësi komunikimi me familjen, atë do ta transferojshin për t’u hetue në Ministri të Punëve të Brendshme Tiranë, ndërkohë që familja e tij, e painformueme për atë transferim, do të vazhdonte t’i sillte ushqim atij ditë për ditë, në burgun pranë Sigurimit Shkodër. Kur mbas disa ditësh familja e tij ta kuptonte lëvizjen djallëzore të Sigurimit, do të vraponte për Tiranë me ushqime e ndërresa, por Zef Muzhanin qysh të nesërmen do ta transferojshin në hetuesi të Durrësit, e përsëri kur mbas disa ditësh të tjera familja të kishte ra në gjurmë të lëvizjes së tij të fundit, Zef Muzhanin do ta dërgojshin në hetuesi të Lushnjës, për ta mbyllë përfundimisht lojën mbas disa ditësh të tjera në Shkodër.

Pushteti në qytet, përmes “këshillave të lagjeve”, here mbas here do të organizonte kontrolle ndër shtëpia qytetarësh të dyshuem se mos kishin mshehë ndonji ushqim mbi normën e përcaktueme me ligi. Ndër raste të tillë, në shënjestër do t’ishin shtëpitë e ish-tregtarëve. Do të mjaftonte që në nji prej shtëpive të tyne të gjejshin, qoftë edhe 2 kg misër, e kryetarit të asaj shtëpie t’iu merrte fytyra publikisht në mënyrën ma poshtnuese, tamam si të kishte krye nji krim të vërtetë. Për sasina të tilla qesharake, të gjetuna gjatë kontrolleve, do të lexojshim në shtyp emnat e ish-familjeve tregtare, si Karemani, Ulqinaku, Deda, Ljaria, Negri etj., etj.

Kështu shtypi, do të reklamonte me bujë, si p.sh. rastet kur në familjen e F. Veselit, të ishin gjetë të mshehun 30 kg. grunë; në shtëpinë e M. Tiranës 2 kg grunë, e 4 kg miell; në shtëpi të Q. Dërgutit 6 kg miell e 3 kg grunë, etj. Kur Kareman agës t’i zejshin të mshehun 7 kg miell, shtypi mezi ç’do të priste që fjalë për fjalë, të shkruente: “Ky element i pandërgjegjshëm, që desht me i mshehë pushtetit 7 kg. miell, vetëm e vetëm për t’mos ia dhanë popullit të vorfën, në kundërshtim me urdhnesën, për këtë dënohet me tre vjet burg”!

Të këtilla ishin ato kohë, kur mjerimi ma i thellë e ligjet dragoniane të pushtetit komunist, sundojshin me terror jetën e tanë nji populli nën zgjedhë të plotë.

Bërdiciani

Në se ka pasë në Shqipni nji qytet, ku lajmi për nji ngjarje të ndodhun, sidomos për raste burgosjesh e vrasjesh t’u përhapte gojë më gojë me shpejtësi në mbarë lagjet e t’u përjetonte pak a shumë me të njajtin emocion, ky qytet ka qenë Shkodra jonë.

Nji ditë kah fillimi i shkurtit të 1945-ës, nji makinë me tetë burra sipër të lidhun dorë për dorë me litarë, ishte nisë prej burgut të madh të Shkodrës me drejtim Zallin e Kirit. Drita sa kishte nisë me zbardhë. Në kohën që ajo makinë kishte fillue të lëvizte, i lidhuni i fundit në radhë sa kishte nisë të çlironte pak nga pak atë dorë që kishte të lidhun me shoqin e tij përbri. Asnji prej partizanëve të ulun në spondën e mbrapme të makinës, fare pranë tij, nuk ia kishte vërejt lëvizjet. Në momentin kur makina ishte fute në kthesën para Bashkisë, bërdiciani që deri atëherë e kishte zgjidhë dorën krejtësisht, kishte fluturue prej makinës e në tokë, dhe me nji vrap si vetima përmes plumbave të shumtë, kishte përshkue pa rrezik oborrin e gjatë të liceut e përfundimisht zhdukë pa lanë gjurmë.

Ngjarja e ndodhun ishte marrë vesh menjiherë e përhapë në të gjithë Shkodrën. Edhe na si të rinj që ishim, për atë ngjarje do të flitshim atë ditë. Po kështu, edhe kur në drekë t’u kthejshim ndër shtëpia, këtë lajm do të gjejshim. E gjithë Shkodra brenda pak kohe kishte marrë e përcjellë me kënaqësi lajmin e gëzueshëm të shpëtimit të nji të dënuemi me vdekje prej Bërdicet, për ta pagëzue qysh atë ditë me emnin “bërdiciani”. Kalimin e disa ditëve, do t’u bante e dijtun se ai “bërdiciani” po na ishte njifarë Haxhi Ahmeti, me moshë rreth të tridhet e tri vjetëve, i zhvilluem fizikisht e shumë energjik. Si shtëpi, origjinën e kishte pasë prej Kastratit, e të ramë në Bërdicë prej kohësh për punë gjaku.

Mbas çlirimit, Haxhiu e axha i tij Veli, si shtëpi me influencë në atë zonë, do t’u zgjidhshin kryetarë “Këshillash”, i pari në Bërdicë të Sipërme, e tjetri në atë të Mesme. Të përfshimë në ngjarjen e Bërdicës, ata të dy ishin arrestue e dënue me vdekje. Atë ditë që Haxhiu i pat rrëshqitë për pak vdekjes së sigurt, ishte pasë drejtue për në Dobraç e pikërisht në nji shtëpi me mbiemrin Kasemi, mike e shtëpisë së tij e cila, ndonëse e lidhun me pushtetin, si e luftës që kishte qenë, vazhdonte të ruente besë e t’ishte shqiptare e mirë. Edhe pse i zoti i asaj shtëpie atë ditë kishte nji grumbull partizanësh brenda, ai jo vetëm që djalit të mikut do t’i jepte bukë e strehë, por edhe do ta pajiste me armë e si mbas zakonit, ta përcillte deri në Vukatanë, prej ku besnikë të tjerë të shtëpisë së tij do ta nxirrshin me nji lundër përtej Drinit, në zonën e tij të tri Bërdicave, të Malihebajt e Beltojës, të cilat për sa kohë që ai të qëndronte i arratisun, ata do ta ushqejshin e ruejshin si birin e tyne.

Për reprezalje, shtëpinë e Haxhiut e patën djegë e gruan e tij të re me dy vajza të mituna, internue në Berat.

Shtatë-tetë muej mbrapa, në nji ditë vjeshte me shi, Haxhiu u ndodhte përjashta në katundin Derragjat të Bregut të Bunës. Për t’i shpëtue shiut që po shtonte prej çastit në çast, ai drejtohet për te nji kasolle që e kishte vërejtë në mes të nji are. Për koinçidencë e për fatin e tij ma të keq, drejt asaj kasollje në të njajtën kohë ishte nisë me vrap nga nji drejtim tjetër edhe nji skuadër partizanësh të Mbrojtjes Popullore. Haxhiut të zanë ngusht, s’i mbetej tjetër veç t’u largonte sa ma parë, ndërkohë që forcat e Mbrojtjes Popullore, të ndodhun në distancë të afërt, njohin Haxhiun e tentojnë ta kapin të gjallë, por Haxhiu hapë zjarr menjiherë, tue vra në vend komandantin e tyne, nji oficer me gradë nëntoger, dhe tue vrapue rrugë pa rrugë, ia del me shpëtue edhe kësaj here tue u pasë hedhë në shpinë të nji kali që po kulloste brenda nji livadhi. I hypun mbi të, katund mbas katundi, do të soste me nji frymë në Paçramin e largët, ku kishte të martueme nji motër.

Thuhet se ky kalë, të cilin e kërkonte i zoti pa ia da, kishte qenë ba shkak që në gjurmët e Haxhiut të binte Sigurimi, e me datë 18 maj 1946, mbas plot nji vjeti e gjysë arrati, Haxhi Ahmeti, ndërsa qëndronte i mshehun brenda nji are me grunë në katundin e tij të Bërdicës, forca të shumta të ndjekjes e kishin rrethue nga të gjitha anët. Thirrjes së tyne për t’u dorëzue, Haxhiu i ishte përgjegjë me grykën e pushkës, derisa mbas dy-tri orësh luftimi, fishekët e pushkës së tij të gjatë iu mbaruen, e ai, i vendosun deri në fund për nji vdekje me nderë, të nxirrte revolen, shpresën e tij të fundit, e me grykën e saj të drejtueme në krye, të vriste veten.

Vdekjen e Haxhi Ahmetit – bërdicianit – Shkodra do ta vuente si për nji njeri që ta kishte njohë e dashtë mësysh ma parë. Ndër ato tre-katër ditë mbas vrasjes së Haxhi Ahmetit, unë nuk isha në Shkodër, por kujtoj se ditën që unë u ktheva në shtëpi, më duel para motra e ime e madhe dhe se fjalët e saj ma të para, të shqiptueme me shumë mallëngjim, qenë: “Ahmet, e kanë vra atë bërdicianin. I asht dhimbtë gjithkujt.”

Kryengritja e Postrribës

Postrriba e lidhun me Shkodrën gjithë jetën, kishte qenë e pranishme në të gjitha ngjarjet e saj të randësishme. Tue mos u thellue në histori, gjatë së cilës postrribsit dëshmojnë vazhdimisht se shquhen për besë, trimni e atdhe, mjafton të kujtojmë vetëm disa prej momenteve nga historia e vonë e saj, për të provue sa ma sipër, kanë qenë postrribësit ata që më 1835, të udhëhequn prej Hamz Kazazit, patën mbështetë kryengritjen kundër turqve, ngjarje për të cilën vargjet e nji kange flasin:

“Dy sahat pa dalun drita

Ia mrrijti Postrriba

Postrriba si gjamë moti

Me urysh po shkon te topi.”,

vargje këto, që tingllojnë si nji refren i përhershëm i saj, sepse sa herë që Shkodra t’ishte përfshi në ngjarje me randësi, Postrriba do t’iu gjindte pranë. Kështu me 1913, kur Shkodra ishte e rrethueme nga të gjitha anët për gjashtë muaj rresht prej forcave serbo-malazeze që e sulmojshin pa pushim ditën e natën, postrribsit nën udhëheqien e trimit të tyne, Adem Haxhisë, do të zhvillojshin beteja të vërteta, midis të cilave ajo e Bardhajve, si shumë e përgjakshme që kishte qenë. Po ashtu e përsëri me në krye Adem Haxhinë, në vitin 1920, në luftë të Koplikut e pikërisht në atë të Moksetit, postrribësit do të kryejshin akte të rralla trimnije, sikurse kishin kenë postrribsit ata që në ndonji rast, me praninë e tyne në Shkodër, të kishin shmangë ndoshta plackitjen e saj. Edhe në javën e parë të prillit të 1939-ës, në atë vigjilje të zezë të pushtimit të Shqipnisë, Adem Haxhia në krye të treqind postrribsëve, do t’i zinte pritë ushtrisë italiane në kodrat e Bërdicës.

Gjatë luftës së fundit, e gjithë zona e Postrribës kishte qenë strehë e sigurt për çdo të arratisun e sidomos për partizanët që luftën e kishin nisë ma në kohë se të tjerët. Sa herë që partizanët nën hijet e fiqve, të tandave me rrush, apo edhe rreth sofrave të tyne, të prallisshin për Shqipninë e ” mrekullive” të mbas luftet, postrribsit nga ana e tyne, asgja nuk do t’ua merrshin për të keq, për moshën e re e qëllimin e mirë që kishin ata partizanë të rinj e naivë, si edhe përderisa të mbajshin mbi supe pushkët e gjata të luftës.

Kur mbas dy vjetësh që kishte mbarue lufta e Postrriba po u pregatiste për kryengritje, gjurmët e partizanëve vazhdojshin me qenë ende të freskëta kudo nëpër Postrribë, dhe kur ajo kryengritje të dështonte dhe e gjithë zona të merrte flakë, e kur edhe pse shumë burra të saj t’u pushkatojshin e të tjerë të mbushshin burgjet, ish-partizanët “engjëllore” që dikur kishin derdhë mjaltë prej gojet, as që do t’u bajshin të gjallë, makar që barbaria e pushtetit të tyne mbi atë popull patriot e bujar – që deri dy vjet ma parë i kishte pritë e qitë si bijt e vet – t’ ishte disi ma pak mizore.

Katundet e Postrribës, shpërnda aty-këtu rranzë bogave shkambore përfund Maranajt krenar, nuk po bajshin ma durim e u vunë në kërkim të shoqi-shojt. Oda të mëdha shtëpish të moçme e hera-herë edhe shpella të mshehta, do të ishin ata mjedise ku krenë të Postrribës do t’u mblidhshin disa herë mes tyne. Shkodrani Murat Haxhia, si organizatori kryesor i kryengritjes së ardhshme, prej ditësh kishte braktisë Shkodrën e shpërngulë në Postrribe, tue mbajtë në çdo mbledhje vendin e tij të nderuem. Kuvend mbas kuvendi, e nji ditë edhe fjala e tyne e fundit kishte qenë: “Me i ra Shkodrës, e me i ra sa të jenë pa na i marrë djelmët ushtarë”!

Në kohë që u pregatiste kryengritja e Postrribës, të arratisunit ndër male ishin të shumtë. Siç e kemi thanë edhe ma sipër, vetëm në malet e Dukagjinit ata u numrojshin me qinda në atë kohë. Zona e Mirditës kishte shumë të arratisun me në krye Mark Gjomarkun. Ndër malet e Pukës, përveç Mirakajve, kishte edhe shumë të tjerë të arratisun, sikurse kishte edhe ma tej, në Lumë e Tropojë. Në takimet që kishin ba krenët e këtyne të arratisunve, ishte ra dakord për nji sulm të përbashkët të tyne në nji kohë të caktueme, me synim çlirimin e gjithë veriut, përfshi edhe Shëngjinin, si mundësi për zbarkim të aleatëve.

Postrriba nga ana e saj, ose nuk u tregue e durueshme në këtë rast, ose ose nuk qe në dijeni të nji plani të masipërm. Ndoshta gabimi i postrribësve qe se fatin e kryengritjes e patën lidhë domosdoshmërisht me faktin se me 9 shtator djelmët e tyne do t’u shkojshin ushtarë, tue i mungue ashtu kryengritjes. Për të vendosë përfundimisht për kruengrijtje ose jo, paria e Postrribës la nji mbledhje për me 8 shtator, për të cilën gja nji korrier i besueshëm lajmoi krenët katund për katund.

Kështu në ditën e caktueme, me 8 shtator, mbledhja e tre bajrakëve të Postrribës u mbajt në “Kodër Boks” e pikërisht në vendin e quejtun “Shegat e Ibros”. Mbledhjen e kryesoi Osman Haxhia, vëlla i Adem Haxhisë së dekun gjashtë vjet ma parë. Në të morën pjesë përfaqësuesit e të tre bajrakëve, si Abdulla Seiti, Selim Rraci, Smajl Duli, Muho Dyli, Emin Zyberi, si dhe me fjalën e marrë prej Myrto Danit, bajraktarit të Drishtit, që atë ditë mungonte. Mbledhja vendosi që të nesërmen me 9 shtator, drita pa dal, me u grumbullue të gjithë luftarët në Fushë të Shtojit për t’i ra Shkodrës.

Nuk ishte ba ende ditë kur treqind burra ishin mbledhë në vendin e caktuem qysh nji ditë ma parë. Shumica e tyne kishin armë, e nji pjesë e vogël ishte pajisë me mjete rrethanore, që gjithsesi shprehte vendosmëninë e madhe të Postrribës për luftë. Si këputën lidhjen telefonike me Shkodrën, u nisën drejt saj me besimin se pushkës së tyne Shkodra do t’iu përgjigjte me pushkë. Familjarë të shumtë të Fushës së Shtojit kishin dalë para shtëpive të tyne e shiqojshin me kureshtje e emocion ata luftarë të vendosun e krenarë që përshkojshin me shpejtësi fushën e tyne, me ç’rast pat edhe prej tyne që u bashkuen me ta.

Nisun nga qëllimi e serioziteti i misionit në prag të luftës, na ban me besue për nji gjendje shpirtnore të veçantë që ata luftëtarë të kenë provue e për nji atmosferë, që sa ma shumë t’i jenë afrue Shkodrës, aq ma solemne e nxitëse t’u jetë ba ajo. Sidoqoftë, na dimë se kur ata patën mbrrijtë në periferi të Shkodrës e pikërisht te kazermat në hymje të saj, dielli në tokë ende pa ra, nën sinjalin e fuqishëm “Bini bre burra”! ata kaluen me shpejtësi rrethime kazermash e shtëpish rrotull tyne e nisën pushkën nga shumë anë. Ushtria nga ana e saj, e ngrijtun në kambë qysh në pushkët e para, por e befasueme prej sulmit të papritun, për do kohë s’do të kërkonte tjetër veç si të mbrohej. Banorë të zonës përreth, do të na tregojshin qysh atë ditë se si postrribasit kishin kalue muret me armë ndër duer e tue thirrë “Hë, ju këlyshët e Stalinit….”! Memorie.al

The Paris Telegram (1927) Letra e Qazim Qemal Bej Vlorës, djalit të Ismail Bej Qemalit, për të denoncuar traktatin italo-shqiptar të Tiranës të 27 nëntorit 1926

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Prill 2025

“The Paris Telegram” ka botuar, të shtunën e 26 marsit 1927, në ballinë, letrën e Qazim Qemal Bej Vlorës, djalit të Ismail Bej Qemalit, për të denoncuar asokohe traktatin italo-shqiptar të Tiranës të 27 nëntorit 1926, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria, në kthetrat e maces

Nga Qazim Qemal Bej Vlora

Djali i patriotit të madh shqiptar Ismail Qemal Beu

Speciale për Telegramin e Parisit

Shqipërisë, një vend i vogël me një histori të lashtë, dy herë në vitet e fundit i është garantuar pavarësia nga Fuqitë Evropiane. Pasi babai im në Vlorë shpalli pavarësinë e vendit nga zgjedha osmane dhe ngriti flamurin e patriotit Skënderbe, Konferenca e Londrës e pranoi këtë dhe përcaktoi Kushtetutën e Shqipërisë. Pasoi (pas episodit të vajtueshëm të mbretërimit të Princ Vilhelm Vidit) Lufta e Madhe, gjatë së cilës vendi u kontestua dhe u mbrojt nga Austria dhe Italia. Në vitin 1921, fuqitë e njohën sërish pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferenca e Ambasadorëve caktoi kufijtë e saj. Shqipëria u pranua më tej si një anëtare e pavarur e Lidhjes së Kombeve.

Pasi e bënë këtë, Fuqitë dhe Ambasadorët lanë duart nga Shqipëria dhe jo vetëm që nuk bënë asgjë për ta ndihmuar vendin e ri për të ruajtur liritë e saj, por e lanë atë pre e lakmisë dhe xhelozive të fqinjëve të saj më të mëdhenj. Për vendet e tjera të vogla të lindura pas luftës, ndihma dhe këshillat e Fuqive nuk ishin gjë tjetër veçse intriga politike, xhelozi dhe komplote!

Kur babai im i ndjerë ishte President i Qeverisë së Përkohshme (1912-1913), si ai dhe mbështetësit e tij po bënin çmos për ta bërë Shqipërinë një komb të lirë dhe që respektonte veten, xhelozitë dhe intrigat që e rrethonin ishin të tilla sa ai nuk guxonte të porosiste mobilje zyre për zyrat qeveritare nga Austria pa ngjallur zemërimin e italianëve – dhe anasjelltas!

Nga e keqja në më keq

Që nga zgjidhja e statusit të Shqipërisë, që nga lufta, çështjet kanë shkuar keq e më keq, Shqipërisë nuk i është lënë kurrë një shans për të treguar se çfarë mund të bëjë.

Ardhja në pushtet e aventurierit Ahmet Zogu, si Kryetar i Këshillit, me mjete që s’janë aspak një turp për Evropën, është shënuar me intriga, abuzime, terrorizëm dhe vrasje ! Vetë shtypi francez dhe ai anglez kanë vënë në dukje se Ahmet Zogut i kanë mbetur vetëm një grusht burrash besnikë dhe se ai i mban ata vetëm me anë të ryshfeteve — nga vijnë, nuk e dimë, por mund ta hamendësojmë ! Fakti është se e gjithë elita e vendit të vogël, ministra, gjykatës, bejlerë, kryepeshkop, oficerë të lartë e të tjerë, afro njëqind, janë të ekziluar. Vetëm ky fakt mjafton për të dënuar sundimin e djallëzuar dhe uzurpimin e Ahmet Zogut. Ndonëse disa nga këta të mërguar vullnetarë janë ftuar të kthehen në vendin e tyre, ata nuk do ta bëjnë këtë për sa kohë që Ahmet Zogu është në krye të vendit.

Nuk kam asnjë hezitim të them se Ahmet Zogu ia ka shitur vendin Italisë. Pavarësia e saj, e garantuar solemnisht nga Fuqitë, është sot një farsë; populli i saj nuk ka zë dhe asnjë mjet reagimi. Pasi, me gjithë caktimin e kufijve nga përfaqësuesit e Fuqive, një pjesë të madhe të territorit ia kishte dorëzuar Jugosllavisë, ky diktator u dha italianëve monopolin e Bankës Kombëtare, e cila u dha atyre supremacinë ekonomike në vend. Kjo u pasua nga Konventa monstruoze e Tiranës, e cila praktikisht ia dorëzoi Shqipërinë, të lidhur duar e këmbë, Italisë.

Këshilli i Ambasadorëve dhe Lidhja e Kombeve kanë qëndruar me qetësi dhe kanë parë këtë paudhësi që i është ofruar një populli të ashtuquajtur të lirë.

Si patriot shqiptar i shkrova gazetës “Le Matin” nga qyteti i Nisës, për të demonstruar në emër të bashkatdhetarëve të mi të pambrojtur, por letrës sime nuk iu kushtua vëmendje.

Çfarë po bën Gjeneva ?

Shqipëria, duke qenë anëtare e Lidhjes së Kombeve, e cila ka njohur pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë, është e pamundur t’i njihet e drejta çdo shteti për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit, madje as për të garantuar kufijtë e tij. Vetëm Gjeneva është e kualifikuar për diçka të tillë, ose për të zgjidhur vështirësitë e jashtme. Asnjë shqiptar i vërtetë nuk mund të pranojë masat e Presidentit aktual, i cili nuk gëzon besimin e popullit, as ratifikimin e tyre nga Kuvendi apo Senati i Shqipërisë (instrumente të akteve të tij tiranike dhe të ambicieve të tij, të zgjedhur jo nga shumica e popullit, por nga një pakicë e vogël në pagën e Ahmet Zogut).

Ky Traktat i Tiranës, që ia dorëzon Shqipërinë Italisë, është aq më i rrezikshëm për këtë të fundit, sepse synimi i qeverisë italiane për të aneksuar thjesht dhe puro Shqipërinë është i njohur që nga ardhja në pushtet e zotit Sonnino, i cili bëri që Aleatët të pranonin traktatin e 1905-ës. Kjo politikë vetëm sa është forcuar që nga ardhja në pushtet e fashistëve dhe i shqetëson më shumë shqiptarët, sepse Traktati i Tiranës i 27 nëntorit 1926 i dha të drejtën e ndërhyrjes së armatosur diktatorit Musolini – fakt që ky i fundit e theksoi shumë kohët e fundit kur deklaroi se nëse Italia nuk do të zgjerohej, ajo do të “shpërtheje” !

Këto fakte më duken mjaft domethënëse dhe duhet të bëjnë të reflektojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe ata që janë të shqetësuar për paqen e botës !

Nëse Shqipëria do të ishte lënë e qetë, nëse ajo do të ishte e lirë sot të zgjidhte liderët që donte, do të rezultonte një vend paqësor, i begatë dhe i mirëqeverisur. Por ashtu siç është, edhe pse telashet e tanishme mund të kalojnë për pak kohë, unë dridhem më shumë se kurrë për fatin e vendit tim dhe bashkë me të edhe për të ardhmen e Ballkanit. Një gjë është e sigurt : se vendi që për më shumë se katër shekuj mbështeti zgjedhën e osmanëve, duke pritur gjithmonë me padurim ditën e çlirimit dhe që e hodhi përfundimisht atë zgjedhë, nuk do të tolerojë kurrë, kur ta kuptojë situatën, dominimin e ndonjë vendi tjetër !

Qazim Qemal Vlora

Sunday Dispatch (1943) “Unë jam gjithmonë i gatshëm të kthehem menjëherë në vendin tim…” — Intervista me Mbretin Zog në Angli

Mbreti Zog I (1895 – 1961)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Prill 2025

 

“Sunday Dispatch” ka botuar, të dielën e 19 shtatorit 1943, në faqen n°3, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretin Zog I në Angli, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Monarku i mërguar “gati” në “pallatin” anglez me 40 dhoma

Mbreti Zog pret thirrjen për t’u kthyer te populli i tij luftarak në Shqipëri

 

Nga Irene Parsons

 

Mbreti Zog i Shqipërisë, duke matur distancën 60 milje midis pushtimit aleat të “thembrës” së Italisë dhe bregdetit të pushtuar nga gjermanët në vendin e tij përtej ngushticës në Otranto, është gati të kthehet te populli i tij.

 

Ai është në pritje të thirrjes nga qeveria britanike.

 

Dje shkova në zemër të Buckinghamshire për të folur me të për planet e tij për t’u larguar nga ky vend për në vendin nga i cili u arratis me mbretëreshën Geraldinë dhe djalin e tij tre-ditor, Princin Aleksandër, pas pushtimit italian në prill 1939.

 

Ai tha : Sigurisht, unë jam gjithmonë gati të shkoj menjëherë në vendin tim.

 

Përpara se të merrja deklaratën nga Mbreti për popullin e Perandorisë Britanike, një nga këshilltarët e tij anglezë më tha :

 

Shqipëria nuk është anëtare e njohur e Kombeve të Bashkuara.

 

Mbreti Zog nuk po përgatitet të largohet – ai ka qenë gjithmonë gati. Nëse qeveria britanike do t’i kërkonte atij të kthehej në vendin e tij, ai do të ishte gati për dy orë.

 

Katër ministra

 

Kisha disa pyetje që doja t’i bëja mbretit Zog.

 

Ata iu dorëzuan katër prej ministrave të tij, të cilët jetojnë me të në Parmoor, shtëpia e vendit me 40 dhoma, në të cilën Lord Parmoor vdiq në qershor 1941.

 

Kjo shtëpi është bërë, në fakt, pallati mbretëror i Shqipërisë. Në mërgim nën këtë çati ndodhen edhe Mbretëresha Geraldinë dhe Princi Aleksandër.

 

Të katër ministrat thanë se Mbretit Zog do t’i duhej kohë për t’iu përgjigjur me kujdes pyetjeve të mia.

 

Gjashtë orë më vonë Mbreti Zog më dha këtë mesazh për popujt e Perandorisë Britanike.

 

Kthimi im në Shqipëri varet nga zhvillimi i situatës ushtarake dhe politike. Sigurisht, unë jam gjithmonë i gatshëm të kthehem menjëherë në vendin tim.

 

Ende duke luftuar

 

Lajmet nga Shqipëria flasin se populli ynë po vazhdon rezistencën dhe lufton për çlirimin dhe integritetin e vendit tonë.

 

Lufta jonë për çlirim është e njëjtë me atë të aleatëve të tjerë dhe ne besojmë se po luajmë rolin tonë.

 

Sigurisht që do të bëjmë më shumë kur të vijë momenti dhe të na jepet ndihma e nevojshme nga Aleatët.

 

Kur të largohem nga ky vend, do të marr me vete si kujtim kujtimin e anglezëve, me shpinën pas murit, gjatë periudhës më të zezë të luftës, siç ishte rënia e Francës dhe gjatë shpërthimit ajror, kur pashë popullin e Britanisë në kulmin e tij më të lartë të guximit dhe vendosmërisë në luftën e tyre të vetme për liri.

 

Shpresoj se simpatia e treguar ndaj vendit tim nga populli britanik do të vazhdojë kur paqja të mbretërojë sërish.

 

Mbreti Zog mbërriti në këtë vend në qershor të vitit 1940.

 

Ai u largua nga Shqipëria me mbretëreshën e tij dhe djalin e tyre të porsalindur ndërsa legjionet pushtuese të Musolinit kaluan Adriatikun, duke u vendosur në Francë dhe më në fund mbërritën në Angli me një nga anijet e fundit jashtë Bordeaux-së.

Brīvā Zeme (1939) “Çfarë thotë Geraldina?” — Intervista me Mbretëreshën e Shqipërisë në Letoni

Ish-mbreti i Shqipërisë Ahmed Zogu dhe ish-Mbretëresha Geraldinë largohen nga hoteli “Kemeri”. Te porta ishin motrat e mbretit, princeshat. — Burimi : Atpūta, 21 korrik 1939, faqe n°13

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Prill 2025

 

Gazeta letoneze “Brīvā Zeme” ka botuar, të shtunën e 15 korrikut 1939, në faqen n°15, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Geraldinë në Letoni, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Çfarë thotë Geraldina ?

 

Ish-mbreti i Shqipërisë, Zogu, me ish-mbretëreshën Geraldinë dhe motrat e tij, princeshat Ruhije dhe Maxhide, në Hotel Kemeri. — Burimi : Brīvā Zeme, 15 korrik 1939, faqe n°15.

Dje, në dhomat e pritjes së hotel “Petersburg” pranë dhomave të ish-mbretit të Shqipërisë funksiononte një qendër vëzhgimi gazetareske. U mblodhën jo vetëm përfaqësues të gazetave të Rigës, por edhe tre gazetarë erdhën nga Suedia. Ata punonin me ritmin amerikan dhe telefononin çdo orë në Stokholm për t’i informuar për ndryshimet dhe ngjarjet në “Petersburg”.

 

U përhap lajmi se Aleksandri i vogël do të bënte një banjë. Ndërmarrja e suedezëve u dyfishua dhe me mjetet më të pazakonta ata u përpoqën të kalonin me nxitim murin e trashë mbrojtës në dhomën ku princi i vogël ishte vendosur në banjë. Atëherë lexuesit suedezë do të merrnin kafshatën më të shijshme në mbrëmje : Geraldinën dhe Aleksandrin në banjë! Fatkeqësisht, përpjekjet e suedezëve ishin të kota. Rojet ishin të pamposhtur.

 

Më pas, për habinë e madhe të të gjithëve, pa asnjë takim, ish-Mbreti Zog u shfaq në shkallët e hotelit me Geraldinën dhe motrat e tij. Ata shkuan në një udhëtim në Kemeri dhe me siguri do të qëndrojnë në Riga deri të hënën.

 

Kontribuesi ynë foli dje me ish-Mbretëreshën Geraldinë të Shqipërisë.

 

Rojet qëndrojnë roje jashtë dhomave të Zogëve me fytyra të palëvizshme. Heshtja mbretëron kudo. Pas perdeve të rënda të kuqe të errëta, dera e madhe u hap dhe Shqipëria ishte atje. Ministri i Oborrit Martini më ftoi në apartamentet mbretërore me një tundje të lehtë të dorës. Në mes të sallës së madhe, Geraldina buzëqeshi. Dukej kaq e hollë, e brishtë dhe fëminore.

 

Për shumë vite kisha dëgjuar për Letoninë mikpritëse dhe për peizazhet e saj piktoreske natyrore. Prandaj, zgjodha me shumë kënaqësi udhëtimin nëpër Riga. Edhe pse nuk kam parë ende shumë sot, jam akoma e emocionuar për gjithçka që kam parë. Shpresoj të njoh më mirë natyrën dhe njerëzit e saj në pak ditë që do të kaloj në Letoni. Më tej ajo shprehu shpresën e saj për të qëndruar në Riga të paktën deri të hënën, për të udhëtuar në fshat, buzë detit dhe për të parë pamjet më të spikatura të kryeqytetit tonë. Më pas ata do të shkojnë në Suedi. Pastaj Geraldina më tha se gjyshja e saj ishte martuar me një suedez dhe jetonte në Suedi për një kohë të gjatë. Prandaj, ajo do të ishte e lumtur të shihte sërish vendet ku dikur ecnin paraardhësit e saj. Në kohën e lirë ajo kalon shumë kohë duke luajtur muzikë dhe, së bashku me Zogun, duke lexuar veprat e shkrimtarëve më të shquar evropianë, si në origjinal ashtu edhe në përkthim. Përpara se të takohej me Zogun, ajo nuk fliste shqip, por pas disa muajsh punë të palodhur, “plasariti” deri në atë pikë sa tani mund ta flasë lirshëm me bashkëshortin.

 

Ka kaluar një çerek ore. Ministri i oborrit njofton se ka ardhur koha që Geraldina të shkojë për drekë. Me një shtrëngim duarsh të ngrohtë, ajo jep lamtumirën dhe zhduket në apartamentin tjetër me hapa të lehtë dhe të zhdërvjellët.

 

KUSH  MENDOI  PER  SHQIPNI?! Pjesa III- Nga Fritz RADOVANI

 

PAPA GJON PALI II TAKON NANEN TEREZA N’SHKODER

FESTË E MADHE !

Janë rreshtue katunde e qytete, asht rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e Misionarëve Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të Shkodrës, Shirqi, e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek xhubletat e ruejtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina, Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë, sot janë të gjithë së bashku lidhë një bese nën një Flamur, në Kryeqytetin e vjetër të Ilirisë…. Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së Cukalit e Maranajt, këtu mblidhuni bre Burra, kushtrim!

Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se kurrë asht shpalosë Veli i Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza, prej Lindjes së largët që me duerte e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët për né:

“O Zot, hiqi mallkimin tand Shqipnisë!”

Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun  e vet shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:

Asht Papa Gjon Pali II…

Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij, tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në vitin 1464.

Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té e tërheqin me forcë për mos me e lëshue ma këte Trim…. Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia…

U realizue andrra e shekujve të shkuem!

Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.

Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës.

Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun… Vetem tue i Bekue!

Tue Bekue Atë Popull që nuk e ka pa njëditë të mirë deri sot!

Vazhdon PJESA IV.

            Melbourne, 18 Prill 2025.

Dokumentari që po trondit Europën: Klani i Ramës qëndron mbi shtetin! Drejtësia e re kontrollohet nga kryeministri! Qeveritarët zhvatin fondet e BE-së

“Beetz Brother” është një kompani që prodhon dokumentarët investagativë më të mirë në Europë.

Këtë herë, në vëmendjen e tyre ka qenë shteti i Edi Rramës, të cilin ata e etiketojnë si një strukturë mafioze.

Dokumentari i tyre “Drogë, dollarë, diplomaci: Vallëzimi i Shqipërisë me BE-në” është transmetuar nga dhjetëra media, nga Gjermania, në Francë, nga Holanda në Belgjikë e deri në Suedi.

Jo vetëm ARD, ZDF dhe Arte, ky dokumentar mund të shihet edhe në gazetat austriake.

Në dokumentar, Edi Rama cilësohet si një autokrat që godet opozitën.

Jo vetëm kaq, por narkoshteti i tij denoncohet fort nga grupi i gazetarëve të “Beetz Brothers”.

Duke u ndalur gjerësisht tek Edi Rama, në dokumentar thuhet se: “Fakt është se gjatë viteve të fundit, ai e ka kthyer Shqipërinë me kokë poshtë për të krijuar një sistem që i përshtatet plotësisht atij”.

“Që kur Edi Rama erdhi në pushtet, aparati shtetëror është më shumë se dyfishuar. Shumë prej këtyre punonjësve të ri, duhet ta shprehin mirënjohjen e tyre me ndihmë politike”, vijon më tej dokumentari.

Sipas tyre, Rama tashmë kontrollon plotësisht drejtësinë dhe klani i tij mbetet i paprekshëm.

“Kontrollorët e lartë të sistemit të ri të drejtësisë janë të afërm të ngushtë të ministrave të Ramës. Një autoritet i ri mbikëqyrës i drejtësisë së re drejtohet nga motra e zëvendëskryeministres së Edi Ramës, Belinda Balluku. Rama reagon duke thënë se kjo ishte dëshirë e Europës, por zbatimi ngre pikëpyetje. 

Kundërshtarët politikë, por edhe miqtë e Ramës dalin njëherë në disa javë përpara gjykatës, por rrethi i ngushtë i Ramës mbetet i paprekur. Sipas traditës shqiptare, ku një klan qëndron më lart se shteti, biznesi apo feja”.

Në dokumentar, gazetarët ndalen gjerësisht edhe tek çështja e kampit të refugjatëve në Lezhë.

“Shqetësimi më i ri është një kamp refugjatësh jashtë BE, në këtë mënyrë kryeministri autokrat Edi Rama bëhet gjithmonë i domosdoshëm për Europën”.

Po ashtu, gazetarët kanë intervistuar edhe politikanë europianë, që shprehin shqetësim për mënyrën se si përdoren fondet e BE në Shqipërinë që aspiron të anëtarësohet në bllok.

“Që tani shumë para nga Brukseli rrjedhin për projekte infrastrukturore në Shqipëri. Vetëm në vitin 2022, 33 milionë euro, të cilat ishin parashikuar për bujqësinë, u përvetësuan nga politikanët lokalë. Më shumë se dyfishi në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku”, thekson dokumentari.

Në fund thuhet se Shqipëria mund të jetë jo një shans, por një problem për Europën.

“Shqipëria është pjesë e Europës. Në këtë pikë bashkohen të gjitha partitë politike dhe qytetarët. Zor se ka një vend tjetër ku miratimi për BE-në është kaq i lartë. Zor se ka një vend tjetër ku refuzimi i të shkuarës të jetë kaq i madh. Por ndërsa popullata duket gati për Europën, të fuqishmit e vendit mbeten në struktura klanore. Nga të gjitha anët. Nëse Shqipëria nuk e tejkalon ekonominë klanore, ajo do jetë më shumë një problem për Europën, sesa një shans për të”.

 

 

“Komisioni i Urbanizimit, ka vendosur nxjerrjen jashtë Tirane…”- Dokumenti i Komitetit Ekzekutiv me listën e 500 personave që do internoheshin në tetor 1946

Ndër krimet e spikatura të komunistëve në fillimet e pushtetit të tyre, por që është vërejtur edhe në vitet e tjera si dukuri, është procesi i spastrimit të qyteteve nga “reaksionarët”. Ky proces politiko-grabitqar, që shoqërohej gjithnjë me përzënie nga shtëpia, ishte një nga mjetet më të thjeshta në kuadër të goditjes së klasave të vjetra dhe krijimit në Tiranë dhe qytete të tjera, të shtresës pro regjimit. Shtresa që dëbohej nga Tirana me vendime urbanizimi, ishte ajo që kishte ndërtuar shtetin shqiptar, deri këtë kohë.

Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Mihal Prifti, njoftonte gjithë ministritë, Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin e Planit, Komisionin e Kontrollit të Shtetit, Drejtorinë e Radio-Tiranës, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Qendrën e Kryqit të Kuq, sekretariatin e Frontit Demokratik, sekretariatin e Rinisë Popullore Shqiptare, sekretariatin e Bashkimit të Grave Antifashiste Shqiptare, sekretariatin e Bashkimit të Përgjithshëm Sindikal Shqiptar, në lidhje me mosmarrjen në shërbim të “elementëve që do të qiten jashtë Tiranës”, shkruan ai.

Në letrën e datës 7.11.1946, thuhej: “Duke patur si shkak se shumë persona që janë caktuar për të dalë jashtë Tirane, kërkojnë punë, me qëllim që të mbeten, bashkëlidhur po jua dërgojmë listën e familjeve që Komisioni i Rregullimit të Urbanizimit, pranë Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Tiranës, me vendimin nr. 2, datë 21.10.1946, ka vendosur qitjen jashtë Tirane për në vendet e tyre, me porosi që të kihet kujdes që të mos merret në shërbim prej jush, asnjë anëtar i familjeve të përmendura në listë.

Për këtë gjë, për çdo element që do ju drejtohet për punë, më parë duhet të mos figurojë emri i tij ose i familjes, në listën e përmendur. Shtojmë se mbi sa më sipër, të lajmëroni edhe gjithë entet e varura prej jush.

Në rast të kundër, ju bien përgjegjësi”.

Lista e vendimit nr.2, datë 21.10.1946

1 – Dhimitër Kacimbra, 2 persona
2 – Qirjako Dilo, 6
3 – Familja Ndue Pali, 7
4 – Muhamet Karagjozi, 5
5 – Familja e Jonuz Shijakut, 9
6 – Qani Sevrani, 3
7 – Spiro Koço, 3
8 – Familja Munir Halimi, 4
9 – Familja Fuat Halimi, 4
10 – Hajdar Starova, 7
11 – Menduh Vrioni, 7
12 – Familja Muntaz Vrioni, 4
13 – Qemal Karagjozi, 5
14 – Nurxhet Karagjozi, 5
15 – Sami Karagjozi, 3
16 – Pertef Karagjozi, 4
17 – Urani Koxhomani, 3
18 – Familja e Bilal Nivicës, 3
19 – Hasan Alizoti, 5
20 – Familja Xhafer Shkëmbi, 5
21 – Vasil Avrami, 5
22 – Safet Libohova, 8
23 – Ifet Vila, 1
24 – Hysni Peja, 4
25 – Tushe Maloku, 2
26 – Niazi Çaço, 3
27 – Sadet Rusi, 4
28 – Koço Zako, 5
29 – Jovan Dimitresku, 6
30 – Fehim Leskoviku, 3
31 – Qamile Hajro, 1
32 – Sajde Shehu, 3
33 – Familja Bashkim Coberi, 5
34 – Rabije Koculi, 1
35 – Myrvete Koprencka, 2
36 – Zef Shoshi, 2
37 – Marije Rrok Kolaj, 3
38 – Ikbale Zenel Prodani, 7
39 – Abdurrahman Selfo, 6
40 – Nurije Cani, 1
41 – Meleqe Irfan Ohri, 4
42 – Loni Gjika, 3
43 – Aleme Shtino, (?)
44 – Llazar Kume, 7
45 – Muhamet Qibini, 1
46 – Kristika Duka, 4
47 – Fehim Glina, 2
48 – Mediha Poda, 4
49 – Mihane Çarçani, 7
50 – Shahin Poda, 4
51 – Shano Ziso, 5
52 – Muke Vërtiniku, 3
53 – Mark Shani, 1
54 – Hysen Jaupi, 1
55 – Kol Naraçi, 2
56 – Afërdita Sokrat Dodbiba, 1
57 – Drita Xhilaga, 3
58 – Hedije Q.Prodani, 3
59 – Bahri Skënderi, 3
60 – Hilmije Biçaku, 5
61 – Ferit Përmetit, 2
62 – Firdes Mehmet Hurshiti, 8
63 – Ikbal Javer Hurshiti, 3
64 – Familja e Cole Toles, 4
65 – Familja Nikolla Mole, 3,
66 – Qazim Kripa, 9
67 – Abaz Deliallisi, 10
68 – Bajram Beja, 7
69 – Merzije Peshkëpia, 6
70 – Ramiz Kaça, 4
71 – Rasim Sokoli, 6
72 – Aziz Vrioni, 4
73 – Qazim Plasa, 4


Send this to a friend