VOAL

VOAL

Kina: Ndaloni luftën në Ukrainë

September 25, 2022

Komentet

NATO: Rusia po përgatitet për një luftë afatgjatë me Ukrainën dhe Evropën

VOA

Në një fjalim të enjten në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të “fshijë Ukrainën nga harta” dhe ai i bëri thirrje aleancës “të kalojë në një mentalitet të kohës së luftës dhe të rrisë prodhimin dhe shpenzimet në fushën e mbrojtjes. ”

“Rusia po përgatitet për një konfrontim afatgjatë, me Ukrainën dhe me ne”, tha Mark Rutte, duke shtuar se evropianët duhet të përgatiten për mundësinë që Rusia të përdorë “ushtri dronësh” në kontinent. Putini, shtoi ai, “po përpiqet të godasë lirinë dhe mënyrën tonë të jetesës”.

“Ne nuk jemi gati për atë që do të na vijë pas katër deri në pesë vjet”, tha ish-kryeministri holandez, i cili paralajmëroi se shtetet e NATO-s mund të kenë nevojë të shpenzojnë më shumë se 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në fushën e mbrojtjes. NATO tani kërkon nga vendet e saj anëtare që të shpenzojnë 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në mbrojtje.

Gjatë Luftës së Ftohtë, tha zoti Rutte, evropianët shpenzuan më shumë se 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, një nivel që është kërkuar edhe nga Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për vendet anëtare të NATO-s.

Vetëm 23 nga 32 anëtarët e NATO-s pritet të përmbushin objektivin prej 2 për qind këtë vit, sipas zyrtarëve të aleancës.

Udhëheqësi i NATO-s u bëri thirrje gjithashtu qeverive të vendeve anëtare të aleancës që të rrisin buxhetet e tyre ushtarake, duke paralajmëruar se Rusia ndoshta do të shpenzojë deri në 7% ose 8% të prodhimit të brendshëm brute për mbrojtjen vitin e ardhshëm.

Rusia është tashmë e angazhuar në një “fushatë të koordinuar për të destabilizuar shoqëritë tona”, paralajmëroi Rutte, duke përmendur “veprimet armiqësore” të fundit që Moska ka ndërmarrë kundër anëtarëve të NATO-s, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe tentativat për vrasje.

“Rreziku po lëviz drejt nesh me shpejtësi të madhe”, paralajmëroi zoti Rutte. “Ne nuk do të jemi të sigurt në të ardhmen nëse nuk jemi të përgatitur të përballemi me këtë rrezik.”

Për herë të parë në histori- Trumpi fton presidentin kinez të marrë pjesë në ceremoninë e 20 janarit

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka ftuar Presidentin kinez Xi Jinping të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij muajin e ardhshëm, raportuan disa burime për kanalin amerikan  CBS News,

Trump e ftoi Xi në fillim të nëntorit, menjëherë pas zgjedhjeve, thanë burimet, por ende nuk ka një konfirmim nëse ai e ka pranuar ftesën. Një zëdhënës i ambasadës kineze në Ëashington nuk pranoi të bënte koment rreth kësaj çështje.

Të njëjtin qëndrim zoti Trump nuk e ka mbajtur me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, të cilit nuk e ka ftuar në këtë ceremoni.

Zëdhënësja e kalimit të pushtetit, Karoline Leavitt, i tha CBS Neës të enjten se Trump ftoi Xi për inaugurimin. Sipas saj ky është një një shembull  se si Trump po bën përpjekeje për “krijimin e një dialogu të hapur me liderët e vendeve që nuk janë vetëm aleatët tanë, por edhe kundërshtarët dhe konkurentët tanë.”

Përveç Xi, ekipi i presidentit të zgjedhur ka lënë të hapur ftesën dhe për të tjerë liderë të tjerë në Kapitol Hill më 20 janar.

Kryeministri Viktor Orbán, i cili ka një marrëdhënie të ngushtë  me Trump dhe e vizitoi atë në Mar-a-Lago këtë javë, është “ende duke e shqyrtuar” mundësinë  nëse do të marrë pjesë, ose jo tha një burim në dijeni të planeve të Orbán.

“Liderët botërorë po janë të gatshëm  të takohen me  Presidentin Trump sepse ata e dinë se rikthimi i tij në pushtet do të rikthejë paqen përmes forcës amerikane në të gjithë botën,” tha zëdhënësja e kalimit të pushtetit, Karoline Leavitt.

Ambasadorët dhe diplomatë të tjerë zakonisht ftohen në inaugurime, por rregjistrat e Departamentit të Shtetit që datojnë që nga viti 1874 tregojnë se asnjë lider i huaj nuk ka marrë pjesë në një ceremoni kalimi të pushtetit.

Anëtarët e rrethit të ngushtë të Trump mbeten kritikë të ashpër të qeverisë së Xi, përfshirë Senatorin Marco Rubio, kandidatin e tij për sekretar të shtetit, dhe këshilltarin e ardhshëm të sigurisë kombëtare Mike Waltz.

Trump vetë ka kërcënuar të rrisë taksat mbi produktet nga Kina. SHBA-ja ka vendosur një afat deri më 19 janar, në prag të inaugurimit, për kompaninë kineze ByteDance, pronaren e TikTok, që të shesë aplikacionin e mediave sociale ose të përballet me një ndalim në SHBA. TikTok po e kundërshton  ndalimin në gjykatë —javën e kaluar humbi seancën e parë, por e ka apeluar  çështjen në Gjykatën e Lartë.

Megjithatë, Trump ka besuar gjithmonë  se marrëdhëniet e ngushta mes liderëve  janë kyçe për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Që nga Dita e Zgjedhjeve, liderë botërorë kanë udhëtuar në Mar-a-Lago për t’u takuar me Trump, përfshirë Kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, gjithashtu ka pasur një takim privat me presidentin e zgjedhur.

Emmanuel Macron, presidenti i Francës, ishte lideri i parë botëror që priti Trump jashtë Amerikës që nga fitorja e tij në zgjedhjet e 2024-ës. Po ashtu, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Notre Dame në Paris morën pjesë kryeministrja italiane Georgia Meloni, Presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelensky dhe Princi William. sn

Shefi i NATO-s thotë se Putini dëshiron konfrontim me Evropën pas Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar të enjten se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron “ta zhdukë Ukrainën nga harta” dhe mund t’ua mësyjë pjesëve të tjera të Evropës pastaj.

Për këtë arsye, ai u bëri thirrje evropianëve t’u bëjnë trysni qeverive të veta për t’i rritur shpenzimet në mbrojtje.

“Ka ardhur koha ta kemi një mendësi lufte”, tha Rutte para ekspertëve të sigurisë dhe analistëve në organizatës Carnegie Europe në Bruksel. Ai theksoi se njerëzit duhet të përgatiten për mundësinë që Rusia të përpiqet t’i përdorë “tufa dronësh” në Evropë, siç është duke bërë me ndikim vdekjeprurës në Ukrainë.

Putini “po përpiqet ta prishë lirinë dhe mënyrën e jetesës sonë”, tha Rutte.

Gjatë fjalimit të tij, ish-kryeministri i Holandës i përmendi sulmet e Rusisë në Gjeorgji më 2008, aneksimin e gadishullit ukrainas, Krimea, më 2014, si dhe pushtimin e plotë të Ukrainës që nisi para gati tri vjetëve.

“A kemi nevojë edhe për më shumë paralajmërime të tjera a? Ne duhet të jemi thellësisht të shqetësuar. Unë e di që jam”, tha Rutte.

“Rusia po përgatitet për konfrontim afatgjatë. Me Ukrainën, dhe me ne”, shtoi ai.

Rutte e mbajti fjalimin inaugurues rreth dy muaj pasi e mori detyrën si shef i NATO-së.

Prej atëherë, ai ka udhëtuar nëpër kryeqytetet e 32 vendeve anëtare, përfshirë një takim me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Shtetet e Bashkuara, aleaten më të fuqishme të NATO-s.

NATO është mbështetëse e madhe e Ukrainës dhe i ka ndihmuar shumicën e anëtarëve të vet të dërgojnë armë, municione dhe ndihma të tjera në Ukrainë. Por, rikthimi i Trumpit dhe premtimi i tij për t’i dhënë fund luftës shpejt ka ngjallur shqetësime se një armëpushim i pafavorshëm mund t’i imponohet Ukrainës.

Trump ankohet rregullisht se aleatët e SHBA-së në NATO nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

Rutte tha se shpenzimet ushtarake të Rusisë ka të gjasa të arrijnë 7 deri në 8% të GDP-së së saj vitin e ardhshëm – shumë më tepër se çdo aleat i NATO-s – me industrinë e saj të mbrojtjes që prodhon tanke, mjete të blinduara dhe municione.

Putini gjithashtu e ka mbështetjen e aleatëve si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.

Rutte theksoi se shpenzimet për mbrojtjen janë rritur ndjeshëm në Evropë. Dhe, 23 vende anëtare pritet ta arrijnë cakun e NATO-s për t’i ndarë 2 për qind të GDP-së për buxhetet e tyre ushtarake.

Por, Rutte shtoi: “Mund t’ju them se do të na duhet shumë më tepër se 2 për qind”.

Rutte renditi një varg “veprimesh armiqësore” nga Rusia rishtazi kundër aleatëve të NATO-s, duke përfshirë sulme kibernetike, atentate, një shpërthim në një depo municionesh në Çeki, bllokimin e radarëve në rajonin Baltik për të ndërprerë trafikun ajror, dhe “armatosjen” e imigrantëve për ta destabilizuar Evropën.

“Këto sulme nuk janë thjesht incidente të izoluara. Ato janë rezultat i një fushate të koordinuar për t’i destabilizuar shoqëritë tona dhe për të na dekurajuar nga mbështetja për Ukrainën”, tha ai.

Përtej rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen në Evropë, Rutte theksoi se NATO-ja tani ka dhjetëra mijëra trupa në gatishmëri të lartë, në rast se ato nevojiten për ta mbrojtur territorin e aleatëve.

“Me gjithë këtë, mbrojtja jonë është e mirë – tani për tani. Por, ajo që më shqetëson është e nesërmja”, tha ai dhe paralajmëroi se “ne nuk jemi gati për atë që na pret pas katër deri pesë vjetësh. Rreziku po afrohet me shpejtësi të plotë drejt nesh”.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë mund të ndodhë edhe këtu, dhe pavarësisht nga rezultati i kësaj lufte, ne nuk do të jemi të sigurt në të ardhmen nëse nuk jemi të përgatitur për ta përballuar rrezikun”, shtoi Rutte.

Rutte u bëri thirrje qeverive t’ua sigurojnë industrive të mbrojtjes “porositë e mëdha dhe kontratat afatgjata që u nevojiten për të prodhuar shpejt më shumë armë dhe armë më të mira”.

Ai u kërkoi industrive të rrisin prodhimin armëve mbrojtëse kundër dronëve dhe taktikave të tjera të reja luftarake.

Ai shtoi se “liria nuk vjen falas” për rreth 1 miliard njerëz që jetojnë në zonën euro-atlantike. REL

Reporterët pa Kufij: 54 gazetarë të vrarë më 2024

Këtë vit janë vrarë 54 gazetarë në botë, teksa kanë qenë duke kryer punën e tyre, apo për shkak të profesionit, është thënë në raportin vjetor të organizatës ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, të publikuar të enjten.

Sipas organizatës, ushtria izraelite është përgjegjëse për vdekjet e 18 gazetarëve këtë vit – 16 në Gazë dhe dy në Liban.

Sipas raportit, territori palestinez është më i rrezikshmi për gazetarët, pasi atje është regjistruar shifra më e lartë e gazetarëve të vrarë në pesë vjetët e fundit.

Organizata ka thënë se ka dërguar katër kallëzime në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për “krimet e luftës të kryera kundër gazetarëve nga ana e ushtrisë izraelite”.

Sipas saj, “më shumë se 145” gazetarë janë vrarë nga ushtria izraelite në Gazë, prej nisjes së luftës, në tetor të vitit 2023, dhe që 35 prej tyre kanë qenë duke punuar në kohën kur janë vrarë.

Organizata e ka përshkruar numrin e vrasjeve si “gjakderdhje të pashembullt”.

Në një raport ndaras, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka thënë se 104 gazetarë janë vrarë më 2024, më shumë se gjysma e tyre në Gazë.

Shifrat e dy organizatave dallojnë, sepse ato kanë përdorur metodologji të ndryshme për t’i kalkuluar vrasjet.

Reporterët pa Kufij kanë përfshirë në listë vetëm gazetarët, për të cilët është vërtetur se vdekja e tyre është lidhur me aktivitetin profesional.

Izraeli ka mohuar të ketë vrarë me qëllim gazetarët, por e ka pranuar se disa mund të jenë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore.

Pas Gazës, vendi më vdekjeprurës për gazetarët më 2024 ka qenë Pakistani, më pas Bangladeshi dhe Meksika.

Deri më 1 dhjetor, 550 gazetarë janë nëpër burgje në botë, sipas Reporterëve pa Kufij.

Tri shtetet me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur janë Kina, Mianmari dhe Izraeli. REL

U larguan nga lufta civile – Ku jetojnë refugjatët sirianë në botë?

 

VOAL- Sipas të dhënave nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), më shumë se gjysma e të gjithë sirianëve (13 milionë njerëz) janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i konfliktit në vitin 2011. Dhe nëse të zhvendosurit brenda ka rreth 7.4 milionë, një tjetër 6 milionë (26% e popullsisë para luftës) kanë gjetur strehim në vende të tjera. Meqenëse rënia e Bashar al-Assad tani shtron çështjen e kthimit të tyre hipotetik, është e dobishme të dihet se si ato janë shpërndarë në mbarë botën.

Shpërndarja e refugjatëve sirianë nëpër botë

Shumica e atyre që ikën jashtë vendit shkuan në vendet fqinje. Turqia është larg nga vendi i parë pritës (mbi 3 milionë refugjatë sirianë në fund të 2024, e barabartë me 3,5% të popullsisë), sipas UNHCR-së, përpara Libanit (783,000, baraz me 14,8% të popullsisë), Jordanisë ( 632,000, ose 5,75%), Iraku (287,000, ose 0,64%) dhe Egjipti (158,000, e barabartë me 0,15%).

Në Evropë, Gjermania kryeson me 781,000 refugjatë sirianë ose azilkërkues (0.92% e popullsisë gjermane), sipas agjencisë së OKB-së. Në vitin 2024 do të ketë 79,000 sirianë në Holandë (0,44% e popullsisë) dhe 87,700 në Suedi (0,87%). Në vitin 2023, në Zvicër kishte 28,000 qytetarë sirianë.

Në Francë, në vitin 2024, ka 45,600 refugjatë sirianë, të barabartë me 0.07% të popullsisë së përgjithshme. Që nga fillimi i vitit janë dorëzuar gjithsej 4465 kërkesa për azil, sipas organit përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave. Në Mbretërinë e Bashkuar janë paraqitur 23,000, e barabartë me 0.03% të popullsisë.

Gjermania destinacioni i preferuar në Evropë

“Shumica e sirianëve nuk donin të largoheshin nga Turqia, shteti fqinj. Shumica synonin të ktheheshin shpejt në Siri. Kur lufta vazhdoi dhe liritë u kufizuan, ata filluan të mendonin për t’u vendosur në vende të tjera përgjithmonë, “shpjegon Hélène Thiollet, një studiuese e CNRS e specializuar në migracionin ndërkombëtar. “Gjermania, një vend i moshuar që ka nevojë për fuqi punëtore, kishte dalë sepse ishte në fund të rrugës ballkanike dhe kancelarja gjermane e atëhershme, Angela Merkel, kishte thënë se kishte kapacitetin për t’i mirëpritur ata,” kujton studiuesi. Ekonomia më e madhe e Evropës ka ngritur strukturat e pritjes dhe ka inkurajuar integrimin e tyre nëpërmjet punësimit, veçanërisht me kurset e gjuhës dhe barazimin e aftësive për disa diploma. Sipas të dhënave nga Agjencia Federale e Punësimit, aktualisht në Gjermani janë të punësuar 222,610 persona me kombësi siriane, duke iu nënshtruar kontributeve. Kjo lëvizje e sirianëve drejt Gjermanisë ishte “mjaft e shpejtë” dhe “po ashtu u ndal shumë shpejt”, nënvizon profesori Thiollet i Science Po Paris.

Riatdhesimet, tensionet dhe çështja politike në Evropë

Vendosja masive e këtyre refugjatëve në një vend fqinj si Turqia ka shkaktuar tensione. Sirianët i janë nënshtruar dhunës dhe prania e tyre, madje edhe dëbimi i tyre është bërë një çështje politike. Në Evropë, disa vende kanë shpallur synimin e tyre për të pezulluar dhënien e azilit për sirianët. Berna pezulloi procedurat për azilkërkuesit sirianë të hënën deri në një njoftim të dytë.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, nëse të gjithë sirianët do të ktheheshin në shtëpi, do të kishte rreth 13 milionë njerëz të zhvendosur. “Asnjë vend nuk ka arritur ndonjëherë një zhvendosje kaq masive të popullsisë së tij në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Është një detyrë monumentale që nuk mund të realizohet pa ndihmën masive të komunitetit ndërkombëtar”, paralajmëron Hélène Thiollet. “Problemi nuk është vetëm kthimi i të mërguarve, por se si një vend i shkatërruar nga lufta dhe praktikisht i lirë nga infrastruktura mund të riintegrojë popullsinë e tij”, nënvizon studiuesi, duke iu referuar problemeve të strehimit, shërbimeve dhe furnizimit me ujë. “Çështja e legjitimitetit të kësaj qeverie dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare nuk është vetëm çështje diplomacie apo dukjeje. Ajo duhet të lejojë Sirinë të marrë ndihmë ndërkombëtare për të rindërtuar shumë shpejt dhe për të mbështetur kthimet e para të personave të zhvendosur brenda vendit, përpara një valë të dytë: atë të sirianëve që kanë emigruar jashtë vendit”.

“Megjithatë, sa më i integruar të jeni, aq më pak ka gjasa që të dëshironi të nxitoni të ktheheni në Siri, gjë që nuk është një gjë e keqe për Evropën, pasi ata që mbeten janë më të kualifikuarit dhe më të integruarit”, thekson Thiollet. “Duhet të jesh shumë, shumë i motivuar dhe patriot për t’i thënë vetes (nëse je mjek që tani punon në Zvicër ose Gjermani), se do të kthehesh në mjekësinë e urgjencës pa marrë pagesë dhe se do të “vdisësh urie” në Aleppo”. , nënvizon studiuesi, ndërkohë që e ardhmja e vendit është ende shumë e pasigurt.

Në Gjermani, presidenti i Shoqatës Gjermane të Spitaleve (DKS), Gerald Gass, paralajmëroi të hënën kundër kthimit në shtëpi të mjekëve sirianë, të cilët “kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujdesit, veçanërisht në spitalet e vogla të qytetit”. ATS/RSI

U betua si kryeministër i ri i Sirisë, kush është Mohammed al-Bashir?

Mohammed al-Bashir, një zyrtar kyç në administratën e mbikëqyrur nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), është emëruar si kryeministër i Sirisë, sipas raportimeve të hënën. Bashir drejtoi më parë Qeverinë e Shpëtimit, e lidhur me HTS, e cila qeveriste vetëm pjesë të Sirisë veriperëndimore dhe Idlib.

Disa raporte të hënën treguan se ai ishte takuar me liderin e HTS Abu Muhammad al-Jolani dhe Mohammed al-Jalali, i cili shërbeu si kryeministër nën regjimin tashmë të rrëzuar të Bashar al-Asad.

Gjatë ditëve të fundit, HTS dhe rebelët e mbështetur nga Turqia – duke punuar nën ombrellën e Divizionit të Operacioneve Ushtarake – bënë një spastrim të befasishëm në të gjithë Sirinë për të pushtuar kryeqytetin Damaskun në orët e para të së dielës.

Al-Bashir tani përballet me sfidën e lundrimit në fazën tranzitore të Sirisë, duke adresuar si paqëndrueshmërinë politike ashtu edhe rindërtimin e rajoneve të shkatërruara nga lufta, më parë nën kontrollin e HTS.

Kush është Mohammed al-Bashir?

Al-Bashir është një inxhinier dhe politikan sirian që filloi të shërbente si kryeministri i pestë i administratës së vetëshpallur të HTS, Qeverisë së Shpëtimit Sirian, në janar.

Ai ka lindur në rajonin Jabal Zauiya të Idlib në vitin 1986, sipas një CV të publikuar nga Qeveria e Shpëtimit. Ai zotëron kualifikime të shumta që përfshijnë inxhinieri, drejtësi dhe planifikim administrativ. Ai fitoi një diplomë në inxhinieri elektrike dhe elektronike, i specializuar në komunikim, nga Universiteti i Aleppos në 2007. Në vitin 2010 ka kryer një kurs të avancuar të gjuhës angleze të administruar nga Ministria e Arsimit.

Në vitin 2021, ai mori një diplomë në Sheriat dhe drejtësi nga Universiteti i Idlib. Po atë vit, ai mori gjithashtu një certifikatë në planifikimin administrativ dhe një certifikim në menaxhimin e projekteve nga Akademia Ndërkombëtare Siriane për Trajnim, Gjuhë dhe Konsulencë. Më pas ai punoi si inxhinier që mbikëqyrte ngritjen e një fabrike gazi të lidhur me Kompaninë Siriane të Gazit.

Zhvillimet nën al-Bashir

Në vitin 2021, pas kryengritjes siriane kundër Bashar al-Assad, al-Bashir la punën e tij në institucionet qeveritare, duke iu bashkuar “radhëve të revolucionarëve në fushën ushtarake”, sipas CV-së së tij. Mes viteve 2022 dhe 2023, al-Bashir shërbeu si ministër i zhvillimit dhe çështjeve humanitare nën paraardhësin e tij, Ali Keda.

Në janar 2024, Këshilli Shura i Qeverisë së Shpëtimit e zgjodhi atë si kryeministër. Platforma e tij zgjedhore i dha përparësi qeverisjes elektronike dhe automatizimit të shërbimeve qeveritare. Gjatë administrimit të tij, tarifat e pasurive të paluajtshme u ulën, rregulloret e planifikimit u lehtësuan dhe filluan konsultimet për zgjerimin e planit të zonave të qytetit Idlib.

Në fund të nëntorit, kur HTS dhe grupet e tjera rebele siriane nisën ofensivën e tyre në Sirinë Veriperëndimore, duke pushtuar Aleppon, al-Bashir njoftoi në një konferencë shtypi se ofensiva ishte një përgjigje ndaj sulmeve të regjimit sirian ndaj civilëve, të cilët ai tha se kishin zhvendosur “dhjetëra mijëra” njerëz. Më 4 dhjetor, ai udhëtoi për në Aleppo për të mbikëqyrur hapjen e zyrave qeveritare, duke përgëzuar punonjësit nga administratat e mëparshme që ishin kthyer në detyrat e tyre. Të hënën, pas rënies së regjimit të Asadit, ai u ngarkua me formimin e një qeverie kalimtare./Newarab/ bw

Presidentit të Koresë së Jugut i ndalohet udhëtimi jashtë shtetit

Ministria e Drejtësisë në Korenë e Jugut ia ka ndaluar presidentit të vendit, Yoon Suk Yeol udhëtimin jashtë vendit, teksa autoritetet hetojnë dyshimet për rebelim dhe akuza tjera, të lidhura me shpalljen jetëshkurtër të gjendjes së luftës nga ana e tij, javën e kaluar.

Ky vendim i presidentit, i marrë të martën e kaluar, që ka rezultuar me angazhimin e trupave speciale nëpër rrugët e Seulit, e ka shtyrë Korenë e Jugut në një trazirë politike dhe ka rritur shqetësimet e partnerëve dhe fqinjëve.

Të shtunën, Yoon e ka shmangur një përpjekje të opozitës për ta rrëzuar nga pushteti, pasi disa deputetë e kanë bojkotuar procesin e votimit në Parlament.

Megjithatë, opozita ka thënë se do të dorëzojë mocionin e ri këtë javë.

Bae Sang-up, zyrtar i ministrisë, ka thënë në një seancë parlamentare se ia ka ndaluar Yoon-it largimin nga shteti, pas kërkesave të bëra nga policia, prokurorët dhe agjencia kundër-korrupsionit, teksa zgjerohen hetimet për veprimet e presidentit.

Të hënën, një zyrtar i lartë i Agjencisë Kombëtare të Policisë, u ka thënë gazetarëve se policia edhe mund të arrestojë presidentin, nëse përmbushen të gjitha kushtet.

Ndonëse një president në detyrë në Korenë e Jugut ka imunitet nga ndjekja penale, sa është në pushtet, diçka e tillë nuk vlen kur bëhet fjalë për dyshimet për rebelim apo tradhti.

Kjo do të thotë se Yoon mund të merret në pyetje dhe të ndalohet nga policia lidhur me dekretin e tij për shpallje të gjendjes së luftës.

Prapëseprapë, shumë vëzhgues dyshojnë që policia do ta ndalojë atë me forcë, pasi ka potencial për përleshje të mëdha me shërbimin presidencial të sigurisë.

Teksa e ka shpallur gjendjen e luftës javën e kaluar, Yoon e ka quajtur parlamentin “strofkë kriminelësh”, dhe është zotuar për të eliminuar “mbështetësit e paturpshëm të Koresë së Veriut”.

Vendimi i Yoon-it për shpallje të gjendjes së luftës, ka zgjatur vetëm gjashtë orë, sepse Asambleja Kombëtare ka votuar për ta rrëzuar këtë masë. REL

Kush është Abu Mohammed al-Golani, udhëheqësi i kryengritjes që përmbysi al-Assadin në Siri?

VOA Marrë nga Associated Press

Abu Mohammed al-Golani, udhëheqësi militant, kryengritja e të cilit rrëzoi nga pushteti presidentin e Sirisë Bashar Assad, ka vite që punon për të transformuar imazhin e tij publik, duke u distancuar nga lidhjet e kahershme me al-Kaedën dhe duke e paraqitur veten si një kampion të pluralizmit dhe tolerancës.

Pasi hyri në Damask pas luftëtarëve të tij fitimtarë të dielën, ai madje nuk përdori emrin e tij të luftës dhe iu referua vetes me emrin e tij të vërtetë, Ahmad al-Sharaa.

Tani do të shihet se deri ku shkon transformimi i tij nga ekstremist xhihadist në një rol të mundshëm shtetformues. Pyetja tani është se si do të qeveriset Siria, e përbërë nga shumë komunitete etnike dhe fetare, shpesh të nxitura kundër njëra-tjetrës nga shteti i al-Assadit dhe vitet e luftës. Shumë prej tyre i druhen perspektivës së marrjes së pushtetit nga ekstremistët islamikë suni.

Disa orë pas marrjes së kontrollit të Damaskut, 42-vjeçari al-Sharaa bëri paraqitjen e tij të parë në xhaminë historike Umajad të qytetit, duke e cilësuar rënien e Al-Assadit si “një fitore për kombin islamik”. Al-Sharaa, i cili konsiderohet si terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe forca e tij kryengritëse, Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS – shumë prej luftëtarëve të së cilës janë xhihadistë – tani janë një lojtar kryesor.

Për vite të tëra, al-Sharaa punoi për të konsoliduar pushtet, i izoluar në provincën e Idlibit në pjesën veriperëndimore të Sirisë, ndërsa sundimi i al-Assadit i mbështetur nga Irani dhe Rusia në pjesën më të madhe të vendit, dukej i fortë. Ai eliminoi konkurrentët dhe ish-aleatët e organizatave ekstremiste. Ai u përpoq të zbuste imazhin e “qeverisjes së tij de-fakto të shpëtimit” në Idlib për të bërë për vete qeveritë ndërkombëtare dhe për të qetësuar pakicat fetare dhe etnike të Sirisë.

Gjatë gjithë këtij procesi, ai hoqi dorë nga petku i një militanti islamik të linjës së ashpër dhe filloi të vishte kostume në intervista, duke folur për ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe decentralizimin e pushtetit në mënyrë të tillë që të refketonte diversitetin e Sirisë.

“Siria meriton një sistem qeverisës që është institucional dhe jo ku një sundimtar i vetëm merr vendime arbitrare,” tha ai në një intervistë me CNN-in javën e kaluar, duke lënë të hapur edhe mundësinë që grupi i tij Hayat Tahrir al-Sham (HTS) të shpërbëhet pas rënies së Asadit. “Mos gjykoni nga fjalët, por nga veprimet”, tha ai.

Fillimet e Al-Golanit në Irak

Në radhët e grupeve ekstremiste, Al-Sharaa njihej vetëm me pseudonimin xhihadist që adoptoi, Abu Mohammed al-Golani. Lidhjet e tij me Al-Kaedën e kanë origjinën në vitin 2003, kur ai iu bashkua kryengritësve që luftonin me trupat amerikane në Irak. Ai u arrestua nga ushtria amerikane, por mbeti në Irak. Gjatë asaj kohe, al-Kaida me grupe të tjera të ngjashme formoi Shtetin Islamik ekstremist të Irakut, të udhëhequr nga Abu Bakr al-Baghdadi.

Në vitin 2011, një kryengritje popullore në Siri kundër al-Assadit u shtyp brutalisht nga qeveria, gjë që shkaktoi një luftë të gjerë. Rëndësia e Al-Golanit u rrit kur al-Baghdadi e dërgoi në Siri për të krijuar një degë të al-Kaidës të quajtur Fronti Nusra. Shtetet e Bashkuara e cilësuan grupin e ri një organizatë terroriste. Ky emërtim vazhdon të jetë në efekt dhe qeveria amerikane ka vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për të.

Fronti Nusra dhe konflikti sirian

Paralelisht me intensifikimin e luftës civile në Siri në vitin 2013, u rritën edhe ambiciet e al-Golanit. Ai sfidoi thirrjet e al-Baghdadit për të shpërbërë Frontin Nusra dhe për ta shkrirë atë me operacionin e al-Kaidës në Irak për të formuar Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë, ose ISIS.

Megjithatë, Al-Golani u zotua për besnikëri ndaj al-Kaidës, e cila më vonë u shkëput nga ISIS. Fronti Nusra luftoi ISIS-in dhe eliminoi një pjesë të madhe të konkurrencës në mesin e opozitës së armatosur siriane të al-Assadit.

Në intervistën e tij të parë në vitin 2014, al-Golani u shfaq me fytyrë të mbuluar, duke i thënë një gazetari të Al-Jazeera-s se ishte kundër bisedimeve politike në Gjenevë për t’i dhënë fund konfliktit. Ai tha se synimi i tij ishte që Siria të qeverisej sipas ligjit islamik dhe bëri të qartë se nuk kishte vend për pakicat alavite, shiite, druze dhe të krishterë të vendit.

Konsolidimi pushteti dhe ndryshim imazhi

Në vitin 2016, al-Golani zbuloi fytyrën e tij për publikun për herë të parë në një video-mesazh që njoftonte se grupi i tij po riemërtohej Jabhat Fateh al-Sham – Fronti i Fitores i Sirisë – dhe do të ndërpriste lidhjet me Al-Kaedën.

“Kjo organizatë e re nuk ka lidhje me asnjë entitet të jashtëm,” tha ai në video, ku shfaqet me veshje ushtarake dhe një çallmë.

Lëvizja i hapi rrugën al-Golanit që të vendoste kontrollin e plotë mbi grupet militante të përçara. Një vit më vonë, aleanca e tij u riemërua përsëri, si Hayat Tahrir al-Sham — që do të thotë Organizata për Çlirimin e Sirisë — ndërsa grupet u bashkuan, duke konsoliduar pushtetin e al-Golanit në provincën Idlib të Sirisë veriperëndimore.

HTS më vonë u përplas me militantë të pavarur islamikë të cilët kundërshtuan bashkimin, gjë që i forcoi më tej pozitat e al-Golanit dhe grupit të tij, si forcë kryesore në Sirinë veriperëndimore, e aftë për të sunduar me një dorë të hekurt.

Me pushtet të konsoliduar, al-Golani vuri në lëvizje një transformim që pak mund ta imagjinonin. Duke zëvendësuar veshjen e tij ushtarake me këmishë dhe pantallona, ai filloi të bënte thirrje për tolerancë fetare dhe pluralizëm. Ai bëri përpjekje për të bërë për vete komunitetin Druze në Idlib, të cilin Fronti Nusra e kishte vënë më parë në shënjestër më parë, dhe vizitoi familjet e kurdëve që u vranë nga milicitë e mbështetura nga Turqia.

Në vitin 2021, ai pati intervistën e tij të parë me një gazetar amerikan në televizionin PBS. I veshur me një xhaketë sportive, me flokë të shkurtër, udhëheqësi tashmë i transformuar i HTS-së tha se grupi i tij nuk përbënte kërcënim për Perëndimin dhe se sanksionet e vendosura kundër tij ishin të padrejta.

“Po, ne kemi kritikuar politikat perëndimore,” tha ai. “Por nuk është e vërtetë që ne i shpallëm luftë nga Siria Shteteve të Bashkuara ose Evropës nga Siria. Ne nuk kemi thënë se donim luftë.”

Biden: SHBA do të bashkëpunojë me partnerët për alternativat në Siri, pas përmbysjes së al-Assadit

 VOA Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët dhe palët e interesuara në Siri për të shqyrtuar alternativat dhe për të menaxhuar rrezikun pasi kryegritësit përmbysën Presidentin sirian Bashar al-Assad.

Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fqinjët e Sirisë gjatë periudhës së tranzicionit dhe do të ndjekin me kujdes retorikën dhe veprimet e grupeve rebele.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk e dinë zyrtarisht vendndodhjen e Asadit, por vuri në dukje njoftimet sipas së cilave ai kishte shkuar në Moskë.

Ai tha se al-Assad “duhet të mbahet përgjegjës”. Zoti Biden tha se Siria është në një periudhë rreziku dhe pasigurie dhe se është hera e parë në vite që as Rusia, as Irani dhe as organizata militante e Hezbollahut nuk kanë një rol me ndikim në Siri.

“Për vite të tëra, mbështetësit kryesorë të Assadit kanë qenë Irani, Hezbollahu dhe Rusia. Por gjatë javës së fundit, mbështetja e tyre u shpërbë, sepse të tre ata janë shumë më të dobët sot se sa ishin kur unë mora detyrën”, tha zoti Biden, i cili u bë president në vitin 2021.

Presideti Biden tha se forcat amerikane kryen të dielën mbi 10 sulme me preçizion të lartë brenda Sirisë duke vënë në shënjestër kampet dhe operativët e grupit militant Shteti Islamik.

“Është një moment që ofron mundësi historike për popullin e Sirisë i cili ka vuajtur për një kohë të gjatë, që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e vet krenar. Është gjithashtu një moment rreziku dhe pasigurie,” tha zoti Biden. “Ndërsa ne të gjithë bëjë pyetjen se çfarë vjen më pas, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë dhe palët e interesuara në Siri për t’i ndihmuar ata të përfitojnë nga mundësia për të menaxhuar rrezikun”, shtoi zoti Biden.

Assad arratiset në Moskë, raportojnë mediat shtetërore ruse

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, dhe familja e tij kanë arritur në Moskë, raportuan mediat shtetërore ruse, teksa rebelët kanë marrë kontrollin e kryeqytetit sirian, Damask, duke i dhënë fund sundimit brutal, gjysmëshekullor të familjes Assad.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha më herët se Assadi “vendosi të jepte dorëheqje” pas “negociatave” me “një numër të pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur” dhe u largua nga detyra “duke lënë instruksione për transferimin paqësor të pushtetit”.

“Rusia nuk mori pjesë në këto negociata”, tha ministria.

Kjo deklaratë erdhi, pasi rebelët përmes një deklarate të publikuar në televizionin shtetëror sirian thanë se Damasku “tani është i lirë nga Assadi”, familja e të cilit ka sunduar për më shumë se 50 vjet.

Paraprakisht, Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë me bazë në Britani – kishte raportuar se Assadi ishte arratisur nga Damasku me një aeroplan mëngjesin e 8 dhjetorit.

Ndërkaq, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka shkruar në llogarinë e tij në Truth Social se “Assadi është larguar nga shteti. Mbrojtësja e tij, Rusia, nuk ishte e interesuar që ta mbronte më”.

Kryeministri sirian, Mohammad Ghazi al-Jalali, tha në një video se Qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”.

“Ne besojmë se Siria është për të gjithë sirianët dhe se është vendi i të gjithë bijve të saj, dhe se ky vend mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën pa u përfshirë në ndonjë aleancë apo bllok rajonal”, tha al-Jalali, duke shtuar se ai ishte ende në shtëpi në Damask dhe nuk kishte ikur.

Më vonë gjatë 8 dhjetorit ai u pa duke dalë nga shtëpia e tij, i shoqëruar nga persona të armatosur. Ai raportohet se është shoqëruar për në takimin me udhëheqjen e grupit islamist, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që ka udhëhequr ofensivën e fundit.

HTS-ja konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.

Abu Mohammad al-Golani, udhëheqës i HTS-së, ka tentuar të sigurojë shiitët alavitë dhe minoritetet e tjera siciane, përfshirë të krishterët, pas rrëzimit të Assadit.

Kush është HTS-ja?

Hayat Tahrir al-Sham (HTS) është grup militant islamist, anëtarët e së cilit janë kryesisht salafistë, një sekt ultra-radikal i islamit sunit. Ky grup kërkon themelimin e një shteti në Siri që qeveriste sipas ligjit islamik.

Grupi u shfaq në skenë më 2012, një vit pas nisjes së luftës civile siriane. Fillimisht, grupi u shfaq me emrin Jabhat al-Nusra, apo Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidas.

I udhëhequr nga Muhammad al-Julani, grupi merrte urdhra nga Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i Al-Kaidas në Irak. Baghdadi më pas shkëputi lidhjet me Al-Kaidan dhe themeloi grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), grup në të cilin Julani refuzoi të bëhej pjesë.

Fronti Nusra u shndërrua në një nga grupet më vdekjeprurëse që luftojnë kundër Assadit dhe përdor taktika, sikurse bombardimet vetëvrasëse dhe pajisjet artizanale plasëse.

Grupi militant më pas ndryshoi emrin disa herë dhe u distancua nga Al-Kaida. Më 2017, ajo u bashkua me grupe të tjera opozitare në veriperëndim të Sirisë për të formuar HTS-në.

Ky grup është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe grupet aleate.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë i tha Radios Evropa e Lirë se presidenti amerikan, Joe Biden po “përcjell nga afër ngjarjet e jashtëzakonshme në Siri dhe është në kontakt të vazhdueshmëm me partnerët rajonalë”.

Lidhur me situatën në Siri, Biden do të takohet më 8 dhjetor me këshilltarët e tij për sigurinë kombëtare.

“Presidenti do të takohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të pranuar përditësime lidhur me situatën në Siri”, shkroi në X, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Seam Savett.

Humbje për Rusinë

Ekspertët thanë se rënia e regjimit të Assadit do të paraqesë një humbje të madhe gjeopolitike për Kremlinin, i cili së bashku me Teheranin kanë mbështetur Qeverinë siriane përgjatë luftës civile që nisi më 2011.

Instituti për Studim të Luftës, me bazë në SHBA, tha se “forcat e regjimit të Assadit kanë kolapsuar dhe mbështetësit e Assadit duket se nuk kanë vullnet që të mbështesin ushtrinë arabe siriane, duke dislokuar menjëherë forca shtesë”.

Rusia ka disa ndërtesa ushtarake në Siri, përfshirë bazën ajrore në Hmeimim dhe një bazë strategjike detare në Tartus, baza që janë përdorur po ashtu për të mbështetur veprimet e Kremlinit në Afrikë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk pranoi të komentonte për fatin e bazave ruse, duke thënë se “nuk është në interesin e askujt që të hamendësojmë”.

Instituti për Studim të Luftës tha se Moska ende nuk është evakuuar nga baza, “por mbetet e paqartë nëse Rusia do të mbajë anije në port, teksa rebelët sirianë vazhdojnë të avancojnë me shpejtësi në territoret e mbajtura nga regjimi”.

Konstantin Kosachyov, zëvendëskryetar i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, tha më 8 tetor se të gjithë sirainët duhet të përballen vet me luftën në shkallë të plotë, por sugjeroi se Moska është e gatshme të mbështesë popullin sirian në rrethana të caktuara.

Ruslan Suleymanov, ekspert rus për Lindjen e Mesme, i tha Radios Evropa e Lirë se Moska do të “bashkëpunojë me rebelët” nëse ata e marrin pushtetin në Damask dhe se HTS-ja po ashtu “ka pretenduar më herët se është e gatshme të negociojë” me Kremlinin.

“Putini dëshiron të shpëtojë praninë e tij ushtarake në rajon. Në çdo rast, për ta bërë këtë, ai duhet të bëjë koncesione, si me xhihadistët ashtu edhe me [presidentin turk, Recep Tayyip] Erdogan, i cili mbështet [rebelët]”, tha ai.

Ofensiva e befasishme nisi më 27 nëntor nga një koalicion i grupeve të rebelëve. Ofensiva u udhëhoq nga HTS-ja.

Përveç HTS-së, në ofensivë u përfshin edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia ka mohuar se ka mbështetur ofensivën, edhe pse ekspertët tkanë thënë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.

Më 6 dhjetor, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona.

Assadi ishte varur nga Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet që kur shpërtheu konflikti më 2011.

Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata morën edhe qytete të tjera të mëdha, teksa forcat e Asadit bënë pak rezistencë.

Rajoni dhe bota reagon për zhvillimet në Siri

Zhvillimet në Damask kanë shtyrë fqinjët e Sirisë që të ndërmarrin masa urgjente. Libani ka njoftuar për mbylljen e të gjithë kufijve tokësore me Sirinë, përveç njërit që lidh Bejrutin me Damaskun.

Jordania po ashtu ka mbyllur kufijtë me Sirinë.

Izraeli tha se ka dislokuar trupa në zonën neutrale që gjendet përgjatë kufirit të tij verior me Sirinë dhe ka dërguar trupa “në vende të tjera të nevojshme për mbrojtjen tonë”.

Ushtria izraelite tha se ky dislokim është bërë për të ofruar siguri për banorët në Lartësitë e Golanit, të aneksuara nga Izraeli.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, tha se dëshiron të ndihmojë duke ofruar “garanci të sigurisë” në Siri, pas rrëzimit të Assadit.

“Në ditët në vijim, ne do të intensifikojmë punën tonë për këtë çështje me shtetet në rajon dhe me aktorët ndërkombëtar”, tha Hakan Fidan përmes një postimi në X.

Shtetet e Bashkuara thanë se do të mbajnë praninë e tyre në lindje të Sirisë dhe do të ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar rishfaqjen e grupit ekstremist, Shteti Islamik në rajon.

Zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes për Lindjen e Mesme, Daniel Shapiro, tha se Uashingtoni “është në dijeni për rrethanat kaotike dhe dinamike në terren në Siri që mund t’i japin hapësirë IS-it që të gjejë mënyrë për t’u bërë aktiv dhe të planifikojë sulme të jashtme”.

Duke folur në një konferencë të sigurisë në Bahrejn, Shapiro tha se SHBA-ja është e vendosur që të punojë me partnerët “për të vazhduar që të denigrojë aftësitë e IS-it”.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, u kërkoi të gjithë aktorëve në Siri që të mbajnë rendin dhe ligjin dhe të ruajnë institucionet publike.

Ai tha se nuk ka informacione për vendndodhjen e Assadit.

Tom Fletcher, kreu i agjencisë për ndihmë humanitare të OKB-së, paralajmëroi për gjendjen e rëndë të miliona sirianëve të zhvendosur si pasojë e luftës gati 14-vjeçare civile. Shumë të tjerë janë në rrezik, tha Fletcher.

Megjithatë, ai tha se do të ndihmojnë civilët në Siri me furnizime, por edhe me ngritjen e qendrave të pritjes për të zhvendosurit.

Shefja për diplomaci e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, shkroi në X se fundi i diktaturës së Assadit është zhvillim pozitiv.

“Po ashtu tregon dobësimin e mbështetësve të Assadit, Rusisë dhe Iranit. Prioriteti ynë është të sigurohemi që rajoni të jetë i sigurt”, tha ajo.

Ndërkaq, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se ndryshimi historik në Siri ofron “mundësi, por nuk vjen pa rreziqe”, duke shtuar se Evropa është e gatshme të ndimojë në ruajtjen e unitetit kombëtar dhe rindërtimin e një shteti sirian “që mbron të gjitha minoritetet”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “më në fund ka rënë shteti barbar” i Assadit.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja britanike, Angela Rayner, bëri thirrje për “zgjidhje politike”. REL

Kievi sheh me keqardhje marrëveshjen e 1994, kur hoqi dorë nga armët bërthamore

Ukraine – Budapest Memorandum

 

VOA Tatiana Vorozhko

Më 5 dhjetor u mbushën 30 vjet që kur Ukraina firmosi marrëveshjen për të dorëzuar arsenalin bërthamor, i treti më i madh në botë, në atë kohë. Ndërsa agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës po i afrohet vitit të tretë, Kievi e cilëson tani marrëveshjen me Moskën, si dritëshkurtër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Tatiana Vorozhko i hedh një vështrim historisë së kësaj marrëveshjeje.

5 dhjetor 1994. Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë nënshkruajnë Memorandumin e Budapestit. Steven Pifer ndihmoi në negocimin e traktatit.

“Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Rusia u zotuan të respektojnë sovranitetin, pavarësinë dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës dhe u zotuan të mos përdorin forcë, ose të kërcënojnë se do të përdorin forcën kundër Ukrainës”, shprehet zoti Pifer.

Ukraina, e cila trashëgoi arsenalin e tretë më të madh bërthamor pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ra dakord t’i transferonte të gjitha armët bërthamore në Rusi për t’u çmontuar dhe të nxirrte jashtë përdorimit depot nëntokësore prej ku mund të lëshoheshin raketat bërthamore.

Mariana Budjeryn, është autore e një libri mbi ngjarjet e asaj kohe.

“Pjesë e marrëveshjes ishin edhe çështje të tjera, si asistenca teknike dhe financiare”, shprehet ajo.

Në vitin 2014, Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë nga Ukraina dhe nxiti një lëvizje separatiste në rajonet lindore të Ukrainës. Në vitin 2022, filloi sulmin në shkallë të gjerë.

Në një deklaratë të fundit, Ministria e Jashtme e Ukrainës e cilësoi Memorandumin e Budapestit “një dëshmi të dritëshkurtësisë në vendimmarrjen strategjike të sigurisë”. Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha solli një kopje të memorandumit në takimin e NATO-s para disa ditësh.

“Ky dokument, ose kjo letër, dështoi që të ruante sigurinë e Ukrainës dhe sigurinë trasnatlantike. Ndaj, duhet të shmangim përsëritjen e gabimeve të tilla”, u shpreh ministri Sybiha.

Kievi thotë se e vetma garanci reale për sigurinë e Ukrainës dhe pengimin e agresionit të mëtejshëm rus ndaj saj, është anëtarësimi i Ukrainës në NATO.

Petro Poroshenko, udhëheqës opozitar dhe ish-President i Ukrainës, ndan të njëjtin mendim.

“Firmosja e një ftese për anëtarësim në NATO duhet konsideruar si një vazhdim i detyrimeve të partnerëve tanë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, që rrjedhin nga Memorandumi i Budapestit. Ky ishte një parakusht kur Ukraina hoqi dorë vullnetarisht nga aresnali i tretë më i madh bërthamor në botë”, shprehet zoti Poroshenko.

Si zonja Budjeryn dhe zoti Pifer thonë se në periudhën e memorandumit, Ukraina kishte nevojë për më shumë aftësi teknike dhe ekonomike për të ruajtur dhe zhvilluar arsenalin bërthamor, si një mekanizëm frenues për Rusinë.

Megjithatë, zonja Budjeryn thotë se Ukraina mund të kishte investuar më shumë në aftësitë e saj ushtarake konvecionale.

“Asnjë dokument i vetëm, sado ligjërisht i detyrueshëm, sado i shkruar mirë, nuk është një bazë e mjaftueshme për sigurinë kombëtare. Çdo vend duhet të investojë për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare”, shprehet ajo.

Zoti Pifer thotë se Memorandumi i Budapestit nuk është i vetmi dokument që rusët e nënshkruan dhe e shkelën, çka ngre pyetje në lidhje me marrëveshjet e ardhshme me Moskën.

“Ndodhi edhe në Traktatin Rusi-Ukrainë të vitit 1997 mbi Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Paqen. Ka patur disa dokumente të tjera ku qeveria ruse është shprehur qartë: “Ne e njohim Ukrainën në kufijtë e 1991.”

Shkeljet tregojnë gjithashtu brishtësinë e sistemit ndërkombëtar të sigurisë, thotë zonja Budjeryn.

“Efektshmëria e tyre varet nga shtetet që vëzhgojnë vullnetarisht, por po aq edhe nga shtetet që reagojnë në mënyrën e duhur ndaj shkeljeve.”

Zyrtarët rusë fajësojnë Ukrainën dhe partnerët e saj për shkeljen e Memorandumit të Budapestit, sepse, siç thonë ata, zgjerimi i NATO-s kërcënon interesat ruse të sigurisë.

“Ai u zhduk nga radari”, shtohen dyshimet se Assad mund të ketë vdekur pasi aeroplani i tij është rrëzuar

Ku gjendet Bashar al-Assad?
Kjo është pyetja që tani kërkon përgjigje, edhe pse edhe ato të gruas së tij Asma dhe dy fëmijëve të tyre – mbeten të panjohura.

Assad nuk ka folur në publik që nga avancimi i papritur i rebelëve një javë më parë, kur kryengritësit pushtuan Aleppon verior në një sulm të befasishëm përpara se të marshonin në një sërë qytetesh ndërsa vijat e frontit u shkatërruan.

Dhe dy oficerë të lartë të ushtrisë i thanë Reuters se ai fluturoi nga Damasku për një destinacion të panjohur më herët të dielën.

Një aeroplan i Sirisë Air u ngrit nga aeroporti i Damaskut rreth kohës kur kryeqyteti u raportua se ishte marrë nga rebelët, sipas të dhënave nga faqja e internetit Flightradar.

Aeroplani fillimisht fluturoi drejt rajonit bregdetar të Sirisë, një bastion i sektit alavit të Asadit, por më pas bëri një kthesë të papritur dhe fluturoi në drejtim të kundërt për disa minuta përpara se të zhdukej nga harta, shkruan Reuters.

Developing:

A Syrian IL-76T coming from Damascus lost fast altitude near Homs and possibly crashed west of that city. There are rumors that it was Assad‘s plane. pic.twitter.com/K6IvQILlsw

— (((Tendar))) (@Tendar) December 8, 2024

Megjithatë, Reuters shkruan se nuk mundi të zbulonte menjëherë se kush ishte në bord.

Por dy burime siriane thanë se ekzistonte një probabilitet shumë i lartë që Assad mund të ishte vrarë në një përplasje aeroplani pasi ishte një mister pse aeroplani mori një kthesë të papritur dhe u zhduk nga harta sipas të dhënave nga faqja e internetit Flightradar.

“Ai u zhduk nga radari, ndoshta transponderi ishte fikur, por besoj se probabiliteti më i madh është që aeroplani të jetë rrëzuar…”, citohet të ketë thënë një burim sirian pa dhënë detaje.

Ndërsa avancimi i rebelëve mori hov gjatë javës së kaluar, pati spekulime se ai mund të kërkonte strehim në Moskë ose te aleati tjetër i tij kryesor, Irani.


Send this to a friend