VOAL

VOAL

Me këto mjete dy burra nga Kosova tentuan të plaçkisin një bankë në Zvicër (fotot)

February 7, 2017

Komentet

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë                     (7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nga Nexhmije Mehmetaj

 

 

7 Marsi është një nga datat më të ndritura në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare. Në këtë ditë përkujtojmë hapjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë më 1887, një ngjarje që shënoi fillimin e një epoke të re për gjuhën dhe vetëdijen kombëtare shqiptare.

Në krye të kësaj shkolle ishte mësuesi Pandeli Sotiri, një nga pionierët e arsimit shqiptar, i cili së bashku me rilindësit e tjerë e kuptoi se pa gjuhën nuk mund të mbijetonte as kombi. Në kohën e sundimit osman, kur gjuha shqipe ishte e ndaluar të mësohej në shkolla, hapja e kësaj mësonjëtoreje ishte një akt i madh guximi dhe përkushtimi ndaj kombit.

Megjithatë, rrënjët e arsimit shqiptar janë edhe më të hershme. Që në mesjetë, shkollat pranë institucioneve fetare kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e dijes dhe të traditës kulturore. Në atë kohë, mësuesit shpesh ishin klerikët, një realitet i përbashkët për shumë popuj të Evropës.

Rilindësit shqiptarë e kuptuan qartë se gjuha është shpirti i një kombi. Pa të, nuk mund të ruhej identiteti, kultura dhe vetëdija kombëtare. Prandaj ata punuan me përkushtim për hapjen e shkollave shqipe, që fëmijët shqiptarë të mësonin të lexonin dhe të shkruanin në gjuhën e tyre amtare. Falë kësaj përpjekjeje të madhe, drita e dijes u përhap dhe gjuha shqipe u ruajt ndër breza.

Sot, më shumë se një shekull më vonë, ajo dritë vazhdon të ndriçojë. Mësuesit shqiptarë, kudo që ndodhen, vazhdojnë misionin e tyre fisnik për të përhapur dijen dhe për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe.

Një rol të veçantë në këtë mision e kanë mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë. Në Zvicër, në Gjermani, në Itali, në Amerikë dhe në shumë vende të tjera të botës, në klasat shqipe të vogla por plot jetë, dëgjohen sërish fjalët shqipe, lexohet alfabeti dhe këndohen këngë në gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve.

Aty, larg atdheut, mbillen farat e gjuhës shqipe. Janë fara të vogla, por me rrënjë të forta, që rriten në zemrat e fëmijëve dhe mbajnë gjallë lidhjen me identitetin dhe kulturën e tyre.

Prandaj 7 Marsi është më shumë se një festë. Është një ditë mirënjohjeje për të gjithë mësuesit shqiptarë që me përkushtim, durim dhe dashuri i shërbejnë gjuhës dhe arsimit shqiptar.

Sepse mësuesi/ja nuk u mëson fëmijëve vetëm shkronjat e alfabetit. Ai/ajo u mëson të duan gjuhën, kulturën dhe atdheun, rrënjët e tyre. Dhe sa kohë që kjo dashuri përcillet nga brezi në brez, gjuha shqipe do të jetojë gjithmonë.

Në çdo klasë ku mësohet shqip, mbillet një farë e identitetit tonë kombëtar. Dhe sa kohë që mësuesit vazhdojnë ta mbjellin këtë farë në zemrat e fëmijëve, gjuha shqipe do të jetojë përgjithmonë.”

Gjenevë, 6 mars 2026                           Nexhmije Mehmetaj

MISIONARËT E DIJES DHE TË ARDHMËRISË- Nga ARIF EJUPI

(Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, kjo poezi është një shenjë mirënjohjeje për misionarët e dijes që me përkushtim dhe dashuri formojnë brezat, pasurojnë gjuhën dhe ruajnë kujtesën historike
të kombit.)
.
Mësuesit janë dritë e syve tanë,
janë ata që errësirën e largojnë,
janë ata që plagët i shërojnë;
janë vetë jeta,
janë e vërteta.
.
Mësuesit janë unikë dhe besnikë,
mbjellin kudo respekt e dashuri.
.
Mësuesit lidhin brezat,
ndërtojnë ardhmërinë,
ruajnë trashëgiminë,
edukojnë rininë.
Mësuesit janë prindërit tanë të dytë,
janë ata që na i çelin sytë.
.
Mësuesit përgatisin akademikë,
profesorë, juristë, ekonomistë,
mjekë, inxhinierë, ushtarakë e pilotë.
.
Bekuar qofshin jetë e mot —
se ata hapin shtigjet, pasurojnë gjuhën,
kujtojnë historinë;
mësuesit janë porsi rrezet e diellit dhe yjet e qiellit.
.
Arif Ejupi
Gjenevë, 7 mars 2026

KUR KOSOVA HALLEMADHE KTHEHT MBARË Shkruan Abas Fejzullahi

Kosova ktheht mbarë, kur fjalët dhe premtimet e mira të kurvendarëve të Kuvendit të Kosovës dhe pushtshtetarëve në të gjitha postet dhe pozitatë, dëshmohen me vepra të mira.
Disa rrjedha dhe ngjarje të shëmtuara pas ndërhyrjes së NATO-së udhëhequr nga SHBA-së s‘bashku me UÇK-së liruan Kosovën nga pushtuesi shekullor serb dhe shpëtuan popullin shqiptarë nga shfarosja.

Pas hyrjes së forcave ushtarake të NATO-së në Kosovë dhe UÇK-së erdhi UNMIK-u si mbikqyrje civile*administrative* ndërkombëtare, ku përveq veprimeve të pakta pozitive, shumica e veprimeve ishin jo të drejta dhe në dëmin e Kosovës.

UNMIK-u vepronte kryesisht me Ligjet e ish Jugosllavis-Serbisë. Dëmet më të mdhja ndodhen në shumë drejtime si në arsim, kulturë e në ekonomi me veprimin e shtyllës së IV-të UNMIK-ut lidhur me Privatizimin e pasurive kombëtare të Kosovës, ku rrënuan bazën ekonomike dhe mundësuan keqpërdorimet në të gjitha drejtimet bashkë me lakmiqarët vendor vendosen krimin e organizuar ekonomik dhe politikë në Kosovë, me pasoja të rënda e afatgjate sidomos në ekonomi, arsim, kulturë, shëndetësi e në veçanti në fushën e Drejtësisë etj

Për fatin e keq të Kosovës, që nga Shpallja e Kosovës Republikë për herë të dytë më. 17.02.2008 nga kurvendarët e Kuvendit të Kosovës * pasi që nuk dëshmuan vullnetin e përbashkët e as vendosmëri për ta mbrojtur e jetësuar Republikën e Kosovës të Shpallur më 1990.09-07 në Kaçanik dhe Kushtetuten e saj të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, me flamurin Dardan* dhe himnin:“Kur ka ra kushtrimi në Kosovë“, monedhen Dardani, si dhe shenjatë tjera shtetërore dhe institucionale etj.

Në vitin 2000 ndodhen shumë ngjarje dhe veprime të shëmtuara nga disa individ, grupe e organizata vendore që thirreshin e lavdroheshin për bamet e tyre atdhetare që kryen veprime të shëmtuara të bindur apo të urdhëruar nga urdhëdhënësit e tyre apo bindjet idelogjike ku pat vërasje me maska, tinez e pas shpines të atdhetarëve të dëshmuar anë e këndë Kosovës hallemadhe dhe në diten me diell në mes të Prishtines i dhanë flakën edhe Flamurit Dardan, aq më shëmtuar që ende sot e kësaj dite kryesit e ktij veprimi, arsyetojnë pa arsye këtë veprim të shëmtuar me arsyetimet e tyre demagogjike.

Faktori ndërkombëtar tue i vërejtur këto sjellje dhe veprime të shëmtuara, miqët e vërtetë u befasuan dhe në veten e tyre ndienin habin dhe zhgënimin e armiqët e Kosovës kënaqeshin…

Kështu që më 17.02. 2008 Faktori ndërkombëtar ua solli një Kushtetutë që sot e kësaj dite është në fuqi me shumë të meta e mngësi. Si pasoj e ndarjeve dhe përçarjeve brenda faktorit politik shqiptarë në kohë dhe hapësirë. Me këtë rast po i përmendim vetem disa prej tyre:

Më shumë të drejta kanë 1-2% serb ardhacak kolonizator të cilët kanë kryer krime gjatë luftës ndaj shqiptarëve dhe tani kanë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës përmes Listes Serpska, dhuratë nga ish pushtetarët karrjerist të Kosovës dhe si kurvendarë zënë vend në Kuvend, sikur të ishin 20 apo 30 % dhe kurvendarët e tyre me vende të rezervuara haptas e mohojn dhe kundërshtojnë Pavarësinë e Kosovës, paguhen nga taksapaguesit shqiptarë e të tjerë, qe 25 vite shumica e tyre në veri s‘paguajn, rrymen, ujin dhe tatimin, këto borgje të tyre i kanë paguar deri tash qe 25 vite taksapaguesit tjerë të Kosovës dhe ata haptas veprojnë kundër Kosovës, kanë kryer sulme terroriste ndaj Kosovës në Banjskë, udhëhequr nga kryekrimineli Mallan Radojqiçi që tani jetojnë në përkujdesjen dhe mbrojtjen e shtetit dhe udhëheqësisë serbe.

KURVENDARËT E Listës serbe themelu nga ish pushtetarët e Kosovës, paguhen nga taksapaguesit e Kosovës vazhdimisht shkojnë për këshillime dhe veprime në Serbi me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiqin apo institucionet e Serbisë, dhe kanë të drejten e pengimit të vendimeve me rëndësi kambëtare për Kosovën siç u pa edhe tani mungesa e tyre si zakonisht në Kuvend kur kërkohen shumica e votave për ndonjë votim me rëndësi për Kosovën.

Tue pa lëshimet e gabimet e vendorëve karrjerista e lakmiçarç për pushtet e pozita, të ndarë e përçarë, ndërkombëtarët ua sollën në Kuvend një flamur që është sot simbol i Kosovës, dhe askush nga ata atdhetarët me za e me nam që propogandonin atdhetarizmin e tyre, se çeli kush gojën për Flamurin kombëtarë që e bartnin kudo e kahdo e vend e pa vend e lere ma me pyet për Flamurin Dardan që e dogjen për diten me diell në Prishtinë dhe krenoheshin e festoni kur digjej flakë..!

Ndërkombëtarët, ua sollën në Kuvend, Himnin me muzik pa tekst « sikur që shqiptarët janë memec e nuk mund të këndojnë himnin“ askush s’bëni pyetje apo kërkesë për:“ Himnin Dardan: KUR KA RA KUSHTRIMI NË KOSOVË“ me muzikë e tekst mjaft përmbajtësor!

Me Kushtetuten në fuqi Kosova s‘ka të drejtë REFERENDUMI, për çështje me rëndësi kombëtare.

Për të ndryshuar gjendja e rëndë e rrjedhave politike në Kosovë duhet ndërruar dhe plotësuar të
metat në Kushtetutë dhe ligjet me dy apo më shumë kuptimsi:

Dhe si përfundim duhet bërë këto ndryshime në Kushtetutë:

1. E drejta e votimit gjithëpopullor Referendumit për çështje të rëndësisë kombëtare.
2. Kryetari-ja e shtetit të zgjidhet me vota nga populli, me Referendum.
3. Të ndërrohet Ligji Zgjedhor që është kërkuar edhe nga BE që partitë politke se kanë bërë me qëllim që vetë të zgjedhin kandidatët për kuuvend atyre që u duhen dhe të jenë vazhdimisht në pozita dhe pushtet pothuajse të njejtit vite me rradhë.
4. Të vendosen Zonat zgjedhore dhe kandidatët e paraqitur për kuvend secila zonë që i njef i paraqet dhe i voton, sepse kandidati-ja që merr vota nga e tërë Kosova në emer të ndonjë familjari me zë apo të ndonjë dëshmori a heroi-ne është e pa drejtë apo edhe nga një familje dy apo më shumë kandidat apo pas babait apo nënës të vie i bri apo e bija siç po ndodh në Kosovë e ndodhë që në vendlindje nga është kandidati-ja, që e njohin se kush është si merr votat as nga fqinjet e ndoshta as nga familjarët.
5. Që Kurvendarët-et që nuk marrin pjesë në votime në Kuvend, lëshojnë Kuvendin të dënohen me të holla dhe në përsëritjen e veprimeve të tilla dy apo tri herë t’i mirret e drejta si kurvendar-e.
6. Për fyerje, sharje, shpifje,në Kuvend mes kurvendarëve të ndëshkohen materilisht me rregullore
dhe nëse përsëriten sjelljet e tilla t’i mirret mandati për shpifje nëse nuk dëshmon me të dhëna për
rëndimet dhe shpifjet e bëra.
7. Për secilin-en kurvendar-re të hulumtohet pasuria e luajtshme dhe e pa luajtshme në vend dhe jashtë vendi dhe vërtetimi se nga është prejardhja e pasurisë në mënyrë ligjore apo jo ligjore pasuria t’i mirret e të ndjekt penalisht dhe t’i mirret mandati.
8. Çdo kurvendar-re brenda javës duhet me shkrim të paraqet punën se çfarë ka bërë dhe ajo të vërtetohet nga komisioni i veçantë.
9. Çdo kurvendar-re që thenn rregullat e mirësjelljes në Kuvend të dënohet nëse tri herë përsëritë të
njejtat veprime t’i mirret mandati.
10. Pa ndryshime në Gjyqësor dhe Prokurori që e mbrojnë Drejtësin e lufton krimin e organizuar politik dhe ekonomik s’ka me pasur as përparim e as Drejtësi në Kosovë në asnjë drejtim.

Dita e Pavarësisë së Kosovës u kujtua në Gjenevë me një koncert të Artistëve të mirënjohur Ramë Lahaj dhe Marigona Qerkezi Nga Nexhmije Mehmetaj

Shënimi i Pavarësisë së Kosovës në Gjenevë: Diplomacia Kulturore si Instrument i Përfaqësimit Shtetëror” nën organizimin e Konsullatës se Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë

Të hënën, më 23 shkurt 2026, në një nga sallat madhështore të Victoria Hall, në zemër të Gjenevës, u mblodhën shqiptarë dhe zviceranë për të shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Në këtë ndërtesë të gurtë, që ruan hijeshinë e arkitekturës së shekullit XIX dhe frymën aristokratike të jetës kulturore evropiane, u përjetësua një mbrëmje që i dha zë dhe dritë një ëndrre të kahershme – pavarësisë së Kosovës.

Në një hapësirë ku zakonisht kumbojnë simfonitë e mëdha të muzikës botërore, kësaj radhe jehona ishte shqiptare. Ishte jehona e 17 Shkurtit 2008, dita kur Kosova u shpall shtet i pavarur, duke vulosur sakrifica brezash dhe duke hapur një kapitull të ri në historinë e saj.

Një mbrëmje mes diplomacisë dhe artit

Një element thelbësor i kësaj mbrëmjeje solemne ishte roli organizativ dhe përfaqësues nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, e cila, si institucion shtetëror, konceptoi dhe realizoi me përkushtim këtë manifestim në nder të përvjetorit të pavarësisë. Nën drejtimin e saj, aktiviteti nuk ishte vetëm një ceremoni festive, por një akt i mirëfilltë diplomacie kulturore, ku përmes gjuhës së artit dhe fjalës institucionale u promovua identiteti shtetëror, historia dhe vizioni evropian i Kosovës. Organizimi në një hapësirë evropiane prestigjioze si Gjeneva dëshmoi seriozitetin institucional dhe përkushtimin për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare, duke forcuar njëkohësisht lidhjet me diasporën dhe partnerët zviceranë.

Programi ishte konceptuar në dy pjesë: njëra me fjalën diplomatike, solemne e përfaqësuese; tjetra me gjuhën universale të muzikës klasike, që prek shpirtin përtej kufijve.

Të pranishmëve me fjalë mirëseardhjeje iu drejtua Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, nikoqire e kësaj mbrëmjeje mbresëlënëse. Fjala e saj përçoi krenarinë për rrugëtimin e shtetit të ri, falënderimin për miqtë zviceranë dhe mesazhin e qartë se Kosova sot është një realitet i konsoliduar në familjen evropiane.

Me përshëndetje të veçantë u adresua edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, i cili theksoi rëndësinë e miqësisë kosovaro-zvicerane dhe rolin e diasporës shqiptare në forcimin e kësaj ure bashkëpunimi.

Këtë ngjarje festive e nderuan me praninë e tyre figura të rëndësishme nga jeta diplomatike, kulturore dhe institucionale, si:

· znj. Megi Fino, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë;

· z. Ermal Dredha, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër;

· znj. Vasilika Hysi, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Gjenevë;

· znj. Ana Roch, Presidente e Këshillit të Madh të Kantonit të Gjenevës;

· z. Frédéric Borloz, Këshilltar Shtetëror i Kantonit të Vaudit;

· znj. Marjorie de Chastonnay, Këshilltare Administrative e Qytetit të Gjenevës;

· z. Musa Kamenica, Kryetar i Këshillit Komunal të Qytetit të Lozanës, si dhe personalitete të tjera nga jeta publike zvicerane dhe ndërkombëtare.

Pjesa protokollare u udhëhoq me finesë dhe profesionalizëm nga znj. Artina Fejzullahu, e cila i dha rrjedhë natyrshme dhe elegante ceremonisë.

Kur arti flet shqip në zemër të Evropës

Theksin më të veçantë të mbrëmjes e dha koncerti solemn – një përjetim artistik që e ngriti emocionin në dimensione të rralla. Tenori i mirënjohur Ramë Lahaj dhe sopranoja e jashtëzakonshme Marigona Qerkezi i dhanë dinjitet dhe madhështi kësaj nate festive.

Me interpretimin brilant të perlave të muzikës klasike botërore dhe shqiptare, ata krijuan një atmosferë të ngrohtë, fisnike e thellësisht emocionuese. Zëri i tyre depërtoi në çdo cep të sallës, duke dëshmuar se arti shqiptar jo vetëm që është pjesë e kulturës evropiane, por e pasuron atë me ndjeshmëri, forcë dhe identitet.

Një nga kulmet e mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Në atë çast, emocionet vërshuan vrullshëm. Të pranishmit u ngritën në këmbë, duartrokitën gjatë dhe shumë prej tyre iu bashkuan këngës, duke e shndërruar sallën në një kor të madh shqiptarësh e miqsh të Shqipërisë dhe Kosovës. Ishte një moment bashkimi shpirtëror, ku historia, kultura dhe krenaria kombëtare u shkrinë në një.

Një kujtim që mbetet

Ajo mbrëmje, në qytetin evropian të Gjenevës, do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve. Ishte më shumë se një përvjetor. Ishte një dëshmi se Kosova, e

përfaqësuar me dinjitet, kulturë dhe profesionalizëm, di të ndërtojë ura miqësie dhe respekti.

Teksa largoheshim nga salla madhështore e Victoria Hall-it, fjala më e dëgjuar ishte: “Faleminderit, znj. Floreta Kabashi! Të lumtë! Sa të mrekullueshëm ishit!”

Sepse kur Kosova përfaqësohet me njerëz të përkushtuar, me kulturë dhe dinjitet, ajo shndërrohet në një ambasadore të denjë të vlerave shqiptare në zemër të Evropës.

Gjenevë 25.02. 2026 Nexhmije Mehmetaj

 

KUR RRUGA BËHET MORT- Poezi nga ARIF EJUPI

Ishe nisur për në Atdhe,
më gëzueshëm se asnjëherë,
me zemrën plot dashni e mesazhe
të ngrohta për familjarë, shokë e miq.
.
Fluturoje porsi zogu drejt folesë.
Orë e ligë, mbështjellë me pëlhurë katrani,
befas të përpiu.
.
Kulla në Hertizë të pret me portat hapur
dhe rrëfimet e gjyshit mbi të bëmat e Azem Makollit
Mijëra njerëz me fytyra të vrenjtura
dhe lot nëpër faqe,
luten për shpirtin tënd të bardhë,
që nuk e priti Nëntorin e tridhjetë e nëntë.
.
Dashnia prush për Atdhe,
ty dhe shumë të tjerë,
në rrugët gjarpërore të Evropës,
tinëzisht u ka marrë.
.
Ngadhnjim Sheholli, djalë i rritur në kurbet,
me dashninë sa bjeshka për Dardaninë,
sot tokë e qiell qajnë për ty.
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 24 shkurt 2026

Një jetë mes idealit dhe tragjedisë- Nga ARIF EJUPI

Nga dimrat migjenianë të viteve ’70 deri te dhimbja e një aksidenti fatal në mërgim

 

U rritëm me varfëri e mungesë të gjërave elementare.
Na mbante gjallë vetëm shpresa se pas stuhive vjen kthjellimi. U shkolluam me një racion buke, me opinga llastiku që digjnin lëkurën e dëmtonin ashtin. Por, vullneti i çeliktë mposhte vuajtjet dhe
skamjen e dimrave migjenianë.
Në vjeshtën e vitit 1974, me gëzim e entuziazëm nisëm mësimet në Gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës. Ishte kohë ëndrrash. Arsimtarët tanë, të rinj në moshë e të mëdhenj në përkushtim, na dhanë jo vetëm dije, por edhe dinjitet. Atmosfera ishte familjare. Ndamë libra, ndamë bukë, ndamë ëndrra. Luajtëm futboll, hendboll e basketboll. Çdo gjë e kishim bashkë.
Pastaj erdhën vitet e zymta. Fillimi i viteve ’80 solli dhembje e lot. Autonomia u suprimua, shkollat u mbyllën, festat u ndaluan, ekzistenca jonë u mohua. Por edhe nën hijen e tytave, përpiqeshim të
gatuanim kulaçin e mbijetesës.
Në këtë stuhi që përfshiu Kosovën, u goditën sidomos ata që mbanin gjallë dritën e dijes.
Ndër ta ishte edhe Fetah Rrustem Sheholli nga Hertica e Llapit, profesor shumëvjeçar në Gjimnazin “8 Nëntori”. Ai nuk e braktisi vendin për luks. E detyruan. E detyroi dhuna, sepse këmbëngulte që gjuha
shqipe të jetonte – qoftë edhe në shtëpi-shkolla. Më 1 maj 1994 u keqtrajtua rëndë fizikisht.
Së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij 6-vjeçar, Ngadhënjimin, mori rrugën e mërgimit drejt Zvicrës.
Por mërgimi nuk ia ndërpreu misionin. Fetahu vazhdoi të punojë me fëmijët shqiptarë në kantonin Aarau deri në pension. U bë shtyllë e arsimit plotësues. Po ashtu, për dy mandate, udhëhoqi me sukses
shoqatën bamirëse “Ali Ajeti” në Olten.
Ai besonte se arma më e fortë e një kombi është shkolla dhe solidariteti ndaj njëri-tjetrit.
Këtë besim ua përcolli edhe fëmijëve. Ngadhënjim Sheholli u rrit me librin në dorë dhe me amanetin se Atdheut i duhen njerëz të arsimuar e të përkushtuar ndaj tij. Kreu studimet për Jurisprudencë në
Universitetin e Zyrihut dhe u bë ekspert në fushën e tij.
Ishte fryt i sakrificës prindërore. Ishte dëshmi se mundi nuk shkon kot. Por jeta, e paparashikueshme dhe e pamëshirshme, ndërpreu rrugëtimin e tij.
Në moshën 38-vjeçare, në rrugët e Austrisë, një aksident i rëndë komunikacioni i mori jetën Ngadhënjimit, në kulmin e pjekurisë. Ai la pas dy djem jetimë, bashkëshorten me dhembjen plumb në zemër dhe prindërit që do ta kujtojnë me lot e mall.
Jeta, me të fshehtat dhe të papriturat e saj, lëndoi rëndë prindërit e Ngadhënjimit, të cilët kishin përballuar varfërinë, represionin, rrahjen, mërgimin – e tani u përballën me goditjen më të rëndë:
humbjen e djalit.
Vdekja është gjithmonë e rëndë.
Por vdekja larg Atdheut – është plagë që nuk mbyllet kurrë.
Ngadhënjimi iku, por mbeti dëshmia e një brezi që besoi në dije, në punë dhe në ideal.
Mbeti kujtimi i një jete që u rrit mes sakrificës dhe u ndërpre padrejtësisht në kulmin e saj.
Ky mort që prek deri në palcë na imponon edhe pyetjen:
Sa shumë duhet të paguajë një familje shqiptare për të jetuar me dinjitet?
ARIF EJUPI
Gjenevë, 23 shkurt 2026

Dita e përjetësisë (Kushtuar nxënësve të mi të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, të viteve 1995–2000)- Nga ARIF EJUPI

Në blirin pranë
kullës bletët zukasin,
bilbilat këndojnë, zogjtë cicërojnë,
pëllumbat lirshëm fluturojnë.
.
Dallëndyshe e lejlekë
kthehen në folenë e vjetër,
kudo dëgjohen daullet
dhe bie pandërprerë çiftelia,
hareshëm hedh vallen rinia.
.
Kosovën më 17 shkurt 2008
e bekoi Perëndia.
.
Nga mbarë bota vjen urimi,
në fytyrat e njerëzve shihet
gëzimi.
.
U këndohet SHBA-ve
dhe ushtarëve të lirisë
që Kosovës ia vunë
themelet e shtetësisë.
.
Uron nëna djalin
e djali nënën,
me shpresën që së shpejti
do të bashkohet Prishtina me Tiranën.
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 17 shkurt 2026

Shqiptarët e Gjenevës në përvjetorin e Festës Kombëtare të Pavarësisë – 17 Shkurt 2008 Nga Nexhmije Mehmetaj

Shqiptarët e Gjenevës në përvjetorin e Festës Kombëtare të Pavarësisë – 17 Shkurt 2008

Ditën e mërkurë, më 18 shkurt 2026, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë, u organizua një veprimtari festive me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Ky përvjetor i rëndësishëm i shtetësisë sonë mblodhi së bashku nxënësit e shkollës shqipe të mësimit plotësues në Gjenevë, mësuesit e tyre të përkushtuar, prindër, familjarë dhe bashkatdhetarë.

Atmosfera festive ishte e ngrohtë dhe plot emocion. Fëmijët, të veshur me ngjyrat e flamurit dhe me simbolet e atdheut, mbushën sallën me buzëqeshje dhe energji fëmijërore. Të gjithë ishin mbledhur për të festuar së bashku këtë datë historike, që për shqiptarët përfaqëson kurorëzimin e një rrugëtimi të gjatë sakrificash dhe përpjekjesh për liri.

Nxënësit u pritën me përzemërsi nga Konsullja znj. Floreta Kabashi, Udhëheqëse e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë. Në fjalën e saj përshëndetëse, ajo përgëzoi fëmijët për ndjekjen e shkollës shqipe dhe për përkushtimin në mësimin e gjuhës amtare – gjuhës së të parëve, gjuhës së identitetit dhe të shpirtit kombëtar. Ajo theksoi rëndësinë që brezat e rinj, edhe pse larg atdheut, ta ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare si pasuri të çmuar.

Në këtë përvjetor u rikujtua se sa shumë luftë, sakrificë dhe qëndresë i është dashur popullit tonë për të fituar lirinë dhe pavarësinë. U shtrua natyrshëm pyetja: A duhet që fëmijët tanë ta njohin historinë e Kosovës? Përgjigjja ishte e qartë. Mësimi i drejtë dhe i vërtetë i historisë sonë i ndihmon ata të kuptojnë rrënjët e tyre, të respektojnë sakrificën e brezave paraardhës dhe të ndërtojnë me dinjitet jetën në shoqërinë ku jetojnë. Fëmijët tanë duhet të dinë se populli shqiptar ka luftuar me heroizëm e vetëmohim, ashtu si çdo popull tjetër që ka synuar lirinë dhe dinjitetin e vet.

Pjesa artistike e programit i dha festës një gjallëri të veçantë. Nxënësit recituan poezi kushtuar atdheut, kënduan këngë dhe mbajtën një garë diturie. Mësueset shprehën emocionin e tyre duke theksuar se kjo ishte një pasdite e organizuar me shumë dashuri, ku fëmijët patën mundësinë të shpalosin talentin dhe përgatitjen e tyre.

Mësimi i gjuhës shqipe në Gjenevë, ashtu si në mbarë Zvicrën, zhvillohet nën organizimin e shoqatës Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” shkurt LAPSH. Kjo organizatë ka dhënë një kontribut të çmuar ndër vite për të qenë sa më pranë vogëlushëve shqiptarë që jetojnë larg atdheut, duke u krijuar mundësinë të mësojnë gjuhën, historinë dhe kulturën kombëtare.

Gjeneva zë një vend të veçantë në historinë e arsimit shqip në diasporë. Pikërisht në këtë qytet ka filluar për herë të parë mësimi plotësues i gjuhës shqipe më 26  shkurt 1988, me mësuesen Hidajete Dërmaku dhe mësuesin Sejdi Sopa. Ky muaj shkurt, përkon me 38-vjetorin e këtij misioni fisnik, që ka ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar ndër breza.

Në këtë ditë feste e krenarie, të pranishmit jo vetëm që përkujtuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por edhe festuan vazhdimësinë e një pune të palodhur arsimore e atdhetare në mërgatë. Urojmë që shkolla shqipe në Zvicër dhe në Gjenevë të vazhdojë me suksese rrugëtimin e saj, duke mbetur një vatër e gjallë e gjuhës, kulturës dhe dashurisë për atdheun në zemrat e fëmijëve tanë.

Gjenevë, 19. 02. 2026                                 Nexhmije Mehmetaj

NE DHE ATA (Poemë liriko-epike kushtuar minatorëve të Trepçës)- Nga ARIF EJUPI

Ne,
me durim e urtësi, nëpër dekada
kemi gjurmuar
në çdo damar të nëntokës
së Stantërgut, Hajvalisë, Artanës dhe Goleshit.
Me duar të përgjakura,
buzë të shkrumbuara
e fytyra të nxira katran
nga pluhuri, bloza e balta,
kemi ushqyer djajtë e kuq.
.
Ne,
me litarët e lidhur në bel
dhe vdekjen më afër
se këmisha në trup,
kemi jetuar
në zgafellet e errëta
si zogjtë në kafaz.
.
Ne,
që jemi flijuar për të tjerët,
jemi trajtuar
si skllevër të damkosur.
.
Ata,
që na kanë shfrytëzuar deri në palcë,
na kanë ofenduar
e denigruar.
.
Ata
na kanë mbajtur
shtatë ditë e shtatë net
të ngujuar si kafshët në thark,
pa ngrënë
e pa pirë.
.
Ata
e kanë përgjakur Kosovën,
e ne jemi munduar
t’ia ruajmë fytyrën
dhe t’ia pastrojmë plagët.
Me llambën e Diogjenit në ballë
e kazmën në duar,
kemi shkruar
në çdo shkëmb e gur
historinë e Kosovës.
Të 1300,
aq sa ishim,
prej thellësive 900 metërshe të nëntokës,
i kemi thirrur
lirisë së Kosovës.
.
Ata,
që na pinë gjakun
e na gërryen edhe kockat,
të dëshpëruar me ne,
na burgosën,
na rrahën,
na përzunë
pa rroba në trup
nga vendet tona të punës;
menduan
se na shuan fare.
Por ata harruan
se ne,
me urtësi e dinjitet,
u bëmë
roje e Atdheut.
.
Ata,
të turpit.
.
Ne,
të së vërtetës.
.
Ata,
të shkatërrimit të vetvetes.
Minatorë të Stantërgut,
Hajvalisë, Artanës dhe Goleshit —
rrënjë, trung dhe fryt
i pemës komb,
heroizmi juaj
u kujtoftë
për jetë e mot!
.
Arif Ejupi
Gjenevë, 20 shkurt 2026

FISNIK E DINJITAR- Poezi nga ARIF EJUPI

Fëmijë i urtë e i bukur,
djalë ambicioz e vizionar,
burrë mendjendritur e korrekt,
prind e gjysh shembullor,
pedagog unik — si qiri në errësirë.
.
Modest e i çiltër në fjalë,
i drejtë ndaj secilit,
me të vetmin “ves”: tradhtinë nuk e fal kurrë.
.
Krenar me Ju —
si dikur, ashtu edhe sot.
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 27 janar 2026
P.S.
Ky portret me pak fjalë shpreh respekt të thellë njerëzor ndaj Presidentit prof. dr. Fatmir Sejdiu,
pedagog universitar dhe figurë morale që ka lënë gjurmë të pashlyeshme kudo.

Personalitetit i mësuesit në Shkollat Shqipe të MP* faktor parësor në funksionimin dhe progresin e tyre Nga Nexhmije Mehmetaj

  1. Personalitetit i mësuesit në Shkollat Shqipe të MP faktor parësor në funksionimin dhe progresin e tyre

Mësuesi ka qenë dhe mbetet faktor kyç në funksionimin dhe progresin e çdo institucioni arsimor. Roli i tij shkon përtej thjesht transmetimit të njohurive – ai është një udhërrëfyes, motivues dhe një figurë kyçe që ndikon drejtpërdrejt në formësimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor të nxënësve.

Në rastin e shkollave shqipe të mësimit plotësues në diasporë, ky rol bëhet edhe më i ndërlikuar dhe sfidues, për shkak të specifikave të veçanta që ka ky sistem mësimor dhe që nuk mbështetet nga institucione arsimore shtetërore në mënyrën e duhur, çka e vështirëson më shumë punën e mësuesve. Përvoja e tyre e pasur ndonëse me vështirësi dhe sakrifica, është ndërtuar mbi baza atdhedashurie, përgjegjësie kombëtare dhe përkushtimi profesional, duke u bërë një model për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe jashtë trojeve shqiptare.

Sfidat dhe përkushtimi i mësueseve në shkollat shqipe të MP

Në Shqipëri dhe Kosovë, Ministria e Arsimit veç detyrave të tjera bën përgatitjen profesionale të mësuesve, vazhdon kualifikimin nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe standardizimit të Planit mësimor. Për fat të keq, kjo praktikë mungon në shkollat shqipe të mësimit plotësues jashtë atdheut.

Megjithatë, mësuesit e gjuhës shqipe të shkollave me mësim plotësues nuk janë ndalur së punuari për të zhvilluar më tej veprimtarinë e tyre. Ata kanë krijuar metoda të reja, kanë marrë përvoja nga kolegët, kanë shfrytëzuar burime alternative për të siguruar materialet mësimore.

Çfarë i bën të veçantë mësuesit e SHSHMP?

· Atdhedashuria dhe motivimi i drejtë – Mësimdhënia nuk është vetëm një profesion, por një mision për ruajtjen e identitetit kombëtar.

· Puna e tyre është vullnetare ose me mbështetje minimale financiare, megjithatë ata vazhdojnë të japin maksimumin për të ruajtur gjuhën shqipe dhe kulturën.

· Përshtatja me kushte të ndryshme mësimore, pasi shpeshherë fëmijët kanë nivel të ndryshëm të njohjes së

shqipes, duke bërë që mësuesi të përdorë qasje të ndryshme për secilin nxënës.

· Angazhimi për të krijuar materiale didaktike, pasi në shumë raste librat dhe materialet e përshtatura për këtë lloj mësimi mungojnë.

Që mësimi të jetë i suksesshëm dhe efektiv, mësuesi duhet të përmbushë të paktën dy kushte thelbësore:

1. Njohja e lëndës mësimore dhe Kurrikula mësimore

Mësuesi/ja duhet të jetë i përgatitur jo vetëm për përmbajtjen e temave mësimore, por edhe për mënyrën se si ai mund të transmetohet te nxënësit që janë rritur në një mjedis dygjuhësie( shqip në familje dhe gjermanisht apo frëngjisht në shkollë. Kurrikula duhet të përfshijë aspekte të gjuhës amtare, historisë së të parëve, gjeografisë së atdheut, kulturë muzikore dhe kulturë figurative. Nëpërmjet këtyre drejtimeve nxënësit do të marrin njohuri dhe do të fitojnë shprehi për të ruajtur veçorit e kombësisë së tyre.

2.Njohja e specifikave të klasës dhe individualizimi i mësimit

· Çdo klasë është unike dhe përbëhet nga nxënës me nivel të ndryshëm të njohjes së shqipes.

· Mësuesi duhet të zbulojë mënyrën më të mirë të të nxënit për secilin nxënës, duke i ndihmuar ata të ndihen të përfshirë dhe të motivuar.

· Nxënësit duhet të ndihen pjesë aktive e mësimit, të angazhohen në mënyrë interaktive dhe kreative, duke e bërë procesin mësimor sa më tërheqës.

Në të kundërt, mungesa e këtyre dy elementeve mund të çojë në dështim të mësimdhënies, ku fëmijët nuk e ndjejnë lidhjen me gjuhën dhe si pasojë, mund të humbasin interesin për të mësuar shqip.

Rëndësia e dimensioneve metodologjike në mësimdhënie

dhe në të nxënë

Personaliteti i mësuesit reflektohet në aftësitë e tij social pedagogjike dhe sociale, të cilat ndikojnë në motivimin dhe në gjithë përfshirjen e nxënësve. Për ta arritur këtë, mësuesi duhet të

përdorë metoda moderne dhe interaktive duke e vendosur nxënësin në qendër të procesit mësimor. Lë të ndalemi konkretisht në tre prej këtyre metodave:

1. 1. Të mësuarit me projekte – Përfshirja aktive dhe përdorimi praktik i gjuhës

Kjo metodë është veçanërisht e efektshme për nxënësit dygjuhësh, sepse: E bën mësimin më tërheqës dhe praktik, duke i ndihmuar nxënësit të lidhen emocionalisht me gjuhën. Ndihmon në ruajtjen e shqipes përmes aktiviteteve që lidhen me jetën e tyre në mërgim. U jep mundësinë të praktikojnë gjuhën aktive përmes hulumtimeve, shkrimeve, bisedave dhe prezantimeve. Përdor kohën e kufizuar në mënyrë më efikase, pasi nxënësit mund të vazhdojnë projektet edhe në shtëpi.

Shembuj konkretë:

· Nxënësit mund të përgatisin një album me fjalë dhe shprehje shqip, duke e pasuruar fjalorin e tyre.

· Mund të krijojnë prezantime mbi qytetet shqiptare, duke mësuar histori dhe kulturë.

· Intervista me prindërit/gjyshërit për të dokumentuar fjalë, tregime dhe kujtime nga Shqipëria/Kosova.

· Projektet e leximit – çdo nxënës lexon një përrallë ose tregim shqip dhe e rrëfen me fjalët e tij në klasë.

2. Të mësuarit me qendër nxënësin

Të mësuarit me qendër nxënësin – nxit për të punuar në mënyrë të pavarur. Kjo metodë ndihmon nxënësit dygjuhësh sepse:

-U lejon të zgjedhin tema që i interesojnë, duke i motivuar të angazhohen më shumë. -Ndihmon në zhvillimin e shkathtësive të komunikimit në shqip, duke u përqendruar në biseda të lira dhe diskutime.

-Zvogëlon ndrojtjen për të folur shqip dhe i inkurajon të shprehen më natyrshëm. E përshtat mësimin sipas niveleve të ndryshme të gjuhës, pasi disa nxënës mund ta flasin shqipen më mirë se të tjerët.

Shembuj konkretë:

· Nxënësit zgjedhin një fjalë të re shqipe çdo javë dhe e përdorin në fjali të ndryshme.

· Lojërat si “Gjej fjalën e fshehur”, enigmë me fjalë shqip dhe fjalor vizual.

· Shikimi i një videoje të shkurtër në shqip dhe diskutimi i saj në klasë.

· Rrëfimi i përvojave personale në shqip – siç janë pushimet në vendlindje ose festat familjare.

3. Të Mësuarit me grupe – Teknikë mbështetëse për bashkëpunim

Të mësuarit me grupe është një metodë mësimore ku nxënësit punojnë së bashku për të arritur një qëllim të përbashkët. Kjo metodë bazohet në ndërveprimin mes nxënësve, duke i inkurajuar ata të ndajnë ide, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.

Përparësitë:

· Rrit bashkëpunimin dhe aftësitë sociale

· Përmirëson aftësitë e komunikimit dhe mendimit kritik

· Ofron mundësi për të nxitur mësimin aktiv dhe të thelluar

· Ndihmon nxënësit të fitojnë vetëbesim përmes shkëmbimit të njohurive

Shembuj praktikë:

· Nxënësit ndahen në grupe për të analizuar një temë dhe më pas e prezantojnë përfundimin e tyre.

· Diskutime në grup për të zgjidhur probleme ose për të kryer eksperimente.

· Studime të rastit, ku secili anëtar ka një rol të caktuar në hulumtim.

Në përfundim

Mësuesi/ja në shkollat shqipe të mësimit plotësues në diasporë është më shumë sesa një edukator – ai është përçuesi i një gjuhe të folur. Personaliteti i tij, profesionalizmi dhe aftësia për të

motivuar nxënësit janë shtylla kryesore për suksesin e këtyre shkollave.

· Njohja e mirë e Kurrikulën dhe aftësitë gjuhësore të nxënësve.

· Zbatimi i metodave aktive dhe të përshtatura për mësimin në situata dygjuhësore shqip dhe frëngjisht apo shqip gjermanisht.

· Përdorimi i projekteve, lojërave dhe diskutimeve.

Kjo përvojë është çelësi për të ruajtur të gjallë gjuhën shqipe në zemrat e brezave të rinj të mërgatës sonë.

Gjenevë,  11.02. 2025                                    Nexhmije Mehmetaj

* MP Mësim Plotësues

Homazh për Z. Adil Pireva, njërit prej kryeorganizatorëve të demonstratave të vitit 1968- Nga ARIF EJUPI

Vdekja e Adil Pirevës, njërit prej kryeorganizatorëve të demonstratave të vitit 1968, është pritur me dhembje e pikëllim kudo. Adili, së bashku me kushëririn e tij Ilaz Ejup Pireva, ishin dënuar me burgim
të rëndë nga regjimi i atëhershëm i Jugosllavisë titiste.
Adili ishte ndër ata që, pa u menduar për pasojat, iu bashkua grupit organizator të demonstratave të 28 Nëntorit të vitit 1968.
Këto protesta, që rezultuan me të vrarë e të burgosur, dhanë edhe fryte të mëdha: pas dy vitesh u hap Universiteti i Kosovës në gjuhën shqipe dhe u legalizua përdorimi i simboleve kombëtare.
Ndërkaq, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, u avancua pozita e Kosovës në Krahinë Autonome si pjesë konstitutive e Federatës jugosllave.
Në këto arritje themelore për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës kanë hise Adil Pireva, asokohe gazetar i “Rilindjes” në Prishtinë, si dhe shokët e tij: Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Xheladin Rekaliu,
Skënder Kastrati, Afrim R. Loxha, Hasan Dërmaku, Skënder Muçolli, Hakif A. Sheholli, Sabit M. Syla, Ismail Dumoshi etj.
Kjo celulë studentësh dhe intelektualësh kishte si idhull Z. Adem Demaçi, i cili në atë periudhë po vuante dënimin në burgun famëkeq të Pozharevcit në Serbi, si dhe Metush Krasniqin, që gjithashtu po
e vuante një dënim të rëndë dhe të padrejtë në burgun e Nishit.
Adili, edhe pas vuajtjes së dënimit në kazamatet jugosllave, vazhdoi veprimtarinë e tij atdhetare, duke qenë krah të gjitha organizimeve që kishin të bënin me çështjen e Kosovës. Ai, qysh me themelimin e
Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetor të vitit 1989, ishte pjesë e strukturave udhëheqëse të saj. Po ashtu, në cilësinë e gazetarit të “Rilindjes”, kontribuoi me analiza dhe fejtone historike, duke
ndriçuar ngjarje të rëndësishme dhe të panjohura për opinionin.
Adili dhe pjesa dërrmuese e të burgosurve politikë të demonstratave të vitit 1968 dallonin nga grupet e tjera politike, sepse ishin të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe kishin kërkesa të qarta e të artikuluara.
Ata kërkuan vazhdimisht që Kosova të ishte e barabartë me republikat e tjera të Jugosllavisë, me status dhe të drejta të plota.
Edhe pse të izoluar e të përndjekur, ky grup idealistësh asnjëherë nuk u zmbraps dhe nuk u gjunjëzua. Solidarizimi me njëri-tjetrin, sidomos në kohët kur ishin të papunë dhe pa të ardhura, mbetet pika më e
ndritshme e këtyre atdhetarëve dhe burrave trima. Ata, duke u mbështetur te njëri-tjetri, ndanë edhe kafshatën e gojës.
Adil Pireva do të kujtohet përherë për kontributin e tij madhor dhënë çështjes së Kosovës. Varri i tij do të simbolizojë varrin e një burri të fortë e fisnik, i cili për lirinë e Kosovës dha gjithçka që kishte, pa
asnjë kusht e privilegj.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, për të cilën ishte i gatshëm në çdo rrethanë ta jepte edhe jetën!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 10 shkurt 2026

Send this to a friend