Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar në shëndetësi për luftën ndaj COVID-19 ka nisur protestën para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të pakënaqësive për mosmarrjen e pagave për gati tre muaj.
“Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim arsyeja”, “Në vend të motivimit është zhgënjimi”, “Heronjtë e pandemisë të harruar nga Qeveria e Kosovës”, “Rrezikova veten dhe familjen time për të të shpëtuar familjen tënde dhe si u shpërbleva?”,“Në vend të vlerësimit është injorimi”.
Këto ishin disa nga pankartat që mbanin në duar stafi mbështetës i infermierëve të cilët ishin të angazhuar në kohën e pandemisë COVID-19.
Ata kanë paralajmëruar ikjen nga Kosova.
“Zoti Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs gjermanishtes në ora 17:00”, thuhet në një nga pankartat që kishin në dorë.
Ata kanë thënë se ka gati tre muaj që kjo kategori e infermierëve nuk kanë marrë pagë, dhe kjo sipas tyre, është papërgjegjësi e institucioneve të Kosovës.
Nurie Ukaj, përfaqësuese e infermierëve në QKUK, ka thënë në një deklarim para gazetarëve, se protesta do të vazhdojë deri sa të marrin një përgjigje konkrete nga Ministria e Shëndetësisë.
Ajo ka thënë se disa punëtorë shëndetësor e kanë bojkotuar punën shkaku i pamundësisë financiare.
“Qëllimi i protestës është për mosekzekutimin e pagave dhe asnjëherë nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Momentalisht nuk largoheni prej këtu pa marr përgjigje zyrtare. Kemi bërë kërkesa shkresa e-maila po asnjëherë nuk kemi marr përgjigje përveç dje e kemi zhvilluar një takim me shefin e kabinetit, Kujtim Salihu krejt çka na ka thanë është që ka optimizëm. Ne punën e vazhdojmë njëjtë ka disa kolegë që e kanë bojkotuar arsye është pamundësia financiare për zhvillimin e mëtutjeshëm të punës”, ka thënë ajo.
E për t’iu bashkuar kësaj proteste aty ishte edhe Enlirat Duraku, infermier i rregullt në kuadër të sistemit shëndetësorë në vend.
Ai tha se stafit duhet ekzekutuar në kohën e duhur pagat, pasi që ka mundësi që dikush ende varet pikërisht nga kjo pagë.
“Pastaj edhe kontratat e punës, sepse sistemi shëndetësorë ka nevojë për ta dhe pacientët kanë nevojë për kujdesin tonë maksimal, andaj kërkesën e tyre për ekzekutim të pagave dhe vazhdim të kontratave e dimë se në sistemin shëndetësorë ka mungesa të mëdha sidomos për stafin mbështetës.Kemi kërkuar edhe nga ministri i Shëndetësisë, qoftë edhe nga Komisioni Parlamentar e Kuvendi që këta profesionistë të mbeten në punë përmes gjetjes së modaliteteve. Kërkesa e këtyre profesionistëve e i konsiderojmë si legjitime prandaj ne si organizatë e infermierëve i mbështesim në mënyrë të pakontestueshme.”, tha ai.
Duraku theksoi se s’kanë marrë ndonjë përgjigje, teksa tha se ministri Latifi kur flet për “ikjen e trurit nga Kosova”, e ka fjalën vetëm për mjekët.
“Sepse ai takohet me mjekët, por takimet ne infermierë zakonisht e çon ndonjë zëvendësues për dallim nga takimet me mjekët”.
E Qëndresa Berisha, infermiere tjetër nga stafi mbështetës shëndetësorë theksoi se shkaku i problemeve me kontrata dhe paga është detyruar që të nënshkruajë kontratë pune në Gjermani. Aktualisht, ajo është e angazhuar në qendrën e vaksinimit.
“Jemi që dy vite me kontrata mbi vepër, por jemi këtu edhe për shkak të mospagesave. Po maltretohemi me kontrata tre muaj, gjashtë muaj. Po ashtu pagesat tre mujore që janë vonuar, e shumë prej nesh kemi obligime personale gjithashtu kjo vonesa që është prej tre muajsh dhe kjo vazhdimësi e kontratave mbi vepra na ka shkaktuar që më shkëput kontratën. Unë p.sh e kam shkëputur që të zhvendosem më punu në Gjermani. Kisha kërkuar nga ministri i Shëndetësisë që nëse të gjitha gjërat i ka si ministër dhe është i ngritur kisha pas qejf me e pas edhe ndjenjën njerëzore”, shtoi ajo./eo
Një kamerë e vendosur në pjesën malore të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
Policia e Kosovës tha se ka gjetur të hënën dy kamera me panele diellore në kufirin lindor me Serbinë, për të cila dyshon se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistë të dyshuar.
Në një njoftim për media të martën, Policia tha se kamerat ishin vendosur në një rrugë malore nga fshati Ranillug i Kosovës, në drejtim të fshatit Konçul të Serbisë.
Policia e ka ndaluar në vendin e ngjarjes një 30-vjeçar, me shtetësi të dyfishtë: kosovare dhe serbe, thuhet në njoftim.
“Në vendin e lartcekur, është ndaluar edhe automjeti me targa serbe me drejtues J. S., 30 vjeçar… I njëjti dyshohet se aty ka shkuar për t’u kujdesur për kamerën që veç e kishin marrë më herët njësitet policore”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti i tij është sekuestrohet, sipas njoftimit.
Policia shtoi se i dyshuari e kishte përdorur “këtë automjet e kishte përdorur vetëm për kontrabandë të mallrave përmes rrugëve ilegale”.
Në korrik të vitit 2023, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, për arsye “sigurie”, kur tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe.
Në dhjetor, Policia e Kosovës hoqi qindra kamera në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Paraprakisht, ajo kishte hequr kamera edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug – komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër.REL
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Një kohë të gjatë kemi pranuar kërkesat tuaja për marrjen e një vendimi të këtillë. Ne duam t’ua lehtësojmë qytetarëve tanë problemet e përditshme, me të cilat ballafaqohen”, tha kryeministri Albin Kurti, përmes një adresimi në gjuhën serbe.
“Kalimi në patentë shofer të Republikës së Kosovës, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve”, njoftoi të martën Zyra e kryeministrit të Kosovës, në një komunikatë për media, në të cilën ishte bashkëngjitur linku me video-adresimin e Kurtit.
MPB-ja bëri të ditur se kalimi në patentë shofer RKS nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentës së shoferit, “por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.
Dokumentet që duhen përfshirë në aplikim, sipas MPB-së, janë letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës dhe origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS “në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se ky vendim hyn në fuqi me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.
Ditë më parë Bashkimi Evropian tha se mbetet në qëndrimin e shprehur më herët se në Kosovë mbështet vetëm një strukturë të vetme institucionale dhe administrative, sipas kornizës ligjore të Kosovës.
Por, në të njëjtën kohë, blloku u shpreh se çështja e institucioneve që mbështeten nga Serbia duhet të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill, kur u diskutua për çështjen e dinarit serb.
Gjatë takimit, pala serbe ka kërkuar që të gjitha institucionet serbe, që Kosova i konsideron ilegale, të vazhdojnë të financohen nga Beogradi deri në kohën kur të krijohet Asociacioni. REL
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ai i Bashkimit Evropian, EULEX, dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët më 7 maj.
E quajtur “Golden Saber 2024”, stërvitja do të zhvillohet në kampin Vrelo.
“Kjo stërvitje do ta testojë aftësinë tonë për të zbatuar procedura të përbashkëta të menaxhimit të krizave, në skenarë të ndryshëm sigurie”, tha KFOR-i përmes një komunikate për media.
Aty thuhet, po ashtu, se stërvitja do të përfshijë “një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe mjetesh që operojnë në të gjithë zonën e stërvitjes, si dhe në rrethinat e saj dhe përgjatë rrugëve kryesore fqinje”.
“Kjo stërvitje e përbashkët simbolizon përkushtimin tonë të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Duke i bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për t’i adresuar sfidat, si dhe përkushtimin tonë për të ruajtur stabilitetin rajonal”, tha KFOR-i.
Misioni paqeruajtës shtoi se pret që stërvitja të kryhet me sukses.
KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Nëse përzihen, tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.
Sipas një deklarate që lëshoi zyra e tij, Kurti i bëri këto komente në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” dhe se “procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit – vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”, thuhet në deklaratën për media.
Ditëve të fundit ka pasur raportime se Franca dhe Gjermania po përgatiten ta bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si rezultat i një fushate të bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kjo organizatë – lidere në Evropë për të drejtat e njeriut – pritet të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.
Në favor të Kosovës, muajin e kaluar, votoi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti iu tha përfaqësuesve ndërkombëtarë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe se i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Me letrën e garancisë, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, citohet të ketë thënë Kurti.
Tash për tash nuk ka ndonjë reagim nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, por ata, vazhdimisht, i kanë bërë thirrje Kosovës që të bëjë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke formuar fillimisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe./ REL
Ndalohen në Jarinjë dy persona me pasaporta ruse. Ata nuk kishin viza të Kosovës dhe dyshohet se kanë ardhur me anë të rrugëve ilegale, ka deklaruar policia e Kosovës.
“Jarinjë 05.05.2024-20:10. Raportohet se në dalje në SPK Jarinje janë hasur dy persona me pasaporta ruse një mashkull dhe një femer të cilet nuk kishin viza të Republikës së Kosovës. Pas verifikimit të personave, të njejtit nuk kishin hyrje/dalje në Republiken e Kosovës. Sipas tyre, të njejtit kanë ardhe nga Nishi i Serbsë dhe kanë përfunduar në SPK Jarinje, dyshohet se kanë ardhur rrugëve ilegale.”
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në arrest. sn
Ushtrisë së Kosovës i janë bashkangjitur disa snajperë të rinj.
Ata përmbyllën me sukses kursin bazë për snajper, duke u certifikuar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.
“Kursantët u trajnuan dhe u testuan në distanca dhe kalibre të ndryshme të qitjeve”, lexohet në një njoftim të FSK.
Zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Kolonel Ilir Shyti, në fjalimin e tij ndër të tjera përmendi që “profesionalizmi ushtarak është qenësor për zhvillimin e aftësive ushtarake sidomos për qitës në distanca të largëta”. Kjo vjen si një përpjekje e Kosovës për të fuqizuar më tej ushtrinë.
Disa ditë më parë, FSK përmbylli me sukses të plotë 3 stërvitje të ndryshme.
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të premten Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim, për shtytje në vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, para 17 vjetëve.
“I akuzuari E.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëzet e pesë vjet… për shkak të veprës penale nxitje në vrasje të rëndë”, tha Gjykata Themelore në një komunikatë më 3 maj.
Sipas aktakuzës, Sekiraqa e kishte nxitur Arben Berishën në vrasjen e Triumf Rizës më 30 gusht 2007, në Prishtinë.
Triumf Riza ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në këtë dënim, Sekiraqës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, sipas njoftimit.
Ai ka të drejtë të ankohet ndaj këtij dënimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, tha Gjykata.
Sekiraqa ishte dënuar dy herë me burgim për të njëjtat akuza në të kaluarën, në vitin 2016 me 37 vjet burgim, ndërsa më 2019 me 30 vjet burgim, por Apeli i rrëzoi secilin prej atyre dënimeve duke e kthyer dhe rikthyer rastin në rigjykim.
Më herët, gjykata e ka dënuar Arben Berishën, autorin e vrasjes së Triumf Rizës, me 35 vjet burgim. REL
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, pas kësaj ka reaguar duke publikuar dy fotografi.
Në një foto shihet përplasja e serbëve me trupat e KFOR-it, dhe ka shtuar edhe një fotografi tjetër të kreut të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot është vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit i papenguar nga askush.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, de-eskalimi ka ndodhur dhe shton se si rezultat i kësaj masat duhet të hiqen.sn
Sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të komandantit të UÇK-së Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorë e martirë që ranë në Drenicë për lirinë e Kosovës më 30 prill, 1999.
Në fjalën e rastit, presidentja Vjosa Osmani tha se heroi Kodra ishte “dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari”.
“Bashkë me të, jo vetëm që themeluan bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por zhvilluan trajnime në Shqipëri, për të qenë gati për ta mbrojtur atdheun”, tha Osmani.
Ajo theksoi se sulmet e regjimit gjenocidal të Serbisë mbi fshatrat e Drenicës, kishin për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.
“Përballë regjimit kriminal të Serbisë, Ilaz Kodra me bashkëluftëtarë qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësi dhe dinjitet shtetëror”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. /Klankosova.tv
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takoi sot në Prishtinë, nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Ađančić, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Nataša Tomanić dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojević.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, që erdhi pas vizitës dhe takimeve të shumta në Berlin në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Kurti diskutoi me tri nënkryetaret mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.
Nënkryetaret Ađančić, Tomanić dhe Bogojević thanë se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre dhe se një qëndrim të tillë do ta shprehin edhe në takime me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj nënkryetareve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve.
Ky ishte takimi i dytë në pak se dy javë që kryeministri Kurti ka pasur me tri nënkryetaret e komunave veriore, duke dëshmuar kështu interesimin dhe vullnetin e dyanshëm për komunikim të rregullt dhe bashkëpunim të afërt.- Zyra e Kryeministrit
Hartuesja e raportit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetja greke, Dora Bakoyannis, ka theksuar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në këtë organizatë.
Bakoyannis, ka thënë se “për të ardhur tek opinioni pozitiv, deputetja greke ka thënë se janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare”.
“Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka thënë Bakoyannis në një tekst autorial për “European Western Balkans”.
“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”.
Ajo ka shkruar për lidhjet e saj “speciale” me popullin serb. Duke mbrojtur raportin e vet me Serbinë, Bakoyannis ka thënë se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.
“Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për komunitetin serb në rajon, që për dekada, i ishte hequr e drejta për të ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, ka shkruar ajo.
Deputetja greke Bakoyannis ka përsëritur se në raport nuk ka dhënë qëndrim për shtetësinë e Kosovës duke thënë se po t’i kërkohej të shprehte mendim për shtetësinë, s’do ta kishte marrë përsipër përpilimin e raportit, pasi vjen nga Greqia që nuk e njeh Kosovën. Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb.
Bakoyannis ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për negocimin e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, më 2018.
“Pavarësisht faktit se negocimi i kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, me kë po negocion?), për çka unë e kundërshtoj, e kam konsideruar këtë akt trimërie nga presidenti Vuçiq dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është burim i paktë, por kritik në politikë dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve bazë të imagjinatës kombëtare”, ka shkruar Bakoyannis.
Raporti pozitiv i Bakoyannisit për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës pati marrë shumicën e votave në Asamblenë Parlamentare në prill. Tani pritet që për dy javë të mbahet votimi final në Komitetin e Ministrave, ku nevojiten 2/3 e votave për t’u pranuar si anëtare e plotë. /Telegrafi/
Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe nënkryetaren Saranda Bogujevci, bënë nderime pranë arkivolit të veprimtarit të çështjes kombëtare, ish-deputetit të Kuvendit, Ali Lajçi, në kuadër të ceremonisë së homazheve që po zhvillohet në hollin e Kuvendit.
Pas homazheve kryetari Konjufca nënshkroi në librin e zisë.
Homazhe bënë gjithashtu edhe kryeministri Albin Kurti me anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të institucioneve të tjera dhe qytetarë të shumtë.sn
Komentet