Thuhet se:-“… një fije kashte rrëzon gamilen e ngarkuar”•
Po kështu edhe një lëkundje e vogël apo top bore shkakton ortekun në maja malesh.
Por shkatërrimi pronave pa paralajmërim dhe pa një dokument të shkruar, të vulosur e të firmosur nga autoriteti dhe individi përgjegjës, janë vetë orteku.
Në qoftë se ne do të tërhiqeshim gjakftohtësisht nga fakti i kryer tashmë në Theth, ndoshta me qetësi do t’i bënim mirë sqarimit të çështjes. Nuk është frikë dhe nuk është aspak mbajtje krahësh. As edhe të qenit politikisht korrekt. Por është qëndrimi përballë fakteve me një barrë përgjegjësie po aq sa edhe ajo “fija e kashtës” që veçon korrupsionin nga shpina e shërbëtorëve të popullit që janë betuar mbi kushtetutë për t’i shërbyer popullit dhe atdheut.
Për Thethin tërësia e fakteve janë aty.
Çdo cilësim që nga natyra dhe begatia e saj, njerëzit, prona, besimi, historia, kultura dhe gjithshka tjetër që lidhet me Thethin dhe thethjanët, janë sa një pasuri po aq edhe dhimbje, sa krenari aq edhe marrëzi,… dhe sa pritshmëri për të ardhmen aq sa emocionet dhe shqetësimet e kanë mbingopur gjendjen deri në prag të një orteku.
Mjafton t’i hedhësh një sy ATSH-s dhe aty mund të gjesh kuota politikanësh e drejtuesish, por jo shembje me shpërthim strukturash ndërtimore. Ndryshe nga një fakt i fshehur një titull lajmi në një media shqiptare shprehte rezultatin që qeveria kërkonte më parë se sa si gjendja arriti deri këtu, ku shkruhej se:- “Shembet me eksploziv ndërtesa e fundit në Theth! Shpërthimi i komanduar përmbyll aksionin ndaj objekteve pa leje*…, dhe në vijim (… forcat xheniere kishin montuar kallëpet e eksplozivit në strukturë, ndërsa shpërthimi i komanduar u realizua me sukses, pa incidente), arrin të kuptosh se pushteti i medias për të kërkuar dhe bërë më thellë pyetje ka vdekur sepse është bërë njësh me qeverinë.
Jo vetëm ky titull, por dhe mjaft të tjerë gjatë 7-8 ditëve në media kanë derdhur aq “rreshje bore”, saqë paralajmërimin e një orteku nuk janë të aftë ta shikojnë dhe ta ndjekin.
Në cilin do rast përmendja e një emri, e një institucioni politik e administrativ apo edhe gjendja se ku ndodhet Thethi pas një fakti të kryer do të hiqte vëmendjen nga një argument kryesor që do t’i shërbente zgjidhjes së shëndetshme.
Duhet përsëritur kjo sepse faktet dhe dinamika për Thethin janë aty shekuj më parë, sikurse një vit më parë, apo edhe atë ditë kur “shpërthimi i komanduar përmbyll aksionin ndaj objekteve pa leje”.
Këto janë faktet!
Në qoftë se deri këtu çështja duket e zgjidhur dhe mbase dikujt i duket se pritet një fillim i ri është ajo që nuk duhet ta lërë të drejtën që ta humbasë betejën. Është analiza e një neni shumë të rëndësishëm mes të tjerëve në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Në plot përmbajtjen e vet kodi si një tërësi rregullash dhe udhëzimesh me dakortësinë e të gjitha palëve në Nenin 91, pika 4 shkruhet:
4- Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet
propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien
e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave,
pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale,
privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje
të fatkeqësisë natyrore.
Duke vlerësuar Kodin Zgjedhor ky shënim ngre çështjen se si interpretohet dhe kuptohet ky nen.
Pra çfarë kuptojmë të gjithë bashkë se; “Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet…” gjithshka tjetër nën këtë përkufizim kohor (para zgjedhjeve dhe deri në formimin e qeverisë pas zgjedhjeve), këto janë thelbi i fillimit të çështjes së Task Forcës për krimin zgjedhor nga ana e SPAK-ut.
Sa për të tjera fakte, lënda është aq e pasur sa që vetëm pas interpretimit të këtij neni media dhe publiku mund të informohen dhe edukohen për të nxjerrë të vërtetën pa bërë shënjestër palët në konflikt interesash.
Pikërisht mbi moralin e fabulës së lashtë “… një fije kashte rrëzon gamilen e ngarkuar” si dhe prej përvojës njerëzore, urtësia dhe ligji janë ato që do ta tregojnë rrugën e duhur. sikurse përmes gjykimit të drejtë dalin përgjegjësitë dhe pikërisht mbi to do të shtrohet pyetja:- A ka mes drejtësia shqiptare të shqyrtojë seriozisht një çështje si “Korriku Thethit 2025” vetëm mbi fakte në raportin shtetas dhe shtet apo qytetarë dhe qeveri?
Me t’u pranuar ky parashtrim për t’u arsyetuar, ngjarjet dhe faktet plotësuese do të hidhnin dritë mbi ngjarjet e rëndësishme. Ajo që ne nuk dimë deri tani është se:- A e ka parë dhe a e ka dëgjuar SPAK-u “shpërthimin e komanduar” në Theth?
Në qoftë se këto vepra janë mbështetur në akte ligjore e janë firmosur në institucione përkatëse dhe nga persona përgjegjës atëherë e vërteta do të triumfonte dhe shtetasit do të gëzonin të barazinë përpara ligjit.
___________
*ATSH
*Tema
17 Korrik, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)