AUSTRI- Günther Fehlinger-Jahn ka njoftuar kandidaturën e tij për postin e Presidentit Federal të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028. Kryetari i “Austrian Committee for NATO Enlargement” ka publikuar një video nga Muzeu i Vjenës, ku ka bërë një premtim të veçantë për Shqipërinë. Fehlinger-Jahn shprehet se, nëse do të zgjidhej president, do të punonte për rikthimin në Krujë të armëve dhe përkrenares së Skënderbeut.
“Si President i Austrisë, zotohem se do të rikthej në Krujë, Shqipëri, përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut, për të nderuar Mbretin Skënderbe,” shkruan Fehlinger-Jahn.
Fehlinger-Jahn, ekonomist dhe aktivist austriak, është prej vitesh një zë publik në favor të zgjerimit të NATO-s dhe BE-së, me fokus të veçantë te Ballkani Perëndimor. Ai është mjaft aktiv në rrjetet sociale, ku shpesh komenton zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Serbi, si dhe çështjet që lidhen me Rusinë, Ukrainën, NATO-n dhe Bashkimin Evropian./Dosja.al