VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kanadaja arreston një zyrtar të inteligjencës

By | September 15, 2019

Komentet

SpaceX dërgon në orbitë 60 satelitë të internetit

Prodhuesi amerikan i raketave, satelitëve dhe anijeve kozmike SpaceX, dërgoi në hapësirë 60 satelitë të tjerë që janë pjesë e rrjetit satelitor të internetit Starlink, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raketa Falcon u ngrit nga kompleksi “Space Launch Complex 40” në Stacionin e Forcave Ajrore “Cape Canaveral” në Florida.

Sipas Space.com, ky ishte lançimi e pestë i raketës Falcon 9, ndërsa pjesa e jashtme e saj e bardhë është djegur nga udhëtimet e saj të mëparshme në atmosferë.

Raketa u përdor më parë për lëshimin e grupeve satelitore Starlink dy herë, një herë grupet satelitore të komunikimeve “Iridium NEXT” dhe një herë një satelit komunikimi shtetëror kanadez.

Udhëtimi i parë “Crew Dragon” i SpaceX që transportoi dy astronautë amerikanë të NASA-s, Robert Behnken dhe Douglas Hurley, u arriti në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS) në muajin e kaluar.

Ata ishin amerikanët e parë që u lançuan nga një raketë amerikane nga toka amerikane në stacionin hapësinor pas gati një dekade.

Si pjesë e projektit Starlink, kompania planifikon të lançojë gjithsej 12 mijë satelitë të internetit deri në vitin 2027.

Siç theksohet në faqen e saj të internetit, kompania SpaceX e themeluar në vitin 2002, synon të revolucionarizojë teknologjinë e hapësirës, me qëllimin përfundimtar të aftësojë njerëzit të jetojnë në planete të tjera.

Trumpi, thirrje që Rusia t’i bashkohet G7-s

Marrë nga Reuters

Presidenti i SHBA Donald Trump tha të mërkurën tha se do të ishte “e logjikshme” të ftohej presidenti rus Vladimir Putin për t’iu ribashkuar Grupit të Shtatëshes, duke shtuar se do të ishte shumë më e lehtë për të zgjidhur çështje të ndryshme nëse Moska do të përfaqësohej në këtë grup.

“Shumë nga gjërat për të cilat ne flasim janë për Putinin,” tha Presidenti Trump në një intervistë për Radion Fox News. Ai tha: “Le ta kemi atë në sallë… për të zgjidhur gjërat”.

Fundjavën që kaloi, Presidenti Trump hodhi idenë e zgjerimit të G7s, i përbërë nga ekonomitë më të zhvilluara të botës, për të përfshirë edhe njëherë Rusinë, e cila u dëbua nga ky grup në vitin 2014 pas aneksimit nga Moska të rajonit ukrainas të Krimesë.

Dy udhëheqësit folën me telefon të hënën dhe diskutuan mbi mundësinë e mbajtjes së një samiti të zgjeruar të G7s më vonë gjatë këtij viti.

Kremlini ka thënë se do të kërkojë më shumë informacion në lidhje me ftesën e Presidentit Trump.

Udhëheqësi amerikan ka ftuar gjithashtu Australinë, Korenë e Jugut dhe Indinë.

Vende të tjera të G7s, përfshirë Kanadanë, nuk janë dakord me rikthimin e Rusisë ndërsa disa, si Japonia, ende nuk kanë shprehur mendim.

Gjermania tha të mërkurën se tani nuk është koha për të ndryshuar formatin e takimit.

Presidenti Trump e ka shtyrë takimin e G7s deri në shtator ose më vonë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Grupi përfshin SHBA, Japoninë, Britaninë, Francën, Kanadanë, Gjermaninë, Italinë dhe Bashkimin Evropian. zëri i amerikës

Bota solidarizohet me protestat kundër padrejtësive raciale në Amerikë

Protestuesit e gjunjëzuar në sheshin Trafalgar të Londrës

Protestat kanë shpërthyer në qytete në mbarë botën në solidaritet me demostratat “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara. Protestat pasojnë vdekjen e 46 vjeçarit afrikano-amerikan George Floyd ndërsa ishte i ndaluar nga policia në Mineapolist një javë më parë. Sikurse njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, shumë protestues jashtë Shteteve të Bashkuara thonë se ata shohin padrejtësi racore në shtetet e tyre.

Në qendër të Londrës, protestat e solidaritetit u tjetërsuan në dhunë të dielën ndërsa polica u përpoq të hapë një kryqëzim pranë parlamentit. Policia bëri 23 arrestime.

“Kemi dalë për të protestuar paqësisht ndaj padrejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar. Tani është çështje globale me rastin e George Floyd me gjithçka po ndodh në botë”, thotë një protestues.

Në Sheshin Trafalgar të Londrës, protestuesit brohoritën ‘George Floyd, thuaje emrin e tij’. Vdekja e tij, ndërsa ishte i ndaluar nga policia në Mineapolis javën e shkuar, nxiti demostrata në Londër dhe qytete të tjera në Evropë.

Demostruesit brohoritën ‘Nuk mund të marr frymë’ ndërsa marshuan pranë ambasadës amerikane. Protesta më të vogla shpërthyen në lagjet jugore të Londrës ku banojnë komunitete me pakica etnike.

“Kemi një pandemi botërore dhe njerëz të pafajshëm ende po brutalizohen. Kur ata të ndalojnë, kur polica të ndalojë brutalizimin e njerëzve me ngjyrë, atëherë do të ndalojmë”, thotë organizatorja e protestës Aba.

Protestat në Amerikë rezonojnë me komunitetet pakicë në Britani, thotë avokatja dhe aktivistja Shola Mos-Shogbamimu.

“Brutaliteti policor dhe profilizimi racor egziton në Mbretërinë e Bashkuar prej shumë kohësh. Kjo do të thotë për shumë njerëz me ngjyrë, kryesisht për të rinjtë, që ata janë vënë në shënjestër thjeshtë për shkak të ngjyrës së tyre të lëkurës. Aktualisht kemi më shumë dëshmi përmes filmimeve me telefonët celularë. Media sociale është bërë një platformë komunikimi për të gjitha të dhënat në mbarë botën në kohë reale.”

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ofroi reagimin e tij mbi protestat amerikane.

“Duam të shohim uljen e tensioneve dhe një qëndrim të përbashkët amerikan.”

Disa, përfshi shumë ligjvënës britanikë, argumentojnë se demostruesit po rrezikojnë jetët duke mos u përmbajtur rregullave për distancim fizik mes pandemisë së koronavirusit. Avokatja dhe aktivistja Shola Mos-Shogbamimu shprehet.

“Racizmi nuk ndaloi kur koronavirusi goditi planetin.”

Qindra protestues u mblodhën në Berlin gjatë fundjavës. Mbetjet e Murit të Berlinit u mbuluan me mbishkrime rreth vdekjes së George Floyd dhe kërkesave për drejtësi.

Disa mijëra njerëz marshuan në qytetin Aukland të Zelandës së Re të hënën në solidaritet me demostruesit amerikanë.

Ndërsa bota përballet me pandeminë e koronavirusit, dhe miliona njerëz janë të mbyllur brenda, ekonomia vazhdon një spirale të thellë në këto kohë të turbullta. Protestat në Shtetet e Bashkuara mbi brutalitetin e policisë kanë ndezur demostrata të ngjashme mes komuniteteve në mbarë botën.

Trump urdhëron dhënien fund statusit special të Hong Kongut

Washington

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi administratën e tij të premten t’i japë fund trajtimit preferencial të Hong Kongut sipas ligjit amerikan në shenjë kundërpërgjigjeje për vendimin e Kinës për të zbatuar një ligj të sigurisë kombëtare në territorin gjysmautonom, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë e udhëzoj administratën time që të fillojë procesin e eliminimit të përjashtimeve nga politika që i japin Hong Kongut trajtim të ndryshëm dhe të veçantë”, u tha Trump gazetarëve Shtëpinë e Bardhë, duke përmendur se direktiva do të përfshijë të gjitha marrëveshjet bilaterale me Hong Kongun, nga tregtia deri në ekstradim.

“Ne do të ndërmarrim veprime për të revokuar trajtimin preferencial të Hong Kongut si një territor i veçantë doganor dhe udhëtimi nga pjesa tjetër e Kinës”, shtoi ai.

Kongresi Popullor i Kinës, organi më i lartë legjislativ i vendit, miratoi zyrtarisht të enjten legjislacionin e sigurisë në Hong Kong. Aktivistët shprehin frikë se ky do të përdoret nga Pekini për t’i shtypur kundërshtimet në territor.

Hong Kongu, një rajon gjysmautonom në Kinë që nga viti 1997, vitin e kaluar u përfshi nga protesta disamujore kundër një vendimi për të legalizuar ekstradimin në territorin e Kinës.

Trump tha se me zbatimin e ligjit të diskutueshëm, Pekini “imponoi në mënyrë të njëanshme kontrollin mbi sigurinë e Hong Kongut”.

“Hong Kongu ishte i sigurt dhe i prosperuar si një shoqëri e lirë. Vendimi i Pekinit i ndryshoi të gjitha këto. Ai shtrin hapësirën e aparatit pushtues të Sigurimit Shtetëror të Kinës aty që më parë ishte bastion i lirisë”, tha ai.

“Kjo ishte një shkelje e qartë e detyrimeve të traktatit të Pekinit me Mbretërinë e Bashkuar në deklaratën e vitit 1984, dhe dispozitat e qarta të ligjit themelor të Hong Kongut”, shtoi Trump.

Kina ka akuzuar SHBA-në se po luan një “politikë pushteti dhe praktika të abuzimit”.

“Kina refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e pabazë të SHBA-së për mbledhje të Këshillit të Sigurimit. Legjislacioni për sigurinë kombëtare për Hong Kongun është thjesht çështje e brendshme e Kinës. Ajo nuk ka asnjë lidhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit”, shkroi në Twitter ambasadori i Kinës në OKB Zhang Jun.

Si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurisë, Pekini e pengoi trupin të mbante një takim zyrtar mbi Hong Kongun. Por SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar mbajtën një seancë joformale mbi ligjin e sigurisë së bashku me anëtarët e tjerë.

Kelly Craft, e dërguara e SHBA-së në OKB, tha në një deklaratë të lëshuar pas takimit se Kina “shkel transparencën dhe përmbush detyrimet dhe obligimet e saj ndërkombëtare vetëm kur është e përshtatshme”.

“Sot unë i bëra Këshillit një pyetje të thjeshtë: a do të marrim qëndrimin e nderuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe mënyrën dinjitoze të jetës që miliona qytetarë të Hong Kongut e kanë shijuar dhe merituar si të gjithë njerëzit liridashës, apo do të lejojmë që Partia Komuniste e Kinës të shkelë ligjin ndërkombëtar dhe të detyrojë vullnetin e saj mbi Hong Kongun, të cilët kërkojnë nga ne që të mbrojmë mënyrën e tyre të jetës dhe liritë e tyre?” pyeti ajo.

“Shtetet e Bashkuara janë të vendosur dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së të bashkohen me ne duke kërkuar që Republika Popullore e Kinës menjëherë të ndryshojë kursin”, shtoi Craft.

OBSH: 159,000 vdekje shtesë në Evropë nga marsi

Zyra rajonale për Evropë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka njoftuar se nga fillimi i muajit mars, kur ka shpërthyer pandemia me koronavirus në këtë kontinent, janë regjistruar 159,000 vdekje shtesë.

Në një takim të përjavshëm për koronavirusin, Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropën, ka thënë se 2 milionë persona është konfirmuar se janë prekur nga koronavirusi prej regjistrimit të rastit të parë katër muaj më parë.

“Ndoshta shifër më pak e raportuar, mirëpo njëjtë alarmuese, që tregon se nga fillimi i muajit korrik janë regjistruar më shumë se 159,000 vdekje shtesë, të lidhura me pandeminë në 24 shtete evropiane”, ka thënë Kluge.

“Këto vdekje janë përtej asaj që kemi pritur të ndodhë normalisht në këtë kohë të vitit”.

Kluge ka thënë se në gjithë Evropën, 94 për qind e të gjitha vdekjeve kanë qenë të personave të moshës mbi 60-vjeçare, dhe se gati gjashtë nga 10 viktimat kanë qenë burra.

Pothuajse të gjithë – 97 për qind – të atyre që kanë vdekur, kanë pasur edhe ndonjë sëmundje shtesë, sidomos ato të zemrës, ka thënë mes tjerash ai.

Pavarësisht pse OBSH-ja tani deklaron se rajoni i prekur më së keqi tani është kontinenti amerikan, numri i rasteve të prekura me koronavirus në Evropë përbën 36 për qind të numrit të përgjithshëm të të infektuarve. rel

Parlamenti i Kinës miraton ligjin për siguri në Hong Kong

Parlamenti i Kinës ka miratuar ligjin e ri të sigurisë për Hong Kongun, i cili parasheh se kryhet krim në rast se dëmtohet autoriteti i Pekinit në këtë territor.

Ky dokument – që tani kalon në udhëheqësinë e lartë të Kinës – ka shkaktuar shqetësime të mëdha në mesin e atyre që besojnë se ky vendim mund t’i japë fund statusit unik që ka Hong Kongu.

Ai po ashtu mund t’i mundësojnë Kinës që për herë të parë të angazhojë agjencitë e saj të sigurisë në këtë rajon.

Vendimi i autoriteteve kineze ka rezultuar me valë të re të protestave në Hong Kong.

Përleshjet kanë rinisur të mërkurën, teksa Parlamenti i Hong Kongut ka diskutuar një ligj tjetër të propozuar, sipas së cilit do të konsiderohej krim, mosrespektimi i himnit kombëtar kinez.

Qindra persona janë arrestuar një ditë më parë.

Forcat e sigurisë vazhdojnë të jenë të angazhuara edhe të enjten, teksa vazhdon debati në Këshillin Legjislativ.

Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se zhvillimet në Hong Kong nënkuptojnë se ku rajon mund të mos ketë më “autonominë e shkallës së lartë” nga Kina.

Sipas tij, kjo i bie se para ligjit amerikan Hong Kongu nuk e meriton të trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e territorit kinez.

Kjo deklaratë mund të ketë ndikim të madh për statusin tregtar të Hong Kongut, dhe pritet të zemërojë edhe Pekinin. rel

Boeing fillon sërish me prodhimin e avionëve 737 MAX

New York

Prodhuesi amerikan i avionëve, Boeing njoftoi se ka filluar përsëri me prodhimin e avionëve të pasagjerëve të tipit 737 MAX të cilin e kishte ndaluar në muajin janar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e faqes së internetit të kompanisë thuhet se “Boeing në muajt e fundit ka shënuar përparime të rëndësishme për një rikthim të shëndetshëm në prodhimin e 737 MAX. Kompania jonë në këtë proces ka vazhduar të bashkëpunojë me Administratën Federale të Aviacionit dhe rregullatorët e tjerë globalë”.

Kompania ende bart barrën e rëndë të dy aksidenteve tragjike, thuhet në dekaratë në të cilën njoftohet se “Kemi formuar fondin e ndihmës prej 100 milionë dollarësh për të përballuar nevojat e të prekurve nga këto aksidente”.

Pas vdekjes së 346 pasagjerëve në dy aksidentet e avionëve, Boeing ndaloi dorëzimet dhe në mars 2019 ndaloi fluturimet e avionëve 737 MAX.

Gjithashtu hangaret e Boening në pjesë të ndryshme të vendit u mbushën për shkak të anulimit të porosive si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Ndërkohë ka tërhequr vëmendjen se vendimi i kompanisë për t‘u rikthyer në prodhim, ka ardhur pas deklaratës nga drejtuesi i lartë (CEO) i Boeing, Dave Calhoun i cili theksoi largimin e 7.000 punonjësve nga puna.

Ushtria e Libisë publikon pamje të mercenarëve rusë Wagner

Ushtria e Libisë ka publikuar pamje të mercenarëve që i përkasin kompanisë ruse të sigurisë Wagner, e cila në Libi mbështet komandantin puçist në lindje të vendit, Khalifa Haftar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pamjet janë filmuar gjatë tërheqjes nga Tripoli dhe mbërritjes së tyre në aeroportin Beni Velid.

Videoja në fjalë u publikua nga Qendra për media e operacionit “Vullkani i Tërbimit”, të qeverisë libiane, ku mund të shihen një numër personash të armatosur me uniforma të kamufluara ndërsa parakalojnë me automjete të ndryshme ushtarake.

Ushtria e Libisë në ditët e kaluara ka shënuar fitore të mëdha në luftën kundër militantëve të Haftarit, të cilët në pesë ditët e kaluara kanë humbur kontrollin e disa qyteteve në Libi, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya, çlirimin e së cilës ushtria libiane e cilësoi si sukses strategjik.

Grupi Wagner është kompani ruse e njohur për aktivitete politike dhe dërgimin e mercenarëve të saj në Siri, Ukrainë, Libi, por edhe në vende të ndryshme të Afrikës.

Emri i mercenarëve Wagner u dëgjua në kohën e aneksimit të paligjshëm rus të Krimesë dhe mbështejes së Moskës ndaj grupeve separatiste në lindje të Ukrainës. Sipas raporteve të OKB-së, rreth 1.000 mercenarë të Wagner kanë luftuar për Haftarin në linjat e frontit në Tripoli.

AFRICOM dje pralajmëroi se Rusia së fundmi ka dërguar avion luftarak në Libi për të mbështetur fushatën e Wagner në vend, apo udhëheqësit e forcave të Haftarit në lindje të Libisë.

Libia është kthyer në një vatër të krizës së thellë politike dhe të sigurisë që nga viti 2011 kur u vra Muammar Gaddafi. Udhëhqësi i forcave separatiste në lindje të Libisë, Khalifa Haftar në prill të vitit të kaluar nisi fushatë për marrjen e Tripolit, por sulmet e tij u zbrapsën nga forcat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë.

Twitter paralajmëron lexuesit për postimet e presidentit Trump

Të martën kompania Twitter për herë të parë paralajmëroi përdoruesit të kontrollojnë faktet në postimet që vë Presidenti Trump në Twitter. Kompania paralajmëron se pretendimet e presidentit për dërgimin e votave me postë ishin fallso dhe ishin kundërshtuar nga faktet.

Një pikëçuditëse ngjyrë blu nxit përdoruesit të “kontrollojnë faktet për votat” dhe i drejtonte lexuesit që klikonin mbi të në një faqe me artikuj lidhur me këtë temë.

“Presidenti Trump ngre pretendime të pabaza se fletëvotimet e dërguara me postë do të çojnë në falsifikime votash” shkruante një faqe pasuar me shpjegime për ato që i cilësonte si pretendime fallso.

Presidenti kishte thënë përmes postimit në Twitter se votat e dërguara me postë do të sillnin “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara. Ai veçoi guvernatorin e Kalifornisë lidhur me këtë temë, megjithëse ky nuk është shteti i vetëm që lejon vota me postë.

Twitter pohoi se kjo ishte hera e parë që vendoste një paralajmërim lidhur me një postim të presidentit, që lidhet me politikën e re të kësaj kompanie të vënë në funksionim në fillim të muajit për të luftuar dizinformimin. zëri i amerikës

Anija iraniane zbarkon në Venezuelë; sfidë sanksioneve amerikane

Naftëtarë venezuelianë presin me flamurë iranianë mbërritjen e çisternës nga Irani (Puerto Cabello, Venezuelë, 25 maj 2020)

E para nga ato që pritet të jenë pesë çisterna iraniane të naftës ka mbërritur në një rafineri-port të Venezuelës, duke kundërshtuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj të dyja vendeve.

Anija mbërriti në Venezuelë të dielën dhe ministri i naftës i vendit njoftoi se është ankoruar në rafinerinë El Palito.

Një anije e dytë hyri në ujërat e Venezuelës të hënën dhe një e tretë po lundron nëpër Karaibe.

Dua të falënderoj – nga zemra më fisnike dhe e ndjeshme e popullit venezuelian – Republikën Islamike të Iranit, Presidentin (Hassan) Rouhani, shokun dhe kolegun tim, Udhëheqësin Suprem Ajatollah (Ali) Khamenei … dhe të gjithë Iranin, nga zemra, për solidaritetin e tij, për mbështetjen e tij“, tha Presidenti Nicolas Maduro.

Megjithë pasurinë e saj të naftës, Venezuela po përjeton mungesa të mëdha të karburantit. Rënia e ekonomisë së saj së bashku me sanksionet amerikane kanë shkatërruar pothuajse aftësitë e saj të rafinimit.

Irani ka rënë dakort të dërgojë më shumë se një milion e gjysëm fuçi benzine dhe pjesë këmbimi për Venezuelën.

As Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti i Shtetit nuk patën ndonjë koment të hënën. Por një zyrtar i lartë i administratës Trump tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara po mendojnë se si të përgjigjen.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara i ndalojnë Iranit të shesë naftë. Janë vendosur gjithashtu sanksione mbi ekonominë e Venezuelës, përfshirë kompaninë e saj shtetërore të naftës, si pjesë e një përpjekje për të larguar Maduron nga pushteti. zëri i amerikës

Kina kërcënon Shtetet e Bashkuara për Hong Kongun

AFP

Kina kërcënoi të hënën se do të ndërmarrë kundërmasa ndaj Shteteve të Bashkuara nëse ndëshkohet për planet për të vendosur një ligj të ri në Hong Kong ku shefi i sigurisë e lëvdoi si një mjet të ri për të mundur terrorizmin.

Pekini ka në plan të miratojë një ligj të ri sigurie për Hong Kongun kundër tradhëtisë, mosbindjes dhe rebelimit, vetëm pak muaj pas protestave pro-demokracisë dhe shpesh të dhunshme të vitit të kaluar.

Por shumë banorë të Hong Kongut, grupe të biznesit dhe vende perëndimore frikësohen se projekt-ligji mund t’i japë goditjen fatale lirive të çmuara të këtij qyteti. Mijëra njerëz dolën në rrugë të dielën megjithë ndalimin e tubimeve për shkak të koronavirusit.

Ndërsa policia shpërndau turmat me gaz lotsjellës dhe pompa uji, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, paralajmëroi se ligji i ri mund t’i kushtojë qytetit humbjen e statusit të privilegjuar tregtar me Shtetet e Bashkuara.

Por, Ministria e Jashtme kineze tha se Pekini do të reagojë ndaj çfarëdo lloji sanksionesh nga Uashingtoni.

Nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin të dëmtojnë interesat e Kinës, Kina do të duhet të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për t’iu kundërvënë“, u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian.

Hong Kongu është shndërruar në pikën më të fundit të fërkimeve, ndërsa rriten tensionet mes dy superfuqive, të krahasuara nga Kina me “pragun e një Lufte të re të Ftohtë”.

Refuzimi për tu dhënë banorëve të Hong Kongut të drejta demokratike ka ngjallur mbështetje të rrallë në një Uashington të ndarë ashpër gjatë administratës Trump.

Pekini i paraqet protestat e qytetit si një komplot i huaj për të destabilizuar Kinën kontinentale dhe thotë se vendet e tjera nuk kanë asnjë të drejtë të ndërhyjnë në mënyrën se si menaxhohet qyteti i mirënjohur si epiqendër biznesi.

Agjentë kontinentalë?

Protestuesit, të cilët kanë dalë në rrugë me miliona, thonë se janë të motivuar nga vitet gjatë të cilëve Pekini hoqi një nga një liritë e qytetit, pasi iu rikthye Kinës nga Britania në 1997.

Hong Kongu gëzon liri që nuk përjetohen në kontinent, si dhe sistemin e vet juridik dhe statusin tregtar.

Aktivistët e konsiderojnë propozimin e ligjit të sigurisë si lëvizjen më arrogante të Pekinit për t’i dhënë fund fjalës së lirë dhe aftësisë së qytetit për të bërë ligjet e veta.

Një shqetësim i veçantë është një dispozitë që lejon agjentët e sigurisë kineze të veprojnë në Hong Kong. Kjo mund të shërbejë për shtypjen e atyre që shprehin mosmarrëveshje kundër sundimtarëve komunistë të Kinës.

Në territorin kontinental, ligjet për mosbindjen zbatohen rregullisht kundër kritikëve.

Ligji i propozuar, të cilin legjislativi formal i Kinës pritet ta miratojë së shpejti, gjithashtu do të anashkalojë legjislativin e vetë Hong Kongut.

Shoqata e Avokatëve, me influencë në qytet, e përshkroi të hënën mocionin e propozuar si “shqetësues dhe problematik” – dhe paralajmëroi se madje mund edhe të shkelë mini-kushtetutën e këtij territori.

Propozimi ka shqetësuar investitorët dhe bursa e Hong Kong-ut pësoi të premten rënien më të madhe në pesë vjet. Të hënën ende nuk arriti të rikuperohej, duke u mbyllur me vetëm 0.10 përqind lart.

“Rivendosje e rendit social”

Qeveria jopopullore pro-Pekinit e Hong Kongut ka mirëpritur ligjin.

Terrorizmi po rritet në qytet dhe aktivitetet që dëmtojnë sigurinë kombëtare, siç është ‘pavarësia e Hong Kongut’, bëhen më të shfrenuara,” tha ministri i sigurisë John Lee në një deklaratë duke përshëndetur legjislacionin e planifikuar.

Shefi i policisë Chris Tang përmendi 14 raste të fundit kur ishin kapur eksplozivë dhe tha se ligji i ri do të “ndihmojë në luftimin e forcave për ‘pavarësinë e Hong Kongut’ dhe rivendosjen e rendit social“.

Protestat e vitit të kaluar fillimisht u nxitën nga planet për të lejuar ekstradimet drejt kontinentit, por shpejt u shndërruan në një revoltë popullore kundër Pekinit dhe forcës policore të qytetit.

Pekini ka hedhur poshtë kërkesat e protestuesve për një hetim në polici, amnisti për 8’500 personat e arrestuar dhe të drejtën universale të votës.

Demonstratat u fashitën në fillim të vitit pasi arrestimet masive dhe koronavirusi bënë efektin e tyre.

Por ato janë rindezur në javët e fundit. Tubimi i së dielës solli përleshjet më të mëdha prej muajsh dhe policia bëri të paktën 120 arrestime.

Gjatë tubimeve gjigande pro-demokracisë të vitit të kaluar, sulmet e turmave ishin të zakonshme nga të dy kahët politikë. Një video e protestuesve që rrihnin një avokat në tubimin e së dielës u kap nga media shtetërore e Kinës.

Hu Xijin, kryeredaktori i tabloidit nacionalist Global Times, postoi videon në Twitter – një platformë e ndaluar në territorin e Kinës.

Le të shohim se si duket me të vërtetë demokracia e mbështetur nga Uashingtoni në Hong Kong“, shkruajti ai.

I shpëtoi rrëzimit të avionit në Pakistan, pasagjeri tregon eksperincën e frikshme

Rrëzimi i një avioni në Pakistan shkaktoi vdekjen e 97 personave, ndërsa ende vijon kërkimi për pjesën tjetër të pasagjerëve. Një ndër personat që i mbijetoi rrëzimit të avionit është Muhamed Zubair, i cili tregoi dhe eksperincën e tmerrshme që përjetoi.

Si shpëtoi Muhamed Zubair?

Avioni që transportonte 91 pasagjerë dhe tetë ekuipazh, përfshirë shumë familje, që udhëtonin përpara festës së Bajramit të së Dielës ishte nisur nga Lahore.

Teksa po përpiqej të ulej në Aeroportin Ndërkombëtar Jinnah, të Karaçi në rreth orës 14:30 me kohën lokale (09:30 GMT) avioni u përplas me një zonë të banuar.

Zubair, i cili pësoi vetëm plagë të lehta, tha se aeroplani po përpiqej të ulej dhe u rrëzua 10-15 minuta më vonë.

“Askush nuk ishte në dijeni se avioni ishte gati të rrëzohej. Ata po e drejtonin avionin në mënyrë të qetë” tha ai.

Pas rrëzimit të avionit, Zubair humbi ndjenjat. Kur u përmend Zubair tha: “Unë dëgjoja ulërima nga të gjitha drejtimet. Fëmijë dhe të rritur dhe gjithçka që mund të shihja ishte zjarr. Nuk shihja ndonjë njeri, thjesht dëgjoja britmat e tyre”.

“Hapa rripin e sigurimit dhe pashë dritë, shkova drejt dritës. Më duhej të hidhesha poshtë rreth 3m për të arritur te siguria”, shtoi ai.