dita atje
është mollë
e kalbur
pa shënjë
dielli portokall
i kalbur
prilli një pemë
ulliri e kalbur
në rrënjë
atje kalbësira
lëpihet
si akullore
puthet
gjuhë më gjuhë
e kopjohet
me seri
mutacionesh
ky është
universi
i këtij fshati
pa të mbjella
ngërthyer
brënda një skene
karakatine teatri
ku turma
mëma e tiranëve
tha Diogjeni
është prore
spektatore
në atë fshat
ka vetëm një rrugë
qorre
që e udhëheq
pafytyrësisht
kalbësia horre
nga atje ku
iket si vërshim
revolte
vetëm kockat e eshtrat
qendrojnë stoikë
as nuk kalben
as nuk kanë
nga të ikin
xixëllojat
lindin nga fosfori
i skeletëve
të varreve
tē ndriçojnē
ditēn errësirë
të çlirojnë turmat
humbëtirë
nga kalbësimi
lebetitës
i kalbjes kalbësirë
(Marrë nga libri poetik i Elida Buçpapajt Of-shaj, Onufri 2022)