Atë pasdite tetori të vitit 2019, isha ulur bashkë me mikun tim, poetin Faslli Haliti, te Kafe Flutura, e cila na tërhiqte me atë oborrin e saj përplot lule dhe pemë gjithfarësoj.
Ishte fresk, madje me të perënduar dielli, filloi të fryjë dhe, mikut tim tetëdhjetepesëvjeçar, që kishte ardhur në kafene veçse me një këmishë me mëngë të shkurtra në trup, i hyri të ftohtit.
- Unë jam nga ata që s’para mërdhi dhe, prapë se prapë kam veshur një pulover,kurse ti që ke ftohtë edhe në gusht, ke dalë vetëm me atë këmishë ; hajt ndërrojmë vend dhe futemi brenda.
- Jo ,jo , vërtet po rrëqethem ca, por s’e kam nga të ftohtit, ; edhe brenda po të futemi, njëlloj do të fërgëlloj. O, nuk jam mirë, s’jam fare mirë!
Sakaq e zuri një kollë e rëndë që e mundoi një minutë të tërë. O Zot, u trondita në çast, mos qoftë e thënë të jetë infektuar me atë të flamosurin Covid 19, apo s’kanë filluar të vdesin përditë prej tij të mëdhenj e të rinj ! Jo më kot, njerëzit alarmohen kur dikush u kollitet pranë në trotuar,pale pastaj n’autobusët urbanë !
E more poet, përse dole në rrugë,flisnim në celular dhe merreshim vesh për gjithçka ; përse këmbëngule të takoheshim në kafene patjetër ? Eh, ç’po them, e ku rrimë dot ne të letrave pa thithur ajrin e rrugës, për të qenë çdo herë në sinkron me kohën ; dale dale…
- Kam temperaturë dhe, sakaq që dje kam humbur edhe nuhatjen, më beso ! Sa e domosdoshme paskësh qenë nuhatja ; ja, tani, çdo ushqim që ha më duket i keq ; o,sepse s’ta përmenda, kam humbur edhe ndjesinë e të shijuarit . Kashtë ore kashtë më duket çdo gjë që ha.I shtyrë prej forcës së zakonit, po e pi edhe këtë kafen, këtë lëng me ngjyrë të errët !
- Si thua, ç‘do të bëjmë, – i ndërhyra – do të shkosh në shtëpi, apo së pari të hidhemi te ndonjë farmaci, këtu rrotull, për të blerë ndonjë medikament, hë ?
- Ti pandeh se mua më mungon ndonjë ilaç në shtëpi ? Një dollap kemi me lloj – lloj shishkash e kutiçkash; as në farmaci s’gjen më shumë sesa tek unë…
- Uf, me autobus erdhe edhe sot te Flutura, hë ? Po ti një stacion të vetëm përshkon me atë, ç’është nevoja të hipësh, sa për të shtuar rrezikun e një infeksioni aty mes gjithë atyre njerëzve ngjitur e ngjitur.
- S‘i ndahem dot autobusit as kur vij gjer këtu, e as kur dal për të shkuar në tjetër vend ; lodhem shumë shpejt kur çapitem në këmbë, jam tetëdhjetepesë vjeç, mos harro.
- Të jap këshilla ty, ndërkohë që unë vetë jam ku e ku më i pakujdesshëm se ty, ehu…
- Çfarë nuk broçkullitëm gjer më tash dhe, arsyen përse e ndava mendjen të të takoj medoemos këtu, ende nuk ta kam thënë…
- Pa hë, se ne takohemi përditë…
- Kam krijuar një cikël krejt të ri me vjersha për të cilën s’të kam thënë ndonjë gjë, për sa kohë e kisha në dorë ; o, po më vinte më për mbarë të shkruaja në heshtje, por sot me t’i printuar të gjitha vjershat e ciklit, i mora me vete që të m’i lexosh e të më shprehësh një mendim.
- Kështu kemi bërë përngaherë të dy.
- Po po, por ky cikël përshkohet nga një frymë e re ; eh, po unë Faslliu jam, edhe mes vargjeve të vjershave të tij. Dhe, s’kish si të ndodhte ndryshe: pas kthimit nga Franca e tash së fundi nga Amerika, e këndvështroj jetën si një autor më i emancipuar ; epo, kështu, patjetër kështu, si lum ai artist që e sheh botën !
- Posi ore, posi,ja nxirri nga ajo dosja jote proverbiale, pa të cilës asqë të përfytyron dot njeri dhe, do t’i lexoj me të mbërritur në shtëpi. Ku gjen të dytë si ty, tetëdhjetepesëvjeçar që gjeneron ende inovacion, që përkthen poetët nobelistë dhe, njëherësh edhe kritikët e artit nga më të njohurit në botë. Jepi poet, përderisa ke ende ca hove rinore..
- Ata hovet rinore m’i ka zëvendësuar mrekullisht prej kohësh urtësia filozofike, ajo filozofi që proklamon jetën me veprimtari krijuese të njerëzve të lirë optimistë…
- Pas shih, pa shih !
- Ja edhe një herë, s’e hoqa e s’e hoqa nga dora këtë të uruar cikël, gjersa më lëshoi vetë e s’e preka më.
- S’ke faj ti, përderisa ata të familjes tënde, s’të kanë ngarkuar kurrë me ndonjë detyrë të rëndomtë shtëpie ; nuk do të kishte pamje më surreale sesa figura jote me një qese me domate, po them, në dorë, hahaha…
- Falëminderit një mijë herë të shtrenjtës Nirvana, bashkëshortes së përkorë, nënës dhe gjyshes së palodhur, mësueses që edukoi sa e sa nxënës shkollë më shkollë e fshat më fshat dhe, në qytet s’e avitën asnjë herë, prej biografisë sime me njollë . Recitova ca,oh, ishte shpërthim spontan !
- Më emocionove Faslli, s’bëj shaka . Por a e ke parasysh kur të shenjëstronin si poet që e shqetësoje Partinë dhe, kjo do të thoshte : heqje e të drejtës së botimit, internim,apo edhe burgosje ; ty të degdisën në fshat…
- Ama, ç’formulim : shqetëson Partinë ! Ku u kishte vajtur mendja ideologëve të komunizmit ! Ishim disa autorë ne që e shqetësonim Partinë dhe,kur se,pikërisht , kur thoshim disa të vërteta dhe shkruanim veçanërisht bukur…
- Nesër në mbrëmje do te flasim në celular, dakord ? O, e kam të qartë , që ti do ta botosh ciklin që këtë të djelë, ashtu të plotë në dy faqe të gazetës dhe, mirë e ke; sot është e hënë, ke kohë përpara sa të duash, megjithatë , kur të mbërrish në shtëpi, lidhu me kryeredaktorin dhe, thuaji se, do t’i dërgosh një cikël të plotë me poezi, që ai ta planifikojë kur të përzgjedhë lëndën letrare të numrit të radhës ; hajt se kot s’i kemi miq tashmë këta të gazetave, të cila, edhe ato të shkretat rrezikojnë të mbyllen…
- O, shih se do të ketë aty – këtu gabime ortografikë; ti e di që mua më shpëtojnë gabime të tillë gjithmonë ; ç’po them a thua se nuk e di sesa i kujdesshëm je.
- Çohemi t’ikim…
- Aman ore, se më hyri i ftohti në palcë, ndërkohë që jam edhe qull në djersë!
- Eja të të përcjell gjer në shtëpi…
- Jo jo, do të hipi n’autobus, ja sikur ka ardhur , takoj plot të njohur unë aty.
- Ç’autobus e ç’të njohur, ti nuk mban as maskë e as ruhesh fare, por a e more vesh se, që nesër do të nxjerrin në rrugë apostafat patrulla policie, për të kapur ata qytetarë që s’kanë maskë ne fytyrë ? Do të kërcasin gjobat, e madje edhe mbajtje për orë të tëra në rajon të policisë. E kupton ; të gjithë do të jemi të detyruar të luajmë maskaradën e Covid 19 –tës ! Oho, erdhi autobusi! Po qenkësh tumbllas me njerëz !
- Nuk më gjen gjë mua jo ; hajt të të përqafoj – m’u kthye tek murmuriste ca fjalë që s’ia mora vesh. Kur u shkëput ma zgjati edhe dorën dhe, pasi e shkundëm dy – tri herë, u kthye të hipte n’autobus. Bobo, e zuri sërish kolla që të dera ! E ç’kollë se !Do t’i çmendte pasagjerët…
Ç’i diktonte nënvetëdija poetit atë mbrëmje të Covid 19-tës, pyeta e pyeta veten edhe pasi mbërrita në shtëpi.
S’mbaja mend t’ishim përqafuar me njëri – tjetrin . Po dorën, nga që piqeshim përditë, s’ndodhte ta toknim .
Kafja e fundit !?
Jo ore, jo, ç’domethënë kjo ; Faslliu ia hedh shpejt sëmundjeve, ja veç kur të takohemi prapë ; është operuar nja tri herë deri më sot dhe, ia ka dalë mbanë,pa u kapluar nga hipokondria…
Të nesërmen aty nga mesdita e mora në celular, por nuk m’u përgjigj ; kushedi përse ; epo,arsyetova, sidoqoftë, ne e lamë të flasim sot në mbrëmje…
Ashtu e lamë vërtet, por gjer atëherë do të më rrinte mendja te Faslliu ;ja, ishte vallë më mirë, apo më keq se ç’ishte në kafene ? Ku ta dije,ndoshta ajo kolla, të dridhurat e ca të tjera si këto, mundet të mos kenë pasur asnjë lidhje me të flamosurin Covid -19 ? Si të bëja, t’i veja gjer në shtëpi? Po, por sikur nuk ishte zgjidhja më e mirë, në një kohë kur askush s’të hynte , e askush s’të priste në shtëpi . M’u ndërmend në çast një banderolë, po një banderolë e njëmendtë, të cilën një familje turke e kishte shpalosur në ballkonin e apartamentit të tyre në një pallat, diku në një lagje të Stambollit, ku shkruhej prerazi : mysafir s’ju vijmë, mysafir s’presim…
Ç’video e vyer e hedhur në internet !
Eh, si u katandisën njerëzit, eh, si ia fusin ata vetes herë pas here !
Por, sidoqoftë, duhej bërë diçka ; per shembull, të veja e të takoja të birin, piktorin e njohur Helidon Haliti, atje në Akademinë e Arteve, ku jepte mësim, dhe ta pyesja se, si e kishte të atin. Oh, por ç’Akademi ; aty s’ka këmbë njeriu në kushte normalë të jetës, e jo më tani ! I gjeta numrin e celularit,pasi pyeta disa kolegë të tij, dhe u lidha :
- Ç’kemi djalosh nga shtëpia, ti vetë si ke qenë ?
- Ç’të kemi, unë vetë tani për tani jam mirë, i painfektuar, domethënë nga Covidi, por babai, shoku yt është tepër i sëmurë ; që atë natë që ishit bashkë në kafene, i hipi një temperaturë prej dyzet e tri vija, që s’po i zbret e s’po i zbret, qoftë edhe fare pak, e çnuk po pi !
- Po mamaja ?
- Ja ç’ndodh, në një vend të mbyllur rrojnë të dy dhe, ajo e ngrata tërë ditën e tërë natën jep e merr me të shoqin dhe, s’e ka gjetur gjë prej gjëje, lavdi Zotit ! Ç’dreq Covidi është ky, njëri vdes, tjetri asqë do t’ia dijë ! Mesa duket edhe Covidi në mënyrë selektive godet.
- Si bëjnë për të ngrënë ? Tani s’na lënë ne pensionistët as të hymë e as të dalim nëpër dyqane; sesi do të ushqehemi, vetëm qeveria e di. Ka shpallur ndalimqarkullimi për ne, sepse qenkëshim jo vetëm lehtësisht të infektueshëm,, por po aq lehtësisht infektues të të rinjve , hehe, sa të panevojshëm dhe, sa dëmprurës …
- Unë i lë çdo mëngjes te dera dy qese me ushqime dhe, pasi i bie ziles,zbres nga shkallët i nervozuar, pa e parë dhe pa e takuar time më që del të marrë qeset ! Ç’të bëj, ajo më ka detyruar që të ruhem edhe nga ajo ; ik, më ka porositur njëqind herë se ke kalamajtë e vegjël në shtëpi…
- E ngrata ajo, mirë të thotë, por dëgjo : më ka ngarkuar një detyrë Faslliu, dhe unë sigurisht që ia kam kryer, mor djalë i mbarë, ja …
Më dëgjoi me vëmendje dhe në fund më tha :
- I kam porositur unë prerazi,ç’është e vërteta, që të mos e hapin celularin e babit, sepse e bezdisin tek e marrin dhe flasin gjatë ; tani, që më the kështu e ashtu, do ta porosis mamanë që t’ia ndezë celularin dhe llafosu me vëllanë tënd, siç të konsideron ty im atë ; më fal, por ja të ta them edhe këtë : ai s’resht së të kërkuari, amani ore, lutej, më lini të flas me Danon…
- E mirë mirë, ja do të bisedojmë sonte, na e mori frymën maska, se ç’efekt mbrojtjeje ka kjo, një dreq e di, po hajt lëviz pa të po ta mbajti…
E mor miku im, mor miku im,fola së brendshmi, sa cikël të mirë e kishe këtë që më solle, i cili mos qoftë i fundit, si kënga ngashëruese e mjellmës !
Si përmbyllej ajo vjersha, ku përshkruaje përmbledhtas me fjalët e tua përrallën e Andersenit, të titulluar Petkat e reja të mbretit ? Kur të gjithë brohorisnin, ashtu të skllavëruar nga servilizmi e frika : oh,sa të bukura petkat e reja të mbretit, ai djali i vogël tek qeshte e lodronte gjithë çiltërsi, briti : oh, po mbreti qenkësh lakuriq.
Po, lakuriq, dhe ti poet pyet në fundin e asaj vjershës sate, oh,ç’pyetje njëmilionëshe, qindramilionëshe madje :Kur do të lindë përsëri sot një djalë që t’i thotë mbretit : je lakuriq ? Eh, poet novator dhe i guximshëm, që e fillove jetën duke punuar tokën e duke hedhur farë dhe, ndoshta për këtë arsye u bëre qytetar i dorës së parë, ti e di mirëfilli se,atij djaloshit që do të lindte edhe n’epokën tonë, ah, sa mund e punë do t’i lypsej, t’u thoshte me radhë e me radhë tërë mbretërve se : jeni lakuriq …
Por, dale dale, se do të llafosemi në mbrëmje…
Në mbrëmje e mora në celular dhe, me t’u hapur linja, dëgjova Faslliun që psherëtiu thellë.
- Dano , jam shumë sëmurë, ashtu siç të tha edhe im bir, po digjem si qiri nga temperatura e lartë që s’më zbret e s’më zbret, çfarë s’kam pirë ; çudi si i përmblodha ato forca që më kanë mbetur ende që të mundja të të flisja ! Si t’u duk cikli, aman !
- Oh, i shkëlqyer, nga më të mirët e tu !
- Do t’i çosh ti për botim, ashtu siç mund të kesh korrigjuar ndonjë gjë lart e poshtë ; unë i mbarova, siç duket punët e mia.Jam në dorë të Zotit, tashmë, ai e ka firmosur fatin tim ! Unë s’kam besuar kurrë në Zot, siç e di edhe ti, por ja që në pleqëri, kur të rrëmben paniku i vdekjes, e lidhke një linjë shpresëdhënëse me Zotin !
- Po ore, t’i çoj unë për botim, rri pa merak,po le të presim ca,që t’i çojmë bashkë, me t’u bërë mirë ti.
- Çoji,çoji që nesër që t’i shoh të botuara.
- Mbaroi, hajt, mirupafshim …
Ah, iu shua zëri !
Pas dy ditësh,i mbërthyer n’inkubim,në QSUT
Faslli Haliti vdes !
Me numrin e tij në celular mora të gjallët që të shihja kush do të më përgjigjej…
- Alo ,ngushëllime Nirvana, ngushëllime ! Si kështu, më duket sikur sapo bisedova me të ndjerin …
- Eh, ç’të thuash, mbaroi !Ndoshta pas një ore që foli me ty,e shtruam urgjent në spital, por nuk të lajmëruam, sepse kot sa të të shqetësonim, përderisa s’mund të vinit .
- Si ? Aha ; kur është lënë varrimi?
- O ,asqë bëhet fjalë për të ardhur njeri; s’ka as ceremoni, as drekë përshpirtjeje, as përcjellje në varreza ! Shurdh shurdh, dhe të mendosh sa shumë miq e shokë ka Faslliu, lëre mos e pyet !
- Sa keq, sa keq që s’e përcollëm dot shokun tonë të dashur ! Por gjer në të dyzetat, pale si vijnë punët ; ku do të rrimë dot ne pa u mbledhur për Faslliun ! Ngushëllime edhe një herë motër …
Ah, Covid Covid, as lufta s’merr kaq njerëz në një ditë të vetme , shfryva me të mbyllur celularin …
Nostradamusi, të cilit Murtaja e Mesjetës, që rrafshoi një të tretën e popullsisë t’ Europës s’atëhershme,dhe, që atij vetë i mori familjen : gruan dhe fëmijët, diçka ka thënë te Libri i Profecive edhe për rënien e pandemisë së Covud 19 – tës.
Sot , në përfundimin e dekadës së dytë të shekullit XXl, ja ç’atmosferë primitive zotëron, ç’zymtësi e ç’kapitullim përballë Covid – it, a thua e se përjetojmë po atë mesjetën, si pa dritë dielli,të Murtajës !
Vaksina
Vaksina
Këtë kërkon njerëzimi !
Por po më dhimbte koka. Shumë ! Pas ca ditësh m’u shfaqën një nga një të gjitha shenjat e Covidit.S’më shijonte ushqimi që haja e as kisha pikë fuqie t’ecja në rrugë ; më mbysnin djersë herë të nxehta e herë të akullta .
E more poet, më duket se, po më merr me vete; e hëngra edhe unë pas teje,atë ditë të Flutura ! Punët e Zotit …
Por dale një herë të shohim, a do të lindë së shpejti sërish një djalë çapkën, gazmor e i sinqertë si ai i Andersenit, që t’u thotë këtyre mbretërve tanë të sotëm : ju jeni lakuriq…?