VOAL

VOAL

Julian Assange fiton leje për të apeluar ekstradimin në SHBA

January 24, 2022
blank

Komentet

blank

Blinken: Kërcënimi afatgjatë nga Kina për rendin global, më i madh se nga Rusia

Ndërsa Rusia përfaqëson një kërcënim të menjëhershëm, kërcënimi afatgjatë që paraqet Kina për rendin global është më serioz, tha Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken, shkruan Deutsche Welle.

Antony Blinken mbajti të enjten (26.05) një fjalim që synon të mbledhë komunitetin ndërkombëtar për të penguar dhe kundërshtuar Kinën, të cilën SHBA e sheh si një kërcënim afatgjatë për stabilitetin global. Gjatë fjalimit në Universitetin George Washington Blinken u përpoq të vendoste një ekuilibër midis interesave konkurruese ekonomike dhe ushtarake duke përshkruar politikën e qeverisë së SHBA-së ndaj Kinës. Blinken tha se “Kina është i vetmi vend që ka synimin, si dhe mjetet ekonomike, teknologjike, ushtarake dhe diplomatike për të çuar përpara një vizion të ndryshëm të rendit ndërkombëtar.”

SHBA e sheh Rusinë si një rrezik aktual dhe të menjëhershëm për rendin global. Kurse në aspektin afatgjatë, SHBA e konsideron Kinën si më të aftë se Rusia për të prishur sigurinë ndërkombëtare. “Themelet e rendit ndërkombëtar janë në një rrezik serioz dhe të vazhdueshëm,” tha Blinken.

Përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, ajo nënshkroi një pakt sigurie “pa kufij” me Kinën. Të dy vendet lëshuan një deklaratë të gjatë në lidhje me natyrën e bashkëpunimit, ndëkohë që përkthimi i deklaratës në gjuhën angleze nga Kina nuk i përfshinte formulimet e përdorura Moska në lidhje me NATO-n si kërcënim dhe kundërvënien ndaj saj.

Cili ishte qëllimi i fjalimit të Blinken mbi politikën e SHBA-së për Kinën?

SHBA kërkon të përdorë një sërë mjetesh për të kundërshtuar dhe penguar Kinën, duke përfshirë miqtë dhe aleatët e saj të shumtë, si dhe burimet e saj të konsiderueshme ushtarake si dhe burime të tjera.

Zyrtarët amerikanë pranojnë se nuk kanë shumë mjete për të formësuar dhe ndikuar në qëllimet e Kinës, prandaj në vend të kësaj, SHBA-të janë të interesuara për të formësuar mjedisin strategjik rreth Kinës në të cilin udhëheqësit në Pekin duhet të marrin vendime.

Politikë më konfrontuese ndaj Kinës

Kryediplomati amerikan theksoi se koalicioni i krijuar për t’iu kundërvënë Rusisë në Ukrainë paraqet një model të shkathët dhe me burime të mira për të përballuar sfidat e ardhshme nga Kina. “Duke e penguar Putinin të arrijë qëllimet e tij, ne besojmë se po forcojmë shumë dorën tonë për të mbrojtur dhe mbështetur këtë rend kundër sfidave nga të tjerët”, tha Blinken. “Vendet e botës kanë shmangur një luftë tjetër botërore dhe një konflikt midis fuqive bërthamore.”

Pas goditjeve autoritare ndaj ujgurëve në Xinjiang dhe aktivistëve të demokracisë në Hong Kong, si dhe në Tibet dhe Detin e Kinës Jugore, administrata e Bidenit ka ndjekur kryesisht një politikë më konfrontuese ndaj Kinës në krahasim me politikën nën administratën e Trumpit. Blinken përmendi në fjalimin e tij veçanërisht ujgurët, kundër të cilëve Pekini sipas akuzave të SHBA po kryen gjenocid.

 

blank

Corriere Della Sera: Plani sekret i Boris Johnson për Komonuelthin Evropian si alternativë ndaj Bashkimit Evropian

Mbrëmja e profilit më të lartë për Evropën ishte planifikuar për të martën në Davos të Zvicrës. Në tavolinat e një sallë të izoluar në qendër të Kongresit u ulën tre kryeministra të BE-së, ai i Belgjikës, Greqisë dhe Spanjës.

Pranë tyre presidentja e bankës qendrore evropiane Christine Lagarde, dy pesha të rënda të Komisionit të Brukselit si Paolo Gentiloni dhe Frans Timmermas, shumë ministra nga vende të ndryshme dhe shefi i inteligjencës së jashtme në Paris.

Megjithatë mungonte i ftuari më i shumëpritur në këtë mbledhje, ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, prezenca e të cilit ishte njoftuar në nisje të takimit, por që nuk u shfaq kurrë.

Sipas medias italiane Corriere Della Sera, në parim Kuleba nuk ka humbur shumë, sepse struktura evropiane në nivelin e saj më të lartë e shmangu thuajse plotësisht përmendjen e luftës në kufijtë e BE gjatë gjithë mbrëmjes.

Por pikërisht këto heshtje ndonjëherë surreale dhe mungesa e të ftuarit të Kievit kanë ekspozuar tensionin rrëshqitës mes Ukrainës dhe disa prej vendeve kryesore të Bashkimit Europian. Pikërisht në këtë hapësirë, Boris Johnson sipas prestigjiozes përtej Adriatikut, po përpiqet të fusë veten në lojë, me një iniciativë që synon të prishë kartat në Evropë.

Kryeministri i Britanisë së Madhe po mendon krijimin e një sistemi të ri aleancash politike, ekonomike dhe ushtarake, si alternativë ndaj Bashkimit Evropian, që do të mbledh vendet e bashkuara nga mosbesimi ndaj Brukselit dhe gjithashtu ndaj mënyrës së reagimit të Gjermanisë ndaj agresionit ushtarak rus.

“Boris Johnson e ka endur rrjetën e tij për më shumë se një muaj”, shkruan media italiane që i referohet disa njerëzve të njohur me bisedimet dhe të pranishëm këto ditë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

“Kryeministri ia prezantoi idenë e tij për herë të parë Volodymyr Zelenskit kur presidenti ukrainas e priti atë në Kiev më 9 prill. Modeli i Komonuelthit Evropian që ka në mendje Boris Johnson do të kishte Britaninë e Madhe si udhëheqëse dhe do të përfshinte, përveç Ukrainës, Poloninë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, si dhe potencialisht Turqinë në një datë të mëvonshme. Që nga vizita e kryeministrit të Londrës në Kiev, bisedimet kanë vazhduar dhe miqësia britanike ndaj Ukrainës po bëhet gjithnjë e më urgjente dhe më e detajuar”, nënvizohet më tej në shkrim.

Ndërkohë, nga ajo që raportojnë pak njerëz të informuar jashtë Londrës, Johnson propozon një aleancë shtetesh xheloze për sovranitetin e tyre kombëtar, liberalë në ekonomi dhe të vendosur deri në papranueshmërinë maksimale ndaj kërcënimit ushtarak të Moskës.

Qeveria e Kievit, nga ana e saj, nuk ka mbajtur qëndrim për iniciativën britanike, por për momentin nuk i ka ndalur diskutimet mbi të. Elita ukrainase është e bindur se në pallatet e pushtetit në Gjermani dhe Francë, shumë pak shpresojnë për humbjen e Vladimir Putinit: vonesat në sanksionet dhe armët që do të dërgohen tani kanë hapur një hendek politik. Prandaj, Zelensky është duke pritur për samitin evropian më 23 qershor, kur liderët e 27 vendeve do të thirren për të vendosur nëse do t’i njohin Ukrainës statusin e “kandidatit” për të filluar zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, nuk është e sigurt se vendimi i 23 qershorit do të jetë ai që shpreson Ukraina, edhe sepse do të ngrinte protestat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që presin prej vitesh statusin e “kandidatit”. Prandaj, sipas disa negociatorëve, ekziston edhe një hipotezë tjetër: udhëheqësit e 27 vendeve anëtare mund të kufizohen në deklarimin e paqartë se Kievi ka një “perspektivë evropiane” (e ashtuquajtura “formula e Selanikut”).

Në atë rast Zelensky do ta merrte më seriozisht ofertën alternative të Boris Johnson. Është gjithashtu e mundur që thashethemet për këto kontakte të qarkullojnë tani, pikërisht për të bërë presion ndaj liderëve evropianë përpara vendimeve në qershor.

Është gjithashtu e mundshme që projekti britanik të mos jetë i suksesshëm, pasi Londra nuk ka kapacitetin e Bashkimit Evropian për të mbështetur financiarisht Ukrainën, as nuk thuhet se Polonia apo vendet baltike ndërmarrin një nismë që mund të komprometojë marrëdhëniet me Brukselin.
Johnson sigurisht që kërkon një dividend politik, vëren një ministër evropian. Ai thotë: “Kryeministri shpreson të ketë një kartë shtesë në marrëveshjen me Brukselin që ai vetë do të donte ta rihapte për Brexit”.

Në këtë mënyrë Londra përpiqet të prishë ekuilibrin në kontinent, dhe duke vepruar kështu, mund të përfundojë në zbulimin e një linje thyerjeje që tani ekziston me të vërtetë në grupin e 27 vendeve anëtare.

Atë midis vendeve që po e ndihmojnë më me vendosmëri Ukrainën – Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia mbi të gjitha – dhe atyre që e bëjnë atë në një mënyrë më cinike dhe duke hezituar. Sipas vlerësimeve të Arianna Antezza nga Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, vetëm Londra deri më tani ka ofruar më shumë ndihmë ekonomike dhe ushtarake për Kievin në luftë sesa i gjithë Bashkimi Evropian. Dhe Polonia ka dhënë më shumë se Gjermania, Franca dhe Italia. Kështu lufta e Vladimir Putinit, tashmë në muajin e saj të katërt, fillon të hapë çarjet e para politike në Evropë.

blank

Koincidenca e çuditshme- Vdes gjyqtarja që dënoi Alexei Navalny-n

Në janar të vitit 2021, Alexei Navalny ishte kthyer në Moskë, pasi ishte kuruar në Gjermani për shkak të helmimit. Politikani më i njohur i opozitës në Rusi u arrestua menjëherë.

Nuk u desh shumë dhe ai u dënua me tre vite e gjysmë burg për mashtrim.

Gjyqtarja Natalia Repnikova, që dha këtë vendim, vdiq pak muaj më vonë. Vdekja e saj mund të ketë pasur lidhje me vendimin e saj, shkruan BILD.

“Pasi më dënoi, ajo u tha avokatëve të mi se ishte penduar për vendimin dhe se mendonte se jam i guximshëm. Pak më vonë ajo vdiq. Zyrtarisht u tha se ishte koronavirusi,” tha Navalny në një seancë apelimi të hënën.

“Prandaj dua t’u apeloj të gjithëve këtu në gjykatë: nëse më pas doni të më tregoni ndonjë gjë, bëni shumë kujdes”.

Zëdhënësja e politikanit opozitar rus, Kira Jarmasch tha për BILD: “Ishte një koincidencë shumë e çuditshme. Gjyqtarja i çoi fillimisht një mesazh Alexei-t dhe më pas vdiq”.

Nga gjykata, Navalny sulmoi sërish ashpër Kremlinin.

“Do të pësoni një disfatë historike në këtë luftë të marrëzishme. Kjo nuk luftë nuk ka kuptim. Pse po e ndiqni nga pas atë”, tha ai.

Navalny rrezikon të tjera dënime nga gjykata, ndërkohë që zëdhënësja e tij tha se këto vendime janë marrë paraprakisht në Kremlin dhe më pas i kanë kaluar gjykatës. “Ajo që po dëshmojmë ne është hakmarrja e Putinit”. syri.net

blank

Starbucks i jep lamtumirën e fundit Rusisë

Historia e rrjetit të kafeve të famshme “Starbucks”, me 130 lokale në Rusi, me afër 2000 të punësuar, të cilët do të vazhdojnë të paguhen për gjashtë muajt e ardhshëm, ka marrë fund.

Të gjitha lokalet e “Starbucks” në Rusi janë mbyllur përkohësisht në mars dhe i gjithë aktiviteti është pezulluar për shkak të pushtimit rus.

Kjo lëvizje ka përcjellë gjigantin e ushqimeve të shpejta “McDonald’s” i cili është larguar nga Rusia pas 30-vjetësh.

“Starbucks”, i hapur për herë të parë në Rusi në vitin 2007, nuk ka treguar detaje edhe për ndikimin financiar për largimin e kompanisë. Lapsi

blank

Diplomati rus jep dorëheqjen në shenjë proteste ndaj sulmit në Ukrainë

VOA/Ken Bredemeier

Një diplomat rus me përvojë në zyrën e OKB-së në Gjenevë dha dorëheqjen të hënën, pasi tha se ishte shumë “i turpëruar” nga sulmi i Presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë që filloi tre muaj më parë.

Përmes një proteste të rrallë, por jo të paprecedentë në radhët e trupit diplomatik të Rusisë, 41-vjeçari Boris Bondarev dha dorëheqjen në një letër drejtuar ambasadorit Gennady Gatilov dhe në vazhdim publikoi një denoncim therës të luftës së Rusisë.

“Lufta agresive e Putinit në Ukrainë dhe në fakt ndaj gjithë botës Perëndimore, është jo vetëm një krim ndaj popullit ukrainas”, tha zoti Bondarev, “por ndoshta është gjithashtu edhe krimi më i rëndë ndaj popullit të Rusisë, me një gërmë të zezë Z (që simbolizon mbështetjen për luftën) që fshin të gjitha shpresat dhe perspektivën për një shoqëri të lirë dhe të begatë në vendin tonë”.

Zoti Bondarev, i cili përfaqësonte Rusinë në zyrën e OKB-së në Gjenevë për çështjet e çarmatimit, tha se “ata që e konceptuan këtë luftë dëshirojnë vetëm një gjë – të qëndrojnë në pushtet përgjithnjë, të jetojnë në pallate pompoze pa shije, të lundrojnë me jahte që i afrohen kostos dhe tonazhit të të gjithë marinës ruse së bashku, të shijojnë pushtet të pakufizuar dhe mosndëshkueshmëri të plotë”.

“Për ta arritur këtë”, thotë zoti Bondarev, “ata janë gati të sakrifikojnë aq jetë sa do të duhen. Mijëra rusë dhe ukrainas kanë vdekur tashmë vetëm për këtë”.

Ai tha se gjatë gati 20 viteve të punës si diplomat rus, ndër të tjera edhe në ambasadat në Kamboxhia dhe Mongoli, “niveli i gënjeshtrave dhe joprofesionalizmit në Ministrinë e Jashtme është rritur gjatë gjithë kohës”.

Zoti Bondarev e akuzoi Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov si “një shembull të mirë të degradimit të këtij sistemi”, si dikush që ka rënë “nga të qenit një intelektual profesionist dhe i arsimuar” që vlerësohej lart nga kolegët e tij diplomatë, në nivelin e “një personi që vazhdimisht bën deklarata kontradiktore dhe që kërcënon botën (dhe po kështu edhe Rusinë) me armët bërthamore!”.

“Rusia nuk ka më aleatë”, konkludon ai, “dhe për këtë nuk mund fajësohet askush tjetër përveç politikës së saj të rrezikshme dhe të keqkonceptuar… Nuk mund të marrë më pjesë në këtë turp gjakatar, të trashë dhe absolutisht të panevojshëm”.

Ai shtoi se, “ofertat për punë janë të mirëpritura”.

Zoti Bondarev i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se nuk kishte marrë ndonjë reagim nga zyrtarët rusë, por shtoi se “A jam i shqetësuar për një reagim të mundshëm nga Moska? Më duhet të jem i shqetësuar për këtë”.

I pyetur nëse kolegë të tjerë të tij mendojnë po kështu, ai tha se “jo të gjithë diplomatët rusë janë luftëdashës. Ata janë të arsyeshëm, por u duhet ta mbajnë gojën mbyllur”.

Rusia ka shtypur protestat ndaj agresionit në Ukrainë, ka arrestuar protestuesit që kanë dalë në rrugë, ka eliminuar kritikën në media dhe ka miratuar me ligj ndëshkime me 15 vjet burgim për ata që përhapin “informacion fals” për sulmin ushtarak, përfshirë edhe në rastin e përdorim të fjalës luftë, në vend të termit “operacion i posaçëm ushtarak”.

* Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjensia e lajmeve Associated Press.

blank

Numri i refugjatëve në botë arrin në 100 milionë për herë të parë, sipas UNHRC

Numri i njerëzve të detyruar të ikin nga konflikti, dhuna, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe persekutimi i ka kaluar 100 milionë për herë të pare duke thyer një rekord, i nxitur nga lufta në Ukrainë dhe konflikte të tjera vdekjeprurëse, thotë UNHRC.

Luftimet në Ukrainë vazhdojnë, ndërsa vëmendja tani është kthyer në qytetin lindor të Sievierodonetsk. Ndërkohë, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i tha parlamentit të Ukrainës të dielën mbrëma se sakrifikimi i çdo territori ukrainas do të ishte ‘goditje e madhe’ për Perëndimin.

“Njëqind milionë është një shifër e zymtë – kthjelluese dhe alarmante në të njëjtën masë. Është një rekord që nuk duhet të ishte vendosur kurrë”,  Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi. “Kjo duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për të zgjidhur dhe parandaluar konfliktet shkatërruese, për t’i dhënë fund persekutimit dhe për të adresuar shkaqet themelore që detyrojnë njerëzit e pafajshëm të largohen nga shtëpitë e tyre.”

Sipas agjencisë, numri i njerëzve të zhvendosur me forcë në mbarë botën u rrit në 90 milionë deri në fund të vitit 2021, i nxitur nga valët e reja të dhunës ose konflikti i zgjatur në vende si Etiopia, Burkina Faso, Mianmari, Nigeria, Afganistani dhe Republika Demokratike e Kongo.

Lufta në Ukrainë ka zhvendosur 8 milionë të tjerë brenda vendit këtë vit, tha ai, me më shumë se 6 milionë lëvizje refugjatësh nga Ukraina janë regjistruar.

Në mbi 1% të popullsisë globale, popullsia e përgjithshme e refugjatëve është e barabartë me vendin e 14-të më të populluar në botë. syri.net

blank

Humbjet e Rusisë në Ukrainë, të ngjashme me të periudhës sovjetike në Afganistan

RFE/RL

Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonin lindor Luhansk, ka thënë ushtria ukrainase më 23 maj, pasi forcat ruse tentojnë të rrethojnë qytetin Severodonjeck në këtë rajon.

Luftimet e ashpra në lindje të Ukrainës kanë rezultuar me vdekje të shumta të ushtarëve rusë, ka thënë inteligjenca britanike, duke vlerësuar se në tre muajt e parë të luftës në Ukrainë, Moska është përballur me një shifër viktimash, të ngjashme me atë që ka përjetuar ish-Bashkimi Sovjetik gjatë luftës nëntëvjeçare në Afganistan.

Mbrojtësit ukrainas u kanë rezistuar 11 sulmeve të armikut në 24 orët e fundit, teksa trupat ruse vazhdimisht tentojnë të kalojnë përtej, andaj edhe janë duke përdorur pajisje ajrore për të shkatërruar infrastrukturën, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 23 maj.

Në Severodonjeck, guvernatori rajonal, Serhiy Hayday, ka thënë se forcat ruse po tentojnë të rrethojnë qytetin me taktika shtatërruese.

Rusët është thënë se janë duke bërë përparim të kufizuar në këtë qytet ku pritet të nisin rrethim të ri.

Hayday ka thënë se Rusia është duke koncentruar atje trupat që ka pasur fillimisht në rajonin e Harkivit, disa nga Mariupoli si dhe trupa të mobilizuara nga Siberia, për të shtuar sulmet në rajonet Donjeck dhe Luhansk.

Të paktën shatë civilë janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur më 22 maj rreth rajonit Donjeck, ka thënë ushtria ukrainase përmes një postimi në Facebook.

Bombardimet ruse dhe sulmet me raketa janë dëgjuar edhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, si dhe në qytetet Mikollaiv dhe Zaporizhja në jug, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Ushtria britanike ka thënë në përditësimin e saj të fundit se shkalla e lartë të vdekshmërisë në anën e forcave ruse “vazhdon të rritet përgjatë ofensivës në Donbas”, si pasojë e disa faktorëve, përfshirë taktikat e dobëta, mbrojtje të pamjaftueshme ajrore, fleksibilitet të ulët dhe komandë që përsërit gabimet”.

Në këtë njoftim është thënë se rritja e vazhdueshme e numrit të viktimave mund të çojë në pakënaqësi në Rusi, pasi rusët në të kaluarën janë treguar të ndjeshëm ndaj humbjeve të përjetuara gjatë luftërave.

Zyrtarët ukrainas janë deklaruar pak për humbjet e tyre prej nisjes së luftës, mirëpo presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 22 maj se 50 deri në 100 ushtarë ukrainas po vriten, me sa duket çdo ditë, në lindje të shtetit.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka rritur edhe numrin e personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se për herë të parë bota ka regjistruar mbi 100 milionë njerëz të zhvendosur.

“Numri i njerëzve që u ikin konflikteve, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe persekutimeve, ka arritur në 100 milionë për herë të parë në histori. Kjo gjë është nxitur nga lufta në Ukrainë dhe konflikte tjera vdekjeprurëse”, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

Në Ukrainë, tetë milionë njerëz janë zhvendosur brenda shtetit, derisa gjashtë milionë të tjerë janë larguar jashtë kufijve, ka thënë Komisionari i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

Më 22 maj, Parlamenti ukrainas ka vazhduar gjendjen e luftës deri më 23 gusht, me kërkesë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksy.

Në Kiev, një panel i gjykatësve do të bëjë të ditur vendimin në gjyqin e parë për krime lufte.

Rreshteri rus, Vadim Shishimarin, 21-vjeçar, e ka pranuar se ka vrarë një civil 62-vjeçar në fazat e para të pushtimit rus në Ukrainë, mirëpo i ka thënë gjykatës se ka qenë i detyruar dhe “i vjen shumë keq”.

Prokurorët, të cilët kanë kërkuar dënim me vdekje, kanë thënë se ai “ka qenë në dijeni” se ka zbatuar “urdhër kriminal”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
blank

Rusët përqendrohen në Severodonetsk

VOAL- Ofensiva ruse në Donbass vazhdon. Përpjekjet e forcave të Moskës janë përqendruar aktualisht rreth Severodonetsk, pushtimi i të cilit sipas një raporti të ministrisë britanike të mbrojtjes në këtë kohë është “një prioritet i menjëhershëm taktik” për Kremlinin, i cili do të dërgonte njerëz rreth qytetit në veriperëndim të Lugansk, më herët aktivë më në veri, rreth Kharkiv, dhe automjete të reja ushtarake. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, Rusia deri tani ka humbur 29 050 ushtarë, 1 285 tanke, 3 141 automjete të blinduara, 599 sisteme artilerie, 201 sisteme të shumëfishta raketash, 170 helikopterë, 204 avionë, 470 dronë dhe 13 anije. Shifra mbi të cilat Moska nuk shprehet.

Situata në rajon është jashtëzakonisht e ndërlikuar, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në video-mesazhin e tij të zakonshëm të natës, i cili gjithashtu iu referua sulmeve në Sloviansk në rajonin e Donetskut. Pas humbjes së bastionit të fundit të rezistencës në Mariupol dhe shtrydhjes në Donbass, ai gjithashtu deklaroi në një intervistë se diplomacia është mënyra e vetme për të ndaluar konfliktin, duke sugjeruar që ai dëshiron të rifillojë negociatat me Kremlinin pikërisht në një muaj nga takimi i fundit i njohur publikisht mes palëve që u zhvillua më 22 prill.

Luftimet shtrihen në të gjithë linjën e kontaktit. Rusët vazhdojnë aksionet e tyre sulmuese në rajonet lindore të Ukrainës. Sulmet raketore dhe ajrore janë regjistruar në të gjithë territorin. Kievi ka frikë se sulmet nga Bjellorusia gjithashtu mund të përshkallëzohen. Në veri të Ukrainës, ushtria raportoi se forcat e armatosura të Minskut intensifikuan zbulimin në drejtimet Volyn dhe Polissya dhe u vu re vendosja e mjeteve shtesë të zbulimit elektronik në zonat kufitare të rajonit Gomel.

Në raundin e tij të vazhdueshëm të bisedimeve me partnerët perëndimorë, presidenti Volodymyr Zelensky (të hënën ai do t’u drejtohet pjesëmarrësve të WEF të Davos që u hap të dielën) foli edhe me Mario Draghi. Kryeministrit italian, ai theksoi nevojën për miratimin e një pakete të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë (ajo që përfshin embargon e naftës për të cilën BE nuk mund të bie dakord), urgjenca për të zhbllokuar portet në Detin e Zi dhe kërkesën për mbështetje. nga Kievi për një të ardhme në Bashkim.

Ndërkohë, dy ushtritë vazhdojnë negociatat për çlirimin e ushtarëve ukrainas të kapur nga ata rusë pas pushtimit të fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol. Hipotezat pasojnë njëra-tjetrën, por ende nuk ka asgjë konkrete. Të shtunën, negociatorët e Moskës kishin mohuar se kishin hapur mundësinë e një shkëmbimi të të burgosurve midis luftëtarëve të batalionit Azov dhe oligarkut prorus Viktor Medvedchuk.

Kryeqyteti ukrainas mirëpriti vizitën e presidentit polak Andrzej Duda të dielën në mëngjes, i cili mbajti një fjalim në Verkhovna Rada. Deputetët e përshëndetën me duartrokitje të gjata. Kreu i parë i huaj i shtetit që foli para parlamentit që nga fillimi i pushtimit nga Rusia tha: “Janë dëgjuar thashetheme shqetësuese se Ukraina duhet të dorëzohet ndaj kërkesave të Putinit. Vetëm Ukraina ka të drejtë. të vendosë për të ardhmen e saj”. rsi-eb

blank

Gazetaret afgane iu rezistojnë talebanëve

Në transmetim me fytyrat e tyre të zbuluara, ato sfidojnë rendin fundamentalist. “Nëse mbulojnë fytyrat, gjëja tjetër që do t’u thuhet është të mos punojnë”

 

VOAL- Gazetaret e kanaleve kryesore televizive afgane dolën në transmetim me fytyrat e tyre të zbuluara, duke sfiduar urdhrin e talebanëve sipas të cilit deri më sot ato, si të gjitha gratë në vend, duhet të mbulojnë fytyrat e tyre dhe jo më vetëm kokën me një shall.

Që nga kthimi në pushtet vitin e kaluar, talebanët kanë vendosur një sërë kufizimesh ndaj shoqërisë civile, shumë prej të cilave synojnë të kufizojnë të drejtat e grave. Në fillim të këtij muaji, lideri suprem i talebanëve lëshoi ​​një urdhër që gratë duhet të mbulohen plotësisht në publik, duke përfshirë edhe fytyrën, me burkën tradicionale.

Më parë mjaftonte vetëm një shall që mbulonte flokët. Pak ditë më parë, ministria e frikshme afgane për promovimin e virtytit dhe parandalimin e veseve kishte urdhëruar gazetarët televizivë që të zbatonin rregullat deri të shtunën. Por gazetarët e TOLO news, Shamhad TV dhe 1TV kanë dalë të gjithë drejtpërdrejt, pa fshehur fytyrën.

“Koleget tona janë të shqetësuara se, nëse mbulojnë fytyrat e tyre, gjëja tjetër që do t’u thuhet është të ndalojnë punën,” tha shefi i lajmeve të Shamhad TV Abid Ehsas. “Kjo është arsyeja pse ato nuk e kanë respektuar urdhrin deri tani”, shtoi ai. Mohammad Sadeq Akif Mohajir, zëdhënës i zëvendës ministrisë, tha se gratë po shkelin direktivën e talebanëve. “Nëse ato nuk respektojnë urdhrin, ne do të flasim me menaxherët e tyre”, tha ai. “Kushdo që jeton nën një sistem dhe qeveri të caktuar duhet t’u bindet ligjeve dhe urdhrave të atij sistemi,” shtoi ai. rsi-eb

blank

Rusia ndalon hyrjen e 963 amerikanëve në vend, përfshirë presidentin Biden

VOA/Marrë nga Reuters

Rusia tha të shtunën se u ka ndaluar 963 amerikanëve hyrjen në vend – përfshirë Presidentin Joe Biden, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe shefin e CIA-s, William Burns.

Moska tha se do të vazhdojë të hakmerret kundër atyre që i quajti veprime armiqësore të Shteteve të Bashkuara.

“Ne theksojmë se veprimet armiqësore të ndërmarra nga Uashingtoni, të cilat kthehen kundër vetë Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojnë të marrin kundërshtimin e duhur”, tha Ministria e Jashtme ruse.

Ndalimet kryesisht simbolike të udhëtimit janë pjesë e përkeqësimit të vazhdueshëm në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që kur filloi agresioni ndaj Ukrainës më 24 shkurt, që u pasua nga sanksione drastike ndaj Moskës dhe rritja e furnizimeve me armë për Ukrainën nga Uashingtoni dhe aleatët e tij.

Ministria e Jashtme ruse tha gjithashtu se kishte shtuar 26 emra të rinj në listën e kanadezëve që i ka ndaluar të udhëtojnë në Rusi, përfshirë shefat e mbrojtjes, drejtuesit e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëshorten e kryeministrit Justin Trudeau, Sophie Gregoire Trudeau.

Lista e re për zyrtarët kanadezë u publikua katër ditë pasi Kanadaja prezantoi një projekt-ligj që do të ndalojë Presidentin Vladimir Putin dhe rreth 1000 anëtarë të qeverisë dhe ushtrisë së tij të udhëtojnë atje.

Rusia kishte ndaluar më parë kryeministrin Trudeau, Ministren e Financave Chrystia Freeland dhe qindra kanadezë të tjerë që të hynin në vend, në përgjigje të sanksioneve kanadeze.

blank

Pekin, me mijëra në karantinë

VOAL- Mijëra banorë të Pekinit u vendosën me forcë në karantinë në mes të natës mes të premtes dhe sot, të shtunën, pasi u regjistruan 26 raste me Covid-19 në një zonë të banuar të kryeqytetit kinez.

Mbi 13,000 banorë të kompleksit rezidencial Nanxinyuan në juglindje të kryeqytetit, megjithë testin negativ për virusin, u transportuan në hotelet e izolimit dhe u kërcënuan me hakmarrje në rast të rezistencës.

“Ekspertët kanë vendosur që të gjithë banorët e Nanxinyuan kanë qenë në karantinë që nga 21 maji për shtatë ditë,” thuhet në një njoftim nga autoritetet shëndetësore në rrethin Chaoyang. “Ju lutemi bashkëpunoni, përndryshe do të pësoni pasoja ligjore”, shtuan të njëjtat autoritete. rsi-eb

blank

The Times: Salvini pozonte në Sheshin e Kuq, Berlusconi festoi aneksimin e Krimesë me verë 240-vjeçare

Mario Draghi nga parlamenti i Italisë bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë dhe fillimin e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës. Por, ai theksoi se negociatat e Kievit me Moskën do të ishin të mundshme vetëm nga një pozicion fuqie. “Nëse sot mund të flasim për një përpjekje për dialog, kjo është falë faktit që Ukraina ka arritur të mbrohet në këto muaj lufte”, tha kryeministri italian. Ishte një mesazh për ata deputetë që votuan në favor të dërgimit të armëve në Ukrainë në mars, por tani kanë ndryshuar mendje, duke argumentuar se dërgimi i më shumë armëve vetëm do të zgjasë armiqësitë.

Pikëpamja e tyre tingëllon me e njëjtë edhe më një pjesë të gjerë të opinionit publik, duke reflektuar një qëndrim shumë italian ndaj Rusisë dhe konfliktit të armatosur që Draghi, duket se synon ta trajtojë. Italia ka dërguar raketa tokë-ajër Stinger, mortaja, armë antitank dhe mitralozë, por figurat me ndikim të përfshirë në koalicionin qeverisës të Draghit janë rreshtuar për të thënë ‘mjaft’, mes tyre Matteo Salvini, lideri i partisë së djathtë ‘Liga’ dhe lideri i ‘Pesë Yjeve’, Giuseppe Conte, i cili ka kërkuar një tjetër votë.

Ankesat janë në kontrast me qëndrimin më të ashpër të Draghit ndaj Rusisë, që thuhet se përfshin sanksione ndaj bankës qendrore të Rusisë. Fjalimi i tij vjen pas takimit dje me kryeministren finlandeze Sanna Marin. Kryeministri ka mbështetur kërkesën e kombit të saj për t’u bashkuar me NATO-n; diçka që Salvini paralajmëroi se do të provokonte Rusinë. Muajin e kaluar, duke komentuar lëvizjet për të kufizuar blerjen e gazit rus, Draghi iu tha italianëve: “Doni të kemi paqe apo dëshironi të keni kondicionerin?”

blank

Në parlament ai e përfundoi fjalimin e tij me një kujtesë të prerë se “qeveria synon të vazhdojë të ecë në përputhje me rezolutën” për dërgimin e armëve. Megjithatë, fërkimet në koalicionin e tij pasqyrojnë se disa nga mbështetësit e tij kanë lidhje të gjata me Putinin, duke filluar nga Salvini. Ky i fundit dikur pozoi me një bluzë të Putinit në Sheshin e Kuq dhe partia ‘Liga’ nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkësinë e Putinit, Partia e Rusisë.
Manlio Di Stefano, ministër i ri i Jashtëm, i cili ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë, e përkufizoi Ukrainën si një “shtet kukull të NATO-s” në 2016. Ai tha në një takim në Moskë “Rusia e Bashkuar”, ndërsa shtoi se Italia duhej të shmangte të qenit “skllave” për NATO-n.

Një mbështetës i tretë i Draghit, ish-kryeministri dhe udhëheqësi i ‘Forza Italia’, Silvio Berlusconi, vizitoi Krimenë me Putinin në 2014 pasi Rusia e aneksoi atë, ndërsa ndau një shishe verë 240-vjeçare nga një kantinë lokale me liderin rus. Këtë javë Berlusconi, kundërshtoi dërgimin e armëve dhe kritikoi Jens Stoltenberg, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, për mosnjohjen e “pavarësisë” së Donbasit nga Ukraina.

Draghi, një ish-guvernator i Bankës Qendrore evropiane, i cili u zgjodh vjet për të drejtuar qeverinë italiane pasi ajo u rrëzua, synon të japë dorëheqjen përpara zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm. Gati gjysma e italianëve kanë kundërshtuar dërgimin e armëve në Ukrainë, më shumë se 29 për qind që e mbështetën masën, ndërsa në një sondazh të ri këtë javë 46 për qind thanë se Rusisë duhet t’i dorëzohej Krimea dhe territori që ajo tani pushton në pjesën tjetër të vendit për t’i dhënë fund luftës. Ky ishte dyfishi i numrit të atyre që argumentuan se Ukraina duhet të luftojë për të rifituar tokën e saj. Të pyetur nëse besonin se lejimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të rriste rrezikun e luftës me Rusinë, 45 për qind thanë ‘po’.

“Politika po ndjek opinionin publik. Italianët nuk e pëlqejnë luftën dhe konfliktin më shumë se çdo komb tjetër që njoh”, tha shkrimtari dhe komentatori Beppe Severgnini. “Britania nuk ka pasur luftë në territorin e saj për 1000 vjet, ndërsa Italia ka parë nazistët, spanjollët, austriakët, arabët. Është në ADN dhe ne po shohim reagimin e njerëzve që kanë vuajtur.”. Livio Di Lonardo, një shkencëtar politik në Universitetin Bocconi në Milano, vuri në dukje një sondazh të vitit 2021 që tregonte se italianët ishin të dytët pas grekëve në Evropë për mbështetjen për Putinin.

Andrea Cangini, një senator me partinë ‘Forza Italia’ të Berlusconit, mbajti një fjalim befasues në Senat këtë muaj, duke zbuluar “me siklet të sinqertë” se si dikur ishte “magjepsur” nga Putini, duke admiruar “vendimmarrjen e tij, aftësinë e tij për të ndikuar në ngjarje”. Tani, tha ai për The Times, ishte pro dërgimit të armëve në Ukrainë dhe po përpiqej të bindte italianët të mendonin si ai. “Ne duhet të edukojmë publikun, i cili beson se pozicioni i Evropës dhe NATO-s është përgjegjës për rritjen e çmimeve dhe bllokimin e eksporteve,” tha ai.

Matteo Renzi, ish-kryeministër, ia atribuoi prirjet pro-ruse të shumë italianëve vite të tëra lajmesh dhe propagandash të frymëzuara nga Rusia që qarkullojnë nëpër mediat sociale. Ai kujtoi një takim të vitit 2016 mes tij dhe Barack Obamës, David Cameron, François Hollande dhe Angela Merkel, në të cilin u diskutua tema.

“Hollande tha: “Ne kemi një problem” me propagandën ruse dhe lajmet e rreme”, tha ai. “Unë rashë dakord, por Cameron e hodhi poshtë atë. Më pas, muaj më vonë ai kuptoi se për çfarë po flisnim kur humbi referendumin e Brexit, në të cilin lajmet e rreme ruse luajtën një rol.”

Nathalie Tocci, kreu i IAI-t dhe analiste e emisioneve televizive, arriti në përfundimin se një paragjykim jo aq delikat pro-rus ishte ende i dukshëm në mediat italiane ku shumë të ftuar pretendonin se pushtimi i Putinit ishte provokuar nga perëndimi. Një “debat i shtrembëruar mediatik” kishte shtrembëruar opinionin publik, tha Tocci, e cili tani refuzon të dalë në TV. “Njerëzve u thuhet se dërgimi i armëve do të shkaktojë përshkallëzim dhe jo paqe.”


Send this to a friend